Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 September 2024Main stream

Dumani takohet me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës Stefan Blättler, në fokus lufta kundër krimit

19 September 2024 at 15:08

Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme Altin Dumani dhe Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës, Stefan Blättler, zhvilluan një takim konstruktiv në Bernë, në datën 18 shtator 2024. Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, u diskutuan zhvillimet më të fundit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit.

Të dy drejtuesit e lartë, Dumani dhe Blättler, rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin e shkëlqyer të nisur midis të dy zyrave përkatëse duke u bazuar në të drejtën e brendshme dhe instrumenteve ligjore ndërkombëtare të nënshkruar nga të dy shtetet përkatëse. Bashkëpunimi ndërkombëtar i këtij lloji është thelbësor për të luftuar në mënyrë efektive të gjitha format e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar.

Gjatë takimit, Dumani dhe Blättler theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të mira midis të dy institucioneve. Ky bashkëpunim ofron mundësi të shkëlqyera për vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira dhe për krijimin e strategjive dhe njësive të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dy vendet.

Dumani dhe Blättler nënvizuan se kjo frymë pozitive bashkëpunimi do të forcojë më tej përpjekjet e përbashkëta për një rend ligjor më të sigurt në të dy vendet dhe në rajon.

/abcnews.al/

Greqi/ Plagosja e shqiptarit me armë zjarri, dalin pamjet e sherrit

19 September 2024 at 14:43

Mediat greke kanë publikuar pamjet nga sherri ku mbeti i plagosur një 36-vjeçar shqiptar.

Tre shtetas shqiptar u përplasën fizikisht me një shtetas gjeorgjian. Shkak i sherrit sipas informacione ishte prishja e pazareve të drogës.

Pas konfliktit fizik shtetasi gjeorgjian është kthyer sërish në vendngjarje dhe ka qëlluar më armë duke plagosur në këmbë 36-vjeçarin shqiptar.

/abcnews.al/

Integrimi në BE/ Konferenca e dytë…hapje negociatash? Gjipali: Tetori është muaji më i mirë për takimin e radhës

19 September 2024 at 13:48

Drejtor ekzekutiv i EMA, Gledis Gjipali, gjatë një interviste në “Tirana Live “në ABC News, foli për konferencën e zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, ku edhe u njoftua krijimi i një Komiteti të Përbashkët Konsultativ.

Ai tha se krijimi i një Komitet Konsultativ është një sinjal i mirë afrimi sidomos për vendet që synojnë integrimin në BE.

“Vazhdimisht është hedhur ideja dhe tani ka marrë një formë më të qartë që të jepet mundësia për të pasur anëtar vëzhgues. Ky është një sinjal afrimi për vendet që synojnë integrimin, është një mbështetje më shumë që ende e shohin larg atë datë anëtarësimi. Edhe njohja nga vetë përfaqësuesit e shteteve tona, për të njohur nga afër si funksionon politika, ndihmon për të kuptuar dhe për të përshpejtuar procesin”, u shpreh Gjipali.

Gjithashtu ai u ndal edhe te takimi i Von Der Leyen me liderët europianë duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm.

“Do të shihen ato piketa të zhvillimeve të 5 viteve të ardhshme. Von der Leyne ka qenë iniciatorja e planit të rritjes. Që do të thotë më shumë financime nëpërmjet projekteve por edhe një kontroll i progresit të reformave. Ndaj ky takim është i rëndësishëm për të parë se si do të jenë avancimet në të ardhmen. Shqipëria i ka dorëzuar në kohë të gjithë agjendën e reformave dhe duke qenë se është paketë për të 6 vendet, pritet edhe miratimi për të gjashta. Do të shohim nëse do të ketë modifikime apo synime të tjera. Është e afërt, tetori është muaji i mirë për takimin e radhës, por jemi skeptikë për faktin se ka rreth një vit që flitet mundësia për të rënë vetoja greke, besoj se është momenti më i mirë tetori. Ka një angazhim të ngushtë me Ballkanin Perëndimor, mendoj se është një sinjal i mirë fakti që ka një rikonfirmin të zonjës Von Der leyen dhe gjithashtu po organizon edhe një takim me liderë të Ballkanit Perëndimor dhe ky është një lajm i mirë”, tha Gjipali.

