Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 October 2024KultPlus

Publikohet lista e përfituesve të skemës ‘Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese’, me buxhet 150 mijë euro

By: Kult Plus
7 October 2024 at 15:38

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se është publikuar lista e përfituesve të skemës “Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese”.

“Qëllimi kryesor i kësaj skeme është ta ndihmojë mësimdhënien e bazuar në punë hulumtuese duke financuar veprimet mësimore të bazuara në punë hulumtuese, të cilat propozohen nga mësimdhënësit e universiteteve për lëndë specifike për t’i përtërirë agjendat aktuale të mësimdhënies”, shprehet Nagavci, transmeton Klankosova.tv.

Buxheti i planifikuar për këtë skemë mbështetëse është 150 mijë euro, ku do të ofrohen 15 grante në vlerë prej 10 mijë euro. Kjo skemë financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe Projekti HEI’25.

“Pas kalimit nëpër një proces transparent, secili aplikim është vlerësuar nga 3 ekspertë të angazhuar nga Diaspora shqiptare në arsimin e lartë në Evropë dhe ShBA, ndërsa lista me pikët e vlerësimit nga ekspertët ka kaluar nëpër Jurinë e emëruar për këtë program te udhëhequr nga Prof. Bruno Sergi nga Universiteti i Harvardit. Kjo listë tashmë është miratuar edhe nga Këshilli Shkencor në MASHTI.  Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese 15 ditë nga dita e shpalljes së këtij njoftimi”, shton tutje ministrja.

The post Publikohet lista e përfituesve të skemës ‘Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese’, me buxhet 150 mijë euro appeared first on KultPlus.

Për romanin “Fabulat e komunizmit”, Anita Likmeta u nderua me çmimin letrar “Giuseppe Dessì”

By: KultPlus
7 October 2024 at 15:15

Shkrimtarja shqiptare Anita Likmeta është vlerësuar me çmimin “Giuseppe Dessì” për romanin e saj “Fabulat e komunizmit”, çmim që i është në edicionin e 39-të të këtij vlerësimi letrar në Itali.

Për këtë arritje ka njoftuar edhe Anita Likmeta e cila është shprehë të jetë e lumtur për këtë vlerësim./ KultPlus.com

The post Për romanin “Fabulat e komunizmit”, Anita Likmeta u nderua me çmimin letrar “Giuseppe Dessì” appeared first on KultPlus.

79-vjetori i themelimit i Lidhjes së Shkrimtarëve

By: Kult Plus
7 October 2024 at 15:13

 Më 7 tetor të vitit 1945, u krijua në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se dy vjet më pas, në vitin 1947, këtij organi i bashkëngjitet edhe Lidhja e Artistëve, duke bërë bashkë kështu letrarët me kastën e artistëve të vendit.

Në fillesat e saj, Lidhja (LSHA) numëronte 70 anëtarë, ku bënin pjesë po ashtu gazetarë dhe gjuhëtarë. Mandej, numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj, u zgjodh Sejfulla Malëshova, ndërsa detyra honorifike e presidentit iu ngarkua Fan Nolit. Në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte parakushti që nuk do të pranohej anëtar asnjë prej atyre shkrimtarëve, publicistëve e gazetarëve që i shërbyen me veprat e tyre okupatorit e që konsideroheshin armiq të popullit.

Disa prej pasuesve të Malëshovës në krye të LSHA-së ishin: Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari etj.

LSHA-ja kishte organet e saj letrare dhe artistike, sikurse: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare”, “Revista letrare” etj./ atsh/ KultPlus.com

The post 79-vjetori i themelimit i Lidhjes së Shkrimtarëve appeared first on KultPlus.

Ministri Çeku për akademik Tahir Emrën: Vepra e tij mbetet përgjithmonë në historinë e kulturës kombëtare

By: Kult Plus
7 October 2024 at 14:49

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së akademikut të ndjerë, Tahir Emrës.

Ministri Çeku përmes këtij telegrami është shprehur se piktori dhe akademiku Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit dhe se vepra e tij do të vazhdoj të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme. Vepra dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë në historinë e kulturës sonë kombëtare, si frymëzim për brezat e ardhshëm.

Ngushëllimet me të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, thuhet në telegramin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

The post Ministri Çeku për akademik Tahir Emrën: Vepra e tij mbetet përgjithmonë në historinë e kulturës kombëtare appeared first on KultPlus.

