Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 September 2024Faktoje

Shqipëria gati të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027

16 September 2024 at 16:22

Qeveria shqiptare është ofruar të mirëpresë pas tre vitesh në Tiranë Samitin e NATO-s. Propozimi i është dërguar zyrtarisht Aleancës Atlantike në shkurt të këtij viti, teksa pak më vonë do të bëhej publik nga kryeministri Edi Rama, në një letër që ai, i kishte shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.

“Unë besoj se është koha që për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, të mbahet një takim i nivelit të Lartë të NATO-s”, shkruan zoti Rama në letrën e tij, ndërsa vë në dukje se e ka diskutuar këtë çështje dhe gjatë bisedimeve që ka patur me Sekretarin Blinken gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, më 15 shkurt.

Letra dërguar Sekretarit Antony Blinken

Mundësinë e organizimit të samitit të Natos, së fundmi, kryeministri e përmendi edhe gjatë fjalës që mbajti në hapje të Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, pak javë më parë.

“Shqipëria ushqeu shumë respekt, krijoi shumë besim dhe pa diskutim mori një prestigj që nuk e kishte pasur më parë dhe pikërisht ky respekt, ky besim, ky prestigj na bën sot që të jemi vendi që do të mikpresë liderët e 44 shteteve evropiane nga Britania e Madhe deri në Ukrainë apo nga Suedia dhe Norvegjia deri në Turqi vitin e ardhshëm në Samirin e Komunitetit Politik Evropian dhe po ashtu ky respekt, ky besim(…) na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027, …na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027”, deklaroi zoti Rama. 

Pak ditë më pas, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, e bëri thuajse fakt të kryer mbajtjen e Samitit. Sipas tij, Samiti i NATO-s 2027 është vendosur të organizohet në Tiranë.

‘Ne jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Pra, kemi filluar identifikimin e ambienteve, fondeve, njerëzve dhe gjithë burimeve të nevojshme që bëjnë këtë të mundur.’, deklaroi Hasani.

‘Padyshim një angazhim i tillë, përveç rëndësisë së madhe të simbolikës që ka tregon dhe njëherë që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe një aleat i domosdoshëm në gjithë përpjekjen e organizatës e Altantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe sidomos me fokus në zhvillimet e fundit.’, vlerësoi ai.

Çfarë thotë NATO?

Pesë muaj pas dorëzimit të ofertës nga Shqipëria, një zyrtar i NATO-s, bëri të ditur për Faktoje se për momentin është miratuar vetëm vendndodhja e dy samiteve të ardhshme të Aleancës. 

‘Samiti i NATO-s 2025 do të mbahet në Hagë, Hollandë, nga data 24 deri më 26 qershor, i ndjekur nga një samit që do të mbahet në Turqi.’, konfirmoi zyrtari i Aleancës, duke shtuar se nuk mund të thotë ende asgjë për vendndodhjen e Samitit të 2027.

Edhe në një dokument të siguruar nga Faktoje, ku përditësohen eventet kryesore të Aleancës, konfirmohet ftesa e qeverisë shqiptare për të mbajtur në Tiranë Samitin e 40 të NATO-s. 

‘Në shkurt të 2024, Shqipëria u ofrua të mirëpresë Samitin e 2027-tës. Finlanda është ofruar të mirëpresë një Samit në periudhën 2026-2028.’, shkruhet ndër të tjera në dokument.  

Për ekspertët e fushës, konfirmimi i Shqipërisë si vend pritës i Samitit të 2027 nga NATO është çështje kohe. 

Ledion Krisafi, studiues pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, e sheh mikpritjen e këtij Samiti si një nga kulmet e politikës së jashtme të vendit në 3 dekadat e fundit.

“Sidomos në një periudhë të tillë me luftën në Ukraine dhe në Lindjen e Mesme, është një konfirmim i vëmendjes dhe pranisë së NATO-s në Ballkan. Fakti që është zgjedhur Shqipëria konfirmon idenë që Tirana është pika më e rëndësishme e NATO-s në Ballkanin Perëndimor të paktën, vendi më stabel dhe më konstruktiv.”, shprehet Krisafi.

Viti 2027 përkon me samitin e 40- të NATO-s dhe do të jetë hera e dytë në historinë e Aleancës që mbledhja do të mbahet në Ballkan, pas Samitit të Bukureshtit në 2008.

“Të gjitha takimet dhe Samitet që po zhvillohen dhe do zhvillohen në Tiranë e kthejnë kryeqendrën e Shqipërisë në një lloj qendre të diplomacisë perëndimore në Ballkanin Perëndimor.”, argumenton studiuesi. 

Përfundim

Samitet e NATO-s shihen si një pikë takimi e rëndësishme për udhëheqësit e vendeve anëtare të Aleancës. Ato shfrytëzohen për të prezantuar politika të reja, për të ftuar anëtarë të rinj në aleancë, për të nisur iniciativa të reja të mëdha si dhe për të ndërtuar partneritete me vendet joanëtare të NATO-s.

Samiti i fundit i NATO-s u mbajt këtë vit në Uashington të SHBA-ve nga 9 deri më 11 korrik.

The post Shqipëria gati të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027 appeared first on Faktoje.al.

Presidenti Biden nuk ngatërroi kapelen e fushatës së Trump për shkak të moshës

16 September 2024 at 15:56

Pretendimi: Presidenti amerikan Joe Biden është aq i moshuar se nuk e ka vënë re që ka vënë një kapele me emrin e kundërshtarit të tij politik Donald Trump

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një foto e presidentit amerikan Joe Biden me një kapele që shkruan “Trump 2024” po qarkullon në rrjete sociale si dëshmi e gafës së rradhës së tij për shkak të moshës.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është shkrepur në Shanksville, Pennsylvania në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit.

Ndërsa ishte në Shanksville, Biden vizitoi stacionin vendas të zjarrfikësve. Gjatë vizitës Biden shfaqet duke folur me një burrë me një kapele të Trump. 

Biden, i cili hoqi dorë nga rikandidimi për president dhe mbështeti kandidaturën e zv. presidentes Kamala Harris, i ofroi burrit një kapele me logon presidenciale në këmbim të kapeles së Trump. 

Mbështetësi i Trump e pyet Biden nëse do t’i firmoste kapelen. Biden pranon dhe burri e tall duke i thënë: “A e mbani mend emrin tuaj?” Presidenti përgjigjet me shaka se “nuk e mban mend emrin” sepse është “i ngadaltë”, gjë që shkakton të qeshura në turmë.

Biden më pas u tall se i duhej kapelja Trump e burrit dhe ky i fundit i kërkoi që ta vendoste në kokë. Pasi tha fillimisht “Nuk po shkoj aq larg”, Biden përfundimisht e vuri kapelen me Trump, duke fituar duartrokitje nga turma dhe mbështetësi i Trump. “Jam krenar për ju tani,” tha mbështetësi i Trump.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andreë Bates e përshkroi këtë veprim si një gjest uniteti. Bates tha: “Në Stacionin e Zjarrfikësve në Shanksville, [presidenti] foli për unitetin dypartiak të vendit pas 11 shtatorit dhe tha se duhej t’i riktheheshim atij. Si një gjest domethënës, ai i dha një kapelë një mbështetësi të Trump, i cili më pas tha se në të njëjtën frymë, [presidenti] duhet të vinte kapelën e tij me Trump. Ai e vuri për një kohë të shkurtër.”

Gjatë së njejtës vizitë, Biden këshilloi me shaka turmën e mbledhur “të mos hanin qen dhe mace” duke iu referuar pretendimit të Trump se emigrantë nga Haiti “po hanë kafshët shtëpiake të njerëzve” në Springfield, Ohio.

The post Presidenti Biden nuk ngatërroi kapelen e fushatës së Trump për shkak të moshës appeared first on Faktoje.al.

Kamala Harris nuk përdori vathët kufje gjatë debatit me Trump

16 September 2024 at 14:23

Pretendimi: Kamala Harris mbante kufje të fshehta gjatë debatit me Donald Trump

Verdikti: E pavërtetë

Debati i parë televiziv mes dy kandidatëve presidencialë Kamala Harris dhe Donald Trump më 10 shtator ngjalli kureshtje dhe ashtu siç pritej edhe akuza për njëanshmëri. Një prej këtyre akuzave ishte dhe pretendimi se zv.presidentja Harris mbante një kufje të kamufluar në vathët e saj, duke marrë sugjerime për përgjigjet që duhet të jepte.

Kjo tezë ushqen kritikët që mendojnë se kandidatja demokrate nuk ka përgatitjen e duhur për të përballur detyrën presidenciale, por njëkohësisht do të ishte një shkelje e rregullave të barazisë në debatin televiziv.

Si provë për këtë u publikuan dy imazhe krahasuese, të cilat bënë xhiron e rrjetit.

Në njërën prej fotove tregohet një person me një vath prej perlash, që sipas autorit të postimit përmban edhe një kufje. Ndërsa në të djathtë është fotoja e vathëve të veshur nga Kamala Harris gjatë debatit, gjithashtu në formë perlash. Për ata që ndanë postimin, të dy vathët do të ishin të njëjtat kufje.

Ato në foto në të majtë janë kufjet Nova H1, të prodhuara nga kompania gjermane ‘Icebach Sound Solutions’. Këta vathë përbëhen nga një kapëse për t’u lidhur me veshin dhe një perlë brenda së cilës ndodhen komponentët e nevojshëm për të dëgjuar muzikë dhe bisedat e thirrjeve hyrëse, duke i kthyer ato në kufje të vërteta falë teknologjisë Bluetooth.

Megjithatë, këto nuk janë vathët që mbante Kamala Harris gjatë debatit televiziv më 10 shtator. Ndërsa si Nova H1 ashtu edhe vathët e Harris përmbajnë perlë, forma e bazës së bizhuterive është e ndryshme. Nova H1 ka një kapëse të vetme, ndërsa perla e mbajtur nga Harris është vendosur midis dy linjave paralele, një model i koleksionit “Hardwear” i markës Tiffany & Co. Nuk është hera e parë që Harris mban këtë model në daljet zytare.

