Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 September 2024Main stream

U korruptua nga Rrumi i Shijakut, ish-avokati i shtetit dënohet me 2 vite burg

By: user 11
16 September 2024 at 11:05

Ish-avokati i shtetit, Irgen Kërçuku është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion nën akuzën se është korruptuar nga Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut.

Ai u arrestua në nëntor të 2019-tës, kur iu bë atentat bashkë me prokurorin Arjan Ndoja ndërsa ky i fundit mbeti i vdekur. Nga hetimet e kryera atij iu gjet në celular një video-përgjim të qershorit të 2017-të ku bisedonte për ryshfet me avokatin Irgen Kërçuku, që të mos apelonte procesin gjyqësor për pronësinë e 45 mijë metra/katrorë pronë shtetërore në Gjirin e Lalzit.

Irgen Kërçuku, akuzohet nga SPAK se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Aleksandër Laho, akuzohet se ka kryer veprën penale “ Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

SPAK thotë se është provuar se Irgen Kërçuku, me detyrë asokohe avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë 900 000 lekë nga Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, lidhur pronat në Lalëz.

Ai u pagua për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pas një ngërçi të gjatë ligjor me 45 mijë metra/katrorë në Gjirin e Lalëzit me paditës Pal Seçuni.

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 36 akti, datë 27.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit I.K., kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të ligjit Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.
2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit I.K. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.
3. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi, ku në përllogaritje të përfshihet edhe periudha e qëndrimit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit I.K. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
5. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit I.K.

The post U korruptua nga Rrumi i Shijakut, ish-avokati i shtetit dënohet me 2 vite burg appeared first on Lapsi.al.

Rekursi në Gjykatën e Lartë, Fredi Beleri kërkon pafajësi

By: user 11
16 September 2024 at 10:41

Dy javë pasi u lirua nga qelia, ish-kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri dorëzon kërkesën për rekurs në Gjykatën e Lartë.

Dy javë pasi u lirua nga qelia, ish-kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri dorëzon kërkesën për rekurs në Gjykatën e Lartë.

Kërkesa u depozitua këtë të hënë nga avokatja e tij Klodjana Gjyzari në sekretarinë e gjykatës.

Fredi Beleri dhe mbrojtja ligjore e tij kërkojnë pafajësi. Dhe gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit të Posaçëm e dënoi ish kryebashkiakun me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023.

The post Rekursi në Gjykatën e Lartë, Fredi Beleri kërkon pafajësi appeared first on Lapsi.al.

Durrës/ Përplasen dy makina dhe përfundojnë në oborrin e një banese

By: user 11
16 September 2024 at 10:20

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Durrës, ku dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në oborrin e një banese.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Azem Hajdari” në Spitallë mëngjesin e sotëm.

Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por dëme të shumta materiale si në mjetet, ashtu edhe në rrethimin e oborrit të banesës.

Sipas burimeve pranë Policisë së Durrësit, ky është rasti i dytë brenda pak ditësh në po të njëjtin vend, ku makinat përfundojnë nga përplasja e fuqishme drejt e në oborrin e banesave të zonës, ngjarje këto të cilat mund të kishin rezultuar edhe me pasoja fatale.

Sakaq rruga në zonën ku ka ndodhur aksidenti, nuk është e lejuar të përshkohet me shpejtësi të lartë, pasi bëhet fjalë për rrugica lagjesh, ndërkohë që duket se pakujdesia e drejtuesve të mjeteve është e lartë.

Uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes menjëherë pas njoftimit nga banorët e zonës dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave.

The post Durrës/ Përplasen dy makina dhe përfundojnë në oborrin e një banese appeared first on Lapsi.al.

Lëndë narkotike si personazhe vizatimorë, arrestohet një person për drogën sintetike që vinte me postë nga Serbia

By: user 11
16 September 2024 at 10:08

Drogë sintetike në formën e personazheve vizatimorë që vinte me postë nga Serbia drejt Shqipërisë është zbuluar nga policia. Mësohej se trafikantët e maskonin lëndën narkotike në formën e një puzzle për fëmijë. Policia ra në gjurmë të këtij rrjeti pas muajsh hetime që u finalizuan me arrestimin e 25 personave dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve.

Përveç 350 dozave të drogërave sintetike gjatë këtij operacioni policia sekuestroi dhe 1.8 kg kokainë dhe 18 kg kanabis.

Pavarësisht operacioneve të njëpasnjëshme që godasin rrjetet e shpërndarësve të drogës fenomeni vijon të qëndrojë.

