Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 September 2024Main stream

Irani prezanton dron dhe raketë të re balistike 

21 September 2024 at 14:41

Irani prezantoi një raketë balistike të re dhe një dron të përmirësuar sulmi gjatë një parade ushtarake më 21 shtator, raportuan mediat shtetërore, në mes të tensioneve të shtuara rajonale dhe akuzave për armatosjen e Rusisë.

Iranin e akuzojnë qeveritë perëndimore se po i furnizon dronë dhe raketa Rusisë për t’u përdorur në luftën kundër Ukrainës, një akuzë që Irani e ka mohuar vazhdimisht.

Raketa Jihad u projektua dhe u prodhua nga dega ajrore e Gardave Revolucionare të Iranit dhe ka një rreze operacionale prej 1.000 kilometrash, sipas agjencisë së lajmeve IRNA.

Droni Shahed-136B është një version i përmirësuar i Shahed-136, me veçori të reja dhe një rreze operacionale prej më shumë se 4.000 kilometrash, shtoi ajo.

Presidenti i ri, Masoud Pezeshkian, mori pjesë në paradën vjetore në Teheran, që përkujton luftën 1980-88 me Irakun e Sadam Huseinit.

“Sot, kapacitetet tona mbrojtëse dhe parandaluese janë rritur aq shumë saqë asnjë demon nuk guxon të mendojë për ndonjë agresion ndaj Iranit tonë të dashur”, tha ai.

“Me unitet dhe kohezion midis vendeve islame… ne mund ta vendosim në vend uzurpatorin gjakpirës dhe gjenocidal, Izraelin, i cili nuk tregon mëshirë për askënd, as për gra e as për fëmijë, të rinj apo të moshuar”, shtoi ai. Kreu suprem, Ayatollah Ali Khamenei, mbajti një fjalim të ngjashëm kundër Izraelit për delegatët e një takimi vjetor të klerikëve muslimanë të organizuar nga Irani, duke i bërë thirrje vendeve islame që “t’i ndërpresin plotësisht marrëdhëniet e tyre ekonomike” me Izraelin dhe “t’i dobësojnë lidhjet politike”.

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur që nga sulmi i grupit palestinez Hamas – të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – i mbështetur nga Irani, ndaj Izraelit më 7 tetor, duke shkaktuar luftë në Gaza. Tensionet janë intensifikuar në ditët e fundit ndërsa fokusi i Izraelit është zhvendosur në veri, në kufirin me Libanin, ku trupat e tij kanë luftuar kundër grupit Hezbollah, të mbështetur nga Irani.

Një sulm ajror izraelit në bastionin e Hezbollahut në pjesën jugore të Beirutit të premten vrau 31 njerëz, përfshirë dy nga komandantët e tij të lartë, thanë autoritetet libaneze.

Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Iranit në fillim të këtij muaji, duke pretenduar se ai kishte ofruar raketa balistike për Rusinë./REL

Skema e re e subvencionimit në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, Balluku: Mbështetje për çdo kategori në nevojë!

21 September 2024 at 13:48

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belina Balluku, ka reaguar në Facebook lidhur me skemën e re të subvencionimit.

Kjo skemë e re e subvencionit është ndërmarrë nga qeveria shqiptare në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

Balluku nënvizon se do të ketë mbështetje për çdo kategori në nevojë.

“Skema e re e subvencionimit, ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Mbështetje për çdo kategori në nevojë”, shkruan më tej Balluku bashkëngjitur videos së publikuar.

Forcat ushtarake izraelite kryejnë sulme të reja kundër Hezbollah në Liban

21 September 2024 at 13:25

Ushtria izraelite ka kryer sulme të reja kundër objektivave të Hezbollahut në Liban. Sipas The Times of Israel IDF ka kryer një valë sulme ajrore kundër objektivave të Hezbollah.

Gjithashtu theksohet se forcat ushtarake po godasin objektiva që i përkasin organizatës terroriste Hezbollah në Liban.

Sulmi i fundi la të vdekur 31 persona, ku të paktën 16 anëtarë të Hezbollahut janë vrarë në bastisje, shkruajnë mediat e huaja.

Policia Bashkiake e Tiranës merr certifikimin ISO-9001 nga gjermanët e DEKRA-s, Veliaj: Aleatë me qytetarin!

