Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 4 October 2024Main stream

G7 miraton planin për të luftuar trafikimin e migrantëve

4 October 2024 at 17:28

Grupi i Shtatë vendeve të pasura demokratike (G7) do të krijojë njësi të specializuara policore për të hetuar trafikimin e migrantëve, tha sot ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, si pjesë e përpjekjeve për të trajtuar migracionin e parregullt, sipas Reuters.

Piantedosi njoftoi nismën në fund të një takimi treditor të ministrave të Brendshëm të G7, i cili u fokusua gjithashtu në kërcënimet që rrjedhin nga krizat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

“Plani i veprimit parashikon forcimin e kapaciteteve hetimore dhe operacionale të forcave të policisë, duke përfshirë nisjen e veprimeve të përbashkëta”, u tha ai gazetarëve pas bisedimeve në Mirabella Eclano në Italinë jugore.

“Ne përsëritëm me një zë se shkatërrimi i karteleve të trafikut është një prioritet”, shtoi ai.

Qeveria e djathtë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila mban presidencën e radhës të G7 për vitin 2024, ka kërkuar bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe qeveritë afrikane për të goditur trafikantët e qenieve njerëzore.

Përkeqësohet moti/ Shi dhe stuhi, të shtunën stuhia zhvendoset në juglindje

4 October 2024 at 14:08

SHQIPËRI– Moti i keq me stuhi dhe rrebeshe shiu ka përfshirë këtë të premte të gjithë vendin. Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve disa zona rrezikojnë përmbytje në ultësirën perëndimore.

“Presim reshje në formë shtrëngate që nga Shkodra, Lezha, Elbasani. Të gjitha këto zona do të reshje intensive. Për sa i përket jugut, do të jetë qarku i Vlorës më problematik”, thekson meteorologia Lajda Porja.

Ndërsa të shtunën stuhia zhvendoset nga zonat perëndimore në pjesën juglindore të vendit.

“Zhvendoset në qarkun e Korçës”, u shpreh ajo.

Situata e vështirë pritet të jetë edhe në zonat bregdetare, për shkak të erës së fortë, që ka sjellë edhe pezullimin e lundrimit.

“Problematike është një tjetër problem i erës. 75 km në orë. Parashikohet që e diela të mbetet me një erë të fortë. Fundjava problematike dhe të hënën normalikzohet situata e erës”, shtoi Porja.

Sipas sinoptikanëve, kushtet e motit do të përmirësohen gjatë fundjavës, ndërsa temperaturat ulen ndjeshëm.

“Ulet intensiteti i reshjeve të shtunën dhe të dielën. Kemi një freskim të motit në fundjavë. Zbret termometri të shtunën në 28 gradë dhe e diela 26 gradë. Fillon java me mot të qëndrueshëm, megjithatë kemi të mërkurën një tjetër sistem me reshje, por në këto masa”, tha ajo.

Tetori pritet të jetë i lagësht, ku do të ketë reshje gjatë gjithë muajit, më të intenfisikuara gjatë 15 ditëshit të parë./abcnews.al

Një bandë e armatosur sulmon qytetin, të paktën 20 të vdekur në Haiti

4 October 2024 at 12:48

Të paktën 20 persona, përfshirë fëmijë janë vrarë pasi një bandë e armatosur sulmoi një qytet të vogël në Haiti.

Mediat e huaja raportojnë se dhjetëra të tjerë u plagosën ndërsa anëtarët e bandës Gran Grif sulmuan nëpër Pont-Sondé në rajonin qendror Artibonite rreth 71 km (44 milje) në veri-perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince.

Pamjet video tregojnë grupe njerëzish që ikin nga dhuna me motoçikleta dhe në këmbë. Një prokuror i qeverisë e përshkroi sulmin si “një masakër”, raportoi Associated Press.

