Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 October 2024Main stream

EMRI/ Në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohet 31 vjeçari në Laç

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 14:07

Një 31 vjeçar, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, është arrestuar në një lokal në Laç. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet edhe një pistoletë me municion luftarak dhe një sasi kokaine në lokal.

Ndaj 31 vjeçarit me dy mbiemra Amarildo Ndreca (Kola), gjykata e Lezhës kishte dhënë masën “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me dy të tjerë ka tentuar që të vrasë me armë zjarri një person në fshatin Rrilë. Ngjarja ka ndodhur me 6 mars të këtij viti.

Njoftimi i policisë:

Laç/Finalizohet operacioni policor i koduar “Double Trouble”.

Me pistoletë me vete, në një lokal në Laç, ndërkohë që ishte në kërkim për një tentativë për vrasje, vihet në pranga 31-vjeçari.

I ndaluari dhe 2 shtetas të tjerë, në mars 2024, tentuan të vrisnin në fshatin Rrilë, shtetasin A. P..

Procedohen në gjendje të lirë 6 shtetas që shoqëronin 31-vjeçarin, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe/ose përkrahje të autorit të krimit.

Sekuestrohen arma e zjarrit, krehri i saj, 15 fishekë, 2 automjete, 2 celularë dhe një shumë parash.

Gjatë monitorimit 24/7 të situatës në terren, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, është siguruar informacion për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për një tentativë për vrasje. Informacioni është administruar menjëherë dhe në kuadër të operacionit “Double Trouble”, forcat e posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, si dhe Seksioni kundër Krimeve ndaj Personit, të DVP Lezhë, kanë ndërhyrë për kapjen dhe ndalimin e këtij shtetasi.

Si rezultat, në një lokal në Laç, është vënë në pranga shtetasi A. N. alias A. K., 31 vjeç. Gjykata e Lezhës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit “. Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit K. N. dhe V. T., ka tentuar të vrasë me armë zjarri, në fshatin Rrilë, më datë 06.03.2024, shtetasin A. P..

Nga kontrolli fizik i kryer në momentin e ndalimit, 31-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, ndërsa gjatë kontrollit në lokalin ku u kap ai, u gjet një pjatë me mbetje të dyshuara të lëndës narkotike Kokainë.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 6 shtetasit që shoqëronin në lokal, shtetasin A. N. alias A. K., konkretisht për shtetasin P. J., 28 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe për shtetasit M. Ll., 50 vjeç, A. Gj., 23 vjeç, B. Gj., 36 vjeç, A. N. alias A. K., 45 vjeç dhe N. B., 34 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme.

Ministri i Jashtëm francez: Libani mund të bëhet si Siria

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 13:43

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot ka paralajmëruar se Libani mund të “duket si ajo që është bërë Siria” nëse nuk arrihet një armëpushim në vend.

“Një qendër paqëndrueshmërie për kontrabandën, terrorizmin dhe një pikë nisjeje për një migrim të madh civilësh që kërkojnë strehim në Evropë,” tha Jean-Noel Barrot në parlamentin francez.

Më herët, Barrot përsëriti thirrjen e Emmanuel Macron për një embargo armësh ndaj Izraelit, duke thënë se ajo kishte për qëllim gjithashtu të mbronte izraelitët.

“Franca, si shumica e vendeve në botë, bën thirrje për një armëpushim në Gaza dhe Liban. Dhe kur dikush bën thirrje për armëpushim, nuk mundet në të njëjtën kohë t’u ofrojë armë palëve ndërluftuese. Është çështje konsistence”, u shpreh ministri./abcnews.al

VIDEO/ Pritet të godasë Floridën, momenti ku një avion kërkimor fluturon përmes uraganit Milton

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 12:38

Publikohen pamjet të një avioni kërkimor që fluturoi direkt në uraganin Milton ndërsa përgatitet të godasë Floridan në SHBA. Pamjet, të publikuara nga Qendra e Operacioneve të Avionëve të Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës, tregojnë avionin duke u lëkundur nga turbulencat e forta.

