Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 September 2024Main stream

Fotografët e divorceve, biznesi i ri që po lulëzon në Kinë

20 September 2024 at 19:54

Si fotograf dasmash, jetesa e Tan Mengmeng varet shumë nga njerëzit që martohen, duke kapur gëzimin dhe lumturinë e dashurisë së një çifti.

Por shkalla e martesës në Kinë ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe 28-vjeçarja, e cila drejton një studio fotografie në provincën qendrore Henan, ka ndjerë dëshirën për të zgjeruar rrjedhën e saj të të ardhurave për të kapitalizuar një prirje në rritje: divorcin.

Krahas të dashuruarve që shkëmbejnë betimet, ajo tani bën edhe foto të çifteve që duan të përkujtojnë dhe në shumë raste të festojnë fundin e martesës së tyre.

Fotot e shpërndara në rrjetet sociale kineze Xiaohongshu tregojnë disa çifte duke nënshkruar letrat e tyre të divorcit, ndërsa të tjerë pozojnë me certifikatën e tyre të divorcit.

“29 vjeç. Gëzuar divorcin”, ka shkruar një përdorues krahas një fotoje të certifikatave të martesës dhe divorcit krah për krah.

Kompanitë gjithashtu ofrojnë tani shërbime për të hequr qafe kujtimet e vjetra të dasmës së një të divorcuari dhe çdo kujtim tjetër të padëshiruar në mënyrë ceremoniale.

Peng Xiujian, studiues i lartë në Universitetin Victoria në Australi, thotë se ndryshimi i kohëve reflekton një brez të ri që i jep përparësi lirisë personale dhe zhvillimit të karrierës.

“Ideja për të qëndruar në një martesë të pakënaqur ‘për hir të paraqitjes’ ose për shkak të detyrimit po humbet kontrollin e saj,” tha ajo.

Peng, i cili studion tendencat demografike në Kinë, ia atribuoi gjithashtu rënien e martesave faktorëve ekonomikë dhe socialë, duke përfshirë mjedisin e punës me presion të lartë, një treg konkurrues të punës dhe koston e lartë të jetesës.

Për ata që zgjedhin divorcin, nuk shihet më si e turpshme, thotë Tan.

“Nuk është e turpshme të jesh mjaftueshëm i guximshëm për t’u divorcuar,” tha Tan. “Të dyja palët kanë ende ndjenja…dhe duan të përkujtojnë marrëdhënien.”

Një çift që punësoi Tanin zgjodhi një restorant ku kishin takimin e tyre të parë. Çifti porositi disa pjata nostalgjike, të ulur përballë njëri-tjetrit pa lëvizur. “Në fund të sesionit fotografik, të dy qanë,” tha Tan.

Shifrat zyrtare tregojnë se normat e martesave në Kinë po bien, duke rënë çdo vit nga rreth 13 milionë në 2013 në nën 7 milionë në 2022, më e ulëta që nga fillimi i regjistrimeve në 1985, sipas të dhënave nga Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës.

Ndërkohë, numri i divorceve është rritur, duke arritur një rekord prej 4.7 milionë në 2019, më shumë se katër herë më i lartë se dy dekada më parë, sipas të dhënave.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Fotografët e divorceve, biznesi i ri që po lulëzon në Kinë appeared first on Euronews Albania.

“Çmenduri e Izraelit”, ambasada iraniane dënon sulmin në Bejrut

20 September 2024 at 19:09

Ambasada iraniane në Liban ka dënuar sulmin e Izraelit në periferitë jugore të Bejrutit. 

Duke shkruar në X, ambasada e përshkroi sulmin si “çmenduri izraelite që kapërceu të gjitha linjat” duke synuar ndërtesat e banimit. 

Autoritetet shëndetësore libaneze kanë thënë se të paktën tetë persona u vranë dhe 59 u plagosën në një sulm izraelit në Bejrut, ky është sulmi i parë i tillë në kryeqytetin libanez në disa muaj.

Kryeministri libanez Najib Mikati tha se sulmi tregoi se Izraeli “nuk i jep rëndësi asnjë konsiderate humanitare, ligjore apo morale”.

Nga ana tjetër Izraeli pretendon se rreth 10 komandantë të lartë të Hezbollahut u vranë së bashku me Ibrahim Aqilin në sulmin në Berjut.

“Ky eliminim synon të mbrojë qytetarët e Izraelit,” tha zëdhënësi në një deklaratë të shkurtër.

The post “Çmenduri e Izraelit”, ambasada iraniane dënon sulmin në Bejrut appeared first on Euronews Albania.