Shpërndarësit e lëndës narkotike lëvizin të kamufluar si shpërndarës ushqimesh dhe picash, postierë dhe herë të tjera dhe si taksistë.

The post Lëndë narkotike si personazhe vizatimorë, arrestohet një person për drogën sintetike që vinte me postë nga Serbia appeared first on Lapsi.al.

Humb jetën pas plagëve të marra, 29-vjeçarit shqiptar në Greqi i doli motori nga kontrolli

By: user 11
16 September 2024 at 09:36

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur ditën e djeshme në Santorini në Greqi, ku për pasojë ka humbur jetën një 29-vjeçar shqiptar.

I riu ishte duke drejtuar motorin e tij dhe sipas mediave fqinje ka humbur kontrollin duke u përplasur me një makinë e cila drejtohej nga një vajzë 27 vjeçare.

Nga të dhënat e policisë shoferja e makinës nuk ka pasur lëndime. Menjëherë pas aksidentit, i riu shqiptar është transportuar në spital po nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Policia vijon hetimin për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

The post Humb jetën pas plagëve të marra, 29-vjeçarit shqiptar në Greqi i doli motori nga kontrolli appeared first on Lapsi.al.

Baste online përmes celularit, arrestohet pronari i lokalit në Elbasan

By: user 11
16 September 2024 at 09:25

Një person u vu në pranga në Elbasan pasi në lokalin e tij ushtrohej veprimtaria e paligjshme e basteve online përmes celularit. Gjithashtu nisi hetimi ndaj një tjetri në gjendje të lirë pasi u kapën duke vënë baste sportive në një lokal përmes celularit në lagjen ‘Shënkoll’.

‘ Policia vuri në pranga në kuadër të operacionit ‘Sundimi i ligjit’, pronarin e këtij lokali, Dhimitër Kristo, 60 vjeç, si dhe referuan materialet në prokurori për E.P., 49 vjeç, banues në Elbasan. Gjithashtu u sekuestruan edhe 2 aparate celularë, që përdoreshin për të luajtur baste sportive.

‘-arrestuan në flagrancë shtetasin Dh. K., 60 vjeç, banues në Elbasan. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e 60-vjeçarit, në lagjen “Shënkoll”, shërbimet e Policisë gjetën në celularin e tij, biseda dhe aplikacione për vënien e basteve sportive;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 49 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap në ketë lokal, duke vënë baste sportive nëpërmjet celularit.’, njofton policia.

The post Baste online përmes celularit, arrestohet pronari i lokalit në Elbasan appeared first on Lapsi.al.

Këmbimi valutor për këtë fillim jave

By: user 11
16 September 2024 at 08:33

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar sot euro do të blihet me 99.2 lekë dhe do të shitet me 99.9 lekë, ndërsa një dollar amerikan do blihet me 89.3 lekë dhe do shitet me 90.3 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 105.2 lekë dhe do shitet me 106.2 lekë. Ndërkohë paundi britanik do blihet me 117.3 lekë dhe do shitet me 118.3 lekë.

The post Këmbimi valutor për këtë fillim jave appeared first on Lapsi.al.

Shqiptarët ikin për të punuar, BE dha 39 mijë leje në dy vjet, kryeson Gjermania

By: user 11
16 September 2024 at 08:12

Në 2023 Gjermania dha gati 5 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë që kanë shkuar të punojnë në destinacionin që po tërheq më shumë profesionistë së fundmi.

Të dhënat janë publikuar në database-n e Eurostat. Ndërsa Italia kryeson në përgjithësi për lejet e qëndrimit që jepen në total, kur bëhet fjalë për punësimin është Gjermania ajo që për herë të parë ka marrë kryesimin.

Mjekë, infermierë, specialistët të IT-së apo dhe të tjerë po lënë vendet e tyre të punës në Shqipëri dhe po emigrojnë me kontrata të rregullta në Gjermani. Ky i fundit ka dhënë 10 mijë leje qëndrimi për arsye punësimi në vetëm 2 vjet (2022-2023).

Italia ka kaluar në shtetin e dytë që jep më shumë leje qëndrimi për ta që duan të punojnë. Shteti fqinjë dha 3200 leje, me një rënie prej 44% në raport me një vit më parë. E treta është Greqia, me 2838 lekë, me tkurrje 8%.

Të preferuara dhe Kroacia e Malta

Dy destinacione të tjera që po rezultojë tërheqëse për punonjësit shqiptarët janë Kroacia dhe Malta. Që nga viti 2019, Kroacia jep mesatarisht rreth 2 mijë leje të reja qëndrimi për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë. Burimet nga tregu pohojnë se ata punojnë kryesisht në ndërtim, për shkak të pagave të mira, apo dhe në turizëm në sezon.