Aeroplani Lockheed WP-3D Orion, i quajtur “Miss Piggy”, fluturoi përmes uraganit me një ekip shkencëtarësh për të mbledhur të dhëna për kërkime dhe për të ndihmuar në përmirësimin e parashikimit të uraganit që do të godasë Florida sot. Të paktën 4 studiues të NOAA ishin në bord.

Bumpy ride into Hurricane #Milton on @NOAA WP-3D Orion #NOAA43 “Miss Piggy” to collect data to help improve the forecast and support hurricane research.

Visit https://t.co/3phpgKNx0q for the latest forecasts and advisories
Visit https://t.co/UoRa967zK0 for information that you… pic.twitter.com/ezmXu2Zqta

— NOAA Aircraft Operations Center (@NOAA_HurrHunter) October 8, 2024

Pamja nga dritarja tregon aeroplanin që kalon përmes një qielli gri teksa goditet nga shiu i rrëmbyeshëm.

Sipas Jonathan Shannon, i cili është një specialist i çështjeve publike për Qendrën e Operacioneve të Avionëve të NOAA, këta avionë kanë kaluar nëpër stuhi për 50 vjet. Ai shton se këto misione janë të nevojshme për të marrë të dhëna të rëndësishme që iu duhen shkencëtarëve./abcnews.al

Helmimi i banorëve në Dibër/ Prefekti: Uji rezultoi me ngarkesë të lehtë mikrobike në disa fshatra, është bërë dezinfektimi i depove

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 12:20

Prefekti i qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu thotë se nga analizat e kryera, ka rezultuar se uji i kanalit të Sopanikës kishte ngarkesë të lehtë mikrobike. Ai tha se uji në burim ka dalë i rregullt dhe se është bërë një pastrim dhe dezinfektim i depove në fshatrat e banorëve që paraqitën shqetësime.

“Që nga orët e para të datës 7, kam marrë njoftim nga drejtoresha e spitalit se kemi fluks në rritje të qytetarëve, kryesisht nga zona e Fushë aliaj dhe Kastriotit, respektivisht janë 8 fshatra, një zonë me 3-4 mijë banorë që janë paraqitur me probleme të heqjes së barkut dhe të vjella. Ditën e parë kanë qenë rreth 100 qytetarë që kanë kërkuar ndihmë, kryesisht kanë marrë serume ditore, rastet nuk kanë qenë të rënda. 6 vetë janë hospitalizuar, nga këta 5 fëmijë, dhe një i rritur por që edhe ata janë kthyer në shtëpi.

Pardje dhe dje ne kemi marrë kontakt me drejtorinë e spitalit, kujdesin shëndetësor që ka mjekët e familjes drejtorinë e ujësjellës kanalizimeve dhe jemi marrë me problemin. Deri sot në mëngjes nuk kemi patur rezultatet e analizave bakteriale. Në pikëpamje të kushteve fizike, kimike, uji ka qenë i pastër nuk ka patur probleme në analizat fiziko kimike.

Uji i kanalit të Sopanikës, në këto fshatra jo në burim, në burim ka dalë i rregullt, ka ngarkesë të lehtë mikrobike, që do të thotë uji momentalisht është i papërdorshëm për t’u pirë, edhe rezultatet e kanë dhënë se njerëzit jane paraqitur në spital. Dje, gjithë ditën të gjitha depot e këtyre fshatrave janë pastruar dhe dezinfektuar me klor.”, u shpreh prefekti i qarkut të Dibrës, Prefekti Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu./abcnews.al

Vrasja e Ardian Nikulajt, shtyhet seanca për Ruben Saraivën. Avokati: Prokuroria s’ka sjellë asnjë provë shtesë, kërkuam ndryshimin e masës

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 12:05

Shtetasi portugez Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit lezhjan Ardian Nikulaj doli paraditen e të mërkurës para gjykatës së Lezhës, ku kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Ai kërkon masë më të butë me pretendimin se ka kaluar një afat i gjatë dhe dosja ende nuk ka kaluar për gjykim.

Seanca u shty për në datën 16 Tetor, pasi sipas avokatit të tij Kujtim Cakrani, prokuroria nuk ka ecur me çështjen. Sipas Cakranit, provat që janë paraqitur nuk janë të mjaftueshme për implikimin e tij në këtë çështje.

