Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 October 2024Agjencia Telegrafike Shqiptare

IZRAEL – Herzog i bën thirrje botës për mbështetje në luftën kundër armiqve

7 October 2024 at 12:21

TEL AVIV, 7 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti izraelit Isaac Herzog i bëri thirrje botës të mbështesë Izraelin në luftën kundër armiqve të tij, gjatë një fjalimi në ceremoninë e përkujtimit të viktimave të sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor.

“Kjo është një mbresë mbi njerëzimin. Kjo është një mbresë në faqen e Tokës”, tha ai sot në vendin e festivalit muzikor Nova 2023, pranë kufirit të Gazës.

Terroristët nga grupi islamik palestinez Hamas dhe grupe të tjera ekstremiste sulmuan përtej kufirit saktësisht një vit më parë, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz të tjerë – në komunitetet izraelite jugore dhe në festival.

“Bota duhet të kuptojë se për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për të sjellë paqe, një të ardhme më të mirë në rajon, ajo duhet të mbështesë Izraelin në betejën e tij kundër armiqve të ti”, tha Herzog.

“Ne po luftojmë betejën e botës së lirë”, tha Herzog.

Sulmi provokoi bombardimet izraelite dhe pushtimin e Rripit të Gazës.

Tensionet që atëherë janë rritur dhe e kanë sjellë rajonin e Lindjes së Mesme në prag të një konflikti më të gjerë. //a.i/

The post IZRAEL – Herzog i bën thirrje botës për mbështetje në luftën kundër armiqve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akademia e Shkencave kualifikon stafin për digjitalizimin e bibliotekës

7 October 2024 at 12:18

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Qendra për koordinimin dhe përhapjen e informacionit shkencor dhe Biblioteka shkencore e Akademisë së Shkencave nisën kualifikimet e stafit bibliotekar.

Pas reformimit të Akademisë së Shkencave dhe ribashkimit të saj me institutet shkencore të albanologjisë, fondi i Bibliotekës shkencore të ASHSH-së është zgjeruar edhe me koleksionet e bibliotekës albanologjike të instituteve.

Në këto kushte, ishte i domosdoshëm digjitalizimi i kësaj pjese të rëndësishme që tashmë funksionon si pjesë qendrore e fondit të bibliotekës së Akademisë së Shkencave, një fond i vyer në ndihmë të kërkuesve shkencorë.

Digjitalizimi, si një proces i rëndësishëm i bibliotekës, lidhet jo vetëm me regjistrimin e njësive bibliografike të fondit të saj, por dhe me vazhdimin e krijimit të bibliografive shkencore online dhe së shpejti, do të pasurohet me procese inovative që lidhen me regjistrimin e artikujve shkencorë me tekst të plotë, që do të synojnë të bëjnë të mundur vlerësimin e arritjeve shkencore në platforma ndërkombëtare të publikimeve shkencore.

1 nga 3

The post Akademia e Shkencave kualifikon stafin për digjitalizimin e bibliotekës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Mbështesim investimet në blegtori dhe stabilimente shpendësh

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Skema Kombëtare e Investimeve 2024, mbështet blegtorët për  ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për shpendë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se fermerët, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor dhe subjektet që operojnë në këtë fushë mund të aplikojnë deri më 8 nëntor në Skemën Kombëtare të Investimeve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për shpendë.
Denaj tha se, skema mbështet investimet në ndërtimin e ambienteve të mbarështimit në blegtori me të paktën 10 lopë; 100 të imta; 10 dosa; 10,000 shpendë.
“Masa e përfitimit është 50% e vlerës totale të investimit deri në 15 milionë lekë për subjekt”, informoi ministrja.

The post Denaj: Mbështesim investimet në blegtori dhe stabilimente shpendësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisi sot viti i ri akademik, degët më të kërkuara Mjekësia dhe IT

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Studentët në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri akademik 2024-2025.

Për herë të parë në auditoret e universiteteve ulen sot rreth 20 mijë studentë.

Edhe këtë vit degët më të preferuara nga maturantët janë mjekësi, inxhinieri, arkitekturë apo teknologji informacioni.

