Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 October 2024Faktoje

Burgu i Guantanamo Bay nuk u zgjerua pas presidencës së Trump

7 October 2024 at 15:50

Pretendimi: Këto imazhe tregojnë burgun e Guantanamo Bay përpara presidencës së Donald Trump dhe pas.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Ndërsa afrojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024 në ShBA, në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendon se tregon burgun famëkeq në Guantanamo Bay (GTMO), dhe se si është zgjeruar ai pas presidencës së Donald Trump.

Me anë të aplikacionit Google Earth, Faktoje gjeti imazhet satelitore nga burgu në fjalë, në gjirin Guantanamo në Kubë.

Pamje satelitore të GTMO në 2023

Aplikacioni Google Earth Pro na jep mundësinë të shohim pamje satelitore nga vite të mëparshme. Me anë të këtij opsioni përpiqemi të verfikojmë nëse burgu është zgjeruar vërtet gjatë presidencës së Trump, nga viti 2016 në vitin 2020.

Vëmë re se foto e parë, e etiketuar “para Trump” përkon me pamjet satelitore nga viti 2003, shumë përpara mandatit të Trump dhe vetëm një vit pas themelimit të burgut GTMO nga presidenti i atëhershëm George W. Bush në janar 2002.

GTMO, 2003

Ndërkohë, pamjet nga viti 2010, tetë vite pas themelimit të GTMO dhe 6 vite përpara se Trump të merrte presidencën, përkojnë me imazhin e etiketuar “Trump”. Kujtojmë se në 2010, ishte Barack Obama në detyrën e presidentit të ShBA.

GTMO, 2010

Për më tepër, nëse krahasojmë pamjet nga 2010, me pamjet nga 2019, shohim se ndryshimet mes të dyjave, megjithë presidencën e Trump në mes, janë minimale.

The post Burgu i Guantanamo Bay nuk u zgjerua pas presidencës së Trump appeared first on Faktoje.al.

Vaji i kanabisit lehtëson dhimbjet, por nuk i kuron tumoret

7 October 2024 at 15:48

Pretendimi: Kombinimi i vajit të kanabisit dhe atij të kokosit trajton kancerin

Verdikti: E pavërtetë

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se kombinimi i vajit të kanabisit dhe atij të kokosit prodhon një trajtim që vret qelizat e kancerit.

Mrekullitë për shërimin nga kanceri: Kanabisi dhe vaji i kokosit bëjnë përzierje të fuqishme për të vrarë qelizat e kancerit. Thuaj jo kimioterapisë dhe rrezatimit”-këshillohet në postimin e një përdoruesit të Facebook.

Postimi i ndarë në rrjetet sociale

Ne bëmë një verifikim të këtyre pretendimeve që mund të vënë në rrezik jetën e pacientëve që këshillohen pa ndonjë provë të besueshme që të ndërpresin trajtimin mjekësor. Deri më sot nuk ka asnjë studim të mirëfilltë që të provojë se vaji i kanabis, apo një përzierja e tij me vajin e kokosit, mund të kurojë kancerin.

Ajo që mund të keqkuptohet është ndoshta fakti I njohur se pacientëve të prekur nga kanceri u këshillohet vaji i kanabisit për të lehtësuar dhimbjet nga sëmundja. Kjo është edhe arsyeja që disa vende, mes të cilëve edhe Shqipëria, kanë lejuar së fundmi kultivimin për përdorim mjekësor të kanabisit.

Disa nga efektet pozitive të njohura të këtij trajtimi me vaj kanabisi janë: Mund të lehtësojë dhimbjet; Mund të zvogëlojë simptomat që lidhen me disa çrregullime të shëndetit mendor; Mund të ndihmojë në reduktimin e disa simptomave të lidhura me kancerin dhe efekteve anësore që lidhen me trajtimin e kancerit, të tilla si të vjellat dhe dhimbjet;

Gjithashtu, përdorimi i tij ka edhe efekte anësore si diarre, ndryshime në oreks e peshë dhe ndjesi lodhjeje te disa njerëz. Efekte të tjera anësore, duke përfshirë rezultate të pazakonta në testet e funksionit të mëlçisë, gjendje gjumi dhe pneumoni, janë raportuar në kërkimin për epilepsinë tek fëmijët.  Mirëpo, tani për tani nuk ka asnjë provë që vaji i kanabisit mund të kurojë kancerin.

Kanceri nuk është një sëmundje, por qindra sëmundje të ndryshme që evoluojnë me kalimin e kohës. Për më tepër, çdo lloj tumori kërkon trajtime specifike dhe të ndryshme në varësi të karakteristikave të vetë tumorit dhe të pacientit.

Sipas të dhënave, ekzistojnë të paktën 200 lloje të ndryshme kanceri, të klasifikuara nga pikëpamja klinike sipas kritereve të ndryshme: sipas organit të origjinës (kanceri i gjirit, mushkërive, zorrës së trashë etj.) ose llojit të qelizave nga të cilat ata rrjedhin

Qelizat e kancerit evoluojnë me kalimin e kohës dhe ndonjëherë bëhen rezistente ndaj terapive, që fillimisht mund të kenë qenë efektive. Prandaj, kanceri është një grup sëmundjesh komplekse dhe në zhvillim, të cilat vështirë se do të lejojnë gjetjen e një kure të vetme përfundimtare për të gjithë.

Miliarda paund janë mbledhur, investuar dhe shpenzuar në kërkimet për kancerin gjatë dekadave, por ende nuk ka një kurë për të.

Faktoje ka verifikuar një sërë informacionesh që kanë qarkulluar online, ku sugjerohen kura për trajtimin e kancerit.

The post Vaji i kanabisit lehtëson dhimbjet, por nuk i kuron tumoret appeared first on Faktoje.al.

I manipuluar parashikimi i “The Simpson” për fundin e Izraelit në 2024

7 October 2024 at 15:25

Pretendimi: Seriali “The Simpson” parashikoi fundin e Izraelit në vitin 2024

Verdikti: E pavërtetë

Serialit vizatimor amerikan “The Simpsons” i ngarkohen aftësi parashikuese për çdo ngjarje të rëndësishme në botë. Një prej këtyre parashikimeve është dhe ai i fundit të Izraelit, të publikuar pas nisjes së raketave nga Irani.

Foto që ka qarkulluar në rrjete sociale, shfaq Homer Simpson, personazhin e njohur të “The Simpsons”, duke ngritur një dolli përpara një varri. Në pllakatën e varrit shfaqet i gdhendur flamuri i Izraelit me datat 1948-2024.

Postimi u komentua nga përdoruesit me fraza si “ndoshta The Simpsons kanë qëlluar në shenjë sërish”.

Megjithatë, ky imazh është krijuar digjitalisht dhe përhap një lajm të rremë. Antonia Coffman, konsulente ekzekutive e “The Simpsons”, deklaroi për kolegët tanë verifikues italianë të Facta.it se ky është një imazh i manipuluar dhe se Homer nuk është shfaqur kurrë në këtë pamje në asnjë episod të serisë.

Imazhi u shpërnda fillimisht më 7 shtator në X nga një profil kritik ndaj politikave të shtetit izraelit. Po ashtu, në etiketën e shishes që mban Homer, shkruhet “Meter”, një referencë që shfaqet gjithashtu në imazhe të tjera të rreme nga kjo llogari.

E njëjta skenë është përdorur në meme të tjera që nga maji 2024, por në atë rast, varri kishte emrin e presidentit francez Emmanuel Macron. Në të dyja rastet, imazhet janë të rreme.

The post I manipuluar parashikimi i “The Simpson” për fundin e Izraelit në 2024 appeared first on Faktoje.al.

E keqintepretuar video e vrapimit të Netanyahut pas raketave të Iranit 

7 October 2024 at 14:08

Pretendimi: Netanyahu vrapon për t’u fshehur në bunker pas sulmit të Iranit

Verdikti: E pavërtetë

Një video e publikuar online, në të cilën shfaqet kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duke vrapuar, pretendon se tregon momentin kur ai fshihet në bunker. Video publikohet një ditë pas sulmit të 1 tetorit me rreth 180 raketa të Iranit ndaj Izraelit.

Verifikimet e mëtejshme, provojnë se videoja tregon Netanyahun në parlamentin izraelit në vitin 2021, jo duke u larguar për në një bunker pas sulmeve me raketat nga Irani.

Ishte vetë Netanyahu që e publikoi videon në platformën X më 13 dhjetor 2021, me një përshkrim që thoshte: “Jam gjithmonë krenar të vrapoj për ju.”

Raportet mediatike në atë kohë theksuan se Netanyahu po nxitonte të votonte për një ligj që kaloi me një votë diferencë në parlamentin izraelit.

The post E keqintepretuar video e vrapimit të Netanyahut pas raketave të Iranit  appeared first on Faktoje.al.

Drama e universiteteve publike

7 October 2024 at 13:48

Sistemi universitar në Shqipëri, vijon të përjetojë dramën e tkurrjes progresive të numrit të studentëve. Në tetë vitet e fundit (2016-2023), sipas të dhënave zyrtare, në auditore, rezultojnë 24.416 të rinj, më pak, një rënie me gati -17 përqind. Tkurrja e studentëve ka prekur vetëm sistemin publik, ndërkohë që ai privat, ka njohur rritje thuajse të qëndrueshme në vitet e fundit. Për Rektorin e Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, kjo situatë reflekton një seri faktorësh, që nga “ulja e numrit të nxënësve në shkollat e mesme, të një rënie të interesit për arsimin e lartë e po ashtu dhe me lëvizjet e të rinjve jashtë vendit”, thotë ai për Faktoje. Por Migen Qeraxhi, i Qëndresës qytetare është i mendimit se performanca e sistemit universitar publik, ka qenë në përkeqësim.

