Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Mbi 9 mijë vajza në Kosovë janë vaksinuar kundër kancerit të qafës së mitrës

16 September 2024 at 16:55

Mbi 9 mijë vajza kosovare kanë marrë vaksinën Human Papilloma Virusit (HPV), i cili i mbron ato prej kancerit të qafës së mitrës.

“Kryesisht të moshës 9-14 vjeçe, dhe të ndonjë moshe më të madhe, në rastet me indikacione familjare për kancer të qafës së mitrës” – tha Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), i pyetur për moshën e të vaksinuarave.

Kjo vaksinë i është shtuar kalendarit të rregullt të vaksinimit tash e një vit. Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar më 22.02.2024 se ka siguruar mbi 15 mijë doza të kësaj vaksine.

Në turnin e parë të vaksinimit, vaksinat HPV janë dhënë për vajzat e moshës prej 9 deri në 14 vjeç, me fokus vajzat e klasës së gjashtë, por tani e tutje mund ta marrin vajzat e gratë deri në 21-vjeç.

“Ndërsa tani, me rekomandim të Komitetit Këshillues Profesional për Imunizim është zgjeruar grupmosha e vajzave që do të vaksinohen, duke mundësuar që vaksinën ta marrin vajzat/gratë deri në moshën 21 vjeçe” – tha Instituti për KALLXO.

Përveç se në shkolla, vaksina mund të merret falas edhe në njësitë e vaksinimit të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.

IKShPK tha se ekipet e vaksinimit kanë vizituar të gjitha klasat e gjashta të shkollave fillore në nivel vendi, ndërsa në disa komuna vaksinimi është bërë nëpër QKMF, që siç thotë Instituti, është një praktikë e zbatuar prej komunave përkatëse edhe për vaksinat e tjera.

“Pas sezonit/turnit të parë (shkurt-qershor 2024), vaksinimi kundër HPV vazhdon tash me sezonin apo semestrin e ri shkollor” – tha Instituti.

Çka është vaksina HPV?

Vaksina HPV mund të parandalojë më shumë se 90 për qind të kancereve të ndërlidhura me Human Papilloma Virusin, thotë IKShPK.

“Është vaksinë jashtëzakonisht efikase, e sigurt dhe dëshmitë shkencore tregojnë se është një nga vaksinat me më së paku efekte të padëshiruara anësore” – thotë Instituti.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), HPV është infeksion seksualisht i transmetueshëm, i cili prek pothuajse të gjithë njerëzit seksualisht aktivë në një moment të jetës së tyre. Por, kjo ndodh zakonisht pa simptoma.

Për HPV-në aktualisht nuk ka asnjë trajtim dhe OBSh thotë se vaksina nuk përdoret për të trajtuar infeksionet HPV ose sëmundjet e shkaktuara nga HPV, por për të parandaluar zhvillimin e kancerit.

“Sistemi imunitar zakonisht pastron HPV-në nga trupi brenda një ose dy viti pa efekte të qëndrueshme. Disa infeksione HPV shkaktojnë gunga të vogla të vrazhda (lytha gjenitale) që mund të shfaqen në vaginë, penis ose anus dhe rrallë në fyt” – thotë OBSh.

Por, në rastet kur infeksioni nuk largohet vetvetiu, ai mund të shkaktojë ndryshime në qelizat e qafës së mitrës, të cilat çojnë në parakancer që mund të shndërrohen në kancer të qafës së mitrës nëse nuk trajtohen. Sipas OBSh-së, zakonisht duhen 15-20 vjet që kanceri i qafës së mitrës të zhvillohet pas infeksionit HPV.

Kanceri i qafës së mitrës është lloji më i zakonshëm i kancerit të shkaktuar nga HPV, e kancere të tjera më pak të zakonshme që prekin burrat dhe gratë, përfshijnë kancerin anal, vulvar, vaginal, kancerin në gojë/fyt dhe në penis.

Sipas statistikave, në vitin 2019, HPV shkaktoi rreth 620 mijë raste kanceri te femrat dhe 70 mijë raste kanceri te meshkujt.

The post Mbi 9 mijë vajza në Kosovë janë vaksinuar kundër kancerit të qafës së mitrës appeared first on Telegrafi.

❌
❌