Malta është shteti tjetër që po tërheq shqiptarë për të punuara, kryesisht në turizëm. Në 2022 Malta dha mbi 1800 leje, ndërsa në 2023 numri i tyre ra në gati një mijë. Pas Maltës renditen Polonia (772), Sllovakia (668), Franca (580), Suedia (303).

Në dy vjet u dhanë 39 mijë leje qëndrimi për ata që kanë ikur për të punuar

Vala e re e emigrimit duket se është e orientuar në një masë të madhe dhe nga punësimet direkte, krahas arsyeve familjare, që historikisht kanë dominuar (në 2023 përbënin 55% të totalit).

Në vitin 2013, lejet e dhëna për arsye punësimi përbënin 12% të totalit, ndërsa në 2022-2023 ato zinin rreth 25%, sipas të dhënave të Eurostat.

Numri i lejeve të qëndrimit për herë të parë të dhëna gjithsej nga shtetet e BE-së për shtetasit shqiptarë që duan të punojnë ka shënuar rritje të ndjeshme që pas pandemisë. Në 2022 u arrit niveli më i lartë rekord, të paktën prej nga viti 2013 që raportohen të dhënat, në 21 mijë. Në 2023 u dhanë 17.6 mijë leje.

Në vetëm dy vjet, shtetet e BE-së kanë dhënë gati 39 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë që kanë ikur për të punuar.

Në 2023 u dhanë gjithsej 75 mijë leje qëndrimi nga vendet e BE-së

Sipas Eurostat, se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të parë (shifra është rishikuar në rritje me rreth 4 mijë persona, nga raportimi i një viti më parë).

Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-a, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë./Monitor

The post Shqiptarët ikin për të punuar, BE dha 39 mijë leje në dy vjet, kryeson Gjermania appeared first on Lapsi.al.

FBI: Trump “ishte objekt i një përpjekjeje për atentat” në Florida

By: user 11
16 September 2024 at 07:52

FBI tha se Donald Trump “duket se ishte objekt i një përpjekjeje për atentat” në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridës të dielën, vetëm nëntë javë pasi kandidati republikan për president i mbijetoi një tjetër atentati ndaj tij. Ish-presidenti tha se është mirë dhe jashtë rrezikut.

Sherifi i qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw tha se agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së qëlluan në drejtim të një personi që kishte drejtuar një pushkë të stilit AK drejt klubit, ndërsa Trump ishte duke luajtur golf.

Bradshaw tha se personi i armatosur kishte gjithashtu dy çanta shpine të varura në një gardh dhe një kamerë dhe se ai ishte rreth deri në 500 metra larg nga Trump dhe i fshehur mes shkurreve, ndërsa ish-presidenti luante golf. Personi hodhi armën dhe iku me një fuoristradë dhe më pas u arrestua në një distrikt aty pranë.

Disa media amerikane e identifikuan të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Havai, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të organeve të zbatimit të ligjit.

Zyrtarët që identifikuan të dyshuarin folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin hetimin aktiv. FBI nuk pranoi të komentonte mbi identitetin e të dyshuarit dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Incidenti është zhvillimi i fundit tronditës në një vit fushate të shoqëruar me ngjarje të pashmebullta dhe ndodh pothuajse dy muaj pasi Trump u qëllua gjatë një atentati në një tubim në Pensilvani dhe një plumb e plagosi në vesh. Vetëm një javë më pas presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara.

Në një email drejtuar mbështetësve të tij, Trump tha: “Pati të shtëna armësh pranë (meje), por përpara se spekulimet ta dalin jashtë kontrollit, doja që të isha i pari që t’ju thoja: JAM I SIGURT DHE NË GJENDJE TË MIRË! Asgjë nuk do të më ngadalësojë. Nuk do të dorëzohem kurrë!” tha ish-presidenti.

Agjentët ishin pak përpara ish-presidentit kur vunë re personin me armë zjarri, tha Bradshaw. Agjentët dhe oficerët e Shërbimit Sekret me karroca golfi, si pjesë e masave të mbrojtjes, sigurojnë zonën para dhe pas ish-presidentit Trump kur ai luan golf. Agjentët gjithashtu zakonisht sjellin një automjet të blinduar aty pranë, për ta strehuar me shpejtësi nëse shfaqet një kërcënim.

Ish-presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah.

Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente, ishin informuar për ngjarjen dhe do të vazhdojnë të marrin informacion për hetimin.

