Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Çmimet e naftës bien me 2.6% pasi Arabia njoftoi se do rrisë prodhimin. Mbretëria ‘heq dorë’ nga targeti 100$/fuçi

26 September 2024 at 12:26

Çmimet e naftës ranë të enjten, pas lajmit se Arabia Saudite do të heqë dorë nga objektivi i saj për të ulur prodhimin dhe për të rritur çmimet.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë me 1.89 dollarë ose 2.57% në 71.57 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor të SHBA ra 1.83 cent ose 2.63% në 67.86 dollarë për fuçi.

Financial Times raporton se Arabia Saudite është gati të braktisë qëllimin e arritjes së çmimit të naftës 100 dollarë/fuçi dhe po përgatitet për një rritje të prodhimit, një shenjë që Mbretëria do të pranojë çmimet e ulëta të naftës.
Eksportuesi më i madh në botë i naftës dhe shtatë anëtarë të tjerë të grupit prodhues të OPEC+ ishin shkak i reduktimeve të gjata të prodhimit nga fillimi i tetorit.

Por një vonesë dy-mujore nxiti spekulimet nëse OPEC do të rriste me të vërtetë prodhimin me naftën Brent që shitej poshtë 70 dollarëve. Gjithsesi, zyrtarët brenda Mbretërisë janë të vendosur për të rritur prodhimin edhe nëse kjo do të thotë çmime më të ulëta, duke nisur nga 1 dhjetori.

Ndryshimi i qëndrimit të Arabisë Saudite është përparim i madh, e cila ka bërë që anëtarët e tjerë të OPEC+ të reduktojnë vazhdimisht prodhimin që nga nëntori 2022 në një përpjekje për të mbajtur çmime të larta. Ministri saudit i Energjisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Sipas një analize nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Arabisë Saudite i duhet një çmim nafte 100 dollarë për fuçi, pasi princi i kurorës Mohammed bin Salman synon të zhvillojë projekte gjigande në kuadër të një reforme ambicioze ekonomike.

Politika e shkurtimit të prodhimit ka qenë qendër debati për SHBA-në dhe Riadin.

The post Çmimet e naftës bien me 2.6% pasi Arabia njoftoi se do rrisë prodhimin. Mbretëria ‘heq dorë’ nga targeti 100$/fuçi appeared first on Gazeta Si.

Subjektet financiare jobanka arkëtuan 1 mld lekë fitim në 6-mujorin e parë. 52% e kredisë iu dha individëve

26 September 2024 at 12:25

Nga Gazeta ‘SI’ – Përveç bankave, edhe subjektet e tjera financiare kanë përjetuar një periudhë pozitive, por jo aq sa të një viti më parë.

Ato që njihen si subjekte jobanka, kanë raportuar një zgjerim të aktivitetit të tyre duke e mbyllur 6-mujorin e parë të 2024-s me një fitim prej 1 mld lekësh, megjithatë më të ulët se niveli i fitimit të raportuar në të njëjtën periudhë të vitit 2023, 1.8 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë tregon se subjektet financiare jobanka, SFJB, kanë financuar sektorin e shërbimit në masën 22%, atë të tregtisë me 18% dhe ndërtimin me 10%. Më shumë se gjysma e stokut të kredisë së këtyre subjekteve, 52% ka shkuar për kredimarrësit individë.

Për të njëjtën periudhë, cilësia e kredisë ka pasur përmirësim. Pra treguesi i kredive të këqija është reduktuar nga 13.3% në 12.8%.

Rreth 76% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit është me kapital vendas.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar mbetet i ulët, ndonëse ka shënuar një rritje të lehtë gjatë periudhës, ndërsa ndjeshmëria e sektorit jobankar ndaj veprimtarisë së sektorit bankar mbetet e lartë, por nuk ka shënuar ndryshime gjatë periudhës. Në raport me aktivet e tyre, shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensionit kanë ekspozimin më të madh ndaj sektorit bankar, pasi vendosjet e tyre në banka përbëjnë rreth 34% të aktiveve të tyre.

Aktualisht, në tregun financiar operojnë 40 IFJB, nga të cilat: 25 subjekte janë institucione të kredisë, mikrokredisë, faktoringut, qirasë financiare, blerjes së kredive me probleme etj.; 5 subjekte janë institucione pagesash; dhe 10 janë institucione të parasë elektronike.

