Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 October 2024Main stream

Ekskluzive: SPAK nuk pranon të marrë pjesë në komisionin Xhafa

By: fra nc
3 October 2024 at 11:32

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzon ftesën për të marrë pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar të ngritur nga mazhoranca, “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, që drejtohet nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, i njohur gjithashtu si ‘arkitekti’ i reformës në drejtësi.

Në një përgjigje zyrtare për Euronews Albania, pas një kërkese për informacion, SPAK thotë se prokurorët unanimisht kanë vendosur që nuk është e nevojshme pjesëmarrja në nivel ekspertësh.

SPAK thekson se nuk e sheh të nevojshme pjesëmarrjen në komision, pasi i ka bërë publike të gjitha problematikat përmes raporteve periodike në KLP dhe Kuvend.

“Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar ‘Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian’ (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë, duke u trajtuar në mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Në mënyrë unanime, të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision,” thotë SPAK në një përgjigje për gazetarin e Euronews Albania, Eni Ferhati.

SPAK ndau qëndrimin edhe me mediat e tjera pas interesimit dhe lajmit të publikuar nga Euronews Albania.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ekskluzive: SPAK nuk pranon të marrë pjesë në komisionin Xhafa appeared first on Euronews Albania.

❌
❌