Sulmet e Izraelit në Liban, IDF: Kemi vrarë komandatin e lartë të Hezbollahut

20 September 2024 at 18:53

Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë komandantin e lartë të Hezbollahut, Ibrahim Aqil.

“IDF eliminoi Ibrahim Aqilin, kreun e sistemit operativ të Hezbollahut dhe komandantin aktual të Forcave Radwan dhe udhëheqësin e planit të Hezbollahut për të pushtuar Galilenë”, tha ushtria në një deklaratë.

Sipas Sky News ushtria  pretendoi se avionët luftarakë kishin kryer “bastisjen e saktë” në zonën e Bejrutit.

“Aqili dhe liderët që u eliminuan ishin ndër planifikuesit e planit të sulmit të Hezbollahut në Galile, i cili synonte të sulmonte qytetet e Galilesë dhe të vriste civilë në një mënyrë të ngjashme me atë që Hamasi terrorist kreu më 7 tetor”, shtoi ai.

Ai pretendonte se Aqil e kishte filluar karrierën e tij në Hezbollah në vitet 1980 dhe kishte qenë përgjegjës për sistemet operative të grupit që nga viti 2004.

“IDF do të vazhdojë të veprojë për të degraduar aftësitë e Hezbollahut, për të goditur atë dhe për të operuar në të gjitha frontet për të mbrojtur qytetarët e Izraelit”, thuhet në deklaratë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Sulmet e Izraelit në Liban, IDF: Kemi vrarë komandatin e lartë të Hezbollahut appeared first on Euronews Albania.

“U dënua 5 herë nga Serbia se ngriti flamurin”, flet Mustafi: S’ka lidhje me ligjin

20 September 2024 at 18:27

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, është dënuar për herë të pestë nga Prokuroria e Serbisë për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar.

Mustafi ishte këtë të premte i ftuar në emisionin “People” në Euronews Albania ku tha se dënimi i tij nuk ka baza ligjore. Sipas tij ai është dënuar pasi më 28 nëntor nuk ka ngritur krahas flamurit shqiptar edhe flamurin serb, ndërkohë siç shprehet Mustafi nuk ekziston asnjë ligj që ta obligojë për këtë.

“Unë e kam pasur për obligim që për çdo 28 nëntor të valëvis flamurin kombëtar dhe 28 nëntori është ditë feste për të gjithë Shqiptarët edhe për të Luginës së Preshevës. Është bërë procedimi gjyqësor, ku u konstatua se krahas flamurit kombëtar nuk kam ngritur edhe flamurin serb, për të cilën nuk ka asnjë rregullore që më obligon.

Nga viti 2018 ku për herë të parë jam dënuar, kanë ndryshuar ligjet dhe mënyra e procedimeve të kundërvajtjes. Atëherë dënoheshim për ngritjen e flamurit se ai i përket një shteti tjetër. Por kjo u lejua, ndërsa tani po dënohem pse me të nuk kam ngritur edhe flamurin serb”,-tha Ragmi Mustafi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “U dënua 5 herë nga Serbia se ngriti flamurin”, flet Mustafi: S’ka lidhje me ligjin appeared first on Euronews Albania.

Qeveria serbe rikthen shërbimin e detyruar ushtarak, 13 vite pasi ishte hequr

20 September 2024 at 18:10

Qeveria e Serbisë ka nisur këtë të premte procedurat për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vend, 13 vjet pasi ishte hequr.

Në një njoftim për media, Qeveria serbe tha se e ka miratuar një konkluzion, sipas të cilit, do të formohet një grup punues për “shqyrtimin e aktiviteteve dhe masave” për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ky vendim e mbështet propozimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili mori pjesë edhe në seancën e Qeverisë të premten.

Vuçiq njoftoi më 14 shtator se kishte nënshkruar marrëveshjen për kryerjen e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë. Shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm për burrat, ndërsa vullnetar për gratë, sipas Qeverisë.

Para vendimit të Qeverisë të premten, lideri serb tha se ministrat e kanë përkrahur propozimin e tij për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Kam theksuar se kjo është një gjë e madhe për Serbinë, jo vetëm për mbrojtjen e vendit, por edhe sepse do të forcojë ndjesinë e përgjegjësisë dhe seriozitetit tek të rinjtë, e cila do t’u nevojitet atyre për gjithçka që do të hasin në jetën civile”, tha Vuçiq në Instagram.