“Ishim në gjykatë për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj Ruben Saraivës dhe për raportin dy mujor që prokurori duhet t’i paraqiste gjykatës. Sjell në vëmendje që kjo është çështje shumë delikate, ku prokuroria nuk ka ecur me hetimet që prej muajit prill 2023 dhe kështu që unë si përfaqësues ligjor, i kërkova gjykatës zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj këtij shtetasi pasi nuk ka asnjë provë dhe fakt që të vërtetojë se ky person të ketë kryer veprën penale. Kemi ngecur këtu. Kjo seancë u shty se mungonte përkthyesi dhe do të jetë me 16 në të njëjtën orë për seancë gjyqësore. Prokurori nuk ka sjellë asnjë provë tjetër shtesë dhe shpresoj që çështja të marrë zgjidhje.”, u shpreh avokati.

Saraiva vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim para togave të zeza, e po ashtu është shprehur se do të jetë në gatishmëri të drejtësisë shqiptare.

Kujtojmë që biznesmeni Ardian Nikulaj u vra me 19 prill 2023 teksa po pinte kafen në lokalin e tij në Shëngjin. Sipas hetimeve, rezultoi se vrasja është porositur nga Edmond Haxhia. Ruben Saraiva luajti rolin e ekzekutorit ndërsa britanikët, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, dhe për Harry Simpson ishin vëzhguesit.

/abcnews.al

 

 

 

 

Moti i keq në Bosnje-Hercegovinë, 22 të vdekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 10:44

Numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Bosnje-Hercegovinë është rritur në 22, ndërsa ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të 6 personave të zhdukur, sipas raportit të fundit të autoriteteve.

Për shkak të reshjeve të dendura të parashikuara nga meteorologët, Shërbimi i Mbrojtjes Civile dje urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të zonave të Jabllanicës dhe Konjiqit, të cilat janë prekur rëndë nga moti i keq.

“Numri i të vdekurve në kantonin Hercegovinë-Neretva është 19,” njoftuan autoritetet lokale. Tre persona të tjerë u gjetën të vdekur në Bosnjën qendrore./abcnews.al

Protesta e dhunshme e opozitës/ Arrestohen dy protestues të tjerë, njëri prej tyre theu masën e ‘arrestit shtëpiak’. 5 nën hetim

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 10:10

Dy persona të tjerë, të shpallur në kërkim në lidhje me protestën e dhunshme të opozitës, janë arrestuar nga policia e Tiranës. Të ndaluarit janë Sokol Bushkolaj, 49 vjeç dhe Gentian Tuga, 47 vjeç.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se Bushkolaj rezulton të ketë thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të dhënë nga gjykata në muajin qershor në lidhje me protestat e zhvilluara para bashkisë së Tiranës.

49 vjeçari Sokol Bushkolaj akuzohet për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” ndërsa ndaj Gentian Tugës rëndojnë akuzat “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

“Deri në këto momente, janë tre të arrestuar në total. Dy prej tyre janë arrestuar gjatë orëve të natës që ishin në kërkim. Njëri rezulton me precedentë të mëparshëm penalë që ka thyer arrestin me shtëpi. Sokol Bushkolaj ishte arrestuar më herët për të njëjtat vepra penale për shkatërrim prone dhe goditje për shkak të detyrës për protestën para bashkisë së Tiranës. 49 vjeçari përballet edhe me një tjetër akuzë, laegimi i të burgosurve nga vendi i qëndrimit, pasi në qershor është arrestuar për protestat para bashkisë, ku gjykata e ka lënë në arrest shtëpiak dhe duket se ka thyer masën duke dalë sërish në protestë. Personi tjëtër është 47 vjeçari Gentian Tuga“, raportoi gazetarja Xhensila Kodra.

Në total numri i të arrestuarve për aktet e dhunës në protestë shkon në tre. Policia njoftoi sot se nën hetim janë vënë edhe pesë persona të tjerë, krahas 3 të tjerëve ditën e djeshme.

Krahas protestuesve të dhunshëm, u proceduan në gjendje të lirë edhe tre organizatorët e protestës, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarolli. Ata do të hetohen për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./abcnews.al

 

 

SHBA/ Sa i rrezikshëm është për Harris largimi i amerikano-latinëve?

