Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 October 2024Sinjali

Kryesia vendos për seancë të re, diskutohet për raportet me ShBA-në dhe emigrimin e qytetarëve

7 October 2024 at 11:38

Kryesia e Kuvendit ka mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite ishin pikat e pa përfunduar nga seanca e datës 28 mars, seanca e datës 24 maj si dhe seancat e mbajtura me 12 dhe 26 shtator.

Në mbledhje është diskutuar votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Gjithashtu edhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu edhe Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.

/GazetaSinjali/

The post Kryesia vendos për seancë të re, diskutohet për raportet me ShBA-në dhe emigrimin e qytetarëve appeared first on Sinjali.

Vritet me plumb në kokë shqiptari në Spanjë, tre persona e lënë jashtë derës së spitalit, shkak dyshohet…

7 October 2024 at 11:34

Një shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri në Spanjë, ndërsa autorët e dyshuar e kanë braktisur pranë një spitali.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në qytetin Blanes, ku fillimisht shqiptari u la i plagosur pranë hyrjes së spitalit, e më pas ndërroi jetë si pasojë e plagës së marrë në kokë.

Mediat spanjolle raportojnë se një nga autorët e dyshuar është vetëdorëzuar në polici, por nuk dihet roli që ka pasur në këtë ngjarje. Sakaq, gjeneralitetet e viktimës ende nuk janë bërë publike.

Autoritetet dyshojnë se kjo vrasja mund të lidhet me trafikun e drogës, pasi në Katalonjë eksportohen sasi të mëdha droge ndërsa thuhet se grupet shqiptare janë ndër më të përhapurat.

/GazetaSinjali/

The post Vritet me plumb në kokë shqiptari në Spanjë, tre persona e lënë jashtë derës së spitalit, shkak dyshohet… appeared first on Sinjali.

Izraeli e shënon njëvjetorin e sulmit nga Hamasi, teksa lufta në Liban e Gazë po vazhdon

7 October 2024 at 11:21

Izraeli e ka shënuar më 7 tetor njëvjetorin e sulmit shkatërrues të Hamasit ndaj shtetit hebraik, gjatë të cilët militantët i vranë mbi 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Ushtria izraelite i ka vazhduar bombardimet e ashpra në Bejrut dhe inkursionin në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar grupin militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e udhëhoqi një minutë heshtje në orën 06:29, orën kur filloi sulmi, në Kittbutz Reim, vendndodhjen e festivalit muzikor Nova, ku qindra të rinj u vranë nga luftëtarët e Hamasit.

Ushtria tha se gjatë ceremonisë së udhëhequr nga Herzog u shkrepën katër raketa nga Gaza drejt vendbanimeve të njëjta izraelite që ishin sulmuar në fillim të sulmit të vitit të kaluar.

/GazetaSinjali/

The post Izraeli e shënon njëvjetorin e sulmit nga Hamasi, teksa lufta në Liban e Gazë po vazhdon appeared first on Sinjali.

Aktakuzë kundër Besnik Ukajt: Zbulohet se si tentoi ta vras prizrenasin pasi s’ia dha 25 mijë euro

7 October 2024 at 11:08

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Besnik Ukajt, i dyshuar për tentim vrasjen e 17 majit, në fshatin Nashec të Prizrenit. Ukaj ra në prangat e Policisë në muajin korrik, pasi u shpall në kërkim, raporton Gazeta Sinjali.

Ukjaj, i cili është emër i njohur për organet e rendit, po akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, “me datë 17.05.2024, rreth orës 17:30 min, në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që pasi takohet me viktimën J.A., paraprakisht kërkon nga i njëjti t’ia jap një shumë parash prej 2,500.00 € (Dymijë e pesëqind euro) në formë të borxhit dhe pasi viktima i thotë se nuk e posedon një shumë të tillë, i njëjti nxjerr pistoletën dhe nga dritarja e automjetit të markës ‘’WV Passat CC’’ , e cila ka qenë e hapur,  shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e plagos në këmbën e tij të djathtë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima i nënshtrohet tretmanit mjekësor pranë Repartit Kirurgjik të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” sipas KPRK-së.”