Dialogu Kosovë-Serbi?

Gjipali: Mungesa e dialogut ndikon tek të dy vendet pasi nuk mund të ecin përpara në procesin e anëtarësimit. Është një kusht i qartë, pasi BE nuk dëshiron të sjellë probleme bilaterale dhe t’i bëjë probleme europiane.

/abcnews.al/

Pjesë e një grupi kriminal, arrestohet 35-vjeçari i shpallur në kërkim, pritet ekstradimi në Itali

19 September 2024 at 13:44

Është arrestuar në Fier 35-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë 35-vjeçari është akuzuar nga Gjykata e Torinos, si pjesëtar i një grupi kriminal për shitje të lëndëve narkotike. Ndërsa pritet ekstradimi i tij në Itali.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të planit operacional policor të koduar “Para drejtësisë”, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kapën në fshatin Kashisht, shtetasin 35 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Torinos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja dhe tregtimi i lëndëve narkotike” dhe “Organizata krimimale”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej sqarohet se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të kryejë proceduarat e ekstradimit.

/abcnews.al/

Izraeli zhvendos vëmendjen nga Libani dhe Hezbollahu

19 September 2024 at 13:24

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e ka shpallur nisjen e një “faze të re” të luftës, teksa Izraeli ka zhvendosur vëmendjen drejt frontit verior kundër Hezbollahut, grupit në Liban të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Dy valë shpërthimesh goditën Sirinë dhe Libanin: sulme që duket se janë kryer nga Izraeli dhe që kanë shënjestruar pejxherët e përdorur nga Hezbollahu. Nga shpërthimet, të martën u vranë të paktën 12 persona dhe u plagosën pothuajse 3.000 të tjerë. Ndërkaq, të mërkurën në mbarë Libanin pati shpërthime të radiolidhjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike, që lanë të vrarë të paktën 20 persona, dhe plagosën 450 të tjerë.

“Ne jemi në nisje të fazës së re të luftës. Kjo kërkon kurajë, vendosmëri dhe këmbëngulje”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, teksa u takua me ushtarë izraelitë.

Forcat e Armatosura, stërvitje të përbashkëta me trupat britanike në Pashaliman

19 September 2024 at 11:51

Forcat e Armatosura do të zhvillojnë për gati dy javë Stërvitjen e Përbashkët detare bregdetare “Austere Wolf-24” me kolegët e tyre të Britanisë së Madhe, në Pashaliman në kuadër të “Corridor VIII Response”.

Kjo stërvitje parashikohet të zgjasë deri më 7 tetor 2024. Në të njëjtën periudhë, pala britanike, përpos zhvillimit të stërvitjes “Austere Wolf 24” parashikon të zbarkojë në vendin tonë edhe trupat e NATO “Strategic Reserve Force” (SRF), të cilat do të vijojnë kalimin në itinerarin e Korridorit VIII, Shqipëri (Durrës ose Vlorë) – Maqedoni e Veriut – Kosovë – Shqipëri.

Stërvitja “Austere Wolf-24”, e planëzuar nga pala britanike, ka për qëllim zbarkimin e trupave dhe mjeteve lundruese në kushte të vështira bregdetare në bashkëpunim me vendin pritës.

Qëllimi i kësaj stërvitje është promovimi i ndërveprueshmërisë midis vendeve anëtare të NATO-s.

Në këtë stërvitje Forcat tona të Armatosura do të angazhojnë anije patrulluese dhe zhytësit e Forcës Detare, trupa të Forcës Tokësore e deri te suporti me helikopter nga Forca Ajrore.

