Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 October 2024Main stream

Hoxha dhe Proda vizitojnë policët e lënduar në protestë

7 October 2024 at 22:38

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ndodhen në Spitalin e Traumës ku po vizitojnë efektivët e lënduar, pas protestave të dhunshme të opozitës.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, gjatë një prononcimi për mediet, u shpreh se gjendja shëndetësore e efektivëve të lënduar është e mirë.

“Ata, të cilët e orkestruan shfaqjen e shëmtuar të mbrëmjes së sotme në rrugët e Tiranës, kanë shkuar tanimë pranë familjeve të tyre.

Ndërsa ata, që fatkeqësisht nuk kthehen dot sonte pranë familjes janë tre efektivë policie, të cilët janë plagosur dhe do të qëndrojnë në spital, për të vetmen arsye se ishin në krye të detyrës.  I falënderova të tre efektivët dhe u urova kthim sa më të shpejtë në shtëpi”, u shpreh Hoxha.

“I falënderoj edhe njëherë të gjithë punonjësit e Policisë që u provokuan, goditën dhe madje u lënduan, por treguan profesionalizmin dhe maturinë e një trupe që reagon vetëm proporcionalisht, si një trupë evropiane e një shteti evropian.

Sot ata kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme”, tha Hoxha.

“U bllokua deri edhe rruga e autoambulancës, apo u sulmua si kurrë në ndonjë vend demokratik selia e një partie politike kundërshtare (përveç përsëritjeve klasike të sulmeve qorre mbi muret e institucioneve qendrore apo zjarrvënies së pemëve të “qeverisë” që nuk munguan edhe sonte).

Por pavarësisht absurditetit të shfaqjes së sotme të një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktivave më të mira demokratike”, vijoi ministri.

Sipas tij, “orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga bllofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme.

Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese.

I garantoj qytetarët e këtij vendi se bllofi i mosbindjes civile nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç përgjigjes proporcionale dhe shteruese të ruajtësve të ligjit ndaj shkelësve të ligjit”, përfundoi ministri i Brendshëm.

Gjatë vizitës, ata ndaluan edhe tek një nënë, e cila lindi në makinë, për shkak të bllokimeve të rrugëve nga protestuesit.

Gjatë protestave, dhjetë policë u lënduan nga sulmet me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.

Protesta e opozitës, 10 punonjës policie të dëmtuar nga sulmet me molotov dhe mjete të forta

/a.f/r.e/

The post Hoxha dhe Proda vizitojnë policët e lënduar në protestë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punonjësit e bashkisë në terren, nis pastrimi i dëmeve të shkaktuara nga protesta e opozitës

7 October 2024 at 22:25

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Protesta e opozitës mbaroi, por shkaktoi në kryeqytet dëme dhe papastërti të mëdha. Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në ambientet rreth Ministrisë së Brendshme protestuesit lanë pas xhama të thyera, lulishte të dëmtuara dhe mbeturina pafund.

Menjëherë pas largimit të protestuesve të gjithë punonjësit e bashkisë së Tiranës kanë dalë në terren për të pastruar kryeqytetin nga ato që lanë pas.

1 nga 4

/r.e//a.f/

The post Punonjësit e bashkisë në terren, nis pastrimi i dëmeve të shkaktuara nga protesta e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e opozitës, ekspertët mbledhin prova në selinë e PS dhe përpara Kryeministrisë

7 October 2024 at 22:12

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Pas përplasjeve të dhunshme që ndodhën gjatë protestës së opozitës, ku u hodhën molotovë nga disa protestues, ekspertë të policisë kanë mbërritur në selinë e Partisë Socialiste për të mbledhur prova pas shpërthimeve.

Zjarri shpërtheu pas hedhjes së njëpasnjëshme të molotovëve, duke rrezikuar jetën e gazetarëve, protestuesve dhe operatorëve të pranishëm.