Ndërkohë që maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të regjistrimeve, kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin në degët e shpallura fituese.

Gjatë këtij viti akademik ka pasur një interes të shtuar për degët që janë cilësuar si prioritet kombëtar. Është vënë re një interesim edhe nga të rinjtë me mesatare mbi 9 dhe për këtë sipas ekspertëve të arsimit ka ndikuar mbështetja financiare që qeveria jep për degët prioritare.

Dita e parë e universitetit për studentët e Fakultetit të Ekonomikut nisi me një protestë duke bojkotuar edhe mësimin. Studentët mbanin në duar pankartën “Ekonomiku bojkoton, larg dhuna nga tempulli i dijes” duke dënuar dhunën që pedagogu Mirdaim Axhami ushtroi ndaj koleges së tij, Liliana Billa në korrik të këtij viti.

Në universitet e vendit falë procesit të ndërkombëtarizimit sot ka një ofertë edhe më të pasur akademike me më shumë programe të përbashkëta, dygjuhëshe. Këtë vit janë shtuar 10 programe të reja në arsimin e lartë.

Viti i ri akademik, foto: Agim Dobi
1 nga 11

/k.s/

The post Nisi sot viti i ri akademik, degët më të kërkuara Mjekësia dhe IT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: 50 mijë studentë, mbështetje me bursa dhe tarifa të reduktuara

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT) u zhvillua sot ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik 2024-2025, ku morën pjesë studentë, pedagogë dhe drejtues të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe drejtues të universitetit, si Rektori i UPT-së, Prof. Dr. Akli Fundo dhe dekanët e fakulteteve të ndryshme.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e fillimit të këtij kapitulli të ri për të gjithë studentët, sidomos për rreth 20 mijë prej tyre që po hyjnë për herë të parë në auditorët e universitetit.

“Mbi 20 mijë studentë nisin për herë të parë universitetin në të gjithë vendin. Mbi 1200 studentë nisin vitin e parë të studimeve në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe me zemër gjithë studentëve, kudo ku i kanë nisur studimet, u uroj një vit sa më të suksesshëm dhe me sa më shumë arritje.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj.

Manastirliu vlerësoi Universitetin Politeknik të Tiranës për përshtatjen e shpejtë me dinamikat e zhvillimit të vendit dhe kërkesat e tregut të punës, përmes programeve të reja akademike dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.

“Universiteti Politeknik i Tiranës është vendi ku dijet teknike dhe informacioni bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja. Në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha, nevojiten mendje të mprehta dhe kreative që t’i përgjigjen sfidave të botës moderne, që nga infrastruktura deri te teknologjia e gjelbër, nga ndërtimi i qyteteve inteligjente deri te menaxhimi i burimeve natyrore. Ky universitet është prej universiteteve tona që po përshtatet me shpejtësi me dinamikat e zhvillimit të vendit dhe me kërkesat e tregut të punës, jo thjesht për shkak të profileve të larmishme që ai ofron, mbi 80 programe studimi, por edhe për shkak të përqafimit të ideve të reja, ngritjes së urave të komunikimit me homologët ndërkombëtarë, 6 programe diplomë të dyfishtë, programet master të delokalizuara dyfishe apo dhe më i riu, diploma katërfishe me universitete prestigjioze evropiane. Nga ana tjetër, po ecim me ritëm të shpejtë me investimet në këtë universitet, nga rindërtimi dhe rehabilitimi i Fakultetit të Gjeologji Minierave, së bashku me Muzeun e Gjeologjisë, te ndërtimi i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, për të vijuar me laboratorët kërkimorë të mekanikës dhe elektrikës, si dhe 14 projektet e reja të infrastrukturës së kërkimit shkencor dhe projekte të kërkim-zhvillimit, ku po financojmë për ngritjen e një Laboratori të Inteligjencës Artificiale, për laboratorin e modernizimit të infrastrukturës kombëtare të rrjetit të monitorimit gjeodinamik, të sistemeve elektrike dhe shumë laboratorë të tjerë, të cilët ne jemi duke investuar përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.”

