Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 October 2024Main stream

Vengu pret homologun Maqedonci: Kosova, prioritet strategjik kombëtar i Shqipërisë

8 October 2024 at 22:30

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, priti në Tiranë Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, për një takim që kishte në fokus thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe arsimit ushtarak mes dy vendeve.

Gjatë bisedës, Vengu theksoi se Kosova mbetet një prioritet strategjik kombëtar për Shqipërinë dhe një element kyç në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Prita me kënaqësi Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, me të cilin biseduam për thellimin e bashkëpunimit tonë në fushën e mbrojtjes, por edhe të arsimit ushtarak”, shkruan në rrjetin social Facebook ministri Vengu.

“E kaluara dhe historia jonë e përbashkët na udhëheqin në rrugëtimin drejt vlerave demokratike dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Kosova mbetet prioritet strategjik kombëtar i Shqipërisë dhe është në qendër të politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë. Ndaj, ne jemi të angazhuar për përfshirjen e Kosovës në strukturat ndërkombëtare të sigurisë”, vijon Vengu.

“Shqipëria mbështet gjithashtu aspiratat e Kosovës për integrim në familjen Euro-Atlantike, ndërsa bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe më intensiv në fushën e mbrojtjes, ndërsa do të rrisim numrin e mundësive për studentët dhe oficerët e Forcave të Sigurisë së Kosovës në institucionet tona të edukimit ushtarak, si dhe do të mbështesim zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta, përfshirë edhe në fushën e emergjencave civile”, përfundon Vengu.

Ministri Vengu pret homologun nga Kosova
1 nga 10

The post Vengu pret homologun Maqedonci: Kosova, prioritet strategjik kombëtar i Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 October 2024Main stream

Bashkia e Tiranës lehtëson kriteret për kreditë e buta, Veliaj: Përfitojnë 1200 familje

8 October 2024 at 20:55

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi sot kriteret e reja për përfituesit e programeve të strehimit social.

Sipas vendimit, familjet e pastreha në kryeqytet do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se shumë shpejt do të hapen aplikimet për 1200 familje në nevojë, që do të përfitojnë interesa të buta për blerjen e banesës së tyre.

“Kemi pasur prej vitesh në bashkinë e Tiranës një program që ndihmonte familjet e reja që donin të blinin shtëpinë e tyre të parë. Vitin e fundit me rritjen e turistëve, e të huajve që kanë blerë shtëpi në Tiranë, sigurisht edhe tregu ka pasur ngritjen e vet. Kemi rillogaritur përfitimin, që norma e kredisë së butë të jetë më e madhe, sepse ajo që kemi kuptuar është se duam të ruajmë hapin e tregut. Kemi dakordësuar për 1200 familje, pra do të hapim shumë shpejt aplikimet për 1200 familje. Për të gjithë ata që thonë se vlera e pronës në Tiranë është rritur, kjo është gjë e mirë për ata që kanë pronë. Për ata që nuk kanë pronë ne kemi sot këtë paketë”, tha Veliaj.

Programi i kredive të buta ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.

/r.e/

The post Bashkia e Tiranës lehtëson kriteret për kreditë e buta, Veliaj: Përfitojnë 1200 familje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamurtari fiton Superkupën e Shqipërisë në basketboll për femra

8 October 2024 at 20:44

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Flamurtari shpallet për të pesëmbëdhjetën herë fitues i Superkupës së Shqipërisë në basketboll për femra.

Sfida e zhvilluar në Pallatin e Sportit në Fier, mes Tiranës dhe Flamurtarit nxori fituese vajzat kuqezi, të cilat arritën të mundin vajzat bardheblu me shifrat 59-81.

Kjo sfidë mes Tiranës, kampione të Shqipërisë dhe Flamurtarit kampione të Kupës, vjen një javë pasi dy skuadrat u ndeshën mes tyre në finalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Basketbollit, që u zhvillua në Elbasan, ndërsa fituan vajzat bardheblu.