Grupi hetimor po vazhdon të mbledhë prova edhe përpara Kryeministrisë, duke dokumentuar dëmet dhe aktet e dhunshme të shkaktuara nga militantë opozitarë.

Në përplasjet mes protestuesve dhe policisë, dhjetë efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.

ekspertë të policisë duke mbledhur provat, Foto: Agim Dobi
1 nga 11

/r.e//a.f/

The post Protesta e opozitës, ekspertët mbledhin prova në selinë e PS dhe përpara Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e opozitës, 10 punonjës policie të dëmtuar nga sulmet me molotov dhe mjete të forta

7 October 2024 at 20:20

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ 10 punonjës Policie janë dëmtuar në protestën e sotme të opozitës nga sulmet me e qytetarëve, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.

Policia bën të ditur se, që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.

Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta  ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie, thekson Policia.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Policia thekson ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

/a.f/

 

The post Protesta e opozitës, 10 punonjës policie të dëmtuar nga sulmet me molotov dhe mjete të forta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përshkallëzohet protesta e opozitës, protestuesit hedhin molotov kundër institucioneve dhe policisë

7 October 2024 at 20:26

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Protesta e sotme e opozitës ka nisur në mënyrë të dhunshme, teksa protestuesit kanë hedhur bomba molotov dhe tymuese në drejtim të forcave të Policisë dhe të godinës së Kryeministrisë.

Gjithashtu ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Policia u ka bërë thirrje protestuesve të ndalojnë hedhjen e molotovëve dhe tymueseve, teksa forcat zjarrfikëse janë përpjekur të shuajnë zjarrin.

Nga hedhja e molotovëve është djegur edhe një pemë përpara Kryeministrisë dhe një tjetër pemë përballë hotel “Rogner”.

Pas hedhjes së disa molotovëve dhe tymueseve, situata është qetësuar përpara godinës së Kryeministrisë, teksa protestuesit të prirë nga drejtuesit e Partisë Demokratike janë larguar nga sheshi përpara Kryeministrisë.

Ata janë nisur në drejtim të “Tajvanit” dhe rrugës protestuesit kanë vijuar të hedhin bomba molotov dhe kanë djegur një stacion autobusi.

Më pas protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin mes “Tajvanit” dhe urës së Lanës në bulevardin kryesor, ku ka pasur makina të bllokuara në trafik, pas bllokimit të rrugës. Ndërkohë protestuesit kanë vijuar të hedhin mjete piroteknike.

Më pas protestuesit kanë marrë drejtimin e “Tajvanit”, duke kaluar mes makinave të mbetur në trafik.

Protestuesit e prirur nga drejtuesit e PD, Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar dhe Flamur Noka, sekretar i përgjithshëm, i janë drejtuar më pas godinës së Partisë Socialiste, teksa kanë hedhur bomba molotov, flakadanë, kapsolla, tymuese në drejtim të saj dhe punonjësve të Policisë. Nga bombat molotov ka marrë flakë godina e PS-së, teksa është djegur baneri i madh në murin e PS-së me pamjen e kryeministrit Edi Rama. Hedhja e bombave molotov apo kapsollave kanë rrezikuar dhe shëndetin e punonjësve të policisë, të cilët janë vendosur përpara institucioneve për të ruajtur sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimit të opozitës.

Pasi janë hedhur disa bomba molotov, Policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Me pas protestuesit i janë drejtuar kompleksit të ministrive dhe aty kanë hedhur lëndë plasëse në oborrin e Ministrisë së Brendshme, teksa disa efektivë të Policisë kanë mbetur të lënduar.

Protestuesit kanë hedhur bomba molotov edhe në drejtim të bashkisë së Tiranës, teksa një bombë është hedhur mes policëve, duke i vënë flakën një polici, teksa kolegët e kanë ndihmuar për të shuar flakët. Policia më pas ka hedhur ujë në drejtim të protestuesve duke kërkuar që t’i shpërndajë dhe më pas është hedhur edhe gaz lotsjellës.