Aktivitet kryesor i IFJB-ve është ai kreditues (37%), ndjekur nga shërbimet e pagesave dhe transfertave (31%), si edhe paraja elektronike (20%). Në sistemin financiar operojnë gjithashtu 16 shoqëri të kursim-kreditit (ShKK) dhe një Union, 12 shoqëri sigurimi, 16 fonde investimi dhe 6 fonde pensioni. Peshën kryesore në veprimtarinë e sektorit jobankar e zë aktiviteti i institucioneve financiare jobanka, ndjekur nga fondet e investimit.

The post Subjektet financiare jobanka arkëtuan 1 mld lekë fitim në 6-mujorin e parë. 52% e kredisë iu dha individëve appeared first on Gazeta Si.

Rregullorja e re, çmimi i sigurimit të makinës do të përcaktohet sipas riskut që ka mjeti

24 September 2024 at 13:11

Nga Gazeta ‘SI’ – Sigurimi i mjeteve do të ndryshojë nga 2025-a dhe jo të gjithë do të paguajnë njësoj.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një rregullore të re që i përcakton tarifat e sigurimeve të detyrueshme të mjetit sipas një liste faktorësh që përcaktojnë rrezikun për dëme.

Pra, për të vendosur tarifën e një police sigurimi kompanitë duhet të kenë parasysh faktorët e riskut si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo

Po ashtu kompanitë mund të shënojnë aty më shumë faktorë risku, sipas analizës së tyre.

Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.

Së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, shoqëritë e sigurimit duhet të depozitojnë pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim.

Kompanitë nuk mund t’i ndryshojnë tarifat më shumë se dy herë brenda një viti kalenderik dhe duhet të publikojnë në faqen e internetit gjatë gjithë periudhës së zbatimit, koeficientët e faktorëve të riskut, shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë, si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit.

Shoqëritë e sigurimit gjithashtu duhet të mbajnë të afishuara në çdo pikë shitjeje tabelat me primet e sigurimit, të miratuara gjatë periudhës së zbatimit të tyre.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në 1 janar 2025.

The post Rregullorja e re, çmimi i sigurimit të makinës do të përcaktohet sipas riskut që ka mjeti appeared first on Gazeta Si.

Euro në të kuqe, këmbehet me 99.08 lekë

23 September 2024 at 15:20

Nga Gazeta ‘SI’ – Euro ka nisur javën me një rekord të ri minimal në këmbim me lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, këtë të hënë një euro këmbehet me 99.08 lekë, vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Valutat e tjera kryesore shënuan një rritje të lehtë ditën e hënë, por duke qëndruar sidoqoftë pranë niveleve të ulëta shumëvjeçare. Dollari amerikan këmbehej me 89.22 lekë.

Në 30 ditët e fundit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.4%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 6.9%. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për herë të fundit në kursin e këmbimit valutor në fillim të muajit gusht.

Në kulmin e sezonit veror, kur pritej goditje e fortë e euros, pati një stabilizim të kursit të këmbimit, por shtatori riktheu rënien.

Sipas BSH flukset e mëdha të euros nga turistët, investimet e huaja dhe eksportet po ushtrojnë presion mbi monedhën europiane. Vetë guvernatorit Genti Sejko i bëri thirrje qeverisë për bashkëpunim, pasi Banka e vetme nuk mban dot kursin.

Sejko ripërsëriti rolin e parasë informale në zhvendosjen e kursit të këmbimit dhe theksoi se në një vit monedha europiane është zhvlerësuar me 20% kundrejt lekut.

“Vjet kemi pasur 6 miliardë euro të hyra formale, por sidoqoftë ne nuk e kemi mohuar kurrë edhe prezencën e parasë informale përsa kohë kemi nivel të lartë informalitetin në ekonomi. Për këtë arsye ekziston edhe paraja informale që mund të vijë nga burimet kriminale, evazioni fiskal ose edhe të tjera,” deklaroi ai.

The post Euro në të kuqe, këmbehet me 99.08 lekë appeared first on Gazeta Si.

Bitcoin arrin vlerën më të lartë në një muaj. Investitorët shpresojnë për ulje të normave të interesit

23 September 2024 at 15:16

Çmimi i Bitcoin u rrit këtë të hënë duke prekur vlerën më të lartë në një muaj.

Kriptomonedha më e madhe në botë tregtohet me 63.9 mijë dollarë, me një rritje 1.3% nga fundjava, pas një entuziazmi midis investitorëve që presin ulje të normës së interesit nga Banka Federale e SHBA-së.

Bitcoin ndikoi në të gjithë tregun e kriptove edhe pse tregu shfaqet ende i brishtë. Përtej SHBA-së edhe bankat në vendet europiane jashtë BE-së po presin ulje të normës së interesit.