Ai shtoi se “qytetet dhe bashkitë ku ndodhen kazermat do të përfitojnë edhe nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, sepse këto zona do të rriten ekonomikisht dhe do të përparojnë e zhvillohen edhe më shpejt”.

Gjatë një vizite te Forcat e Armatosura të Serbisë, Vuçiç tha gjithashtu se kryerja e shërbimit ushtarak do të zgjasë shumë më pak se në të kaluarën.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Qeveria serbe rikthen shërbimin e detyruar ushtarak, 13 vite pasi ishte hequr appeared first on Euronews Albania.

Franca gati për qeverinë e re, ekipi do miratohet nga Macron

20 September 2024 at 17:45

Franca pritet të shpallë qeverinë e re gati dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të cilat e futën vendin në një krizë politike.

Kryeministri Mishel Barnier u takua mbrëmjen e së enjtes me presidentin Macron për ti propozuar kabinetin qeverisës me 38 anëtarë. Zyra e kryeministrit konfirmoi se një marrëveshje është arritur por që do të bëhet publike në orët në vijim.

Barnier, ish-kryenegociator i BE-së për Brexit-in, ka hasur në vështirësi për ta formuar Qeverinë e re, për shkak të dallimeve të mëdha mes partive politike.

Mediat vendase franceze raportojnë se senatori Bruno Retailleau, i Les Républicains, është emëruar ministër i brendshëm, ndërsa Jean-Noel Barrot, i Lëvizjes Demokratike i qendrës së djathtë, do të kalojë nga sekretar i shtetit për çështjet evropiane në ministër të jashtëm.

Ministri i Mbrojtjes Sébastien Lecornu thuhet se do të mbetet në post, me Antoine Armand që do të kalojë në ministrinë e financave. Të dy i përkasin partisë së Rilindjes së Macron.

The post Franca gati për qeverinë e re, ekipi do miratohet nga Macron appeared first on Euronews Albania.

Nis festivali TIFF! 220 filma premierë në Tiranë, risi inteligjenca artificiale

20 September 2024 at 17:34

Mbrëmjen e 22 shtatorit do të çel siparin Tirana International Film Festival me filmin “Porthenpe”.

Në këtë edicion të 22-të të TIFF 2024 do të shfaqen rreth rreth 220 premiera, prej të cilëve 180 janë filma me metrazh të shkurtër.

Drejtori artistik i TIFF Agron Domi ka dhënë detaje për festivalin ndërsa ka treguar dhe risitë e këtij viti.

“Fillon me programin e fëmijëve te Liceu. Vetë fëmijët do votojnë për filmin më të mirë të prodhuar me AI”,-tha Domi.

Domi tregoi dhe sfidën me të cilën është përballur arti i filmit vitet e fundit.

“Kam vënë re një rënie në përgjithësi të filmit”,-tha Domi.

Ai mes tjerash tha se këtë vit në festival, tre pjesëmarrje janë nga Shqipëria.

Tirana International Film Festival do të zhvillohet në datat 22-28 shtator, ku filmat do të paraqiten në 4 ambiente: Kinema Millenium, Qendra Art Agimi, Liceu Artistik dhe kinema Maks Velo.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Nis festivali TIFF! 220 filma premierë në Tiranë, risi inteligjenca artificiale appeared first on Euronews Albania.

Shkodra me “fytyrë të re”, fillon shembja e objekteve. Projekti nis në dhjetor

20 September 2024 at 17:18

Gjysma e dytë e shtatorit ka startuar zyrtarisht edhe procesin e prishjeve në kuadër të ndërtimit të hyrjes së re të qytetit të Shkodrës.

Fillimisht do të jenë 11 objekte të cilët nuk kanë përfituar nga leja e legalizimit dhe janë njoftuar nga kadastra për të bërë në mënyrë vullnetare çmontimin e objekteve të tyre ndërsa për 10 të tjera po pritet që të përfundohet procesi i shpronësimit për të bërë të mundur edhe prishjen e tyre.

Gjithashtu njoftohet nga bashkia e Shkodrës që do të jenë 55 objekte të komunitetit Rom dhe Egjiptian do të prishen ndërsa bashkia Shkodrës do të mundësojë që këto persona, ky komunitet, të strehohet në ambiente të tjera.

Pas përfundimit të etapës së prishjeve, me pas do të jetë pastrimi i zonës dhe fillimi i dhënies jetë të projektit të ri i cili do të ndryshojë njëherë e mirë hyrjen e qytetit të Shkodrës.