Situata

Në vitin akademik 2023-24, në universitetet publike në të gjithë vendin ishin të regjistruar pak më shumë se 86 mijë studentë, një rënie me më shumë se 32 mijë të rinj, ose gati 27 përqind më pak se në vitin 2016.

Në të njëjtën kohë, arsimi i lartë privat ka shënuar një rritje të dukshme. Nga viti 2016 deri në vitin akademik 2023-24, numri i studentëve të regjistruar në këtë sektor është rritur me 7.873, duke e çuar numrin total të regjistrimeve në 32.387 studentë.

Burimi-INSTAT

Universiteti i Tiranës ka përjetuar rënien më të madhe. Gjatë vitit të fundit akademik, në fakultetet e tij pati 17.755 studentë, mbi 10 mijë më pak se në 2016, ose një rënie prej 37 përqind.

Akoma dhe më e fortë, rënia në Universitetin Bujqësor, i cili vitin e fundit pati pak më shumë se 6 mijë studentë nga afro 11 mijë që numëronte 8 vjet më parë. Janë mbi 4 mijë studentë më pak, ose një tkurrje prej 40.4 përqind. Universiteti i Mjekësisë [U1] gjithashtu ka pësuar një rënie prej 807 studentësh, ose 10.8%. Në të kundërt, Universiteti Politeknik ka treguar stabilitet, sikundër dhe ai i Arteve. Ndërsa Universiteti i Sporteve ka shënuar rritje, vit pas viti.

Burimi: INSTAT

Universitetet e rretheve po ashtu kanë përjetuar të njejtën tendencë, me rënie nga 40-52 përqind, me përjashtim të Aleksandër Moisiut në Durrës, i cili ka ruajtur qëndrueshmëri, duke qenë thuajse në të njëjtat kuota, përveç vitit të fundit, kur humbi gati 2 mijë studentë, ose një ulje me pak më shumë se 10 përqind.

Universiteti i Elbasanit, ka një rënie 56.4 përqind; ai i Korçës -47.7 përqind; i Shkodrës -54 përqind; i Gjirokastrës -15.4 përqind (vitin e fundit në të kundërt shënoi një rritje të lehtë); ndërsa i Vlorës, 60 përqind më pak, krahasuar më vitin 2017 kur shënoi një shumëfishim të studentëve;

Reagime

Zoti Artan Hoxha, rektori i Universitetit të Tiranës, më i madhi në vend, si për numër studentësh ashtu dhe fakultetesh, e sheh situatën si një ndërthurje faktorësh. “Nis që në shkollat e mesme, ku është ulur numri i nxënësve. Nga ana tjetër ka një rënie të insteresit për studime, dhe për arsimin e lartë. E po ashtu ulja e popullsisë dhe shumë të rinjë që lëvizin dhe jashtë Shqipërisë”, thotë ai për Faktoje, duke theksuar se të gjitha këto “janë pasoja që vijnë nga njëri vit në vitin tjetër”.

Rektori i Universitetit të Tiranës, thotë se “programet tona janë të konsoliduara. Jemi afër 70% të plotësimit të kuotave. Në disa jemi në nivele fundore, por janë disa programe që vuajnë dhe kanë vështirësi për studentë, sepse ka të bëjë më punësimin, me trajtimin e tyre pas punësimit”.

Por Ajsi Spahija, studente e Biologjisë në Fakultetin e “Shkencave të Natyrës” njëkohësisht dhe aktiviste e Lëvizja Për Universitetin shprehet për Faktoje se ulja e numrit të studentëve ka ardhur si pasojë e politikave më së shumti frenuese. “Arsimi si vatër dijeje dhe emancipuese vit pas viti duket se është shndërruar në shkollim klasor, privilegj i të paktëve me mundësi financiare. Arsimi publik duhet të jetë falas! Studentët nuk po regjistrohen më në universitete për shkak të tarifave të larta, kushteve të papërshtatshme të banimit dhe prej mungesës së mbështetjes institucionale” thotë Spahija duke shtuar më tej se “studentët duhet të organizohen dhe luftojnë për një sistem arsimor të drejtë dhe barabartë për të gjithë.”

Rektori Hoxha nga ana e tij pranon se “Universitetet duhet të ofrojnë më shumë mundësi, duhet të kenë programe më të zhdërvjellta, duhet të ketë përfshirje më të madhe të studentit në jetën universitare, në kërkimin shkencor, duhet të kenë më shumë kujdes për punësimin e studentëve përvec edukimit të tyre”.

Tërheqjen ndaj universiteteve private, ai e sheh më shumë si rezultat i marketingut. Ka disa mekanizma që i përdor privati si marketing që i vë Universitetet publike në inferioritet, por këto janë cështje që kanë të bëjnë me diskutimet tona. Në fund fare do shikoni që përqindja totale, nuk besoj se do t’i kalojë 25 përqind. Pra publiku 70-75 përqind, ndërsa privati 25-30 përqind.”

Për Migen Qiraxhiun nga Qëndresa Qytetare, arsyet janë të tjera: “Disavantazhi infrastrukturor i Universitetit publik ndaj privatit ka bërë që gjithnjë e më shumë të ketë regjistrime tek privati, avantazh dhe rritje kjo që vjen si rezultat i uljes së preformacës së publikut dhe jo si një zhvendosje të cilësisë tek privati”-shprehet për Faktoje Qiraxhi.


The post Drama e universiteteve publike appeared first on Faktoje.al.

Universitetet, gati gjysma e kuotave ende të lira

7 October 2024 at 11:11

Gati 45 përqind e auditorëve do të jenë bosh, sot në ditën e parë të këtij viti akademik. Të dhënat e verifikuara nga Faktoje.al dëshmojnë se deri të premten, 8,775 mijë kuota nga universitetet publike ishin të lira nga 19,212 të miratuara në total.

Në Portalin e Aplikimit Universitar, ku maturantët njihen me kriteret, programet, aplikimin universitar dhe programin ku janë shpallur fitues, rezulton se në fund të fazës së dytë të regjistrimeve ka ende mijëra kuota të paplotësuar, teksa ishin regjistruar gjithsej 10,437 studentë.

Por në urimin e ndarë për nisjen e vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu duket se i referohet kuotave fillestare kur thotë “Suksese mbi 20 mijë studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit…”, shkruan Manastirliu në profilin e saj zyrtar në facebook.

Degët drejt zhdukjes

Shkenca Natyre Mjedisore rezulton dega më pak e pëlqyer në Universitetin e Tiranës, me vetëm 2 studentë të regjistruar këtë vit. Më pas vjen Fizika me 5 studentë të regjistruar dhe Kimia me 8.

“Duhet të kishim një emergjencë kombëtare ndërkohë që radhët e mësuesve pakësohen dhe shkollat kërkojnë mësues për të plotësuar nevojat e tyre. Sidomos fizika, matematika dhe gjuha, apo lëndë të tjera bazike janë të paplotësuara. Me këtë trend parashikohet që vitet e ardhshme disa nga këto degë sipas ligjit do të mbyllen nëse për dy vite nuk plotësohen me të paktën 10 studentë.”, paralajmëron Rigers Xhemollari nga Qendresa Qytetare.

Nga ana tjetër, një nga degët më të preferuara në Universitetin e Tiranës rezulton Informatika Ekonomike, ku vetëm 4 kuota kanë mbetur të lira nga 240 gjithsej.

Të kërkuara vijojnë të jenë edhe inxhinieritë informatike tek Universiteti Politeknik, sikurse arkitektura.

Degët arkitekt, urbanist dhe interieri/dizajn nuk kanë asnjë vend të lirë në këtë fazë regjistrimesh. Ndërsa, inxhinieria e burimeve minerare, ajo gjeologjike dhe gjeomjedisi janë tre degët me më pak regjistrime këtë vit në Universitetin Politeknik.

Universiteti Bujqësor është zgjedhur nga të paktën 638 studentë këtë vit. Degët më të kërkuara janë menaxhim agrobiznesi dhe menaxhim turizmi rural. Ndërsa, në degën inxhinieri agroushqimore ka vetëm 1 të regjistruar. Edhe zooteknia dhe siguria e produkteve blegtorale kanë vetëm 2 regjistrime ndërsa inxhinieria pyjore 5 studentë të regjistruar.

Referuar të dhënave nga U-Albania, këtë vit Universiteti i Mjekësisë vijon të jetë i zgjedhur nga shumica e studentëve. Aktualisht, ky universitet ka vetëm 146 kuota të lira nga 1,624 që kishte gjithsej. Mjekësia e përgjithshme, farmacia dhe stomatologjia nuk kanë asnjë vend të lirë.

Rrethet me rënie drastike

Sipas të dhënave nga U -Albania, universitetet e rretheve vijojnë të shënojnë rënie drastike studentësh edhe këtë vit. Gjirokastra dhe Korça shënojnë numrin më të ulët të regjistrimeve.

Deri në këtë fazë aplikimesh, në universitetin ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër rezultojnë të regjistruar 195 studentë gjithsej, nga 599 kuota fillestare. Aktualisht në këtë universitet numërohen 121 pedagogë- raporti 1 pedagog për 1.6 studentë.

Degët si menaxhimi i turizmit, histori-gjeografia dhe matematika kanë vetëm nga 1 studentë të regjistruar.

“Interesi i të rinjve shqiptar për të përzgjedhur degët e mësuesisëë është në rënie drastike. Shkodra ka një student për histori dhe dy për gjeografi. Në Elbasan ka vetëm 6 studentë për gjuhë dhe dy studentë të tjerë për mësuesi.”, vëren Rigers Xhemollari nga Qendrësa Qytetare.