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 09:51

Gjithnjë e më shumë votues amerikano-latinë po mbështesin aktualisht Trumpin. Për Harrisin, kthesa në këtë grup votuesish hap mjaft probleme, madje kjo mund të vendosë zgjedhjet në shtetin e lëkundur Arizona.

Dhjetëra kamionë, motoçikleta dhe makina të stolisur me flamuj të mëdhenj të Trumpit janë rreshtuar në një parking në periferi të Tucson-it, qyteti i dytë më i madh i Arizonës. Autokolona e madhe për Donald Trump-in do të vihet në lëvizje. Ajo organizohet nga Jorge, rreth të 50-tave, i cili emigroi nga El Salvador-i më shumë se 30 vjet më parë.

I veshur me një T-shirt Trump dhe me një model flokësh fallco Trump në kokë, ai qëndron në parking. “Amerikanolatinët për Trump” – ky është misioni i tij. “Demokratët kanë dështuar në komunitetin amerikanolatin”, thotë Jorge. Gruaja e tij Betty, me një çantë vezulluese Trumpi në dorë, shkëlqen dhe thotë: “Amerikanolatinët votojnë për Trumpin, e mrekullueshme”.

Ajo që është e rëndësishme për amerikanolatinët nuk ka më rëndësi për demokratët, thotë Jorge. Amerikanolatinët besojnë në familje, punë, ligj dhe rend. Demokratët janë të shqetësuar për “kulturën e zgjimit” (woke culture), kulturën e pakicave. Trumpi, nga ana tjetër, do të ulë koston e lartë të jetesës dhe do t’i japë fund emigracionit të paligjshëm. Sipas Jorge-t, demokratët po i lënë përdhunuesit dhe vrasësit në vend.

Bertha, paraardhësit e së cilës emigruan nga Meksika në Shtetet e Bashkuara, ka ardhur gjithashtu në autokolonë.”Ne nuk jemi kundër emigrimit”, shpjegon kjo grua rreth të gjashtëdhjetave. Por latinët që kanë ardhur ligjërisht në vend ndihen të mashtruar. Bertha gjithashtu beson se mbështetja për Trump-in nuk ka qenë kurrë më e fortë mes amerikanolatinëve në Arizona.

Swing State në kufirin jugor

Në shtetin e lëkundur të Arizonës, i vetmi shtet që ka një kufi me Meksikën, 25% e votuesve janë amerikanolatinë. Prandaj ata mund të kontribuojnë në mënyrë të vendosur në rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet. Në vitin 2020, Joe Biden fitoi me më pak se 11,000 vota përpara Donald Trump-it. Dhe sondazhet e tregojnë: mbështetja latine për demokratët është në rënie.

Edhe në Nogales, 130 kilometra më tej. Kufiri me Meksikën kalon drejtpërdrejt përmes këtij qyteti me 20.000 banorë. Litzyeen, Roxy dhe Anakarina janë ulur në një restorant meksikan. Tre femrat amerikanolatine po bëjnë fushatë për kandidaten demokrate presidenciale Kamala Harris, duke trokitur në dyer, duke thirrur votuesit e mundshëm në komunitetin amerikanolatin. Dhe të treja thonë se ndjejnë dobësimin e mbështetjes për demokratët.

“Amerikanolatinët për Trumpin më lënë pa gjumë natën”, thotë Anakarina, 37 vjeçe, me flokë të gjatë të errët. Ajo nuk e kupton mbështetjen e latinove për Trump. Trumpi po i bën amerikanolatinët të besojnë se do të bëjë diçka për ta, se do të ringjallë ekonominë duke ulur taksat. Por Trumpi do të ulë taksat vetëm për të pasurit, shumë amerikanolatinë thjesht nuk e shohin këtë”, tha Anakarina, duke tundur kokën e zhgënjyer.

Shqetësimet e demokratëve

Gratë janë gjithashtu të bindura se Trumpi nuk do ta zgjidhë problemin e emigrimit të paligjshëm. Ato duan një politikë humane emigrimi. Roxy thotë se ajo e sheh Trumpin vetëm si dikë që nuk kujdeset për njerëzit. Trumpi nuk do zgjidhje për problemet, vetëm urrejtje dhe ndarje. Kjo është arsyeja pse vendi ka nevojë për Harris-in. Ajo është në gjendje të kapërcejë ndarjen e thellë midis kampeve politike, thotë Anakarina. Dhe kjo është e vetmja gjë që do t’i çojë SHBA përpara.

