Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Mbretëri e Bashkuar, mbi 25 000 emigrantë kanë hyrë përmes Kanalit ‘La Mansh’

23 September 2024 at 16:17

Më shumë se 25 000 emigrantë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe pasi kanë kaluar Kanalin La Mansh deri më tani, për vitin 2024.

Shifrat e “Home Office” – departamenti ministror përgjegjës për emigracionin, sigurinë dhe ligjin dhe rendin – tregojnë se 717 persona e bënë udhëtimin me 13 varka të dielën, duke e çuar numrin total të përkohshëm të emigrantëve në 2024 – deri më sot në 25 052.

Ky është numri i tretë më i lartë i mbërritjeve të regjistruara në një ditë të vetme këtë vit, pasi u raportuan 882 në 18 qershor dhe 801 në 14 shtator.

Kjo do të thotë gjithashtu se 1 424 kalime në Kanalin La Mansh u zhvilluan këtë fundjavë, pasi 707 persona të tjerë mbërritën të shtunën me 11 varka.

Totali për vitin e deritanishëm është rritur 4% – krahasuar me 23 996 në të njëjtën periudhë të vitit te kaluar, por 21% më i ulët se e njëjta periudhë në 2022 (31 686).

Kalimet e paligjshme kanë vazhduar sot për të tretën ditë radhazi, mes kushteve të motit me vranësira dhe erërave në det.

Kjo video dëshmon arrestimin e ambjentalistëve, jo protestuesve kundër emigracionit

11 September 2024 at 14:02

Pretendimi: Kjo video tregon arrestimin e protestuesve kundër emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————-

Një video që tregon arrestimin e disa të rinjve nga policia britanike po shpërndahet në rrjete sociale me pretendimin se të arrestuarit ishin protestues kundër politikave të emigrimit.

Postimi i referohet një vale protestash anti-emigrim që përfshiu Mbretërinë e Bashkuar në fund të korrikut 2024, pas një sulmi me thikë që i mori jetën 3 vajzave të vogla në Southport më 29 korrik.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar në 27 qershor 2024, një muaj para nisjes së protestave në fjalë.

Sipas mediave britanike, video në të vërtetë tregon arrestimin e aktivistëve të grupit ambjentalist “Just Stop Oil” më 27 qershor 2024.

E njejta video është shpërndarë edhe nga llogaria e Just Stop Oil në Twitter, më 27 qershor.

Sipas një deklarate nga policia e Hackney, aktivistët u arrestuan nën akuzën e komplotit për të prishur infrastrukturën kombëtare:

“Ne dimë që Just Stop Oil planifikojnë të vandalizojnë aeroporte dhe mijëra pushues këtë verë. Sonte oficerët tanë bënë gjashtë arrestime gjatë një eventi në një qendër komunitare në Londrën lindore. Ne besojmë se disa nga të arrestuarit janë organizatorë kyç për Just Stop Oil. Të gjithë arrestimet u bënë nën një seksion të Aktit të Rendit Publik që e bën të jashtëligjshme të komplotohet për të prishur infrastrukturën kombëtare. Ne do të vijojmë të punojmë me operatorët e aeroporteve dhe të tjerë për të parandaluar trazira domethënëse. Aktivistët nuk kanë të drejtë të kryejnë akte kriminale që mund të rrezikojnë veten dhe të tjerët. Çdokush që prish sigurinë e një aaeroporti të sigurohet se do të trajtohet me shpejtësi dhe fuqishëm.”

20 qershor 2024, dy aktiviste të “Just Stop Oil” u arrestuan nën akuzën se kishin hedhur bojë portokalli mbi avionët privatë në aeroportin Stansed në Essex. Organizata tha se “po kërkonin një traktat urgjent për t’i dhënë fund karburanteve fosile deri në vitin 2030”.

The post Kjo video dëshmon arrestimin e ambjentalistëve, jo protestuesve kundër emigracionit appeared first on Faktoje.al.