Edhe universiteti “Fan S. Noli” në Korçë rezulton me 357 studentë të regjistruar për herë të parë këtë vit. Degët e fizikës, matematikës rezultojnë me nga dy të regjstruar. Ndërsa, infermieria e përgjithshme nuk ka asnjë vend të lirë. Nga 75 kuota gjithsej, aktualisht nuk ka asnjë vend të lirë.

The post Universitetet, gati gjysma e kuotave ende të lira appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayFaktoje

Shkodër, lirimi i trotuarëve mision i ‘pamundur’

5 October 2024 at 14:00

Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci e nisi detyrën me aksione kundër lirimit të hapësirave publike. Pjesë e aksionit ishte heqja e shitësve ambulantë në sheshin “Hafiz Sabri Koçi” në lagjen Rus.

“Sot në Rus, në sheshin” Hafiz Sabri Koçi”. Për shitësit ambulantë janë sistemuar vendet përkatëse brenda tregut, ndërsa trotuaret u janë kthyer qytetarëve., shkruante Beci, pak javë pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut. 

Aksionin për lirimin e trotuarëve nga shitësit ambulantë Beci e shoqëronte edhe me pamje filmike.

Fakt

Nisur nga ndikimi që ka zaptimi i hapësirave publike në jetën e qytetarëve të Shkodrës, Faktoje vendosi të verifikojë premtimin e kryebashkiakut Beci. Ne u rikthyem në sheshin “Hafiz Sabri Koçi” një vit pasi mori jetë aksioni për lirimin e hapësirave. 

Video

Më 17 shtator, në zonën pranë tregut të lagjes Rus hasëm dhjetëra shitës ambulantë nëpër trotuare, në të dy krahët e rrugës.

“Tregun po e riparojnë dhe unë nuk dal çdo ditë këtu. Kur kam ndonjë produkt nga kopshti dal e shes këtu”, tha një e moshuar që kish zënë vend në trotuarin pranë markatës së Rusit në Shkodër. 

Bashkia e Shkodrës deklaron se kontrollet për lirimin e hapësirave publike janë të përditshme veçanërisht në zonat problematike, ku përfshihet dhe sheshi “Hafiz Sabri Koçi”. Nga janari në gusht, bëhet e ditur se policia bashkiake e Shkodrës se ka vendosur 463 gjoba për zaptuesit e hapësirave publike. 

“Policët Bashkiakë kontrollojnë çdo ditë hapësirat publike sipas sektorit ku veprojnë, kontrollet janë të pandërprera çdo ditë.”, pohon Bashkia.

Zaptimi i hapësirave publike në Shkodër  është një problematikë e ndjekur në vazhdimësi nga Faktoje.

Një vit më parë, për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, Bashkia e Shkodrës krijoi hapësira të përkohshme në tregun Rus për rreth 27 tregtarë ambulantë që ndër vite shisnin në trotuarët përreth zonës.

Por aktualisht markata e Rusit është duke u ndërtuar dhe tregtarët janë zhvendosur në një treg në periferi të qytetit. Ndaj, dhjetëra prej tyre nuk shkojnë në tregun e përkohshëm që ka caktuar bashkia, por kanë zgjedhur të shesin në hapësirat publike dedikuar kalimtarëve.

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për lirimin e hapësirave publike në Rus, e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Shkodër, lirimi i trotuarëve mision i ‘pamundur’ appeared first on Faktoje.al.

2024, viti rekord i zjarreve në dekadën e fundit

By: FAKTOJE
4 October 2024 at 16:00

Rajmond Kola

Viti 2024 do të mbahet mend gjatë në Shqipëri për numrin e lartë të zjarreve dhe dëmet masive të tyre, kryesisht në pyje dhe kullota. Ndërkohë, jo pak komunitete lokale, përjetuan gjatë verës së këtij viti, pasigurinë e jetës dhe pronës së tyre, në shumë rajone të vendit,  ku zjarret u shfaqën rrezikshëm afër zonave të banuara si në disa fshatra të Gjirokastrës, Delvinës, Finiqit, Sarandës, në jug dhe në zona të  Tropojës,  Zadrimës, Thethit, zonës bregdetare të Shëngjinit, në veri të vendit.

Të dhënat europiane për zjarret shqiptare tregojnë se gjatë vitit 2024  (nga janari deri më 1 tetor)  u prekën rreth 46.442 hektarë pyje dhe kullota nga rreth 164 zjarre masive që u shënuan në të gjithë Shqipërinë.

Sipas të dhënave nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje, EFFI, Shqipëria nuk i kishte njohur këto përmasa të zjarreve që nga vitit 2012.

Sistemi satelitor i monitorimit i Bashkimit Europian regjistron zjarret në zona mbi 30 hektarë dhe sjell për Shqipërinë të dhëna, që nga viti 2007, i cili mbahet si viti rekord me dëmin më të madh në sipërfaqet pyjore dhe kullosore të vendit me rreth 127 mijë hektarë të përshkuar  nga zjarret.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako  tha gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare mbajtur në shtator se gjatë vitit 2024 sipërfaqja e dëmtuar nga zjarret rezulton në rreth  43.466 hektarë me 1077 vatra zjarri.

Shifrat e zjarreve, sipas zotit Çako, ishin gati dyfishi i vitit 2023 kur në Shqipëri u raportuan  544 vatra zjarri.

Të dhënat e autoriteteve zyrtare shqiptare për sipërfaqete dëmtuara nga zjarret këtë vit në Shqipëri janë shumë afër të dhënave europiane,  ndërsa gjatë viteve të shkuara ka pasur diferenca të mëdha  të raportimeve të Institutit  Shqiptar të Statistikave (INSTAT) dhe Sistemit Europian të Monitorimti Satelitor.

Lidhur me këto mospërputhje domethënëse të dhënash shqiptare dhe europiane  Instituti shqiptar i statitistikave (INSTAT)  përmes një  përgjigje të një kërkese për informim tha se “informacioni për zjarret sigurohej nga  burime administrative që merren nëpërmjet shkresave zyrtare, ndërsa aktualisht institucioni përgjegjës për këto të dhëna është Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.”  IKMT nuk komentoi për mospërputhjen e shifrave mbi zjarret dhe sipërfaqet e djegura  dhe deri në shkrimin e këtij raporti nuk u përgjigj një kërkese për informacion për numrin e zjarreve të këtij viti.

Ekspertët : Zjarret në pyje dëmi më makabër që i bëhet natyrës

Zjarret në pyje janë dëmi më makabër që mund t`i bëhet natyrës”,  thotë  inxhinieri i pyjeve Kleanthi Mandi. Sipas tij “këtë vit është shkrumbuar thuajse gjithë pjesa e Malit të Gjerë në Gjirokastër nga të dy krahët,  e pyllëzuar në mjaft zona, me pisha  në vitet shtatëdhjetë”.

“Bashkë me florën digjet edhe fauna, lepuri, dhia e egër, sorkadhja që nuk i largohen dot zjarrit,  thotë zoti Mandi.

Menjëherë pas zjarreve për herë të parë në Gjirokastër një sorkadhe e vetmuar  me shenja djegiesh në trup u shfaq afër Liqenit të Viroit që ndodhet “në këmbët”  e Malit të Gjerë.

Sipas inxhinierit të pyjeve, me përvojë mbi 40 vjecare “zjarret për t’u rikuperuar duhen disa vite, sepse bashkë me ta dëmtohet e gjithë sipërfaqja e parë e tokës”.

“Shtresa e tokës në një thellësi 10 cm nga kalimi i një  flake zjarri dëmtohet pothuajse plotësisht pasi digjen elementët bazë azoti dhe fosfori. Ajo që shekujt e kanë krijuan centimetër për centimeter, do të duhet shumë vite që të rigjenerohet”, thotë zoti Mandi.

Bashkitë, thotë zoti Mandi, nuk po  punojnë për rigjenerimin e pyjeve megjithëse ato vjelin të ardhura nga qeratë e kullotave dhe shfrytëzimi i pyjeve që kanë në administrim.

Ndërsa ka sipas tij shumë propagandë me mbjelljet e reja ku sipërfaqja nuk kalon as 100 hektarë në vit në mbarë vendin , sipërfaqja e dëmtuar vetëm nga zjarret në pyje është në disa mijëra hektarë në vit.

Inxhinieri i pyjeve Kleanthi Mandi thotë se masat ligjore duhet të jenë më të ashpra ndaj zjarrvënieve.  Dëmi ekonomik nga zjarret sipas tij është kolosal për pyjet të cilat kanë pësuar vitet e fundit pasoja të mëdha nga prerjet e pakontrolluara dhe keqmenaxhimi dhe ndëshkimet për zjarrvënësit numërohen me gishta.

Sipas  deklarimit të  kreut të emergjencave civile Haki  Çako  në komisionin parlementar të sigurisë   98%  e rasteve të zjarreve gjatë vitit 2024 janë shkaktuar nga “dora e njeriut”.

Në një mesazh ndërgjegjësues në korrik  ministria e Mbrojtjes  tha përmes rrjetit social X se dënimi i zjarrvënies në pyje parashikohej në kodin penal  me deri në 15 vjet burg  dhe shprehu vendosmërinë e institucioneve  për të vepruar ndaj këtij veprimi kriminal.

Por sipas raporteve të policisë për periudhën qershor -shtator tw kwtij viti, që njihet si më problematike në shfaqjen e zjarreve në Shqipëri, janë  evidentuar 84 raste zjarresh të qëllimshme me 4 persona të arrestuar dhe disa të tjerë nën hetim të dyshuar për zjarrvënie. 