Bandat e armatosura kanë marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të Haitit dhe një mision policie i mbështetur nga OKB, i udhëhequr nga oficerë nga Kenia, filloi në qershor në një përpjekje për të kthyer kontrollin.

Numri i saktë i të vdekurve nga sulmi nuk është i qartë – media lokale raportoi se më shumë se 50 ishin vrarë, ndërsa një grup i të drejtave të njeriut nga Haiti e vendos shifrën në 20 ose më shumë, tha AP.

Gran Grif thuhet se është një nga bandat më të dhunshme të Haitit. Në janar të vitit 2023 anëtarët e saj u akuzuan për sulmimin e një stacioni policie pranë Port-Sonde dhe vrasjen e gjashtë oficerëve.

Ai gjithashtu fajësohet për mbylljen e detyruar të një spitali që u shërben më shumë se 700,000 njerëzve. Banda ka rreth 100 anëtarë dhe është akuzuar për krime duke përfshirë vrasje, përdhunim, grabitje dhe rrëmbime, sipas një raporti të OKB-së të cituar nga AP. Si themeluesi dhe udhëheqësi aktual i saj janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së.

OBSH i hap dritën jeshile testeve të “mpox”

4 October 2024 at 12:28

Për herë të parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë miratimin urgjent për një test mpox.

“Kjo do t’i lejojë agjencitë e OKB-së të blejnë këtë test nga kompania amerikane Abbott Molecular për ta shpërndarë në vendet dhe rajonet e prekura’’, theksoi OBSH.

Testi mund të zbulojë virusin mpox më shpejt dhe më lehtë se më parë.

‘’Nëse më shumë njerëz testohen për virusin, masat për të frenuar përhapjen e tij mund të zbatohen më shpejt’’, thuhet në deklaratë.

Mpox ishte i njohur më parë si lija e majmunit.

“Tre kompani të tjera kanë aplikuar për miratim urgjent”, sipas OBSH-së.

Më shumë se 30 000 raste të dyshuara të mpox janë raportuar në Afrikë këtë vit, shumica e tyre në Kongo.

Numri i rasteve të raportuara kohët e fundit është rritur ndjeshëm në vendet fqinje si Burundi. Megjithatë, vetëm një në tre raste përfundon në dërgimin e një kampioni në një laborator ku mund të zbulohet virusi.

Në gusht, OBSH shpalli nivelin e saj më të lartë të alarmit, një “urgjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar” (PHEIC), për shkak të mpox, në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për urgjencën dhe për të mobilizuar më shumë burime për të luftuar përhapjen e sëmundjes.

Në Evropë, ku shpërthimet janë kontrolluar mirë në vitin 2022, rreziku i përhapjes përsëri të mpox konsiderohet i ulët.

Publikohet lista e kombëtares/ Sylvinho kthen Ajetin, Muçin dhe Dakun

4 October 2024 at 10:30

TIRANË- Publikohet lista e futbollistëve të kombëtares së Shqipërisë, për ndeshjet e tetorit ne Ligen e Kombeve, kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Trajneri i Kombëtares ka rikthyer Arlind Ajetin, Ernest Muçin dhe Mirlind Dakun, të cilët u lanë jashtë liste për ndeshjet e shtatorit.

Kombëtarja luan ndeshjet e dyta në Ligen e Kombeve, kundër Çekisë me 11 tetor dhe Gjeorgjisë me 14 tetor, të dyja në transfertë.

Në portë:

Thomas Strakosha, Elhan Kastrati dhe Alen Sherri.

Në mbrojtje:

Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj

Në mesfushë:

Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Adrion Pajaziti, Qazim Laçi, Nedim Bajrami dhe Ernest Muçi.

