Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 September 2024Main stream

Pajisjet e Hezbollahut që shpërthyen në Liban e Siri u prodhuan nga një kompani hungareze

By: user 6
18 September 2024 at 20:34

Një kompani tajvaneze tha sot se kishte autorizuar përdorimin e emrit të saj në pajisjet e komunikimit ‘pager’ të përdorura nga pjesëtarët e grupit militant Hezbollah, por pajisjet ishin prodhuar nga një firmë me seli në Hungari. Këto pajisje shpërthyen pothuaj në të njëjtën kohë të martën në Liban dhe Siri, duke lënë 12 të vdekur, në mesin e tyre dy fëmijë, dhe rreth 3,000 të plagosur. Hezbollahu dhe qeveria libaneze fajësuan Izraelin për shpërthimet, ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në dijeni dhe as të përfshira në operacion.

Në atë që duket si një sulm i sofistikuar, i kryer nga largësia, pajisjet personale të komunikimit ‘pager’ të përdorura nga qindra pjesëtarë të grupit Hezbollah shpërthyen pothuaj se në të njëjtën kohë në Liban dhe Siri të martën. “Pager” është një mjet komunikimi me mesazhe, i ndryshëm nga celularët, i përdorur gjerësisht në fund të viteve ‘90 dhe fillim të viteve 2000.

Një zyrtar amerikan tha se Izraeli i kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara pas përfundimit të operacionit, gjatë të cilit u shpëthyen sasi të vogla eksplozivi, të fshehura në pajisjet ‘pager’. Në mesin e të lënduarve është edhe ambasadori iranian në Liban, i cili po trajtohet në spital.

Sipas dëshmitarëve dhe burimeve të sigurisë, shpërthimet filluan rreth orës 15:30 dhe vazhduan për gati një orë. Disa prej tyre ndodhën kur përdoruesi mori një mesazh dhe në përpjekje për ta lexuar, duke shtypur butonat aktivizoi lëndën shpërthyese.

Shpërthimet, sipas analizave të agjencisë Reuters, ishin të izoluara, duke lënduar vetëm personin që mbante pajisjen e komunikimit apo njerëzit që gjendeshin shumë pranë. Pamjet nga spitalet dhe ato të postuara në rrjetet sociale tregonin individë me plagë në fytyrë, gishtërinj të gjymtuar dhe plagë të hapura në brez.

Udhëheqësi i Hezbollahut kishte ndaluar përdorimin e celularëve për shkak të frikës se ato mund të gjurmoheshin nga organet izraelite të zbulimit dhe kishte kërkuar përdorimin e pajisjeve “pager”, me teknologji të vjetër. Sipas zyrtarëve të lartë libanezë, Hezbollahu kishte porositur 5 000 pajisje të tilla komunikimi nga kompania Gold Apollo, të cilat sipas disa burimeve kishin arritur në Liban në fillim të këtij viti.

Kompania tajvaneze Gold Apollo tha se pajisjet që mbanin firmën e saj ishin prodhuar dhe shitur nga kompania ‘BAC Consulting KFT’, të cilën e kishte autorizuar për të përdorur emrin e saj në disa rajone të botës dhe me të cilën kishte marrëveshje të tillë në tre vitet e fundit.

“Në tre vitet e fundit kemi bashkëpunuar me një firmë në Evropë, që janë partner për të gjitha pajisjet tona. Ajo i prodhon pajisjet ‘pager’ me logon tonë, na paguajnë për shfytëzimin e saj, si ç’e kemi në kontratatë.”

Kompania BAC, që paraqitet si kompani hungareze, me seli në Budapest, është prodhuesja e pajisjeve ‘pager’ të tipit AR-924, që u përdorën në sulm. Kjo kompani, që duket se është një biznes fantazmë, që përdoret për fshehjen e aktiviteteve, u regjistrua si firmë në vitin 2022. Ndërtesa e kompanisë në Budapest ka të vendosura emrat e disa kompanive në dritaret e saj.

Hezbollahu dhe qeveria libaneze fajësuan Izraelin për sulmin e pretenduar, i cili shtoi shqetësimet për një luftë të hapur mes tyre. Përkundër periudhave me tensione ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, dy palët kanë shmangur një luftë të hapur, por javëve të fundit udhëheqësit izraelitë kanë paralajmëruar se do t’i përshkallëzojnë operacionet ndaj grupit militant në Liban. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mohoi përfshirjen në incidentet në Liban.