Kryetari i Bashkisë  së Vlorës, Ermal Dredha, u shpreh se sfida tregoi se fitorja ishte spektakolare. “Urime vajzave të Flamurtarit për fitoren e tyre spektakolare në Superkupën e Shqipërisë! Krenar për skuadrën tonë që tregoi fuqinë dhe vendosmërinë në çdo minutë të lojës”, përfundon postimin e tij në Facebook kryebashkiaku Dredha.

 

The post Flamurtari fiton Superkupën e Shqipërisë në basketboll për femra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Administrata ishte e dhunuar nga presioni politik, sot sjell rezultate në procesin ‘’Screening’’

8 October 2024 at 20:40

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në fjalën e tij në aktivitetin për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, se administrata publike më parë nuk ka pasur mundësinë që të ndjehet e motivuar për të shprehur aftësitë e saj.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe 11-vjeçare administrata publike ka përjetuar një proces rrënjësor transformimi, duke dalë nga ndenja e frikës dhe pasigurisë për shkak të presionit nga politika, duke u shndërruar në një skuadër që ka prodhuar rezultate të prekshme.

“Ajo që ka ndodhur është që në procesin e diagnostikimit të Shqipërisë apo siç quhet në gjuhën e Adeas dhe të Ulsiut, ‘’Screening’’ me BE, një skuadër goxha e madhe në numër, ka arritur të prodhojë një rezultat që për mua ka qenë absolutisht befasues. Nëse do ma thoshte dikush më parë, do ta dyshoja fort dhe nëse kam patur gjithmonë një frikë nga momenti i hapjes së atij procesi, duke dëgjuar të tjerë kolegë që e kishin njohur më parë se ç’është procesi i diagnostikimit të një vendi që futet për të hapur negociatat me BE, ka qenë se si do t’ia dalim ne kësaj; një ballafaqim absolutisht besoj unë, i pa krahasueshëm për nga thellësia dhe nga sfida intelektuale ose sfida e aftësisë në asnjë provim që kemi bërë. Një provim shumë, shumë i vështirë dhe faktikisht ai nuk ka qenë momenti i ballafaqimit me një të vërtetë të hidhur, por ka qenë momenti i përplasjes me një realitet shumë herë më të mirë se sa edhe unë vetë me të gjithë dëshirën që ta mendoja të mirë, nuk do ta kisha menduar ndonjëherë”, tha Rama.

“Kështu që e them këtë së pari sepse besoj që në këto 11 vjet është bërë një punë serioze, e vështirë, pa diskutim jo e mjaftueshme për të thënë që është një punë e kryer për të transformuar administratën publike dhe për t’i dhënë administratës publike një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes së tyre që nuk e ka patur më parë. Administrata publike më parë ka pasur njerëz të zotë pa diskutim.

Sot ju sapo keni hyrë, me siguri do të njihni në ministri apo në institucione të tjera njerëz që mund të jenë në prag të pensionit, që kanë 30 apo 40 vjet në administratë dhe që kanë qenë aty, dhe që janë njerëz thesare të administratës, por administrata jonë publike nuk ka pasur as mundësinë që të ndihet e motivuar për t’u shprehur dhe as aftësinë për ta shprehur atë që është dashur të bëjë siç e bëri në procesin ‘’Screening’’, sepse ka qenë një administratë e dhunuar nga presioni politik”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

The post Rama: Administrata ishte e dhunuar nga presioni politik, sot sjell rezultate në procesin ‘’Screening’’ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e opozitës, Berisha: Lironi protestuesit, beteja e djeshme dëshmoi zgjimin e luanit

8 October 2024 at 20:27

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin me qytetarët pranë banesës së tij, u ka bërë thirrje autoriteteve për lirimin e disa protestuesve të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar të hënën në Tiranë.