Kryeministri britanik Starmer nuk u dëbua së fundmi nga një pub

6 September 2024 at 14:42

Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin britanik Keir Starmer që po dëbohet nga një pub

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————-

Një video që duket se tregon kryeministrin britanik dhe kreun e laburistëve, Keir Starmer, duke u dëbuar nga një lokal po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk është regjistruar së fundmi, por është në rrjet nga prilli 2021, përpara se Starmer të zgjidhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas BBC, Starmer, në atë kohë udhëheqësi i opozitës, u dëbua nga bari The Raven në Bath nga bashkëpronari i barit, i cili “ishte i pakënaqur me reagimin e laburistëve ndaj karantinës së vendosur nga qeveria” gjatë pandemisë. Ai tha se ekonomia ishte sakrifikuar “sepse të moshuarit po vdesin”.

Starmer po vizitonte qytetin e Bath si pjesë e fushatës për zgjedhjet e majit 2021. Vizita e tij në barin The Raven ishte planifikuar me një nga bashkëpronarët, i cili i kërkoi falje laburistëve. Llogaria e barit në Twitter postoi se nuk kishte “qëllim të devijonte vizitën e Keir Starmer në Bath” dhe se pikëpamjet e personit në video janë “të tijat.”

The post Kryeministri britanik Starmer nuk u dëbua së fundmi nga një pub appeared first on Faktoje.al.

Mësuesi fetar ndahet online si kryebashkiaku i ri mysliman në Britani

10 July 2024 at 12:52

Pretendimi: Personi në këtë video është kryebashkiaku i ri i qytetit Brighton në Mbretërinë e Bashkuar.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon kryebashkiakun e ri të qytetit Brighton në Mbretërinë e Bashkuar. Video tregon një burrë me xhybe kafe që mirëpritet nga disa burra të tjerë me varëse lulesh. Video të tilla janë ndarë më së shumti në prag të zgjedhjeve në Britani duke tentuar të vënë në dukje emigracionin e lartë dhe humbjen e vlerave tradicionale britanike.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video origjinale nga ku është shkëputur ky klip është postuar në TikTok më 11 qershor 2024 nga llogaria @aslamiyafoundation. Në përshkrimin që shoqëron videon shpjegohet se ajo tregon “nxënës që mirëpresin mësuesin e tyre në një event të komunitetit mysliman.”

Një tjetër video e botuar në Janar në llogarinë e Aslamiya Foundation në Youtube e identifikon personin në video si sheiku sufi “Muhammad Asghar”. Një sheik i sufizmit është një mësues i besimit mysliman sufist.

Kryebashkiaku i ri i Brighton, i pari mysliman i zgjedhur në këtë pozicion në maj 2024, quhet Mohammed Asaduzzaman, dhe ai nuk përngjan me burrin në video.

Kryebashkiaku i Brighton, Mohammed Asaduzzaman (majtas) dhe personi në video. Muhammad Asghar (djathtas)

Sipas BBC, Asaduzzaman, ka jetuar në qytet për 30 vjet, ka punuar më parë me ministrin e shtetit për zhvillimin e ujit në Bangladesh dhe ka një diplomë në shkencat politike. Gjatë pandemisë Covid-19, ai ofroi 500 vakte falas për ofruesit e shërbimeve thelbësore.

Ai gjithashtu bëri thirrje për vaksinime për ata me status të pasigurt imigrimi, veproi si përkthyes për ata që kishin nevojë ligjore dhe u dha mbështetje viktimave të krimit.

Në Brighton, kryetari i bashkisë ka një rol kryesisht ceremonial si qytetari i parë, si dhe kryesues i mbledhjeve të këshillit bashkiak. Këshilltarja Laburiste Amanda Grimshaw u zgjodh nënkryetare dhe pritet të marrë me rotacion kryesinë e bashkisë brenda një viti.

The post Mësuesi fetar ndahet online si kryebashkiaku i ri mysliman në Britani appeared first on Faktoje.al.

❌
❌