Në sulm:

Jasir Asani, Taulant Seferi, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni dhe Mirlind Daku./ abcnews.al

 

 

Përmbytjet në Afrikë, mbi 1 000 të vdekur dhe mijëra të tjerë të zhvendosur

4 October 2024 at 10:25

Më shumë se 1.000 njerëz kanë vdekur dhe të paktën 740.000 janë zhvendosur pasi përmbytjet kanë përfshirë Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, duke prekur mbi 5 milionë njerëz në 16 vende, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Shumica e pjesëve të rajonit të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, si dhe Sahelit, kanë përjetuar përmbytje të rënda për shkak të reshjeve të mëdha.

Çadi, Nigeri dhe Nigeria janë goditur më rëndë, duke përbërë mbi 80 për qind të popullsisë totale të prekur, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Përveç numrit të njerëzve, qindra mijëra shtëpi, shkolla dhe objekte të kujdesit shëndetësor janë dëmtuar, me rreth gjysmë milioni hektarë tokë bujqësore të shkatërruar, duke kërcënuar sigurinë ushqimore dhe duke rritur kequshqyerjen, veçanërisht në Çad dhe Niger.

Kushtet e pasigurta të jetesës po rrisin gjithashtu rrezikun e sëmundjeve të shkaktuara nga uji, si kolera, duke u përhapur në Niger dhe Nigeri, paralajmëroi OKB.

Joyce Msuya, ndihmëssekretare e përgjithshme për çështjet humanitare dhe zëvendëskoordinatore e ndihmës emergjente, ka ndarë 35 milionë dollarë për të mbështetur masat reaguese në Çad, Niger, Nigeri, Republikën Demokratike të Kongos dhe Kongo. Megjithatë, nevojiten urgjentisht fonde shtesë, theksoi OKB-ja.

Vetëm në Nigeri, Msuya ndau 5 milionë dollarë për të ndihmuar 280.000 njerëz me ushqim, ujë të pastër dhe strehim, si dhe përpjekje për të parandaluar shpërthimet e kolerës.

Plani i Reagimit Humanitar prej 927 milionë dollarësh për Nigerinë është vetëm 46 për qind i financuar, vunë në dukje zyrtarët.

Before yesterdayMain stream

Jamarbër Malltezi mbetet në arrest/ Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë

3 October 2024 at 15:47

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak, për dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Sakaq, Malltezi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale “korrupsion” dhe “pastrim parash”

Për këtë dosje voluminoze prej 500 faqesh, është marrë i pandehur edhe ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili  akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për  “korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim”.

Ish-kryeministri Sali Berisha prej 30 dhjetorit të 2023 ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”/abcnews.al

 

Mikrokreditë, rregullat e reja nga BSH/ Deralla: Ja ku konstatojnë këto ndryshime

3 October 2024 at 14:30

TIRANË- Më shumë filtra për dhënien e kredive nga institucionet e mikrokredive. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi të mërkurën ndryshimet në rregullore që lidhet me administrimin e rrezikut të veprimtarisë së këtyre institucioneve ku parashikohen një sërë kufizimesh.

Në rregulloren e re kërkohet një vlerësim më i imtësishëm i aftësisë paguese të qytetarëve.

Drejtori i Departamentit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, i ftuar në “Money Report”, u shpreh se institucionet financiare nuk duhet t’u japin hua atyre personave që nuk kanë aftësi paguese apo kanë një historik jo të mirë në raport me kthimin e borxheve.

“Të gjithë individët që nuk kanë mundësi të marrin kredi dhe e bëjnë të pamundur pagesën, duhet te jenë në “black list”, me qëllim që të përjashtohen nga huadhënia ato individë, që janë kreditorët e këqij. Të gjithë këto rregulla përmirësojnë kushtet e kreditimit për konsumatorin”, tha ai.

Ai paralajmëroi se brenda vitit, Banka e Shqipërisë do të miratojë një rregullore të re, e cila synon mbrojtjen e konsumatorit.

“Rregullorja e re që do të miratojmë brenda këtij viti, është tërësisht në mbrojtje të konsumatorit”, shtoi ai.

