Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 October 2024Main stream

Një delegacion i BQK-së viziton Maltën, guvernatorët e dy vendeve ndajnë përvojat rreth qëndrueshmërisë së sistemit financiar

9 October 2024 at 10:49

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga guvernatori, Ahmet Ismaili dhe i përbërë nga anëtarët jo-ekzekutivë të Bordit, Bashkim Nurboja, Nora Latifi dhe Arta Hoxha, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Maltës.

Në takimin hyrës, delegacioni i BQK-së u prit nga u.d. Guvernatori i Bankës Qendrore të Maltës, Alexander Demarco, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Bonello, krye-ekonomisti Grech, shefi i operacioneve Romano dhe anëtari jo-ekzekutiv i Bordit, profesor Bezzina.

Gjatë takimit, guvernatorët e të dy bankave qendrore shkëmbyen informacione rreth zhvillimeve kryesore në sektorin financiar dhe në ekonomi.

Guvernatori Ismaili e informoi Guvernatorin Demarco për zhvillimet në kornizën ligjore dhe atë rregullative, projektet strategjike të BQK-së, si dhe për qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Kosovës.

“Të dy delegacionet diskutuan kryesisht mbi qeverisjen dhe auditimin, menaxhimin e rrezikut, sistemin e pagesave dhe përgatitjet e duhura për anëtarësim në SEPA, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe kërkimet shkencore, ndër të tjera”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të vizitës, palët rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, ku BQK-ja ka për synim zgjerimin e rrjetit të bankave qendrore partnere si pjesëmarrëse në Eurosistem, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare dhe në fusha të tjera të bashkëpunimit. /Telegrafi/

The post Një delegacion i BQK-së viziton Maltën, guvernatorët e dy vendeve ndajnë përvojat rreth qëndrueshmërisë së sistemit financiar appeared first on Telegrafi.

Dyshime për keqpërdorim detyre, shpëlarje parash e raportim i rremë i pasurisë – gjithçka nga bastisjet në MMPHI

9 October 2024 at 07:41

Policia e Kosovës, saktësisht Njësiti i Krimeve Ekonomike të martën me urdhër të Prokurorisë Speciale ka kryer bastisje në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. 

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për Telegrafin se janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.

Një aksion i tillë i Policisë u tha se u zhvillua pas hetimeve disamujore.

Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.

Në komunikatën e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, thuhet se i arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Por, çka u sekuestrua gjatë bastisjes?

Policia njoftoi se janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:

Një revole e tipit MAUSER-WERKR me 2 karikator me nga 7 fishekë, dhe një kuti me 54 fishekë  9 mm.

34 fletë dokumente të ndryshme.

3 telefona, 1 IPhone 15 ProMax, 1 IPhone 12 ProMax, 1 IPhone 11 ProMax

17 USB.

3 laptop HP.

4 shtëpiza kompjuteri si dhe

Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.

Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal. /Telegrafi/

 

The post Dyshime për keqpërdorim detyre, shpëlarje parash e raportim i rremë i pasurisë – gjithçka nga bastisjet në MMPHI appeared first on Telegrafi.

Aktorja Egzona Salihu, në “dashuri” në shikim të parë me aktrimin

9 October 2024 at 07:15

Egzona Salihu, një nga aktoret premtuese të skenës teatrale shqiptare, ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme përmes punës së saj në teatër dhe projekteve private.

E diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2015, ajo tashmë ka lënë gjurmë të thella në Teatrin e Preshevës, ku ka punuar për më shumë se gjashtë vjet.

Përtej kufijve, Egzona ka interpretuar në skenat e rajonit, ndërsa së fundmi është përqendruar në projektin e saj privat ‘Teatri i pjesës së padukshme të hënës’.

Në një intervistë për Telegrafin, Egzona shprehet për momentin kur e kuptoi se aktrimi do të bëhej pasioni i saj jetësor.

“Isha në shkollë të mesme kur mora pjesë në një audicion për Teatrin e të Rinjve. Aty përjetova për herë të parë emocionet e provave, premierës dhe festivaleve. Ishte dashuri në shikim të parë me këtë profesion. Që nga ajo ditë, e kuptova se aktrimi është ajo çka dua të bëj për gjithë jetën”, ka thënë ajo.