Burime pranë bashkisë së Shkodrës bëjnë me dije se do të jetë muaji dhjetor i cili do të fillojë ndërhyrjen edhe në zonën e Bahçallëkut ndërsa burime bëjnë me dije që pritet shumë shpejt të nisë dhe ndërtimi i një urë paralele që të lehtësojë kështu hyrjen e qytetit të Shkodrës.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Shkodra me “fytyrë të re”, fillon shembja e objekteve. Projekti nis në dhjetor appeared first on Euronews Albania.

Punë për mësuesit në pension, ekspertët: Preferojnë privatin, paguhen më shumë

20 September 2024 at 16:54

Rikthimi i mësueseve të dalë në pension në shërbim të institucioneve arsimore, për ekspertët e arsimit, nuk do të sjellë rezultate. Kjo pasi pensioni i tyre, do të jetë i papërfillshëm dhe ata do të gjejnë punë të tjera alternative.

 “E para mësuesit në pension thithen nga ata që quhen afterschool, e dyta mësuesit shkojnë në shkollat private, ku kanë pagesë më të mirë, gati më shumë se pensioni qesharak që u jep shteti. A mund të bëhet një pension me status special mësues, që kanë 30-45 vite në arsim”,-tha eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti.

Shifrat e personave të dalë në pension që vijojnë të punojnë kanë ardhur në rritje. Të dhënat e INSTAT, tregojnë se në vitin 2023, mbi 16% e personave mbi 65 vjeç ishin rezultojnë të punësuar. Shkalla e punësimit te personat në moshë pensioni ka ardhur në rritje gjatë dekadës së fundit, nga 8.6% më vitin 2015 në 16.3% në vitin 2023.

“Ajo që është e rëndësishme , mësuesit i kanë shteruar fuqitë, duhet të jesh dinamik, mund të ishte një mësues konsulent, për këshillimin  e karrierës. Mund ta kishin në ndihmë që janë më vështirësi në të nxënë”.

Të gjithë ata që kërkojnë të punojnë pas daljes në pension duke e shtyre këtë kohë, mund të përfitojnë 6 për qind shtesë mbi masën e përfitimit. Kjo, pasi çdo vit pune, pas pragut 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç e 8 muaj për gratë, çon në rritjen e pensionit.

Megjithatë ekspertët thonë se përshtatshmëria me metodat e reja të mësimdhënies, do të ndikojnë duke mos sjellë rezultatet e duhura.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Punë për mësuesit në pension, ekspertët: Preferojnë privatin, paguhen më shumë appeared first on Euronews Albania.

U akuzuan për trafik droge, 8 vite burg për ish-truprojën e Tahirit e 2 të tjerë

20 September 2024 at 15:49

Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar ka vendosur masën me nga 12 vite burg për Paul Deda, Leonidha Sejdiaj dhe Hamid Seferi, por me gjykim të shkurtuar ata do të vuajnë dënimin në izolim për vetëm 8 vite.

Këta persona akuzohen për trafik droge. Kujtojmë se Paul Deda (i njohur më herët edhe me emrin Agustin Deda ka qenë shoqerues, gardist, dhe bodygard i ish-ministrit te brendshëm Saimir Tahiri.

Njoftimi i Gjykatës:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë
Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes nr.36/2 të vitit 2019 (238 të
vitit 2017), me të pandehur Paul (Agustin) Deda, Leonidha Sejdiaj, Hamid Seferi,
etj…”
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim
të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Aurel Arapi, Ilir Përdeda dhe Ardit
Mustafaj, me vendimin Nr. 51, datë 20.09.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Paul (Agustin) Deda për kryerjen e veprës
penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit
të strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal
dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet
burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Paul (Agustin) Deda për kryerjen e veprës
penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit
Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
3. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për disa vepra penale,
dënimin e të pandehurit Paul (Agustin) Deda, me një dënim të vetëm prej 12
(dymbëdhjetë) vjet burgim.
4. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Paul
(Agustin) Deda i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet
burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Paul (Agustin) Deda do t’i fillojë nga dita e
ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe dënimi do të kryhet në një IEVP
te sigurisë së lartë.
6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonidha Sejdiaj për kryerjen e veprës penale
“Trafikimi i narkotikeve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të
strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe
në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet
burgim.
7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonidha Sejdiaj për kryerjen e veprës penale
“Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe
dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al
8. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për disa vepra penale,
dënimin e të pandehurit Leonidha Sejdiaj me një dënim të vetëm prej 12
(dymbëdhjetë) vjet burgim.
9. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonidha
Sejdiaj i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.
10. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Leonidha Sejdiaj do të fillojë nga dita e
arrestimit dhe do të kryhet në një IEVP të sigurisë së lartë.
11. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hamid Seferi për kryerjen e veprës penale
“Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të
strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe
në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet
burgim.
12. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hamid Seferi per kryerjen e veprës penale
“Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe
në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
13. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për vepra penale,
dënimin e të pandehurit Hamid Seferi me një dënim të vetëm prej 12
(dymbëdhjetë) vjet burgim.
14. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Hamid
Seferi i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.
15. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Hamid Seferi do të fillojë nga dita e
ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe do të kryhet në një IEVP të sigurisë
së lartë.
16. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit si dhe shpenzimet gjyqësore u
ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
17. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brënda 15 (pesëmbëdhjetë)
ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit

 

The post U akuzuan për trafik droge, 8 vite burg për ish-truprojën e Tahirit e 2 të tjerë appeared first on Euronews Albania.

BE do të mbledhë 35 mld € për Ukrainën, do përdoren asetet e ngrira të Rusisë

20 September 2024 at 15:13

Bashkimi Evropian do të mbledhë një kredi prej 35 miliardë eurosh për të mbështetur ekonominë dhe ushtrinë ukrainase, ndërsa vendi i shkatërruar nga lufta lufton për t’i rezistuar një ofensive të ripërtërirë ruse që ka dëmtuar rëndë sistemet e energjisë dhe ka bërë përparime territoriale në Lindje.

Huaja u njoftua nga Ursula von der Leyen të premten gjatë vizitës së saj në Kiev, duke premtuar “fleksibilitet maksimal” në mënyrën se si do të shpenzohen paratë.

“Rusia vazhdon të shënjestrojë infrastrukturën tuaj civile të energjisë në një mënyrë të hapur dhe të egër, në përpjekje për të zhytur vendin tuaj në errësirë”, tha presidenti i Komisionit Evropian në një konferencë për shtyp pranë Volodymyr Zelenskyy.

“Bashkimi Evropian është këtu për t’ju ndihmuar në këtë sfidë për të mbajtur dritat ndezur, për t’i mbajtur njerëzit tuaj të ngrohtë pasi dimri është afër, dhe për të mbajtur ekonominë tuaj në këmbë ndërsa luftoni për mbijetesë,” shtoi ajo.

Premtimi përfaqëson pjesën e BE-së në planin prej 50 miliardë dollarësh (45 miliardë euro) që aleatët e G7 kishin premtuar në samitin e tyre të qershorit , duke përdorur asetet e palëvizshme të Rusisë si kolateral.

Ideja fillestare ishte që BE dhe SHBA të kontribuonin secila prej 20 miliardë dollarësh, ndërsa Kanadaja, Britania e Madhe dhe Japonia do të angazhonin fondet e mbetura.

Por nisma e G7 është zhytur në bisedimet teknike midis zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së, pa zgjidhje të lehtë në horizont.

LEXONI GJITHASHTU:

The post BE do të mbledhë 35 mld € për Ukrainën, do përdoren asetet e ngrira të Rusisë appeared first on Euronews Albania.

Yesterday — 19 September 2024Main stream

Silvio Berlusconi fiton pas vdekjes një çështje gjyqësore

19 September 2024 at 13:45

Banka Qendrore Evropiane gaboi kur bllokoi ish-kryeministrin e Italisë Silvio Berlusconi nga mbajtja e 30% të aksioneve në huadhënësen Banca Mediolanum pas një dënimi për mashtrim tatimor, kështu vendosi këtë të enjte Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian.

Gjykata anuloi vendimin e BQE-së, duke thënë se ajo “nuk mund të kundërshtonte ligjërisht pronësinë e Berlusconit” pasi ligjet e BE-së në të cilat mbështetej vendimi i BQE-së nuk ishin miratuar ende nga Italia dhe nuk mund të kishin efekt prapaveprues.

Manjati i ndjerë i medias dhe kryeministri italian mund të vazhdojë aksionet e tij në një bankë italiane, pavarësisht nga një dënim për mashtrim tatimor, thanë gjyqtarët në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ).

Banka Qendrore Evropiane (BQE) “nuk mund të kundërshtonte ligjërisht pronësinë e zotit Berlusconi mbi një aksion të kualifikuar në Banca Mediolanum”, tha Gjykata, pasi ai thjesht kishte “vazhduar të zotëronte një pjesë kualifikuese të cilën e kishte fituar përpara transpozimit të dispozitave. të ligjit të BE-së në të cilin ishte mbështetur BQE.”

