Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 October 2024Main stream

Nisi sot viti i ri akademik, degët më të kërkuara Mjekësia dhe IT

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Studentët në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri akademik 2024-2025.

Për herë të parë në auditoret e universiteteve ulen sot rreth 20 mijë studentë.

Edhe këtë vit degët më të preferuara nga maturantët janë mjekësi, inxhinieri, arkitekturë apo teknologji informacioni.

Ndërkohë që maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të regjistrimeve, kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin në degët e shpallura fituese.

Gjatë këtij viti akademik ka pasur një interes të shtuar për degët që janë cilësuar si prioritet kombëtar. Është vënë re një interesim edhe nga të rinjtë me mesatare mbi 9 dhe për këtë sipas ekspertëve të arsimit ka ndikuar mbështetja financiare që qeveria jep për degët prioritare.

Dita e parë e universitetit për studentët e Fakultetit të Ekonomikut nisi me një protestë duke bojkotuar edhe mësimin. Studentët mbanin në duar pankartën “Ekonomiku bojkoton, larg dhuna nga tempulli i dijes” duke dënuar dhunën që pedagogu Mirdaim Axhami ushtroi ndaj koleges së tij, Liliana Billa në korrik të këtij viti.

Në universitet e vendit falë procesit të ndërkombëtarizimit sot ka një ofertë edhe më të pasur akademike me më shumë programe të përbashkëta, dygjuhëshe. Këtë vit janë shtuar 10 programe të reja në arsimin e lartë.

Viti i ri akademik, foto: Agim Dobi
1 nga 11

/k.s/

The post Nisi sot viti i ri akademik, degët më të kërkuara Mjekësia dhe IT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i ri akademik, Meta: Nevojitet depolitizim i sistemit arsimor

7 October 2024 at 11:45

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot fillimin e vitit të ri akademik për studentët të cilët ulen sot për herë të parë në auditoret e universitetit dhe stafet pedagogjike.

Meta theksoi se universitetet duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithanshëm.

Por sipas tij, “vit pas viti Qeveria e ka goditur fort arsimin universitar duke tkurrur auditoret me axhendën e qëllimshme të shpopullimit, duke dëmtuar rëndë kërkimin shkencor me mosbuxhetimin e duhur dhe duke braktisur profesorët, që ende nuk kanë paga dinjitoze”.

“Ndaj dhe viti i ri akademik nisi sot me protesta, të cilat i mbështes dhe i inkurajoj sepse është koha që zëri i studentëve dhe pedagogëve të dëgjohet fort. Depolitizimi i sistemit arsimor, veçanërisht çrrënjosja e “patronazhimit” është domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar, ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri”, u shpreh ai.

Meta theksoi se arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe “Partia e Lirisë e ka prioritet kryesor për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres, të ardhme të sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë”.

/m.m/

The post Viti i ri akademik, Meta: Nevojitet depolitizim i sistemit arsimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i ri akademik, Manastirliu: Rreth 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes


TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Në të gjitha universitetet e vendit nis sot viti i ri akademik 2024-2025.

Në auditoret e universiteteve në të gjithë vendin ulen për herë të parë rreth 20 mijë studentë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka uruar sot studentët dhe stafin akademik në nisjen e vitit të ri akademik.

Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Manastirliu ka bërë urimin së bashkë me studentë të rinj, të cilët po hyjnë në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre akademike.

Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha se janë mbi 20 mijë studentë që për herë të parë ulen sot në auditore të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri.

“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha në urimin e saj Manastirliu.

Studentët iu bashkuan urimit të ministres Manastirliu duke vënë theksin të mundësitë që ofrojnë universitetet tona, me ofertën akademike për tregun e punës.

/k.s/

The post Viti i ri akademik, Manastirliu: Rreth 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha uron vitin e ri akademik: Reformim i thellë në programin tonë për arsimin e lartë

7 October 2024 at 09:37

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha uroi sot studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri universitar.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha u shpreh se “arsimi ndodhet në një krizë të thellë, me shumë degë të mbyllura për shkak të mungesës së studentëve, pasojë e shpopullimit dramatik që po pëson vendi”.

Sipas tij, buxheti është në nivelin më të ulët, vetëm 2.4%, çka tregon mungesën e vullnetit dhe strategjisë për të adresuar problematikat e pedagogëve dhe studentëve.

“Në programin e Demokratëve Euroatlantikë arsimi universitar do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila do të synojë që universitetet shqiptare të prodhojnë jo thjesht të rinj me diploma, por profesionistë për një treg pune në ekonominë e së ardhmes”, theksoi ai.

Basha theksoi se programi i PD-Demokratët Euroatlantikë parashikon kampuse kombëtare në 4 qytete ku 25 mijë të rinj do të trajnohen në fusha prioritare të teknologjisë.

“10.000 të rinj do të përfitojnë stazhe me pagesë pas përfundimit të shkollës së lartë. Parashikohet rikonceptimi i ligjit të Arsimit të Lartë, në bashkëpunim me botën akademike, ekspertët më të mirë dhe studentët shqiptarë; dyfishimi i buxhetit për Arsimim e Lartë; modernizimi i infrastrukturës mësimore; bursë e plotë për çdo student në familjet me të ardhura të ulëta; bursë e plotë për studentët ekselentë; rritje të rolit të studentëve në zgjedhjet universitare, vlera e votës e të cilëve shkon deri në 30%”, theksoi Basha.

The post Basha uron vitin e ri akademik: Reformim i thellë në programin tonë për arsimin e lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