“Sa i përket Libanit, Shtetet e Bashkuara nuk ishin në dijeni dhe as nuk ishin të përfshira në to. Ende jemi duke mbledhur informacion dhe faktet. Në përgjithësi, e kemi bërë të qartë se sa e rëndësishme është që të gjitha palët të shmangin hapat që mund të përshkallëzojnë edhe më shumë konfliktin, të cilin po përpiqemi ta zgjidhim në Gazë, të shpërndahet në fronte tjera. Nuk është në interesin e asnjërës palë të përfshirë që të ndodhë diçka e tillë. Prandaj është e rëndësishme që të gjitha palët të shmangin veprime që mund ta përshkallëzojnë konfliktin”, tha ai.

Burime të së përditshmes amerikane New York Times thanë se Izraeli e kishte fshehur eksplozivin në to para se pajisjet të ishin importuar në Liban. Në Jerusalem, izraelitët përshëndetën operacionin e të martës.

“Izraeli e dëshmon sërish që imagjinata jonë është e pafund. Mund t’i godasim armiqtë tonë në çdo kohë. Por problemi qëndron që ata nuk mësojnë dhe vazhdojnë me agjendën e tyre për ta shkatërruar shtetin e Izraelit.”

Izraeli deri më tani nuk ka komentuar rreth shpërthimeve në Liban. /VOA

The post Pajisjet e Hezbollahut që shpërthyen në Liban e Siri u prodhuan nga një kompani hungareze appeared first on Lapsi.al.

E bëri Izraeli?/ Si u shpërthyen radiomarrëset në dorë e xhepa ushtarëve të Hezbollahut

By: user 6
17 September 2024 at 23:51

9 persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur në Liban, pasi radiomarrëset e përdorura nga grupi i armatosur Hezbollah për të komunikuar shpërthyen papritur pothuajse njëkohësisht në të gjithë vendin këtë të martë. Qindra njerëz u derdhën nëpër spitale në të gjithë vendin.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se të paktën 2750 persona janë plagosur, 200 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Është e paqartë se si ndodhi sulmi, i cili duket të ketë qenë shumë i sofistikuar. Hezbollahu ka fajësuar menjëherë kundërshtarin e tij, Izraelin. Zyrtarët izraelitë deri më tani kanë refuzuar të komentojnë. Çfarë dimë deri tani.

Kur dhe ku ndodhi?

Shpërthimet filluan në Bejrutin jugor dhe disa zona të tjera të Libanit pasditen e së martës rreth orës 15:45 me orën lokale. Dëshmitarët raportuan se kishin parë tym që dilte nga xhepat e njerëzve, përpara se të dëgjoheshin shpërthime të vogla që dukeshin si fishekzjarrë apo të shtëna armësh. Në një video, pamjet e kamerës së sigurisë treguan një shpërthim në xhepin e pantallonave të një burri teksa qëndronte në një dyqan.

Shpërthimet vazhduan për rreth një orë njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Menjëherë pas kësaj, një numër i madh njerëzish filluan të mbërrinin në spitale në të gjithë Libanin. Dëshmitarët raportuan skena të konfuzionit masiv. Një burim i afërt me Hezbollahun i tha AFP se 2 nga të vrarët ishin djemtë e dy deputetëve të Hezbollahut. Ata thanë gjithashtu se vajza e një anëtari të Hezbollahut u vra.

Mes të plagosurve ishte edhe ambasadori i Iranit në Liban, Mojtaba Amani. Raportimet në mediat iraniane thanë se plagët e tij ishin të lehta. Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah nuk u lëndua nga shpërthimet, raportoi Reuters duke cituar një burim. Jashtë Libanit, 14 persona u plagosën në shpërthime të ngjashme në Sirinë fqinje.

Si shpërthyen radiomarrëset?

Analistët janë shprehur të habitur për shkallën e sulmit duke nënvizuar se Hezbollahu krenohet me masat e tij të sigurisë. Disa sugjeruan se një haker mund të ketë shkaktuar mbinxehjen e baterive të radiomarrëseve duke shkaktuar shpërthimin e pajisjeve. Një akt i tillë do të ishte i paprecedentë. Megjithatë shumë ekspertë thonë se kjo nuk ka gjasa të ketë ndodhur duke parë pamjet e shpërthimeve që nuk janë të ngjashme me mbinxehjen e baterive.

Në vend të kësaj, disa analistë thonë se me shumë gjasë radiomarrëset janë manipuluar që gjatë prodhimit ose gjatë transportit. Sulmet e zinxhirit të furnizimit janë një shqetësim në rritje në botën e sigurisë kibernetike. Shumë incidente janë shkaktuar kohët e fundit nga hakerat që kanë marrë akses në produkte teksa ato janë në zhvillim.