Buxheti për arsimin e lartë është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë, ndërsa janë investuar 1.5 miliardë lekë për përmirësimin e infrastrukturës dhe kërkimit shkencor.

Ministrja Manastirliu vuri theksin edhe tek përfitimet që vendi ka arritur nga programet ndërkombëtare.

“Përfshirja në programe ndërkombëtare si Horizon Europe, CERN, COST, CEEPUS dhe EUREKA kanë hapur mundësi të reja financimi dhe mobiliteti për stafin e pedagogëve dhe studentëve. Dhe më vjen shumë mirë që Universiteti Politeknik i Tiranës është një prej universiteteve lider përsa i përket mobilitetit të studentëve dhe gjithashtu të pedagogëve dhe stafeve pedagogjike. Falë procesit të ndërkombëtarizimit, sot kemi një ofertë edhe më të pasur akademike në Shqipëri, me më shumë programe të përbashkëta, dygjuhëshe. 10 programe të reja janë shtuar këtë vit në gjithë ekosistemin e arsimit të lartë dhe gjithashtu kemi kulmuar këtë vit me hapjen për herë të parë në vendin tonë të Kolegjit të Evropës, kampusit të Tiranës. Kemi finalizuar dhe shumë shpejt hapim në Gjirokastër kampusin e UNED-it, do të sjellim së shpejti dhe jemi duke përfunduar fazën e nënshkrimit me Universitetin Teknik të Stambollit dhe gjithashtu me filialin e Universitetit Teknologjik të Compiègne, Francë, i cili do të hapë pikërisht në UPT degën e tij”, tha Manastirliu.

Sfida e Ministrisë së Arsimit është jo vetëm një arsim i lartë cilësor i përshtatur me kërkesat e tregut të punës, por edhe mbështetja sociale për studentët.

“Janë rreth 50,000 studentë që përfitojnë nga mbështetja me bursa, me tarifa të reduktuara apo dhe bursat që ne japim për studentët që studiojnë në programet prioritare. Për këtë vit, 100 bursa sa paga minimale do të jepen për programet prioritare tashmë të vendosura në universitetet në të cilat do të alokohen këto bursa. Kemi prioritizuar degët që lidhen me zhvillimin rural, shkencat e natyrës, degë që lidhen me zhvillimin naval apo inxhinieritë, duke vijuar me inxhinieritë pyjore, shkencat që lidhen me inxhinieritë gjeologjike apo burimet minerale”, tha Manastirliu.

Në fund, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, uroi studentët dhe stafin akademik për një fillim të mbarë të vitit të ri akademik.

/k.s/

The post Manastirliu: 50 mijë studentë, mbështetje me bursa dhe tarifa të reduktuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i ri akademik, Meta: Nevojitet depolitizim i sistemit arsimor

7 October 2024 at 11:45

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot fillimin e vitit të ri akademik për studentët të cilët ulen sot për herë të parë në auditoret e universitetit dhe stafet pedagogjike.

Meta theksoi se universitetet duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithanshëm.

Por sipas tij, “vit pas viti Qeveria e ka goditur fort arsimin universitar duke tkurrur auditoret me axhendën e qëllimshme të shpopullimit, duke dëmtuar rëndë kërkimin shkencor me mosbuxhetimin e duhur dhe duke braktisur profesorët, që ende nuk kanë paga dinjitoze”.

“Ndaj dhe viti i ri akademik nisi sot me protesta, të cilat i mbështes dhe i inkurajoj sepse është koha që zëri i studentëve dhe pedagogëve të dëgjohet fort. Depolitizimi i sistemit arsimor, veçanërisht çrrënjosja e “patronazhimit” është domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar, ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri”, u shpreh ai.

Meta theksoi se arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe “Partia e Lirisë e ka prioritet kryesor për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres, të ardhme të sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë”.

