Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 September 2024Main stream

“SMS kërcënuese për dy fëmijët në celularin e Dados”. Këlliçi gënjeu dhe hetuesit, ja si iku gjyqtarja me vrap shkallëve të prokurorisë

By: D Marku
22 September 2024 at 15:32

Detaje të reja kanë dalë nga një dosje penale, që përfshiu Gjykatën e Tiranë në një skandal të manipulimit të situatave kërcënuese përmes dokumentave të falsifikuara.

Protagonistja kryesore e këtij skandali është Arnisa Këlliçi, ish-gjyqtarja e Tiranës, e cila tashmë është marë e pandehur nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Moskallëzimit të krimit”.
Këlliçi nuk ka mashtruar vetëm kolegët e saj gjyqtarë, por teksa ajo ndodhej në prokurorinë e Tiranës për të dhënë sqarime rreth kërcënimit të saj, ajo inskenoi një kërcënim të dytë në prezencë të prokurorëve, sikur një mesazh kërcënues kishte shkuar në telefonin e dados së fëmijëve të saj.

Në rastin e parë gjyqtarja Këlliçi, inskenoi një situatë të çuditshëm sikur një letër e mbëritur nga burgu i Fushë-Krujës, e kërcënonte me jetën e saj dhe dy fëmijëve.

Por pas kryerjes së 8 ekspertizave kaligrafike, u provua shkencërisht se Këlliçi kishte mashtruar, duke u tallur me drejtësinë, e cila i vuri në dispozicion për 3 muaj me rradhë mbrojtje fizike.

Ndërkohë detajet e reja për rastin e dytë dhe rrethanat e kësaj dosje janë zbuluar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, sipas të cilit prokuroria e Tiranës kishte nuhatur lojën tallëse të Arnisa Këlliçit, përpara se të dilnin konkluzjonet shkencore të 8 ekspertizave të shkrimit të saj.

Gjyqtarja Këlliçi, në ditët e muajit Janar 2024 është ftuar në prokurorinë e Tiranës, për të dhënë s’qarime para oficerit të policisë gjyqësore dhe prokurores së çështjes, Deniona Katro.

Pas përfundimit të dëshmisë Arnisa Këlliçit i është kërkuar të japi në letër A4 disa formate shkrim eksperimental, që duhet të shkruheshin nga dora e saj.

Këlliçi është treguar e gatshme për të dhënë shkrime eksperimentale, por pasi ka shkruar 2-3 faqe, ajo ka shfaqur shetësim duke u shprehur se: ”…sapo i kishin dërguar mesazh kërcënues në telefonin e dados së fëmijëve…”.

Në këtë moment gjyqtarja Këlliçi, ka shfaqur para grupit hetimor një situatë të rëndë tronditëse për familjen e saj.

Ajo ka ndërprerë procedurën e dorëshkrimeve eksperimentale që po i jepte prokurores, Katro. Këlliçi, ka marrë me vete formatet e plotësuara deri në atë moment dhe është larguar, duke dalë nga zyra.

Njëkohësisht Arnisa Këllçi që mbahej si aset në Drejtësinë Shqiptare, nuk ka firmosur as procesverbalin e deklarimit, duke u larguar me vrap shkallëve të prokurorisë, nga kati Nr. 4 deri në katin e parë.

Kjo çoroditje e pakuptimtë është kuptuar nga prokurorja e çështjes si një skemë e mirëfilltë për t’ju shmangur hetimit, duke ngjallur dyshime të forta tek grupi hetimor se Arnisa Këlliçi, e kishte sajuar kërcënimin e saj se gjoja ishte një burgosur nga Fushë-Kruja.

Ndërkohë për të provuar faktin se gjyqtarja Këlliçi, ka qenë e pranishme në këtë procedurë hetimore të zhvilluar në prokurorinë e Tiranës, janë nxjerrë të dhënat e printuara nga sistemi i kamerave të institucionit, ku identifikohet gjyqtarja Këlliçi, punonjësi i shërbimit që e shoqëron, oficeri i policisë gjyqësore i deleguar si dhe prokurorja e çështjes.

Nga kamerat gjyqtarja duket se në ikje e sipër kapërcen nga 4 shkallë njëherësh.

Madje për të kryer verifikime mbi kërcënimin e dytë, lidhur me mesazhet që kishin mbëritur tek telefoni i dados së fëmijëve, prokurorja dhe oficeri, i kanë shkuar në banesë për t’i ofruar ndihmë për situatën e krijuar, si edhe për të kryer veprime hetimore në lidhje me kërcënimin e marrë.

Por sërisht gjyqtarja Arnisa Këlliçi është mbyllur në banesën e saj, duke mos u treguar bashkëpunuese dhe nuk ka lejuar kryerjen e veprimeve hetimore të mëtejshme.

E gjithë kjo situatë bindi prokurorët se Këlliçi, nuk ishte kërcënuar realisht, por gjyqtarja kishte futur në kurth të paprecendetë Drejtësinë Shqiptare, duke u tallur jo vetëm me kolegët e saj por dhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili i vendosi 3 muaj mbrojtje fizike gjyqtares Këlliçi.

Ajo mori protagonizëm dhe mbështetje të jashtëzakonshme nga institucionet, duke ja hedhur fajin e kërcënimit dy njerëzve të pafajshëm, prokurorit Adriano Dyrmishit dhe ish-gjyqtarit Arben Mickaj.

Në dëshminë e saj Këlliçi, pretendoi se letra kërcënuese në zarfin e mbëritur nga burgu i Fushë-Krujës, mund të jetë futur nga prokurori Adriano Dyrmishi, pasi sipas saj në 16 janar 2024, kur ka parë letrën në zyrën e saj ka qënë prezent Dyrmishi.

Kjo letër ishte futur në zarfin e dërguar në gjykatë nga një i paraburgosur që ishte në proces gjykimi tek dosja Nr.90 në gjykatë të Tiranës dhe përmes letrës në zarf, ai kishte kërkuar shtyrjen e procesit gjyqësor.

Gjyqtarja ka hequr letrën e të paraburgosurit të Fushë-Krujës dhe ka futur në zarfin e tij, letrën që ka shkruar vetë, duke ngritur më pas alarmin se ishte kërcënuar.

“…E dashur Arnisa. Keni dy fëmijë ….. dhe ….. Mendoni për ta! Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e rëndë. Me respekt…”-thuhet në letrën e shkruar nga vetë gjyqtarja.

Tashmë rasti i Arnisa Këlliçit është në proces gjykimi në Gjykatën e Durrësit, ndërsa hetimi i kryer gjatë këtyre muajve nuk arriti të zbardhë arsyet dhe shkaqet që ndikuan në “çmendjen” e gjyqtares së Tiranës.

The post “SMS kërcënuese për dy fëmijët në celularin e Dados”. Këlliçi gënjeu dhe hetuesit, ja si iku gjyqtarja me vrap shkallëve të prokurorisë appeared first on Albeu.com.

❌
❌