Abdulla Diku, një tjetër inxhinier i pyjeve thotë  se ”zjarret  e këtij viti kanë  shpyllëzuar   shpatet e pjerrëta dhe degradimi i menjëhershëm i tokës, zhveshja e saj nga bimësia pyjore do të rrisë rrezikun për përmbytje. ”Pasojat do të ndihen sidomos  në pjesën e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë  thotë më tej zoti Diku. Qeveritë vendore, sipas tij,  kanë pak personel të kualifikuar për menaxhimin e pyjeve ku 75 % e punonjësve nuk janë specialistë pyjesh. Shtimi i personelit të bashkive në këto vite nuk ka ndihmuar në mirëmenaxhimin e pyjeve dhe emergjencave civile, tha zoti Diku.

Vëzhgues të pavarur thonë se  emërimet partiake vijojnë të dëmtojnë administratën bashkiake të  pyjeve  ku mungojnë specialistët por edhe repartet e emergjencave ku rekrutimet nuk ndjekin kriteret profesionale.

Një tjetër specialist pyjesh me përvojë Glidor Dushi,që drejton sektorin e mjedisit  në bashkinë e Dropullit thotë  se situata e këtij viti pati një rrezikshmëri të madhe nga zjarret për banorët e kësaj bashkie.

Sipas tij “nuk pati dëme në njerëz dhe në  banesa, por fshatrat e Dropullit  rrezikohen nga rënia e zjarreve  pasi banorët kanë ikur në emigracion dhe shtëpitë e braktisura kanë shumë mbetje të thata bimore që përbëjnë një potencial për zjarre”.

Zoti Dushi thotë  se bashkia  u kishte bërë thirrje banorëve përmes mjeteve të komunikimti dhe rrjeteve sociale  të pastrojnë oborret rreth  shtëpive të  banimit dhe pronave  nga bimësia e thatë sa herë kthehen nga emigrimi.

Rreth 4270 hektarë ku 510 hektarë janë vetëm pyje dëm u përshkuan nga zjarret vetëm në Dropulll  dhe përbëjnë një dëm të  konsiderueshëm mjedisor që do të kërkojë vite të rikuperohet”  thotë  zoti Dushi.

Përgjegjësi i mjedisit në bashkinë e Dropullit Gligor Dushi thotë  se ky vit ka provuar pasojat e ndryshimeve klimatike, pasi  që në  maj  nuk ra shi  dhe temperaturat në korrik dhe në gusht në shifra record , të pandeshura më pare,  mbi 40 gradë celsius.

Ndryshimet e klimës kanë bërë që zjarret të jenë më agresive thotë profesori i shkencave të natyrës në Universitetin e Tiranës Lulëzim Shuka. “Ndryshimet klimatike tani janë të prekshme për një brez, më parë ishin disa breza që të shihje dicka ndryshe në efektet e klimës , thotë zoti Shuka.

“Është tashmë e dukshme që niveli i lagështirës në tokë në 20 cm thellësi është tre herë më i ulët se minimalja që ka qenë 10 vite më përpara. Temperaturat janë dukshëm më të rritura dhe mungesa dëborës  në zonat malore nuk   mundëson  lagështirën në thellësi të tokës. Sipërfaqja e tokës është në vlim”, shpjegon zoti Shuka.

Sipas tij Shqipëria duhet të përgatitet për zjarre edhe më të mëdha nga ndryshimet e klimës dhe për ndërhyrjet për shuarjen e e tyre, parësore duhet të ketë, ngritjen e një flote ajrore për shkak të terrenit të vështirë që ka dhe mbështetetjes me mjete të reja zjarrfikëse sidomos në bashkitë me sipërfaqe të mëdha pyjore.

Shumica e  bashkive në përgjigje të kërkesave për informim thanë se kanë fonde të kufizuara që nuk u lejojnë blerje mjetesh të reja zjarrfikëse dhe kanë pak mjete financiare në dispozicion, për të përmirësuar pajisjet e reparteve zjarrfikëse.

Emergjencat shqiptare në emergjencë për njerëz, mjete dhe pajisje

Kreu i emergjencave shqiptare Haki Çako tha në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se këtë vit  27880 forca operacionale vendore dhe kombëtare dhe 2635 mjete morën pjesë në shuarjen e zjarreve, ndërsa  gjatë  këtij viti   u aktivizua  një helikopter ‘Cougar’  i Forcave të Armatosura” si dhe 4 herë, avionë për shuarjen e zjarreve nga Mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile.

Aktivizim i ndihmës europiane ndodhi  sipas tij në  menaxhimin e zjarreve në Dropull, në Vlorë, në Lezhë, dhe në Malin e Moravës me kontributin e partnerëve italianë, grekë dhe rumunë.

Të dhënat  në terren flasin se operacionet u përballën me mjaft sfida që nga mungesa e mjeteve zjarrfikëse,  terreni i vështirë,  pajisja e mangët e reaparteve të ndërhyrjes me veshje antizjarr dhe mjete, pamundësia për të shfrytëzuar burime ujore pasi shumë ujëmbledhës  u zbrazën  dhe vështirësitë  e sigurimit të ujit në hidrante që mungojnë pothuajse plotësisht në zonat rurale.

Shumica e zjarreve u evidentuan sipas specialistëve të pyjeve  kur kishin marrë përmasa dhe duket se sistemi i sinjalizuesve që paguhen nga bashkitë si punonjës me kontratë disa mujroe gjatë verës nuk ishte efikas për ndërhyrjet në kohë për kontrollin e zjarreve.

Zoti Çako  pranoi para Komisionit parlamentar të Rendit dhe Sigurisë se nevojitet  dhe një trajnim profesional i zjarrfikësve pasi ata kanë njohuri dhe përgatitje  për  ndërhyrje për zjarret urbane,  por jo për zjarret në pyje.

Vatrat e zjarrit u përhapën këtë vit  edhe në disa Parqe kombëtare të vendit . Kështu në  Parkun Kombëtar të Alpeve, në Çerem të Tropojës, Parkun Kombëtar në Theth, atë në Lurë të Dibrës, Malin e Tomorit si dhe parkun arkeologjik të Finiqit në Parkun Kombëtar të Prespës, në Malin e Thatë. Në fund të korrikut  zjarret në sipërfaqet pyjore rrezikuan edhe një numër resortesh turistike në bregdetin e Shëngjinit.

Zoti Çako  tha se bashkitë më të prekura këtë vit nga zjarret dhe dëmete tyre janë  Vlora, Shkodra, Selenica, Fieri, Lushnja me një sipërfaqe totale të dëmtuar  nga zjarret prej 4200 hektarësh”.

Sipas ministrisë së Brendshme Shërbimi Zjarrfikës i bashkive ka sot 190 automjete zjarrfikëse (duke përfshirë këtu edhe automjete zjarrfikëse mbështetëse si autoshkalla, autobote, etj”  ku  vitet e fundit janë blerë rreth 30 automjete dhe rreth 15 automjete janë dhuruar nga shërbime zjarrfikëse homologe.

Një bazë të dhënash mbledhur në bashkitë e Shqipërisë përmes kërkesave për informim për kapacitet e emergjencave flet se shumica e mjeteve janë të vjetëruara që u përkasin viteve 1970-2010.

Automjetet kërkojnë fonde të mëdha për mirëmbajtje  dhe shumë prej tyre nuk kalojnë procedurat ekontrollit Teknik. Edhe   shumica e stacioneve zjarrfikëse janë në kushte të mjeruara të godinave dhe trajtimit të efektivëve zjarrfikës.

Siaps përgjigjeve të kërkesave për informim vetëm 16 bashki planifikojnë të blejnë mjete të reja dhe 5 prej tyre të përmirësojnë gjendjen e stacioneve zjarrfikëse por pa specifikauar burimin e fondeve.

52 bashki iu përgjigjën kërkesës për informim mbi kapacitetet e emergjencave , ndërsa të dhënat nga bashkitë e tjera u siguruan nga  burimet vendore dhe raportimet e tyre pranë ministrisë së Financave.

Sipas ministrisë së Brendshhme në  61 bashkitë në vend janë instaluar 70 stacione zjarrfikëse, nga 38 që ishin në 2014, me 1,315 punonjës, të cilët  u shtuan gjatë periudhës së decentralizimit të pushtetit vendor. Në vitin 2014 kur nisi reforma administrative territoriale ky numër  ishte 749 punonjës.

Ministria e Brendshme thotë se “Ligji 152 /2015 ‘Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi’ përcakton një punonjës për 1500-2000 banorë dhe se çdo stacion duhet të ketë jo më pak se 14 zjarrfikës, personel profesionist. Sipas këtyre standarteve ligjore, sistemit i mungojnë gati 250-300 punonjës për një popullsi prej 2.8 milionë banorë” .

Sipas raportit nga Drejtoria e Zjarrfikses pranë Ministrisë së Brendshme, për gjithë vitin 2023 në Shqipëri u  evidentuan 9,248 raste ndërhyrjesh, ndër to 7,020 janë ndërhyrje në raste zjarresh, pjesa tjetër janë ndërhyrje për shpëtim të jetës së njeriut, apo pronës.

Zonat e Mbrojtura pak mbështetje për ndërhyrjet kundër zjarreve

Sipas raportit të vitti 2023 për Pyjet dhe Biodiversitetin  të INSTAT-it  Zonat e Mbrojtura në Shqipëri zënë një sipërfaqe prej 626 mijë hektarë që përbën 44 % të fondit kullosor dhe pyjor të vendit.