Kreu i PD, në fjalën e tij falenderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe theksoi se ata ishin pararendës të një mosbindjeje civile që do të çonte në formimin e një qeverie teknike dhe në zgjedhje të lira.

“Ju me protestën tuaj, me qëndresën tuaj, rezistencën e pamposhtur, mbetët pararendës të mosbindjes civile që do sjellë qeverinë teknike dhe votën e lirë të shqiptarëve.

Të dashur miq, një përshëndetje të përzemërt dua t’u përcjell demokratëve, të cilët narko-komisarët e pabesë i kanë arrestuar, Xhevahir Rrushin, Gentian Tugën, Ilir Tushën dhe Sokol Bushkolën. I garantoj se PD, demokratët dhe demokratet, mbarë populli opozitar çdo minutë është me ta, gjer në lirimin e tyre të plotë. Lironi vëllezërit, kjo është thirrja jonë”, tha Berisha.

“Beteja e djeshme dëshmoi zgjimin e luanit”, shtoi më tej kreu i PD.

Berisha reagoi dhe për programin “Paketa e Maleve”, të prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama, Berisha u shpreh se “investimet e tij në zonat malore nuk bëhen jo sa tuneli i Llogorasë, kurrën e kurrës, por as sa ka vjedhur ai në tunelin e Llogorasë.”

“U them atyre që duan të investojnë se 8 vite do t’i kenë të garantuara, por pronën e tjetrit mos e prekni. Larg duart nga prona e tjetrit”, u shpreh Berisha, ndër të tjera, duke paralajmëruar se, “beteja të ardhshme së shpejti na presin, na ftojnë.”

/r.e/

The post Protesta e opozitës, Berisha: Lironi protestuesit, beteja e djeshme dëshmoi zgjimin e luanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj takime me krerët e shteteve pjesëmarrës në samitin e Procesit të Bërdo-Brijunit

8 October 2024 at 19:37

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi sot në Tivat të Malit të Zi takime të veçanta me krerët e shteteve, pjesëmarrës në Samitin e Procesit të Bërdo-Brijunit. Në fokus të këtyre takimeve ishte forcimi i bashkëpunimit dhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në takimin me homologun kroat, Zoran Milanović, Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer politik dhe ekonomik, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Presidenti i Shqipërisë vlerësoi, gjithashtu, përpjekjet e Kroacisë për të mbështetur Kosovën.

Në takimin me presidenten sllovene, Nataša Pirc Musar, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa falënderoi homologen sllovene për mbështetjen dhe asistencën teknike ndaj Shqipërisë në plotësimin e kapitujve të negociatave përgjatë procesit të anëtarësimit në BE, Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i shqiptarëve në këtë drejtim është i palëkundur.

Gjatë qëndrimit në Tivat, Presidenti Begaj bisedoi edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për forcimin e faktorit shqiptar në rajon përmes bashkëpunimit dhe vendosjen e interesit shqiptar si çështje parësore.

Presidenti Begaj e siguroi Presidenten Osmani për vijimin e lobimit në shtimin e njohjeve të reja të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë jo vetëm si detyrë shtetërore, por si mision të jetës. Në këtë takim u diskutua fuqizimi i lidhjeve ekonomike Shqipëri-Kosovë, sidomos përmes hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portit të ri të Durrësit.

Në takimin me presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska -Davkova, u vlerësua bashkëpunimi politik mes dy vendeve. Gjithashtu, u vlerësua se bashkëpunimi në kuadër të NATO-s është një garanci më shumë për sigurinë në rajon. Presidenti Begaj dhe presidentja Siljanovska-Davkova shprehën bindjen se Korridori VIII do të nxisë më shumë ndërlidhjen e do të fuqizojë ekonomikisht dy vendet.

