Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 September 2024Main stream

Denoncojnë maturantët: Sistemi elektronik favorizon regjistrimet në privat

By: gaze tare
30 September 2024 at 10:54

Si shpjegohet që, edhe pse një maturant është poshtë numrit të kuotave, sistemi i jep të drejtën të regjistrohet?!

Më 7 Tetor nis viti i ri akademik 2024-2025 për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Prej disa ditësh, maturantët kanë nisur të regjistrohen në universitetet publike dhe private përmes aplikimit online në portalin universitar U-Albania. Regjistrimi kryhet online në disa raunde dhe, në përfundim të tyre, në programet e studimit ku mbeten kuota të lira pranimi, kandidatët që kanë aplikuar në platformën elektronike U-Albania regjistrohen drejtpërdrejt në universitete deri në plotësimin e të gjitha kuotave. Procesi i aplikimit për në universitet nuk është falas, por ka tarifa të caktuara që paguhen në fillim të procesit. Çdo maturant/kandidat për fillimin e studimeve në arsimin e lartë zgjedh fillimisht universitetin, ku paraqiten logot e universiteteve publike dhe private, dhe më pas përzgjedh deri në 10 programe studimi. Përllogaritja e pikëve për renditjen e kandidatëve që aplikojnë në programet e studimit në universitet del automatikisht në sistemin U-Albania.

Aplikimi

Sipas afatit të përcaktuar në kalendar, QShA-ja i përcjell RASh-it në formë shkresore dhe elektronike për çdo program studimi të ofruar. Në rubrikën “Këndi i maturantit” shfaqen preferencat e tij, ku pasqyrohet në formë tabelore renditja e programeve studimore të përzgjedhura prej tij. Teksa maturanti përzgjedh degën, programet e studimit shfaqen me ngjyra të ndryshme: ngjyra e gjelbër tregon degët ku është fitues dhe mund të regjistrohet, ndërsa ngjyra e kuqe tregon se nuk është fitues në atë program studimi. Maturanti duhet të kontrollojë kolonat e renditjes dhe kuotat për fazën e ardhshme. Nëse fituesit me ngjyrë të kuqe regjistrohen në degë të tjera, lirohen vende në atë degë. Nëse lirohen aq vende sa është renditja e maturantit, atëherë kjo degë shfaqet me ngjyrë të verdhë, dhe mund të regjistrohet në nënfazën tjetër.

Këtu fillon “presioni” mbi maturantët, pasi nëse ata presin për një degë tjetër, mund të humbasin mundësinë për t’u regjistruar në degën ku ishin shpallur fitues. Një tjetër formë “presioni” vjen nga shfaqja e kuotave të lira. Sipas denoncimeve të mbërritura në VNA, platforma “U-Albania”, pjesë e Rrjetit Akademik Shqiptar, shpesh nxjerr më shumë kuota të lira për universitetet private, edhe pse disa universitete shtetërore kanë realisht vende të lira.

Kuotat

Sipas raportimeve të maturantëve dhe ish-maturantëve tashmë studentë, programet private vitet e fundit shpesh shfaqen me ngjyrë jeshile, duke u dhënë të drejtën të regjistrohen pavarësisht se janë poshtë numrit të kuotave. Kjo nuk ndodh nëse përzgjedhja bëhet për universitetet publike. Maturantët vërejnë se në sistemin U-Albania, kur bëjnë përzgjedhjen e 10 degëve, rezultatet shfaqen në mënyra të ndryshme, dhe është e paqartë se si funksionon sistemi. Rrjeti Akademik Shqiptar duhet të përgjigjet se si një maturant që është poshtë numrit të kuotave merr të drejtën të regjistrohet.

VNA është duke monitoruar këtë proces dhe pret një përgjigje nga Rrjeti Akademik Shqiptar, i cili funksionon në vendin tonë që nga viti 2007. Që nga viti 2018, Rrjeti është riorganizuar me statusin autonom si një IAL dhe si një Qendër e përbashkët ndërinstitucionale për kërkim-zhvillim në fushën e TIK, me pjesëmarrjen e 12 universiteteve publike shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë si bashkëthemeluese.

Sipas informacioneve të publikuara nga RASh, “Interes për t’u bërë pjesë e RASh kanë shfaqur edhe IAL jo publike, si dhe institucione të tjera relevante nga fusha e TIK”. VNA po monitoron regjistrimet në arsimin e lartë në Shqipëri, dhe rezulton se, ndërsa universitetet shtetërore kanë dhjetëra programe studimi me shumë pak studentë, universitetet private kanë regjistrime të larta që në raundin e parë, me mbi 50+ studentë./ Vna.al

The post Denoncojnë maturantët: Sistemi elektronik favorizon regjistrimet në privat appeared first on iconstyle.al.

❌
❌