21 September 2024 at 12:31

Pas administratës qendrore të Bashkisë së Tiranës, kompania e njohur gjermane e certifikimit të standardeve të shërbimit “DEKRA”, ka vlerësuar me certifikatën ISO-9001 edhe punën e Policisë Bashkiake të Tiranës, e cila bëhet kështu, trupa e parë e policisë në vendin tonë që merr këtë lloj vlerësimi.

Pas marrjes së certifikimit nga drejtuesit e DEKRA-s, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Policinë Bashkiake dhe punën e saj në këto 10 vjet.

“E vlerësoj shumë përkushtimin tuaj disa mujor për të kontrolluar të gjitha procedurat e më në fund, për të certifikuar Policinë Bashkiake me certifikatën e standardeve ISO-9001 215, si e vetmja polici në Republikën e Shqipërisë me këtë lloj vlerësimi. Më vjen mirë që e dëgjova edhe në fjalimin tuaj se jeni ndjerë i sigurt në Tiranë. është një lajm që e ndajnë, deri tani për ketë vit, edhe nga 9 milionë turistë që kanë vizituar qytetin tonë. Sot, Tirana, kur vjen puna për rastet e krimeve të vogla, ka numrin më të ulët në rajonin tonë dhe Evropën Jugore. Ajo që nisi dikur, në vitet 2000-01, si një skuadër shumë e vogël me vetëm 30 policë, sot është një trupë e jashtëzakonshme e 600 burrave e grave. Unë nuk e di nëse do ta kalonim dot certifikimin ISO, kur e filluam këtë punë në vitin 2015, kur një pjesë e madhe e trupës policore që gjetëm ishte jashtë çdo standardi. Në pjesën më të madhe, as nuk vinte në punë. Kurse, ata që vinin në punë, në fakt bashkëpunonin me krimin. Por, sot Policia Bashkiake është aleate me qytetarin”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se aleati i Policisë Bashkiake sot janë vetëm qytetarët dhe jo ata që zënë parkimin e lagjes për të bërë biznes informal. Ai u ndal edhe te puna e policisë në ndihmë të agjencive të tjera të bashkisë.

“E di që ka deputetë, të cilët mërziten shumë kur u vihet një gjobë, por Rruga e Elbasanit ka vetëm dy korsi. Kur deputetët zënë një korsi të tërë, vetëm 10 mund të parkojnë. Por, ka edhe 130 kolegë të tjerë që pengohen prej kësaj. Ndërkohë, ka edhe 1 milionë e 300 mijë të tjerë që, në një ditë, përveç rezidentëve, plus turistët, që pengohen prej asaj shkeljeje. Për çdo njeri që mërzitet, gëzohen 1 mijë të tjerë, që duan ligj dhe duan ta shohin Policinë Bashkiake si aleaten e tyre më të madhe. Qëllimi im është që ta kalojmë këtë certifikim çdo një apo dy vjet, sepse është shumë e rëndësishme që standardet që kemi, të mos i ulim poshtë. Sot nuk ngacmon njeri dikë që shet lule apo që shet libra në Tiranë, ama dikë që zë gjithë parkimin e lagjes për të bërë një biznes informal, sigurisht që ai nuk mund të jetë aleati ynë. Dikush që ende në 2024 pretendon të ndërtojë pa leje, nuk mund të jetë aleati ynë. Dikush që shkakton zhurmë në komunitet dhe për qejfin e muzikës së tij fëmijët duhet të rrinë pa gjumë e pa bërë detyrat, ai sigurisht që s’është aleati ynë. Për sa kohë që aleancën e kemi me qytetarët, ju garantoj se ‘DEKRA’ dhe institucionet e tjera do të na certifikojnë me sukses. Ishit ju të parët [punonjësit e Policisë Bashkiake] që na sinjalizuat se, një nga kompanitë private të mbledhjes së mbetjeve nuk po kryente detyrën siç duhet. Më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund. Ndaj, dua t’ju vlerësoj për faktin se përveçse shkëlqeni në punën tuaj, ndihmoni edhe agjenci të tjera të bashkisë të bëjnë punën e tyre”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku u ndal edhe te porositë për vitin e ardhshëm, kur Tirana do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, me mbi 1 mijë aktivitete nga shtete dhe kultura të ndryshme. “Ne patëm një super histori suksesi me Tiranën ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’ përpara dy vitesh, pastaj si ‘Qyteti Europian i Sportit’ para një viti, dhe këtë vit me Presidencën e B40. Por, vitin tjetër kemi një sfidë edhe më të madhe: Duhet të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Në Tiranë do të zhvillohen rreth 1 mijë aktivitete, çdo ditë do të ketë 3-4 aktivitete të mëdha, nga mbi 40 e ca vende që përfaqësojnë bashkimin e Mesdheut. Është një organizatë politike e të gjitha shteteve, por përfshin përveç vendeve të Europës, edhe një pjesë të vendeve të veriut të Afrikës dhe një pjesë të vendeve të Lindjes së Mesme”, tha kryetari i bashkisë.

