Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 1 October 2024Main stream

Analiza e pluhurit saharian nuk provon metalet e rënda që shkarkohen nga avionët

1 October 2024 at 10:27

Pretendimi: Ato që konsiderohen si re pluhuri nga Saharaja janë pasojë e metalevetë rënda që shkarkohen në qiell nga avionët 

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendon se pluhuri që mbuloi Europën në fund të muajit mars 2024 kishte në përbërje kimikate të rënda, të cilat shkarkohen qëllimisht nga avionët që kalojnë në qiell.

Personi në video është Ivo Sasek, një zviceran që prin sektin fetar Organic Christ Generation, i cili është cilësuar si kult

KLA-TV, kanali online i Sasek, boton rregullisht teori konspirative të përkthyera në shumë gjuhë, mes të cilave edhe shqipja. Temat e preferuara përfshijnë “agjenda gjinore”, “krimet e koronës”, “armët e motit” dhe komplotet satanike. Miriam Christ, një ish-punonjëse e KLA-TV dhe ish-anëtare e OCG, tha në një intervistë se “Asnjëherë nuk na është thënë se duhet t’i kushtoni vëmendje burimeve me reputacion. Motoja ishte: kryesorja është të biem ndesh me mediat kryesore.”

Në video Ivo Sasek flet për “dyshimin” e tij se retë e pluhurit kanë të bëjnë më shumë me “armët e motit të patentuara prej kohësh” sesa me një fenomen natyror. Së pari, ai tregon në ekran tekstin e një patente të regjistruar në Shtetet e Bashkuara në 2018 për një teknologji që synon të luftojë efektet e rrezeve të diellit duke hedhur grimca në atmosferë – megjithatë ai nuk jep asnjë provë se kjo teknologji që atëherë ka gjetur zbatim konkret.

Kjo patentë është referuar në faqen e Patentave të Google, por nuk ka prova që është përdorur në të vërtetë për zhvillimin e ndonjë teknologjie.

Ivo Sasek më pas pretendon të prezantojë “një raport të parë analize që tregon se me çdo shi të të ashtuquajturit pluhur Sahara, të paktën 26 elementë, disa prej të cilëve janë shumë toksikë, bien mbi kokat tona. Por jo vetëm mbi kokën tonë, por edhe mbi bujqësinë tonë, mbi liqenet tanë, lumenjtë tanë, kopshtet tona, livadhet tona, mbi të gjitha kafshët tona, mbi popullatat e insekteve në ajër, në tokë dhe nëntokë.”

Dokumenti i prodhuar është i njëjtë me atë që u bë viral në pranverën e vitit 2024 kur retë e rërës saharane kaluan mbi Evropë. Faktoje e ka përgënjeshtruar edhe më parë këtë studim boshnjak.

Analiza e kryer nga “Instituti Boshnjak i Inxhinierisë Kimike”, thuhet se ishte porositur nga një avokat boshnjak, i quajtur Mirnes Ajanovic, i njohur në vend si kreu i një partie politike. Ajanovic ka shpërndarë dhe më parë dezinformim lidhur me vaksinat anti-Covid.

Në video shfaqet edhe Ajanovic, i cili pretendon se analiza konsistonte në krahasimin e një kampioni rëre nga Saharaja tuniziane me një tjetër të marrë nga fshati boshnjak Dobošnica Donja pas një “shiu të pisët të rrezikshëm” që shqetësoi banorët më 7 prill 2022. 

Dy kampionet ishin dërguar në Institutin e Inxhinierisë Kimike në Tuzla. Instituti konfirmoi tha për AFP se i kishte testuar të dy kampionet, por duke qenë se i ishin depozituar nga një palë e tretë, ata nuk ishin në dijeni të rrethanave në të cilat kampionët ishin marrë.

Kampioni boshnjak u zbulua se përmbante 26 substanca, me sasi shumë më të larta të aluminit, arsenikut, bariumit, nikelit, zinkut dhe hekurit sesa ai që supozohej të ishte marrë nga Saharaja. Instituti thekson në raportin e tij se kampioni boshnjak përmban disa përbërës kimikë në sasi që tejkalojnë kufijtë e lejuar ligjërisht.

