Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 September 2024Main stream

Të akuzuar për trafik droge, GJKKO jep vendimin për grupin e strukturuar kriminal, ja me sa vite burg dënohen

20 September 2024 at 15:53

Dënohen me nga 8 vite burg Agustin Deda, Leonidha Sejdiaj, Hamid Sefeferi të akuzuar për grup kriminal dhe trafik të lëndëve narkotike.

Sipas prokurorisë, këta persona janë pjesë e një grupi kriminal  dhe ne total janë arrestuar 31 persona që akuzohen se kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Njoftimi: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes nr.36/2 të vitit 2019 (238 të vitit 2017), me të pandehur Paul (Agustin) Deda, Leonidha Sejdiaj, Hamid Seferi, etj…” 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Aurel Arapi, Ilir Përdeda dhe Ardit Mustafaj, me vendimin Nr. 51, datë 20.09.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Paul (Agustin) Deda për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Paul (Agustin) Deda për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. 3. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për disa vepra penale, dënimin e të pandehurit Paul (Agustin) Deda, me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

4. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Paul (Agustin) Deda i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.

5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Paul (Agustin) Deda do t’i fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe dënimi do të kryhet në një IEVP te sigurisë së lartë.

6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonidha Sejdiaj për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikeve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonidha Sejdiaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al

8. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për disa vepra penale, dënimin e të pandehurit Leonidha Sejdiaj me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim. 9. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonidha Sejdiaj i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim. 10. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Leonidha Sejdiaj do të fillojë nga dita e arrestimit dhe do të kryhet në një IEVP të sigurisë së lartë.

11. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hamid Seferi për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

12. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hamid Seferi per kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

13. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për vepra penale, dënimin e të pandehurit Hamid Seferi me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

14. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Hamid Seferi i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim. 15. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Hamid Seferi do të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe do të kryhet në një IEVP të sigurisë së lartë. 16. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit si dhe shpenzimet gjyqësore u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

17. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit. Tiranë, më datë 20.09.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Numri i refugjatëve në Gjermani arrin 3.5 milionë

20 September 2024 at 15:28

Sot në Gjermani jetojnë më shumë refugjatë. Sipas gazetës Neue Osnabrücker Zeitung, e cila citon përgjigjen e qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje të Partisë E Majta, në fund të gjysmës së parë të vitit 2024 në Gjermani ndodheshin rreth 3.48 milionë refugjatë.

Sipas kësaj shifre, në Gjermani, në 2024-ën në Gjermani jetojnë 60.000 refugjatë më shumë se në fund të vitit 2023. Ky është dhe numri më i lartë që nga vitet 1950.

Pamje simbolike - punetore te huaj ne Gjermani

Kjo shifër përfshin të gjithë njerëzit, pavarësisht nga leja e tyre e qëndrimit, të cilët aktualisht kërkojnë mbrojtje në Gjermani për arsye humanitare, nga azilkërkuesit deri te refugjatët e njohur apo personat e toleruar. Nga 3.48 milionë refugjatë, rreth 1.18 milionë ishin vetëm refugjatë ukrainas.

Më pak njerëz u detyruan të largoheshin nga Gjermania

Për shkak të dëbimeve dhe largimeve, numri i personave në Gjermani që detyrohen të largohen nga vendi është në rënie, vijon raporti. Në mesin e vitit 2024, statistikat regjistruan 226.882 persona të detyruar të largoheshin nga Gjermania, 15.760 më pak se në fund të vitit 2023.

pamje simbolike punetore ne rruge

Clara Bünger, zëdhënëse e politikës së refugjatëve për grupin e Majtë në Bundestag, kritikoi debatin e imigracionit në Gjermani në dritën e këtyre shifrave. “Në Gjermani aktualisht jetojnë pothuajse 3.5 milionë refugjatë, shumë prej të cilëve kanë qenë këtu për dekada; kjo është vetëm katër për qind e popullsisë,” i tha Bünger gazetës./DW

Konflikti në Ukrainë/ “Paqja në Kiev “tango” që nuk po mbaron”, Geron Kamberi: Europa në një ngërç politik

20 September 2024 at 13:46

Eksperti për çështje ndërkombëtare Geron Kamberi në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, foli për konfliktin në Lindjen e Mesme, sulmet e fundit me bombë që goditën anëtarë të Hezbollah, duke u ndalur edhe te konflikti Rusi-Ukrainë.