Modeli i vathëve të Tiffany, në formën e gërmës J

Kujtojmë gjithashtu që kandidatja demokrate është shfaqur kundër pajisjeve Bluetooth dhe i konsideron ato një rrezik sigurie. Për këtë arsye, Harris preferon të përdorë kufje me kabllo.

The post Kamala Harris nuk përdori vathët kufje gjatë debatit me Trump appeared first on Faktoje.al.

Përhapja e lajmeve të paverifikuara apo të pabazuara është po aq e dëmshme sa krijimi apo shkrimi i tyre. 

By: FAKTOJE
16 September 2024 at 14:14

Klodiana Kapo

Faktoje.al prej disa javësh ka publikuar “Manualin Kundër Disinformimit Rus në Shqipëri”, që synon të shpjegojë teknikat e verifikimit por edhe kontekstin e luftës. Një manual që sjell problematikën konkrete të mediave në Shqipëri në lidhje me dezinformimin rus por dhe formave sesi mund të shmangen. Në themel të manualin janë sjellë shembuj konkret nga media shqiptare dhe sesi një student apo gazetar mund të verifikoj, video, foto, tituj,etj.

Në manual është marrë si shembull edhe një shkrim i gazetës Tema që si burim parësor ka Euronews. Në shkrim fotoja e përdorur nuk ka asnjë lidhje më lajmin dhe mban datën e vitit 2017. Ndaj në Manual sillet si shembull konkret sesi mund të keqinformohet apo dezinformohet edhe përmes imazheve, dhe më e rëndësishmja sesi mund të verifikohen fotot, që janë element kyç të evidencave dhe fakteve në gazetari.

Për të evituar keqkuptimet por edhe paqartësitë, Faktoje sqaron botuesin Mero Baze si më poshtë.

Në shkrimin e publikuar më datën 9 shtator të vitit 2024, zoti Baze shprehet se “manuali në fjalë në një rast përmendte gazetën Tema për titull të ekzagjeruar pasi kishte botuar një lajm me titull “Serbia po trajnon fëmijë për luftë”. Nga “verifikimi” që kishte bërë OJQ duke ju referuar një studimi të inteligjencës amerikane i rezultonte që nuk ka rrezik për luftë në rajon, kështu që ky lajmi është i ekzagjeruar dhe kish përdorur logon e gazetës Tema si burim lajmi. Më poshtë është linku i këtij lajmi dhe dezinformimi i Faktoje.al, që ja atribuon gazetës Tema si lajm.

https://www.gazetatema.net/rajoni/serbia-trajnon-femijet-per-lufte-i389507

Në manualin e Faktoje ku përfshihet ky publikim si një rast kur lajmi është i pabazuar në fakte dhe fotografia daton 5 vjet më pare, shkruhet si më poshtë: 

“Një fotografi e ngjashme e tillë u publikua më 13 maj 2023 nga gazeta shqiptare Tema me titullin: “Serbia po trajnon ushtarë fëmijë”. Postimi origjinal i referohet një videoje të një eksperti sigurie në Tëitter (tani platforma X) pasi një fëmijë 13-vjeçar vrau 8 fëmijë në një shkollë në Beograd. Eksperti theksoi se kjo situatë është ndikuar nga stërvitjet e fëmijëve për përdorimin e armëve. Faktoje verifikoi postimin për të kuptuar nëse është e vërtetë që fëmijët në Serbi trajnohen nga forcat ruse. Verifikimi përmes kërkimit të kundërt të imazhit në Google tregoi se fotoja daton 5 vjet më parë”.

Në asnje rast nuk përmendet në manual se në lidhje me këtë artikull verifikimi është bërë referuar studimit të inteligjencës amerikane apo titulli është i ekzagjeruar. 

Manuali merr si shembull këtë rast kur disa portale – një prej të cilëve edhe Tema (shih shkrimin e Faktoje këtu: https://faktoje.al/31949-2/)  – kanë publikuar lajmin me një foto ilustruese për titullin “Serbia po trajnon femije ushtare”.

Çfarë vë në dukje manuali është verifikimi me ‘Google Reverse Image’ tregoi se fotoja daton 5 vjet më parë. Gjithashtu, informacioni është verifikuar duke intervistuar një prej burimeve të lajmit – ekspertin e sigurisë siç citohet në shkrimin e Faktoje. 

Përhapja e lajmeve të paverifikuara apo të pabazuara është po aq e dëmshme sa krijimi/shkrimi i tyre. 

“Akoma më qesharak është fakti që lajmi është lajm i njëanshëm pro Ukrainës dhe jo pro Rusisë. Pra mund të kishte akuzuar prodhuesin e lajmit si lajm shumë optimist pro Ukrainës, si lajm i pabalancuar, ose shumë partizan, por jo si depërtim rus në lajme. Se lajmi është tërësisht kundër Rusisë, madje qartazi i njëanshëm pro Ukrainës. Kjo tregon që as kuptojnë çfarë lexojnë, por shkruajnë çfarë u diktojnë për arsye personale apo politike”. “Tema”

Në lidhje me deklaratën më sipër – aludimet nuk qëndrojnë pasi në manual nuk ka deklaratë të tillë. Për sqarim këto kanë lidhje me një tjetër lajm që citohet nga Faktoje dhe në manualin kundër dezinformimit lidhur me raportin e ODNI, ku gjithashtu informacioni është nxjerrë nga konteksti. 

https://faktoje.al/raporti-i-inteligjences-amerikane-nuk- parashikoi-lufte-ne-ballkan/

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ka në themel verifikimin e fakteve sipas një metodologjie ndërkombëtare, dhe që i krijon mundësinë çdo kujt që përmes leximit të artikullit të verifikojë apo të njihet me evidencat zyrtare.  Faktoje mbështetet nga donatorë ndërkombëtarë dhe i qëndron standardeve ndërkombëtare por edhe parimeve etike që një media lypset të ketë. Një media e re me gazetarë profesionistë, lajmet e të cilëve janë ripublikuar dhjetra herë edhe nga gazeta Tema.

The post Përhapja e lajmeve të paverifikuara apo të pabazuara është po aq e dëmshme sa krijimi apo shkrimi i tyre.  appeared first on Faktoje.al.

Dokumentari “shokues” për ndryshimet klimatike përmban të pavërteta

16 September 2024 at 09:52

Pretendimi: Ngrohja globale është mashtrim për të kontrolluar mendjet njerëzore

Verdikti: E pavëtetë


Një dokumentar që përmban intervista me figura që kundërshtojnë ndryshimet klimatike është publikuar së fundmi në Youtube duke nxitur skepticizmin e atyre që mendojnë se ngrohja globale është një mashtrim. Një pjesë e këtij dokumentari, të titulluar “Klima – E Vërteta e Ftohtë“, është ndarë më tej edhe nga përdoruesit shqipfolës të rrjeteve sociale.

Filmi përqendrohet kryesisht tek tri pretendime të mëdha:

1. Ndikimi i dioksidit të karbonit (CO2) në krahasim me ndryshimet në aktivitetin diellor.

2. Përdorimi i matjeve të temperaturës për të matur dhe kuantifikuar ngrohjen globale.

3. Krahasimi i ndryshimeve klimatike të fundit me ato të mëparshme.

Le të shpjegojmë me rradhë këto pretendime që janë verifikuar më parë nga komuniteti shkencor.

Ngrohja e Tokës shkaktohet nga gazrat serrë, të cilët lëshohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri dhe nafta. Lëshimi në atmosferë i këtyre gazrave të prodhuara nga aktiviteti njerëzor nxit ndryshimet klimaterike. Kur ato mblidhen në atmosferë, nuk e lejojnë nxehtësinë të dalë jashtë saj. Si rrjedhim, temperatura në sipërfaqen e Tokës ngrihet, duke çuar kështu në ndryshime klimaterike.

“Arsyeja e ndikimit të madh që dioksidi i karbonit ka mbi klimën është aftësia e tij për të përthithur nxehtësi të lëshuar nga sipërfaqja e planetit, duke mos e lënë të dalë jashtë në hapësirë. Sot, niveli i CO2 është më i lartë se kurdoherë tjetër në histori,” shkruan profesori i shkencës së mjedisit në University of North Caroline, Jason West.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, dioksidi i karbonit përbën 79% të gazrave serrë që lëshohen nga ShBA. Ndërsa aktiviteti diellor ka një ndikim të vogël në ngrohjen globale, provat tregojnë se ai nuk është faktori kryesor i ngrohjes së fundit, siç pretendohet në film. Të dhënat serioze shkencore konfirmojnë se në rast se do të ishte dielli ndikuesi kryesor i rritjes së temperaturës, do të kishte një rritje të saj edhe në shtresat e tjera të atmosferës. Matjet dëshmojnë se kemi rritje në sipërfaqen e tokës, ndërkohë që shtresat e atmosferës kanë ndryshime variable: shtresat e poshtme po ngrohen, ndërsa ato të sipërmet po ftohen më tej.

Një tjetër pretendim i filmit është se matjet e temperaturës janë të pasakta për shkak të fenomenit të “ishullit të nxehtësisë urbane”, ku temperaturat në qytete janë më të larta sesa në zonat rurale. Shkencëtarët janë të vetëdijshëm për këtë efekt dhe bëjnë korrigjimet e nevojshme për të siguruar që matjet globale të jenë të sakta.

Aktualisht, ka shumë organizata të pavarura kërkimore klimatike në mbarë botën që mbajnë grupe të dhënash afatgjata të temperaturave globale të tokës dhe oqeanit. Ndër më të njohurat janë ato të prodhuara nga NASA, Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), Qendra Hadley/Njësia e Kërkimeve Klimatike të Zyrës Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar (CRU) e Universitetit të Anglisë Lindore, dhe Berkeley Earth, një OJF kaliforniane.