/m.m/

The post Viti i ri akademik, Meta: Nevojitet depolitizim i sistemit arsimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina sulmon depot e karburantit në Krime

7 October 2024 at 11:37

KIEV, 7 tetor /ATSH-DPA/- Një sulm me dron ukrainas i vuri flakën një depoje të madhe karburanti në Krimenë e pushtuar nga Rusia gjatë natës, tha sot Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Banorët e qytetit Feodosiya, në bregun e Krimesë të Detit të Zi, postuan videon e zjarrit në rrjetet sociale. Tymi mund të shihej në distancë mbi bregun jugor të gadishullit.

Autoritetet lokale ruse konfirmuan zjarrin, por nuk komentuan sulmin me dron.

Një alarm për sulm ajror u dëgjua në të gjithë gadishullin gjatë natës dhe shpërthime dhe zjarre kundërajrore u raportuan në qytetin port të Krimesë të Sevastopolit dhe në bazat ajrore ruse të Belbek dhe Saki.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se ishin kapur 21 dronë ukrainas gjatë natës, 12 prej të cilëve ishin mbi Krime.

Ukraina po shënjestron objektet e naftës prapa frontit në një përpjekje për të ndërprerë furnizimin me karburant të Rusisë. Rusia e ka pushtuar Krimenë që nga viti 2014.

Rusia nga ana e saj sulmoi Ukrainën gjatë natës me drone luftarake, duke lëshuar raketa hipersonike Kinzhal në objektiva të ndryshëm mëngjesin e sotëm.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, shkroi sot në Telegram se informacionet paraprake sugjeronin se fragmente të një rakete të përgjuar kishin rënë mbi kryeqytetin ukrainas. //a.i/

The post KIEV – Ukraina sulmon depot e karburantit në Krime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku Ujor Drilon-Tushemisht, IKMT prish objektin dykatësh

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po vijon punën me prishjen e një objekti dykatësh në Pogradec, i cili ishte pengesë për zbatimin e projektit “Parku Ujor Drilon-Tushemisht”.
IKMT bën të ditur se, inspektorët e IKMT kanë gjetur mirëkuptimin e poseduesit të këtij objekti dhe puna është zhvilluar normalisht.
Parku Ujor Drilon-Tushemisht është atraksioni më i ri turistik që i shtohet qytetit piktoresk të Pogradecit.
Projekti synon ta transformojë zonën në një destinacion të pakrahasueshëm ekoturistik, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore të cilat deri tani kanë qenë të pashfrytëzuara apo të nënshfrytëzuara.
Vitet e fundit Pogradeci është kthyer në një nga destinacionet e përhershme turistike ku me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, kulinarinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

The post Parku Ujor Drilon-Tushemisht, IKMT prish objektin dykatësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli nis ofensivën e re tokësore në veri të Gazës

7 October 2024 at 11:17

TEL AVIV, 7 tetor /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite tha dje në mbrëmje se ka nisur një ofensivë të re tokësore në Gazë, në prag të përvjetorit të sulmeve të tetorit nga militantët palestinezë Hamas – ndërsa luftimet vazhdojnë përgjatë kufirit libanez, ku situata bëhet më e dëshpëruar.

“Trupat izraelite avancuan me tanke luftarake në Jabalia në verilindje të Gazës gjatë natës”, tha ushtria, duke raportuar se Hamasi kishte tentuar të rigrupohej në zonë.

Ushtria publikoi foto të automjeteve që lëviznin nëpër terrene ranore, duke pasqyruar imazhet e ofensivës fillestare të Izraelit në territorin bregdetar vitin e kaluar.

Jabalia thuhet se është rrethuar nga forcat izraelite. Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur dhe nuk ka patur asnjë deklaratë nga Hamasi.

Ushtria izraelite tha gjithashtu se ka hapur dy rrugë për të ikur nga Gaza veriore në një zonë të zgjeruar të sigurt në jug, në përgatitje për thirrjet e reja të mundshme për banorët për t’u larguar.

Pothuajse të gjithë banorët janë detyruar të ikin të paktën një herë që nga fillimi i konfliktit në Rripin e Gazës, ku kushtet humanitare përshkruhen si të tmerrshme nga grupet e ndihmës. //a.i/

The post TEL AVIV – Izraeli nis ofensivën e re tokësore në veri të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare 2024, deri tani 49 mijë fermerë të financuar

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vijon punën për disbursimin e fermerëve përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024.