Por këto sulme zakonisht përqendrohen tek softuerët. Sulmet e zinxhirit të furnizimit të harduerit janë shumë më të rralla pasi duhet të merret pajisja në dorë. Nëse ky do të ishte vërtet një sulm i zinxhirit të furnizimit, do të duhet të kishte përfshirë një operacion të madh për të manipuluar fshehurazi radiomarrëset në një farë mënyre.

Një ish-ekspert i municioneve të Ushtrisë Britanike, i cili kërkoi të mos përmendet emri, i tha BBC-së se pajisjet mund të ishin të mbushura me nga 10-20 gramë eksploziv të nivelit të lartë ushtarak, të fshehur brenda një komponenti elektronik të rremë. Kjo, tha eksperti, do të ishte aktivizuar nga një sinjal, diçka që quhet një mesazh teksti alfanumerik.

Kush është përgjegjës?

Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë megjithëse kryeministri i Libanit dhe Hezbollahu kanë fajësuar Izraelin. Kryeministri Najib Mikati tha se shpërthimet përfaqësonin një “shkelje serioze të sovranitetit libanez dhe një krim sipas të gjitha standardeve”. Në deklaratën e tij duke akuzuar Izraelin se qëndron pas sulmeve, Hezbollah tha se ai ishte “plotësisht përgjegjës për këtë agresion kriminal që synonte gjithashtu civilët”.

“Ky armik tradhtar dhe kriminel sigurisht që do të marrë dënimin e tij të drejtë për këtë agresion mëkatar, pavarësisht nëse e pret apo jo”, shtoi ai. Zyrtarët izraelitë nuk i kanë komentuar akuzat, por shumica e analistëve pajtohen se duket se ai qëndron pas sulmit.

Prof. Simon Mabon, kryetar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Lancaster, i tha BBC-së: “Ne e dimë se Izraeli ka një precedent të përdorimit të teknologjisë për të gjurmuar objektivat e tij”, por ai e quajti shkallën e këtij sulmi “të pashembullt”. Lina Khatib, nga Chatham House me seli në Mbretërinë e Bashkuar, tha se sulmi tregoi se Izraeli është infiltruar “thellë” në “rrjetin e komunikimit” të Hezbollahut.

Pse Hezbollahu përdor radiomarrëse?

Hezbollahu mbështetet shumë tek radiomarrëset për komunikimet mes grupit. Telefonat celularë janë braktisur prej kohësh të konsideruar shumë të cenueshëm, siç tregoi vrasja nga Izraeli të prodhuesit të bombave të Hamasit, Yahya Ayyash në vitin 1996, kur telefoni i tij shpërtheu në dorë.

Por një operativ i Hezbollahut i tha agjencisë së lajmeve AP se radiomarrëset ishin një markë e re që grupi nuk e kishte përdorur më parë. Emily Harding, një ish-analist i CIA-s, tha se shkelja e sigurisë ishte thellësisht e turpshme për Hezbollahun.

“Një shkelje e kësaj përmase nuk është vetëm e dëmshme fizikisht, por gjithashtu do t’i bëjë ata të vënë në dyshim të gjithë aparatin e tyre të sigurisë” – tha ajo për BBC. “Unë pres të shoh që ata të kryejnë një hetim të brendshëm intensiv që do t’i shpërqendrojë nga një luftë e mundshme me Izraelin.”

A do të përshkallëzohet konflikti Hezbollah – Izrael?

Hezbollahu është aleat me armikun kryesor të Izraelit në rajon, Iranin. Grupi është pjesë e Boshtit të Rezistencës të Teheranit dhe është përfshirë në një luftë të nivelit të ulët me Izraelin për muaj të tërë, duke shkëmbyer shpesh raketa dhe dronë përgjatë kufirit verior të Izraelit. Komunitete të tëra janë zhvendosur nga të dyja anët.

Shpërthimet erdhën vetëm disa orë pasi kabineti i sigurisë i Izraelit bëri kthimin e sigurt të banorëve në veri të vendit një qëllim zyrtar i luftës. Kryeministri Benjamin Netanyahu i tha një zyrtari amerikan se Izraeli “do të bënte atë që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e tij”. Më herët të hënën, agjencia e sigurisë së brendshme e Izraelit tha se kishte penguar një përpjekje të Hezbollahut për të vrarë një ish-zyrtar.

Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme, analistët thonë se deri më tani të dyja palët kanë synuar të frenojnë armiqësitë pa kaluar kufirin për një luftë të shkallës së plotë. Por ka frikë se situata mund të dalë jashtë kontrollit, me Hezbollahun që tashmë kërcënon se do t’u përgjigjet shpërthimeve të së martës. ©BBC, LAPSI.al

The post E bëri Izraeli?/ Si u shpërthyen radiomarrëset në dorë e xhepa ushtarëve të Hezbollahut appeared first on Lapsi.al.