Më tej Deralla, u shpreh se Banka e Shqipërisë do hartojë dhe një kuadër rekomandues me qëllim që institucionet financiare të përdorin elementet informues në reklamat e tyre.

“Kemi parashikuar një detajim të elementeve të reklamës, për të mos krijuar keqkuptime tek konsumatori. Ato elemente që konsiderohen si të pasaktë ose elementë, të cilët janë të tillë, por që i përkasin një segmenti të caktuar, duhet të bëhet i qartë informacioni”, tha ai./ abcnews.al

Gazetarja i dërgoi aksidentalisht shënimet/ BBC merr vendimin, anulon intervistën e planifikuar me Boris Johnson

3 October 2024 at 14:08

BBC ka anuluar një intervistë me Boris Johnson, pasi Laura Kuenssberg i dërgoi aksidentalisht ish-kryeministrit shënimet e saj informuese. Kuenssberg, i cila moderon emisionin të së dielës, tha se “nuk ka kuptim të pretendosh se është diçka tjetër përveçse e turpshme dhe zhgënjyese”

Duke zbuluar gabimin në X, ajo tha se ishte duke u përgatitur të intervistonte Johnson sot dhe “gabimisht i dërgoi shënimet informuese atij në një mesazh të destinuar për ekipin e saj”.
“Kjo padyshim do të thotë se nuk është e drejtë që intervista të vazhdojë”, shtoi ajo.

Ish-redaktorja politike e BBC-së, tha se ishte “zhgënjyese” dhe se ka “shumë pyetje të rëndësishme për t’u bërë”.

“Por duhet lënë mënjanë fytyrën e skuqur, ndershmëria është politika më e mirë”, shtoi Kuenssberg. Intervista me Johnson do të transmetohej në një program special 30-minutësh të enjten në mbrëmje, dhe ishte promovuar shumë nga BBC për dy javët e fundit.

VIDEO/ Shpërthen një bombë e Luftës së Dytë Botërore në aeroportin e Japonisë

3 October 2024 at 10:51

Një bombë e pashpërthyer amerikane nga Lufta e Dytë Botërore, e cila ishte ‘varrosur’ në një aeroport japonez, shpërtheu të mërkurën, duke shkaktuar një krater të madh në një rrugë lidhëse dhe anulimin e më shumë se 80 fluturimeve, thanë zyrtarët japonezë.

Askush nuk u lëndua dhe nuk kishte asnjë aeroplan aty pranë kur bomba shpërtheu në aeroportin Miyazaki në Japoni, thanë zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Tokës.

Një hetim nga Forcat e Vetëmbrojtjes dhe policia, konfirmoi se shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombë amerikane 225 kilogramëshe dhe nuk kishte asnjë rrezik të mëtejshëm. Zyrtarët po përcaktonin se çfarë e shkaktoi shpërthimin e papritur të saj.

🌐 Breaking News: Explosion at Miyazaki Airport? ✈💥

This morning, an explosion was reportedly captured on the information camera at Miyazaki Airport at 7:58 AM, sending plumes of dust into the air.

The airport office has confirmed that a sinkhole was found on the taxiway… pic.twitter.com/LPwA0VKsPp

— Currently JAPAN (@Currently_JAPAN) October 2, 2024

Një video e regjistruar nga një shkollë aviacioni aty pranë, tregoi shpërthimin duke nxjerrë copa asfalti në ajër si një shatërvan. Videot e transmetuara në televizionin japonez treguan një krater në rrugë lidhëse, që thuhet se ishte rreth 7 metra në diametër dhe 1 metër të thellë.

Sekretari i kabinetit Yoshimasa Hayashi, tha se më shumë se 80 fluturime ishin anuluar në aeroport që nga mesdita e së mërkurës. Aeroporti tha se dëmtimi i rrugës lidhëse u riparua gjatë natës dhe fluturimet rifilluan të enjten në mëngjes.