Parqet kombëtare me 50,3% zënë pjesën më të madhe të ëktyre zonave , Rezervatet Natyrore 35,5% , Peisazhet e Mbrojtura 13,9 % dhe Monumentet Natyrore 0,3%.

Administrata e zonave të Mbrojtura nuk ka automjete për fikjen e zjarreve dhe ka pajisje të vogla modeste ku punonjësit e saj angazhohen me forcat e tjera në terren  për fikjen  e zjarreve.

Në përgjigje të një kërkese për informim, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura tha se Agjencitë Rajonale të Zonave të Mbrojtura (ADZM) kanë plane veprimi për zjarret  ndërkohë që këto struktura në Vlorë, Gjirokastër dhe Fier nuk iu përgjigjën kërkesave për informim lidhur me kapacitetet për menaxhimin e zjarreve.

Olsi Nika, biolog mjedisi thotë se Zonat e Mbrojtura, patjetër që duhet të kenë pjesën e Planit të Menaxhimit për pyjet dhe të presioneve që vijnë qoftë nga zjarret , prerjet e paligjshme etj. Por shumica e Zonave tona të Mbrojtura nuk kanë një Plan të tillë Menaxhimi,  thotë zoti Nika. Edhe Plani i  Menaxhimit  të parkut më të ri Kombëtar të Vjosës,  sipas tij është  në proces.

Vitin e shkuar  një zjarr masiv përfshiu me ditë të tëra zonën e Pishë Poros në Fier. “ Zjarri u fik kur donte perëndia dhe jo qeveria tha profesori Taulant Bino. Sipas tij, zjarri me ditë të tëra në zonën e pishave  në Pish Poro të Fierit, dëshmonte tendencat për të tjetërsuar zonën dhe për ti hapur rrugën investimeve ndërtimore për turizëm.

Edhe specialist i shpendëve Zydjon Vorpsi thotë se shpesh moskontrolli i zjarreve lë hapësira për të dyshuar për uljen  e statusit të zonave të mbrojtura kur ato dëmtohen, me humbje të vlerave të tyre natyrore  për të shkuar  më pas në  ndryshimin ligjor të  shkallës së mbrojtjes.

Sipas Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura zjarri i shtatorit të vitit të shkuar  në zonën e mbrojtur natyrore të Pish Poro në Fier dogji plotësisht  një sipërfaqe pyjore me pisha  prej 365. 78  hektarë   që përbën  një nga dëmet më të mëdha në sipërfaqet pyjore të vendit gjatë viteve të fundit.

Siaps AKZM vlera e dëmit të përllogaritur, sipas akteve ligjore,  është në rreth 1,2 milionë dollarë.   AKZM  tha se  zjarri që nisi më 23 shtator dhe vijoi disa ditë  përshkoi një sipërfaqe të përgjithshme  prej 818.5 hektarë.

E ardhmja e zymtë e rrezikut të zjarreve për Shqipërinë

Instituti shqiptar i Gjeoshkencës  raporton se krahasuar me mesataret historike, temperatura mesatare maksimale njeh rritje me +1.9 gradë Celcius, numri i ditëve me reshje ka pësuar rënie me të paktën 12%, numri i orëve me diell është shtuar me 10 për qind.

Sipas Planit Kombëtar të  Përshtatjes së Shqipërisë (2021) të gjitha studimet ekzistuese tregojnë se Shqipëria ka të ngjarë të bëhet më e ngrohtë sipas skenarëve të IPCC. 

Tendencat e parashikuara në të ardhmen përcaktojnë temperaturat në rritje të vazhdueshme. Zona bregdetare nuk ka gjasa të përjetojë temperatura mesatare më pak se 25°C deri në verën e vitit 2050.

Temperaturat mesatare deri në 30°C do të dominojnë në të gjitha pjesët e kësaj zone deri në vitin 2100.  Rritja e parashikuar e nivelit të detit do të rezultojë në rreziqe më të larta përmbytjeje për shumicën e zonave urbane përgjatë bregdetit dhe në kërcënime në rritje të erozioni bregdetar. 

Sipas raporteve studimore ndërkombëtare për Shqipërinë rritja e temperaturave të lidhura me ndryshimet klimatike gjatë muajve të   verës dhe reduktimi i reshjeve, praktikat e paqëndrueshme të përdorimit të tokës dhe ndryshimi i ekologjisë pyjore pritet të  rrisin edhe më tepër rrezikun zjarreve.

Shqipëria më e rrezikuar në Europë nga fatekqësitë natyrore

Raporte të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare dëshmojnë se valët e të nxehtit, thatësirat, rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet nw Shqipëri, janë përkeqësuar nga viti në vit prej ndryshimeve klimatike.

Sipas një raporti botëror që llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive Natyrore Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e 61-ta në botë, ndër 180 vende. Shqipëria renditet e 41-ta për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut, vendi i 43-të për tërmetet dhe i 58-i për thatësirat. 

Raporti bazohet  në ekspozimin, ndjeshmërinë, cënueshmërinë, dhe kapacitetet përballuese dhe përshtatëse ndaj fatkeqësive natyrore. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore rreth 86% e territoreve shqiptare janë të ekspozuar ndaj dy ose më shumë fatkeqësi natyrore dhe pikërisht kjo hapësirë e prekur  gjeneron 88.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit.

Përgjatë periudhës 1995–2015, mesatarisht 30,000 persona në vit janë prekur nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri dhe mbi  95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur të paktën nga një fatkeqësi natyrore.

 Sipas të dhënave zyrtare humbjet mesatare vjetore për shkak të fatkeqësive natyrore në Shqipëri janë rreth 2.5 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, ose rreth 68.7 milionë dollarë në vit.

Sipas Bankës Botërore gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria duhet të investojnë të paktën 37 miliard dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim me për një mbrojtje eficente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore Shqipërisë i duhet një shumë prej 6 miliardë dollarësh në vitet në vijim, për të zbutur ndikimet e klimës.

 “Investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1$ i investuar përkthehet në rreth 4$ përfitime”,  thotë Banka Botërore në raportin e saj të fundit për pasojat e ndryshimeve klimatike në Ballkan. Grupet më të cënueshme ndaj këtyre fatkeqësive janë të moshuarit, invalidët,fëmijët, dhe gratë.

Shqipëria ka ndërmarrë veprime për përshtatjen klimatike, të mbështetura kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë. Këto veprime, sipas raportit zyrtar monitorues të Planit Kombëtar të Përshtatjes  nuk kishin koordinim dhe një qasje shumë-sektoriale për të adresuar dobësitë klimatike mbarëkombëtare.

E ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme natyrore duke përfshirë tërmetet, përmbytjet,  rrëshqitjet e dheut, zjarret në pyje dhe thatësirat, Shqipëria ndonëse përballet me nivelet më të larta të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në Evropë vazhdon të ketë  kapacitetet më të ulta të mjeteve dhe burimeve njerëzore të emergjencave civile  për t`i përballuar ato.

Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

The post 2024, viti rekord i zjarreve në dekadën e fundit appeared first on Faktoje.al.

Komisionin “Xhafaj” po e “refuzon” drejtësia  

3 October 2024 at 17:02

Në fund të muajit maj, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vetëm me votat e PS-së ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”

Ky komision është ngritur “për të drejtuar dhe koordinuar një proces të thelluar reformimi”, që në thelb ka luftën kundër korrupsionit.

Opozita nuk merr pjesë në komision, duke e parë me dyshim nismën

Kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj ka vijuar punën mbi garancinë e shprehur prej tij se, “i gjithë procesi do të ndërtohet mbi gjithëpërfshirjen”.

Në foto: Fatmir Xhafaj, Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin”

Në funksion të këtij qëllimi, komisioni, me votat e 6 anëtarëve të PS-së, ka miratuar ngritjen e një grupi pune me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë ku të ftuar janë edhe institucionet e drejtësisë dhe ato të pavarura.

Mërkurën e 2 tetorit, Gjykata Kushtetuese i kthen një përgjigje zyrtare kërkesës së Xhafajt për të dërguar ekspertë te saj pranë komisionit

Në foto: Përgjigja zyrtare e Gjykates Kushtetuese per komisionin e posaçem parlamentar anti-korrupsion

Edhe pse e përgëzon nismën, Gjykata Kushtetuese vëren se, “për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Kjo nuk është përgjigja e fundit refuzuese. Pa kaluar as 24 orë një institucion i rëndësishëm i drejtësisë, SPAK, ka dërguar një shkresë zyrtare.

Prokurorët e Posaçëm njoftojnë se gjatë një mbledhje të thirrur për këtë kërkesë,  “në mënyrë unanime nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert“

“Institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij”, SPAK

“Institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të  Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit.  Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të  ofruar kontributin e saj  përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Instituti i Studimeve Politike vlerëson në një analizë të saj për këtë çështje se praktika e punës, sipas të cilës, institucionet e drejtësisë, të pavarura dhe kushtetuese duhet të dërgojnë përfaqësues për të qenë pjesë teknike e komisionit, “përbën zhvillim shqetësues dhe rrezikon të cenojë pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe të vetë ekspertëve të tyre, si dhe krijon perceptimin se institucionet e pavarura duhet të japin llogari përpara një Komisioni politik”

The post Komisionin “Xhafaj” po e “refuzon” drejtësia   appeared first on Faktoje.al.

Eksperimenti optik me monedhën 100 lekëshe nuk provon tokën e sheshtë

3 October 2024 at 16:03

Pretendimi: Ky eksperiment me monedhën në tryezë provon se Toka është e sheshtë

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon një video që krahason lëvizjen e diellit me një monedhë 100 lekëshe mbi një tavolinë të sheshtë, paraqitet si provë se Toka është e sheshtë.