Të drejtuar nga Bardhi dhe Noka protestuesit kanë vijuar të ecin në rrugët e kryeqytetit teksa pasi lanë pas bashkinë, protestuesit kanë thyer disa xhama të reklamave në trotuare.
Sakaq, ata kanë djegur një tjetër kazan plehrash tek e njëjta zonë. Protestuesit më pas i janë drejtuar godinës së Parlamentit, ku edhe aty ka pasur hedhje të lëndëve plasëse, teksa policia ka larguar protestuesit me gaz lotsjellës.

Protesta është thirrur nga Partia Demokratike, e mbështetur edhe nga Partia e Lirisë dhe aleatët e tjerë, ashtu siç ishte paralajmëruar nuk pati deklarata.

 

(vijon…)

/r.e/a.f/

The post Përshkallëzohet protesta e opozitës, protestuesit hedhin molotov kundër institucioneve dhe policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Meta: Objektiv i protestës përmbysja e regjimit dhe rivendosja e drejtësisë

7 October 2024 at 20:25

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se objektivat e protestës së sotme janë përmbysja e regjimit të narkoshtetit dhe zgjimi i njerëzve dhe për të rivendosur drejtësinë.

“Njerëzit janë tepër të revoltuar dhe reagimi i tyre është i qartë dhe do të vazhdojë edhe në orët në vijim, pastaj dhe vazhdimisht, deri në arritjen e objektivave të kësaj proteste”, tha Meta në një prononcim për mediet, gjatë rrugës nga selia e PL drejt bulevardit kryesor përpara Kryeministrisë.

“Objektivat janë përmbysja e regjimit të narkoshtetit dhe zgjimi i njerëzve për të rivendosur edhe drejtësinë, aq më tepër pas aktit të fundit banditesk të dënimit politik të deputetit Ervin Salianji, për të vetmen arsye pse kishte denoncuar lidhjet në nivelet më të larta të narkoqeverisë me trafikun e drogës”, theksoi Meta.

Sa i takon pritshmërisë, Meta tha se gjithçka tregon një angazhim qytetar dhe një ndjenjë të fortë të revoltës.

“Besoj se e morët vesh që në Kosovë u rritën pensionet 20 %, gati 60 e ca euro – 70 euro në muaj, ndërsa këtu 4 mijë lekë të vjetra”, tha Meta.

/r.e//a.f/

The post Meta: Objektiv i protestës përmbysja e regjimit dhe rivendosja e drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liga e Kombeve, Kombëtarja nis përgatitjet për dy ndeshjet zyrtare të tetorit ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë

7 October 2024 at 19:07

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare nisi këtë të hënë përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve (Nations League), atë ndaj Çekisë (Epet Arena, 11 tetor, ora 20:45) dhe Gjeorgjisë (“Mikheil Meskhi” 14 tetor, ora 18:00).

Kuqezinjtë zbritën në fushë pasditen e sotme, teksa seanca stërvitore nisi në orën 16:00 dhe zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.

Lojtarët prezentë në seancën e sotme stërvitore ishin: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Enea Mihaj, Mario Mitaj, Arlind Ajeti, Andi Hadroj, Adrion Pajaziti, Ylber Ramadani, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Taulant Seferi, Marash Kumbulla, Myrto Uzuni, Adrian Ismajli, Mirlind Daku, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Jasir Asani dhe Ernest Muçi.

Në mbrëmje me grupin do të bashkohen edhe Arbër Hoxha, Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami.

Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij teknik kanë punuar më shumë në “Shtëpinë e Futbollit” me një pjesë të lojtarëve, të cilët kanë mbërritur në grumbullim më herët, pasi kanë përfunduar impenjimet me klubet e tyre, ndërsa lojtarët që kanë mbërritur ditën e sotme kanë marrë ngarkesë të lehtë stërvitore.