“Hanë Gjaku” në Teatrin Metropol, vijnë në skenë tregimet e novelat e zgjedhura të Ernest Koliqit

19 September 2024 at 11:30

Aktori dhe regjisori Rafael Hoxhaj në një intervistë në “ABC e Mëngjesit” në ABC News, foli për “Hanë Gjaku”, një dramë që reflekton përplasjen mes traditës dhe modernizimit.

Gjatë intervistës, ai tregoi se kjo dramë ndër të tjera përfshin të gjithë njerëzimin dhe se është një ndjenjë edhe e dashurisë metafizike dhe jo vetëm asaj njerëzore.

“Hana Gjaku” do të vijë në skenë, nga tregimet e novelat e zgjedhura të Ernest Koliqit

“Hanë Gjaku” përfshin krejt njerëzimin, është ndjenja e dashnisë metafizike dhe jo vetëm njerëzore. Ndjenja e hakmarrjes, fajit, por edhe pushtetit. Ne nuk kemi ndrruar asgjë por jemi munduar të kapim shpirtin e Koliqit. Ndezja e një flakë dhe fikja e saj. Pra është lindja e diellit deri në perëndimin e tij, është një proces kohor siç është një proces i joni në jetën ne përditshme. Si një hënë që ndriçon rrugët e errëta.

Gjithashtu Hoxhaj tregoi se kjo dramë po ashtu flet për jetën e një të riu, dilemat dhe ekzistencialet e një të riu që rrënjose në zakonet e traditat e popullit të tij.

“Hanë Gjaku” do të jepet në datat 19, 20, 21 dhe 22 shtator, në Teatrin Metropol.

/abcnews.al/

Këpucët e ikjes “lidhin” biznesmenin me Kosovën, jeta e re në Gjermani pa patur asgjë dhe si azilkërkues

19 September 2024 at 11:09

Bekim Brestovci i ftuar në “ABC e Mëngjesit”, në ABC News, foli për aktivitetet e tij dhe rrugëtimin e vështirë dhe jetën në Gjermani.

Ai tregoi se ka qenë i përndjekur dhe në atë kohë në Kosovë ishte student i juridikut.

“Autoritetet gjermane besuan që përndjekja ime ishte e vërtetë dhe mu njoh e drejta e qëndrimit në Gjermani. Kam që në moshën 24 vjeçare. Në fillim kam pasur një thyerje ë madhe emocionale, pasi kisha ëndrra të tjera, ishte studenti më i dalluar në Fakultetin Juridik dhe nuk e imagjinoja asnjëherë se çfarë më priste”, thotë ai.

Në fillimet e tij në Gjermani tregoi se ka punuar në gastronomi dhe në firma të ndryshme. Gjatë intervistë tregoi se ka vazhduar studimet, kurse të ndryshme në Gjermani, në profil tjetër.

Pas kësaj arriti të futej në botën e biznesit dhe që nga ai momentet vetëm është rritur profesionalisht, ndërsa sot ka 11 kompani biznesi në Gjermani me 1300 punëtore.

Pas 25 vitesh është rikthyer në Kosovë. “Tani jam drejtor në drejtorinë e shërbimeve publike në Kosovë. Kur u ktheva në Kosovë, mendoj që e kam përmbushur pjesën ekonominë, dhe erdha me një vullnet që një përvojë time ta ofroj edhe në shërbimet publike të Kosovës. Kisha dhënë premtim që 15 vite të jetës time do ti jap në të mirën e shërbimit publik”, tregoi ai.

/abcnews.al/

“Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit në BE duhet të bazohet tek merita”, Oliver Ropke: Qëndrojmë krah Shqipërisë!

19 September 2024 at 09:45

Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke në një konferencë për e mediat, ndërsa foli për integrimin në BE të vendeve të u shpreh se asnjë prej vendeve të Ballkanit nuk duhet të zhgënjehet, duke shtuar se integrimi duhet të bazohet tek merita.