BQE, si mbikëqyrësi kryesor financiar i BE-së, është përgjegjëse për të siguruar që kushdo që zotëron më shumë se 10% të aksioneve të një banke ka reputacion të mirë.

Në karrierën e tij plot ngjyra , gjatë së cilës ai shërbeu si kryeministër disa herë, Berlusconi u përball me gjyqe të shumta për akuza si përkatësia mafioze, ryshfet dhe prostitucioni i të miturve – por dënimi i tij i vetëm ishte në një rast mashtrimi fiskal në vitin 2013.

Dënimi i tij me katër vjet burg e bëri atë të përjashtuar nga parlamenti, megjithëse avokatët e tij i thanë gjykatës së BE-së se ai ishte rehabilituar efektivisht më pas.

Ai vdiq në vitin 2023, por çështja u ndoq nga trashëgimtarët dhe anëtarët e familjes së tij, shumë prej të cilëve ulen në bordin e Fininvest dhe mbajnë lidhje me kompanitë e tij të tjera, si transmetuesi Mediaset.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Silvio Berlusconi fiton pas vdekjes një çështje gjyqësore appeared first on Euronews Albania.

Aleancë me BRICS? Kryediplomati turk: S’do ishim të interesuar nëse do ishim në BE

19 September 2024 at 13:15

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha të mërkurën se Ankaraja po kërkonte të diversifikonte opsionet e saj në lidhje me aleancat globale, duke ngritur ambiciet afatgjata për anëtarësimin në BE.

Mes thashethemeve se Turqia dëshiron të bashkohet me aleancën BRICS të udhëhequr nga Rusia, kryediplomati i vendit mesdhetar tha se interesi nuk do të ishte aty nëse Turqia do të ishte tashmë një vend anëtar i BE-së.

“Turqia veproi me qëllime të mira në lidhje me ambiciet e saj për anëtarësim të plotë në BE,” që nga aplikimi për t’u bashkuar me bllokun në 1987, tha Fidan, por më pas negociatat ngecën. Tani, Ankaraja po shikon opsione të tjera, të tilla si BRICS dhe Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

“Nëse integrimi ynë ekonomik me Bashkimin Evropian do të ishte kurorëzuar me anëtarësim, i cili tani është (vetëm) në nivelin e Unionit Doganor, ndoshta nuk do të ishim në një kërkim të tillë”, tha ministri i Jashtëm Hakan Fidan për Anadolu të enjten.

Duke deklaruar se “çdo vend duhet të krijojë aleanca ekonomike, të sigurisë dhe politike”, kryediplomati turk vuri në dukje ato që ai i quajti “praktikat e lashta të shtetësisë së Turqisë”, të cilat përfshijnë gjithashtu “një traditë shumë të fortë të formimit të aleancave”.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Aleancë me BRICS? Kryediplomati turk: S’do ishim të interesuar nëse do ishim në BE appeared first on Euronews Albania.

Liri Berisha në homazhet për Gerti Bogdanin: Do e kujtojmë me shumë respekt

19 September 2024 at 11:28

Bashkëshortja e ish-kryeministrit Sali Berisha ishte e pranishme në homazhet e mbajtura këtë të enjte në nder të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani i cili u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare.

Liri Berisha u shfaq e prekur para mediave ku dha një mesazh ngushëllimi fillimisht për familjarët e ish-deputetit e më pas për miqtë dhe kolegët e tij. Ajo tha se do e kujtojnë “gjithnjë me shumë dashuri me shumë respekt, me shumë mirësi”.

“Asgjë nuk ka më shumë vlerë në këto momente se sa jeta e atij që iku. Në pozicionin e nënës dua të ngushëlloj prindërit në radhë të parë dhe lutem bashkë me ta të gjejnë forcën për ta kapërcyer këtë dhimbje e këputje të rëndë.

Edlirën, para të cilës dalim sot, e presin detyra shumë të rënda e të vështira. Ngushëllime të gjithë miqve shokëve me të cilët ai bëri një rrugëtim kaq të shkurtër por të bukur. Do e kujtojmë gjithnjë me shumë dashuri me shumë respekt, me shumë mirësi”,-tha Liri Berisha.

Gerti Bogdani u nda nga jeta më 17.09.2024 në moshën 44-vjeçare pasi pësoi arrest kardiak.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Liri Berisha në homazhet për Gerti Bogdanin: Do e kujtojmë me shumë respekt appeared first on Euronews Albania.

