Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Konfirmohet “braktisja” në verë, turistët nga Kosova ranë me 16% në korrik

By: user 11
17 September 2024 at 07:44

Hyrjet e shqiptarëve të Kosovës ranë me 16% në korrik 2024 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave lidhur me vendet e origjinës nga kanë ardhur shtetasit që kanë hyrë në vendin tonë, konfirmojnë atë që më herët pohuan edhe tur-operatorë: në bregdetin shqiptar pushuan më pak shqiptarë të Kosovës.

Në muajin e 7-të të vitit hynë në total 710 mijë shtetas nga Kosova teksa një vit më parë ishin mbi 847 mijë. Kjo është hera e parë që nga pandemia që ky grup shënon rënie teksa ka mbajtur çdo vit peshën kryesore të turizmit duke mbetur në nivelet mbi 40 për qind të totalit të hyrjeve. Deri në qershor në fakt shifrat tregojnë për një ecuri pozitive të hyrjes së turistëve nga Kosova ku në qershor 2024 ishin 15 për qind më shumë se qershori i një viti më parë.

Rënia e numrit të vizitorëve nga Kosova u paralajmërua që në fillim të vitit si efekt i liberalizimit të vizave që nisi nga janari. Turoperatorët e Kosovës pohuan se kishte një numër në rritje të shtetasve që Kosovës që po preferonin destinacione të reja si Greqia apo Kroacia përmes rritjes së frekuencës së autobusëve që i çonin ata në destinacion, teksa edhe udhëtimet nga Tirana për destinacone me linja low cost panë rritje.

Shifrat e raportuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës treguan për një rritje të shtetasve nga Kosova që zgjodhën për të fluturuar nga ky aeroport. Liberalizimi i vizave pakësoi jo vetëm udhëtimet e fundjavave drejt Shqipërisë, por mesa duket edhe pushimet e verës.

Tur-operatorët do të vlerësonin se tashmë jemi përpara faktit se epoka e turizmit patriotik ka përfunduar dhe tërheqja e turistëve nga Kosova do të duhet të bëhet në një raport të drejtë me shërbim dhe oferta konkurruese në raport me tregjet potencialë ku këta të fundit mund të shkojnë.

Një tjetër shkak që duket se ndikoi tek prania e më pak shqiptarëve të Kosovës në vend ishin edhe çmimet e rritura këtë vit. Nga Velipoja deri në Ksamil, vendi pati rritje të çmimeve nga vlerat minimale deri në gati 2-fishim dhe edhe pse Shqipëria ofroi sërish alternativa për të gjithë duket se paniku që u krijua në rrjete sociale sidomos në qershor dhe fillim korrik “trembën” turizmin patriotik.

Pushuesit nga Kosova u qëndruan kryesisht në Velipojë dhe Shëngjin ku çmimet ishin më ekonomike teksa në Golem kishte më pak pushues e po kështu edhe në Jug. Krahas rritjes direkte së çmimeve, rënia e Euros është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht në turizmin e Kosovës. Nëse disa vite më parë për 100 euro, turistët merrnin 120-125 lekë, tashmë ata marrin më pak sesa 100 lekë./Monitor

The post Konfirmohet “braktisja” në verë, turistët nga Kosova ranë me 16% në korrik appeared first on Lapsi.al.

Çfarë po ndodh me popullsinë në Shqipëri? OKB: Ka rënien më të madhe të lindshmërisë në rang global deri më 2054

By: V K
13 September 2024 at 07:53

Emigracioni i lartë dhe plakja e popullsisë, do të çojnë popullsinë e Shqipërisë në rënie pa kthim në të gjithë skenarët.

Kombet e Bashkuara në projeksionet e reja “Rishikimi i Perspektivës së Popullsisë Botërore 2024”, e renditën Shqipërinë si vendin me rënien më të fortë të normave të lindshmërisë (fertilitetit) për grua me rreth 15% deri në vitin 2054 në rang global.

Pas Shqipërisë, vendet që do të kenë rënie të lartë të lindshmërisë do të jenë Armenia, Moldavia, Mali i Zi etj.

OKB vëren se niveli i fertilitetit, ose numri mesatar i lindjeve të gjalla për grua gjatë gjithë jetës, ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit në shumë vende.

Aktualisht, shkalla globale e lindshmërisë është 2.25 lindje të gjalla për grua, një fëmijë më pak se një brez më parë.

Në Shqipëri aktualisht, niveli i lindshmërinë për grua është më pak se 1.2 fëmijë, shumë poshtë shkallës së zëvendësimit.

Në shumicën e shoqërive, fëmijët dhe të moshuarit konsumojnë mesatarisht më shumë sesa prodhojnë.

OKB këshillon se pothuajse në të gjitha vendet dhe zonat me popullsi që tashmë kanë arritur kulmin në madhësi të popullsisë, dritarja e mundësive për rritjen e përshpejtuar ekonomike të lidhur me një popullsi rinore është mbyllur.

Megjithatë, edhe në vendet ku pjesa e popullsisë në moshë pune (midis 20 dhe 64-vjeç) po zvogëlohet, ka mënyra për të nxitur rritjen ekonomike.

Një nga strategjitë që rekomandon OKB, është që vendet me rënie të popullsisë duhet të bëhen gjithëpërfshirës, duke futur në tregun formal të punës grupe që tradicionalisht janë përjashtuar, si gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Një qasje tjetër që rekomandohet është rritja e produktivitetit të punonjësve, duke investuar në formimin e kapitalit njerëzor dhe trajnimin e vazhdueshëm, duke përdorur teknologjisë, duke përfshirë robotikën, automatizimin dhe inteligjencën artificiale (AI).

Imigrimi (prurjet e emigrantëve) mund të ndihmojë gjithashtu, në zbutjen e mungesës së fuqisë punëtore të lidhur me plakjen e popullsisë, të paktën në afat të shkurtër.

Migrimi ndërkombëtar nuk mund të kompensojë rënien e popullsisë ose plakjen e popullsisë në terma afatgjatë, por nuk duhet parë si një “zgjidhje” për atë që në fund të fundit është një proces universal dhe i pakthyeshëm: tranzicioni demografik.

Në vendet ku nivelet e lindshmërisë janë tashmë nën zëvendësimin, emigrimi i njerëzve në moshën riprodhuese mund të kontribuojë në rënien e mëtejshme të popullsisë.

Në 62 për qind të vendeve dhe zonave të grupit që tashmë përjetojnë nivele të ulëta të lindshmërisë, emigracioni ka të ngjarë të kontribuojë në zvogëlimin e mëtejshëm të numrit të popullsisë nga tani deri në vitin 2054. Në këtë grup vendesh bën pjesë edhe Shqipëria.

Më herët, OKB, në projeksionet e reja për ecurinë e popullsisë së botës deri më 2054, referon se Shqipëria renditet në mesin e vendeve me rënien më të madhe të popullsisë ndërmjet 2024-2054 në rang global.

Raporti referon se grupi i vendeve ku përfshihet Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Lituania, Porto Riko dhe Moldavia do të përballet me një rënie të popullsisë në nivelet 14% në 30 vitet e ardhshme. Këto vende do të kenë normat më të larta globale të rënies së popullsisë./Monitor

The post Çfarë po ndodh me popullsinë në Shqipëri? OKB: Ka rënien më të madhe të lindshmërisë në rang global deri më 2054 appeared first on Albeu.com.

❌
❌