Personi në video vendos një monedhë në një tavolinë dhe e largon atë. Monedha bëhet e padukshme dhe video pretendon se kështu funksionon perëndimi i diellit në një Tokë të sheshtë. 

Në fakt, kamera është vendosur pak më poshtë rrafshit të tavolinës. Dhe nëse e largon monedhën kjo do ta fshehë atë pas skajit të tryezës, siç ilustrohet në skemën e mëposhtme.

Në realitet, dielli shihet mbi ne. Ai nuk prek sipërfaqen e Tokës. Dielli ka një madhësi të dukshme konstante gjatë gjithë ditës. Ky i ashtuquajtur “eksperiment” mund të imitojë vetëm një veti të perëndimit të diellit: dielli duket se fundoset nën horizont. Megjithatë, ai nuk arrin të shpjegojë të gjitha vëzhgimet e tjera.

Nëse kamera do të ishte në një nivel me rrafshin e tryezës, monedha në video nuk do të zhdukej në asnjë moment nën horizont, siç është demonstruar këtu nga shkrimtari i shkencës Mick West.

Duhet theksuar këtu se dielli, në fakt, shfaqet mbi tokën. Nëse ai do ndiqte trajektoren e monedhës, pra duke u larguar nga kamera, ai do të zvogëlohej dhe do i afrohej horizontit, por nuk do ta prekte ndonjëherë atë. 

The post Eksperimenti optik me monedhën 100 lekëshe nuk provon tokën e sheshtë appeared first on Faktoje.al.

Këngëtarja serbe shitet si Xhensila Myrtezaj në një lidhje të re

3 October 2024 at 09:47

Pretendimi: Zbulohet kush është i dashuri i ri i Xhensila Myrtezaj

Verdikti: I pavërtetë

Ndarja e dy personazheve publike si Xhensila Myrtezaj dhe Besart Kallaku është një prej historive më të komentuara të muajve të fundit. Pasi ky divorc u bë publik, mediat rozë po përpiqen të tërheqin tashmë klikime duke lajmëruar gjetjen e partnerëve të rinj të yjeve të ekranit.

E tillë është dhe një video që po qarkullon me shpejtësi në portale dhe rrjetet sociale, duke pretenduar se shfaq këngëtaren Xhensila Myrtezaj duke u puthur në skenë me një partner mashkull.

Në mbishkrimin e pamjeve shkruhet: “Zbulohet I dashuri i Xhensilës“, duke nxitur aludime dhe spekulime të shumta. Video ka marrë mijëra klikime dhe shumë komente, një pjesë e të cilëve kritikojnë publikun që paragjykon këngëtaren për zgjedhjet e saj personale.

Megjithatë, ka dhe disa komentues që janë dyshues për vërtetësinë e videos, duke vënë në dukje se vajza në video nuk ka një tatuazh në dorën e djathtë njëjtazi si Xhensila.

Për të verifikuar këtë dyshim, nëpërmjet motorrit të kërkimit Google Lens, zbuluam se video është shkëputur nga një koncert i dy këngëtarëve të huaj. Më konkretisht, vajza e shfaqur në video është modelja dhe influecerja me origjinë serbe, Teodora Popovska. Shfaqjet e saj muzikore janë kryesisht në shoqërinë e këngëtarit të njohur si Relja Torinno, që duhet se është edhe djali që ajo puth në videon e bërë virale në Shqipëri.

Kjo ngjarje thekson rëndësinë e verifikimit të burimeve para se të pranojmë informacionin si të vërtetë, veçanërisht në një kohë kur mediat sociale janë një burim kryesor i lajmeve.

The post Këngëtarja serbe shitet si Xhensila Myrtezaj në një lidhje të re appeared first on Faktoje.al.

Aksioni i PD “një mesazh brenda familjes” apo “kërcënim i kapitalit social”?

2 October 2024 at 17:00

Të hënën e 30 shtatorit, grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtua Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, me sende të forta ndërsa i vunë flakën karrigeve të tyre jashtë ambientit të Kuvendit në shenjë proteste ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin me një vit burg të deputetit të PD-së, Ervin Salianji.

Ky i fundit aktualisht po vuan dënimin në burgun e Fierit. Paralelisht, pala e mbrojtëse e Salianjit i ka kërkuar Gjykatës së Lartë pezullimin e vendimit.  

Foto nga djegia e karrigeve te Kuvendit nga deputetet e PD

PD-ja pretendon se, “vendimi i Apelit është i padrejtë” dhe se,  “shërben si mjet shantazhi për t’i mbyllur gojën opozitës”.

Si pasojë e këtij pretendimi, PD-ja ka thirrur një protestë që synon sensibilizimin e gjerë, përmes bllokimit fillimisht të rrugëve më 7 tetor ora 18.00.

Qëllimi, sipas PD-së, është fillimi i mos bindjes civile deri në çuarjen e vendit në qeveri teknike pa Ramën kryeministër zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  

Angazhimit për t’ju bashkuar protestës të së hënës i është bashkuar edhe Federata e opozitës përmes një takimi të martën ku mungonte kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe ai i LZHK-së Dashamir Shehi.

Deputetët e PD-së nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e komisioneve parlamentare kësaj jave me argumentin se, po mobilizojnë strukturat në bazë deri të hënën.

Deputete te PD-se duke dale nga seanca parlamentare e 30 shtatorit Foto e marre nga LSA

Por morën pjesë të mërkurën pasdite vetëm në mbledhjen Sekretaritit të Etikës me qëllim bllokimin e marrjes së një vendimi mbi propozimin e PS për përjashtimin e 24 deputetëve të PD pas kaosit të seancës së 20 shtatorit.

Në të njëjtën ditë, më herët gjatë paradites, mazhoranca ka vijuar punimet parlamentare e patrazuar.

Konferenca e Kryetarëve (me votat e PS) miratoi (po të mërkurën) Udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, një dokument politik thelbësor për integrimin e vendit.    

***

Thirrja për mos bindje civile nuk është aksioni i parë i opozitës. Por, 8 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo është e para e këtij lloji.

Drejtuesi i Insitutit të Studimeve Politike, politologu Afrim Krasniqi, në një koment të shkurtër për Faktoje.al e ka një argument se pse opozita, po ndjek këtë kurs:

“Opozita po e radikalizon situatën, raportin e saj me ligjërimin publik me aksionin publik duke synuar të mobilizojë strukturat dhe militantët dhe jo tek ajo kategori që sjell rotacion ” , Afrim Krasniqi, Insituti i Studimeve Politike

“Opozita po e radikalizon situatën, raportin e saj me ligjërimin publik me aksionin publik duke synuar të mobilizojë strukturat dhe militantët dhe jo tek ajo kategori që sjell rotacion që do të thotë se po shkon dret një trendi anti-historik i cili është negativ për nevojat që ka sot Shqipëria sepse i heq mundësinë për të pasur një qasje alternative zgjedhjet e ardhshme”

Politologu Ilir Kalemaj në anën tjetër vëren për Faktoje.al se, gjykuar nga verbi, reagimi i opozitës është proporcional në raport me atë që quhet si persekutim politik i një pjese të lidershipit të saj (përfshirë Berishën, Mediun dhe Salianjin)”.

A është fokusi kryesor i opozitës i bazuar në një qëllim apo plan konkret, siç kanë pasur aksionet e saj të mëhershme të radikalizimit?

“Ky është më shumë një mesazh indirekt që i drejtohet strukturave për t’i mobilizuar ato dhe për të mbyllur pakënaqësitë brenda saj. Pra, është një mesazh brenda familjes dhe protesta dhe veprimet më shumë i drejtohen familjes politike sesa palës tjetër politike”, thotë Krasniqi

***

Ndonëse akte të tilla në aulën parlamentare nuk janë  të pandodhura edhe në rajon (rasti i VV në Kosovë para disa vitesh), Kalemaj e vijon logjikën politike në rrezikun kryesor që sjell ky akt: Minimi i besimit mes palëve. Që, sipas Kalemajt, është faktori kyç për garancinë e zgjedhjeve të lira dhe të pandikuara

Foto nga seanca parlamentare e 30 shtatorit Foto e marre nga LSA

Krasniqi ndërkohë vëren se, “në kushtet normale Shqipëria do të duhej të kishte një mazhorancë të lodhur nga skandalet, e pafuqishme për të bërë reforma dhe jo llogaridhënëse dhe pa shanse për një mandat tjetër politik dhe, në anën tjetër një opozitë të fortë, konstruktive dhe të reformuar, e gatshme për të marrë përgjegjësi”

Fakti që të dyja palët, sipas tij, ndodhen në pozita krejt të ndryshme tregon se, “Shqipëria është një anormalitet dhe ecuria e rrjedhjes politike është anormale”.

“Si e tillë, në vend që të presim që shoqëria të ndryshojë për t’ju përshtatur ofertave aktuale politike, në fakt duheshin që partitë të ndryshojnë për të shkuar tek shoqëria” , thotë Krasniqi.

“Shoqëria shqiptare pret alternativa elektorale të besueshme, propozime të politikave publike, rritje cilesore të përfaqësimit politik dhe një debat mbi modelet e zhvillimit të vendit duke adresuar njëkohësisht problematikat më të mprehta”, Ilir Kalemaj, Politolog

Ndërkohë, Kalemaj e mbështet (para së gjithash) argumentin tek postulati i njohur se demokracia në fund të fundit është dakordësi për rregullat e lojës: “Duket ashiqare që kjo dakordëri mungon. Kërkesa kryesore e opozitës është qeveria teknike si garanci kryesore për krijimin e kushteve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve ndërsa qeveria deri tani e ka quajtur të papranueshem këtë ultimatum. Opozita kërcënon me destabilitet dhe mosbindje civile, ndërsa mazhoranca përgjigjet me forcën e kartonit”.