Egzona ka përjetuar shumë sfida në rrugëtimin e saj artistik, por një nga rolet më sfiduese për të ka qenë në shfaqjen “Vdekja dhe virgjëresha” në Teatrin e Preshevës.

Ajo tregon për përballjen e saj me këtë rol të ndërlikuar dhe rëndësinë e tij për karrierën e saj.

“Ky rol më sfidoi emocionalisht për shkak të biografisë së personazhit dhe temës që trajtonte shfaqja. Ishte një proces i thellë kërkimor, por përmes bashkëpunimit me regjisoren dhe përkushtimit tim, arrita ta realizoj në mënyrën që duhej”.

 

Edhe pse rrugëtimi në aktrim ka qenë plot sfida, Egzona kurrë nuk ka menduar të heqë dorë.

“Ka pasur momente të vështira, por asnjëherë nuk kam menduar të largohem nga aktrimi. Nëse ndonjëherë do të bëja një pauzë, do të ishte vetëm për t’iu përkushtuar familjes së ardhshme”, thotë ajo me vendosmëri.

Aktorja pohon se përtej pasionit për teatër, gjithmonë e ka parë veten të lidhur me publikun, duke theksuar që nëse nuk do të ishte aktore, mund të kishte zgjedhur një karrierë në media.

Por, për të, nuk ka asgjë që e zëvendëson ndjenjën që përjeton në skenën teatrore.

Egzona Salihu është shembulli i përkushtimit dhe dashurisë ndaj artit skenik, duke e sjellë këtë pasion në çdo rol që interpreton dhe duke u bërë një frymëzim për gjeneratën e re të aktorëve të rajonit.

“Teatri më ka dhënë emocione që asnjë medium tjetër nuk mund t’i ofrojë,” përfundon ajo. /AlmiraAgushi/

The post Aktorja Egzona Salihu, në “dashuri” në shikim të parë me aktrimin appeared first on Telegrafi.

Vranët dhe me shi

9 October 2024 at 07:01

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme.

IHK njofton se vranësirat gjatë ditës vende-vende parashihen të sjellin riga shiu të intensitetit të dobët.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-20 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-7/m/s. /Telegrafi/

The post Vranët dhe me shi appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 8 October 2024Main stream

Prokuroria e Prizrenit në muajin shtator ka ngritur 192 aktakuza, Departamenti për të Mitur me 20 propozime për shqiptimin e masave edukative

8 October 2024 at 11:33

Prokuroria Themelore në Prizren, të martën ka njoftuar se gjatë muajit shtator ka ngritur gjithsej 192 aktakuza, kundër 260 personave të dyshuar, për raste të ndryshme penale.

“Në Departamentin e Krimeve të Rënda, janë ngritur 6 aktakuza kundër trembëdhjetë 13 personave”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Komunikim Publik të Prokurorisë Themelore në Prizren, raporton Telegrafi.

Tutje theksohet se në Departamentin për të Mitur, janë ngritur 20 propozime për shqiptimin e masave edukative, të diversitetit ose dënimeve, kundër 39 të miturve.

“Ndërsa, Departamenti i Përgjithshëm, i kësaj prokurorie gjatë muajit shtator, ka ngritur 166 aktakuza kundër 208 personave, për vepra të ndryshme penale”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren, gjithashtu ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për luftimin e kriminalitetit, ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies. /Telegrafi/

The post Prokuroria e Prizrenit në muajin shtator ka ngritur 192 aktakuza, Departamenti për të Mitur me 20 propozime për shqiptimin e masave edukative appeared first on Telegrafi.

Aksioni i së hënës në veri, arrestohet një person – Policia jep detaje  

8 October 2024 at 09:49

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e së hënës në veri, ku janë sekuestruar armë.

Policia njofton në dy raste ka arrestuar një person, ndërsa ka sekuestruar armatim.