Drejtori i menaxhimit të DEKRA-s, vlerësoi sigurinë e Tiranës për turistët që kanë vizituar kryeqytetin, duke e cilësuar këtë një arritje mjaft domethënëse. “Ju jeni një vend i bukur. Ju meritoni të jeni pjesë e Bashkimit Europian. Do të njoftoj kontributin kontributin e zotit Veliaj, kryetarit tuaj të bashkisë dhe ekipit të tij se ata e njohin rëndësinë e këtij procesi, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë të arrish standarde. Standarde që në fund duhet të jenë rezultat i një jetese më të mirë në Shqipëri. Gjithashtu detyra juaj është të kontribuoni për sigurinë e të gjithë mysafirëve që vijnë nga jashtë dhe qytetarëve të qytetit të Tiranës. Nëse keni bërë kërkime në internet, do të zbuloni se rezultatet për kënaqësinë e turistëve janë shumë të larta. Sa i përket sigurisë në Tiranë, ajo është në krye. Pra, kjo është një arritje vërtet shumë domethënëse e të gjithëve juve, zotit kryetar bashkie dhe ekipit të tij”, deklaroi ai.

Pak ditë më parë, kompania gjermane DEKRA vlerësoi me certifikatën ISO-9001 edhe punën e aparatit qendror të Bashkisë së Tiranës. DEKRA, është sot një nga organizatat kryesore të ekspertëve në botë, me shërbim të kualifikuar dhe të pavarur, e cila punon për sigurinë në më shumë se 50 vende.

Rama: Dy qendra shëndetësore të rilindura në Bathore dhe Paskuqan, me kushte bashkëkohore

21 September 2024 at 12:27

Dy qendra shëndetësore të ristrukturuara në Bathore dhe Paskuqan janë gati për të ofruar shërbime shëndetësore, për rreth 26, 000 banorë të kësaj zonë. Qendrat shëndetësore janë me kushte dhe aparatura bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook pamje nga qendra shëndetësore, ndërsa nënvizon se ristrukturimi i qendrave shëndetësore është pjesë e programit për rehabilitimin e 400 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

“Ristrukturimi i qendrave shëndetësore është pjesë e programit për rehabilitimin e 400 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, nga të cilat 60 vetëm në vitin 2023-2024”, shkruan Rama.

Iu gjet kokainë, procedohet 31-vjeçari në Vlorë

21 September 2024 at 11:27

Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal për 31-vjeçarin, pasi gjatë kontrolli të kryer iu gjet lëndë narkotike kokainë.

Kontrollet u kryen në rrugën Kardhiq-Sarandë. Lënda narkotike u sekuestrua nga shërbimet e policisë.

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin, 31 vjeç, pasi gjatë kontrollit personal, në rrugën Kardhiq-Sarandë, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë”, thuhet në njoftimin e policisë.

/abcnews.al/

EMRI/ I dënuar për drogë, ndalohet 26-vjeçari në Elbasan

21 September 2024 at 10:32

26-vjeçari Ervis Mersini është ndaluar nga policia e Elbasanit. Gjykata e Elbasanit me vendimin e datës 16.01.2024, e ka dënuar 26-vjeçarin, me 4 vjet e 8 muaj burgim.

Të riut i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Sakaq materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore  .