Gjatë intervistës, ai theksoi se konflikti nuk është lënë në harrese, por arritja e një paqeje është ende e vështirë.

“Europa ka një lloj fataliteti sa i përket konflikteve qoftë për ata që ndodhin afër, por edhe për ata që ndodhin larg. Europa është e interesuar që konfliktet që janë në kufijtë e afërt apo të largët e saj të pushojnë. Nuk besoj që ka një harresë për konfliktin në Ukrainë. Në këtë rast palët Rusia dhe Ukraina janë shumë larg, në një logjikë normale Rusia duhet të tërhiqet, por në argumentet e saj ajo thotë se është ajo që quhet lufta parandaluese. E drejta ndërkombëtare nga shtete të ndryshme ka filluar të interpretohet ndryshe dhe kjo mund të fusë në një gjendje kaosi”, tha ndër të tjera eksperti i çështjeve ndërkombëtare.

Sa i përket situatës në Lindjen e Mesme, u shpreh: ““Nga zhvillimet e fundit mund të them që situata e luftës në Lindjen e Mesme mund të përkeqësohet. Edhe aksioni i fundit është për të përdorur parimin e luftës parandaluese që të ulet në mënyrë maksimal forca goditëse e trupave paramilitare”.

/abcnews.al/

Biberat me bombë që goditën Hezbollah, Kamberi: Situata e luftës në Lindjen e Mesme mund të përkeqësohet

20 September 2024 at 13:35

Eksperti për çështje ndërkombëtare Geron Kamberi foli për konfliktet në Lindjen e Mesme, duke u ndalur veçanërisht te sulmet e fundit me bombë që goditën anëtarë të Hezbollah.

Në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, ai shpjegoi se Izraeli përdor disa strategji për t’u përballur me kërcënimet që ka në kufijtë e tij, pra përdor sulmin ne kuadrin e vetëmbrojtjes.

“Nga zhvillimet e fundit mund të them që situata e luftës në Lindjen e Mesme mund të përkeqësohet. Edhe aksioni i fundit është për të përdorur parimin e luftës parandaluese që të ulet në mënyrë maksimal forca goditëse e trupave paramilitare”, u shpreh ai.

Më tej eksperti për çështjet ndërkombëtare theksoi se konflikti, sidomos pas 7 tetorit, ka marrë një përmasë tjetër. Sipas tij Izraeli e ka bërë që qartë se përsa kohë që do të kërcënohet në kufijtë e tij jugor apo verior, ai do të vetëmbrohet.

Sa i përket thirrjeve të Shtëpisë së Bardhë për paqe, eksperti Kamberi tha se SHBA ka tentuar një paqe që do nënkuptonte një armëpushim dhe më pas një zgjidhje të situatës.

/abcnews.al/

DETAJE/ Hetimet e AMP për policët e korruptuar, nisën nëntë muaj me qëllim zbërthimin e skemës së vjedhjes

20 September 2024 at 13:13

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore një ditë më parë ekzekutoi masat e arrestit për 22 punonjës policie, të dyshuar për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”. Për 6 prej tyre u dha masa e sigurisë “arrest në burg”, për 4 “arrest në shtëpi” ndërsa për 12 të tjerët “detyrim paraqitjeje”.

Këta persona, kanë keqpërdorur aksesin në sistemet e policisë. Ata konstatonin shkeljet e drejtuesve të automjeteve kryesisht me targa të huaja në terren, vendosnin gjobat por nuk i pasqyronin në sistem me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga gjobat në shumën prej 2.200.000 lekë.

Gazetari Ervin Leka ka dhënë detaje të reja lidhur me këtë çështje, duke thënë për ABC News, se janë kryer gati nëntë muaj hetime. Pas hetimeve të imtësishme, AMP ka arritur të zbërthejë skemën e vjedhjes se 22 punonjësve të policisë rrugore në Kukës.