Rr. Qeta e Minatorëve, Mitrovicë Veri 07.101.2024 – 13:15. Njësiti i hetuesisë ka kontrolluar pronën e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, gjatë kontrollit janë gjetur: pushkë automatike AK-47 me 1 karikator me 29 fishekë, shurdhues i montuar, 1 fishek, sprej, thikë, USB, çantë ushtarake me 2 granata dore, stema të ndryshme.

Në hyrjen tjetër, janë gjetur 15 fishkë, karikator, thikë, radiolidhje, jelek taktik me çantë, antiplumb, antiplumb i  brendshëm, kapele, dorëza, maskë etj. Rasti duke u hetuar.

Fsh. Korile, Zveçan  07.10.2024 – 14:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë me 46 fishekë, një revole me 72 fishekë dhe një xhaketë me mbishkrimin (civilna zastita). Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

The post Aksioni i së hënës në veri, arrestohet një person – Policia jep detaje   appeared first on Telegrafi.

Shqetësuese, tri nxënëse në Gjakovë vetë-lëndohen – Policia heton rastin si ‘shtytje në vetëvrasje’

8 October 2024 at 09:33

Policia e Kosovës ka njoftuar se tri nxënëse në Gjakovë janë viktima të fenomenit të vetë-lëndimit.

Rasti është raportuar të hënën në Gjakovë, në ora 10:30.

“Gjakovë 07.10.2024 – 10:30. Drejtoresha e DKA-së ka njoftuar se tri nxënëse janë viktima të fenomenit të vet–lëndimit”, thuhet në raport.

Tri viktimat, femra kosovare të mitura janë dërguar në tretman mjekësor.

Në raportin policor thuhet se rasti është duke u hetuar.

Ndryshe, muaj më parë ishte përhapur një lojë e rrezikshme në TikTok “Sfidë apo e vërtetë”, e cila nxiste  sjelljet vetëdëmtuese të fëmijëve.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në një reagim për media kishte shprehur shumë shqetësim lidhur me informatat e publikuara në media mbi përhapjen e lojës së rrezikshme që po qarkullon në TikTok “Sfidë apo e vërtetë”, e cila nxit sjelljet vetëdëmtuese të fëmijëve.

Raste të tilla të vetë-lëndimit ishin identifikuar në dy shkolla 9-vjeçare të komunës së Fushë Kosovës dhe Lipjanit. /Telegrafi/

 

 

The post Shqetësuese, tri nxënëse në Gjakovë vetë-lëndohen – Policia heton rastin si ‘shtytje në vetëvrasje’ appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Miratohet Udhëzimi për Standardizimin e QR Kodit që do të përdoret për pagesat në Kosovë

4 October 2024 at 14:37

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore ka miratuar Udhëzimin për Standardizimin e QR Kodit që do të përdoret për transaksionet e pagesave në Republikën e Kosovës.

Në njoftimin për media thuhet se qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR kodit në Republikën e Kosovës, që do të përdoret për pagesat në shitjet me pakicë dhe për pagesat e faturave.

“Ai synon të promovojë përdorimin më të gjerë të pajisjeve digjitale dhe telefonave të mençur për kryerjen e pagesave, duke siguruar ndërveprim të qëndrueshëm dhe të sigurt midis ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve.

BQK-ja ka adoptuar standardin e përcaktuar nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC), i cili përfshin standardin e QR kodit që përdoret në BE për transferet e pagesave të iniciuara nga telefonat e mençur dhe për sistemet e pagesave të shpejta”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Përdorimi i këtij standardi do të sjellë disa përparësi dhe përfitime: për qytetarët, për tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve, për ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe për institucionet publike.

Me këtë standard, Banka Qendrore synon që në Republikën e Kosovës, QR kodet të përdoren në mënyrë efikase për qëllime pagesash në sisteme dhe platforma të ndryshme, duke reduktuar fragmentimin e tyre.