Kreu i Shtetit theksoi gjatë këtij takimi se gjuha shqipe, si pjesë e marrëveshjes së Ohrit, duhet të mbetet gur themeli i marrëdhënieve Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

1 nga 3

/r.e/

The post Begaj takime me krerët e shteteve pjesëmarrës në samitin e Procesit të Bërdo-Brijunit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Muzhaqi: 9000 përfitues, 1300 aplikues çdo vit

8 October 2024 at 19:20

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, po marrin pjesë në një aktivitet të organizuar në Tiranë, ku në fokus është Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i cili prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Të rinjtë pjesëmarrës dhe përfitues nga programi ndanë eksperiencat e tyre, duke treguar se si Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u ka ndikuar në integrimin e tyre në tregun e punës.

“1300 të rinjë kanë përfituar çdo vit nga programi Kombëtar i Praktikave të Punës, ndërsa 500 prej tyre janë bërë pjesë e administratës publike”, tha në nisje të fjalës së saj ministrja Muzhaqi.

“Prej tre vitesh koordinoj programin kombëtar të praktikave të punës. Rreth 1300 të rinj kanë përfituar në këto tre vite nga programi kombëtar i praktikës së punës. 500 prej tyre janë bërë pjesë e administratës publike.

Praktikantët që bëhen pjesë e këtij programi, angazhohen në të gjitha strukturat e institucioneve qeveritare, duke nisur nga kabinetet e ministrave, por edhe pastaj me aparatet e ministrive, agjencitë e varësive, por dhe ekipet e 61 bashkive të vendit. Të rinjtë nga 21-26 vjeç, kanë mundësi të zgjedhin nga 1200 pozicione që lançohen çdo vit falë këtij programi.

Ky program nuk kërkon as eksperiencë të mëparshme, por as të jesh ekselentë. Fokusi është krijimi i një eksperience të parë në administratën publike, duke i dhënë përgjigje dhe asaj që të rinjtë thonë: “për të nisur punë duhet të kesh eksperiencë”, prandaj kjo është një trampolinë për të hedhur hapat e parë në administratë ose për të vijuar punë në sektorin privat”, u shpreh Muzhaqi.

“Për të gjithë të rinjtë që jeni këtu sot, por jo vetëm, të jeni të bindur se kemi 5000 që kanë qenë pjesë e këtij programi në këto 9 vite që është zhvilluar”, tha më tej Muzhaqi.

/r.e/

The post Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Muzhaqi: 9000 përfitues, 1300 aplikues çdo vit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla në Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë: Diaspora, rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e Shqipërisë

8 October 2024 at 19:08

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim me avokatë dhe konsulentë ligjorë në Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë në Londër.

Në fjalën e tij, ministri Balla foli për rëndësinë e diasporës shqiptare dhe kontributin e saj të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

Duke folur për rëndësinë historike të të drejtës së votës së diasporës në Shqipëri, Balla tha se Shqipëria ka pasur një borxh ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Edhe pse Shqipëria është ndër vendet që e ka garantuar herët të drejtën e barabartë të votës për qytetarët e saj, kemi pasur një borxh ndaj bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Për më shumë se 33 vite, shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të vendit nuk kanë pasur mundësinë të ushtrojnë këtë të drejtë themelore në demokraci.”

Balla theksoi gjithashtu se Shqipëria ka arritur një transformim të rëndësishëm ekonomik, me një dyfishim të prodhimit të brendshëm bruto në dekadën e fundit. Ai nënvizoi se ky zhvillim duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfitojë e gjithë shoqëria shqiptare.
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e diasporës jo vetëm për remitancat, por edhe për kontributin e saj në zhvillimin e turizmit dhe rritjen e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të diasporës kthehen qoftë për pushime, qoftë për festa, duke gjetur mundësinë për të vizituar atdheun. Kjo sjell një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e vendit, i cili sot ka një imazh krejtësisht tjetër krahasuar me 10 vite më parë.”