Shtëpia e Bardhë shtoi se ata ishin “të lehtësuar” që Trump ishte jashtë rrezikut. Kandidatja demokrate për presidente Harris, në një deklaratë tha se është “e kënaqur” që Trump është mirë, duke shtuar se “dhuna nuk ka vend në Amerikë”.

Në një postim në platformën X, senatori republikan Lindsey Graham, një nga aleatët kryesorë të Kongresit të Trump, tha se kishte folur me ish-presidentin Trump pas incidentit dhe se ai ishte “në humor të mirë” dhe e karakterizoi si “një nga njerëzit më të fortë që kam njohur ndonjëherë”.

Sherifi i qarkut Martin, William D. Snyder, tha se i dyshuari u kap brenda disa minutave pasi FBI, Shërbimi Sekret dhe Zyra e Sherifit të qarkut Palm Beach lëshuan një mesazh urgjent për të kërkuar për një automjet specifik, numrin e targës dhe përshkrimin e personavre brenda tij. Snyder tha se “një nga njësitë e patrullës rrugore e pikasi automjetin, kontrolloi targën dhe me ndoqëm makinën”.

“E arritëm makinën, e ndaluam në mënyrë të sigurtë dhe e vendosëm shoferin në paraburgim.” Snyder tha se i dyshuari “nuk ishte i armatosur kur e nxorëm nga makina”.

Ai shtoi se personi kishte një sjellje të qetë, pa reagime dhe shfaqi pak emocione kur u ndalua nga policia, duke thënë se i dyshuari nuk pyeti se pse ishte ndaluar.

“Ai në asnjë moment nuk pyeti, ‘për çfarë bëhet fjalë?’”.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland është informuar për situatën dhe po merr përditësime të rregullta në lidhje me të, tha një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë. Ish-presidenti ishte planifikuar t’i kthehej fushatës, duke shkuar të martën në Flint të shtetit Miçigan dhe më pas të mërkurën në një tubim fushate në Nju Jork të mërkurën.

Në fund të javës, ai është planifikuar të marrë pjesë dhe të flasë në Takimin Kombëtar të Nivelit të Lartë të Këshillit Izraelito-Amerikan në Uashington, DC dhe të shtunën të mbajë një tubim në Uilmington të Karolinës së Veriut./ VOA

The post FBI: Trump “ishte objekt i një përpjekjeje për atentat” në Florida appeared first on Lapsi.al.

Parashikimi i motit për këtë të hënë

By: user 11
16 September 2024 at 07:17

Vendi ynë (për javën që presim përpara) do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme. Megjithatë pse nuk do të mungojnë kthjellimet apo orët me diell.

Kjo situatë vjen si pasojë e një qendre ciklonare (shoqëruar me masa ajrore të ftohta) e cila aktualisht ndodhet në verilindje të rajonit të Ballkanit. Masat e ftohta zëvendësojnë masat ajrore më të ngrohta (dhe anasjelltas) duke krijuar kështu edhe kontraste të forta termike kryesisht në orët e mesditës dhe pasdites.

Moti për të gjitha ditët e javës parashikohet me kthjellime (orë me diell) si dhe alternime vranësirash mesatare. Në momentin e vranësirave të dendura parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët. Por, këto reshje në relievet kodrinore dhe kryesisht ato malore në periudha afatshkurtra do të jenë edhe në formën e rrebesheve apo shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në momentin e orëve me diell pritet që dhe temperaturat në pjesën më të madhe të ditëve të prekin vlerat 25-27 gradë Celcius në mesditë.

The post Parashikimi i motit për këtë të hënë appeared first on Lapsi.al.

Before yesterdayMain stream

Emigracioni, një fenomen shqetësues në Malësi të Madhe

By: user 11
14 September 2024 at 22:56

Në Shqipëri të dhënat e Censit të vitit 2023, puplikuar kohët e fundit, dëshmojnë për një rënie të ndjeshme të numrit të banorëve, një pjesë e madhe për shkak të nivelit të lartë të emigracionit. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm nga viti 2018 deri në vitin 2022, nga Shqipëria janë larguar rreth 195 mijë persona. Një nga zonat më të prekura është edhe Malësia e Madhe.

Studiuesi shqiptaro- amerikan Lulash Palushaj paraqiti në Malësi të Madhe librin e tij të fundit kushtuar plagës së emigracionit në këtë zonë. Studiuesi dhe shkrimtari shqiptaro-amerikan Lulash Palushaj, autor i 15 librave, që i kushtohen historisë dhe traditave të Malësisë së Madhe, paraqiti sot përpara studiuesve dhe autoriteteve nga Malësia e Madhe, këndej dhe andej kufirit të sotëm shtetëror, librin e tij të fundit “Ku vojte o Malësi e Madhe, ka vete o shqiptar ”, kushtuar asaj që ai e quan plaga më e madhe e malësorëve, emigracioni.