Kjo situatë, në analizën e Kalemajt ndikon tek shoqëria “duke kërcënuar kapitalin social, që manifestohet te besueshmeria ndaj institucioneve, nxit polarizimin social dhe potencialisht ekonomik, redukton transparencën e vendim-marrjes dhe potencialisht çon në forcimin e autoritarizmit”

Sipas tij, “shoqëria shqiptare pret alternativa elektorale të besueshme, propozime të politikave publike, rritje cilesore të përfaqësimit politik dhe një debat mbi modelet e zhvillimit të vendit duke adresuar njëkohësisht problematikat më të mprehta”.

Por, a e ka kuptuar opozita këtë mesazh?

Krasniqi thotë se, ‘lidershipi i opozitës nuk është i gatshëm ta pranojë dhe as ta përcjellë”

Pse?

“Sepse do të kërkonte reformim dhe ndryshim themelor të saj. Për të pasur një opozitë të suksesshme është e nevojshme të ketë një qasje alternative konstruktive pozitive në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe konstruktive edhe në raport me drejtësinë”, përgjigjet ai

Ne foto: Ervin Salianji pas vendimit te gjykates se Apelit qe linte ne fuqi vendimin per 1 vit burg ndaj tij Foto e marre nga LSA

Ervin Salianji ishte nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së dhe vendimi ndaj tij për një vit burgim është marrë në dy shkallë.

Që do të thotë një akt juridik i marrë në dy nivele.

Por pjesa më e madhe e opozitës e konsideron një akt politik.

Krasniqi vëren se, “Salianji nuk është një individ që bën pjesë në lidership apo ka shprehur ndonjëherë në karrierën e tij ndonjë vizion politik të caktuar, që deri diku e dëmton opozitën”

Sipas tij, “opozita duhet të mësojë nga gabimet, për pasojë të mos i përsërisë dhe të ketë një proces rishikimi brenda saj”

Por deri sa të shkohet tek reflektimi, Kalemaj në anën tjetër nxjerr në pah një problematikë shumë më të madhe sesa vetë pasoja e veprimeve politike të një partie, qoftë ajo më e madhja në opozitë.

“Ndërkohë, vendi duket i kapërthyer në kriza ciklike ku faktorizohen muskujt në vend të mendjes, simbolika dhe imazhi në vend të politikave publike, ngecja e elitave në vend të qarkullimit të tyre dhe dështimi i reformave në vend të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe mirëqënies shoqërore”.

The post Aksioni i PD “një mesazh brenda familjes” apo “kërcënim i kapitalit social”? appeared first on Faktoje.al.

Vdekja e papritur e atletes 23-vjeçare nxit teoritë e pabaza anti-vaksinë

By: FAKTOJE
2 October 2024 at 15:42

Pretendimi: Atletja 23-vjeçare vdiq si pasojë e efekteve anësore të vaksinës anti-Covid

Verdikti: E paprovuar

———————————————————

Grupet anti-vaksinë vazhdojnë të shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit është një atlete 23-vjeçare amerikane e quajtur Shelby Daniele.

Daniele u diplomua me një diplomë në bujqësi në 2023 dhe së fundmi përfundoi masterin me dallime në Universitetin Politeknik të Kalifornisë. Gjatë gjithë karrierës së saj atletike, Daniele vendosi rekorde, duke patur kohën më të shpejtë të vrapit në 200 metra me 24.69 sekonda.

Shelby Daniele humbi jetën si pasojë e një aneurizme në tru, sipas një postimi të Brian Brandenburg, babai i një nga shoqeve të saj të skuadrës.

Një aneurizëm i trurit shkaktohet nga nga fryrja e një ene gjaku në tru, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën nëse këputet. Aneurizmat mund të ndodhin tek kushdo, por janë më të përhapura tek gratë dhe simptomat ndryshojnë në varësi të gjendjes së aneurizmës.

Nuk ka prova se Daniele vdiq si pasojë e efekteve anësore të vaksinës anti-Covid. 

Në një studim të vitit 2022 që evidentoi tre raste të aneurizmit në tru pas vaksinimit me vaksina mRNA anti-Covid, personat ishin gra të moshës 44–75 vjeç, të cilat kishin pësuar aneurizëm 0-3 ditë pasi kishin marrë dozën e parë të vaksinës mRNA. 

Daniele ishte shumë më e re, dhe nuk është konfirmar nëse kishte marrë vaksinën, kur dhe sa doza.

The post Vdekja e papritur e atletes 23-vjeçare nxit teoritë e pabaza anti-vaksinë appeared first on Faktoje.al.

I rremë lajmi për arrestimin e shqiptarit me “flokë të rilindur”

By: FAKTOJE
2 October 2024 at 15:22

Pretendimi: Një person u arrestua në aeroportin e Parisit sepse nuk i ngjante fotos në pasaportë pasi kishte përdorur një produkt për rritjen e flokëve.

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

————————————————————

Artikulli në një faqe, që është dizenjuar për t’u dukur si një media e mirëfilltë tregon një histori të çuditshme dhe qesharake sipas së cilës, një burrë i quajtur Arben Berisha, është arrestuar në aeroportin Charles de Gaulle sepse kontrolli i aeroporit nuk besonte se ai ishte personi në foton e pasaportës së tij.

Kjo ngatërresë, sipas artikullit, u shkaktua nga efektiviteti i tepërt i “mjetit të tij të ri kundër tullacisë,” një shampo të cilën mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 9700 lekë, ose 3900 lekë me ulje.

Praktikisht, i gjithë artikulli, faqja, dhe historia gazmore janë stisur për të shitur pikërisht këtë produkt, i cili premton se mund të zëvendësojë transplantin e flokëve nëse përdoret. Çuditërisht, faqja nuk liston përbërësit e shampos, por thekson vetëm se ato janë natyralë. 

Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se burri në foto, i quajtur “Arben Berisha” nga artikulli, ëhstë në të vërtetë një iluzionist maltez i quajtur Brian Role.

Ironikisht, fotot e përdorura në artikull janë marrë nga një video që tregon rezultatin e operacionit të mbjelljes së flokëve që Role ka bërë në 2014. Kujtojmë që transplanti i flokëve është pikërisht ajo çka shampo që artikulli po shet pretendon të zëvendësojë.

Ndërkohë, një tjetër person, të cilën artikulli e prezanton si “Mathis Lefèvre, Agjent i shërbimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar Charles de Gaulle në Francë” rezulton të jetë një Željko Hvalec nga policia e qytetit slloven Novo Mesto. Foto e tij është marrë nga një artikull i janarit 2024 në gjuhën sllovene.

Artikulli prezanton foto të tjera që pretendon se tregojnë shqiptarë para dhe pas trajtimit me shampon që po shet. Edhe këto foto janë marrë nga faqeklinikavetransplantimit të flokëve dhe tregojnë persona para dhe pas operacioneve të transplantit.

The post I rremë lajmi për arrestimin e shqiptarit me “flokë të rilindur” appeared first on Faktoje.al.

Satirë video që zbulon krijimin e këngëtarëve në laboratoret e Walt Disney

2 October 2024 at 12:03

Pretendimi: Kjo kronikë tregon se si Disney krijon këngëtarë dhe aktorë në laboratorë

Verdikti: Satirë

—————————————————–

Një video që po shpërndahet në hapësirat konspiracioniste duket se tregon një emision televiziv që shpjegon se si gjeneticistët e Disney krijojnë aktorët dhe këngëtarët fëmijë në laboratorin e tyre.

Përpara se lexuesi të shqetësohet për fëmijët, duhet theksuar se ky është një tjetër rast i një videoje satirike që merret seriozisht nga mendja konspiracioniste, e etur për konfirmim të bindjeve të saj, sado qesharake mund të jenë ato.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht në vitin 2008 në kanalin e Youtube të medias satirike amerikane The Onion. Video qartazi ironizon ngjashmërinë e madhe të aktorëve dhe këngëtarëve të lançuar nga Disney, të cilët kanë parametra aq të njejta sa duken sikur janë prodhuar në masë në laborator.

Në seksionin “Rreth nesh” në faqen e internetit të The Onion, botuesi pranon se përdor “emra të shpikur në të gjitha tregimet e tij, me përjashtim të rasteve kur figurat publike satirizohen. Çdo përdorim tjetër i emrave të vërtetë është i rastësishëm dhe i rastësishëm.”

The post Satirë video që zbulon krijimin e këngëtarëve në laboratoret e Walt Disney appeared first on Faktoje.al.

Hyn në fuqi indeksimi i pensioneve

1 October 2024 at 15:36

Nga ky muaj, 791,257 pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë indeksim në pagesat e tyre mujore në masën 4,1%.

‘Synimi kryesor i indeksimit është që të ruajmë fuqinë blerëse të pensioneve, kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit.’, deklaroi ministri i ekonomisë Blendi Gonxhe, teksa lajmëronte vendimin e qeverisë për indeksimin e pensioneve.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar mujor në zonat urbane rezulton 18,234 lekë. Kjo nënkupton, se nga indeksimi 4,1% pensionistët në qytet do të përfitojnë mesatarisht 748 lekë më shumë duke nisur nga ky muaj.

Burimi: ISSH

Në zonat rurale, pensioni mesatar mujor rezulton 11,051 lekë. Për këtë kategori, shtesa nga indeksimi llogaritet 453 lekë në muaj.

Po ashtu, rreth 400 lekë më tepër do të marrin dhe personat me pension invaliditeti në qytet. Ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 550 lekë më shumë.