Pavarësisht dallimeve në metodologjitë e përdorura nga këta studiues të pavarur, vlerësimet e tyre të temperaturës globale janë të gjitha në përputhje të ngushtë, siç tregohet edhe në grafikun më poshtë.

Krahasimi i katër metodave të ndryshme të matjeve. Burimi NASA/Gavin Schmidt

Për më tepër, këto të dhëna gjithashtu përputhen ngushtë me grupet e pavarura të të dhënave që rrjedhin nga satelitët dhe modelet e parashikimit të motit.

The post Dokumentari “shokues” për ndryshimet klimatike përmban të pavërteta appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayFaktoje

E keqinterpretuar fushata sensibilizuese kundër prostitucionit

13 September 2024 at 15:21

Pretendimi: Kjo video tregon televizionin kombëtar hollandez që demonstron lodra seksi në një emision për fëmijë.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-
Një video që duket se tregon disa vajza të vogla duke luajtur me lodra seksi po qarkullon në rrjet me pretendimin se tregon një emision për fëmijë në televizionin kombëtar hollandez. Ky sillet si shembull i degjenerimit europiano-perëndimor.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i mësipërm është shkëputur nga një video më e gjatë, e botuar në vitin 2017.

Megjithatë, ajo nuk është pjesë e ndonjë emisioni për fëmijë, por e një fushate sensibilizuese kundër prostitucionit të fëmijëve.

Video e plotë tregon vajzat e vogla duke luajtur ne mënyrë të pafajshme me lodrat e seksit që nxjerrin nga një kuti, dhe duke spekuluar se për çfarë mund të përdoren, me imagjinatën e pafajshme të një fëmije. Sugjerimet përfshijnë ‘një shkop’, ‘okllai’ dhe ‘vrasëse mizash’.

Më pas në ekran shfaqet një mesazh që thotë: “Imagjinatë e pafajshme për këto vajza. Realitet i tmerrshëm për të tjera.”

Këto pamje pasohen nga një video e xhiruar me kamera të fshehtë që tregon një vajzë 7 vjeç duke u ofruar për seks.

Filmi nga Free A Girl, një organizatë ndërkombëtare për lirimin e vajzave të vogla nga prostitucioni, u krijua për të theksuar mesazhin se “seksi nuk është lojë fëmijësh”. Drejtoresha dhe bashkëthemeluesja e Free A Girl, Evelien Hölsken, tha: “Rreth dy milionë fëmijë në të gjithë botën janë të përfshirë në prostitucion, nga të cilat 1.2 milionë janë në Indi. Vajzat detyrohen të bëjnë seks çdo ditë me dhjetëra meshkuj.”

The post E keqinterpretuar fushata sensibilizuese kundër prostitucionit appeared first on Faktoje.al.

Pasaportat e terroristëve të 11 shtatorit nuk janë provë e inskenimit të sulmeve

13 September 2024 at 14:43

Pretendimi: Pasaportat në këtë foto u gjetën në gërmadhat e Kullave Binjake më 11 shtator 2001

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në përvjetorin e rrëzimit të Kullave Binjake në New York më 11 shtator 2001, rrjetet sociale ringjallin teoritë konspirative që pretendojnë se “11 shtatori ishte punë e brendshme.”

Një version i kësaj teorie po qarkullon në rrjete sociale bazuar në pretendimin se pasaportat e terroristëve të përfshirë u gjetën, çuditërisht, nën rrënojat e kullave dhe kështu u identifikuan autorët. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pasaportat në imazhin e sipërm i përkasin Satam al-Suqami dhe Saeed al-Ghamdi.

Sipas Komisionit Kombëtar për 11 Shtatorin, i krijuar nga Kongresi amerikan për të hetuar të gjitha aspektet e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, katër nga pasaportat e 11 terroristëve u gjetën. 

“Dy prej tyre u gjetën në vendrrëzimin e fluturimit 93 të United Airlines në Pensilvani. Këto janë pasaportat e Ziad Jarrah dhe Saeed al-Ghamdi. Njëra i përkiste një terroristi në fluturimin 11 të American Airlines. Kjo është pasaporta e Satam al-Suqami. Një kalimtar e gjeti atë dhe ia dha një detektivi të policisë së New York pak para se të shembeshin kullat,” u raportua në Komision.

Pra, asnjëra nga pasaportat në foto nuk u gjet nën rrenojat e Kullave Binjake. 

Pasaporta e al-Suqami u gjet në rrugë nga një kalimtar, përpara se të rrëzoheshin kullat. 

Ndërsa pasaporta e al-Ghamdi nuk ishte kurrë në New York. Al-Ghamdi ishte një nga terroristët që morën peng fluturimin 93 të United Airlines, me qëllim për ta përplasur atë me godinën e Kapitolit në Washington D.C. Megjithatë, ky fluturim u rrëzua në Shanksville, Pennsylvania. Kjo, si pasojë e një përpjekje nga ana e pasagjerëve dhe ekuipazhit për të rimarrë kontrollin e avionit nga terroristët.

Pasaporta e al-Ghamdi, bashkë me pasaportën e një tjetër pengmarrësi, Ziad Jarrah, u gjet në vendrrëzimin e fluturimit 93 në Pennsylvania.

The post Pasaportat e terroristëve të 11 shtatorit nuk janë provë e inskenimit të sulmeve appeared first on Faktoje.al.

Konferenca rajonale e Lobit të Grave të Evropës Juglindore

By: FAKTOJE
13 September 2024 at 14:35

Përpjekjet për ndërtimin e paqes të grave për të bërë përparim në marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike dhe pajtimin në Kosovë dhe më gjerë, ishin në fokus të Konferencës rajonale të Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore – udhëhequr nga Edita Tahiri.

Ky dialog mes grave te shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë me ndërmjetësimit e grave të Lobit Rajonal (RWLSEE) u zhvillua në Konferencën Rajonale “Gratë që formësojnë të ardhmen paqësore dhe evropiane përmes promovimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe pajtimit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin pas konfliktit të Ballkanit Perëndimor”, që u mbajt më 5 shtator 2024 Prishtinë Kosovë, i organizuar nga Lobi Rajonal i Grave në Evropën Juglindore/RWLSEE dhe Cordaid me mbështetjen e Fondit për Paqe dhe Humanitare të Grave (WPHF).

“Gratë përmes bashkëpunimit rajonal promovuan rëndësinë e marrëdhënieve ndëretnike dhe pajtimin etnik në Ballkanin Perëndimor të së kaluarës tragjike”, në praninë se zëvendës Ambasadores Amerikane në Kosovë Anu Prattipati dhe Ekspertes për barazi gjinore Anne Kwakkenbos si dhe të shefit të OSBE, Michael Davenport si dhe shumë eksperëve ndërkombëtar dhe grave nga katër komunat veriore dhe gjithë komunat tjera anë e mbanë Kosovëes.

Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse nga Edita Tahiri, kryetare e RWLSEE, Anne Kwakkenbos, eksperte për çështjet gjinore Cordaid dhe Anu Prattipatu, e ngarkuar me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Edita Tahiri në fjalën e saj tha se është kënaqësi të hapim Konferencën Rajonale të Grave Lokale për Ndërtimin e Paqes dhe Pajtimin Etnik që së bashku të ndërtojmë paqen, barazinë gjinore dhe pajtimin etnik për një të ardhme më të mirë dhe euroatlantike për të gjithë në Kosovë dhe në gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që kaluam luftëra tragjike pasojat e të cilave ende i vuajmë por angazhimi jonë për të tejkaluar këto pasoja dhe ndërtuar ardhmëri të ndritur është i nevojshëm dhe duhet ta bëjmë.

E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane Anu Prattipati tha se marrëdhëniet ndëretnike janë thelbësore për nxitjen e mirëkuptimit, respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë midis komuniteteve të ndryshme, ato mund të ndihmojnë në kapërcimin e hendeqeve, uljen e tensioneve dhe promovimin e paqes. Në fund ajo tha “Të gjithë së bashku për paqen dhe të ardhmen euroatlantike”.

REGIONAL WOMEN’s LOBBY for PEACE SECURITY and JUSTICE in SEE (http://rwlsee.org/) Anne Kwakkenbos në fjalën e saj të hapjes së konferencës theksoi se ajo dhe CORDAID mbështesin fuqishëm iniciativën rajonale të RWLSEE për ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e grave. Ajo më tej tha se gratë janë jetike në promovimin e paqes dhe pajtimit. Roli i tyre në promovimin e dialogut ndëretnik është i domosdoshëm për krijimin e stabilitetit. Pavarësisht sfidave të vazhdueshme, përpjekjet e tyre po hedhin bazat për një të ardhme më të barabartë në rajon.

Konferenca Rajonale e Grave Lokale për Ndërtimin e Paqes dhe Pajtimin Etnik kishte për qëllim të trajtojë çështjen e marrëdhënieve të tensionuara ndëretnike dhe procesin e ngecur të pajtimit në Kosovë, por edhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.

Konferenca kishte për qëllim të lehtësonte diskutimet midis grave shumicë shqiptare dhe minoritetit serb në Kosovë me pjesëmarrjen e grave nga rajoni, nga shtatë vende të fokusit të RWLSEE (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia).

Qëllimi ishte të ndërtoheshin ura ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike, duke promovuar zgjidhjet bashkëpunuese dhe forcimin e përfshirjes së grave vendase në paqe, siguri, drejtësi dhe proceset vendimmarrëse, të gjitha duke nxitur bashkëpunimin rajonal për të përforcuar zërat e grave dhe vajzave në ndërtimi lokal i paqes përfshirëse gjinore.

The post Konferenca rajonale e Lobit të Grave të Evropës Juglindore appeared first on Faktoje.al.

Shqiptaret e varfër paguajnë shtrenjtë për oligopolet në treg

13 September 2024 at 14:06

Abuzimet me çmimet po i shtyjnë disa qytetarë shqiptarë të udhëtojnë për qindra kilometra drejt vendeve fqinje për të blerë mallrat bazë të konsumit, ndërsa familjet më të pambrojtura janë detyruar të ulin konsumin.