“Jemi të vendosur dhe nuk mund të zhgënjejmë asnjë prej vendeve të Ballkanit, anëtarësimi në BE duhet të bazohet tek merita por sigurisht metodologjia duhet të jetë graduale. Në takimet në Tiranë pashë që shoqëria civile është shumë e zellshme dhe ka ardhur koha të marrim hapin tjetër të radhës që është krijimi i Komitetit të Përbashkët Konsultativ, ne jemi gati dhe duhet të caktohen në mënyrë transparente anëtarët. Ritmi i integrimit mund të jetë i ngadalë, por procesi duhet të i bazuar tek merita. Në qëndrojmë krah për krah me shoqërinë civile të Shqipërisë”, tha ai.

Bruksel/ “Do të krijohet një Komitet i Përbashkët Konsultativ”, Rama në konferencë me Oliver Ropke: Synojmë të forcojmë bashkëpunimin!

19 September 2024 at 09:36

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, foli për hapat e mëtejshëm drejt BE-së.

Gjithashtu kryministri Rama u shpreh se do të krijohet një Komitet i Përbashkët Konsultativ.

“Procesi i integrimit në BE nuk i përket vetëm qeverisë por të gjithë qytetarëve. Dhe un jam shumë i emocionuar për mbështetjen që ka dhënë Ropke dhe ekipi i tij dhe kjo na jep mundësinë që t’i tregojmë qytetarëve tanë se sa e rëndësishme është që rruga drejt BE është një rrugë ku duhet përfshirë gjithë shoqëria jo vetëm disa aktorë. Ne presim që me këtë përfshirje dhe konsultimeve do të shohim që do të jetë një situatë më thelbësore dhe ndërveprimi brenda shoqërisë do të jetë më i rëndësishëm. Synimi është të forcojmë bashkëpunimin tonë që të tregojmë se jemi të gatshme për të përshpejtuar anëtarësimin në BE”, tha Rama.

 

Koreja e Veriut njofton se ka testuar një raketë të re balistike

19 September 2024 at 08:54

Koreja e Veriut tha se ka testuar një raketë balistike, që pretendon se është e aftë të bartë koka bërthamore “shumë të mëdha”. Sipas medias shtetërore, Pheniani ka testuar po ashtu një raketë lundruese.

Udhëheqësi Kim Jong Un ka përcjellë nga afër testimin e “llojit të ri të raketës balistike, Hwasongpho-11-Da-4.5, dhe të një rakete të përmirësuar lundruese”.

Gjatë këtij viti, Koreja e Veriut ka kryer një sërë testimesh të armëve. Këto testime, sipas ekspertëve, mund të jenë të lidhura me furnizimin e supozuar me armë që Pheniani dërgon në Rusi, me qëllim që Moska t’i përdorë në luftën kundër Ukrainës.

“Lloji i ri i raketës taktike balistike është pajisur me një kokë bërthamore konvencionale, super të madhe, me peshë prej 4.5 tonësh”, raportoi agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA.

Veriu “po ashtu kreu testimin e një rakete strategjike lundruese, performancat e së cilës janë përmirësuar shumë në mënyrë që ajo të përdoret për luftë”, tha KCNA-ja.

Ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se Veriu ka testuar një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, e cial fluturoi rreth 400 kilometra në lindje të Gadishullit Korean.

Testimi “synonte verifikimin e saktësisë së goditjes në rreze të mesme prej 320 kilometrash me pajisje të fuqishme shpërthyese dhe me një kokë bërthamore shumë të madhe”, tha KCNA-ja.

Kim tha se testime të tilla janë të nevojshme për “gjendjen e sigurisë” së shtetit të tij.

“Situata ushtarake dhe politike në rajon… është tregues se puna në forcimin e kapaciteteve ushtarake për vetëmbrojtje duhet të jetë çështja kryesore”, tha ai, sipas KCNA-së.

