Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 October 2024Main stream

Denaj inspekton hidrovorin e Tales në Lezhë: Angazhim maksimal i strukturave në terren

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj inspektoi mbrëmjen e sotme hidrovorin e Tales në Lezhë.

Ky inspektim erdhi në vijim të masave të dakordësuara me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, prefekten Majlinda Angoni, kryetarin e bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefektin Gjergj Prendi.

Denaj tha se “hidrovori furnizohet me energji elektrike e cila sigurohet nga një linjë e veçantë, për funksionimin optimal të tij me 9 pompa. Në zonën e Messhkodrës, hidrovoret e Velipojës dhe Casit po funksionojnë gjithashtu me kapacitete të plota për t’iu përgjigjur situatës së emergjencës”.

“Bazuar në parashikimet e motit, Drejtoritë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit janë në gatishmëri të plotë duke monitoruar vazhdimisht nivelet e ujit në sistemet e kullimit dhe duke mbajtur në gatishmëri të plotë të gjithë hidrovoret”, theksoi Denaj.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me ekipet e saj është e gatshme në çdo moment për të siguruar mbarëvajtjen e situatës.

“Angazhimi maksimal i strukturave në terren dhe monitorimi i vazhdueshëm i situatës mbeten prioritet absolut”, tha Denaj.

Mbrëmjen e sotme ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, si dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, prefektja Majlinda Angoni, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefekti Gjergj Prendi zhvilluan një mbledhje online, ku biseduan për t’i paraprirë situatës meteorologjike të ditës së nesërme me reshje intensive në veriperëndim të vendit.

/k.s/a.f/r.e/

The post Denaj inspekton hidrovorin e Tales në Lezhë: Angazhim maksimal i strukturave në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