Esmeralda Topi

Prej shtatë vitesh Ola, së bashku me bashkëshortin, udhëton drejt Greqisë për të siguruar ushqimet dhe të gjitha mallrat e tjera të konsumit të nevojshme për familjen e tyre.

“Fillimisht e nisëm për cilësinë, por me kalimin e kohës kuptuam që na shkonte edhe më lirë se në Tiranë,” kujtoi Ola.

“Bashkë me shpenzimet e karburantit dhe siguracionin e makinës, përsëri produktet që marrim kushtojnë më pak se sa në vendin tonë”, shtoi ajo.

Shqipëria është një nga vendet me të ardhurat më të ulëta në Evropë, por megjithatë çmimet për shumë produkte të konsumit të përditshëm janë ndjeshëm më lartë se në vendet e pasura të Bashkimit Evropian.

Jo të gjithë konsumatorët mund të udhëtojnë jashtë vendit për ti siguruar mallrat e shportës, në mënyrë të veçantë ato nga grupet më vulnerabël, të cilët janë detyruar ta shkurtojnë konsumin për familjet e tyre.

“Jetesa pas pandemisë është bërë shumë më e shtrenjtë,” tha Alma, një nënë e vetme nga Shijaku, ndërsa shtoi se tre vitet e fundit gjithçka është shtrenjtuar.

“Unë vet s’kam qenë jashtë por të afërmit e mi që janë jashtë kur vijnë këtu thonë: Na vjen gjynah për ju, si ja dilni se këtu është më shtrenjtë se tek ne.” 

Diferencat e çmimeve të ushqimeve apo mallrave të tjera të konsumit mes Shqipërisë dhe vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian konstatohen edhe nga konsumatorë të tjerë.

Të dhëna të mbledhura nga Faktojë nëpërmjet një ankete online nga dhjetëra qytetarë tregojnë se 87% e të anketuarve pohojnë se Evropa ka çmime më të lira se Shqipëria për ushqime dhe produkte të tjera konsumi.

Ekspertët e ekonomisë dhe studiuesit shprehen se kjo diferencë çmimesh me të cilën përballen konsumatorët vendas mund të vijë nga një sërë faktorësh objektivë, si niveli i taksave, kostot e transportit, vlerësimi i lekut ndaj euros dhe madhësia e tregut

Megjithatë, ato fajsojnë kryesisht abuzimin e kompanive tregtare që kanë vendosur oligopole në treg, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e mbrojtjes nga abuzimet të konsumatorëve .

Ilir Ciko, ekonomist shqiptar i arsimuar në Universitetin e Harvardit, thekson se diferenca në çmimet për mallrat e konsumit vjen kryesisht nga ‘varësia dhe lidhjet e politikës me interesat e bizneseve të mëdha, marrëveshjet e fshehta mes operatorëve që dominojnë tregun, korrupsioni i përhapur në institucione; si dhe pamundësia e konsumatorit për zgjedhje alternative.”

I pyetur nga Faktoje, nëpërmjet një përgjigje me shkrim Autoritetit i Konkurrencës tha se në përmbushje të detyrave të ngarkuara me ligj dhe rezolutave të Kuvendit ka ndërmarrë gjatë 5 viteve të fundit një sërë hapash për sigurimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues për produkte të shportës.

“Autoriteti i Konkurrencës, gjatë viteve të fundit, ka realizuar monitorime dhe hetime për shumë  nga produktet e shportës si: vaji, gruri, mielli, orizi, sheqeri, karburante, etj,” tha Autoriteti.

“Aktualisht, në vlerësim të ankesave të publikut, janë në procedurë hetimi paraprak tregu i grumbullimit dhe shitjes me shumicë i fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, si dhe në procedurë hetimi të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit (djathë dhe gjalpë),” shton institucioni.

Çmime më shtrenjtë se BE dhe rajoni

Çifti i bashkëshortëve udhëton çdo tre muaj 7 orë me makinë nga Tirana në Kostur – një qytezë në Greqinë veriore, dhe anasjelltas për të blerë ushqimet e shportës dhe mallrat e konsumit të përditshëm. Ata nuk kanë ndërmend ta ndryshojnë këtë rutinë për shkak të leverdisë ekonomike.

“Në supermarketet greke ka produkte ushqimore dhe të higjienës personale që kushtojnë edhe 4 herë më lirë se sa në supermarketet shqiptare. Po ashtu çmimet e suplementeve apo disa medikamenteve janë shumë më te lira.”, shpjegoi Ola. “Një kokërr hekur (suplement), në Shqipëri kushton 100 lekë të reja ndërsa në Greqi 25 lekë të reja.”, shtoi ajo.

Nisur nga ky hendek në çmime profesor Ciko kreu gjatë pranverës së këtij viti një studim të gjerë duke analizuar 150 produkte nga Shqipëria dhe homologët e tyre në vendet evropiane.

Nga studimi rezulton se në pranverë të këtij viti, çmimi mesatar i produkteve në tregun shqiptar ishte rreth 80% më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte – shitur nga të njëjtat kompani, në tregjet e BE-së.

“Nga lista prej 150 produktesh, diferenca më e lartë (në përqindje) rezulton për një pako ushqimi mëngjesi, cornflakes, e cila në Shqipëri shitet me një çmim 212% më të lartë, ose mbi 3 herë sa çmimi që shitet nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen”, tha ai.

Çmimet me diferencën më të lartë studimi i vë re tek tre kategori: ushqimet për bebe, ushqimet dhe ushqimet për kafshë. Sipas të dhënave të përftuara nga studimi ushqimi për bebe, rezulton me mesataren më të lartë të ndryshimit të çmimit.

Studimi ‘Bëhuni Europianë! Një udhëtim transformues përmes ëndërrave, modeleve, pritshmërive, dhe realitetit’.

“Për këtë kategori, mesatarja e çmimeve të produkteve të shitura në Shqipëri është 147% më shumë, ose 2 herë e gjysëm sa çmimi i të njëjtëve produkte të shitura në vendin e BE nga vjen kompania që i tregton këto produkte”, shpjegoi Ciko.

Studimi vë në dukje gjithashtu se të njëjtat produkte që kanë origjinë Bashkimin Evropian, në Shqipëri janë shumë herë më të shtrenjta krahasuar edhe me vende të rajonit.

Në Serbi dhe Kosovë, diferenca e çmimeve luhatet mesatarisht më pak se 15 për qind, ndërkohë që në Shqipëri arrin 71%.

Treg oligopol

Sipas të dhënave të mbledhura nga Faktoje nëpërmjet pyetësorit online, 73% e të anketuarve shprehen se diferenca e çmimeve midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së vjen për shkak të abuzimeve, mungesës së konkurrencës në treg, si dhe mungesës së kontrollit të shtetit.

Eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj thekson se kjo situatë është tipike e një tregu oligopol, i zotëruar nga grup i vogël individësh. Sipas tij kjo reflektohet në faktin se çmimet mbeten kokëforcisht të larta edhe pse ka pasur një forcim të valutës vendase kundrejt valutave të huaja.

“Në kushtet kur rënia e valutave të huaja, me të cilat blihen këto produkte në tregjet e huaja kanë një rënie me 25%, që të paktën duhet të transmetohej deri në një 15% efekt në ulje të çmimeve të para dy viteve, nëse llogaritim koston e shtuar të fuqisë punëtore, energjisë dhe disa shërbimeve.”, tha ai.

Profesor Ilir Ciko liston një sërë faktorësh për këtë situatë, përfshirë mungesën e kontrollit, kulturën e mosndëshkimit të kompanive që abuzojnë me konsumatorin si dhe mungesën e konkurrencës në treg.

Megjithatë, ai shtoi se ky deformim i tregut ka pak gjasa të ndryshojë për shkak se konsumatorët kanë pak informacion dhe shoqëria shqiptare është pajtuar dhe bashkëjeton me të keqen.

“Mungesa e shpresës; politizimi ekstrem i çdo çështjeje publike dhe gojë-mbyllja e intelektualëve;” , përkthehet si pas tij në mungesë totale të reagimit qytetar, mungesë të mekanizmave mbrojtës dhe interesit për të mbrojtur konsumatorin nga shteti dhe pseudo-shoqëria-civile.

Vetëm pas adresimit të këtyre faktorëve, thekson profesor Ciko, mund të flasim për nivelin e taksave të konsumit, kostot e transportit, vlerësimin e lekut ndaj euros, madhësinë e tregut apo elementë të tjerë që në këtë diskutim, janë tepër dytësorë.

Elefanti në dhomë

Rritja e ndjeshme e çmimeve po i detyron familjet shqiptare të blejnë më pak ushqime. Sipas të dhënave të anketës së Faktoje mbi koston e ushqimeve në Shqipëri dhe BE, 94% e të anketuarve pohojnë se blejnë më pak produkte se një vit më parë, ndërkohë që 76% e tyre thonë se kanë reduktuar blerjet e ushqimeve të ndryshme.

“Jam detyruar të ble më pak në sasi dhe të tregohem e kujdesshme sepse nuk më del,” tha Alma Morina. “Gjysma e rrogës që marr më duhet vetëm për ushqimet bazë, pa llogaritur asgjë tjetër,” shtoi ajo.

Profesor Ilir Ciko tregon se studimi i tij është lexuar me interes të lartë nga drejtues e përfaqësues të institucioneve që merren me konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit, por ai i sheh institucionet si të pafuqishme për të bërë ndryshimin.

“Për shumë syresh studimi është si një elefant tepër i madh brenda hapësirës së komoditetit ku rrinë,” tha Ciko. “Mund të duket paradoksale por besoj se ndryshimi mund të vijë nga kompanitë, sigurisht nën presionin e zërit të qytetarëve”, shtoi ai.  