Në përfundim, ministri Balla theksoi marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, duke vlerësuar qëndrimet e përbashkëta mbi çështjet globale:

“Shqipëria vlerësohet si i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që e ka tërësisht të përafruar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian dhe aleatët e tjerë strategjikë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Me Britaninë e Madhe, ndajmë qëndrime të njëjta për çështjet globale të mëdha, si në kuadër të NATO-s, ku jemi kontribues për paqen dhe stabilitetin, ashtu edhe në pjesëmarrjen në aleancat globale kundër terrorizmit,” përfundoi Balla.

1 nga 4

/r.e/

The post Balla në Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë: Diaspora, rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Pirdeni: Shumë shpejt do të hapet thirrja për programin e ekselencës

8 October 2024 at 19:02

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Në Pallatin e Brigadave në Tiranë po zhvillohet një aktivitet, ku në fokus është Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i cili prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Të pranishëm në aktivitet janë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, përfaqësues nga institucionet qendrore e lokale, partnerë ndërkombëtarë etj.

Përfshirja e të rinjve në ndërveprim të plotë me punonjësit brenda administratës publike ndikon pozitivisht në zhvillimin e aftësive profesionale të praktikantëve, si dhe forcon lidhjen e tyre me administratën duke e njohur atë më mirë, e rrjedhimisht duke çelur ura të reja kontributesh për administratën europiane që duam.

Këtë vit janë 463 të rinj që kanë nisur praktikën pranë administratës publike, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të tjera të pavarura.

Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin i cilësoi të rinjtë si shtyllë themeli të administratës, të cilët kanë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të kontribuar në proceset transformuese që po kalon sot Shqipëria. Ministrja Pirdeni në fjalën e saj nënvizoi se shumë shpejt do të hapet dhe thirrja për programin e ekselencës.

(vijon…)

/r.e/

The post Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Pirdeni: Shumë shpejt do të hapet thirrja për programin e ekselencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prezantohet libri mbi Eugene Pittard, zviceranin që themeloi Kryqin e Kuq Shqiptar

8 October 2024 at 17:49

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber hapi sot fushatën për prezantimin e figurës dhe punës së Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri dhe librin më të fundit për zviceranin e famshëm

Botimi në frëngjisht i librit ‘Udhëtimi i mbramë i Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri’ çel fushatën për njohjen e kontributit të akademikut zviceran për Shqipërinë.
“Kur Eugène Pittard dhe gruaja e tij Hélène shkelën për herë të parë në Shqipëri, ata nuk e dinin se do të dashuroheshin me këtë vend dhe njerëzit e tij. Që nga ai vit 1910, duket se jeta e tyre u shënjua nga pasioni i përbashkët për këtë vend të vogël ballkanik”, tha Ambasadorja zvicerane.

“Sot ne festojmë jetën dhe veprën e një intelektuali të shquar zviceran, kontributet e të cilit për Shqipërinë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e përbashkët të të dy vendeve tona. Ai është padyshim një trashëgimi e vërtetë zvicerano-shqiptare”, tha gjithashtu Ambasadorja Huber.

“Në fakt ky është një gur themeli në marrëdhëniet zvicerano-shqiptare”, u shpreh botuesi i librit, Luan Rama. Ai përmendi misionin shkencor, antropologjik, humanitar, arsimor dhe diplomatik të Pittard në shërbim të Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit aktoret Yllka Mujo dhe Elia Zaharia lexuan pjesë të shkruara nga Eugène Pittard dhe nga Hélène Pittard e cila ishte shkrimtare e njohur në Zvicër.
Eugène Pittard u bë zëdhënësi ndërkombëtar i Shqipërisë në një kohë delikate. Ai loboi fuqishëm për të drejtat dhe sovranitetin e vendit dhe luajti një rol jetik në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920. Pamfleti i tij më i famshëm ‘Pour L’Albanie’ i botuar në të përditshmen ‘La Suisse’ të Gjenevës paraqet gjendjen reale të vendit në atë periudhë, jep argumente dhe bën apel për pranimin e sovranitetit të Shqipërisë.
Shteti shqiptar në atë kohë e emëroi Prof. Eugène Pittard Konsull të Përgjithshëm Nderi në Gjenevë.