/abcnews.al/

Aksident në aksin Elbasan-Tiranë, dy të plagosur

21 September 2024 at 10:25

Një aksident ka ndodhur në aksin Elbasan-Tiranë. Mësohet se tre automjete janë përfshirë në aksident.

Si pasojë e përplasjes se automjeteve janë lënduar lehtë dy persona.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

/abcnews.al/

“Dhunë në familje”, tre të arrestuar në Tiranë dhe një e proceduar

21 September 2024 at 09:57

Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, për dhunë në familje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Gjithashtu është arrestuar një 47 vjeçar, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetësja 45 vjeçe, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj nënës së tyre.

Në prangat e policisë, ka rënë edhe 51-vjeçari, po banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

/abcnews.al/

Dita Ndërkombëtare e Paqes, Begaj: Historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës

21 September 2024 at 09:53

Presidenti Bajram Begaj ka publikuar një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Paqes. Begaj shprehet se në këtë botë të trazuar nga konfliktet që përbëjnë kërcënime e rreziqe serioze për paqen dhe sigurinë botërore, duhet të shpërndahet modeli i paqes dhe të ruhet kultura.

Kreu i Shtetit nënvizoi se, “historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës”.

“Po jetojmë në një botë të trazuar nga konfliktet që përbëjnë kërcënime e rreziqe serioze për paqen dhe sigurinë botërore. Zhvillimet më të fundit ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt. Historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës. Luftërat që nuk i zgjodhëm, na kanë dhënë mësime të vyera. Le të vijojmë të shpërndajmë modelin tonë të paqes e të ruajmë kulturën e mbrojtjes së saj. Bota ka nevojë për të”, ka thënë ai.

/abcnews.al/

Aksident në aksin Durrës-Tiranë, përplasen 6 automjete, 2 të plagosur

21 September 2024 at 09:44

Në orët e para të mëngjesit një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Durrës-Tiranë. Mësohet se janë përplasur 6 automjete.

Sipas policisë nga aksidenti janë dëmtuar lehtë dhe janë dërguar për kontroll mjekësor në spital dy shtetas.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

/abcnews.al/

OKB e shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut në Venezuelë

21 September 2024 at 09:07

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i shprehu Presidentit Nicolas Maduro shqetësimin e tij për shkeljet e të drejtave të njeriut në Venezuelë.

Mediat e huaja shkruajnë se Guterres është ndalur te raportet për dhunën paszgjedhore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut duke theksuar domosdoshmërinë për të zgjidhur dallimet politike në mënyrë paqësore, përmes dialogut, autentik dhe gjithëpërfshirës.

Presidenti Maduro, u shpall fitues me 52% të votave nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor. Pas rizgjedhjes së Presidentit Maduro shpërthyen protestat ku mbetën të vrarë 27 persona dheu plagosën 192 të tjerë. Ndërsa rreth 2,400 persona të tjerë u arrestuan, sipas prokurorëve.

/abcnews.al/

Tërmet me magnitudë 4.1 në brigjet e Siçilisë

21 September 2024 at 09:01

Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm në brigjet perëndimore të Siçilisë, njoftoi Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në det, 25 kilometra në veriperëndim të Trapanit, në një thellësi prej një kilometër, raportojnë mediat italiane.

Aktualisht nuk raportohet për viktima apo dëme materiale nga ky tërmet.

/abcnews.al/

Ndeshja Partizani-Tirana në “Air Albania”, policia me plan masash, ja rrugët që do të bllokohen

21 September 2024 at 08:52

Këtë të shtunë, në orë 20:00, zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, ndeshja e futbollit midis ekipeve “Partizani” dhe “KF Tirana”. Policia e Tiranës ka njoftuar një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit.

Për pasojë do të ketë edhe bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar”, rruga “Gjergj Filipi”(COIN) – stadium;

Ndërkohë lëvizja e tifozëve të KF Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit rruga “Dervish Shima”, rruga “Sheh Ahmet Paza”- stadium.

Gjithashtu policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.

“Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument). Personat të cilët e kanë të ndaluar hyrjen në objektet dhe mjediset sportive, detyrohen të paraqiten fizikisht në komisariatet policore përkatëse, në ditën dhe orën e zhvillimit të veprimtarisë sportive, në zbatim të ligjit nr. 79/2017, “Për Sportin”, i ndryshuar me ligjin nr. 105/2020, dhe moszbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj, përbën shkelje të tij”, sqarohet më tej në njoftimin e policisë.