Sipas AZHBR-së, deri më sot janë 49,000 fermerë të financuar me një fond prej 1,7 miliard lekësh, ndërkohë po vijon intensivisht procesi për kryerjen e pagesave për fermerët e tjerë.

Në Skemën Kombëtare 2024 ofrohet mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fermat organike, certifikimi Global Gap, fara fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore – aromatike, si edhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Këtë vit fondi për skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi ishte rreth 33 milionë dollarë dhe numri i aplikimeve arriti në më shumë se 71 mijë fermerë.

 

The post Skema Kombëtare 2024, deri tani 49 mijë fermerë të financuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama uron nisjen e vitit të ri akademik

7 October 2024 at 10:54

TIRANË, 7 tetor/ATSH/  Kryeministri Edi Rama uroi sot nisjen e vitit të ri akademik.

“Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Në auditoret e universiteteve në të gjithë vendin ulen për herë të parë rreth 20 mijë studentë.

 

The post Rama uron nisjen e vitit të ri akademik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis evidentimi i dëmeve nga përmbytjet në Vlorë, Dredha: Grupet në terren në të gjitha rajonet

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Grupet e punës të bashkisë së Vlorës po vijojnë edhe sot punën për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e 4 ditëve më parë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “prej orëve të para të mëngjesit, grupet tona të evidentimit të dëmeve janë në terren në të gjitha rajonet”.

“Po bëjmë gjithçka të mundur për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që janë dëmtuar nga përmbytjet”, theksoi Dredha.

Reshjet e shiut, që filluan intensivisht katër ditë më parë dhe zgjatën për disa orë shkaktuan përmbytje në disa zona të qytetit të Vlorës. Ekipet e bashkisë po vijojnë gjithashtu pastrimin e rrugëve dhe zonave publike të prekura nga reshjet.

1 nga 5

/k.s/

The post Nis evidentimi i dëmeve nga përmbytjet në Vlorë, Dredha: Grupet në terren në të gjitha rajonet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli përkujton viktimat e sulmit terrorist të 7 tetorit

7 October 2024 at 10:09

TEL AVIV, 7 tetor /ATSH-DPA/- Në Izrael kanë nisur shërbimet përkujtimore për përvjetorin e parë të sulmit terrorist të Hamasit.

Presidenti izraelit Isaac Herzog mbajti një minutë heshtje sot në mëngjes pranë vendit të festivalit muzikor Nova, ku u përkujtua ngjarja tragjike e 7 tetorit 2023.

Në kohën kur po fillonin përkujtimet, ushtria izraelite njoftoi se katër raketa ishin hedhur në drejtim të Izraelit nga Gaza jugore.

“Tre nga raketat u kapën, ndërsa një u ul në një zonë të hapur”, tha Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Në sulmin e paprecedentë terrorist të 7 tetorit 2023, më shumë se 1200 njerëz u vranë në Izraelin jugor dhe rreth 250 u morën peng në Rripin e Gazës.

Ndërsa kombi bashkohet në zi, vendi është gjithashtu i ndarë në qasjen e tij ndaj shërbimeve. Të afërmit e pengjeve po organizojnë mitingun e tyre përkujtimor në Tel Aviv.

Më vonë, qeveria izraelite do të transmetojë një shërbim përkujtimor që është regjistruar paraprakisht në Izraelin jugor.

Në funksion të rregulloreve të sigurisë në fuqi për shkak të kërcënimit të sulmeve me raketa, vetëm maksimumi 1000 persona lejohen të marrin pjesë në terren.

Shërbimet përkujtimore do të transmetohen në internet dhe në programe të veçanta televizive. //a.i/

The post TEL AVIV – Izraeli përkujton viktimat e sulmit terrorist të 7 tetorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vjeshta në Klos, panair produktesh lokale dhe festival folklorik

7 October 2024 at 09:57

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Për të 5-tin vit radhazi, Fest Folk i organizuar në Bashkinë Klos, solli një përzierje të festës dhe kulturës lokale për të shënuar fillimin e vjeshtës me begati dhe gëzim.