Publikohet lista e këngëtarëve për edicionin e 63 të RTSH-së, emra të famshëm synojnë Eurovisionin

By: KultPlus
7 October 2024 at 14:46

Sapo është publikuar lista e këngëtarëve pjesëmarrës për edicionin e 63 të Festivalit të RTSH-së, e që në këtë listë ka mjaftë emra që tashmë janë treguar në fushën e muzikës, KultPlus ju sjell listën e plotë të këngëtarëve.

Lista e këngëtarëve që do të garojnë në FIK 63, sipas rendit alfabetik:

Algert Sala

Alis Kallacej

Ardit Çuni

Devis Xherahu

Djemtë e Detit

Elvana Gjata

Endrik Beba

Epos Grup

Erma Mici

Frensi Revania

Gjergj Kaçinari

Gresa Gjocera

Jet

Kejsi Jazxhi

Kleansa Susaj

Laurjan Ejlli ft. Adelina Corraj

Lorenc Hasrama

Luna Çausholli

Mal Retkoceri

Martina Serreqi

Mihallaq Andrea

Nita Latifi

Olsi Bylyku

Orgesa Zaimi

Rea Nuhu

Ronaldo Mesuli

Santino De Bartolo

Shkodra Elektronike

Stine

Vesa Smolica./ KultPlus.com

The post Publikohet lista e këngëtarëve për edicionin e 63 të RTSH-së, emra të famshëm synojnë Eurovisionin appeared first on KultPlus.

‘Ja çfarë shikoj nga dritaret e ambasadës amerikane në Tiranë’- rrëfimi i hollësishëm i ambasadorit Herman Bernstein

By: Kult Plus
7 October 2024 at 14:26

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Tetor 2024

“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në mars të 1932, në faqet n°3-6, rrëfimin e hollësishëm të ambasadorit Herman Bernstein mbi atë çka ai vështronte asokohe rreth e rrotull ambasadës amerikane në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria  Vendi i Popullit të Shqiponjës

(Pamje nga dritaret e Legatës Amerikane në Tiranë)

Nga Herman BERNSTEIN, Ministër amerikan në Shqipëri

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga dritaret e Legatës së re Amerikane në Tiranë mund të shihen shumë pamje të çuditshme dhe magjepsëse, të cilat ofrojnë një pamje të jetës shqiptare në të gjitha ngjyrat dhe nuancat e saj të larmishme.

Nga dritaret e përparme mund të shoh kopshtin tonë me lule të kujdesur nga një kopshtar shqiptar që pretendon se ka punuar në pallatin e vjetër të Sulltanit në Kostandinopojë dhe nga një ish-oficer rus që kishte ikur nga bolshevikët dhe kishte shërbyer në forcat Wrangell dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri me ushtrinë e vogël të drejtuar nga Ahmet Zogu kur u kthye në pushtet pas mërgimit të tij në Beograd. Më tutje, te porta e Legatës, qëndron shtëpiza e dy kavasëve të Legatës, Sulejmanit dhe Rasimit, shqiptarë që kanë kaluar (jetuar) disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulejmani konsiderohet nga shqiptarët si me fat të veçantë jo vetëm për faktin se ai punon në Legatën Amerikane, por edhe sepse është babai krenar i pesë djemve. Vajzat kërkojnë pajë kur martohen në Shqipëri, ndërsa djemtë u sjellin prikë prindërve.

Përpara portës së Legatës ndodhet rruga e re që të çon nga Durrësi në Elbasan dhe Korçë. Durrësi, në Adriatik, është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Qyteti, tani i vogël, me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, dikur ishte një qendër e madhe tregtare, që lidhte Perëndimin me Lindjen. I ndërtuar rreth 700 vjet para epokës së krishterë, Durrësi, i njohur në të kaluarën si Dyrrachium (Dyrrahu), dëshmoi skena lavdie, betejash të përgjakshme, të konfliktit midis ushtrive të Cezarit dhe Pompeut dhe të kryqtarëve në rrugën e tyre për në Tokën e Shenjtë. Besohet se edhe atje, në brigjet e Adriatikut, Shën Pali ka predikuar krishtërimin.