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

/GazetaSinjali/

The post Aktakuzë kundër Besnik Ukajt: Zbulohet se si tentoi ta vras prizrenasin pasi s’ia dha 25 mijë euro appeared first on Sinjali.

Punëtorët teknikë të QKUK-së futen në grevë, kërkojnë rritje të pagave

7 October 2024 at 10:57

Punëtorët teknikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë hyrë sot në grevë.

Vendimi i tyre për grevë erdhi pas mosrealizimit të kërkesave për ndryshim të kategorisë dhe për rritje të pagave.

Ata kanë deklaruar se do qëndrojnë në grevë derisa të ndryshojë kjo situatë dhe të plotësohen kërkesat.

/GazetaSinjali/

The post Punëtorët teknikë të QKUK-së futen në grevë, kërkojnë rritje të pagave appeared first on Sinjali.

Gjuriqin nuk e kënaq “reagimi i ndërkombëtarëve ndaj Kurtit”

7 October 2024 at 10:22

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se nuk mund të jenë të kënaqur siç tha ai “me reagimin e ndërkombëtarëve ndaj Albin Kurtit”, kryeministrit të Kosovës.

Ai tha se “Beogradi po ndërton një lloj blloku të ri politik”, duke e përmendur bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.

Ai ka përmendur edhe seancën e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Për Serbinë, çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm. Deri në 70 për qind të mallrave tona shkojnë në BE. Rezultatet fenomenale ekonomike që kemi arritur nuk do të ishin të mundshme pa marrëdhënie të mira me vendet e BE-së.

Gjatë turneut 18 ditor, unë shkova nga Estonia në Uashington, dhe pastaj në Nju Jork kemi pasur takime me më shumë se 70 burrështetas në mbarë botën.”, tha Gjuriq.

/GazetaSinjali/

The post Gjuriqin nuk e kënaq “reagimi i ndërkombëtarëve ndaj Kurtit” appeared first on Sinjali.

IPK arreston një zyrtar policor të Mbrojtjes së Afërt, dyshohet se kërcënoi dy policë në trafik

7 October 2024 at 10:05


Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar të dielën një zyrtar policor në Fushë Kosovë, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosje”. Polici i dyshuar, tashmë edhe është suspenduar dhe ndaj tij është urdhëruar masa e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të IPK-së, i dyshuari është zyrtar i njësisë për Mbrojtje të Afërt dhe rasti dyshohet se ka ndodhur derisa i njëjti ishte jashtë detyrës zyrtare.

Polici i arrestuar “dyshohet se ka kanosur dy zyrtarë policorë  të kanë qenë në detyrë.”

“Dyshohet se kanosja ka ndodhur  pas një mosmarrëveshje në komunikacionin rrugor në rrugën “Dardania”, në kryqëzim me rrugën “Hajrullah Zymi”, pranë shkollës “Mihail Grameno” në Fushë Kosovë.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë  kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor  i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

Lidhur me rastin, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

/GazetaSinjali/

The post IPK arreston një zyrtar policor të Mbrojtjes së Afërt, dyshohet se kërcënoi dy policë në trafik appeared first on Sinjali.

Aksion i Policisë dhe Prokurorisë Speciale te ‘Pallati i Rinisë’, ka të arrestuar

7 October 2024 at 09:37

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale është duke zhvilluar një operacion policor brenda ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të para, me urdhër të Prokurorisë Speciale po kryhen kontrolle dhe deri më tani një person është prangosur.

Siç merr vesh Sinjali, dyshimet janë ngritur për keqpërdorime dhe përfshirje të personave të caktuar në veprimtari të kundërligjshme.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/

The post Aksion i Policisë dhe Prokurorisë Speciale te ‘Pallati i Rinisë’, ka të arrestuar appeared first on Sinjali.

Vriten dy punëtorë kinezë nga një shpërthim në Karaçi

7 October 2024 at 09:22

Dy shtetas kinezë janë vrarë nga një shpërthim i fuqishëm në afërsi të aeroportit të Karaçit, qytetit më të madh të Pakistanit.

Ambasada kineze në Pakistan e quajti shpërthimin “sulm terrorist”.