A do të mjaftojë kjo përfundimisht për të fituar zgjedhjet? Asnjë nga tre gratë nuk është e sigurt. Do të jetë rezultat shumë i ngushtë, thotë Anakarina. Litzyeen e pranon hapur se është e shqetësuar. Ndryshe është për Jorge, tifozin e Trumpit në Tucson: ai është i bindur se Trumpi do të fitojë me ndihmën e amerikanolatinëve. Komuniteti amerikanolatin do të festojë më 5 nëntor, thotë ai, – sigurisht me tekila./DW

Legalizimi i ndërtimeve pa leje, bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Kadastrës arrijnë marrëveshje bashkëpunimi

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 08:54

Bashkia e Tiranës është e para që jep dritën jeshile të bashkëpunimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për të përfunduar me prioritet procedurat e legalizimit. Pak kohë më parë qeveria shqiptare vendosi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje për të ndihmuar qytetarët në përshpejtimin e këtij procesi kompleks.

Këshilli Bashkiak, pa votat e opozitës, miratoi dje marrëveshjen që do të ndihmojë qytetarët që kanë ndërtime pa leje, duke mundësuar zgjidhjen më të shpejtë të kërkesave për legalizim, veçanërisht në zonat me prioritet zhvillimi urban dhe zonat informale të banimit. Ky bashkëpunim institucional përfshin ndarjen e informacioneve, identifikimin e blloqeve gjeografike dhe hartimin e planeve të punës për një proces më të strukturuar dhe efikas.

“Ne kemi marrë një vendim sot që, në fakt i përgjigjet vendimit të madh që ka marrë qeveria, për t’i transferuar bashkive një pjesë për legalizimet e mbetura. Pra, të këtyre anomalive që kanë ngelur ndër vite. Kjo nuk do të zëvendësojë ASHK. Përkundrazi, ajo që ne kemi kaluar sot është një marrëveshje midis Bashkisë së Tiranës dhe

Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që Bashkia në të 27 njësitë vendore të vetat, të ketë një zyrë që ndihmon qytetarët dhe kategorizon këto lloj anomalish që kanë ngelur ende pa legalizuar. Besoj se është një lajm i shkëlqyer. Edhe ata që janë në zona rurale, që deri dje mund të kishin disa pengesa ligjore që sot janë lehtësuar dhe nuk hyjnë tek kategoria që prish punë në infrastrukturën e madhe jetike të qytetit. Ky është një lajm shumë i mirë për të mbyllur edhe epilogun e legalizimeve në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Vjen në kinema “Prokurori”, seriali shqiptar ku luan dhe aktori i njohur hollivudian. Regjisori Doga: Synojmë edhe Netflix

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 08:46

Episodi i parë i serialit shqiptar “Prokurori” vjen në kinematë e Tiranës nga data 10 Tetor, me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Filmi ka në fokus në reformën në drejtësi dhe tregon luftën e një prokurori për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar.

Në film luan edhe aktori i njohur hollivudian Danny Glover, i cili bën rolin e ambasadorit amerikan në Shqipëri. Regjisori Fatmir Doga dhe aktori Enea Nika ishin të ftuar në “Abc e mëngjesit”, ku dhanë më shumë detaje për serialin. Doga thotë se synojnë që me serialin të tërheqin edhe vëmendjen e Netflix.

Seriali do të ketë 5 sezone me nga 12 episode.

“Filmi do të jetë me seri. Kjo është pjesa e parë, ku janë hedhur ‘farat’. Kur erdha kisha në mendje diçka tjetër, mu ofrua të bënim diçka ndryshe. E kisha këtë konceptin dhe u quajt prokurori sepse është nga fillimi deri në fund strumbullari i të gjitha çfarë ndodh në Shqipëri. Në film dominon shqipja sepse ngjarjet zhvillohen në Shqipëri dhe në Kosovë. Danny Glover rual rolin e ambasadorit amerikan në Shqipëri.