Udhëzimin mund ta gjeni në këtë LINK: /Telegrafi/

 

The post Miratohet Udhëzimi për Standardizimin e QR Kodit që do të përdoret për pagesat në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Pala e dëmtuar vlerëson se vendimi për Shaban Gogajn e ka zbehur besimin në drejtësi, mbrojtja e të akuzuarit thotë se ishte vrasje nga pakujdesia

3 October 2024 at 12:14

Gjykata e Apelit shqyrtoi të enjten ankesat e palëve në rastin ku Shaban Gogaj ishte dënuar nga shkalla e parë me 7 vite e gjysmë burgim për vrasjen e Agonis Tetajt nga pakujdesia.

Sipas gjyqtarit referues, Hashim Çollaku, ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Pejë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Berat Tmava, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë seancë, nga Prokuroria nuk ishte i pranishëm askush, por ankesa e tyre sipas gjykatësit Çollaku ka të bëjë me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të Ligjit Penal dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit mbi dënimin.

Sipas kësaj ankese, gjykatësi Çollaku tha se pretendohet që në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në mënyrë të gjithanshme të gjitha deklaratat, të gjitha provat, dhe nuk ka nxjerrë aktgjykim të drejtë.

Po ashtu, në ankesë pretendohet se të gjitha provat çojnë në drejtim të asaj që ka të bëjë me vrasje të rëndë, duke kërkuar dënim më të ashpër për të akuzuarin Gogaj.

Se ky rast ka të bëjë me vrasje të rëndë, pretendon edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava.

Sipas tij, vendimi i shkallës së parë e ka zbehur besimin në drejtësi tek familja Tetaj, duke shtuar se në këtë rast ka pasur ndërhyrje të shumta.

“…familja e të dëmtuarve- Tetaj, e besoj edhe shumica e popullatës, e ka zbehur besimin në drejtësi edhe pikërisht duke pasur parasysh këtë çështje juridiko-penale, pasi që ka pasur ndërhyrje të shumta nga persona që nuk ia duan të mirën drejtësisë”, tha avokati Tmava.

Të shqetësuar, u shprehën edhe familjarët e tani të ndjerit Tetaj. Babai i tij tha se kishte pritur që kjo çështje të përfundonte brenda një viti.

“Prej fillimit kur ka ndodh ky rast, kam kërku me u vendos drejtësi, mas largu mrena 1 viti. Qe 6 vjet u banë, unë jam tu u maltretu nëpër seanca”, tha ai.

Edhe nëna e të ndjerit kërkoi drejtësi për Agonisin, duke thënë “Me u marrë një vendim këtu, mos mu en ma nëpër gjykata …”.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Tetaj, avokati Besnik Berisha tha se ky rast është gjykuar dy herë dhe se në dy këto raste, ka qenë epilogu i njëjtë, që ka të bëjë me vrasje nga pakujdesia.

Ai tha se në atë moment, si rezultat i një pajkudesie ka ndryshuar përjetësisht jeta e akuzuarit Gogaj dhe për familjes Tetaj, përderisa sipas tij, i akuzuari Gogaj kishte qenë në pritje të një momenti lumturie.

“…si rezultat i një pakujdesie të skajshme në një moment lumturie që priste Shabani atë ditë”, tha avokati Berisha, duke shtuar që ky moment i lumturisë ishtë dashuria e të akuzuarit Gogaj, që të kurorëzohej me fejesë.

Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar  me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt. Kurse, Isuf Cacaj me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Ndërsa, më 15 mars 2024, Themelorja e dënoi sërish me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa Isuf Cacaj u dënua me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës. /betimiperdrejtësi/

The post Pala e dëmtuar vlerëson se vendimi për Shaban Gogajn e ka zbehur besimin në drejtësi, mbrojtja e të akuzuarit thotë se ishte vrasje nga pakujdesia appeared first on Telegrafi.

Teatri Rom në Prizren, një vatër intelektualizmi dhe kulture

3 October 2024 at 12:03

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” mban emrin e një prej figurave më të mëdha të komunitetit rom, një artist dhe aktivist që dha gjithçka për të avancuar kulturën dhe të drejtat e romëve.