Sipas Gjokutajt ulja e TVSH-së së ushqimeve është një masë që do ta lehtësonte disi situatën, por gjithsesi nënvizon se kambanat bien mbi Autoritetin e Konkurrencës. Megjithatë, pritje të zgjimit të institucione dhe kompanive shumë shqiptarë do të vazhdojnë ti drejtohen tregut në vendet fqinje.

“Në dy javët e ardhshme kam rrugën e radhës për në Kostur,” tha Ola. “Kam llogaritur që të shkoj edhe njëherë para ndërrimit të viteve”, përfundoi ajo.

Në linkun më poshtë gjeni intervistën e plotë me profesor Ilir Ciko. 

Shënim

Ky artikull është rishikuar për të ruajtur anonimatin e personazhit kryesor, siç kërkohet nga ai/ajo. Ndryshimet janë bërë për të siguruar që identiteti i personazhit të mbetet i fshehtë, ndërsa informacioni thelbësor dhe i rëndësishëm për temën e artikullit është ruajtur.

The post Shqiptaret e varfër paguajnë shtrenjtë për oligopolet në treg appeared first on Faktoje.al.

Hapet thirrja për propozime projekti

By: FAKTOJE
13 September 2024 at 12:15

Projekti Rajonal ” SEE Check Network”, që ka në themel luftën ndaj dezinformimit dhe keqinformit, në partneritet me Faktoje në Shqipëri dhe Open Data në Kosovë, të mbështetur nga Komisioni Europian sapo ka hapur thirrjen për propozime projekti.

Klikoni në linkun më poshtë për të gjitha informacionet:

 

Afati përfundimar i aplikimit është data 15 tetor 2024.

The post Hapet thirrja për propozime projekti appeared first on Faktoje.al.

Imazhi i Papë Franceskut plazhist është krijuar nga inteligjenca artificiale

13 September 2024 at 10:06

Pretendimi: Kjo foto shfaq Papë Franceskun duke marrë rreze dielli në plazh

Verdikti: Gjeneruar me AI

Fotografitë e krijuara nga inteligjenca artificiale (IA) po bëhen gjithnjë e më të avancuara për të krijuar imazhe që ndahen në rrjet dhe tërheqin klikime dhe ndjekës. Një shënjestër e dashur e këtyre produkteve të gjeneruara me AI është dhe Papë Francesku, i cili prezantohet në poza jo të zakonshme për një udhëheqës fetar, duke ngjallur interes.

Një nga këto imazhe është dhe ai i Papës duke marrë rreze dielli në plazh. “Edhe Papa i “shmanget” vapës”, shkruhet në tekstin që shoqëron këtë foto të postuar në Facebook.  

Verifikimi i mëtejshëm i fotos zbulon se ajo është gjeneruar nga një version online i softuerit më të avancuar të inteligjencës artificiale (IA), të quajtur “Midjourney”.

Nëse do t’a shohim foton me vëmendje do kuptojmë menjëherë që ajo është e gjeneruar me inteligjencë artificiale. Karrigia e palosshme e Papës Françesk ka dy pale këmbë që zhduken në pjesën e poshtme ndërkohë që çadra e diellit duket sikur është e ngulur drejt e në barkun e tij.

Dobësia kryesore e IA-së fotografike është përshkrimi i duarve dhe këmbëve, kryesisht gishtave. Në këtë foto Papa ka 6 gishta në këmbë dhe vetëm tre gishta në dorën e majtë.

Këto krijime mbajnë gjurmë të artificialitetit të tyre dhe është e nevojshme të shihen me vëmendje para se ti besoni dhe shpërndani ato.

The post Imazhi i Papë Franceskut plazhist është krijuar nga inteligjenca artificiale appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme

12 September 2024 at 15:55

Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Ministria e Mjedisit deklaroi për Faktoje se gjatë vitit 2023 dhe deri më tani janë dhënë 84 autorizime për eksport të mbetjeve të tilla.

Të dhëna të siguruara nga Faktoje dëshmojnë se Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konfirmoi zyrtarisht se gjatë vitit 2023, janë lëshuar në total 56 autorizime për eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe kalim tranzit nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë.

Për vitin 2024 deri në muajin gusht, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit janë lëshuar në total 28 autorizime për eksportin e mbetjeve të tilla apo kalim transit.

Në përgjigjen e saj Ministria e Mjedisit nuk përcakton tipologjinë e këtyre mbetjeve dhe as industritë prej të cilave ato gjenerohen, ndërsa thekson se për kodet e mbetjeve, të cilat nuk mund të trajtohen, riciklohen, ripërdoren apo asgjësohen në vendin tonë, dispozita ligjore për t’i eksportuar në vendet t’i cilat i mundësojnë këto procese, është e rregulluar.

“Në Katalogun e mbetjeve, nga 953 specifikime kodi mbetje ne total, 418 prej tyre klasifikohen si mbetje të rrezikshme. Mbetjet nuk duhet të ruhen në vendndodhje për një periudhë më të gjatë se 1 vit në qoftë se ato janë të përcaktuar për asgjësim ose jo më shumë se 3 vjet nëse ato janë të paracaktuar për riciklim/trajtim”, bën të ditur ministria.

E pyetur për destinacionin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme që eksportohen, ministria u përgjigj për vendet ku përfundojnë “mbetjet”, në përgjithësi, pra jo ato për të cilat kërkohen procedura të veçanta: “Vendet janë si më poshtë: Greqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Sllovenia, Polonia, Gjermania, Turqia, Bullgaria, Hollanda, Belgjika  etj”, njofton Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Debati në Parlament për mbetjet e dyshuara si të rrezikshme

Çështja e ngarkesës prej 100 kontenierësh të nisura nga porti i Durrësit, me mbetje të dyshuara si të rrezikshme, në fillim të muajit korrik me destinacion Tajlandën hapi sot punimet e parlamentit në një interpelancë të posaçme me kryeministrin Edi Rama, të kërkuar nga kreu i grupit demokrat Gazmend Bardhi.

Gjatë interpelancës, Bardhi u shpreh se ka dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në tregti të paligjshme të mbetjeve të rrezikshme.

“Ka pasur disa reagime kontradiktore nga disa institucione përgjegjëse pak ditë kur doli lajmi. Në këtë mënyrë ka dyshime serioze se Shqipëria ka shkelur një sërë marrëveshjesh, Marrëveshjen e Bazelit, Traktatin e Vrashavës. Shqipëria është përfshirë në tregti të paligjshme të mbetjeve të rrezikshme”, theksoi Bardhi.

Për rastin e ngarkesës, kryeministri Rama tha se nuk janë mbetje të rrezikshme.

“Eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Gjithashtu, praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit, nga laboratori i një vendi të BE-së, i cili konfirmon deklarimin e subjektit.

Në të dyja rastet atij të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe atij nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me një reputacion të padiskutueshëm në botën e transportit detar kanë qëndruar e janë magazinuar përkohësisht në vende të Bashkimit Europian, ku askush nuk i ka penguar. Më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre”, deklaroi kryeministri duke përsëritur qëndrimin e shprehur më herët dhe nga Ministria e Mjedisit se nuk është lëshuar asnjë autorizim për rastin, duke qenë se një autorizim i tillë është i nevojshëm vetëm në rastet e eksportit të mbetjeve të rrezikshme apo jo të rrezikshme.

Lidhur me prodhimin dhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri, Rama dha një përgjigje të përgjithshme duke cituar ligjin, pa hyrë në raste konkrete: “A prodhohen mbetje nga proceset industriale dhe teknologjike në Shqipëri?

Sigurisht që po dhe është më se normale. Ndër to, ka mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. A ka një kontroll të këtyre mbetjeve të rrezikshme? Patjetër. Ku depozitohen? Si asgjësohen? A ka gjurmueshmëri të tyre nga prodhimi deri në asgjësim?

Mbetjet e rrezikshme sipas ligjit 10463/2011 për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, të riciklimit, të asgjësimit sipas metodave ligjore të përcaktuara. Konkretisht trajtimi i mbetjeve të rrezikshme sipas lejes mjedisore kryhet në vendndodhje nëpërmjet operacioneve të rikuperimit ose ato grumbullohen, transportohen dhe asgjësohen në mënyrë përfundimtare nga subjekte të licencuara”

Dyshimet e ngritura nga BAN

 Në një komunikim me Faktoje, organizata jo qeveritare amerikane, “Bazel Action Network” (BAN) thekson se ata u vunë në dijeni nga burime anonime për një dërgesë të dyshuar me mbetje te rrezikshme.

“BAN dyshon se dërgesat janë pluhur nga Furrat e Arkës Elektrike (EAF) të mbledhur nga filtrat e kontrollit të ndotjes. Ky pluhur i furrës, i cili kërkon trajtim, është një mbetje e rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i çelikut të përdorur dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.

Nëse konfirmohet se është mbetje e rrezikshme, sipas dispozitave të Konventës së Baselit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, eksporti pa njoftim dhe pëlqim të mëparshëm ndërmjet vendeve të përfshira është i paligjshëm dhe një akt kriminal. Ato duhet të konfiskohen dhe të kthehen në Shqipëri”, thekson organizata.

Sipas organizats amerikane, 100 kontejnerët në fjalë u transportuan në korrik nga Shqipëria në Trieste, Itali, ku ata u ngarkuan në dy anije Maersk, MAERSK CAMPTON dhe MAERSK CANDOR.

“Ndërsa dy anijet po lundronin drejt Azisë Juglindore përmes bregut perëndimor të Afrikës, BAN dhe partnerët e saj ngritën alarmin dhe u përpoqën të ndalonin anijet”, shton më tej BAN.

Ministria e Mjedisit: Kompania nuk ofroi të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës

E pyetur për këtë ngarkesë të dyshuar të rrezikshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha për Faktoje se nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.

“Ju informojmë se institucionet ligj zbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF), si dhe MTM ka referuar rastin pranë autoriteteve doganore me qëllim investigimin dhe vlerësimin e situates”, njofton MTM.