Rruga e re e Elbasanit, tashmë në përfundim, të çon në Korçë, e cila është një nga qytetet më përparimtare dhe moderne të Shqipërisë, kryesisht për shkak të ndikimit të shqiptarëve të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që u kthyen në Korçë pasi kishin përvetësuar pasuri të konsiderueshme materiale dhe mënyrat e zakonet e Amerikës. Disa u kthyen për vizita në tokën e tyre të lindjes dhe sollën me vete konceptet e biznesit dhe metodave të bujqësisë amerikane dhe një standard më të lartë jetese, i cili u prezantua gradualisht në rrethin e Korçës. Për vite me radhë Korça ka marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme të dërguara nga shqiptarët amerikanë për të afërmit e tyre në vendlindjen e tyre. Për këtë arsye Amerika është e njohur në Shqipëri. Shqipëria i është gjithashtu mirënjohëse Amerikës për ndihmën e Presidentit të ndjerë Wilson dhënë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në një periudhë shumë kritike gjatë Konferencës së Paqes. Arsyet e tjera për vlerësimin e Amerikës nga Shqipëria janë shkollat amerikane në Tiranë dhe Kavajë, të drejtuara nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Fondacioni i Lindjes së Afërt, si dhe puna kundër malaries e Fondacionit Rockefeller.

Përtej rrugës së re të Elbasanit mund të shoh nga dritaret tona të përparme një fushë të madhe, kazerma, ushtarë që bëjnë ushtrime; kuajt, lopët, delet duke kullotur — skena të stërvitjes ushtarake të përziera me idilet baritore të paqes. Ndonjëherë dëgjoj zhurmën e mitralozëve që jehojnë në male. Dhe menjëherë pas kësaj dëgjoj barinjtë që luajnë melodi të këndshme në fyellin e tyre, ose fshatarë që këndojnë këngë orientale ndërsa kalojnë mbi kuajt e tyre të vegjël ose gomerët e vegjël. Aty-këtu shoh shtëpi të reja të shpërndara nëpunësish e fisnikësh shqiptarë. Përballë Legatës Amerikane do të ngrihen edhe disa prej legatave të huaja. Në një distancë të shkurtër, shihni kodrën në të cilën po ndërtohet pallati i ri i nënës mbretëreshë.

Teksa kthehem nga dritaret në të djathtë, përballë qytetit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, që mban emrin e Teheranit rreth 300 vjet më parë, shoh kope delesh bardh e zi, buaj, lopë, selvi madhështore, xhami, minare të holla të bardha. Më pas pallati modest i nënës mbretëreshë dhe pesë princeshave, motrat e mbretit Zog, burgu i ri, ndërtesat e reja ministrore mjaft imponuese dhe Bashkia në qendër të Tiranës; pallati i vjetër i Mbretit Zog, i vetmi mbret në Evropë që ka ardhur në pushtet si bir i një prijësi të shquar malësor, trim, i cili luftoi për vendin e tij në rini, i cili më pas mbajti postet e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Presidentit, dhe i cili në vitin 1928 u shpall Mbret nga Asambleja Kushtetuese. Udhëheqësi i Popullit të Shqiponjës, siç njihen shqiptarët, është një i ri 36-vjeçar shtatlartë, i hollë, inteligjent, i cili sillet me një dinjitet dhe ekuilibër të thjeshtë por mbresëlënës.

Natën dritat e Tiranës shkëlqejnë me gëzim dhe e bëjnë kryeqytetin të duket shumë më i madh se sa është. Në festat kombëtare rrugët, kulla e sahatit dhe minaret janë zbukuruar me flamujt e Shqipërisë Kuq e Zi dhe me ndriçim elektrik shumëngjyrësh.

Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga xhamat e pasmë dalloj Alpet e purpurta shqiptare në perëndimin e diellit, me malin e Dajtit të mbuluar me borë në qendër. Shoh shpesh aeroplanë që fluturojnë sipër, shqiponja që fluturojnë, borë në majë të malit, gjeth të gjelbër në rrëzë të malit dhe në kopshtin tonë, jo shumë larg, trëndafila të lulëzuar në dhjetor. Unë shoh disa banesa të ulëta, tipike shqiptare me çati të kuqe prej tullash balte; mullarë të artë të rregulluar në dizajn fantastik; hijet e reve që bien përtej malit; dhe herë pas here ylberë të dyfishtë të shndritshëm shqiptarë në sfondin e malit të Dajtit. Përtej këtyre Alpeve është Kruja, shtëpia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Uashingtonit shqiptar që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe për disa vite qëndroi fitimtar kundër turqve. Skënderbeu, lavdërimi i të cilit u këndua nga Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”, ishte jo vetëm një ushtar dhe çlirimtar i madh, por, duke gjykuar nga testamenti i fundit për të birin, edhe një burrë shteti i mençur dhe largpamës.