/abcnews.al/

Borrell zhvillon takim me liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën

21 September 2024 at 08:20

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të zhvillojë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Nju Jork. Lajmi u njoftua nga Komisioni Evropian, sipas të cilit takimi do të mbahet në kuadër të aktiviteteve të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sesioni do të ketë një delegacion të lartë nga BE-ja, përfshirë Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Prioriteti i BE-së do të jetë adresimi i konflikteve dhe krizave në nivel global,” theksohet në njoftim.

/abcnews.al/

Japoni/ Rreziku nga përmbytjet, autoritetet thirrje banorëve të largohen nga shtëpitë

21 September 2024 at 08:03

Autoritetet japoneze bënë thirrje që  mijëra banorëve në prefekturën Ishikawa që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve pas shirave të dendur. Rreth 30,000 banorë të qyteteve Uajima dhe Suzu u urdhëruan të largoheshin menjëherë nga zona, shkruajnë mediat e huaja.

Përmbytjet po prekin komunitetet në zona të ndryshme, tha një zyrtar për AFP. Agjencia Meteorologjike e Japonisë vendosi prefekturën Ishikawa në gatishmëri maksimale, duke paralajmëruar për rreziqe të mëdha.

Nivelet e reshjeve në Japoni kanë thyer rekorde vitet e fundit, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, në disa raste duke marrë jetë njerëzish.

/abcnews.al/

“Mirror”: Shqipëria, destinacioni më i kërkuar për pushime nga turistët britanikë

21 September 2024 at 07:58

Shqipëria është ndër destinacionet më të kërkuara për pushime nga turistët britanikë – falë plazheve të saj mahnitëse – të ngjashme me “Maldivet e Evropës” dhe çmimeve të ulëta, sipas një studimi të ri, shkruan Vita Molyneux në të përditshmen britanike “Mirror”.

Pozicioni i Spanjës si një nga vendet më të preferuara për pushime mund të jetë nën kërcënim – pasi Shqipëria po shfaqet si një destinacion i kërkuar nga turistët britanikë që adhurojnë përvojat e reja.

“Dubai Tours and Tickets” e ka vendosur perlën e Evropës Juglindore, Shqipërinë në krye të listës së dëshirave të vizitorëve nga Britania e Madhe.

Sipas një studimi të bazuar në kërkimet e britanikëve në Google – duke përdorur fjalë të tilla si “pushime”, “fluturime” dhe “udhëtime” – në 250 vende gjatë një viti – u zbuloi se ata kishin një kureshtje në rritje për të mësuar më shumë për Shqipërinë.

Me një mesatare mujore mbresëlënëse prej 54,929 kërkimesh, fjalë si “Holiday Albania” (Pushime Shqipëri) ishin kërkuar 37,583 herë – duke lënë në hije kërkimet klasike si Spanja, Portugalia dhe Islanda.

Rritja e interesit për Shqipërinë nuk është aspak tronditëse – duke pasur parasysh joshjen e saj me kosto efektive.

Vizitorët mund të shijojnë një krikëll birrë me 1,5 deri në 2,5 euro; mund të pijnë një filxhan çaj për rreth 1,8 euro – dhe të mbushin karrocat e tyre të blerjeve për gati 40 për qind më pak para – në krahasim me vendin e tyre.

Jo vetëm miqësore me portofolin, por Shqipëria mahnit me pamjet e saj marramendëse, ujërat e kristalta dhe qoshet e izoluara ideale për t’u çlodhur nën diell.

Udhëtimi drejt vendit mesdhetar është i qetë – me fluturimet e përditshme nga Britania e Madhe në Shqipëri – rreth tre orë – ku do të zbuloni një Parajsë që ia vlen ta vendosni në listën tuaj të destinacioneve për pushime.

Ju mund të lundroni në plazhin e Gjipesë përmes Kanionit piktoresk të Gjipesë apo vizitoni çfarëdo vendi tjetër që ju ngacmon kuriozitetin.