Së fundi, Koreja e Veriut kanë forcuar raportet e tyre. Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi një vizitë në Veri në qershor dhe së bashku me Kimin nënshkruan një marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes.

Kanadaja vendos sanksioneve të reja ndaj Hamasit, kolonëve hebrej dhe ndaj Iranit

19 September 2024 at 08:35

Kanadaja ka vendosur sanksione të reja ndaj Hamasit që synojnë luftimin e “aktiviteteve terroriste” dhe qarqeve të financimit të tij. Gjithashtu sanksione ka vendosur edhe kundër kolonëve “ekstremistë” izraelitë që kryen “akte dhune” kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor.

Otava gjithashtu në koordinim koordinim me Australinë dhe SHBA-në, vendosi sanksione ndaj pesë zyrtarëve të lartë iranianë për rolin e tyre në promovimin e politikave diskriminuese që çuan në shtypjen e protestave.  Këto sanksione të fundit vijnë pasi shënohen dy vjet që nga vdekja në duart e policisë të Mahsha Amini, një 22-vjeçare nga minoriteti kurd i Iranit, pasi ajo u arrestua për dyshime se ka shkelur kodin e veshjes të vendosur ndaj grave.

Sanksionet ndaj Hamasit kanë të bëjnë me 11 individë dhe dy entitete që luajnë një rol në rrjetin financues të lëvizjes islamike palestineze dhe, sipas Otavës, kontribuan në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.

Sulmet ruse në Zaporizhia, një i vdekur dhe dy të plagosur

19 September 2024 at 08:27

Një grua e moshuar u vra dhe dy gra të tjera u plagosën nga sulmet ruse në rajonin Zaporizhia të Ukrainës. Lajmi u konfirmua nga guvernatori Ivan Fedorov.

Forcat ruse bombarduan rajonin me zjarr artilerie 161 herë në 24 orët e fundit, duke dëmtuar objektet e infrastrukturës dhe ndërtesat e banimit, tha guvernatori përmes Telegram.

Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve TASS, duke cituar gjeneralmajorin rus Apti Alaudinov, raportoi se forcat ruse kishin rimarrë dy fshatra, Nikolayevo-Darino dhe Darino, nga forcat ukrainase që i kishin kapur si pjesë e ofensivës së tyre muajin e kaluar në rajonin e Kurskut .

/abcnews.al/

Agjencitë amerikane: Irani sërish përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA

19 September 2024 at 08:22

Hakerat iranianë duket se janë përpjekur të nxisnin interesin e ekipit të fushatës së Presidentit Joe Biden me informacione të vjedhura nga fushata e kundërshtarit të tij Donald Trump, përfshirë dërgimin e e-maileve drejt njerëzve të lidhur me presidentin demokrat, në përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024, tha FBI-ja dhe agjenci të tjera federale të mërkurën.

Nuk ka prova se ndonjë nga personat që ka marrë e-mailin është përgjigjur, thane zyrtarët, duke penguar që informacioni i hakeruar të bëhej publik në muajt e fundit të fushatës zgjedhore.

Hakerët i dërguan e-mailet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut tek individë që ishin të lidhur me fushatën e Presidentit Joe Biden, përpara se ai të tërhiqej nga gara.

Sipas një deklarate të qeverisë amerikane, e-mailet “përmbanin një fragment të shkëputur nga materiale të vjedhura, jo publike nga fushata e ish-Presidentit Trump”.

Ky njoftim, është përpjekja e fundit për të nxjerrë në pah atë që zyrtarët thonë se është synim i vazhdueshme e Iranit për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024-ës, përfshirë një sulm kibernetik që kishte si objektiv fushatën e ish-Presidentit Trump.

FBI-ja, Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe të Infrastrukturës deklaruan se sulmi kibernetik ndaj fushatës së zotit Trump dhe një përpjekje për qasje të paautorizuar ndaj informacioneve të ndjeshme të fushatës Biden-Harris janë pjesë e një tentative për të minuar besimin e votuesve në zgjedhje dhe për të nxitur konflikt.

