Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 September 2024Main stream

Rriten çmimet e perimeve në tregun e Mitrovicës, qytetarët thonë se kjo është e papërballueshme

18 September 2024 at 09:18

Në përgjithësi çmimet tashmë e një kohë kanë shënuar rritje dhe kjo është shumë shqetësuese për qytetarët, e çmimet e produkteve ushqimore janë ndër ato që janë rritur më së shumti.

Në tregun e Mitrovicës, këto çmime sipas qytetarëve, janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe se sipas tyre, janë vështirë të përballueshme për standardin e tyre të jetesës, shkruan Telegrafi.

Një tregtar në tregun e Mitrovicës që donte të mbetej anonim për Telegrafin ka thënë se çmimet e produkteve, më saktësisht perimeve, nuk kanë ndryshuar fare në krahasim me vitin e kaluar.

Tregtari ka thënë se ka mjaft interesim nga qytetarët për blerje të këtyre perimeve, derisa tregon edhe çmimet e tyre.

“Një thes i vogël i specave i ka tre kilogramë dhe kushton katër euro, ndërsa thesi i madh i ka dhjetë kilogramë dhe kushton 18 euro. Çmimi i patateve nuk ka ndryshuar, ka mbetur pesë euro, thesi është 11 kilogramë. Trangujt vjet janë shitur pesë – shtatë euro, tash nëntë euro. Karotat kanë të njëjtin çmim, pesë kilogramë kushtojnë katër euro. Edhe lakrat kanë të njëjtin çmim, kushtojnë 80 cent”, ka treguar tregtari.

Pamje nga tregu në Mitrovicë /Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Por, tregtari me inicialet L.S. për Telegrafin ka thënë se çmimet e perimeve janë rritur edhe për shkak se temperaturat e larta gjatë verës kanë shkaktuar shumë dëme, por siç tha ai, ka edhe transport të tyre jashtë vendit.

“E kur ka mungesë të tyre normalisht që rritet çmimi sepse ka kërkesë më të madhe”, ka thënë tregtari me inicialet L.S.

Ai është shprehur se gjatë kohës së fundit po kanë shumë shitje, derisa ka theksuar se këto çmime nuk janë “edhe shumë të larta”.

Pamje nga tregu në Mitrovicë/Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Tregtari tjetër, Muharrem Syla, për Telegrafin ka thënë se çmimet e perimeve janë rritur për 30 për qind.

“Të gjitha çmimet e të gjitha perimeve këtë vit janë 30 për qind më të larta se vitin e kaluar. Shkaktar kryesor mund të jenë kushtet atmosferike, ka ndikuar nxehtësia e madhe, tash kohën e fundit ka pasur reshjet”, ka thënë Syla.

Syla ka thënë se edhe interesimi nga ana e qytetarëve tashmë është më i vogël krahasuar me vitet tjera, derisa është shprehur se edhe kualiteti i perimeve këtë vit është më i dobët.

“Këtë vit kualiteti i perimeve është më i dobët se sa në vitet paraprake”, ka theksuar tregtari në tregun e Mitrovicës.

Një qytetar që donte të mbetej për Telegrafin ka thënë se për të si një pensionist këto çmime janë të larta.

Qytetari është shprehur se perimet kanë kualitet. “Ka kualitet, nuk ka dallim me vitet tjera, janë cilësore”, ka thënë qytetari.

Një qytetare në kushte anonimiteti për Telegrafin ka thënë se çmimet e perimeve janë rritur dhe siç është shprehur ajo, ato rriten për çdo javë, transmeton Telegrafi.

Për të, këto çmime nuk janë fare të përballueshme.

“Këto çmime për ne nuk janë aspak të përballueshme, absolutisht jo. Bazuar në standardet tona këto çmime janë jashtëzakonisht të larta”, është shprehur ajo.

Qytetarja tjetër, Ariana Tahiri, për Telegrafin ka thënë se çmimet e perimeve këtë vit janë shumë të larta.

“Këtë vit çmimet janë tejet e larta”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se produktet janë cilësore por kanë çmime të larta.

Ajo është shprehur se si një pensioniste që është këto çmime për të janë të papërballueshme. /Telegrafi/

The post Rriten çmimet e perimeve në tregun e Mitrovicës, qytetarët thonë se kjo është e papërballueshme appeared first on Telegrafi.

Takim mes Bislimit dhe zyrtarit të NATO-s, bisedojnë për urën në Mitrovicë

By: user 11
18 September 2024 at 08:18

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, i tha kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, se vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merret “përmes dialogut dhe në bashkërendim” me bashkësinë ndërkombëtare, njoftoi NATO-ja të martën vonë.

NATO-ja njoftoi në uebsajtin e vet se Goffus, së bashku me komandantin për operacione civile të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Tomat, pati takime të ndara me Bislimin dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në margjinat e rundit të ri të bisedimeve mes dy vendeve të martën në Bruksel.

“Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione bisedoi për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe shpalosi shqetësimet e sigurisë në rast të hapjes së mundshme për trafik të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e NATO-s. Goffus theksoi nevojën për një “zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Ai nënvizoi se vendimet duhet të merren përmes dialogut dhe në kohë të duhur e në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe në një mënyrë që nuk e vë në rrezik komunitetin lokal apo trupat e NATO-s”, thuhet në njoftim. Ai tha se KFOR-i ka prani mbi urë dhe po vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përrreth.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Hapja e urës – e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe – u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe nga vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, të cilët thanë se ajo nuk duhet të hapet “në këtë kohë”. Serbët lokalë protestuan kundër hapjes së urës gjithashtu.

Prej atëherë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës.

Goffus ishte për një vizitë në Prishtinë në fund të gushtit, ku u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe tha se shtimi i trupave të KFOR-it nuk ishte zgjidhja.

Ndërkohë, Bislimi dhe Petkoviq zhvilluan nga dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me të martën në Bruksel.

Ata e akuzuan njëri-tjetrit për dështimin e takimit trepalësh. Bislimi tha se Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Por, Petkoviq e akuzoi Bislimin se nuk pranoi takim trepalësh për shkak të insistimit të palës serbe në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Bislimi tha pas takimit se me Lajçakun kishte biseduar edhe për çështjen e urës, por nuk përmendi se kishte takim edhe me zyrtarin e lartë të NATO-s.

Ai tha se u pajtua me Lajçakun që Kosova dhe Brukseli të diskutojnë në të ardhmen edhe për mënyrën se si të veprohet me hapjen e urës mbi lumin Ibër, pa dhënë më shumë hollësi./ REL

The post Takim mes Bislimit dhe zyrtarit të NATO-s, bisedojnë për urën në Mitrovicë appeared first on Lapsi.al.

Before yesterdayMain stream

Bashkim Kurti zgjedhet sërish kryeshef i KRU “Mitrovica”

16 September 2024 at 16:32

Bashkim Kurti është zgjedhur sërish kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Këtë e ka konfirmuar vetë Kurti, shkruan Telegrafi.

“Po, është e vërtetë. Jam zgjedhur sërish kryeshef i KRU “Mitrovica””, ka thënë ai për Telegrafin.

Kurti kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë disa muaj më parë sepse ishte duke e udhëhequr ndërmarrjen publike “Trepça”.

Ndryshe, konkursi për kryeshef ekzekutiv të KRU “Mitrovica” ishte përsëritur, derisa në këtë garë kishte edhe kandidatë të tjerë. /Telegrafi/

The post Bashkim Kurti zgjedhet sërish kryeshef i KRU “Mitrovica” appeared first on Telegrafi.

❌
❌