“Plaga më e madhe është se kemi lënë ato pleq nëpër shtëpija të zbrazura. Plaga më e rëndë është lotët që derdhin pleqtë se ku i kanë njerëzit e shtëpisë. Se nuk mund të ketë shtëpi pa njerëz dhe njerëz pa vendlindjen e vet. Kjo është më e rëndësishmja që unë kam pasqyruar në këtë vepër”, tregon ai.

Për nënkryetarin e Bashkisë “Malësi e Madhe”, Sytki Ndreca, studiuesi Palushaj ka arritur të prekë një ndër problemet më kryesore që vazhdon të ketë Malësia e Madhe.

“ Ikja dhe emigrimi jashtë territorit të Malësisë së Madhe, por edhe jashtë Shqipërisë, në emigracion, në diasporë, ka marrë një përmasë të madhe, ç’ka është shumë e frikshme”, thotë ai.

Nënkryetari i bashkisë thotë se të dhënat e fundit, të publikuara nga censusi i popullsisë dhe banesave, dëshmojnë edhe përmasat e largimit të banorëve nga Malësia e Madhe, si drejt emigracionit, ashtu edhe zonave të tjera në brendësi të vendit.

Sipas census-it të vitit 2023 Malësia e Madhe ka 21640 banorë ose më pak se 15 mijë banorë në krahasim me vitin 2011 dhe rreth 32 mijë më pak se regjistrimi i vitit 1991.

Pjesëmarrësit nga shqiptarët në Mal të Zi theksuan gjatë takimit se tema e emigrimit është shqetësuese për malësorët që jetojnë në të dy anët e kufirit dhe se trajtimi i kësaj teme ka të bëjë me nevojën e ndalimit të shpopullimit të trojeve shqiptare.

“Kjo temë përbën një fenomen shqetësues edhe për Lulashin se edhe ai vetë po e jeton emigracionin në SHBA. Pothuajse në shumicën e veprave të tij ai trajton këtë fat të hidhun të malësorëve, si andej, si këndej kufirit”, thotë Rrok Gjolaj. këshilltarë në Minsitrinë e Arsimit në Mal të Zi.

Shqipëria, thotë Lulash Palushaj, ka potenciale natyrore dhe ekonomike për të mbajtur në vendin e vet shqiptarët, por është e nevojshme të nxitet punësimi dhe të përdoren të mirat natyrore në dobi të zhvillimit.

Poetja Mimoza Rexhvelaj, banore e Malësisë së Madhe, thotë se tashmë në malësi ka fshatra që kanë mbetur bosh për shkak të braktisjes dhe largimit të banorëve drejt emigrimit, kryesisht në Amerikë dhe Angli. Ndaj, libri i fundit i Lulash Palushajt, thotë ajo, është një klithëm për ndryshimin e këtij realiteti.

“Klithma dhe ulurima në fakt, që bën professor Palushaj në librin e tij, është kthehuni në atdhe, kthehuni tek pragu, kthehuni tek familja, tek nëna, tek baba që ju presin”.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, nga viti 2011 deri në vitin 2023, Shqipëria ka rreth 600 mijë banorë më pak. Ndërsa brenda një periudhe 5 vjeçare, nga viti 2018 deri në vitin 2022, nga Shqipëria janë larguar 194.900 persona, me një mesatare prej rreth 39 mijë personash në vit./VOA

The post Emigracioni, një fenomen shqetësues në Malësi të Madhe appeared first on Lapsi.al.

E drogoi bashkëshorti dhe u përdhunua nga 80 burra, protesta në mbështetje të 72-vjeçares në Francë

By: user 11
14 September 2024 at 22:39

Protestuesit janë mbledhur këtë të shtunë, në mbështetje të Gisèle Pélicot, burri i së cilës e drogoi dhe ftoi më shumë se 80 burra që ta përdhunonin në shtëpinë e tyre. Rreth 30 protesta në qytete përfshirë Parisin dhe Marsejën.

Rasti i 72-vjeçarit, i cili u sulmua vazhdimisht pa ndjenja, tronditi botën. Bashkëshorti i saj, Dominique, 71 vjeç, i cili e ka pranuar fajin, po gjykohet me 50 burra të tjerë të akuzuar për përdhunimin e saj. Gisèle Pélicot është vlerësuar gjerësisht për guximin e saj duke thënë se gjyqi duhet të mbahet publikisht dhe jo me dyer të mbyllura.

