Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 24 September 2024Main stream

Investime në teknologji për shëndetin, OBSH: 0.24 $ mund të shpëtojnë 2 milionë jetë

By: rom ario
24 September 2024 at 17:27

Një raport i ri i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit tregon se një investim shtesë prej vetëm 0.24 dollarë për pacient në vit në teknologjitë dixhitale të shëndetit mund të shpëtojë mbi 2 milionë jetë nga sëmundjet jo të transmetueshme në 10 vitet e ardhshme.

Ekspertët kanë hartuar algoritme që faktojnë se ky investim do të parandalonte gjithashtu rreth 7 milionë raste akute dhe shtrime në spital, duke lehtësuar ndjeshëm presionin mbi sistemet shëndetësore globale.

Sëmundjet jo të transmetueshme, të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, diabeti dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes, shkaktojnë mbi 74% të vdekjeve globale çdo vit, shumë prej të cilave janë të parandalueshme.

Ndërhyrjet dixhitale në shëndetësi përfshijnë përdorimin e teknologjive të tilla si programe online, aplikacione mobile, realitet virtual, telemjekësi dhe tele-shëndetësi, mbështetje online nga bashkëmoshatarët, këshillim online dhe aplikacione të bazuara në inteligjencën artificiale dhe të mundësuara nga të dhënat e mëdha për përmirësimin e shëndetit.

Këto ndërhyrje mund të përdoren për qëllime të ndryshme, përfshirë parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjeve, si dhe për promovimin e shëndetit dhe ndërhyrjet në stilin e jetës.

Sipas raportit Shëndeti dixhital ofron mundësi të vlefshme për të përmirësuar efikasitetin, qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor, si dhe për të fuqizuar individët që të marrin kontroll mbi shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Pavarësisht se mbi 60% e vendeve kanë zhvilluar strategji për shëndetin dixhital, raporti vëren se integrimi i këtyre teknologjive në sistemet ekzistuese të kujdesit shëndetësor mbetet një sfidë.

Një faktor që lehtëson shëndetin dixhital është përhapja e shpejtë e teknologjisë dixhitale  gjatë pandemisë. Sipas të dhënave të fundit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, më shumë se dy të tretat e popullsisë së botës janë online, mbi 75% kanë një telefon celularë dhe rreth 95% e popullsisë është e mbuluar nga një rrjet 3G ose më i avancuar.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Investime në teknologji për shëndetin, OBSH: 0.24 $ mund të shpëtojnë 2 milionë jetë appeared first on Euronews Albania.

❌
❌