Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 October 2024Main stream

Guga: Mbi 2,100 mësues ndihmës këtë vit për nxënësit me aftësi të veçanta

8 October 2024 at 15:43

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në lidhje me masat e marra për fillimin e vitit të ri 2024-2025 në sistemin e arsimit parauniversitar.

Të ftuar në komision ishin Nina Guga, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, Zamira Gjini, drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë e Politikave të Arsimit Parauniversitar dhe Rezarta Alla, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.

Në fjalën e saj, Guga raportoi për një sërë masash të ndërmarra për të siguruar një ambient të sigurt, miqësor dhe edukues për të gjithë nxënësit në Shqipëri, kushte më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha strukturave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

Si element kyç në këtë proces, Guga përmendi Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), i cili ka lehtësuar regjistrimin dhe transferimin e nxënësve në të gjitha shkollat e vendit, duke garantuar që çdo nxënës të ketë qasje të barabartë në arsim.

Për sa i përket sigurimit të një arsimi të barabartë dhe gjithëpërfshirës, zëvendësministrja shtoi se “mbi 2,100 mësues ndihmës do të mbështesin këtë vit nxënësit me aftësi të veçanta në shkolla”.

“Bëhet fjalë për mbi 200 mësues ndihmës më shumë se një vit më parë, të cilët do të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë në procesin edukativ të tyre, për të zhvilluar potencialin e tyre në mënyrë të plotë dhe efektive si dhe rreth 3500 bursa për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta sociale dhe ekonomike”, tha ajo.

Më tej, Guga nënvizoi dhe rimbursimin e transportit falas për rreth 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues për largësinë nga shkolla, duke rritur aksesin në sistem.

Ajo u ndal po ashtu te mbështetja për nxënësit me tekstet falas, ku falë kësaj politike u garantohen çdo vit mbi 238 mijë nxënësve paketa e teksteve shkollore falas me një financim nga buxheti i shtetit rreth 9 milionë euro.

Guga foli po ashtu edhe për investimet në infrastrukturën shkollore, rritjen e pagave për personelin arsimor, disa nga risitë e kornizës së re të kualifikimit dhe zhvillimit profesional të mësuesve ku theksoi sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve sipas të cilit mësuesit të cilët hyjnë në sistemin tonë arsimor do të mbështeten për të arritur gradën ‘Mësues i kualifikuar’ në 3 vitet e para të karrierës së tyre duke ulur kështu kohën për të përfituar këtë shkallë kualifikimi.

Zëvendësministrja vijoi me raportimin mbi rolet e reja të mësuesit në shkolla, programet ekstra-kurrikulare si dhe mbështetjen e nxënësve me këshillim psikologjik dhe përkujdesin psikosocial si pjesë e politikave për një shkollë të sigurt, ekipet sportive në shkolla etj

Komisioni vijoi me pyetje, komente dhe sugjerime nga anëtarët. /m.m/

The post Guga: Mbi 2,100 mësues ndihmës këtë vit për nxënësit me aftësi të veçanta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