Në 10 gusht, ekipi i fushatës së zotit Trump tha se kishte qenë objektiv i një sulmi kibernetik dhe se aktorë iranianë kishin vjedhur dhe shpërndarë dokumente të brendshme me të dhëna të ndjeshme.

Së paku tre mediave, ‘Politico’, ‘New York Times’ dhe ‘Washington Post’, iu ofruan materiale të brendshme të fushatës së ish-Presidentit Donald Trump. Deri tani, asnjë prej tyre nuk ka dhënë asnjë hollësi mbi materialet që iu janë dërguar.

Përmes një deklarate, Morgan Finkelstein, zëdhënësi i fushatës së zonjës Kamala Harris tha se ekipi i Nënpresidentes kishte bashkëpunuar me organet ligjzbatuese sapo kishte mësuar se individë të lidhur me ekipin e zotit Biden ishin në mesin e atyre që kishin marrë emailet.

“Nuk jemi në dijeni se ndonjë material i është dërguar direkt fushatës, por disa individë kanë marrë e-maile në adresën e tyre personale”, tha zoti Finkelstein.

Karoline Leavitt, zëdhënësja e fushatës së ish-Presdentit Trump e cilësoi përpjekjen e fundit për të dërguar informacione të vjedhura te fushata e Presidentit Biden si “një provë tjetër se iranianët po ndërhyjnë aktivisht në zgjedhje” për të ndihmuar zonjën Harris.

Më herët, Irani ka refuzuar ndërhyrjen në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Reuters për koment./VOA/

Before yesterdayMain stream

Revista e njohur Forbes artikull për Tiranën: Kryeqyteti ka përjetuar një transformim të thellë

18 September 2024 at 15:47

Revista e njohur Forbes i ka kushtuar një artikull të veçantë Tiranës dhe transformimit të saj në 10 vitet e fundit. Duke nisur që nga zhvillimi urbanistik e deri tek ai kulturor, Forbes shkruan se nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, qyteti ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban pionier.

Ndërkohë, në vitin 2025, Tirana do të jetë një nga dy kryeqytetet Mesdhetare të Kulturës dhe Dialogut, së bashku me Aleksandrinë në Egjipt.

“Nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj qyteti ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban”, shkruhet në artikullin e Forbes, ku nënvizohet se drejtimi i Veliajt në Tiranë karakterizohet nga një vizion i guximshëm dhe inovativ, që synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, promovimin e zhvillimit ekonomik dhe shndërrimin e Tiranës në një qendër kulturore dhe turistike të klasit të parë.

Artikulli i plotë i përkthyer në shqip:

Evolucioni i vazhdueshëm i tabelës gjeopolitike dhe rrjedhimisht ekonomike në Evropë, na tregon se si përtej Adriatikut, interesi për kapitalin e huaj, kryesisht nga Italia fqinje, është baza e një veprimi për t’u hapur ndaj zhvillimit, i cili tashmë ka nisur për disa vite. Mikpritja, luksi, zgjerimi urban dhe vëmendja ndaj kulturës, rezultojnë të jenë katër gurët e themelit të një ndryshimi që synon riformësimin e skenarit të të gjithë hapësirës ballkanike, ku Shqipëria po luan rolin e protagonistes.

Ndër qytetet kryesore është sigurisht kryeqyteti, Tirana, dëshmitar i një hapjeje të shpejtë financiar ndaj kapitalit ndërkombëtar, Italia është objektivi kryesor i saj. Një transformim i shpejtë ‘estetik’, i mbështetur nga një bum i paprecedentë ndërtimi, me ngritjen e ndërtesave dhe zonave financiare që ndryshuan pamjen e horizontit të saj, të vendosur në një përzierje të arkitekturës osmane, austro-hungareze dhe italiane.