Grupi ka punuar fillimisht në palestër për të kaluar më pas në fushë, ku është punuar më shumë me topin, teksa skuadra zhvilloi edhe një test miqësor, ku të përfshirë ishin edhe disa lojtarë nga ekipi U-21 dhe U-19.

Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë nesër seancën e radhës stërvitore dhe grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo.

/r.e//a.f/

The post Liga e Kombeve, Kombëtarja nis përgatitjet për dy ndeshjet zyrtare të tetorit ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OPDAT, seminar koordinues për prokurorët e SPAK në Peshkopi

7 October 2024 at 17:40

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ OPDAT zhvilloi fundjavën e kaluar një seminar koordinues për prokurorët e SPAK në Peshkopi.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, bëri të ditur sot se, së bashku me përfaqësues nga OPDAT, ICITAP dhe FBI, prokurorët e SPAK u takuan për të diskutuar mbi përparësitë kryesore të SPAK.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me vendosmëri pranë institucioneve të pavarura të Shqipërisë në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, thekson Ambasada e SHBA.

/r.e//a.f/

The post OPDAT, seminar koordinues për prokurorët e SPAK në Peshkopi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akti terrorist i Hamasit ndaj Izraelit, Spiropali: Të bashkohemi për të kërkuar kthimin e të gjithë pengjeve

7 October 2024 at 16:35

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përkujtoi sot 1 vjetorin e aktit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit.

“Sot është përvjetori i parë i një akti të shumëfishtë terrorist që goditi Izraelin, me kosto të jashtëzakonshme njerëzore; dhjetëra mijëra jetë qytetarësh civilë, që janë viktimat e para të një lufte, e cila e kishte nisjen një vit më parë, por që duhet të përfundojë një orë e më herët”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit shprehu dhembje pafund për pengjet njerëzore ende në robëri, për të vrarët dhe të dhunuarit e sulmit barbar, për viktimat e luftës dhe për pasojat gati të pakthyeshme që e bënë edhe vetë paqen e brishtë në rajon, një viktimë direkte të luftës që godet gjithëkënd!

“Është koha që të bashkohemi për të kërkuar kthimin e të gjithë pengjeve si edhe të kontribuojmë për një paqe të ndershme, të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, që do të mund të garantonte siguri dhe stabilitet për rajonin e gjithë botën”, theksoi Spiropali.

/a.f/

The post Akti terrorist i Hamasit ndaj Izraelit, Spiropali: Të bashkohemi për të kërkuar kthimin e të gjithë pengjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 10 Tetori në kinematë shqiptare, aktori Mustafaraj fjalë zemre për regjisorin që solli Danny Glover në Tiranë

7 October 2024 at 16:29

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Aktori i njohur Herion Mustafaraj, edhe pse prej vitesh jeton dhe punon në SHBA, mbetet tejet i lidhur me artin shqiptar. Së fundmi, ai ka shprehur vlerësimin e tij për regjisorin Fatmir Doga dhe filmin më të fundit “Prokurori”, ku luan edhe legjenda e Hollivudit, Danny Glover.

Përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, Mustafaraj i ka kushtuar fjalë të veçanta regjisorit Doga.

“I dashur Fati, ti je regjisori që i duhet kinemasë shqiptare, vëlla. Ti sjell yjet amerikanë të klasit botëror në historitë tona shqiptare. Ju i tregoni këto histori pa paragjykime, pa e shitur të keqen si shqiptare në filmat komercialë. Kjo është një kthesë e madhe për ne si kineastë shqiptarë. Urime vëlla, shkëlqe!”, u shpreh Mustafaraj.

Ky film pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit, duke sjellë emra të mëdhenj si Danny Glover në ekranin shqiptar.

“Prokurori” do të nisë shfaqjet në të gjitha kinematë shqiptare më 10 tetor, duke premtuar një përvojë unike për artdashësit.

1 nga 2

/a.f/

The post Nga 10 Tetori në kinematë shqiptare, aktori Mustafaraj fjalë zemre për regjisorin që solli Danny Glover në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