Botimi i librit në shqip dhe në frëngjisht do të mundësojë njohjen më të gjerë të historisë së harruar të çiftit zviceran të cilët bënë aq shumë për Shqipërinë. Libri është fryt i një pune shumë-vjeçare nga autori Kudret Isaj, me kontribute të çmuara nga pasardhës të familjes Pittard në Gjenevë.

Fushata për njohjen e figurës dhe kontributit të Eugène Pittard për Shqipërinë vijon me një seri aktivitetesh të tjera përgjatë 2024-2025.

1 nga 3

The post Prezantohet libri mbi Eugene Pittard, zviceranin që themeloi Kryqin e Kuq Shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mundja shqiptare shkëlqen në Kampionatin Ballkanik, fiton medalje të shumta

8 October 2024 at 17:43

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Mundësit shqiptarë kanë arritur suksese të mëdha në Kampionatin Ballkanik, duke sjellë në shtëpi një sërë medaljesh për meshkuj dhe femra. Andi Muça, Ardit Zeneli dhe Albi Peposhi triumfuan në vendin e parë, duke fituar medalje të arta në kategoritë përkatëse. Xhord Gjoni u rendit në vendin e tretë në kategorinë U15, ndërsa Klevis Koçeku përfundoi i pesti.

Në kategorinë e femrave, Erglena Domi fitoi medaljen e artë për moshat U15, ndërsa Kleona Shabani siguroi medaljen e bronztë në kategorinë U20, duke forcuar edhe më tej suksesin e ekipit shqiptar në këtë kampionat ndërkombëtar.

“Mundja shqiptare shënon një tjetër sukses ndërkombëtar”, njofton Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

The post Mundja shqiptare shkëlqen në Kampionatin Ballkanik, fiton medalje të shumta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Europiani U-17, Shqipëria pret Kroacinë në “Air Albania”

8 October 2024 at 17:12

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Gjithçka gati për ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17. Shqipëria, Hollanda, Kroacia dhe Ishujt Faroe, katër skuadrat e grupit 3 do të zbresin nesër në fushë dhe do të luajnë ndeshjet përkatëse të këtij raundi në vendin tonë.

Kombëtarja shqiptare do të luajë takimin e parë të grupit ndaj Kroacisë nesër në stadiumin “Air Albania”, në ora 15:00. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Andrea Tedesco janë grumbulluar që prej të dielës në Durrës dhe kanë marrë ngarkesën e plotë fizike gjatë këtyre ditëve dhe janë gati për ndeshjen e parë të grupit. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike.

Sakaq, në ora 11:00 do të luhet ndeshja e parë e grupit 3, mes Hollandës dhe Ishujve Faroe. Dy skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën nesër në stadiumin “Niko Dovana”.

Federata e Futbollit fton të gjithë tifozët shqiptarë të mbështesin kuqezinjtë e vegjël në shkallët e stadiumit “Air Albania”. Hyrja në të dyja stadiumet do të jenë falas.

 

The post Europiani U-17, Shqipëria pret Kroacinë në “Air Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisma ADRION, ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve të Evropës Jugore forcojnë bashkëpunimin detar

8 October 2024 at 17:06

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Në një takim të mbajtur të hënën në Venecia, ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e tyre në kuadër të nismës Adriatiko-Joniane (ADRION).

Duke vlerësuar bashkëpunimin afatgjatë në këtë nismë, ministrat rikonfirmuan përkushtimin e tyre ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit.

Takimi përkoi me 20-vjetorin e ADRION, një nismë që ka luajtur një rol kyç në rritjen e sigurisë detare dhe ndërgjegjësimit për situatën në rajonin Adriatiko-Jonian. Ministrat vlerësuan rezultatet e arritura dhe theksuan nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin drejt objektivave më të avancuar, duke adresuar sfidat e reja gjeostrategjike.