Normat më të ulëta janë sinjal i mirë për Bitcoin, duke pasur parasysh se ato çlirojnë likuiditet për t’u investuar në asete me rrezik si kripto.  Por fitimet e përgjithshme në Bitcoin janë ende të kufizuara, duke pasur parasysh se banka Federale sinjalizoi se normat mund të mos bien shumë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Tregjet e kriptove gjithashtu duhet të përballen me një mjedis rregullator të pasigurt, veçanërisht përballë një gare të ngushtë zgjedhore të vitit 2024 në SHBA.

Sinjalet e fundit nga Banka e Japonisë kufizuan gjithashtu përparimin e Bitcoin, megjithëse BOJ pritet të përballet me rezistencë të shtuar ndaj rritjeve të ardhshme të normave të interesit nga një ndryshim i udhëheqjes në qeverinë japoneze.

Tregjet më të gjera të kriptomonedhave ishin të përziera, me kriptomonedhën nr.2 në botë, Ethereum, që u rrit me 2.9% në 2,657.20 dollarë.

SOL dhe XRP ranë përkatësisht 0.9% dhe 0.5%.

The post Bitcoin arrin vlerën më të lartë në një muaj. Investitorët shpresojnë për ulje të normave të interesit appeared first on Gazeta Si.

Rijetëzimi i tregut ‘Rus’ në Shkodër

23 September 2024 at 15:54

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, premtoi investim të menjëhershëm në tregun kryesor të qytetit, në lagjen Rus. 

 “Kjo zonë tregtare ka nevojë për kualifikim dhe investim të menjëhershëmDuhen plotësuar kërkesat e tregtarëve, por dhe të blerësve, në mënyrë që të kenë kushte higjieno-sanitare dhe të denja për ta kryer veprimtarinë tregtare në këtë zonë.”, premtoi Beci.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Benet Beci u votbesua nga 34,531 shkodranë. Kjo ishte hera e parë që socialistët fituan Shkodrën, që njihet si bastion i demokratëve prej vitit 1991, kur në Shqipëri u vendos pluralizmi politik. 

Fakt 

Punimet për rehabilitimin e tregut në lagjen Rus nisën në fund të korrikut, një vit pasi Beci mori zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut te Shkodrës.

“Sot është ditë shumë e mirë për ne me thënë të drejtën, që ia arritëm ditës me fillu tregun e Rusit se më beter s’ka si me qënë. Ka qënë turp.”, u shpreh Beci në çelje të punimeve.

Sipas tij, markata e re pritet të jetë gati këtë fundvit. 

“Shpresoj shumë që në katër muaj ne të kemi tregun me kushte cilësore shumë të mira, të pastrimit, të pastërtisë, të ndriçimit, të tregtimit.”, premtoi Beci. 

Mirëpo, në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Bashkia e Shkodrës jep tjetër afat. 

“Në tregun e lagjes rus, kanë filluar punimet të cilat sipas grafikut të punimeve janë parashikuar të zgjasin 1 vit.” – Bashkia Shkodër. 

Edhe në tabelën e punimeve në hyrje të tregut të Rusit, investimi planifikohet të përfundojë në 12 muaj- verën e vitit të ardhshëm.  

Punimet në tregun e lagjes Rus, Shkodër (17 shtator 2024)

‘Nga qendra në periferi’

Kohëzgjatja e punimeve prek aktivitetin e 52 tregtarëve që zhvillonin tregti në markatën e lagjes Rus. Prej muajit korrik ata janë zhvendosur nga qendra në periferi, në afërsi të Sheshit Ura e Maxharrit (kryqëzimi për Dobraç).

Tregu në Dobraç, Shkodër (17 shtator 2024)

 “Ata na kanë thënë për katër muaj, se sa zgjat s’di gjë. Ata ndoshta e bëjnë edhe më shpejt, ndoshta e bëjnë edhe më ngadalë.”, i tha Faktoje tregtari Fadil Cekaj, teksa ankohej se vendi ku po tregtojnë aktualisht nuk ka kushtet e duhura. 

“Atje është qendra e qytetit, normale që është më mirë. Si thu ti, a vjen e merr ti 1 kg domate, 1 kg speca gjysëm ore larg, apo çerek ore larg? Më mirë e merr 20 lekë më shtrenjtë aty në vend.”, argumenton ai. 

Life Smakaj, një tjetër tregtare e zhvendosur nga tregu i Rusit në Dobraç, ndan mirëkuptim.