Përgjegjësinë për shpërthimin e mori grupi separatist, Ushtria Çlirimtare e Baluçit (BLA), në një komunikatë.

Sulmi ndodhi mbrëmjen e 6 tetorit dhe u krye ndaj një konvoi të punëtorëve kinezë, të Kompanisë Energjetike Port Qasim, i cili po udhëtonte nga aeroporti, tha ambasada kineze.

Shtetasit kinezë po punonin në ndërtimin e dy termocentraleve me thëngjill në Pakistan.

/GazetaSinjali/

The post Vriten dy punëtorë kinezë nga një shpërthim në Karaçi appeared first on Sinjali.

E rëndë: Gjendet pa shenja jete një punëtor në vendin e punës në Gjakovë

7 October 2024 at 09:11

Një rast i rëndë ka ndodhur të dielën në mesditë në Gjakovë, ku një person është gjetur pa shenja jete në vendin e tij të punës. Për vdekjen e të ndjerit tashmë kanë nisur hetimet dhe rasti është konfirmuar edhe nga Polica, raporton Gazeta Sinjali.

Akoma nuk dihet nëse viktima ka humbur jetën si pasojë e kushteve teksa ishte në vendin e punës, por ajo që dihet është se i njëjti ka qenë duke punuar në momentin kritik.

Posa rasti është denoncuar, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor dhe trupi i pajetë me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

/GazetaSinjali/

The post E rëndë: Gjendet pa shenja jete një punëtor në vendin e punës në Gjakovë appeared first on Sinjali.

Shokon avokati i një viktime të Diddyt: Ka video seksuale të producentit me personazhe të tjerë të famshëm

7 October 2024 at 08:59

Një avokat që përfaqëson viktimat e Sean Diddy Combs pretendon se ka të paktën tre materiale me filmime seksuale të personazheve të famshëm, duke përfshirë vetë Diddy-n, në festat e tij “freak-offs”, ku pretendohet se ai abuzoi dhe përdhunoi njerëz të ndryshëm.

Historia shpërtheu pothuajse një vit më parë, në 2023, kur Cassie Ventura akuzoi 54-vjeçarin për abuzim fizik, emocional dhe seksual përgjatë marrëdhënies së tyre 10-vjeçare, të cilat ai fillimisht i mohoi.

Si rezultat, kjo shkaktoi akuza të mëtejshme nga viktima të tjera të supozuara dhe një hetim nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, i cili bastisi shtëpitë e tij në Florida dhe Kaliforni në fillim të vitit 2024.

Ata arrestuan këngëtarin e R&B më 16 shtator, ku më pas ai u akuzua për trafikim njerëzor dhe shantazh, përpara se t’i mohohej lirimi me kusht tri herë, pavarësisht ofrimit të 50 milionë dollarëve, pasi mbi 120 akuza të ndryshme u zbuluan.

Tani avokati Ariel Mitchell-Kidd, i cili përfaqësonte një nga akuzuesit, thotë se ekzistojnë video të krimeve të tij seksuale.

“Individët që më kontaktuan pretenduan se kishin tre kaseta të ndryshme me tre të famshëm të ndryshëm, duke përfshirë Diddy-n,” tha Mitchell-Kidd për NewsNation.

“Dhe pastaj një personazh i katërt i famshëm pa Diddy-n, por në një situatë komprometuese me dikë. Nuk mund të dëshmoj nëse ekzistojnë apo jo. Thjesht më thanë fillimisht se ‘ata’ zotërojnë këtë thesar të videove, kështu që duhet të besoj se ka shumë të famshëm që e dinë se çfarë kanë bërë.”

Po ashtu, një agjent i Departamentit të Sigurisë Kombëtare konfirmoi se kasetat ekzistojnë dhe se emra të njohur janë të përfshirë, megjithëse ai refuzoi t’i zbulonte, duke thënë se ata janë më të famshëm se Combs.

“Ka emra të njohur [në pamjet që kemi marrë],” tha oficeri për New York Post.

“Por unë nuk do të konfirmoj asnjë nga identitetet e tyre, por nuk është vetëm ai.”