ADRION, përmes forcës së saj operacionale “On Call Maritime Force” (OCMF), ka shërbyer si një mjet i besueshëm për promovimin e trajnimit, ndërtimin e besimit dhe sigurimin e një pranie të qëndrueshme detare në rajon. Ministrat inkurajuan përmirësimin e efektivitetit dhe dukshmërisë së ADRION përmes zgjerimit të trajnimeve dhe bashkëpunimeve me organizata ndërkombëtare si NATO dhe BE.

Në fokus ishte edhe siguria e infrastrukturës kritike nënujore dhe eksplorimi i sinergjive me forume të tjera rajonale për të forcuar më tej sigurinë dhe prosperitetin e Mesdheut. Ministrat vendosën gjithashtu që takimet e ardhshme të zhvillohen çdo dy vjet për të monitoruar progresin e kësaj nisme.

Deklarata e përbashkët e ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi, Sllovenisë lidhur me nismën ADRION

Ne, ministrat e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë, Republikës së Greqisë, Republikës së Italisë, Malit të Zi dhe Republikës së Sllovenisë, u takuam në Venecia, më 07 tetor 2024.

Duke njohur përvojën afatgjatë të bashkëpunimit midis vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, rikonfirmuam se bashkëpunimi ynë bazohet në respektin e plotë e të ndërsjellë dhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe Konventën për të Drejtën e Detit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNCLOS).

Ne njohëm dhe vlerësuam rezultatet e arritura nga nisma ADRION, duke shënuar përvjetorin e saj të njëzetë, duke festuar dy dekada të përpjekjeve dhe angazhimit të vazhdueshëm drejt rritjes së sigurisë, sigurisë detare dhe ndërgjegjësimit për situatën në të gjithë pellgun Adriatiko-Jonian.

ADRION, gjithashtu përmes segmentit të tij operacional, “On Call Maritime Force” (OCMF), ka treguar të jetë një mjet i besueshëm në:

-promovimin e trajnimit, integrimit, zhvillimit të aftësive, shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës reciproke dhe ndërtimit të besimit;

– sigurimin e një pranie të besueshme detare në rajonin Adriatiko-Jonian, kur aktivizohet;

– arritjen e sigurisë detare dhe ekspertizës mbi mjedisin detar rajonal.

Duke pasur parasysh efektivitetin e provuar të ADRION, i cili gjatë 20 viteve të fundit ka kontribuar me sukses në integrimin dhe ndërveprueshmërinë e marinave në zonën Adriatiko-Jonianiane, besojmë se Nisma mund të evoluojë më tej drejt objektivave konkretë, që përputhen me situatën aktuale gjeostrategjike. Ky evolucion duhet të kërkojë sinergji që mund të shtrihen edhe në fusha dhe dimensione të tjera.

Për këtë qëllim, të udhëhequr nga vendosmëria jonë për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë, ne inkurajojmë komandantët e Forcave Detare ADRION të përmirësojnë efektivitetin dhe dukshmërinë e nismës përmes:

– zbatimit të trajnimeve bashkëpunuese për arritjen e standardeve të larta të përbashkëta, me theks të veçantë në Sigurinë Detare dhe mbrojtjen e Linjave Detare të Komunikimit (SLOC);

– zgjerimin e konceptit të Forcave Detare On-Call (OCMF) me një orientim potencial për punësim dhe ofrimi i tij tek Organizatat kryesore Ndërkombëtare (IO), veçanërisht NATO dhe BE, duke promovuar kështu Sigurinë Detare në rajonin Adriatiko-Jonian nëpërmjet aktivizimeve të planifikuara të OCMF;

– thellimin e dialogut për dimensionin nënujor me fokus në rajonin Adriatiko-Jonian, bazuar në interesat e përbashkëta për ruajtjen e infrastrukturës kritike nënujore;