Ka qenë një denoncim i bërë nga një qytetar i Kosovës i cili ka denoncuar se pavarësisht se për një gjobe të marrë ne Kukës kishte dhënë paratë policëve, gjoba nuk ishte paguar prej këtyre te fundit. Vjedhjet sipas AMP, janë kryer kryesisht në vitin 2023.

Kryesisht vjedhja e Gjobave është bërë në aksin Milot-Morinë, me anë të radarit, ku shkeljet bëheshin për shpejtësi me gjoba nga 20 mijë deri ne 50 mijë lekë.

AMP ka mundur që të gjejë proceverbale të gjobave dhe materiale të tjera të cilat pavarësisht se ishin plotësuar nga policet nuk ishin paguar.

Sipas asaj çfare parashikohet në kodin e policisë rrugore Mjetet me targa të huaja kur gjobiten deri në momentin kur të paguhet gjoba nga drejtuesi mjetit dokumentet, leje qarkullimi dhe patenta mbahen nga punonjësi i policisë ose mënyra tjetër, drejtuesi i makinës mund ta bej shlyerjen e gjobës në dorë te polici, ku polici duhet ti japi mandat arkëtimi.

Në rastin e punonjësve të policise që u arrestuan drejtuesit e mjeteve e kanë bërë pagesën tek punonjësi i policisë ku punonjesi i policise nuk e ka paguar gjobën në sistem, dhe në sistem dalin të pa paguara. Në sistem kur janë kontrolluar gjobat nga zyra e financave kanë dalë të pashlyera.

Duke keqpërdorur aksesin në sistemor dhe databazat e Policisë së Shtetit, punonjësit e policisë në terren, konstatonin shkeljen, administronin shumën monetare duke i dhënë drejtuesit të mjetit procesverbalin përkatës dhe në vijim nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet përkatëse në sistem, me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga gjobat administrative, në shumën prej 2.200.000 lekë.

Për një vit gjobat ishin në vlerën 1,279,000 lekë, që me kamatë vonesat e përllogaritur me 60%, shuma shkon në total rreth 2,123,140 lekë. Kjo shumë e pa arkëtuar për 160 gjoba në total, dyshohet se u përvetësua nga punonjësit e Njësisë së Sigurimit të Autostradave Milot-Morinë.

Mes 1% të shkencëtarëve me më shumë ndikim në botë, Taulant Muka renditet në top listën botërore

20 September 2024 at 13:02

Studiuesi Taulant Muka renditet në top listën botërore nga Elseiver dhe Universiteti i Stanfordit. Në një intervistë në “ABC e Mëngjesit” në ABC News, studiuesi Taulant Muka foli për projektet e tij dhe studimet e fundit që kanë marrë më shumë vëmendje.

“Flasim për një renditje vjetore që prodhohet nga universiteti i Stanfordit, dhe merr në shqyrtim të gjithë aktivitetin shkencor. Edhe në shkencë kur flasim për publikime dhe studime është me rëndësi jo vetëm sa lexohen, por edhe sa citohen nga kolegët. Edhe për mua bahet fjalë për të gjithë aktivitetin tim shkencor ndër vite. Dhe në momentin që flasim kam mbi 180 publikime shkencore që është falë të gjithë bashkëpunimeve që kam pasur me kolegë edhe në Holandë, por është edhe kontributi i shumë studiuesve. Së fundmi unë punoj kryesisht në dy linja”, tha ai.

Gjithashtu tregoi se ka punuar shumë edhe në fushën e ndryshimeve gjinore dhe një studim i fundit i tij ka të bëjë edhe me një model me menopauzën.

Ai shpjegoi se është një studim që i vjen në ndihmë grave dhe vajzave.

“Modelit i kemi vendosur emrin e mbretëreshës ilire, “Teuta”. Në këtë studim kemi ndërtuar një model kalkulator që tregon rrezikun e menopauzës tek gratë. Në këtë model gratë mund të llogarisin kohën e menopauzës 10 vite më herët. Kemi punuar shumë për të treguar rolin e hekurit pasi ka diferenca shumë të mëdha mes femrave dhe meshkujve. Ne kemi punime të tjera që po i zgjerojmë këto tema që përmenda më lart. Kemi një studim që në proces pranimi në një revistë shkencore dhe po tregojmë që ndoshta hekuri mund të ketë një efekt shkakor në sëmundjet e zemrës. Të gjitha këto janë për të kuptuar më shumë pasi shkenca përparon shumë”, tha ndër të tjera ai.