/GazetaSinjali/

The post Shokon avokati i një viktime të Diddyt: Ka video seksuale të producentit me personazhe të tjerë të famshëm appeared first on Sinjali.

37-vjeçari shqiptar në Itali qëllohet për vdekje në sy të djalit të tij

7 October 2024 at 08:42

Një shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Pisa të Italisë.

Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për 37-vjeçarin Beni Arshiaj, i cili u qëllua në sy të të birit në oborrin e shtëpisë së tij.

Nuk dihet ende motivi i vrasjes, teksa sipas informacioneve paraprake, viktima sapo ishte kthyer në shtëpi me furgonin e tij, kur dy burra e qëlluan në kokë dhe më pas u larguan me vrap.

37-vjeçari që mbeti i vrarë ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.

/GazetaSinjali/

The post 37-vjeçari shqiptar në Itali qëllohet për vdekje në sy të djalit të tij appeared first on Sinjali.

Malishevë: Burri ushtron dhunë ndaj bashkëshortes dhe arratiset, ajo e denoncon në Polici

7 October 2024 at 08:08

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur së fundmi në Astrazub të Malishevës, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se 28-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte, pas një konflikti verbal.

Për pasojë, viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa më pas ka rrëfyer të gjitha detajet e ngjarjes.

Njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, i cili me të kryer veprën është arratisur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/

The post Malishevë: Burri ushtron dhunë ndaj bashkëshortes dhe arratiset, ajo e denoncon në Polici appeared first on Sinjali.

Hajnat ia vjedhin veturën 48-vjeçarit nga oborri i shtëpisë në Klinë, kërkon ndihmën e Policisë

7 October 2024 at 07:52

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë as në oborret e shtëpisë e garazhet e tyre. Të tilla raste janë shumë të shpeshta dhe ndodhin shpesh edhe në parkingje publike, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në fshatin Rudicë të Klinës, ku hajnat kanë arritur që të vjedhin një automjet nga oborri i një shtëpie dhe janë larguar pa lënë ndonjë gjurmë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar pronari i shtëpisë, i cili ka deklaruar se e ka parkuar veturën e tij në oborr, por që nuk e ka gjetur aty në mëngjes.

Sipas informacioneve të para, pronari i i kishte lënë çelësat brenda veturës, bashkë me gjësende tjera – përfshirë dokumentet.

Pas denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar të iniciohet rasti si “Vjedhje e rëndë”.

/GazetaSinjali/

The post Hajnat ia vjedhin veturën 48-vjeçarit nga oborri i shtëpisë në Klinë, kërkon ndihmën e Policisë appeared first on Sinjali.

Tentativa e radhës e Lajçakut për një takim me Bislimin e Petkoviq, a do të ketë rezultat

7 October 2024 at 07:43

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se është i fokusuar në përgatitjen e një takimi të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel – një tentativë tjetër pas disa takimeve që nuk dhanë rezultat.

Ai ka thënë se takimin do të donte ta organizonte në javët në vazhdim.

Në mes të shtatorit ishte takimi i fundit në Bruksel, ku Lajçak i takoi ndaras Bislimin e Petkoviqin, por që s’arriti të zhvillonte takim trilateral.

“Shpreh keqardhje që nuk arrita t’i adresoj çështjet më të rëndësishme në një takim trepalësh. Unë jam në dispozicion të palëve dhe ne do të vazhdojmë në javët në vijim”, kishte shkruar Lajcak.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe pastaj Aneksin për zbatimin e saj në Ohër në fillim të vitit 2023.

Ajo ka mbetur e pazbatuar prej atëherë, megjithatë, edhe pse Bashkimi Evropian thotë se marrëveshja është detyrim për të dyja palët.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, ndonëse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

Marrëveshja e përbërë prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Rishtazi, SHBA-ja u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve.

/GazetaSinjali/

The post Tentativa e radhës e Lajçakut për një takim me Bislimin e Petkoviq, a do të ketë rezultat appeared first on Sinjali.