Por edhe vetë Ajanovic theksoi se nevojiten analiza të mëtejshme për të shpjeguar përbërjen e kampionit dhe u bëri thirrje autoriteteve të punojnë në këtë drejtim.

Profesor Franco Marenco, nga Qendra Kërkimore e Klimës dhe Atmosferës (CARE-C), vuri në pikëpyetje mundësinë e nxjerrjes së përfundimeve të qëndrueshme dhe përfundimtare nga kjo analizë. Ai tha për AFP se nuk besonte se “eksperimenti ishte i dokumentuar siç duhet për të provuar çfarëdo teorie”.

Sipas informacionit të disponueshëm për këtë analizë, “nuk është dhënë asnjë informacion për vendin e grumbullimit të mostrave, për metodën e përdorur për mbledhjen, as mënyrën në të cilën mostrat janë trajtuar dhe ruajtur midis kohës së mbledhjes dhe së analizës,” theksoi ai.

Për të kryer një analizë të tillë, është e rëndësishme të sigurohet që metoda e përdorur e grumbullimit të jetë e njëjtë në të gjitha vendet ku janë marrë kampionet dhe të “verifikohet që rruga e masave të ajrit ndërmjet dy vendeve korrespondon me rrugën aktuale në atmosferë,” shpjegoi ai.

Për më tepër, për të shmangur kontaminimin, mostrat duhet të merren në mënyrë ideale në lartësi të mëdha, sepse “në shtresën kufitare” të atmosferës, domethënë në shtresën afër sipërfaqes së Tokës, rëra mund të ishte “përzier” me përbërës lokalë.

Konrad Kandler, drejtor kërkimor i Grupit të Kërkimit të Aerosolit Atmosferik në Institutin e Gjeoshkencave të Aplikuara në Darmstadt, Gjermani, tha për AFP se krahasimi i një kampioni të marrë nga toka – si ai që supozohet se përmban rërë nga Saharaja – me një kampion të bartur nga erërat “në përgjithësi nuk ka kuptim” sepse shumica e grimcave në tokë janë shumë të mëdha për t’u transportuar në distanca të gjata.

Rëra, e cila ka grimca më të mëdha, përgjithësisht nuk transportohet në distanca të gjata, ndryshe nga pluhuri, i cili është më i vogël, konfirmoi për AFP György Varga, një shkencëtar në Qendrën Hungareze për Astronominë dhe Shkencat e Tokës, i cili kryen kërkime mbi stuhitë e pluhurit. 

Më tej, Dobošnica Donja, fshati ku supozohet të jetë marrë kampioni, ndodhet 18 km nga Tuzla, një qytet industrial me reputacion si i ndotur, tha Elizabet Paunovic, eksperte në mjedisin dhe shëndetin në punë dhe ish-drejtoreshë e Qendrës Evropiane të OBSH-së për Mjedisin dhe Shëndetin. Qyteti i afërt Lukavac ka qenë gjithashtu objekt i studimeve për ndotjen e lartë.

Emetimet nga këto impiante mund të përhapen në qindra kilometra në varësi të kushteve të motit, theksoi Paunovic. “Për Tuzlën, ku ndotja ka qenë e konsiderueshme dhe e dokumentuar mirë për dekada, të mendosh se dikush do të hidhte ndotës nga aeroplanët duket vërtet e pakuptimtë,” përfundoi ajo.

Kampioni i dytë është i ngjashëm me ato të marrë në qytetet me popullsi të dendur, vëren Konrad Kandler: “Elementet me origjinë antropogjene [të krijuara ose të ndikuara nga njerëzit] janë të larta. Ato mund të vijnë nga burime të ndryshme, kryesisht industriale si metalurgjia, përdorimi i qymyrit, djegia e naftës bruto, makinat etj.”

The post Analiza e pluhurit saharian nuk provon metalet e rënda që shkarkohen nga avionët appeared first on Faktoje.al.

❌
❌