Një 10-vjeçar japonez sulmohet për vdekje nga një burrë në Kinë

19 September 2024 at 11:15

Një nxënës japonez 10-vjeçar ka vdekur një ditë pasi u godit me thikë pranë shkollës së tij në Kinën jugore. Djali, i cili u regjistrua në shkollën japoneze të Shenzhenit, iu nënshtrua mjekimit për plagët e marra herët të enjten, thanë zyrtarët japonezë.

Sulmuesi i tij, një burrë 44-vjeçar me emrin Zhong, u arrestua në vend, tha policia lokale. Kryeministri japonez Fumio Kishida e ka quajtur sulmin “jashtëzakonisht të neveritshëm” dhe tha se Tokio i ka “kërkuar fuqishëm” Pekinit për një shpjegim “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Lin Jian tha se rasti ishte duke u hetuar dhe se Kina dhe Japonia ishin “në komunikim”.

“Kina shpreh keqardhjen dhe pikëllimin e saj që ndodhi ky lloj incidenti fatkeq,” u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi të enjten.

  1. Lin konfirmoi gjithashtu se djali ishte një shtetas japonez me një baba japonez dhe një nënë kineze.

Nuk dihet menjëherë motivi i sulmit. Por disa vëzhgues kanë shprehur shqetësimin se ndjenjat nacionaliste në Kinë mund të derdhen në dhunë në rritje kundër të huajve.

The post Një 10-vjeçar japonez sulmohet për vdekje nga një burrë në Kinë appeared first on Euronews Albania.

“Faza e re e luftës”, Izraeli zhvendos vëmendjen nga Libani dhe Hezbollahu

19 September 2024 at 10:53

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e ka shpallur nisjen e një “faze të re” të luftës, teksa Izraeli ka zhvendosur vëmendjen drejt frontit verior kundër Hezbollahut, grupit në Liban të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Dy valë shpërthimesh goditën Sirinë dhe Libanin: sulme që duket se janë kryer nga Izraeli dhe që kanë shënjestruar pejxherët e përdorur nga Hezbollahu. Nga shpërthimet, të martën u vranë të paktën 12 persona dhe u plagosën pothuajse 3.000 të tjerë. Ndërkaq, të mërkurën në mbarë Libanin pati shpërthime të radiolidhjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike, që lanë të vrarë të paktën 20 persona, dhe plagosën 450 të tjerë.

“Ne jemi në nisje të fazës së re të luftës. Kjo kërkon kurajë, vendosmëri dhe këmbëngulje”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, teksa u takua me ushtarë izraelitë.

Kreu i Këshillit ekzekutiv të Hezbollahut premtoi se grupi libanez do të përgjigjet ndaj shpërthimeve të pejxherëve përmes një “ndëshkimi të posaçëm”.

Hezbollahu kishte nisur sulmet ndaj Izraelit pothuajse menjëherë pasi sulmi i 7 tetorit i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – nxiti luftën me Izraelin. Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr përditë, duke rritur rrezikun për shpërthimin e një lufte në shkallë të plotë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se më shumë se 41.000 palestinezë janë vrarë që kur nisi lufta në Gazë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve të Hamasit dhe civilëve të vrarë, por ka thënë se më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Faza e re e luftës”, Izraeli zhvendos vëmendjen nga Libani dhe Hezbollahu appeared first on Euronews Albania.

Rama nga Brukseli: Gati të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar anëtarësimin në BE

19 September 2024 at 09:48

Kryeministri Edi Rama është këtë të enjte në Bruksel. Ai mbajti fjalën e tij në një konferencë të përbashkët me presidentin Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke.

Rama tha se krijimi i komunitetit të përbashkët konsultativ është provë e angazhimit të Shqipërisë për të përshpejtuar me hapat e integrimit në Bashkimin Europian.

“Është tejet inkurajuese dhe na sjell shumë energji të reja, fakti që kemi mundësi të finalizojmë procedurën e krijimit të komunitetit të përbashkët konsultativ. Provë kjo jo vetëm e angazhimit tonë, por edhe e besimit të fortë që ne kemi që procesi i integrimit në BE nuk i përket vetëm qeverisë, por i përket të gjithë shqiptarëve. Në këtë aspekt jam i emocionuar për mbështetjen që na ka dhënë presidenti Rothke. Kjo sepse ne kështu mund ti tregojmë qytetarëve dhe gjithë aktorëve në vendin tonë, nëpërmjet institucioneve në BE, që rruga drejt anëtarësimit në BE është një rrugë ku duhet e gjithë shoqëria dhe jo vetëm disa aktorë në vend. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE”,-tha Rama.