Drejtoresha e organizatës “Ecological Alert and Recovery – Thailand (EARTH)”, Penchom Saetang tha për Faktoje se 816 tonë mbetjet në bordin e dy anijeve në 100 kontejnerë besohet se mbajnë pluhur toksik të furrave së çelikut”. Ashtu si dhe BAN, edhe kjo organizatë thekson se: “nëse konfirmohet se janë mbetje të rrezikshme, nga dispozitat e Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët mund të sekuestrohen dhe të kthehen në Shqipëri”, thekson znj. Saetang.

Më 24 gusht, Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë si edhe Ministria e Turizmit e Mjedisit dolën me një deklaratë të përbashkët në lidhje me skandalin me 816 tonë të dyshuara mbetje toksike, të cilat kanë dalë nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.

“Në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

The post Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme appeared first on Faktoje.al.

Sfida e shtrirjes nën kamionët në autostradë është e manipuluar

12 September 2024 at 15:34

Pretendimi: Kjo video tregon një të ri që humbi bastin dhe i del përpara kamionit në autostradë

Verdikti: Video e manipuluar

——————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një djalë të ri, i cili shtrihet në autostradë ndërsa dy kamionë i kalojnë përsipër.

Përpara se dikush të frymëzohet nga i riu në video dhe të përpiqet të bëjë një veprim të ngjashëm, duhet saktësuar se gjasat janë që video e mësipërme është e manipuluar.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video daton në vitin 2018. Në videon e plotë, djaloshi i flet kameras rusisht duke thënë: “Ai momenti kur humb bastin se Rusia do futej në gjysmëfinale,” duke iu referuar Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018.

Treguesit kryesorë që kjo video është manipuluar janë fakti që kamionët nuk frenojnë apo përpiqen të devijojnë kur i riu u del përpara. 

Më tej, duket se kamioni i parë, i cili duket sikur i kalon sipër të riut të shtrirë në mes të rrugës, është tepër i ulët. Nëse video do të ishte reale, i riu nuk do të kishte evituar, edhe i shtrirë, përplasjen me të.

Pasi kamioni i parë i kalon sipër, i riu i shtrirë rrotullohet për të ikur, por përpara se të mundet një kamion i dytë kalon mbi të. Në video duket sikur i riu kalon tej për tej rrotave të kamionit të dytë, i padëmtuar. Kjo gjë do të ishte e pamundur nëse video nuk do ishte manipuluar.

Video me gjasa është prodhuar me programe kompjuterike, duke kombinuar dy video të xhiruara në të njejtin vend, nga i njejti kënd, por në kohë të ndryshme. Gjeni më poshtë një demonstrim nga Youtuberi Captain Disillusion.

The post Sfida e shtrirjes nën kamionët në autostradë është e manipuluar appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar prova që pamjet nga hapësira shkrepen në Algjeri

12 September 2024 at 14:13

Pretendimi: Kjo foto e shkretëtirës algjeriane po shitet si pamje nga sipërfaqja e planetit Mars 

Verdikti: Foto e manipuluar

—————————————————–

Një imazh i postuar nga publicisti Alfred Cako duket se tregon dy peisazhe pothuajse identike, njëra pretendohet nga Marsi dhe tjetra nga Algjeria.

Në imazhin e sipërm, në peisazh duken dy objekte, roveri Perseverance dhe helikopteri Ingenuity. Megjithatë, këto dy objekte janë kopjuar nga një ilustrim i NASA dhe janë mbivendosur në peisazh. 

Ky manipulim është bërë shkel e shko, duke mos marrë parasysh përmasat reale të këtyre dy objekteve. Në imazh, dy objektet duken sikur kanë të njejtën madhësi, ndërsa në realitet Perseverance është 2.7 m i gjatë dhe Ingenuity është më pak se 60 cm i gjatë.

Krahasim mes përmasave reale të dy objekteve hapësinore

Krijuesi i imazhit nuk ka marrë parasysh faktin që është e pamundur të shkrepësh një foto të tillë në Mars. Aktualisht janë pesë rovera të NASA që veprojnë në sipërfaqen e Marsit. Secili prej tyre është ndërtuar posaçërisht për të studiuar veçori të caktuara të planetit. I vetmi rover tjetër në veprim përveç Perseverance është Curiosity, i cili u hodh në vitin 2012. Ai ndodhet afërsisht 3700 km nga vendi i uljes së Perseverance në Kraterin Jazzer

Fotot e vetme që tregojnë dhe Ingenuity dhe Perseverance janë bërë me kamerën e montuar në krahun e roverit më të fundit të NASA. Në këtë mënyrë, roveri Perseverance ishte në gjendje të bënte një selfie me helikopterin Ingenuity aty pranë.

Selfie e Perseverance dhe Ingenuity (në sfond) në Mars

Foto që pretendohet se tregon Marsin nuk mund të gjendet në faqen e NASA apo të agjensisë hapësinore kineze (CNSA), të vetmet agjensi që kanë dërguar rovera në Mars. Asnjë nga këto agjensi nuk e ka prezantuar këtë foto si pamje nga Marsi.

Fotografi Gregory Rohart konfirmoi për AFP se ai kishte shkrepur vërtet foton e poshtme në Algjeri, më 6 janar 2009. “Unë e bëra këtë foto në Algjeri duke ecur në shkretëtirën Tadrart,” shpjegoi ai. “Si fotograf, padyshim që nuk më pëlqen që një nga fotot e mia të përdoret pa marrëveshjen time, dhe aq më pak që ajo të devijohet nga kuptimi i saj origjinal.”

Foto e “Marsit” dukshëm është prodhuar duke manipuluar foton e Rohart. Kjo vërrehet në hijet që janë të njejta në dyja imazhet.

The post E manipuluar prova që pamjet nga hapësira shkrepen në Algjeri appeared first on Faktoje.al.

Në Shqipëri, çmimet 80% më të larta se në Evropë

11 September 2024 at 17:43

Intervistë me profesor Ilir Ciko, autor i studimit “Bëhuni Europianë! Një udhëtim transformues përmes ëndërrave, modeleve, pritshmërive, dhe realitetit”.

Studimi tregon se çmimi mesatar i produkteve të shitura në tregun shqiptar nga tre kompani europiane ishte +79.7 për qind më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte, të shitura në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtat kompani, në tregjet e BE-së.

1.       Profesor Ciko, si i përzgjodhët mostrat e 150 produkteve që analizuat? A kishte ndonjë kriter të veçantë për këtë përzgjedhje?

Studimi përmban metodologjinë e plotë të ndjekur për përzgjedhjen produkteve që janë pjesë e analizës, përfshirë kriteret e ndjekura në proces. Mund ta përmbledh me pak fjalë duke treguar se produktet janë përzgjedhur në mënyrë të njëjtë nga secila prej tre kompanive europiane që janë pjesë e studimit (50 produkte nga secila kompani), si dhe pjesë e 13 kategorive të ndryshme produktesh (ushqim, detergjente, kozmetikë, ndriçim, pajisje dhomash, ilaçe pa recetë, kujdesi për flokët e lëkurën etj.), duke përzgjedhur në mënyrë rastësore 10 produkte për çdo kategori dhe, për nga rëndësia që ka për konsumatorin shqiptar, 30 produkte për kategorinë e produkteve ushqimore. Kritere të tjera të përdorura ka qenë larmia sa më e madhe e produkteve të përzgjedhura (produkte të ndryshëm brenda së njëjtës kategori) dhe kriteri domethënës (produkte që blihen rregullisht nga konsumatori shqiptar dhe jo të veçantë). Gjithashtu, nga studimi janë përjashtuar produktet në oferta, si në Shqipëri ashtu dhe në vendet nga importohen, produktet e luksit, produktet sezonalë (fruta apo perime të freskëta) si dhe produktet mbi të cilat aplikohen taksa specifike (cigare, pije alkoolike), e gjithë kjo për të mundësuar një krahasim sa më objektiv të çmimeve dhe shmangur në maksimum efektet e faktorëve jo-thelbësorë. Së fundi, për të mundësuar krahasimin e çmimeve, janë përfshirë në listë ato produkte për të cilat janë të disponueshme çmimet e shitjes online në tregun vendas, dhe atë europian nga e ka origjinën secila kompani, apo vendet e tjera të përfshira në studim.

2.       Cili është produkti me diferencën më të lartë në çmime?

Nga lista prej 150 produktesh, diferenca më e lartë (në përqindje) rezulton për një pako ushqimi mëngjesi, cornflakes, e cila në Shqipëri shitet me një çmim 212% më të lartë, ose mbi 3 herë sa çmimi që shitet nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen. Ndërsa si kategori, ushqimi për bebe, rezulton me mesataren më të lartë të ndryshimit të çmimit. Për këtë kategori, mesatarja e çmimeve të produkteve të shitura në Shqipëri është 147% më shumë, ose 2 herë e gjysëm sa çmimi i të njëjtëve produkte të shitura në vendin e BE nga vjen kompania që i tregton këto produkte.

3.       Po ai me diferencën më të ulët?

Diferenca më e ulët nga 150 produktet rezulton për një aksesor banjoje, i cili shitet në Shqipëri 24% më shumë se çmimi i të njëjtit produkt shitur nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen.

4.       A mund të na jepni disa shembuj të faktorëve që kontribuojnë çmimet më të larta në Shqipëri krahasuar me BE-në?

Janë plot faktorë por ndër më të rëndësishmit do të rendisja: mungesa e kontrollit të kompanive të mëdha; mungesa e shembujve realë të ndëshkimit të kompanive të mëdha që abuzojnë me konsumatorin; paragjykimi e besimi i gabuar se kompanitë e njohura ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri nuk përfshihen në praktika të dëmshme për konsumatorin vendas; mungesa e frikës ndaj shtetit e kompanive të mëdha; mungesa e konkurrencës në treg dhe kopjimi i modelit monopol midis atyre pak kompanive që zotërojnë tregun; varësia dhe lidhjet e politikës me interesat e bizneseve të mëdha; burokracia, paaftësia dhe korrupsioni i përhapur në institucione; pamundësia e konsumatorit për zgjedhje alternative; mungesa e prodhimit vendas; marrëveshjet e fshehta mes operatorëve që dominojnë tregun; mungesa e informacionit për konsumatorët; pajtimi dhe bashkëjetesa me të keqen; mungesa e shpresës; politizimi ekstrem i çdo çështjeje publike; gojëmbyllja e intelektualëve; mungesa totale e reagimit qytetar; mungesa e mekanizmave mbrojtës dhe interesit për të mbrojtur konsumatorin, shtetërore, e ca më tepër ato të pseudo-shoqërisë-civile. Pas këtyre mund të flasim për nivelin e taksave të konsumit, kostot e transportit, vlerësimin e lekut ndaj euros, madhësinë e tregut apo elementë të tjerë që në këtë diskutim, janë tepër dytësorë.