Nga dritaret në të majtë shoh rrugën dredha-dredha për në EIbasan, rrugën e famshme romake Via Egnatia, e cila në ditët e para të epokës së krishterë të çonte nga Durrësi në Selanik. Unë shoh kodra të ulëta, në njërën prej të cilave qëndron një vend i shenjtë i braktisur bektashian i rrethuar me pemë. Më poshtë është një kasolle e vogël, e përdorur tani si kafene, ku ciganët kërcejnë dhe luajnë muzikën e tyre me zë të lartë, të çuditshëm, shpesh rrëqethës gjatë gjithë natës, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Shumë nga burrat dhe gratë që kalojnë përgjatë rrugës së Elbasanit janë të rreckosur, zbathur. Ndonjëherë veshin kostume të qëndisura artistikisht me dizajne të pasura dhe të bukura. Herë pas here një me beben e saj. Shpesh një grua e mbuluar, hipur mbi një gomar, duke mbajtur fëmijën e saj në njërin krah dhe duke mbajtur një ombrellë të hapur në dorën tjetër — jo për ta mbrojtur atë nga shiu apo nga rrezet e diellit të shndritshëm, por më tepër si një shenjë dallimi midis myslimanëve shqiptarë.

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Shoh një kortezh të gjatë gomerësh, kuajsh, mushkash, buajsh, qesh, sidomos të enjteve, kur fermerët e fshatrave fqinjë dalin në treg në Tiranë. Kafshët janë të vogla dhe të holla; burrat dhe gratë janë të dobët, të drejtë, me pamje të trishtuar, rrallë të buzëqeshur, shpesh duke kënduar me ankth, zërat e tyre kumbojnë qartë si kambana argjendi. Tani shoh një hoxhë, të gjatë, të veshur me një çallmë jeshile, të hipur mbi një gomar të vogël, me këmbët që lëkunden në mënyrë ritmike, gati duke prekur tokën. Populli, edhe pse ende supersticioz, nuk njeh konflikte apo grindje fetare në Shqipëri. Udhëheqësit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve jetojnë në harmoni dhe besimtarët e tyre ndonjëherë vizitojnë vendet e lutjes së njëri-tjetrit. Ndërsa shikoj nga dritaret e Legatës, shoh Tiranën në rritje, kryeqytetin e Popullit të Shqiponjës, duke marrë formën moderne, njerëzit që përvetësojnë nga jashtë rrugët përparimtare të Perëndimit, por ende të kapur pas disa prej traditave të tyre të shkëlqyera të lashta të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim me shekuj; ndërtimi i një shteti të pavarur, më i vogli nga shtetet ballkanike, i cili mban një pozicion kaq të rëndësishëm në Adriatik. Në Shqipëri, Orienti dhe Perëndimi gërvishten si në pak vende të tjera. Femrat shqiptare vlerësohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton vetëm është e sigurt kudo në Shqipëri. Dhe asnjë burrë nuk duhet të ketë frikë nga hakmarrja stërgjyshore e një armiku nëse shoqërohet nga një nga gratë e tij. Mikpritja proverbiale dhe ndjenja e nderit e shqiptarëve nuk janë ndryshuar gjatë marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit.

Një ditë, turistët në kërkim të peizazheve të çuditshme dhe të bukura, zakoneve dhe kostumeve të veçanta do të zbulojnë këtë vend nga më piktoreskët në Evropë. Nëse vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, do të jetë tepër vonë. Pjesa më e madhe e sharmit magjepsës të Shqipërisë po zhduket, duke i lënë vendin kostumeve perëndimore dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne./ KultPlus.com

The post ‘Ja çfarë shikoj nga dritaret e ambasadës amerikane në Tiranë’- rrëfimi i hollësishëm i ambasadorit Herman Bernstein appeared first on KultPlus.

„Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998“, ekspozita e Shkumbin Brestovcit që do të prezantohet në Berlin

By: KultPlus
7 October 2024 at 13:50

Më 9 tetor do të hapet ekspozita „Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998„, ekspozitë që është kuruar nga Shkumbin Brestovci  e që është organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, Akademinë e Shkencave të Austrisë dhe Leibniz-Institut für Ost- und Südosteuropaforschung.

Në hapjen ekspozitës do të mbahet një panel diskutimi me temën “Toka e largët, konflikti aktual: Mosmarrëveshja serbo-shqiptare mbi Kosovën në vitet 1990 dhe sot“, kurse do të qëndrojë e hapur deri më 25 tetor.

Ekspozita do të hapet në ndërtesën e Friedrich Ebert Stiftung, Hiroshimastraße 17-28, 10785 Berlin./ KultPlus.com

The post „Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998“, ekspozita e Shkumbin Brestovcit që do të prezantohet në Berlin appeared first on KultPlus.