Nexhip Menekshe nuk ishte thjesht një dramaturg apo regjisor, ai ishte shpirti i këtij teatri. Me dramat e tij, ai ndriçoi jetën e romëve, duke e përdorur skenën si një platformë për të sfiduar paragjykimet dhe për të frymëzuar një gjeneratë të tërë.

Emri i tij në këtë teatër është një simbol i përjetësisë së tij, një testament i pasionit dhe përkushtimit që i dha gjithmonë komunitetit të tij.

Prej themelimit të teatrit rom kanë kaluar 35 vite dhe përgjatë kësaj periudhe janë realizuar afër 35 premiera (6 para luftës dhe 29 pas luftës), si dhe qindra shfaqje të prezantuara në qytetet e ndryshme të Kosovës dhe të ish – Jugosllavisë.

Sejnur Veshall, drejtor i këtij teatri në një deklaratë për Telegrafin thotë se deri para 5 ose 6 vitesh, Teatri Rom prodhonte kryesisht shfaqje autentike rome, të cilat buronin nga komuniteti dhe ishin të dhuruara për të.

Sipas tij ato trajtonin tema si martesat e hershme, edukimi, çështje politike dhe problematika të tjera specifike për komunitetin.

“Mirëpo, në këto 5-6 vitet e fundit, Teatri Rom ka marrë një kahje më të përgjithshme, duke u fokusuar në përmbajtje të artit bashkëkohor dhe çështje të teatrit kontemporan e eksperimental. Qëllimi ka qenë promovimi i teatrit në struktura të ndryshme, duke punuar më shumë me regjisorë dhe ekipe profesioniste. Po ashtu, kanë promovuar shfaqje të autorëve ndërkombëtarë, të përkthyera në gjuhën rome”, ka deklaruar Veshal për Telegrafin.

Ai shton se teatri rom është teatri i parë rom në botë që ka realizuar shfaqje kontemporale dhe eksperimentale.

“Ajo që e bën Teatrin Rom kaq të veçantë është roli i tij si vatër kryesore për promovimin e intelektualëve. Pjesa dërrmuese e personaliteteve, qoftë në administratë, politikë apo gazetari, e kanë buruar nga Teatri Rom ‘Nexhip Menekshe’. Teatri Rom është teatri i parë i komunitetit rom, i cili ka bashkëpunuar me teatrot e qyteteve të tjera, si dhe me teatrin profesional të qytetit të Prizrenit”, ka shtuar ai.

Ai thotë se ka pasur ftesa nga Teatri Kombëtar, si dhe ka marrë pjesë në teatro dhe festivale të ndryshme.

Historia e këtij institucioni kulturor

Romët në Prizren, në vitin 1969 kanë filluar punën për afirmimin dhe emancipimin e këtij komuniteti. Romët e Terzimahallës në këtë vit formojnë shoqërinë e parë kulturo-artistike “Durmish Asllano” me emrin e dëshmorit të njohur rom, i rënë në Luftën e Dytë Botërore, i cili ka lindur dhe ka jetuar në këtë lagje.

Si pjesë e aktiviteteve të shoqërisë në vitin 1989 rritet dashuria për artin teatror, kështu që Teatri Rom në vitin 2019 ka mbushur 30 vite të veprimtarisë.

Ky vit jubilar është festuar me dramën me karakter in-memorial për Kujtim Paqakun, një personalitet i dashur i komunitetit rom në Kosovë dhe më gjerë.

Nexhip Menekshe në shenjë respekti për punën e tij 30-vjeçare në shumë sfera për komunitetin rom ia dedikon një dramë atij. Për këtë dramë është kujdesur një regjisor profesional, Kaltrim Balaj, nga duart e të cilit ka dalë një regji e cila e ngriti prestigjin e Teatrit Rom. Me punë të mirë doli edhe një performancë e mirë me të cilën është treguar shumica e sukseseve të Kujtim Paçakut.

Përveç dramave të mëdha për të rritur, Teatri Rom ka pasur një ndikim të veçantë edhe te fëmijët, duke luajtur drama edukative si “Djaloshi Kokëfortë”.