/abcnews.al/

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë/ “Koncesioni i Sterilizimit”, pyetet ish-zëvendësministri Rrjepaj

20 September 2024 at 11:05

Është zhvilluar këtë të premte Komisioni Hetimor për Shëndetësinë. I pranishëm në këtë Komision është edhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj i cili ka dhënë shpjegime për koncesionin e sterilizimit.

Rrjepaj tha se janë një sërë elementësh që përbëjnë projektin, që quhet sterilizim, ndërsa ka dhënë detaje në këtë Komision lidhur me procesin.

Në fjalën e tij ish-zv.ministri Shëndetësisë ka kërkuar që hetimi të jetë në përputhje me objektin.

“Kam një koment të shkurtër. Besoj se hetimi duhet të jetë në përputhje me objektin. Të thuash që po hetojmë projektin e sterilizimit nuk është e drejtë. Sterilizimi është një shkurtim gjuhësor është një lejim i objektit të këtij projekti dhe ka ardhur si devijim i këtij projekti. Kur themi sterilizimi të nënkuptojmë një projekt i cili ka objektin e vet dhe ofrimin e veshjeve një përdorimshe, pacientin, shtratin dhe administrim e repartit qendror të sterilizimit. Sterilizimi është një nën komponentë e komponentes. Më pas vjen kategorizimi në asetet.”-ka thënë ai.

 

Trump: Zgjedhjet në SHBA, ndër më të rëndësishmet në historinë e Izraelit

20 September 2024 at 10:58

Ish-Presidenti Donald Trump ka folur sërish për situatën në Lindjen e Mesme dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Trump i cilësoi zgjedhjet e ardhshme amerikane si më të rëndësishmet në historinë e Izraelit.

Trump shtoi se votuesit hebre duhet ta mbështesin atë në përmasa më të mëdha për shkak të historisë së tij në Izrael.

“Ju duhet ta mposhtni Kamala Harrisin më shumë se çdo popull tjetër në tokë”, tha Trump, duke shtuar: “Nuk e kam thënë kurrë më parë këtë: Më shumë se çdo popull në tokë, Izraeli duhet ta mposhtë atë.”

Më pas ai gjatë deklaratave të tij premtoi se do ta “bënte përsëri Izraelin të madh”.

Nga ana tjetër Amy Spitalnick, CEO e Këshillit Hebre për Çështjet Publike dhe një ish-ndihmëse e zyrtarëve demokratë në Nju Jork, ka reaguar pas këtyre deklaratave ndërsa e akuzoi Trumpin për përdorimin e një fjalimi për antisemitizmin si një mundësi për të sulmuar komunitetin hebre amerikan.

“Trajtimi i hebrenjve dhe Izraelit në mënyrë të tillë i bën hebrenjtë, Izraelin dhe të gjithë ne më pak të sigurt”, shtoi Spitalnick.

/abcnews.al/

Paralajmëron ambasadori i Libanit: Nëse Izraeli na pushton do të përballeni me skena apokaliptike

20 September 2024 at 10:43

Një pushtim tokësor izraelit i Libanit mund të ndezë skena “apokalipsi” dhe lufte, ka paralajmëruar kryediplomati i vendit, duke shpjeguar se Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të përballen me trupa të stërvitura nga Britania.

Sipas Times, ambasadori i Libanit në Londër, Rami Mortada tha se ushtria e vendit nuk do të rrinte duarkryq nëse Izraeli do të fillonte një pushtim tokësor apo do të kryente një sulm të rëndë ajror.

Një natë më parë forcat e armatosura izraelite njoftuan se kishin kryer një seri të re bombardimesh ajrore në Libanin jugor, duke synuar kryesisht sistemet e raketave të Hezbollahut, të cilat sipas tyre ishin “gati për t’u përdorur menjëherë kundër territorit izraelit”. Forcat ajrore izraelite goditën rreth 100 raketa dhe gjithashtu sulmuan edhe infrastrukturë të tjera.