Presidenti Begaj uron studentët: Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe jeni ju, rinia e saj

By: Kult Plus
7 October 2024 at 13:28

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka uruar studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Presidenti Begaj është shprehur se studentët janë brezi që do të ndërtojnë një Shqipëri të fortë dhe të qëndrueshme.

“Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që dëshironi.

Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj. Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka shkruar presidenti Begaj në “Facebook”./ KultPlus.com

The post Presidenti Begaj uron studentët: Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe jeni ju, rinia e saj appeared first on KultPlus.

Nesër, mbledhje komemorative për akademik Tahir Emra

By: KultPlus
7 October 2024 at 12:57

Sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.

Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com

The post Nesër, mbledhje komemorative për akademik Tahir Emra appeared first on KultPlus.

Taylor Swift është zyrtarisht muzikantja më e pasur në botë

By: Kult Plus
7 October 2024 at 12:54

Taylor Swift ka kaluar zyrtarisht Rihannën për t’u bërë muzikantja më e pasur femër në botë me një vlerë neto prej 1.6 miliardë dollarësh.

Swift tani kryeson listën e muzikantëve më të pasur, duke tejkaluar pasurinë neto të Rihannës prej 1.4 miliardë dollarësh.

Ky lajm u konfirmua nga revista Forbes, duke përditësuar gjendjen financiare të Taylor Swift, pas suksesit historik të turneut të saj “Eras” dhe popullaritetit të qëndrueshëm të muzikës së saj.

Përveç titullit të artistes më të pasur femër, ajo është edhe në vendin e dytë në listën e përgjithshme të muzikantëve më të pasur, pak pas Jay Z që ka 2.5 miliardë dollarë.

Ndryshe nga shumë muzikantë të tjerë të pasur, pasuria e Taylor Swift vjen kryesisht nga karriera e saj muzikore.

Ajo arriti për herë të parë statusin e miliarderes në tetor 2023 dhe është e vetmja muzikante në histori që ka një vlerë neto me 10 shifra kryesisht nga shitjet e albumeve dhe performancat live, dhe jo nga sipërmarrjet sipërmarrëse.

Vetëm një vit më vonë, Forbes vlerëson se 600 milionë dollarë nga pasuria e Taylor Swift vijnë nga turneu dhe honoraret, 600 milionë të tjera nga vlera e katalogut të saj muzikor dhe 125 milionë dollarë nga investimet në pasuri të paluajtshme.

Swift është në prani të vazhdueshme në listën e “muzikantëve më të pasur”, por rritja e saj financiare në vitet e fundit ka qenë befasuese.

Që nga viti 2020, pasuria e saj neto vlerësohet në 365 milionë dollarë, që do të thotë se ajo ka grumbulluar rreth 1.2 miliardë dollarë vetëm në katër vitet e fundit./abcnews.al/ KultPlus.com

The post Taylor Swift është zyrtarisht muzikantja më e pasur në botë appeared first on KultPlus.

Artisti shqiptar Ramë Dardania ekspozon në Galerinë prestigjioze të Gjenevës

By: KultPlus
7 October 2024 at 12:42

Artisti shqiptar Ramë Dardania do të bëjë debutimin e tij në Galerinë prestigjioze “La Galeri” në Gjenevë, një hapësirë e njohur për ekspozitat e artistëve të nivelit botëror. Ekspozita e tij e re, e titulluar “Faces,” do të hapet me vernisazh më 15 tetor, duke e pozicionuar artin shqiptar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Për Ramë Dardaninë, pjesëmarrja në këtë ekspozitë është një arritje e veçantë, duke qenë se Gjeneva është një nga qendrat më të rëndësishme të artit.

Galeria ndodhet në zemër të qytetit të vjetër të Gjenevës, një zonë që përmbledh disa nga galeritë më të njohura të artit bashkëkohor dhe klasik. Vepra e Dardanisë do të shfaqet krah për krah me ato të artistëve të njohur ndërkombëtarë, një mundësi që jo vetëm e promovon artin shqiptar, por edhe e bën atë të dukshëm për një publik të gjerë dhe të rafinuar.

“Faces” është një koleksion i përqendruar tek diversiteti dhe shprehjet e fytyrës njerëzore, duke sjellë një qasje intime dhe introspektive për të kuptuar emocionet dhe përvojat e përbashkëta. Nëpërmjet përdorimit të ngjyrave të forta dhe detajeve të thella, Dardania kap momentet e ndjenjave të thella, duke krijuar një dialog të heshtur mes shikuesit dhe portretit.