Atë natë do të vijnë dy persona nga Netflix dhe HBO do të shikojnë impakti që do të ketë filmi te publiku shqiptar.”, u shpreh regjisori./abcnews.al

Ekuador/ Sulm i armatosur mes bandave të drogës, 5 të vdekur

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 08:29

Pesë persona u vranë të martën në provincën Guayas të Ekuadorit, ku një luftë mes bandave për kontrollin e trafikut të drogës është ndezur, tha policia.

Sulmi ndodhi në qytetin Duran, pranë portit të Guayaquil, porti më i madh i vendit në Paqësor, i cili vitet e fundit është kthyer në një qendër për trafikun e drogës në SHBA dhe Evropë.

Sipas informacioneve nga policia, persona të armatosur kanë zbritur nga dy automjete dhe kanë hapur zjarr. Kur policia mbërriti në vendngjarje, katër persona ndodheshin të vdekur, ndërsa një tjetër vdiq në spital.

Guayas është një nga gjashtë provincat ekuadoriane që janë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së sulmeve të armatosura. Vrasjet janë tani një plagë në vend, ku shkalla e vrasjeve është rritur shumë vitet e fundit: nga 6 për 100,000 banorë në 2018, në 47 për 100,000 banorë në 2023./abcnews.al

Alarm nga uragani Milton, banorët evakuohen nga Florida. Autoritetet paralajmërojnë: Nëse qëndroni, do të vdisni

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 08:11

Shteti amerikan i Floridës është në alarm për shkak të rrezikut të madh që paraqet uragani Milton, i dyti në më pak se dy javë pas atij të quajtur Helene. Gjendja emergjente është shpallur në disa qarqe ndërsa qindra mijëra njerëz janë duke u evakuuar, gjë që ka shkaktuar kaos dhe bllokim nëpër rrugë.

Milton u riforcua në një uragan të kategorisë 5, niveli më i lartë në shkallën pesë pikëshe Saffir-Simpson, dhe parashikohet të zbresë në bregun perëndimor të Floridës mbrëmjen e së mërkurës, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA (NHC).

Hurricane Milton is expected to bring a destructive storm surge to Florida’s west coast. @StephanieAbrams uses our FloodFX simulation technology to show you what that could look like ⬇ pic.twitter.com/rg996zNHy2

— The Weather Channel (@weatherchannel) October 8, 2024

Milton ndodhet aktualisht rreth 775 kilometra në jugperëndim të Tampa, me erëra të qëndrueshme deri në 270 km/orë, tha NHC. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis u bëri thirrje banorëve të përgatiten për një stuhi “të egër”, duke e quajtur atë uraganin më të fortë që ka goditur Gjirin e Meksikës që nga viti 2005.

“Le të përgatitemi për më të keqen dhe të shpresojmë që të dobësohet. Nëse zgjidhni të qëndroni në një nga zonat e evakuimit, do të vdisni”, u shpreh ai.

Nëse nuk ndryshon kursin, Milton parashikohet të bëhet uragani më i keq që ka goditur zonën Tampa në një shekull, paralajmëruan parashikuesit.

Për shkak të madhësisë së madhe të Milton, erërat tropikale me forcë stuhie priten në pothuajse të gjithë Florida. Këto erëra ka të ngjarë të shkaktojnë dëme të mëdha në prona dhe pemë dhe të lënë miliona pa energji elektrike./abcnews.al

 

Izraeli vazhdon sulmet në Gaza, raportohet për 12 të vrarë

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 07:50

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 12 palestinezë, përfshirë nëntë anëtarë të së njëjtës familje, në veri dhe qendër të Gazës, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve e Autoritetit Palestinez, WAFA, herët të mërkurën.

Nëntë anëtarët e familjes u vranë në një sulm që kishte si objektiv apartamentin e tyre në lagjen Shejaia në veriun e Gazës, raportoi WAFA duke cituar mjekë.

Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të Gazës, tre të tjerë u vranë, përfshirë një fëmijë, dhe disa u plagosën nga një sulm izraelit, shtoi WAFA.

Më 7 tetor 2023, militantët e drejtuar nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmuan qytete izraelite dhe fshatra pranë kufirit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas statistikave izraelite.