Indeksimi i pamjaftueshëm

Referuar ligjit 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve.

Qeveria thotë se indeksimi mbulon ndryshimin e çmimeve të shportës, ku përfshihen kryesisht ushqimet, për periudhën gusht 2023 – gusht 2024, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve, të cilat rezultojnë të jetë rritur po në masën 4,1 përqind.

Burimi: INSTAT

Vetë pensionistët shprehen të pakënaqur për shtesën 4,1 %. Sipas tyre, jetesa është shtrenjtuar dhe shpenzimet për ushqimet bazë janë të papërballueshme.

Edhe ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë të pamjaftueshëm indeksimin e pensioneve në masën 4,1 %.

“Burimet e të ardhurave të pensionistëve janë fikse, ndërsa kostoja e mallrave vazhdon të rritet për ta, të paktën 3 vitet e fundit. Duke qenë se të ardhurat e tyre janë fikse, fuqia e tyre blerëse është ulur. Mallrat dhe shërbimet që ishin të përballueshme disa vite më parë tani janë një shqetësim i madh.”, argumenton Eduard Gjokutaj.

“Në fakt nevojitet që të paktën shtesa vjetore e pensioneve të jetë mesatarisht në vlerën 1,800 lekë/muaj që të konsiderohet se ka plotësuar realisht vlerën e humbur të fuqisë blerëse të pensioneve në 3 vitet e fundit.”, shpjegon ai.

Përfundim

Nisur nga verifikimi dhe informacionet e mbledhura deklaratën e ministrit të ekonomisë Blendi Gonxhe, për indeksimin e pensioneve nga muaji tetor e vlerësojmë të vërtetë.

The post Hyn në fuqi indeksimi i pensioneve appeared first on Faktoje.al.

Ulja e temperaturave ditët e fundit jo rezultat i kontrollit të motit nga sistemi HAARP

1 October 2024 at 15:24

Pretendimi: Luhatjet e shpejta të temperaturave në Kosovë shkaktohen nga sistemi HAARP dhe kemtrajlet

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Në një video të postuar në fund të shtatorit nga Arianit Sllamniku, i njohur edhe nga publiku në Shqipëri si një nga komentuesit e teorive konspiracioniste, pretendohet se rënia e menjëhershme e temperaturave në Gjilan është shkaktuar nga famëkeqi sistemi HAARP

“Ora është 21:21 dhe në këtë orë i kemi këto temperatura të motit. Pra i kemi sot 25 gradë, nesër 28, të premten 30, të shtunën 30, të dielën 17. Të hënën tjetër 15. Qysh ka mundësi me u shpjegue kjo rënie prej gati 15 gradë brenda ditës? Ky është pra, të dashur dhe të nderuar, sistemi HAARP që kur do ta bën 30 gradë dhe kur do ta bën 15 gradë e 17 gradë. Sistemi HAARP i bashkëdyjëzuar me kemtrajle, ato vijat lart,” komentohet në video.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Për vetë stinën në të cilën ndodhemi ulja e temperaturave është më normale se vijimi i ditëve të nxehta. Siç tregohet në hartën e mëposhtme, më 29 shtator, Gjilani është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore relativisht të lagështa, gjë që shkakton rënie të temperaturave. 

Rekordi botëror për ndryshimin më të madh të temperaturës brenda 24 orë është regjistruar më 14-15 janar 1972 në Montana, ShBA, kur temperatura u ngrit nga -47.7°C në 9.4°C. Ndërsa rënia më e madhe e temperaturës në 24 orë është regjistruar po në Montana, më 23-24 janar 1916, kur temperatura ra 56°C, nga 7°C në -49°C.

Të dyja këto rekorde janë regjistruar përpara se HAARP të ekzistonte.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.

The post Ulja e temperaturave ditët e fundit jo rezultat i kontrollit të motit nga sistemi HAARP appeared first on Faktoje.al.

Byzylykët e bakrit nuk shërojnë dhimbjet e artritit

1 October 2024 at 13:47

Pretendimi: Byzylykët e bakrit ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

Verdikti: Mungon konteksti

VJOLANDA PECA

Rrjetet sociale janë një mundësi e mirë për të propaganduar edhe trajtimet alternative. Së fundmi, një video ka tërhequr vëmendjen për pretendimin se byzylykët e bakrit ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

Pavarësisht besimeve popullore, studimet tregojnë se byzylykët e bakrit nuk ofrojnë ndihmë të rëndësishme për simptomat e artritit.

Një nga studimet më të rëndësishme u krye në vitin 2013, ku u përfshinë 70 pjesëmarrës që testuan lloje të ndryshme byzylykësh: një byzylyk bakri, një byzylyk magnetik standard, një byzylyk magnetik më të dobët dhe një byzylyk jo-magnetik si kontroll. Rezultatet treguan se nuk kishte përmirësime të dukshme në dhimbje, funksionin e nyjave ose inflamacionin tek asnjë nga pjesëmarrësit.

Dr. Stewart Richmond, që drejtoi studimin, theksoi se individët me artrit reumatoid mund të kenë më shumë përfitime nga trajtime të tjera të provuara, si p.sh. vajrat e peshkut, që kanë më shumë prova për efektivitetin e tyre.

Disa mbështetës të byzylykëve të bakrit argumentojnë se trupi mund të absorbojë copëza të vogla bakri përmes lëkurës, çka mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit të nyjave. Edhe pse bakri është një nutrient thelbësor për shëndetin e kockave, nuk ka dëshmi të mjaftueshme që mbështesin përthithjen përmes byzylykëve.

Megjithatë, ata që e gjejnë të dobishëm byzylykët e bakrit mund të përfitojnë nga efekti placebo, apo efekti psikologjik kur pacienti mendon se është shëruar edhe pa marrë një trajtim të vërtetë.

Kompani që shesin byzylykë bakri shpesh bëjnë pretendime të paqarta që nuk kanë mbështetje shkencore. Fraza si “përdoren për shërim nga njerëzimi për shekuj” duken tërheqëse, por nuk ofrojnë prova të efektivitetit. Edhe pse bakri është një nutrient i rëndësishëm, mbajtja e një byzylyku nuk përmirëson efektet terapeutike.

Si përfundim, nuk ka prova të forta që tregojnë se byzylykët e bakrit ndihmojnë me artritin.

The post Byzylykët e bakrit nuk shërojnë dhimbjet e artritit appeared first on Faktoje.al.

Paga minimale në shkallë vendi nuk u rrit në 700 mijë lekë

1 October 2024 at 11:51

Pretendimi: Qeveria Rama përcakton pagën minimale në 700 mijë lekë

Verdikti: Mungon konteksti

VJOLANDA PECA

Njoftimet për rritjen e pagave dhe pensioneve ngjallin gjithmonë interes nga lexuesit. Me këtë entuziasëm është pritur edhe vendimi i fundit i qeverisë për rritjen e pagave në administrate vendore, vendim i cili do të sjellë rezultate konkrete në pagën e muajit shtator për punonjësit e bashkive.

Gjatë këtyre ditëve kur pritet të tërhiqet paga e parë e rritur, portali Rilindje ka publikuar një titull që njofton se “Paga minimale shkon 700 mijë lekë të vjetra. Vendimi i Qeverisë Rama, kush përfiton prej shtatorit…“.

Titulli ka shërbyer për të tërhequr vëmendjen e lexuesit duke mos specifikuar se kjo rritje e pagës minimale është e vlefshme vetëm për një grup të caktuar punonjësish.

Sipas, vendimit të Këshillit të Ministrave, në 1 mars 2023, “paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi është 40 000 (dyzet mijë) lekë.”

Ky nivel minimal i pagës, i detyrueshëm të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, vijon të jetë i pandryshuar pavarësisht rritjeve të fundit në paga.Mbi bazën e pagës minimale llogaritet gjithashtu norma e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe tatimi mbi të ardhurat.

Vendimi i Qeverisë

Vendimi i qeverisë hap rrugën për një rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e bashkive në të gjithë vendin. Sipas këtij vendimi, paga minimale në të gjitha bashkitë do të rritet nga 320 mijë lekë në 700 mijë lekë të vjetra.

Në mënyrë më specifike, për Bashkinë Tiranë, paga minimale për kryebashkiakun është caktuar në 268.000 mijë lekë, ndërsa maksimumi arrin deri në 318.750 mijë lekë. Për njësitë e qeverisjes vendore me numër banorësh midis 50 mijë dhe 200 mijë, paga për kryebashkiakun minimumi është 157.000 deri deri në 260.000.

Ndërsa specialistët e administratës lokale do të përfitojnë paga që variojnë nga 400 mijë deri në 800 mijë lekë në muaj, në varësi të nivelit të përgjegjësisë dhe kompleksitetit të punës, e deri tek sekretari i përgjithshëm, i cili maksimalisht do të paguhet 180.000 lekë.   

I pyetur nga Faktoje, eksperti Agron Haxhimali, drejtor i Institutit Shqiptar të Bashkive, këtë reformim të sistemit të pagave e sheh si një mjet për të zvogëluar hendekun mes bashkive me popullsi të vogël dhe atyre me popullsi më të madhe.

“Ka një barazim pagash per nivel specialistesh në përgjithësi pa dallim madhësie bashkie, dhe këtu janë të avantazhuara bashkitë e vogla”- thotë z.Haxhimali. Por ajo që ngrihet si pikëpyetje prej tij është mundësia e bashkive për të përballuar nga buxhetet e tyre këtë rritje.

The post Paga minimale në shkallë vendi nuk u rrit në 700 mijë lekë appeared first on Faktoje.al.

❌
❌