/abcnews.al/

Ursula von der Leyen në Ukrainë: Nuk do të mungojë mbështetja e Europës!

20 September 2024 at 10:32

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur këtë të premte në Kiev. Presidentja pritet të zhvillojë bisedime për mbështetjen evropiane për Ukrainën, si edhe për përgatitjet për dimër sa i përket mbrojtjes dhe ecurisë së kredive nga G7.

“Vizita ime e tetë në Kiev vjen në një kohë kur Rusia vazhdon të synojë infrastrukturën energjetike,” shkroi von der Leyen në platformën X.

Gjithashtu ajo thekson se është në Ukrainë për të “folur për mbështetjen e Evropës”.

Një ditë më parë presidentja e Komisionit njoftoi se BE-ja do t’i ndajë Ukrainës 160 milionë euro nga të ardhurat nga burimet e ngrira ruse, në mënyrë që vendi të përballet me nevojat emergjente humanitare këtë dimër.

/abcnews.al/

“Babalja”/ Salianji në Apel: Si mund ta organizoja kur s’i njoh personat? Prokurori: I drejtë vendimi i shkallës së parë!

20 September 2024 at 13:40

Ka nisur këtë të premte seanca gjyqësore në Apelin e Përgjithshëm për deputetin Ervin Salianji lidhur me dosjen “Babale”.

Gjatë fjalës së tij në seancë Salianji ka thënë se ka bërë denoncime të ndryshme për funksionare të lartë.

Vetë Salianji është shprehur: “Unë jam këtu sepse viktimës i është dëmtuar reputacioni. Ne kemi nxjerrë dokumentin të gjykatës italiane ku kemi thënë që Geron Xhafa eshtë i dënuar në Itali për trafik droge, dhe vallai i tij është ministër i brendshëm. Në tetor me vjen një gazetar dhe më thotë që kam bërë një investigim për një person të fuqishëm që është Geron Xhafaj dhe rezulton i përfshirë në trafikun e drogës dhe me tha a keni ju mundësi ta publikoni nëse media që unë punoj nuk e publikon. Ku hy unë këtu, se nuk e kuptoj. Nuk ka kallëzim, ca vepre është ajo që jam dënuar unë, kallëzim publik. Denoncimi është bërë në 14.5.2018 dhe ne e kemi peshuar gjate. Kemi patur grup juristësh që ne e kemi patur audio përgjimin që në tetor 2017. Si ka mundësi që për një denoncim që ne kemi bërë publikisht nuk ka reaguar asnjë për tre dite rresht. Fredi Alizotin dhe Albert Veliun unë nuk i kam takuar asnjëherë, si ka mundësi që e kam organizuar unë një kallëzim të rremë me dy persona që nuk i njoh. Të gjithë prokurorët e gjyqtarët qe janë marrë me këtë çështje janë shkarkuar nga vetingu. I përdoren dhe i hodhën të gjithë”.

Sakaq prokurori i Apelit,  Arben Qose u shpreh në seancë se e vlerëson të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë ndaj deputetit Salianji.

“E vlerësojmë të drejtë vendimim e gjykatës së shkallës së parë dhe nuk evidentojmë shkelje procedrale gjatë gjykimit. Në lidhje me ankimin e Olldashit dhe Salianjit, vërej që argumentet janë të njësoj. Pa dashur të hyj në dinamikëm e faktit penale, vlerësoj se shkaqet e ngritura në ankim nga dy të pandehurit nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal. Në vlerësimin tonë provohet përtej cdo dyshimi të arsyeshëm, që e kanë konsumuar veprën penale pëe të cilën akuzohen. Në tërësinë e vlerësimit të provave, tabulatet telefonike, komunikimet provohet jo vetëm njohja, por edhe dita kur kanë regjistruar audio përgjimin. Në përfundim, vlerësoj se vendimi i gjykatës është i drejtë dhe kërkoj të lihet në fuqi.” – u shpreh ai.