Aeroporti Miyazaki u ndërtua në vitin 1943 si një ish-qendër trajnimi fluturimi të marinës perandorake japoneze, nga e cila disa pilotë u ngritën në misione sulmi vetëvrasës.

Një numër bombash të pashpërthyera të hedhura nga ushtria amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore janë zbuluar në zonë, thanë zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes. Qindra tonelata bomba të pashpërthyera nga lufta mbeten të ‘varrosura’ rreth Japonisë dhe ndonjëherë zbulohen në kantieret e ndërtimit./ abcnews.al

Meksikë, ushtarët vrasin gjashtë emigrantë

3 October 2024 at 10:21

Ushtarët meksikanë vranë gjashtë persona pasi hapën zjarr ndaj grupi prej 33 emigrantësh, njoftuan autoritetet vendase.

Sipas një deklarate të ministrisë së Mbrojtjes, emigrantët udhëtonin me një kamion që ishte përpjekur t’i shmangej një patrulle ushtarake.

10 emigrantë të tjerë u plagosën në incidentin e së martën në mbrëmje, shtoi ministria.

Emigrantët ishin nga Egjipti, Nepali, Kuba, India dhe Pakistani.

Ministria tha se incidenti ndodhi pranë qytetit Huixtla, rreth 40 kilometra nga Tapachula, pranë kufirit me Guatemalën.

Tapachula, është një pikë hyrjeje në Meksikë për shumë emigrantë që synojnë të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, shumë prej të cilëve ikin nga dhuna dhe varfëria.

Moti i keq, pezullohet peshkimi në Durrës dhe Vlorë

3 October 2024 at 09:37

SHQIPËRI- Vendi ynë këtë të enjte është përfshirë nga moti i keq me erë dhe reshje shiu. Kjo ka bërë që dallgëzimi në det të jetë i lartë duke detyruar autoritetet detare të marrin masa për të pezulluar aktivitetin për anijet e vogla të peshkimit.

Në Durrës, kapiteneria ka marrë masa duke urdhëruar flotën e peshkimit të pezulloje për 48 orë aktivitetin.

Burime nga kapiteneria thanë për ABC News se të enjten dhe të premten nuk do të lejohen anijet e peshkimit të dalin në det dhe u është e bërë thirrje edhe anijeve që ndodhen në det të ankorohen pranë portit të peshkimit.

Ndërkohe, linjat e trageteve mes Durrësit dhe porteve italiane do të vazhdojnë normalisht aktivitetin e tyre si edhe anijet e tonazhit të mesëm dhe të lartë do vazhdojnë punën.

Po ashtu dhe në Vlorë është pezulluar peshkimi, ndërsa anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Sipas meteorologëve, përmirësimi i situatës do të jetë pas datës 4 tetor./ abcnews.al

 

Greqi, zjarri shkrumbon mbi 65 mijë hektarë pyje

3 October 2024 at 09:23

Më shumë se 65 mijë hektarë pyje janë kthyer në hi si pasojë e një zjarri që shpërtheu në rrethin Ksilokastro të rajonit Korinthos, që ndodhet në gadishullin e Peloponezit të Greqisë.

Sipas raportimeve nga mediat greke, zjarri që filloi të dielën u vu nën kontroll kryesisht sot, pas përpjekjeve intensive të shuarjes nga njësitë ajrore dhe ato tokësore.

Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) përcaktoi se deri në mëngjesin e të hënës mbi 65 mijë hektarë pyje ishin djegur nga flakët.

Një analizë e zjarreve pyjore në rajonin Korinthos që nga viti 2010 zbuloi se zjarri i fundit është më i madhi që zona ka përjetuar në më shumë se një dekadë.