Ofensiva pasuese e Izraelit në Gazë ka vrarë gati 42.000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë në enklavë, ka zhvendosur pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e saj dhe ka sjellë një krizë humanitare me përhapje të problemeve të urisë dhe shkatërrim të infrastrukturës kritike dhe kujdesit shëndetësor.

Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.

Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

Mëngjesin e 7 tetorit, Hezbollahu, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta, sipas policisë izraelite.

Bashkimi Evropian ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo edhe krahun e tij politik, i cili ka ulëse në parlamentin libanez. Në javët e fundit, Izraeli ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit dhe është duke e kryer një inkursion tokësor në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.

Fushata e Izraelit kundër Hezbollahut nxiti patronin e grupit, Iranin, të përgjigjet duke sulmuar shtetin hebraik me një breshëri raketash, pjesa dërrmuese e të cilave u shkatërruan nga mbrojtja ajrore izraelite pa shkaktuar dëme të konsiderueshme, por sulmi ringjalli frikën për shpërthimin e një konflikt më të gjerë rajonal./REL

X rikthehet në Brazil, platforma pagoi gjobën prej 5 milionë dollarësh

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 07:39

Gjykata e Lartë e Brazilit ka urdhëruar rikthimin e aksesit të platformës së mediave sociale X në vend.

Rrjeti social në pronësi të Elon Mask u bllokua më 30 gusht në vendin me 213 milionë banorë, që është ndër tregjet më të mëdha të X, me vlerësime të numrit të përdoruesve që variojnë nga 20 në 40 milionë.

Ky vendim vjen pasi kompania njoftoi se kishte paguar gjobën 28.6 milionë reais (5.1 milionë dollarë), e vendosur për një një seri shkeljesh të rregulloreve braziliane të kryera gjatë muajve të fundit.

Gjyqtari Alexandre de Moraes urdhëroi mbylljen pas një mosmarrëveshjeje mujore me Musk për lirinë e fjalës, llogaritë e ekstremit të djathtë dhe dezinformimin. Musk e quajti atë autoritar dhe censurues, pavarësisht se vendimet e tij, duke përfshirë pezullimin e X, ishin miratuar vazhdimisht nga kolegët e tij.

Në fund, X i përmbushi të gjitha kërkesat e gjykatës. Këto përfshinin ndalimin e disa llogarive nga platforma, pagesën e gjobave dhe emërimin e një përfaqësuesi ligjor./abcnews.al

Paralajmëron Netanyahu: Libani rrezikon të përfundojë si Gaza

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 07:23

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i ka kërkuar popullit libanez që të largojë Hezbollahun dhe të shmangë “shkatërrimin dhe vuajtjen si në Gaza”.

Apeli i Netanyahut të martën erdhi pasi Izraeli zgjeroi pushtimin e tij kundër Hezbollahut, duke dërguar mijëra trupa të tjera në një zonë të re në Libanin jugperëndimor. Ushtria e saj tha se 50 anëtarë të Hezbollahut u vranë në sulmet ajrore të hënën.

Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se 36 persona u vranë dhe 150 u plagosën në sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit. Ndërkohë, Hezbollahu lëshoi ​​breshëri raketash drejt qytetit izraelit të Haifa për të tretën ditë radhazi, duke plagosur 12 persona.

Gjatë një fjalimi drejtuar popullit të Libanit, Netanyahu tha: “Ju keni një mundësi për të shpëtuar Libanin përpara se të bjerë në humnerën e një lufte të gjatë që do të çojë në shkatërrim dhe vuajtje siç shohim në Gaza. Unë ju them juve, popullit të Libanit: çlirojeni vendin tuaj nga Hezbollahu në mënyrë që kjo luftë të përfundojë”.

Izraeli ka nisur një ofensivë pas gati një viti luftimesh ndërkufitare të shkaktuara nga lufta në Gaza, duke thënë se dëshiron të sigurojë kthimin e sigurt të dhjetëra mijëra banorëve të zonave kufitare izraelite të zhvendosur nga sulmet me raketa, raketa dhe dron të Hezbollahut./abcnews.al

Planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve, arrestohet një afgan në SHBA

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 07:15

FBI-ja ka arrestuar një afgan, i cili po planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve që synonte turma të mëdha në Shtetet e Bashkuara, tha të martën Departamenti i Drejtësisë. Autoritetet thanë se i dyshuari ishte frymëzuar nga grupi terrorist Shteti Islamik.