Më poshtë ABC News sjell disa nga diskutimet e zhvilluara në seancë;

Në diskutimet e zhvilluara në seancë, gjykata ka theksuar se Fredi Alizoti ka depozituar kërkesë për heqje dorë nga ankimimi.

Gjykata: Fredi Alizoti ka depozituar një kërkesë për heqje dorë nga ankimi me argumentin se ka përfunduar dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë.

Sefa: Ka disa shkelje procedura në këtë vendim

Më tej avokati Sefa është shprehur: Kërkojmë që gjykata e apelit të rrëzojë disa vendime të gjykatës së shkallës së parë që nuk ka pranuar të merren disa dëshmitarë. Ne kërkojmë rihapje të procesit gjyqësor dhe të vijnë të gjithë personat që kemi kërkuar si dëshmitarë në këtë proces. Përfundimisht kërkojmë pafajësinë e Jetmir Olldashit dhe prishjen e vendimit të shkalles së parë. Ose të rigjykojë çështjen dhe të marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët.

Ndërsa avokati Ledio Braho i cili ka përgatitur mbrojtjen prej 55 faqe ka thënë: Vendimi i shkallës së parë nuk ka asnjë pretendim tonin, përveë se kemi kërkuar pafajësi. Vendimi është i pa arsyetuar. Janë falsifikuar një serë faktesh. Vendimi nuk është hedhur në asnjë moment në faqen e gjykatës. Janë rrëzuar një sërë kërkesash nga ana jonë dhe asnjë nuk është argumentuar.

Ditën se sotme pritet të jepet vendimit lidhur me këtë dosje. Saliajji dhe avokatët e tij mbrojtës janë të pranishëm. Të pranishëm janë edhe disa deputetë të Partisë Demokratike.

Kujtojmë se Deputeti i PD Ervin Salianji është dënuar me një vit burg nga shkalla e parë për akuzën e kallëzimit të rreme, ndërsa vendimi është ankimuar në Apel./abcnews.al/

 

Ushtria izraelite nis një valë të re sulmesh në Liban

20 September 2024 at 09:05

Izraeli ka deklaruar se ka kryer goditje në Liban, disa orë pasi udhëheqësi i Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, mbajti një fjalim duke u zotuar për hakmarrje, pas një sërë shpërthimesh që ndodhën në Liban dhe Siri, që kishin për shënjestër pajisje të telekomunikimit.

Izraeli nuk ka komentuar për shpërthimin dhe radiolidhjeve të Hezbollahut, që kanë lënë të vrarë 37 persona dhe kanë plagosur pothuajse 3.000 të tjerë më herët gjatë kësaj jave, por Izraeli është fajësuar nga Hezbollahu për këto sulme.

Në fjalimin e tij, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, synoi të arrite dy qëllime kryesore: forcimin e moralit të Hezbollahut dhe mbajtjen e presionit psikologjik ndaj Izraelit. Pavarësisht se e pranoi se shpërthimet e pajisjeve të komunikimit të grupit përbënin një kthim prapa, ai i paraqiti incidentet vdekjeprurëse si pengesë të përkohshme në konfliktin më të gjerë me armikun.

Lufta në Ukrainë, Demiraj: Perëndimi duhet të dërgojë më shumë pajisje e armatime

20 September 2024 at 09:01

Në një intervistë në “ABC e Mëngjesit”, në ABC News, Dritan Demiraj u ndal edhe lufta në Ukrainë, duke thënë se Perëndimi duhet ta mbështesë me mjete luftarake, pasi për t’u mbrojtur do t’i duhet shumë më tepër.

“Duhet të ndalohet urgjentisht kufizimet ndaj Ukrainës dhe Putinin duhet goditur në pikat më të dobëta. Duhet shumë më tepër asistencë sisteme raketore të distancave të larta, pasi këto janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Perëndimi i ka zbrazur një pjesë të madhe të depos dhe mesa duket e kanë të pamundur tani. Sasi e përdorimit me raketa, me dron ka qenë një strategji e suksesshme nga ana e Putinit”, tha më tej Demiraj.

Gjithashtu Demiraj theksoi se Ukraina po përballet me humbje të jashtëzakonshme, pasi ushtria e presidentit rus Vladimir Putin po shkakton dëme të mëdha.