5.       A ka pasur ndonjë reagim zyrtar lidhur me studimin tuaj?

Jo, asnjë reagim zyrtar deri më tani. Di që studimi është lexuar me interes të lartë nga drejtues e përfaqësues të institucioneve që duhet të merren me këtë problem të çdo qytetari shqiptar, por më ngjan se për shumë syresh studimi është si një elefant tepër i madh brenda hapësirës së komoditetit ku rrinë.

6.       Çfarë masa rekomandoni që të merren në këtë drejtim?

Mund të duket paradoksale por besoj se ndryshimi mund të vijë nga kompanitë, sigurisht nën presionin e zërit të qytetarëve. Në studim e kam trajtuar gjerësisht se pse institucionet janë realisht të pafuqishme për të bërë ndryshim, edhe sikur befas të marrin vullnetin e plotë që u jep, e kërkon ligji. Por deri më sot, ende nuk ka asnjë reagim nga kompanitë, çmimet mbeten të pandryshuara nga tre muaj më parë, kur u realizua studimi.

7.       A mendoni se politika e qeverisë dhe subvencionet mund të ndihmojnë në uljen e çmimeve dhe, nëse po, si mund të implementohen më mirë këto masa?

Së pari mendoj se ka plot vend për të zbatuar pa vonesë e hezitim ligjin, e më pas ndoshta për të rishikuar me kujdes legjislacionin mbi konkurrencën, kjo as duke u shfajësuar përjetësisht se është legjislacioni që na kufizon, e as duke mos u kufizuar në kopjimin shabllon të modeleve që na serviren. Është një fushë e brishtë por tepër e rëndësishme për funksionimin e tregut dhe është thelbësore që Shqipëria të adaptojë legjislacionin që i përshtatet më së miri kontekstit specifik të saj, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, se sa kërkesave të burokratëve të Brukselit. Hapja e tregut, promovimi i konkurrencës, vënia e interesit publik mbi interesat e kompanive private janë hapat e domosdoshëm për trajtimin afatgjatë të problemit. Për subvencione nuk bëhet kurrsesi, nuk kanë asnjë lidhje me këtë problem. Cmimet mund dhe duhet të ulen në normalitet, dhe jo të kompensohen konsumatorët po nga taksat që ata paguajnë.

8.       A duhet të ulet TVSH-ja për ushqimet bazë? Mendoni se do të zbuste disi shtrenjtimin e buxhetit të familjeve?

Është një ndër politikat fiskale që e kam mbështetur në studim, për të ndjekur praktikën e vendeve europiane si Itali, Gjermania etj. që për të mbështetur konsumatorët e veçanërisht shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë, zbatojnë TVSH më të ulët për produktet ushqimore. Fiskalizimi dhe digjitalizimi i bizneseve dhe administratës tatimore sot e mundëson krejt lehtë këtë gjë, nëse gjendet vullneti. Kjo masë lehtëson, por sigurisht nuk është zgjidhja e problemit që po diskutojmë.

9.       Si mund të kontribuojnë sektorët e bujqësisë dhe industrisë për të përmirësuar situatën e çmimeve në Shqipëri?

Prodhimi vendas e gjen ende me vështirësi rrugën e hyrjes në marketet e mëdha që operojnë sot në Shqipëri, disa prej tyre tregtojnë thuajse ekskluzivisht vetëm produkte të importuara dhe rrallë e tek ndonjë produkt vendas. Sigurisht prodhimit vendas i duhet shumë punë për të arritur cilësinë dhe afrimin me konsumatorin për të qenë i kërkuar nga operatorët e tregut që ta vendosin atë krah më krah me produktet e importuara që ata tregtojnë, pa përmendur këtu skepticizmin e tepruar të konsumatorit shqiptar ndaj prodhimit vendas dhe besimin e lartë të tij në cilësinë e produkteve europiane. Në fakt, studimi tregon se pikërisht kjo është nyja që mundëson sot kompanitë që të tregtojnë në vend produktet europiane, t’i shesin ato me një çmim shumë më të lartë se sa në të vërtetë duhet të ishin – shfrytëzimi i besimit që konsumatori ka ndaj këtyre produkteve dhe mundësisë së kufizuar në zgjedhje. Dhe së fundi, marketet e mëdha nuk kanë interes të lartë për prodhimin vendas pasi me të nuk mund të realizojnë marzhe fitimi të larta, krahasuar me produktet që ato sot importojnë.

10.     Si e parashikoni evoluimin e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri në të ardhmen?

Mendoj se është çështje që kërkon vëmendje, debat dhe veprim. Se përshembull, sa vlerë ka të diskutohet për një rritje 5 apo 10 përqind të pensioneve apo pagave, kur kemi një problem kolosal me çmimet e produkteve ushqimore që rezultojnë sa dyfishi i atyre që duhet të jenë në treg. Ulja e çmimeve drejt çmimeve europiane është në dobi të pensionistëve e patronazhistëve, të arsimtarëve e gazetarëve, të nëpunësve të shtetit e atyre që punojnë çdo ditë me punë të ndershme për të mbajtur familjet e tyre, por dhe për turistët që jo rrallë habiten me çmimet kur vijnë në Shqipëri, e në fund të fundit edhe për kompanitë, që duke ofruar çmime europiane mund dhe do e kuptojnë se mund të shesin më shumë në Shqiperi, edhe për ata që sot janë të privuar apo që blejnë më pak, se aq munden.

The post Në Shqipëri, çmimet 80% më të larta se në Evropë appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale video e bustit të Skënderbeut

11 September 2024 at 15:05

Pretendimi: Kjo është video e bustit të Skënderbeut që i ngjason Edi Ramës

Verdikti: Gjeneruar me AI

Pas debatit që ngjalli në fund të gushtit përurimi i bustit të Skënderbeut në një komunitet arbëresh në Itali, që për shumëkënd ngjasonte me portretin e kryeministrit Rama, në rrjet janë krijuar shumë meme e video humoristike.

Një prej këtyre videove është edhe ajo ku bustit të Skënderbeut i është përshtatur fytyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, përmes teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Megjithëse kjo video është menduar si një formë satire dhe humori, ajo hap një debat të rëndësishëm për ndikimin dhe rreziqet që vijnë nga manipulimi i imazheve dhe videove me inteligjencë artificiale.

Teknologjia e inteligjencës artificiale ka arritur nivele të larta sofistikimi, duke mundësuar manipulimin e imazheve dhe videove në mënyra që më parë ishin të pamundura. Kjo teknologji, e cila përfshin “deepfake“-et, mund të marrë pamjen dhe zërin e dikujt dhe t’i përdorë për të krijuar një realitet të rremë. Në këtë rast, përdorimi i AI-së për të përshtatur fytyrën e Edi Ramës mbi bustin e Skënderbeut është një shembull klasik i sajesave satirike, por që mund të ngatërrojë përdoruesit më pak të vetëdijshëm.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Në vend që të krijohet një ndarje midis realitetit dhe fiksionit, njerëzit do të jenë të vetëdijshëm për natyrën satirike apo humoristike të materialit dhe nuk do të mashtrohen nga pamjet e para.

The post E gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale video e bustit të Skënderbeut appeared first on Faktoje.al.

Kjo video dëshmon arrestimin e ambjentalistëve, jo protestuesve kundër emigracionit

11 September 2024 at 14:02

Pretendimi: Kjo video tregon arrestimin e protestuesve kundër emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————-

Një video që tregon arrestimin e disa të rinjve nga policia britanike po shpërndahet në rrjete sociale me pretendimin se të arrestuarit ishin protestues kundër politikave të emigrimit.

Postimi i referohet një vale protestash anti-emigrim që përfshiu Mbretërinë e Bashkuar në fund të korrikut 2024, pas një sulmi me thikë që i mori jetën 3 vajzave të vogla në Southport më 29 korrik.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar në 27 qershor 2024, një muaj para nisjes së protestave në fjalë.

Sipas mediave britanike, video në të vërtetë tregon arrestimin e aktivistëve të grupit ambjentalist “Just Stop Oil” më 27 qershor 2024.

E njejta video është shpërndarë edhe nga llogaria e Just Stop Oil në Twitter, më 27 qershor.

Sipas një deklarate nga policia e Hackney, aktivistët u arrestuan nën akuzën e komplotit për të prishur infrastrukturën kombëtare:

“Ne dimë që Just Stop Oil planifikojnë të vandalizojnë aeroporte dhe mijëra pushues këtë verë. Sonte oficerët tanë bënë gjashtë arrestime gjatë një eventi në një qendër komunitare në Londrën lindore. Ne besojmë se disa nga të arrestuarit janë organizatorë kyç për Just Stop Oil. Të gjithë arrestimet u bënë nën një seksion të Aktit të Rendit Publik që e bën të jashtëligjshme të komplotohet për të prishur infrastrukturën kombëtare. Ne do të vijojmë të punojmë me operatorët e aeroporteve dhe të tjerë për të parandaluar trazira domethënëse. Aktivistët nuk kanë të drejtë të kryejnë akte kriminale që mund të rrezikojnë veten dhe të tjerët. Çdokush që prish sigurinë e një aaeroporti të sigurohet se do të trajtohet me shpejtësi dhe fuqishëm.”