I pranishëm ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili është shprehur se, mes tingujve të muzikës tradicionale, valleve popullore, ushqimeve tipike të zonës, kjo ishte një festë në mbështetje të vlerave të pasura të zonës.

Me “Fest Folk 5” dhe “Panairin e Vjeshtës”, qyteti është kthyer në një pikë të gjallë festimesh ku muzika popullore, vallet tradicionale dhe produktet e stinës kanë krijuar një atmosferë të veçantë.

“Fest Folk Klos” bëri një prezantim të vlerave artistike dhe kulturore të grupeve folklorike vendase dhe të tjera, ndërsa panairi “Vjeshtë në Klos 2024”, prezantoi prodhimet e fermerëve të zonës.

Kryetarja e Bashkisë, Valbona Kola përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, në Klos u mblodhën artistë nga çdo cep i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të interpretuar muzikë dhe valle popullore, si një rikthim tek rrënjët kulturore.

Artizanët dhe prodhuesit lokalë prezantuan produktet e tyre më të mira të stinës, duke u dhënë mundësi qytetarëve të shijojnë produktet bio, artizanatin unik dhe ushqimet e përgatitura me dashuri nga fermerët, nënat dhe fëmijët e zonës së Klosit.

“Nga grupet muzikore e deri te stendat e panairit, kjo ditë ishte një simbol i bashkimit, punës dhe krenarisë për kulturën dhe natyrën që na rrethon”, tha kryebashkiakja e Klosit, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen.

The post Vjeshta në Klos, panair produktesh lokale dhe festival folklorik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i ri akademik, Manastirliu: Rreth 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes


TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Në të gjitha universitetet e vendit nis sot viti i ri akademik 2024-2025.

Në auditoret e universiteteve në të gjithë vendin ulen për herë të parë rreth 20 mijë studentë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka uruar sot studentët dhe stafin akademik në nisjen e vitit të ri akademik.

Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Manastirliu ka bërë urimin së bashkë me studentë të rinj, të cilët po hyjnë në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre akademike.

Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha se janë mbi 20 mijë studentë që për herë të parë ulen sot në auditore të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri.

“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha në urimin e saj Manastirliu.

Studentët iu bashkuan urimit të ministres Manastirliu duke vënë theksin të mundësitë që ofrojnë universitetet tona, me ofertën akademike për tregun e punës.

/k.s/

The post Viti i ri akademik, Manastirliu: Rreth 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

1 vit nga sulmi i Hamasit në Izrael, Hasani: Palët të punojnë për zgjidhje gjithëpërfshirëse

7 October 2024 at 09:45

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në 1-vjetorin e sulmit tragjik terrorist të Hamasit në Izrael, bëri thirrje që  të gjitha palët të punojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, që garanton paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Ministri Hasani konfirmoi se “Shqipëria është e vendosur në thirrjen e saj për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”.

“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë të palëkundur për ata që janë ende në robëri dhe të dashurit e tyre”, u shpreh ai.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor konsiderohet masakra më e madhe antisemite e shekullit. Mëngjesin e 7 tetorit 2023, Hamasi organizoi një sulm në festivalin e muzikës Nova në Izrael, ku u masakruan më shumë se 350 të rinj.

The post 1 vit nga sulmi i Hamasit në Izrael, Hasani: Palët të punojnë për zgjidhje gjithëpërfshirëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Izraeli një vit pas masakrës së 7 tetorit

7 October 2024 at 09:44

TEL AVIV, 7 tetor /ATSH-ANSA/ – Ka kaluar një vit që nga ai mëngjes, kur në të gjitha televizionet e botës pamjet e terroristëve në kamionçina që gjuanin me breshëri pa dallim mbi civilët në rrugë dukej se vinin nga një qytet fatkeq arab i sulmuar nga ISIS.