“Aktualisht ushtria vrasëse e Putinit po shkakton dëme të mëdha, dhe Trump ka deklaruar se miliona njerëz janë vrarë, pra nuk janë as 500 apo 600 mijë.  Situata është shumë e vështirë dhe Ukraina po përballet me humbje të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalohen vrasjet e njerëzve nga të dyja palët”, përfundoi ai.

/abcnews.al/

Dritëhijet e sulmit me bipera e radiomarrëse në Liban, Dritan Demiraj: Ky konflikt mund të zgjerohet!

20 September 2024 at 08:59

Një sulm me 37 viktima dhe rreth 3000 mijë të plagosur u shkaktua në Liban nëpërmjet shpërthimit të pajisjeve të komunikimit.

Një hetim paraprak nga autoritetet libaneze mbi pajisjet e komunikimit që shpërthyen në Liban këtë javë zbuloi se ato ishin implantuar me eksploziv përpara se të mbërrinin në vend.

Në emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News, Dritan Demiraj u shpreh se ishte një sulm i paprecedentë, ndërsa shpjegoi se brenda aparateve kishte komponentë që përdoren për shpërthime, pra eksploziv.

“Ky është një sulm i paprecedent. Brenda aparateve, la komponentë që përdoren për shpërthime që janë eksploziv. Dhe këto vendosen në pjesën ku gjenden bateritë, një sasi prej 2 apo 3 gram që janë të pamundur për t’u kapur. Izraeli me kompanitë e tij arrin të futet në të gjitha komunikimet që kanë grupe terroriste dhe përpiqen të bëjnë blerje me sasi të madha. Elementët që përdoren me shpërthim kanë lidhje me bateri ose me komponentë që kanë lidhje me pjesë të tjera. Lobi izraelit ka aftësi për t’u informuar në të gjitha kompani të mëdha botërore. Dhe është e qartë që lobi izraelit ka aftësi të jashtëzakonshme për të marrë informacion…”, shpjegoi ai.

Gjithashtu gjatë intervistës në studio, Demiraj nënvizoi se mund do të ketë operacione të tjera, të ngjashme.

“Por a i shërben izraelit në këtë moment dhe duket qartë që një pjesë e madhe e ekspertëve thonë që jo? Dhe tjetra a u arrit të goditej fuqishëm Hezbollah? Në rast se këtë sulm do ta kishte marrë një shtet tjetër, ky është një sulm kundër civilëve dhe një pjesë të madhe të familjarëve, pavarësisht se objektivi kanë qenë luftëtarë të Hezbollah. Pasi një pjesë e madhe e pajisjeve ka shpërthyer në ambiente publike. Dhe A e arriti objektivin? A e plotëson kushtet siç tha ministri do të kalojmë në fazën e 4 të operacionit? Në gjykimin tim ky konflikt zgjerohet. Por kujtoj që zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë bëri thirrje për të mos eskaluar. Presioni ndaj Netanyahut është rritur shumë”, tha ai.

/abcnews.al/

Si po ndikojnë ndryshimet klimatike në përmbytjet globale?

20 September 2024 at 08:16

Përmbytjet e mëdha në Europën Qendrore e Lindore kanë detyruar dhjetëra mijëra të largohen nga shtëpitë e tyre pasi rajone të gjera të Austrisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Rumunisë u goditën nga reshjet e dendura prej disa ditësh.

Këto përmbytje janë të fundit në një seri përmbytjesh ekstreme të këtij viti. Mijëra u detyruan të evakuohen në Gjermaninë jugore gjatë kësaj vere. Më tej: Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani përjetuan reshjet më të mëdha që nga fillimi i matjeve. Përmbytjet në Kenia morën shumë jetë dhe shkaktuan edhe rrëshqitje dheu. Në Brazil, përmbytjet një zona me madhësi sa Mbretëria e Bashkuar zhvendosën mbi gjysmë milioni njerëz.

Përmbytjet bregdetare kryesisht ndodhin nga erërat dhe baticat e larta. Në anën tjetër lumenjtë, ujërat nëntokësorë dhe përmbytjet e shpejta janë të lidhura direkt me reshjet e mëdha. Rritja e temperaturave globale, e shkaktuar nga djegia e lëndëve fosile, po i bën reshjet më të shpeshta dhe të rënda në shumicën e pjesëve të botës.