Burrat që dyshohet se e përdhunuan ishin të moshës midis 26 dhe 73 vjeç kur u arrestuan dhe përfshijnë një këshilltar lokal, një gazetar, një ish-oficer policie, një roje burgu, një ushtar, një zjarrfikës dhe një nëpunës civil. Shumë ishin fqinjët e çiftit në qytetin e vogël Mazan, pranë Avignon, në Francën jugore.

The post E drogoi bashkëshorti dhe u përdhunua nga 80 burra, protesta në mbështetje të 72-vjeçares në Francë appeared first on Lapsi.al.

Mblidhen socialistët e Tiranës, Rama prezanton drejtuesit e qarkut dhe lë porositë

By: user 11
14 September 2024 at 21:59

Socialistët vijojnë me përgatitjet dhe planin për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Mbrëmjen e sotme është mbledhur Asambleja e PS-së për Tiranën për të prezantuar ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun, kryebashkiakun Erion Veliajn dhe kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropalin si drejtuesit politik të qarkut të Tiranës.

Mbledhja e mbajtur me dyer të mbyllura zgjati për rreth 1 orë e 40 minuta ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë kësaj mbledhje kryesocialisti dhe njëherësh dhe kryeministri i vendit, u ndau detyrat dhe porositë për punën që duhet bërë në terren për zgjedhjet parlamentare të cilat priten të mbahen në muajin maj të vitit të ardhshëm. Burime për mediat bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar një angazhim më të madh në terren, koordinim me strukturat, përdorimin më shumë të rrjeteve sociale, sidomos TikTok-ut, si dhe afrimin e prurjeve të reja në PS.

The post Mblidhen socialistët e Tiranës, Rama prezanton drejtuesit e qarkut dhe lë porositë appeared first on Lapsi.al.

Berisha: Ballkani i Hapur kishte qëllim kapitullimin përfundimtar të Kosovës dhe ndarjen e saj

By: user 11
14 September 2024 at 21:22

Në fjalën e tij përpara mbështetësve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur në lidhje me projektin e Ballkanit të Hapur. Berisha u shpreh se qëllimi i projektit ishte kapitullimi i Kosovës dhe ndarja e saj. Sipas kryedemokratit, Edi Rama, ndërmori një nismë ruso-serbe, që mbështetej fuqishëm nga Sergei Lavrov dhe Aleksis Soros, dy armiq të kombit shqiptar. Berisha thotë se me Ballkanin e Hapur, Rama shtriu hegjemoninë serbe në Shqipëri, Maqedoni. Kreu i PD-së shtoi se kjo nismë izoloi Kosovën. Sipas tij kjo solli rënien e saj në prehrin e Serbisë, ndarjen midis Vuçiçit dhe argatit të saj në Tiranë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të dashur miq, dy vite më parë ju u ngritët në këmbë në prag të samitit të Ballkanit ruso-serb, Ballkanit të Hapur, në një protestë që u shënua në rajon dhe në Europë. Argati i Aleksandër Vuçiçit, Edi Rama, ndërmori një nismë ruso-serbe. Mbështeti një nismë, të cilën ne e denoncuam që në takimin e saj të parë.

Një nismë që mbështetej fuqishëm nga Sergei Lavrov dhe Aleksis Soros, dy armiq të kombit shqiptar. Me Ballkanin e Hapur, Edi Rama shtriu hegjemoninë serbe në Shqipëri, Maqedoni.
Izoloi Kosovën. Kjo ishte nisma, e cila pas ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, duhet të sillte kapitullimin përfundimtar të Kosovës, rënien e saj në prehrin e Serbisë, ndarjen e saj midis Vuçiçit dhe argatit të saj në Tiranë. Por opozita shqiptare e denoncoi dhe nuk e pranoi kurrë.

 

The post Berisha: Ballkani i Hapur kishte qëllim kapitullimin përfundimtar të Kosovës dhe ndarjen e saj appeared first on Lapsi.al.

“Open Arms”/ Prokuroria kërkon 6 vjet burg për Matteo Salvinin

By: user 11
14 September 2024 at 20:46

Magjistratët kanë kërkuar që Matteo Salvini të dënohet me gjashtë vjet burg për ngjarjet që kanë të bëjnë me anijen Open Arms. Për prokurorinë e Palermos, Salvini është plotësisht përgjegjës për rrëmbim dhe refuzim të akteve zyrtare për vonimin e zbarkimit të 147 emigrantëve nga bordi i anijes së OJQ-së Open Arms në gusht 2019, kur ishte ministër i Brendshëm.