Një moment fillestar konfuzioni, më pas televizionet koordinuan: vendi ishte Sderot, një qytet izraelit afër kufirit me Gazën, i banuar kryesisht nga hebrenj me origjinë nga Maroku, Rumania, Rusia dhe Kurdistani.

Ekonomia është në alarm të kuq, turizmi nuk është më, të rinjtë janë në batalionet që luftojnë në Gaza dhe në kufirin me Libanin.

Shumë banorë, mijëra, janë larguar nga shteti hebre, duke zgjedhur të kthehen për të jetuar në Evropë, në vendet ku kanë edhe shtetësinë. Shumë të tjerë po mendojnë për këtë.

Por, shumica nuk do të dinin ku të shkonin, veçanërisht ata 900 000, me fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre, të cilët mbërritën në Izrael pas vitit 1948, pasi u dëbuan nga vendet arabe dhe Irani.

Tani që po afron koha e ceremonive të përkujtimit të viktimave të 7 tetorit, atmosfera duket se po errësohet dita-ditës në Izrael, madje edhe në qytetin që nuk fle kurrë, në Miamin e Mesdheut: Tel Avivi vazhdon me festat e tij në plazh, me pije në breg të detit, por duket më shumë një formë e rezistencës së nevojshme sesa spontane.

Sapo flisni individualisht me dikë, të çdo moshe, shfaqet kriza e një popullate të tërë. Atë mëngjes sirenat e sulmit ajror filluan të bien rreth orës 06:30.

Raketat u lëshuan me breshëri nga Gaza drejt Izraelit jugor. Pothuajse në të njëjtën kohë, mijëra militantë fondamentalistë nga Hamasi, Xhihadi Islamik dhe civilët palestinezë zbritën me tufa në Izrael me makina, motoçikleta, furgona, kamionçina dhe paragliderë.

Duke bërtitur ”Allahu akbar” në çdo hap, duke rrëzuar mburojën superteknologjike të vendosur nga Izraeli në kufi me granata dhe RPG. Gjashtë mijë dhe jo 3 000, siç besonte shërbimi sekret deri në muajin e kaluar, zbritën në kibuci dhe vendbanimet jugore, disa vetëm disa qindra metra larg kufirit me Rripin.

Një ushtri fondamentalistësh me një arsenal të madh armësh.

Gazetarët palestinezë që Hamasi solli me vete, dokumentuan me kamerat e tyre kapjen e bazave ushtarake, sulmet dhe nxitimin drejt territorit armik.

Terroristët më me përvojë filmuan çdo veprim të vetëm drejtpërdrejt me kamerat Go-Pro, të tjerët me telefona celularë: çdo masakër u postua menjëherë për ta parë bota.

Izraeli u fundos në kaos.

Ushtria, policia, personeli i sigurimit nuk mbërrinin në vendet nën sulm për orë të gjata, madje edhe ditë në disa zona. Edhe sot, arsyeja e mungesës së koordinimit të menjëhershëm në reagimin ndaj sulmit mbetet e paqartë. Milicët kishin mjaft kohë për të kryer masakrën e planifikuar prej vitesh nga Yahya Sinwar dhe Mohammed Deif.

Ata morën ushqim nga frigoriferët e viktimave të tyre, përdornin tualetet e tyre, përdhunuan gra dhe vajza të reja, duke i vrarë në fund me një të shtënë në pjesën e pasme të kokës. Ata qëlluan të moshuar në fytyrë, vranë baballarë dhe nëna në sy të fëmijëve të tyre, gjyshërit në sy të nipërve, therën foshnjat në krevate fëmijësh.

Ushtria, duke humbur fytyrën dhe duke dështuar në mandatin e saj për të mbrojtur izraelitët (së bashku me shërbimin sekret, policinë dhe qeverinë), arriti në disa kibuci pas një dite.

Në festivalin e muzikës Nova, në pyllin me eukalipte pranë kibucit Beeri, u masakruan më shumë se 350 të rinj.

Shpëtimtarët e parë gjetën grumbuj kufomash, gra të dhunuara dhe më pas të djegura, të mbetura me këmbët e hapura për t’u shpërfytyruar./  a.jor.