– kërkimin e zgjidhjeve të kapaciteteve të përbashkëta për të adresuar nevojat e rinovuara gjeostrategjike;

– shqyrtimin e mundësisë së sinergjive me forume të tjera që mbështesin çështjet e sigurisë në zonën Adriatiko-Joniane dhe rajonin e Ballkanit, duke dakortësuar gjithashtu rëndësinë e lirisë së lundrimit në Mesdhe për hir të prosperitetit të rajonit;

– nxitjen e ndarjes së aftësive, duke hedhur bazat për të mundësuar bashkëpunim të nivelit më të lartë në fusha të lidhura ngushtë për të identifikuar dhe zhvilluar kërkesat e përbashkëta dhe për të reduktuar kostot e përgjithshme: duke rritur, nëpërmjet një qasjeje të gjerë, të ndërgjegjësimit të përbashkët për situatën detare, duke përdorur në masën më të plotë mjetet ekzistuese të tilla si, Qendra Virtuale-Rajonale e Trafikut Detar;

– eksplorimin e çdo fushe aktiviteti shtesë, me interes të përbashkët, që mund të përfitojë nga trajtimi brenda ADRION (ndër të tjera, kundër ndotjes).

Duke njohur rëndësinë e takimeve të rregullta dhe shkëmbimit të shpeshtë të pikëpamjeve dhe vizioneve, ne vendosëm të takohemi të paktën çdo dy vjet gjatë Simpoziumit Transrajonal të Fuqisë Detare në Venecia.

Për më tepër, ne besojmë se është e rëndësishme të diskutojmë dhe monitorojmë afatin kohor të angazhimeve tona. Për këtë arsye, komandantët e Forcave Detare dhe/ose drejtorët e Politikave të Mbrojtjes do të zhvillojnë takime të ndërmjetme, me shpresë, në rastin e stërvitjes vjetore ADRION Live, të organizuar nga presidenca e radhës në vitin ndërmjet dy takimeve ministeriale.

/r.e/

The post Nisma ADRION, ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve të Evropës Jugore forcojnë bashkëpunimin detar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Protesta e opozitës, përplasje me policinë dhe molotov drejt Kryeministrisë

7 October 2024 at 19:45

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike nisi rreth orës 18:40. Protestuesit u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Kryeministrisë.

Vetëm pak minuta nga nisja e protestës, e cila drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, protestuesit nisën përplasjen me efektivët e Policisë së Shtetit si dhe hodhën molotovë në drejtim tē godinës së Kryeministrisë. Policia u bëri thirrje në mënyrë të vazhdueshme protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të ndalin veprimet e dhunshme.

Pas disa minutash, protestuesit u larguan nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Nga hedhja e molotovëve është djegur edhe një pemë përpara Kryeministrisë, teksa policia tentoi fikjen e zjarrit. Pas hedhjes së disa molotovëve dhe tymueseve, situata duket se është qetësuar tek Kryeministria, teksa protestuesit vijuan drejt sheshit “Skëndërbej”

Protestuesit të prirë nga drejtuesit e Partisë Demokratike janë larguar nga sheshi përpara Kryeministrisë, teksa rrugës protestuesit kanë djegur një stacion autobusi. Ata kanë bllokuar kryqëzimin mes Tajvanit dhe urës së Lanës në bulevardin kryesor, ku ka pasur makina të bllokuara në trafik, pas bllokimit të rrugës. Ndërkohë protestuesit vijojnë të hedhin mjete piroteknike. Protestuesit kanë djegur gjithashtu dhe një kosh mbeturinash.

Protesta është thirrur nga Partia Demokratike si reagim pas dënimit me 1 vit burg të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor nga gjykata për “Kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babalja”.

/gj.m//r.e/

The post Protesta e opozitës, përplasje me policinë dhe molotov drejt Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