“Ne nuk mërzitena, ta bëjnë kur të dojnë se ajo shtëpia e re ka punë. Ne fort keq nuk jena…”, pohon tregtarja. 

Tregu i ri në lagjen Rus është pjesë e projekteve të financuara nga Agjencia për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor. Kosto totale e investimit parashikohet prej 36 milionë lekësh, nga të cilat 7,4 milionë janë nga buxheti i Bashkisë Shkodër. 

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për investim të menjëhershëm në tregun Rus, e vlerësojmë të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Rijetëzimi i tregut ‘Rus’ në Shkodër appeared first on Faktoje.al.

Tregu i telefonisë vendase me ecuri negative. Bie numri i përdoruesve

22 September 2024 at 11:41

Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i telekomunikacionit në vend, po përjeton një rënie të aktivitetit, ndikuar nga ulja e numrit të përdoruesve.

Sipas të dhënave që ofron Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, tregu celular po mbështetet tashmë vetëm tek shërbimet e internetit.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit, përdoruesit e telefonisë celulare u pakësuan me 8% nga një vit më parë duke rënë në numrin e 2.5 mln përdoruesve aktivë.

AKEP tregon se për të njëjtën periudhë edhe përdoruesit e internetit kanë rënë me 5%. Numri i thirrjeve ceulare është reduktuar me 13%.

Për tre muajt e dytë të vitit, u përdor në total 55 million Giga byte dhe një përdorues ka konsumuar mesatarisht 8.78 GB internet në një muaj, rreth 20% më shumë se një vit më parë.

Në tërësi, numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM është reduktuar me 2.8% nga një vit më parë, në 3.698.394 karta SIM.

Rrjeti i telefonisë fikse ka përjetuar një rënie vjetore prej 5%, por numri i pajtimtarëve të internetit është rritur me 7%. AKEP thotë se numri i abonentëve me shërbime të intengruara ranë në 296 mijë, 1.7% më pak se një vit më parë. 23% e tyre kanë paketa me të gjitha shërbimet.

The post Tregu i telefonisë vendase me ecuri negative. Bie numri i përdoruesve appeared first on Gazeta Si.

Indeksi i shëndetit bankar u përkeqësua gjatë 2024-s. Sulmet kibernetike dhe kursi i këmbimit ‘trembën’ sektorin

20 September 2024 at 10:40

Nga Gazeta ‘SI’ – Indeksi i shëndetit bankar u përkeqësua gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, raporton Banka e Shqipërisë.

Edhe pse bankat e huaja kanë ecuri më të mirë se ato shqiptare, Indeksi tregon se në krahasim me fundin e vitit 2023, bankat me kapital të huaj paraqitën dobësim të të gjithë treguesve me përjashtim të cilësisë së aktiveve. Në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, indeksi tregon për situatë të qëndrueshme dhe nuk paraqet ndryshime. Për bankat me kapital vendas vërehet rënie e lehtë e cilësisë së kapitalit, likuiditetit dhe veçanërisht eficiencës gjatë periudhës.

Sipas vrojtimit me bankat për perceptimin e rreziqeve sistemike, ka një zbutje të perceptimit të rreziqeve nga faktorë të brendshëm dhe rritjes së rrezikut nga goditjet e jashtme.

Bankat kanë vlerësuar “rrezikun e goditjeve nga jashtë” si rrezikun kryesor sistemik të periudhës dhe vlerësimi për të ka mbetur i pandryshuar krahasuar me periudhën paraardhëse.

Rreziku kibernetik renditet në vendin e dytë, dhe nota e rrezikut është rritur krahasuar me periudhën paraardhëse.

Perceptimi i bankave mbi rrezikun e inflacionit është zbutur ndjeshëm gjatë periudhës.

Bankat theksojnë nevojën e monitorimit edhe të kursit të këmbimit pas dobësimit të shpejtë të euros dhe dollarit, por rreziku nuk perceptohet ende i lartë. Gjithsesi frika për këtë factor është rritur nga fundi i vitit 2023.

Mundësia e materializimit të një/ose disa prej rreziqeve të rëndësishme sistemike në të ardhmen afatshkurtër vlerësohet e ulët, por ajo paraqitet disi më e lartë kur diskutohet për një horizont më të gjatë kohor.

The post Indeksi i shëndetit bankar u përkeqësua gjatë 2024-s. Sulmet kibernetike dhe kursi i këmbimit ‘trembën’ sektorin appeared first on Gazeta Si.

❌
❌