The post ANALIZË – Izraeli një vit pas masakrës së 7 tetorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha uron vitin e ri akademik: Reformim i thellë në programin tonë për arsimin e lartë

7 October 2024 at 09:37

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha uroi sot studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri universitar.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha u shpreh se “arsimi ndodhet në një krizë të thellë, me shumë degë të mbyllura për shkak të mungesës së studentëve, pasojë e shpopullimit dramatik që po pëson vendi”.

Sipas tij, buxheti është në nivelin më të ulët, vetëm 2.4%, çka tregon mungesën e vullnetit dhe strategjisë për të adresuar problematikat e pedagogëve dhe studentëve.

“Në programin e Demokratëve Euroatlantikë arsimi universitar do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila do të synojë që universitetet shqiptare të prodhojnë jo thjesht të rinj me diploma, por profesionistë për një treg pune në ekonominë e së ardhmes”, theksoi ai.

Basha theksoi se programi i PD-Demokratët Euroatlantikë parashikon kampuse kombëtare në 4 qytete ku 25 mijë të rinj do të trajnohen në fusha prioritare të teknologjisë.

“10.000 të rinj do të përfitojnë stazhe me pagesë pas përfundimit të shkollës së lartë. Parashikohet rikonceptimi i ligjit të Arsimit të Lartë, në bashkëpunim me botën akademike, ekspertët më të mirë dhe studentët shqiptarë; dyfishimi i buxhetit për Arsimim e Lartë; modernizimi i infrastrukturës mësimore; bursë e plotë për çdo student në familjet me të ardhura të ulëta; bursë e plotë për studentët ekselentë; rritje të rolit të studentëve në zgjedhjet universitare, vlera e votës e të cilëve shkon deri në 30%”, theksoi Basha.

The post Basha uron vitin e ri akademik: Reformim i thellë në programin tonë për arsimin e lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lajçak: Fokusi i kësaj jave, takimi i kryenegociatorëve në Bruksel

7 October 2024 at 09:33

PRISHTINË, 7 tetor/ATSH/ I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka deklaruar se këtë javë do të fokusohet në përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel, të cilin ka theksuar se do të donte ta organizonte në javët në vijim.

Lajçak ka shkruar në Facebook se ka vizituar Malin e Zi, ku ka marrë pjesë në edicionin e këtij viti të Forumit To Be Secure, si dhe ka takuar lidershipin politik për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për zhvillimet e fundit në vend.

“Theksova se Mali i Zi është i pozicionuar mirë për të qenë anëtari i ardhshëm i BE-së. Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë vetvetiu dhe vendi duhet të fokusohet plotësisht në mbylljen e kapitujve dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. /KosovaPress/

The post Lajçak: Fokusi i kësaj jave, takimi i kryenegociatorëve në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Von der Leyen: Zemrat tona janë me komunitetet hebreje

7 October 2024 at 09:30

BRUKSEL, 7 tetor /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se “zemrat tona janë gjithashtu me komunitetet hebraike në mbarë botën” në përvjetorin e parë të sulmit terrorist ndaj Izraelit nga grupi islamik palestinez Hamas.

“Në këtë përvjetor tragjik, dua të nderoj kujtimet e viktimave”, tha ajo në një deklaratë me shkrim, duke shtuar se BE-ja qëndron me të gjithë njerëzit e pafajshëm, jetët e të cilëve janë shkatërruar deri në palcë që nga ajo ditë fatale.

Sulmi i Hamasit solli vuajtje të pamasë jo vetëm për popullin e Izraelit, por edhe për palestinezët e pafajshëm.

Von der Leyen përsëriti thirrjen e BE-së për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve.

Ajo gjithashtu premtoi ndihmë financiare për popullin palestinez dhe për Libanin.

“Incidentet antisemite ishin në rritje”, tha von der Leyen, duke premtuar më shumë burime për të trajtuar këtë çështje. //a.i/

The post BRUKSEL – Von der Leyen: Zemrat tona janë me komunitetet hebreje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