Ksamili mahnitës, i vendosur përgjatë Rivierës Shqiptare, po bën bujë në rrjetet sociale, pasi influencuesit e kanë quajtuar atë “Maldivet e Evropës” për shkak të popullaritetit të tij në internet.

Nëse dëshironi të përjetoni sharmin e saj, më mirë nxitoni – përpara se të bëhet po aq e mbipopulluar me turistë sa vetë Maldivet!

Parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës

21 September 2024 at 07:31

Sipas MeteoAlb gjatë pjesës së parë të ditës; Shqipëria; do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta në bregdet dhe zonat e ulëta, por vranësira më të shpeshta do të ketë në zonat malore.

Orët e pasdites; sjellin grumbullim të vranësirave duke gjeneruar rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit, por më të theksuara reshjet do të jenë në ekstremin jugor si edhe zonat juglindore ku herë pas here, shirat paraqiten në formë shtrëngate. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të përmirësojnë kushtet atmosferike në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të rriten në vlerat minimale, por mbeten konstante maksimalet duke u luhatur nga 11°C vlera më e ulët deri në 29°C vlera më e lartë në rang vendi; e cila do të shënohet në Elbasan. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.

Kosova

Territori i Kosovës; do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira të shpeshta gjatë orëve të paradites, por pas-mesditës dhe në vijim; vranësirat do të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin e Kosovës duke gjeneruar reshje të pakta dhe të izoluara shiu; përjashtuar zonat Lindore të cilat do të dominohen

nga kthjellime dhe vranësira por pa reshje.

Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim të kushteve të motit duke bërë që; kthjellimet dhe vranësirat e lehta të jenë dominante; Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 8°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 24°C vlera më e lartë në Prizren dhe Gjakovë.

Era do të fryjë e lehtë paradite, por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Do të mbetet Republika e RMV përgjatë gjithë 24-orëshit; nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm ku vranësirat të dendura do të jenë dominante; herë pas here do të pësojnë zhvillim duke gjeneruar rrebeshe afat-shkurtra shiu në të gjithë RMV.

Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës; moti të përmirësohet gradualisht duke i larguar reshjet nga i gjithë territori i RMV.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 9°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 26°C vlera maksimale në rang vendi; Ndërkohë, era do të paraqitet e lehtë deri mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi permanent veriperëndimor.

Europa

Ishujt Britanikë si edhe Europa Qendrore pritet të jenë nën ndikimin e vranësirave të dendura të cilat do të gjenerojë reshje shiu.

Gjithashtu; gadishulli i Ballkani si edhe brigjet e Italisë Veriore dhe Qendrore do të paraqiten me vranësira konvektive duke gjeneruar rrebeshe shiu; stuhi ere si edhe stuhi afat-shkurta breshëri në zona të izoluara. Ndërsa moti i kthjellët dhe vranësirat e lehta e kalimtare do të jetë dominojnë në; gadishullin Iberik; gadishullin Skandinav; gadishullin Peloponez si edhe pjesën më të madhe të Europës Lindore.

Izraeli përshkallëzon sulmet kundër Hezbollahut

21 September 2024 at 07:12

Izraeli po përshkallëzon sulmet e tij kundër Hezbollahut. Lëvizja shiite libaneze Hezbollah konfirmoi të premten se forcat e armatosura të Izraelit kishin vrarë një operativ të lartë, Ibrahim Akil, disa orë pasi shtabi i përgjithshëm izraelit e njoftoi këtë.

Sipas ushtrisë izraelite, gjatë sulmit u goditën zyrtarët më të lartë të grupit të operacioneve të Hezbollahut dhe udhëheqjen e forcës Radëan.

Zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari tha se sulmi vrau gjithashtu 10 komandantë të Hezbollahut, të cilët ai tha se janë përgjegjës për “veprimet kundër Izraelit në baza ditore.