Tirana, kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut
Në vitin 2025, Tirana do të jetë një nga dy kryeqytetet mesdhetare të kulturës dhe dialogut, së bashku me Aleksandrinë në Egjipt. Një mirënjohje e rëndësishme e dhënë nga 43 vendet anëtare të Unionit për Mesdheun (UfM), e cila vjen pas një vlerësimi të kujdesshëm në fronte si promovimi i dialogut ndërkulturor dhe vlerat e tolerancës dhe respektit.

“Në një kohë ndarjesh politike dhe konfliktesh serioze, projekti është dëshmi e fuqisë së kulturës në ndërtimin e urave dhe promovimin e dialogut, gjë që është kaq e nevojshme,” komentoi Nasser Kamel, sekretari i përgjithshëm i UfM.

Gjatë gjithë vitit, Tirana dhe Aleksandria do të presin një sërë ngjarjesh kulturore dhe arsimore, duke forcuar bashkëpunimin mes vendeve mesdhetare dhe duke festuar identitetin e tyre të përbashkët. Një qendër e gjallë kulturore, sot Tirana u ofron partnerëve të saj ndërkombëtarë formula të ndryshme investimi dhe luks mikpritjeje që zë vendin e parë në bregdetin ballkanik.

Tirana e kryebashkiakut Erion Veliaj: Qëndrueshmëri, turizëm dhe kulturë
Një udhëkryq jo vetëm i historisë, kulturës dhe modernitetit, por edhe i rinisjes dhe zhvillimit për milionerët e rinj ndërkombëtarë. Nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, qyteti ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban pionier, me rëndësi në rritje si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Lidershipi i Veliajt, i cili filloi në vitin 2015, karakterizohet nga një vizion i guximshëm dhe inovativ, që synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shndërrimin e Tiranës në një qendër kulturore dhe turistike të klasit të parë, falë edhe angazhimit të tij në vijën e parë me disa organizata humanitare në Kosovë, Amerikën Latine dhe Afrikë. Një përvojë që e rriti më tej ndërgjegjësimin e tij për çështjet sociale dhe politike.

Ndër projektet më ambicioze që vlen të përmenden janë padyshim Pylli Orbital dhe Piramida e re me pamje nga kryeqyteti. E para është një nismë që përfshin mbjelljen e dy milionë pemëve rreth qytetit deri në vitin 2030, një brez i gjelbër i krijuar për të përmirësuar cilësinë e ajrit, për të ofruar hapësira të reja rekreative dhe për të kontribuar biodiversitetin urban. Por, edhe rinovimi i sheshit Skënderbej, i shndërruar në një pedonale të rrethuar nga hapësira të harlisura dhe shatërvane, sot një pikë referimi dhe vend tubimi shoqëror për komunitetin, si dhe pikëmbështetje e ngjarjeve kulturore e demonstratave publike.

2025? Një mundësi e madhe për Shqipërinë
Sfida e 2025-ës është një mundësi e shkëlqyer për Tiranën, e bazuar në themele të forta të rilindjes dhe dëshirës për t’u pozicionuar në një udhëkryq jashtëzakonisht strategjik mes Ankarasë dhe kontinentit të vjetër.
Mund të kuptohet më mirë nëse krahasohet me zhvillimin urban të kryeqyteteve të tjera fqinje, të cilat kanë ndërmarrë gjithashtu projekte rizhvillimi dhe përmirësimi të infrastrukturës, por gjithmonë duke vënë në vend të parë angazhimin për qëndrueshmërinë mjedisore, promovimin e politikave gjithëpërfshirëse, si dhe qartësisht zhvillimin ekonomik.

Përmbytjet, Austria me plan masash, paketë prej 1 miliard euro për fatkeqësitë natyrore

18 September 2024 at 15:42

Austria njoftoi këtë të mërkurë një paketë masash për t’u marrë me përmbytjet që goditën vendin.