Pjesëmarrja e Ramë Dardanisë në “La Galeri” është një dëshmi e zhvillimit të artit shqiptar dhe e angazhimit të tij për të sjellë përvoja unike artistike në skenën ndërkombëtare./ KultPlus.com

The post Artisti shqiptar Ramë Dardania ekspozon në Galerinë prestigjioze të Gjenevës appeared first on KultPlus.

Seriali shqiptar “Prokurori” sjell aktorin e madh hollivudian Danny Glover (VIDEO)

By: KultPlus
7 October 2024 at 12:35

Danny Glover është pjesë e serialit shqiptar “Prokurori”, ku episodi i parë do të jetë premierë më 10 tetor, në kinematë e Tiranës, kurse më 12 tetor në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky serial që është punuar me regju të Fatmir Doga, producentë Ylli Ujka e Cesk Ivanaj dhe drejtor të fotografisë Kushtrim Tërnava është i zhanrit aksion/ dramë dhe zhvillon përditshmërinë e popullit shqiptar, me fokus reformën në drejtësi dhe përballjen me krimin e organizuar dhe përfshirjen e politikanëve të korruptuar.  

Përpos aktprit të madh amerikan Danny Glover, me rolet e tyre janë përfshirë edhe aktorët: Klodian Hoxha, Romir Zalla, Gert Ferra, Marin Hoxha, Adriana Tolka, Sara Smaja, Desada Xhihani etj./ KultPlus.com

The post Seriali shqiptar “Prokurori” sjell aktorin e madh hollivudian Danny Glover (VIDEO) appeared first on KultPlus.

Shpallen fituesit e çmimit Nobel në mjekësi 2024, dy shkencëtarët amerikanë vlerësohen për zbulimin e mikroRNA

By: Kult Plus
7 October 2024 at 12:16

Çmimi Nobel në mjekësi 2024 u është dhënë dy shkencëtarëve amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për punën e tyre në mikroARN. Komiteti i Çmimit Nobel në Suedi vlerësoi “zbulimin novator” të biologëve amerikanë, për të cilin tha se “zbuloi një dimension krejtësisht të ri të rregullimit të gjeneve”.

Puna e tyre ndihmon në shpjegimin se si funksionojnë gjenet tona brenda trupit të njeriut dhe se si kjo krijon indet e ndryshme të trupit të njeriut.

Fituesit ndajnë një çmim me vlerë 11 milionë korona suedeze (810,000 £). Çmimi i këtij viti është çmimi i 115-të Nobel që jepet në fiziologji ose mjekësi që nga viti 1901. Nga 229 fitues, vetëm 13 kanë qenë gra.

Çmimi Nobel 2024 në fizikë do të shpallet të martën, pasuar nga çmimi i kimisë të mërkurën./abcnews.al/ KultPlus.com

The post Shpallen fituesit e çmimit Nobel në mjekësi 2024, dy shkencëtarët amerikanë vlerësohen për zbulimin e mikroRNA appeared first on KultPlus.

Është e diel përsëri

By: KultPlus
7 October 2024 at 11:54

Ndue Ukaj

Në mbretërinë e territ hëna shndrit e vetmuar.
Poshtë saj sytë e lodhur arratisen ëndrrave,
të tjerë të mërzitur i ankohen medaljonit të artë.
E shkuara po ia lë fronin ditës së re;
unë kthej kokën kah muri dhe kujtoj:
e shtuna tashmë ka karakteristikat e diçkaje që mund të
quhet histori.

Përsëri e diel, për mua, seria e të dielave të shumta,
që përbëjnë javë, muaj, vite, dekada, kalendar-
dhe disa valixhe të vjetruara kujtimesh që i tërheq pas
vetes.

Në jetë shpeshherë ndodh t’i ngatërrojmë valixhet,
ngarkohemi me kujtime të trishta,
si një tren nate që bartë zhurmë,
dëshira të venitura, vetmi dhe ca ëndrra.

Ndodh shpesh të rrugëtojmë udhëve të gabuara,
me ndjenja të harlisura, lajme të këqija,
vajtje – ardhje nëpër stacione për të parë sy të dashur
ose arratisje në kontinentin e mërzisë.

Kur jashtë i nxjerrim orët e kujtesës,
ngjajnë me rroba të zhubravitura.
Duhet t’u japim formë,
t’i hekurosim dhe mbushim rishtas me shpirt.