Kryeministri Rama ndodhet në Bruksel pasi pritet të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në  tryezë janë thirrur 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në fokus të diskutimeve do të jenë “axhendat e reformave dhe rritjes”.

Përmes Planit të Rritjes, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e rajonit në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të buta. Shqipëria pritet të përfitojë nga ky fond afro1 mld euro, ndërsa Kosova 880 mln euro.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama nga Brukseli: Gati të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar anëtarësimin në BE appeared first on Euronews Albania.

VIDEO| Artisti përdor 15,000 arusha në përkujtim të fëmijëve të vrarë në Gaza

19 September 2024 at 09:19

Artisti sirian Basher Mohamad, ka krijuar një ekspozitë të veçantë në kujtim të fëmijëve të vrarë në Gaza.

Ai ka vendosur 15.000 arusha në galerinë Barhat Mashayred në Doha të Katarit, ku çdonjëri prej tyre simbolizon një fëmijë palestinez të vrarë gjatë sulmeve izraelite.

Ekspozita e titulluar “unë nuk jam veç një numër” synon ndërgjegjësimin lidhur me vrasjen e fëmijëve të pafajshëm nga këto sulme.

Kujtojmë se sulmet izraelite në rripin e Gazës kanë nisur ps 7 tetorit 2023, ku grupi i Hamasit sulmoi dhe rrëmbeu me qindra izraelitë. Nga ajo kohë Izraeli u kundërpërgjigj me sulme dhe pushtim, të cilat deri tani kanë sjellë të paktën 41272 të vdekur, ku mes tyre 15.000 janë fëmijë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post VIDEO| Artisti përdor 15,000 arusha në përkujtim të fëmijëve të vrarë në Gaza appeared first on Euronews Albania.

Digjet banesa në Has, humbin jetën nënë e bir

19 September 2024 at 08:32

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Has në fshatin Nikoliq, ku një banesë është përfshirë nga flakë, e për pasojë kanë humbur jetën një grua dhe djali i saj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:00 të mëngjesit, ndërsa ende nuk dihet shkaku i zjarrit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit R. L.

Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi R. L. dhe nëna e tij, shtetasja F. L., ndërsa bashkëshortja e shtetasit R. L., shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa.

Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorit, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Digjet banesa në Has, humbin jetën nënë e bir appeared first on Euronews Albania.

Rusia zgjeron sistemin e pagesës me fytyrë, ndonëse rreziqet janë të mëdha

19 September 2024 at 07:59

Rusia ka filluar ta zgjerojë sistemin e pagesës me fytyrë, pra përmes njohjes së fytyrës, në stacione të metrove në gjashtë qytete jashtë Moskës, megjithëse aktivistët kanë paralajmëruar për rreziqet që bart një vendim i tillë për të drejtat e njeriut.

Kazani, një qytet në rajonin e lumit Vogla të Tatarstanit, dhe një stacion metroje në Nozhni Novgorod, një tjetër qytet i madh në Vogla, kanë filluar ta përdorin këtë sistem në gusht, i cili njihet si “Face Pay”, sipas mediave ruse dhe raportimeve qeveritare.

Qendra e Teknologjive Biometrike (QKB), kompania shtetërore që mbikëqyr projektin e pagesave biometrike, pretendon se të gjitha sistemet e metrosë në Rusi, do ta përdorin këtë teknologji deri në vitin 2025.

“Për çdo udhëtar, procesi do të jetë plotësisht pa pengesa”, Tatar-Inform.ru e citoi drejtorin e përgjithshëm të QKB-së, Vladislav Povolotsky, duke thënë për udhëtarët e metrosë së Kazanit. “Udhëtarët mund të udhëtojnë ndërmjet qyteteve të vendit tonë të madh duke e përdorur këtë shërbim”.

Duke cituar dokumentet e QKB-së, e përditshmja Kommersant raportoi në janar se Jekaterinburgu dhe Samara do ta instalojnë sistemin e pagesës me fytyrë në vitin 2024. Shën Petersburgu dhe Novosibirsk do ta kenë këtë sistem deri në fund të vitit 2025.

Zyrtarët rusë pretendojnë se sistemi i pagesës me fytyrë ofron siguri dhe rehati të pakrahasueshme, pasi për të funksionuar mbështetet vetëm te fytyra e udhëtarit. Por, për kritikët, pikërisht ky është problemi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rusia zgjeron sistemin e pagesës me fytyrë, ndonëse rreziqet janë të mëdha appeared first on Euronews Albania.

❌
❌