Kjo vepër synonte të informonte dhe edukonte fëmijët, jo vetëm të komunitetit rom, por nga të gjitha shkollat e Prizrenit. Përmes skenës, teatri u mundua të ndërtojë ura mirëkuptimi dhe empatie mes fëmijëve, duke i njohur ata me identitetin dhe kulturën e bashkëmoshatarëve të tyre romë. Qëllimi kryesor ishte që, duke rritur ndërgjegjësimin dhe njohjen e ndërsjellë, të zvogëlohej diskriminimi dhe bullizmi në mesin e tyre, duke promovuar një ambient më të drejtë dhe miqësor.

Teatri Rom ka prekur një gamë të gjerë tematikash, duke sjellë në skenë drama që pasqyrojnë jetën, historinë dhe përjetimet e komunitetit rom dhe më gjerë. Një nga veprat më të rëndësishme është drama “Hijet”, e cila u luajt në prill të vitit 2023 në një ambient krejtësisht të veçantë – një muze. Kjo dramë trajtoi temën e Auschwitz-it, duke e përshkruar atë si një kamp refugjatësh dhe duke rrëfyer historitë tronditëse dhe përjetimet e njerëzve që e kaluan atë ferr.

Ajo që e bëri këtë performancë unike ishte zgjedhja e vendit: muzeu si hapësirë skenike, që krijoi një lidhje të drejtpërdrejtë mes historisë dhe artit, duke përçuar mesazhe të fuqishme te publiku.

Përveç dramave që trajtojnë tematika të komunitetit rom, Teatri Rom ka sjellë në skenë drama ndërkombëtare nga shkrimtari Ray Cooney, si “Run After Your Wife” dhe “Funny Money.” Të dyja këto komedi janë përkthyer në gjuhën rome dhe kanë pasur një sukses të madh, duke u bërë ndër më të preferuarat nga publiku. Ato ofrojnë një kombinim të artit rom dhe humorit, duke e bërë përvojën teatrale argëtuese

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” është një vatër e gjallë e aktivizmit dhe intelektualizmit rom, nën drejtimin e Shoqërisë Kulturore dhe Artistike “Durmish Asllano.” . Si një qendër e rëndësishme për shprehjen artistike dhe afirmimin e identitetit kulturor të komunitetit rom, ai ka ndihmuar në ndriçimin e zërit të romëve, duke kontribuar në krijimin e një brezi që lufton për të drejtat e tyre dhe integrimin në shoqëri. Teatri vazhdon të mbetet një simbol i forcës dhe pasionit për artin, duke inspiruar breza të rinj për një të ardhme më të ndritur. / Gynesh VESHALL/

The post Teatri Rom në Prizren, një vatër intelektualizmi dhe kulture appeared first on Telegrafi.

Kurti takohet me zëvendëskryeministrin e Polonisë, flasin për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike

2 October 2024 at 14:53

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i Polonisë, Krzysztof Gawkowski njëherësh ministër i Çështjeve Digjitale, zhvilluan sot takim bilateral, gjatë të cilit diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe potencialin që sektori i Teknologjisë paraqet për thellimin e tyre dhe përfitimin e dyanshëm.

Në njoftimin për media të Kryeministrisë bëhet e ditur se kryeministri Kurti ndau me zëvendëskryeministrin Gawkowski përparësitë që vendi ynë ofron në këtë sektor dhe ofertën që paraqet për kompanitë dhe investitorë nga Polonia.

Gjatë takimit u theksua vullneti për të bashkëpunuar në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.

Zëvendëskryeministri Gawkowski e përgëzoi Kosovën për vëmendjen dhe investimet në këto dy fusha.

Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Gawkowski diskutuan edhe për përgatitjet dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve gjatë Presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Evropian në pjesën e parë të vitit 2025. /Telegrafi/

The post Kurti takohet me zëvendëskryeministrin e Polonisë, flasin për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike appeared first on Telegrafi.

Osmani në takim me presidentin gjerman, Steinmeier: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në BE e Këshill të Evropës, vendi t’i krijojë kushtet

2 October 2024 at 14:41

Presidenti i  Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka pritur sot në takimin presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenti gjerman në një postim në Facebook ka njoftuar për takimin me presidenten e Kosovës, gjersa thekson se Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, por se vendi duhet të punojë për të krijuar kushtet e nevojshme për këtë.