20 qershor 2024, dy aktiviste të “Just Stop Oil” u arrestuan nën akuzën se kishin hedhur bojë portokalli mbi avionët privatë në aeroportin Stansed në Essex. Organizata tha se “po kërkonin një traktat urgjent për t’i dhënë fund karburanteve fosile deri në vitin 2030”.

The post Kjo video dëshmon arrestimin e ambjentalistëve, jo protestuesve kundër emigracionit appeared first on Faktoje.al.

Riciklohet pas 7 vitesh lajmi për foshnjën shqiptare që nuk iu lejua emri

11 September 2024 at 10:42

Pretendimi: Kjo është foshnja shqiptare që mori emrin më të çuditshëm në botë

Verdikti: Mungon konteksti, clickbait

Lajmi intrigues për një foshnjë shqiptare që ka emrin më të çuditshëm në botë, i publikuar në 7 shtator nga portali “Kape Lajmin” ka tërhequr vëmendjen e lexuesve në rrjetet sociale. Në brendësi të artikullit sqarohet historia kurioze e një çifti kosovar, i cili vendosi të  quajë vajzën e tyre të lindur në Gjermani me emrin Krefelda, emër i frymëzuar nga qyteti gjerman Krefeld.

Lajmi shoqërohet edhe me foton e një foshnjeje, që prezantohet si vajza me emrin që ka habitur gjermanët.

Duke verifikuar më tej këtë lajm, zbulojmë se kemi të bëjmë me një lajm të ricikluar dhe titull që keqinterpreton historinë me qëllim tërheqjen e klikimeve.

Më konkretisht, historia e emrit Krefelda është trajtuar nga media gjermane në mars 2017, kur familja Konxheli vendosi ta regjistronte me emrin e qytetit ku jetonte. Babai i fëmijës, Flamuri, shpjegoi në atë periudhë për gazetën Bild se prindërit “vendosëm ta pagëzojmë vajzën me emrin Krefelda si një shenjë mirënjohjeje për qytetin e Krefeld-it për gjithçka që ka bërë për ne.”

Ngjarja u trajtua nga mediat gjermane pasi autoritetet e qytetit ndërhynë, duke përmendur ligjet strikte të emërtimit në Gjermani. Këto rregulla ndalojnë vendosjen e emrave që mund të konsiderohen të papërshtatshëm ose të krijojnë konfuzion. Si rezultat, autoritetet refuzuan emrin, dhe çifti ra dakord që vajza e tyre të quhej Elda.

Vlen të theksohet se fotografia e vajzës gjithashtu nuk është e vërtetë. Fotoja e përdorur në disa artikuj nuk është e foshnjës në fjalë, por një foto stok nga Amazon.

Tashmë Elda duhet të ketë mbushur 7 vjeç dhe ndoshta edhe mund të argëtohet ndërsa lexon titujt e shkrimeve që e trajtojnë historinë e emrit të saj si një lajm të javës së fundit. 

The post Riciklohet pas 7 vitesh lajmi për foshnjën shqiptare që nuk iu lejua emri appeared first on Faktoje.al.

I keqinterpretuar artikulli i Financial Times për gjeoinxhinierinë dhe ngrohjen globale

10 September 2024 at 15:18

Pretendimi: Financial Times ka pranuar se kemtrajlet nuk janë teori konspirative

Verdikti: Mungon konteksti

————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se gazeta britanike “Financial Times ka pranuar” se spërkatja kimike nga avionët nuk është teori konspirative, por “një fenomen i vërtetë”, që ndihmon kundër ngrohjes globale.

Imazhi i turbullt që shoqëron postimin e mësipërm tregon burimin e këtij pretendimi, një artikull të 4 shtatorit me titullin: “Financial Times: “Kemtrajlet NUK janë komplot – ato ndihmojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike””.

Artikulli është botuar nga portali amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Artikulli i The People’s Voice i referohet një artikulli të botuar në 2 shtator në gazetën Financial Times, i cili mban titullin “Gjeoinxhinieria ia vlen rrezikun – me kusht që të rregullohet siç duhet.”

Artikulli i Financial Times

Në përmbajtjen e artikullit, autori propozon përdorimin e teknikave gjeoinxhinierike si modifikimi i rrezatimit diellor (SRM) për të luftuar efektet e ngrohjes globale në Tokë. Ai shpjegon, në teori, avantazhet dhe disavantazhet e këtyre teknikave dhe vështirësitë që mund të hasen në implementimin e tyre, duke theksuar se ato duhet të përdoren krahas ndërmarrjes së masave për uljen e emetimeve të karbonit dhe jo në vend të tyre.

Në asnjë moment artikulli nuk përmend kemtrajlet apo teoritë konspirative, e aq më pak të “pranojë” se kemtrajlet nuk janë teori konspirative, por fenomen i vërtetë.

Pretendimi që qarkullon mes konspiracionistëve ngatërron teknologjitë gjeoinxhinierike me “gjurmët kimike”, të quajtura dhe kemtrajle, të cilat ekzistojnë vetëm në teorinë konspirative që pretendon se qeveritë apo entitete të tjera keqdashëse spërkasin fshehurazi kimikate toksike në atmosferë me anë të vazhdave të avullit që lënë pas avionët.

The post I keqinterpretuar artikulli i Financial Times për gjeoinxhinierinë dhe ngrohjen globale appeared first on Faktoje.al.

Anullim loje për garat e ujit në Pogradec nga Formula 1 H2O

10 September 2024 at 15:00

Këtë korrik, liqeni i Ohrit në Pogradec do të priste për herë të parë kampionatin botëror të sporteve të ujit, njohur ndryshe si Formula1 H2O. Eventi që u trumbetua me bujë një vit më parë si promovim për Shqipërinë turistike, u anullua në heshtje.

Esmeralda Topi

Shtatorin e vitit të kaluar, kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli lajmëroi mbajtjen e kampionatit botëror të sporteve të ujit në liqenin e Ohrit, të njohura nga sportdashësit si garat e Formula 1 H2O.

“Dy evente sportive botërore të cilat vijnë për herë të parë në Shqipëri, duke promovuar masivisht turizmin e Pogradecit dhe vendit tonë. Vëmendje e jashtëzakonshme mediatike botërore për Pogradecin i cili kthehet në epiqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë.”- premtonte kryebashkiaku Xhakolli.

Fotografi nga profili zyrtar i kryetarit të Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli në facebook- 6 shtator 2023

Të njëjtin entuziazëm ndau edhe kryeministri Edi Rama, teksa reklamonte ngjarjen sportive në rrjetet e tij sociale.

‘43 skuadra nga e gjithë bota do ta kthejnë Pogradecin në kryeqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë, sepse Shqipëria e Turistike tanimë është ngjitur në një nivel të ri.’shkruante Rama në rrjetin social facebook.

Fakt

Ndryshe nga sa u premtua një vit më parë, Pogradeci nuk arriti të hyjë në hartën e këtyre garave pasi organizatorët e FORMULA 1H2O u tërhoqën nga marrëveshja.

“Pa dhënë asnjë sqarim, faqja e zyrtare e F1H2O e hoqi garën zyrtare nga datat e parashikuara dhe nuk dha asnjë sqarim publik në lidhje me këtë anullim.”, pohon Bashkia e Pogradecit, teksa thekson se kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e garave në liqen.

“Zyrtarisht nuk disponojmë asnjë dokument për anullimin e garës, apo shkaqet e këtij anullimi e cila mund të lidhet me logjistikën e shumtë që nevojitej për tu ngritur deri edhe tek fondet që po ashtu nevojiteshin për realizimin e saj nga organizatorët.”– sqaron më tej Bashkia.

Kontrata e bashkëpunimit për zhvillimin e kampionatit botëror H2O të Formula 1 për jetski dhe motorrat e ujit u firmos më 6 shtator të vitit të kaluar.

“H2O Racing njoftoi sot se Shqipëria do të presë një raund të Kampionateve Botërore të UIM F1H2O dhe UIM-ABP për Aquabike në Pogradec në korrik 2024.”, bëhej e ditur në faqen zyrtare të F1H2O.

Sipas organizatorëve kampionati do të zhvillohej në datat 2-7 korrik të këtij viti.

Ç’ndodhi

Garat që u panë si mundësi promovimi për Shqipërinë turistike nga zyrtarët e lartë në Shqipëri, nuk u përqafuan nga ekspertë të mjedisit në vend dhe në Maqedoninë e Veriut. Mjedisorët e shihnin kampionatin si kërcënim për ekosistemin e liqenit dhe trashëgiminë kulturore.

50 shoqata të ndryshme jo qeveritare nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bënë bashkë për të adresuar shqetësimin e tyre pranë autoriteteve shqiptare dhe në UNESCO. Liqeni i Ohrit është në listën e kësaj organizate si pasuri e kombinuar e trashëgimisë, natyrore dhe kulturore që nga korriku i vitit 2019.

Shqetësimin e ngritur nga aktivistët e konfirmon edhe Bashkia e Pogradecit.

“Ju bëjmë me dije se gjatë kësaj kohe pati edhe një reagim nga disa organizata mjedisore në Ohër të cilat kërkuan që kjo garë të mos realizohej dhe këtë ankesë e kanë përcjellë edhe në kryeministri apo pranë organizatorëve.”, – argumenton Bashkia.

Në mars të këtij viti organizatorët e Formula 1H2O e anuluan kampionatin ndërkombëtar të sporteve të ujit në Shqipëri. Faktoje u interesua pranë organizatorëve mbi arsyet e vendimit për tu tërhequr nga garat e ujit në Pogradec, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, premtimin e kryebashkiakut të Pogradecit Ilir Xhakolli se ‘Pogradeci do të kthehej në epiqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë’, do ta kategorizojmë si të pambajtur.

The post Anullim loje për garat e ujit në Pogradec nga Formula 1 H2O appeared first on Faktoje.al.

❌
❌