Horoskopi 7 tetor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj

7 October 2024 at 07:35

DASHI

Në dashuri, dita do të jetë plot qetësi, me shanse të mira për të forcuar lidhjen me partnerin. Në punë gjërat po shkojnë mirë, edhe nëse ka sfida të vogla për të përballuar. Ruani entuziazmin tuaj të zakonshëm dhe do të arrini t’i kapërceni me sukses.

DEMI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e hënë 7 tetor 2024), ka një tension në dashuri, ndoshta i lidhur me keqkuptime. Më mirë do të ishte të sqaroheshit me partnerin tuaj menjëherë për të parandaluar që keqkuptimet të kthehen në probleme më të mëdha. Në punë, mos lejoni që vështirësitë e vogla t’ju dekurajojnë: këmbëngulja është çelësi për të zgjidhur gjithçka.

BINJAKËT

Dita premton kënaqësi të madhe, si në dashuri ashtu edhe në punë. Marrëdhëniet do favorizohen nga një klimë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, ndërsa në punë do ndiheni veçanërisht të frymëzuar dhe produktivë. Përfitoni nga kjo fazë pozitive.

GAFORRJA

Ka ende disa nyje për të zgjidhur në dashuri, por situata do të përmirësohet së shpejti. Në punë, është një moment reflektimi: vlerësoni me kujdes lëvizjet tuaja të ardhshme për të shmangur hapat e gabuar. Mos kini frikë të merrni vendime të rëndësishme.

LUANI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e hënë 7 tetor 2024), në dashuri, keni mundësinë të bëni përparim të dukshëm në marrëdhënien tuaj, për sa kohë që jeni të gatshëm të hapeni më shumë. Në punë, yjet ju mbështesin dhe ju japin energjinë që ju nevojitet për të arritur qëllimet tuaja. Vazhdoni kështu!

VIRGJËRESHA

Në dashuri situata është e qetë dhe e kënaqshme, me mundësi të shkëlqyera për të konsoliduar lidhjen tuaj. Në punë ndiheni veçanërisht kreativ dhe gati për të realizuar projekte të reja. Përdoreni këtë moment për të bërë ndonjë përparim të rëndësishëm.

PESHORJA

Në dashuri ka nevojë për më shumë qartësi dhe dialog për të parandaluar që keqkuptimet e vogla të kthehen në probleme më të mëdha. Në punë ju shfaqet një mundësi e mirë, por do të duhet të bëni durim dhe të mendoni mirë përpara se të merrni vendime të rëndësishme.

AKREPI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e hënë 7 tetor 2024), dashuria është në qendër të ditës suaj, me momente mirëkuptimi dhe pasioni të madh. Në punë jeni veçanërisht të vendosur dhe gati për të përballuar sfida të reja. Yjet ju favorizojnë: përfitoni nga ky moment për të arritur qëllimet tuaja.

SHIGJETARI

Në dashuri, dita do jetë e mbushur me emocione pozitive, veçanërisht për ata që janë beqarë: takime të reja shihen afër. Në punë idetë janë të qarta dhe projektet po marrin formë. Vazhdoni në këtë rrugë, sepse suksesi është afër.

BRICJAPI

Në dashuri mund të ketë dyshime, por me pak durim gjithçka do të qartësohet. Mos kini frikë të shprehni ndjenjat tuaja. Në punë, ndiheni të motivuar dhe të gatshëm për të përballuar përgjegjësi të reja: është koha për të demonstruar vlerat tuaja.

UJORI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e hënë 7 tetor 2024), në dashuri, është koha t’u jepni hapësirë ​​ndjenjave dhe ta lini veten të rrëmbyer nga emocionet. Në punë jeni në një fazë krijimtarie të madhe dhe idetë tuaja do të vlerësohen. Vazhdoni të ndiqni instinktin tuaj: sepse do t’ju çojë larg.

PESHQIT

Në dashuri, Hëna vazhdon të favorizojë takimet dhe marrëdhëniet. Nëse jeni beqarë, sot mund të bëni një njohje interesante. Në punë keni aftësinë për të zgjidhur disa situata të komplikuara falë aftësisë tuaj për të qëndruar të qetë nga presioni.

/GazetaSinjali/

The post Horoskopi 7 tetor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj appeared first on Sinjali.

❌
❌