Prokuroria u përpoq të argumentonte se si Salvini kishte kryer një “rrëmbim” duke vepruar “në shkelje të konventave ndërkombëtare dhe rregullave të brendshme në lidhje me shpëtimin në det dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, por edhe duke “abuzuar me kompetencat e besuara”  si autoritet kombëtar i sigurisë publike”.

Salvini mori menjëherë solidaritet nga kryeministrja Giorgia Meloni, e cila është në koalicion me të. “Të shndërrosh detyrën për të mbrojtur kufijtë italianë nga imigracioni i paligjshëm në një krim është një precedent shumë i rëndë.

Solidariteti im i plotë me ministrin Salvini. Gjashtë vjet burg për bllokimin e zbarkimeve dhe mbrojtjen e Italisë dhe italianëve? Marrëzi. Të mbrosh Italinë nuk është krim dhe nuk do të dorëzohem as tani e as kurrë”.

The post “Open Arms”/ Prokuroria kërkon 6 vjet burg për Matteo Salvinin appeared first on Lapsi.al.

Deputetja Kearns: Vuçiç po përdor strategjinë e Putin për aneksimin e veriut të Kosovës

By: user 11
14 September 2024 at 20:15

Deputetja konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, Alicia Kearns, ka reaguar së fundmi në lidhje me shtatë kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Deputetja britanike ka thënë se pas deklaratave të Vuçiçit, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet në Ballkan. Ajo shtoi se Vuçiç po e përdor taktikën e Vladimir Putinit duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës.

“Pas deklaratave të mbrëmshme të Presidentit Vuçiç, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet urgjentisht në Ballkan. Gati një vit pas sulmit në Banjskë ende nuk ka drejtësi, dhe pavarësisht përfshirjes së shtetit serb, ende nuk ka sanksione nga BE-ja (vetëm marrëveshje për litium dhe avionë).

Vuçiç po ndjek strategjinë e Putinit, duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës. Kosova është një shtet sovran. Ballkani duhet të largohet nga pikëpamjet sektare, banorët e veriut të Kosovës dhe serbët e Kosovës meritojnë më shumë, jo të përdoren si pengje dhe gurë shahu në ambiciet irredentiste”, ka shkruar Kearns në platformë “X”.

The post Deputetja Kearns: Vuçiç po përdor strategjinë e Putin për aneksimin e veriut të Kosovës appeared first on Lapsi.al.

Çmimet e naftës vazhdojnë rimëkëmbjen nga nivelet më të ulëta në gati 3 vjet

By: user 11
14 September 2024 at 19:46

Çmimet e naftës vazhduan rimëkëmbjen edhe këtë të premte, pas rënies në 68.68 dollarë për fuçi të martën, niveli më i ulët nga dhjetori 2021. Kjo erdhi pasi një raport tregoi se importet kineze të naftës janë ende nën nivelet e vitit të kaluar, duke shtuar shqetësimet për fuqinë e kërkesës globale. Kontratat e së ardhmes së naftës Brent u rritën me 38 cent, ose 0.53%, në 72.35 dollarë për fuçi. Furnizimet e naftës së papërpunuar të WTI të SHBA u rritën me 40 cent, ose 0.58%, në 69.37 dollarë.

Nëse këto fitime vazhdojnë, të dy standardet do të thyejnë një varg rëniesh javore. Në nivelet aktuale, Brent është në rrugën për një rritje javore prej rreth 1.9% ndërsa WTI është do të regjistrojë një fitim 2.5%.

“Ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit në Libi dhe ndërprerjet më të mëdha se sa pritej në Gjirin e Meksikës për shkak të uraganit Francine e mbajnë tregun e naftës të shtrënguar”, tha analisti i UBS, Giovanni Staunovo.

Një dollar më i dobët ndihmoi gjithashtu në mbështetjen e çmimeve të naftës. Monedha ra në nivelin më të ulët të një jave të premten, duke i bërë mallrat e shprehura në dollarë më të lira për mbajtësit e monedhave të tjera. Prodhuesit e naftës vlerësuan dëmet dhe kryen kontrolle sigurie të enjten ndërsa përgatiteshin të rifillonin punën në Gjirin e Meksikës në SHBA. Të dhënat zyrtare treguan se gati 42% e prodhimit të naftës në rajon u mbyll që nga e enjtja.