Ti thua se shumë kujtime treten rrugëve,
parqeve të qyteteve, plazheve të shpirtit,
pranë statujave mahnitëse të shkrimtarëve të zemrës.

I nxjerr në syprinën e ditës së re orët e fatit,
të pikëllimit, të gëzimit,
siç nxjerr udhëtari i kthyer prej viseve të largëta,
tregime,
perla, thesare të gjetura
dhe aty-këtu ndonjë njollë gjaku të tharë.

Njerëzit nxitojnë dhe kurrë s’e zënë kohën që duan,
as lumturinë që ëndërrojnë,
sepse ato janë ëndrra nate,
zgjatin pak, sa një sy gjumë.

Prandaj njerëzit tundohen t’i prishin kopshtet e tyre,
për një tjetër që e ëndërrojnë.

Ora lëviz, yjet ndritin,
hëna nëpër terr lundron e qetë,
një zog bredh prej dega në degë.

Mesnatë! Janë orët e dashurisë. Ekstazës. Ëndrrave.
Për dikë orë të errësirës, trishtimit,
dikush dëgjon nga Vivaldi “Katër stinët”,
një tjetër humbet poezive,
ndërsa diku me ngjyrë blu vizatohen sy të mallëngjyer,
ku futen anije të etura për lundrim.

Kur të shkuarës ia zë vendin dita e re,
asgjë s’duket e jashtëzakonshme.

E diel përsëri.
Unë hap ngadalë valixhen e mbushur me orë gëzimi,
dehje, vallëzim, ekstazë dhe préhje pranë një libri./ KultPlus.com

The post Është e diel përsëri appeared first on KultPlus.

‘E ardhmja hibride’, hapet edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës

By: Kult Plus
7 October 2024 at 11:35

Këtë fundjavë, në Durrës u çel edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor me temë Inteligjenca artificiale: “E ardhmja hibride”. 

Kjo temë bëri bashkë 40 artistë nga 17 vende të ndryshme të botës. Artistët pjesëmarrës kanë prekur kufijtë mes reales dhe surreales në veprat e tyre që janë ekspozuar në disa prej institucioneve dhe hapësirave publike të qytetit, duke përfshirë monumentet e trashëgimisë kulturore.

“Është një risi për Durrësin dhe vendin pasi nuk ka pasur një bienale kushtuar artit bashkëkohor. Patjetër që duhet të kthehet në një brand për qytetin për artin pamor dhe për ta kthyer atë në një hapësirë shumë të mirë promovimi për turizmin”, tha Oltsen Gripshi,  Kurator i Bienales.

Në ceremoninë e hapjes, u ndanë disa çmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin për Pavionin më të Mirë të Bienales që shkoi për pavionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Çmimin Special për Artistin e Ri që e mori Lai Junjie nga Kina, si dhe atë të karrierës për skulptorin shqiptar Sadik Spahija.

“Është sukses kjo bienale duke parë artistët pjesëmarrës që vijnë nga përvoja të rëndësishme dhe i bashkon shpirti. Inteligjenca artificiale padyshim qw do ta ndihmojë botën të bëhet më e mirë, por arti gjithnjë do të përfaqësojë, në bashkëpunim me të, një nga motivet bazë për zhvillimin e kulturës dhe njerëzimit“, tha Massimo Scaringella, kryetar i Jurisë.

Bienalja e Durrësit synon të kthehet në një event të qëndrueshëm duke i dhënë vlerë të shtuar dhe turizmit në Durrës. Punimet e saj do të vazhdojnë të ekspozohen deri më 24 nëntor./ Top Channel/ KultPlus.com

The post ‘E ardhmja hibride’, hapet edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës appeared first on KultPlus.

Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina

By: Kult Plus
7 October 2024 at 10:59

Ka thyer 11 rekorde Guinness në fushën e mozaikut dhe refuzon çdo ftesë që i vjen nga disa shtete të botës, sepse dëshiron që rekordin e 12-të ta realizojë dhe ekspozojë në Shqipëri.

Saimir Strati, artist i mozaikëve, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë krijon, e po ashtu merr ftesa për ekspozita dhe për të realizuar vepra të tjera, por shprehet i prekur që arti që bën, “nuk vlerësohet” në vendin e tij, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse ka një ftesë serioze, jam gati ta bëj rekordin e 12-të. Kam refuzuar shumë ftesa, sepse dua që ky rekord të shënohet në Shqipëri. Por, nuk do të bëj një vepër që të magazinohet dhe të ruhet diku fshehur dhe më pas të prishet”, thotë Strati.