Afgani 27 vjeçar Nasir Ahmad Tawhedi nga qyteti i Oklahomës u tha hetuesve pas arrestimit të tij të hënën se ai kishte planifikuar sulmin e tij të përkonte me ditën e zgjedhjeve muajin e ardhshëm dhe se ai dhe një bashkëpunëtor i mitur do të vdisnin si dëshmorë, sipas dokumenteve të akuzës.

Nasir Ahmad Tawhedi, i cili hyri në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021 me një vizë të veçantë imigrimi, kishte ndërmarrë hapa në javët e fundit për të çuar përpara planet e tij të sulmit, duke përfshirë porositjen e pushkëve AK-47, shitjen e pasurive të familjes së tij dhe blerjen e biletave për gruan dhe fëmijën e tij për udhëtim drejt Afganistanit.

“Terrorizmi vazhdon të jetë përparësi kryesore e FBI-së dhe ne do të përdorim çdo burim për të mbrojtur popullin amerikan”, tha përmes një deklarate drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, pas arrestimit Nasir Ahmad Tauhedi u tha hetuesve se kishte planifikuar një sulm në ditën e zgjedhjeve, që do të kishte në shënjestër grupe të mëdha njerëzish.

Ndaj Nasir Ahmad Tauhedit u ngritën akuza për komplot dhe përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai kishte një avokat mbrojtës, që mund të fliste në emër të tij./VOA

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për sot

By: Xhen Sila
9 October 2024 at 07:08

Orët e paradites do të mbizotërohen nga vranësira të shpeshta të cilat herë pas here do të gjenerojnë rrebeshe shiu, më të theksuara shirat paraqiten në zonat veriperëndimore dhe Jugperëndimor.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë më vranësira dhe reshje, por në sasi të pakta. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës të ketë përmirësim gradual të kushteve atmosferike në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 9°C vlera më e ulët deri në 26°C vlera më e lartë në rang territori.

Era do të fryjë e fortë si në tokë dhe në det me shpejtësi mbi 60 km/h nga drejtimi jugor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim deri në 6 ballë.

Kosova

Territori i Kosovës do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira të shpeshta gjatë orëve të paradites, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat veriore dhe verilindore. Parashikohet që orët e pasdites të sjellin shtim të vranësirave duke gjeneruar shira me intensitet të ulët dhe mesatar në të gjithë Kosovën. Orët e vona të natës do të sjellin përmirësim gradual të kushteve atmosferike në Kosovë. Temperaturat e ajrit do të rriten si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 8°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Mitrovicës deri në 23°C vlera maksimale e cila do të shënohen në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë mesatare paradite, por e fortë gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 60 km/h nga drejtimi jugor.

Maqedonia e Veriut

Vranësirat do të mbizotërojë në të gjithë Republikën e MV, ku më të theksuara do të paraqiten përgjatë zonave në Jug dhe Jugperëndim të territorit, ku priten edhe reshje të pakta shiu. Herë pas here do të ketë intervale të shkurtra kthjellimesh. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira të dobët e lokalë në të gjithë territorin e MV nuk do të mungojnë gjithashtu stuhitë e forta të erës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat minimale dhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 8°C vlera minimale deri në 25°C vlera maksimale e cila do të shënohet në qytetin e Shkupit. Era do të fryjë mesatare gjatë paradites, por deri e fortë; në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtesinë maksimale mbi 60 km/h nga drejtimi kryesisht jugor.

Europa

Zhvillimi i një qendre me presion të ulët atmosferik përkatësisht në veri të Europës më ndikim deri në qendër do të sjellë stuhi të forta ere si edhe shira me intensitet të lartë në gadishullin Skandinav, ishujt britanikë si edhe Europën Qendrore. Po ashtu me vranësira shira do të paraqitet gadishulli i Ballkanit, por reshjet do të jenë në sasi të pakta ndërsa moti i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë do të jetë dominant përkatësisht në gadishullin Iberik, brigjet e Detit të Zi si edhe Europën Lindore.

❌
❌