Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Barazia gjinore në listat zgjedhore, DnV kërkon nga subjektet politike të përdorin modelin “zebër”

7 October 2024 at 11:31

Më 1 shtator ka filluar periudha e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025.

Siç njofton Demokracia në Veprim, subjektet politike kanë në dispozicion 102 ditë për të dorëzuar këto lista dhe për të siguruar kandidatët më të mirë për zgjedhje sa më konkurruese.

Shumica e subjekteve politike, në mënyrë deklarative, janë shprehur “pro” përfaqësimit të barabartë gjinor në vendimmarrje, duke e cilësuar këtë si parakusht të forcimit të legjitimitetit të tyre.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021, u shënua për herë të parë një përmbysje e raportit mes deputeteve gra të zgjedhura, ku nga 43 deputete, 34 prej tyre u zgjedhën falë votës meritore.

Megjithatë, përkundër ligjit aktual që garanton një përfaqësim prej 30% për gjininë më pak të përfaqësuar, DnV inkurajon subjektet politike të ambiciojnë më shumë dhe të krijojnë lista sipas modelit “zebër”, i cili siguron renditje të barabartë mes grave dhe burrave.

“Ky model do të garantonte një përfaqësim më të drejtë gjinor dhe do të siguronte që gratë të kenë një mundësi më të madhe për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës,” theksohet në njoftim.

“Modeli ‘zebër’ duhet parë si masë afirmative dhe praktike për të siguruar përfshirjen e grave, pa komprometuar vlerën e votës së barabartë,” shtohet më tej.

DnV inkurajon forumet e grave brenda partive politike dhe liderët e tyre që të angazhohen në promovimin e këtij procesi dhe të përbrendësojnë vlerat e barazisë gjinore.

“Barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale që ne të gjithë duhet ta promovojmë,” përfundon njoftimi, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të individëve për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. /Telegrafi/

The post Barazia gjinore në listat zgjedhore, DnV kërkon nga subjektet politike të përdorin modelin “zebër” appeared first on Telegrafi.

❌
❌