Me keqardhje, ai thotë se shtatë rekordet që ka thyer me veprat që ka realizuar në Shqipëri, nuk kanë marrë vlerësimin që ka pritur.

Një nga punimet e Saimir Stratit.

Nuk është realizuar asnjë ekspozitë me to dhe nuk është marrë asnjë vendim për ta vlerësuar punën dhe veprën e tij, siç ka ndodhur në disa shtete ku ai ka realizuar vepra të tilla.

Mozaiku i Nënës Terezë i punuar nga Strat në Prishtinë.

The post Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina appeared first on KultPlus.

Vdes akademiku Tahir Emra 

By: Kult Plus
7 October 2024 at 10:30

Sot, në moshën 86 vjeçare ka vdekur piktori dhe akademiku Tahir Emra.

Emra ka qenë profesor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, si dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ai lindi më 10 mars të vitit 1938 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme të Artit në Pejë.

Akademinë e Arteve Figurative dhe studimet pasuniversitare i kreu në vitin 1966 në Beograd, në klasën e piktorit e pedagogut të shquar prof. Nedelko Gvozdenoviq.

Në Fakultetin e Arteve të Prishtinës ka punuar qysh prej themelimit të tij (1974), ku ka ligjëruar klasën e pikturës dhe të studimeve pasuniversitare me titullin profesor ordinar.

Veprat e tij gjenden në shumë galeri, muze dhe koleksione private dhe janë vlerësuar lart në aspektin artistik. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.Në vitin 2000 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./ KultPlus.com

The post Vdes akademiku Tahir Emra  appeared first on KultPlus.

Viti i ri akademik në Shqipëri, 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes

By: Kult Plus
7 October 2024 at 10:17

Kryeministri Edi Rama ka uruar studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025.

Në një video të studentëve dhe ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Rama shkruan: “Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”.

Janë rreth 20 studentë të rinj që do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve.Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha:

“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës./atsh/ KultPlus.com

The post Viti i ri akademik në Shqipëri, 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes appeared first on KultPlus.

Vjeshta në Klos, panair produktesh lokale dhe festival folklorik

By: Kult Plus
7 October 2024 at 09:58

Për të 5-tin vit radhazi, Fest Folk i organizuar në Bashkinë Klos, solli një përzierje të festës dhe kulturës lokale për të shënuar fillimin e vjeshtës me begati dhe gëzim.

I pranishëm ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili është shprehur se, mes tingujve të muzikës tradicionale, valleve popullore, ushqimeve tipike të zonës, kjo ishte një festë në mbështetje të vlerave të pasura të zonës.

Me “Fest Folk 5” dhe “Panairin e Vjeshtës”, qyteti është kthyer në një pikë të gjallë festimesh ku muzika popullore, vallet tradicionale dhe produktet e stinës kanë krijuar një atmosferë të veçantë.

“Fest Folk Klos” bëri një prezantim të vlerave artistike dhe kulturore të grupeve folklorike vendase dhe të tjera, ndërsa panairi “Vjeshtë në Klos 2024”, prezantoi prodhimet e fermerëve të zonës.

Kryetarja e Bashkisë, Valbona Kola përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, në Klos u mblodhën artistë nga çdo cep i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të interpretuar muzikë dhe valle popullore, si një rikthim tek rrënjët kulturore.

Artizanët dhe prodhuesit lokalë prezantuan produktet e tyre më të mira të stinës, duke u dhënë mundësi qytetarëve të shijojnë produktet bio, artizanatin unik dhe ushqimet e përgatitura me dashuri nga fermerët, nënat dhe fëmijët e zonës së Klosit.

“Nga grupet muzikore e deri te stendat e panairit, kjo ditë ishte një simbol i bashkimit, punës dhe krenarisë për kulturën dhe natyrën që na rrethon”, tha kryebashkiakja e Klosit, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen./ atsh/ KultPlus.com

The post Vjeshta në Klos, panair produktesh lokale dhe festival folklorik appeared first on KultPlus.

Qiell dimri

By: Kult Plus
7 October 2024 at 09:34

Poezi nga Ismail Kadare

Qiell dimri,
Dyndje kujtimesh.
Unë ndeza një cigare, u afrova te dritarja.
Më ngjan, se nuk bien flokë dëbore nga qielli.
Por mijëra letra, që kurrë nuk i mora.
Letra të largëta,
Shkruar nga duar të largëta,
Edhe se retë më të largëta./KultPlus.com

The post Qiell dimri appeared first on KultPlus.

❌
❌