Analistët e UBS parashikuan se prodhimi i shtatorit në rajon do të bjerë me 50,000 fuçi në ditë (bpd) nga muaji i kaluar, ndërsa analistët e FGE vlerësuan një rënie prej 60,000 fuçi në ditë në 1.69 milion bpd. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ulën parashikimet për rritjen e kërkesës këtë javë, duke përmendur vështirësitë ekonomike në Kinë, importuesi më i madh i naftës në botë.

Në Shtetet e Bashkuara, rezervat e naftës gjithashtu u rritën javën e kaluar, pasi importet e papërpunuara u rritën dhe eksportet u ulën. Ndërkohë, investitorët po presin takimin e politikave të Rezervës Federale të SHBA-së në datat 17-18 shtator dhe një ulje të mundshme të normave të interesit. / Monitor

The post Çmimet e naftës vazhdojnë rimëkëmbjen nga nivelet më të ulëta në gati 3 vjet appeared first on Lapsi.al.

I afërmi i tyre ndërroi jetë, 40 persona shkatërrojnë spitalin në Itali

By: user 11
14 September 2024 at 19:10

Një akt dhune është regjistruar ditën e djeshme në një spital në Pescara në Itali, ku 40 persona, burra dhe gra me origjinë rome hynë në departamentin e Onkologjisë duke dhunuar e thyer gjithçka që gjenin përpara. Ky veprim i tyre ka ardhur pas vdekje së një të afërmi të tyre i cili ishte shtruar në këtë spital.

Sipas mediave italiane, situata doli jashtë kontrolli, ku u thyen dyer dhe mjetet spitalore u hodhën në tokë, teksa u desh ndërhyrja e policisë për rivendosjen e qetësisë dhe lejimin e transferimit të trupit në morg. Kaosi shpërtheu kur familjarët morën vesh për vdekjen e të afërmit të tyre, një 60-vjeçar që vuante nga një patologji e rëndë.

“Dënoj fuqishëm aktin e dhunës së ushtruar nga një grup prej rreth dyzet personash në dëm të punonjësve të kujdesit shëndetësor, pacientëve dhe aseteve të departamentit të Onkologjisë të spitalit Pescara,” deklaroi drejtori i përgjithshëm i spitalit të Pescara-s Vero Michitelli.

The post I afërmi i tyre ndërroi jetë, 40 persona shkatërrojnë spitalin në Itali appeared first on Lapsi.al.

Izraeli godet Gazën, 14 viktima

By: user 11
14 September 2024 at 18:36

Si pasojë e sulmeve ajrore izraelite që goditën pjesën qendrore dhe jugore të Gazës, u vrarë të paktën 14 persona. Njëmbëdhjetë prej viktimave ndodheshin në një shtëpi, mes tyre tre gra dhe katër fëmijë.

Një nga sulmet goditi një tendë në qytetin Khan Younis ku strehohen palestinezë të zhvendosur nga lufta bëri të ditur të shtunën Mbrojtja Civile e Gazës.

Sulmet e së shtunën pasojnë ato të kryera në fillim të kësaj jave, që goditën një kamp me tenda të martën dhe një shkollë të Kombeve të Bashkuara të mërkurën.

Ndërkohë në Turqi, u zhvillua ceremonia e varrimit të aktivistes 26 vjeçare turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi, e cila u varros në qytetin e saj të lindjes në Didim.

Ushtria izraelite tha se aktivistja, e cila jetonte në Siatëll të SHBA-së, ka të ngjarë të jetë qëlluar “indirekt dhe pa dashje” nga forcat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, më 6 shtator. Turqia njoftoi se do të kryejë hetimin e saj mbi rastin. Një protestuese izraelite, dëshmitare në vendngjarje tha se aktivistja u vra pas një demonstrate kundër vendbanimeve izraelite./VOA

The post Izraeli godet Gazën, 14 viktima appeared first on Lapsi.al.

Përplasen dy automjete në Berat, shkak dyshohet lagështia në rrugë

By: user 11
14 September 2024 at 18:04

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në Berat, në lagjen “Dëshmorët e Kombit, përballë Varrezave të Dëshmorëve. Mësohet se dy automjete kanë qenë duke qarkulluar në të njëjtin sens lëvizje kur janë përplasur. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Si pasojë e aksidentit është bllokuar për disa minuta qarkullimi në këtë aks, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar efektivë të policisë rrugore. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak për rrëshqitjen e mjeteve dhe përplasjen e tyre mund të ketë qenë lagështia në rrugë.

 

The post Përplasen dy automjete në Berat, shkak dyshohet lagështia në rrugë appeared first on Lapsi.al.

❌
❌