Shërbimi i Zjarrfikësve i vendit raportoi se një bletërritës vendas, i cili përdorte tym për t’u kujdesur për bletët e tij kur shpërtheu zjarri, është gjobitur për shkelje të ndalimit të sigurisë nga zjarri, masë që ndalon përdorimin e zjarrit gjatë periudhave me rrezik të lartë zjarri. Dy persona humbën jetën dhe dy zjarrfikës u plagosën nga zjarri që shpërtheu të dielën.

Bill Gates liston “pasojat negative’ të Inteligjencës Artificiale

3 October 2024 at 08:32

Bill Gates është një optimist për të ardhmen e Inteligjencës Artificiale, por ai ngre disa shqetësime kryesore rreth saj.

Sipas mediave të huaja, bashkëthemeluesi i Microsoft shpalosi tri shqetësimet e tij më të mëdha për teknologjinë ndërsa fliste në një podcast të fundit, të publikuar të hënën.

Gates tha se shqetësimi i tij i parë është “që njerëzit e këqij me qëllim të keq do të përdorin AI për krime kibernetike, bioterrorizëm, si dhe luftëra shtet-komb”.

“Në këto raste le të sigurohemi që njerëzit e mirë të kenë një AI që mund të krijojë mbrojtje kundër atyre gjërave,…”, citohet të ketë thënë ai.

Mediat kujtojnë se buxheti i SHBA-së për vitin fiskal 2025 përfshin miliarda të destinuara për AI, duke përfshirë përpjekjet për të avancuar “zhvillimin dhe përdorimin e sigurt dhe të besueshëm të AI” dhe për të investuar në një “institut të ri të sigurisë së AI për të mbrojtur sigurinë dhe të drejtat e publikut amerikan”.

Shqetësimi i dytë i Gates është për “shkallën e shpejtë të ndryshimit” që mund të çojë në humbje të vendeve të punës, shkruan BI.

Një raport i Goldman Sachs i vitit 2023 tha se AI mund të rezultojë në “çrregullime të konsiderueshme” të tregut të punës dhe të ndikojë në rreth 300 milionë vende pune me kohë të plotë.

Ndërkohë një sondazh i kryer nga HubSpot vitin e kaluar zbuloi se punonjësit e shitjeve kursenin dy orë e 15 minuta në ditë kur përdornin AI për të automatizuar detyrat manuale, duke përfshirë planifikimin e takimeve, mbajtjen e shënimeve dhe futjen e të dhënave.

“Inteligjenca artificiale nuk po zëvendëson shitësit – por thjesht po kujdeset për aspektet më të përsëritura të punës së tyre”, thuhet në studim.

Gates shtoi se shqetësimi i tij i tretë, i cili “shfaqet shumë”, është skenari i “humbjes së kontrollit”.

Shumë studiues dhe ekspertë të AI kanë paralajmëruar për vite të tëra për pasojat e mundshme nëse arrihet AGI, ose inteligjenca e përgjithshme artificiale që tejkalon inteligjencën njerëzore – duke përfshirë skenarët e mundshëm të fundit të botës.

Ekspertët kanë paralajmëruar se modelet e AI mund të abuzohen për qëllime të tilla si kryerja e mashtrimeve ose sulmeve kibernetike ose përhapja e dezinformatave, ndër të tjera.

Kujtojmë se përveç Gates, liderë të tjerë biznesi kanë shprehur gjithashtu shqetësime për AI.

Kryeekonomisti i Microsoft, Michael Schwarz, tha në Forumin Ekonomik Botëror vitin e kaluar se ai ishte “i bindur se AI do të përdoret nga aktorë të këqij dhe po, do të shkaktojë dëme të vërteta”.

Ndërsa CEO i OpenAI, Sam Altman, madje ka thënë ndërsa mendon se “rasti më i mirë është aq i pabesueshëm saqë është e vështirë për mua edhe ta imagjinoj”, nga ana tjetër, ai imagjinon se një skenar i rastit më të keq për AI mund të jetë “fikja e dritave për të gjithë ne”.