8 të vrarë dhe 3 mijë të plagosur/ Si shpërthyen njëkohësisht radiomarrëset e Hezbollahut (VIDEO)

By: user 6
17 September 2024 at 21:14

8 persona kanë humbur jetën dhe rreth 3 mijë të tjerë janë plagosur pasi radiomarrëset e dorës të përdoruara nga anëtarët e grupit të armatosur Hezbollah për të komunikuar kanë shpërthyer njëkohësisht në të gjithë Libanin. Lajmin e konfirmoi ministri i shëndetësisë së vendit që tha se mes viktimave është edhe një fëmijë. Ambasadori i Iranit në Liban është mes të plagosurve nga shpërthimet që ndodhën në Bejrut dhe disa rajone të tjera. Hezbollahu, i cili mbështetet nga Irani, tha se radiomarrëset u përkisnin “punonjësve të njësive dhe institucioneve të ndryshme të Hezbollahut” dhe se të paktën 2 ushtarakë ishin mes viktimave.

Grupi fajësoi Izraelin për atë që e quajti “një agresion kriminal” dhe u zotua se do të merrte një “hakmarrje të drejtë”. Ushtria izraelite nuk ka pranuar të komentojë. Izraeli është në luftë me Hezbollahun që nga tetori i kaluar, paralelisht me luftën në Gaza, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal. OKB tha se zhvillimet ishin jashtëzakonisht shqetësuese, duke pasur parasysh kontekstin “e paqëndrueshëm” mes vendeve. Hezbollahu mbështetet shumë tek radiomarrëset për komunikim.

Grupi ka paralajmëruar anëtarët e tij që të ndalojnë përdorimin e telefonave celularë sepse edhe ata mund të hakerohen ose gjurmohen nga forcat izraelite të sigurisë. Sipas Hezbollahut, një numër i madh radiomarrësesh shpërtheu në zona të shumta të Libanit rreth orës 15:30 me kohën lokale.

Një video CCTV tregoi një shpërthim në çantën e një burri në një supermarket. Burri më pas shihet duke rënë mbrapsht në tokë dhe duke qarë nga dhimbja ndërsa blerësit e tjerë vrapojnë për t’u mbrojtur. Ministri i Shëndetësisë së Libanit, Firas Abiad tha se shumica e plagëve ishin në fytyrë, duar dhe stomak.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se ambasadori i Iranit në Bejrut, Mojtaba Amani, pësoi lëndime “sipërfaqësore” në një nga shpërthimet. Kryeministri libanez Najib Mikati fajësoi Izraelin për shpërthimet duke deklaruar se ato përfaqësonin një “shkelje serioze të sovranitetit libanez dhe një krim sipas të gjitha standardeve”.

Një ish-ekspert i municioneve të Ushtrisë Britanike, i cili kërkoi të mos përmendet emri, i tha BBC-së se radiomarrëset ka të ngjarë të ishin mbushur me 10-20g eksploziv ushtarak, të fshehur brenda një komponenti elektronik të rremë.

Ai është shpërthyer nëpërmjet aktivizimit të një mesazhi me tekst alfanumerik. Lina Khatib, një analiste e Lindjes së Mesme në institutin Chatham House me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, i tha BBC se “Izraeli është përfshirë në operacione kibernetike kundër Hezbollahut prej disa muajsh, por kjo shkelje e sigurisë është më e madhja”.

“Ngjarja përkon me rritjen e presionit publik në Izrael ndaj qeverisë për të siguruar kufirin verior të vendit me Libanin. Në vend të veprimit ushtarak, të cilit Hezbollahu do të ishte në gjendje t’i rezistonte, ky sulm synon të paralizojë Hezbollahun dhe të kufizojë ndjeshëm opsionet e tij për manovrim kundër Izraelit” – tha ajo.

Edhe pse nuk ka pasur asnjë koment nga Izraeli, ngjarjet vijnë disa orë pasi kabineti i sigurisë së vendit bëri kthimin e sigurt të 60 mijë banorëve të zhvendosur në veri nga sulmet e Hezbollahut. Që nga tetori, të paktën 589 njerëz janë vrarë në Liban, shumica dërrmuese e tyre luftëtarë të Hezbollahut. Nga ana izraelite, 25 civilë dhe 21 anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë.

The post 8 të vrarë dhe 3 mijë të plagosur/ Si shpërthyen njëkohësisht radiomarrëset e Hezbollahut (VIDEO) appeared first on Lapsi.al.

❌
❌