Bëhet fjalë për 1 miliard euro për fatkeqësitë natyrore. Partitë politike austriake gjithashtu kanë pezulluar paraqitjet e fushatës përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për më 29 shtator, pas përmbytjeve të mëdha.

“Ditët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështira për shumë zona në Austri pasi nga përmbytjet janë shkaktuar shkatërrime të paimagjinueshme,” tha kancelari Karl Nechhammer në një deklaratë.

Paketa e masave njoftohet pasi Austria dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore janë goditur nga përmbytjet më të këqija në rajon në të paktën dy dekada. Vetëm në Austri kanë humbur jetën pesë persona.

Fondi ofron financim për masat parandaluese dhe rikuperimin nga fatkeqësitë.

Procesi i Berlinit – Forcohet bashkëpunimi kundër krimit

18 September 2024 at 15:21

Fokusi i ministerialit të parë të Procesit të Berlinit për këtë vit ishte  në çështjet e sigurisë, migracionit dhe krimit të organizuar. Ministrat nga Ballkani Perëndimor dhe përfaqësues të lartë nga BE-ja, Komisioni Evropian dhe Britania e Madhe, ranë dakord në një deklaratë qëllimi që të intensifikojnë bashkëpunimin në këto fusha: “Ramë dakord të përmirësojmë shkëmbimin e të dhënave me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të migracionit dhe krimit të organizuar”, sqaroi në fund të takimit ministrja gjermane e punëve të Brendshme, Nancy Faeser. Konkretisht bëhet fjalë për regjistrimin biometrik të refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm.

Lufta kundër krimit të organizuar

Faeser theksoi nevojën për përfshirjen e autoriteteve financiare dhe sociale në luftën kundër rrjeteve kriminale, me qëllim ndjekjen e pasurive të tyre dhe ndërprerjen e rrjedhave të paligjshme të parave: “Ne do të zbatojmë metodën ‘Follow-the-Money’ edhe në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që autoritetet e zbatimit të ligjit të mund të identifikojnë, bllokojnë dhe konfiskojnë pasuritë kriminale.” Gjithashtu, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht e fokusuar në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, mbetet një prioritet i përbashkët: “Ky aktivitet kriminal duhet të ndalet. Ne duhet të mbrojmë veçanërisht viktimat, gratë dhe fëmijët,” shtoi Faeser.

Migracioni i parregullt nga vendet e Ballkanit në ulje

Migracioni i parregullt përmes Rrugës së Ballkanit ka rënë me 77% këtë vit, falë bashkëpunimit me Frontex. Sipas të dhënave, deri më tani janë regjistruar rreth 14,700 emigrantë të paligjshëm në BE përmes kësaj rruge. Ministrat shprehën shqetësim për mbylljen e kufijve dhe kërkuan zgjidhje të përbashkëta në kuadër të BE-së. Ministri grek, Nikos Panagiotopoulos, kërkoi një rregullim të përbashkët në kuadër evropian. Ai tha para gazetarëve, se në veprime të njëanshme, si vendosja e kontrolleve kufitare nga ana e Gjermanisë, qofshin këto edhe të përkohshme, nuk e zgjidhin problemin.

Procesi i Berlinit

Para 10 vitesh, Gjermania filloi të ashtuquajturin Procesi i Berlinit, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe një sërë vendesh antare të BE-së si Bullgaria, Franca, Greqia, Italia, Kroacia, Austria, Polonia, Sllovenia, si edhe Britania e Madhe. Qëllimi është të ndihmojë këto vende në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar organizatore ishte Shqipëria. Gjermania është organizatorja e këtij viti. Në javët në vazhdim në Berlin zhvillohen një sërë ministerialesh për tema si romët, gender, ekonomi, politika e jashtme, të cilat do të përgatisin samitin e Procesit të Berlinit, që zhvillohet në zyrën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, më 14 tetor. /DW

❌
❌