“Presidenti Federal Steinmeier priti sot në Berlin Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Gjermania është shumë e prirë për stabilitetin e rajonit dhe mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, theksoi presidenti në bisedë.

Vendi duhet të punojë për të krijuar kushtet e nevojshme për këtë”, shkruan presidenti gjerman.

Lidhur me takimin ndërmjet Steinmeier dhe presidentes Osmani ka njoftuar edhe Presidenca e Kosovës.

Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.

“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar presidentja Osmani.

Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces. /Telegrafi/

The post Osmani në takim me presidentin gjerman, Steinmeier: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në BE e Këshill të Evropës, vendi t’i krijojë kushtet appeared first on Telegrafi.

SBASHK-u dorëzon Draft-kontratën e re të arsimit në MASHT, Jasharaj: Nagavci nuk deshi të na takojë – uroj që ky inat të kalojë

2 October 2024 at 12:34

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ka dorëzuar sot Draft-Kontratën e re të arsimit në Arkivin e Ministrisë së Arsimit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një konferencë pas dorëzimit të Draft-Kontratës tha se dokumenti përfshin tërë sistemin arsimor në vend, nga çerdhet deri në universitet.

Ai bëri të ditur se draftin e kanë përgatitur komisionet gjegjëse dhe se për dy javë e kanë pasur në debat publik mes anëtarësisë.

Tutje, kryetari i SBASHK-ut ta se i kanë bërë katër shkresa ministres Arbërie Nagavci dhe ekipit të saj që të ketë një ceremoni modeste, por nuk kanë gjetur kohë.

“Ia kemi bërë katër shkresa zonjës Nagavci dhe kabinetit të saj që me një ceremoni qoftë modeste solemne t’ia dorëzojmë një ekzemplar. Përgjigjet kanë qenë vazhdimisht nga na jepni kohë, sepse zonja Nagvci paska shumë angazhime brenda dhe jashtë Kosovës që ne e përkthejmë në gjuhën tonë se nuk deshi të na takojë që nga greva e këndej e nuk deshi të na takojë as sot…”, tha ai, raporton Telegrafi.

I pari i SBASHK-ut tutje tha se duan të besojnë se ministrja Nagavci e di vlerën e Kontratës Kolektive sepse sipas tij në shtetet demokratike as në nivel vendi e asnjë sektor nuk është e lejuar të mbeten për një kohë të gjatë pa kontratë.

“Zonja Nagavci dukur u mundua të zhvleftësojë kontratën që ishte paraprake dhe na kishte thënë se duhet të mblidhemi e të bisedojmë për një kontratë të re. Ne e bëmë këtë, por ajo po shihet se deri sot nuk e bëri detyrën e saj”, tha tutje ai.

Jasharaj shtoi se konsideron që më shumë se SBASHK-u, Nagavci që është njeriu i parë i arsimit duhet të kujdeset për punëtorët e arsimit sepse duke pas kontratë jo vetëm privilegjet dhe të drejtat, po në kontratë janë të precizuara edhe obligimet dhe detyrat e punëtorëve të arsimit.

“Uroj që ky inat, ky qëndrim kundër sindikatave dhe SBASHK-ut t’i tejkalojë zonjës Nagavci dhe bashkë ta formojnë pjesën tjetër të komisionit, në mënyrë që komisioni ynë të ulet me komisionin e saj dhe të negociojë, të shtojnë ndonjë gjë dhe sa më parë ta nënshkruajnë kontratën.

MASHT-i nuk është i një individi, është edhe i SBASHK-ut sepse jemi punëtorë të arsimit dhe zonja Nagavci është ministre e Arsimit…”, tha ndër të tjera, Jasharaj. /Telegrafi/

The post SBASHK-u dorëzon Draft-kontratën e re të arsimit në MASHT, Jasharaj: Nagavci nuk deshi të na takojë – uroj që ky inat të kalojë appeared first on Telegrafi.

❌
❌