/abcnews.al/

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

21 September 2024 at 07:06

Dashi
Kujdesuni për shëndetin tuaj. Ata që investojnë paratë në bursë mund të pësojnë humbje sot. Duhet të jeni të vëmendshëm dhe vigjilent në lidhje me investimet tuaja. Nipërit dhe mbesat do të jenë një burim kënaqësie e jashtëzakonshme për gjyshërit e kësaj shenje të zodiakut. Partneri juaj do të mërzitet nëse neglizhoni t’i kushtoni vëmendje të mjaftueshme sot.
Demi
Do të ndiheni mjaft mirë nga ana shëndetësore. Kjo ndjesi do t’ju inkurajojë të dilni me miqtë. Sot duhen shmangur investimet e reja. Një mbledhje familjare do t’ju vërë në qendër të vëmendjes. Nuk përjashtohet mundësia e një lidhjeje të re romantike.
Binjakët
Mund të gjeni zgjidhje për një problem të vazhdueshëm. Blerjet që lidhen me artikujt thelbësorë të shtëpisë dhe kuzhinës mund t’ju ngarkojnë në mbrëmje. Kjo do të jetë një ditë kur romanca do të sundojë zemrën dhe mendjen tuaj.
Gaforrja
Mbështetja e një personi me ndikim do të rrisë besimin tuaj. Dikush në vendin tuaj të punës mund të përpiqet t’ju bëjë dëm. Prandaj, jini vigjilentë ndaj çdo situate rreth jush. Zgjidhini problemet personale përmes të kuptuarit dhe arsyes. Mos i përcillni këto çështje në publik, përndryshe reputacioni juaj mund të dëmtohet.
Luani
Nëse nuk keni pasur kohë të mjaftueshme për të pushuar, atëherë do të ndiheni jashtëzakonisht të lodhur. Vizita në shtëpinë e të afërmve mund t’ju shtojë problemet financiare. Faturat e papritura mund të rrisin barrën tuaj financiare. Mos e shantazhoni emocionalisht partnerin tuaj, pasi kjo mund t’ju hapë probleme të kota.
Virgjëresha
Miqtë do t’ju prezantojnë me dikë të veçantë, i cili do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimet tuaja. Vizita e të afërmve do të jetë një përvojë më e këndshme nga sa mund ta kishit imagjinuar. Duhet të bëni një pushim nga programi ditor dhe të dilni me miqtë tuaj sot. Sot do të jeni të sinkronizuar me emocionet e partnerit.
Peshorja
Ka gjasa të keni një përmirësim në financat tuaja. Yjet tregojnë se kjo nuk është një ditë e mirë për të nisur plane të reja romantike. Një problem në punë mund t’ju shqetësojë dhe mund të kaloni një pjesë të ditës duke menduar për këtë.
Akrepi
Sot mund të ketë shqetësime për shkak të problemeve me paratë. Ju duhet të konsultoheni me një të besuar për këshilla. Ju e njihni mirë partnerin dhe sytë e tyre nuk mund t’ju fshehin ndjenjat e brendshme. Sot sytë e tij/saj do t’ju tregojnë diçka të veçantë.
Shigjetari
Pushoni dhe relaksohuni për të rinovuar veten pasi një trup i dobët dobëson mendjen. Përpiquni të përmbushni potencialin tuaj të vërtetë, pasi ndonjëherë ju mungon jo forca, por vullneti. Përpjekjet tuaja për të kursyer para mund të dështojnë sot. Mund të ndjeni mungesën e partnerit sot.
Bricjapi
Do të jeni shumë të prekshëm emocionalisht, prandaj qëndroni larg situatave në të cilat ka gjasa të lëndoheni. Ndihma e një vëllai ose motre do të sjellë përfitime monetare për ju, sot. Natyra juaj e mprehtë do t’ju vërë në qendër të vëmendjes në eventet shoqërore. Jini të hapur ndaj mundësive të reja, pasi ka të ngjarë të njiheni me dikë mjaft mirëkuptues.
Ujori
Nëse kohët e fundit jeni ndjerë të frustruar, veprimet e duhura dhe një qasje pozitive sot, do të sjellin një ndryshim fati. Bëni kujdes që të mos përfshiheni në marrëveshje të dyshimta financiare. Dita do jetë emocionuese, pasi bashkëshorti do të bëjë përpjekje për t’ju sjellë gëzim.
Peshqit
Do të gjeni lehtësim nga tensionet që keni përjetuar kohët e fundit. Duhet të vlerësoni kohën dhe paratë ose përndryshe e ardhmja e afërt do të jetë plot me telashe dhe sfida. Shëndeti i bashkëshortit tuaj mund t’ju shkaktojë shqetësime dhe stress.

❌
❌