Rënia e madhe/ Platforma “X” vlen gati 80% më pak që kur u ble Elon Musk

3 October 2024 at 08:23

Platforma e mediave sociale e njohur më parë si Twitter vlen pothuajse 80% më pak se dy vjet më parë kur Elon Musk e bleu atë, sipas vlerësimeve nga gjiganti i investimeve Fidelity.

Sipas mediave të huaja,  X nuk tregton më publikisht pasi Musk shpenzoi 44 miliardë dollarë për ta blerë atë në tetor të vitit 2022.

Megjithatë, Fidelity zbulon atë që beson se është vlera e aksioneve të saj të X, dhe këto vlerësime shërbejnë si një barometër për “shëndetin e përgjithshëm të kompanisë”.

Deri në fund të gushtit, ato aksione kishin vlerë vetëm 4.2 milionë dollarë.

Ky vlerësim i ri shënon një rënie prej 24% në vlerë nga ajo që Fidelity vlerësoi në fund të korrikut.

Dhe përfaqëson një rënie marramendëse prej 79% nga 19.66 milionë dollarë që Fidelity vlerësoi se aksionet kishin vlerë në tetor 2022 kur Musk bleu Twitter.

Vlerësimi i ri nga Fidelity nënkupton se X tani vlen vetëm 9.4 miliardë dollarë – shumë larg nga 44 miliardë dollarë që pagoi Musk.

Sidoqoftë, investitorët e tjerë mund të vlerësojnë X ndryshe.

Francë, kundërshtohet me protesta reforma e pensioneve

3 October 2024 at 08:13

Mijëra demonstrues dolën në rrugët e kryeqytetit francez Paris dhe qyteteve të tjera të martën për të kërkuar shfuqizimin e reformës së pensioneve të presidentit Emmanuel Macron.

Krahas kësaj edhe paga më të larta dhe përmirësime të standardeve të tyre të jetesës.

Franca me reformën e pensionit synon që moshën e daljes në pension ta rrisë nga 62 në 64-vjeç.

Duke u mbledhur në sheshin Denfert-Rochereau, qytetarët marshuan drejt sheshit Bastille, duke shprehur mosmiratimin e tyre për politikat e reja të qeverisë që anojnë nga e djathta ekstreme.

“Ne denoncojmë mënyrën se si Macron injoroi votimin demokratik që u zhvillua në qershor.

Për sa i përket kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve sociale, kushtet po përkeqësohen vit pas viti”, tha Ramon Villa, sekretar i Federatës Sociale të Shëndetit Jugor.

Demonstruesit theksuan nevojën për të konsideruar rritjen e pagave, shfuqizimin e reformave të pensioneve dhe financimin më të mirë të shërbimeve publike.

Nga viti 2025 WhatsApp nuk do të funksionojë në disa modele të iPhone

3 October 2024 at 08:09

Rrjeti social WhatsApp po përditëson sistemin operativ dhe nuk do të funksionojë më në disa modele të vjetra të iPhoneit, shkruan “Mobiletelco”.

Nga 24 shkurti i vitit 2025 kërkesa minimale për WhatsAppin në pajisjet iPhone do të jetë instalimi i sistemit operativ iOS 14.1.

Kjo do të thotë se në iPhone 6, iPhone 5s, iPhone 6 Plus dhe modelet më të vjetra nuk do të funksionojë WhatsAppi pasi nuk mund të përditësohen në versionin e kërkuar të sistemit operativ.

Si arsye kryesore për këtë vendim, rrjeti social që menaxhohet nga Meta përmend sigurinë e përdoruesve dhe thotë se sistemet e vjetra operative nuk i plotësojnë të gjitha standardet e nevojshme për funksionet e nevojshme.

Për përdoruesit e Androidit, nuk ka kërkesa të reja të sistemit – mjafton të keni Android 5.0 dhe mund të përdorni WhatsApp-in.

 

 

❌
❌