Pse ndodhin përmbytjet ekstreme?

Analizimi i trendeve të reshjeve është një proces kompleks, por ai ka një parim të qartë fizik: ajri i ngrohtë mban më shumë lagështi.

Gazrat nga efekti serë në atmosferë veprojnë si një llojë mbuloje në tokë, duke bllokuar nxehtësinë dhe duke shkaktuar rritjen e temperaturave. Kjo çon në një avullim më të shpejtë të ujit në tokë dhe në det, që do të thotë se kur bie shi, në atmosferë do të ketë më shumë ujë për të lëshuar. Dhe kur një sasi e madhe e shiut bie në tokë në një kohë të shkurtër, kjo mund të krijojë përmbytje. Kapaciteti i ajrit për të mbajtur lagështinë rritet me 7% për çdo gradë Celsius. Që nga epoka para-industriale, temperaturat globale të ajrit janë rritur për rreth 1.3 gradë Celsius.

Rritja e temperatures gjithashtu bën që reshjet të bien më shumë si shi në vend të borës, gjë që mund t’i bëjë rajonet me lartësi më të lartë mbidetare të ndjeshme ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Një studim i vitit 2022, i botuar në revistën shkencore Nature zbuloi se në pjesët me borë në hemisferën veriore, reshjet ekstreme u rritën me një mesatare prej 15% pas 1 gradë Celsius të ngrohjes.

Ndryshimet klimatike po ndikojnë në shpeshtësinë e reshjeve të mëdha gjatë stuhive përmes ndikimit të tyre në trendet komplekse atmosferike dhe të motit. Në nivel global, me një rritje të temperatures prej 1.5 gradë, të cilën bota është gjithnjë e më pranë ta arrijë, reshjet e dendura që do të kishin qenë ngjarje 10-vjeçare do të ndodhin 1.5 herë në cdo dekadë dhe do të jenë mbi 10% me më shumë lagështi, sipas Panelit Ndërkombëtar për Ndryshime Klimatike në kuadër të OKB-së (IPCC).

Vitin e kaluar, Europa ishte rreth 7% më shumë shira se normalja, shumica e kontinentit përjetoi kushte me më shumë lagështi se mesatarja. Reshjet e mëdha ose rekord shkaktuan përmbytje në Itali, Novergji, Suedi dhe Slloveni.

Përparimet në shkencë përcaktimit të trendeve po i lejojnë ekspertët ta përcaktojnë më saktë lidhjen shkakësore midis ndryshimeve klimatike dhe ngjarjeve ekstreme të motit. Sipas një vlerësimi, mesatarisht, 1 në 4 reshje ekstreme në dekadën e fundit mund t’i atribuohen ndryshimeve klimatike. Ndërsa nuk ka ende studime të fundit për përmbytjet e fundit gjermane, reshjet e dendura po bëhen gjithnjë më të shpeshta. Vitin e kaluar, reshjet mesatare ishin 20% më të larta se mesatarja për vitet 1991-2020.

Edhe përmbytjet e vitit 2011 që shkatërruan pjesë perëndimore të Gjermanisë, si dhe Belgjikën dhe Holandën, kanë qënë drejtpërdrejt të lidhura me ndryshimet klimatike. Sipas shkencëtarëve nga World Weather Attribution, një institut akademik nga Mbretëria e Bashkuar, ndryshimi klimatik i ka bërë reshjet në mes të 3% dhe 19% më të forta, dhe 1.2 deri në nëntë here më të shpeshta. Kohët e fundit, përmbytjet në Bazil në prill dhe në maj besohen të jenë bërë dy here më të shpeshta dhe 9% më të forta për shkak të djegies së lëndëve fosile.

Përmbytjet, ndër fatkeqësitë natyrore më të përhapura janë shpesh shkatërruese. Këto mund të marrin jetë njerëzish, kafshësh, të dëmtojnë infrastrukturën kritike dhe tokën pjellore, duke lënë pas një dëm ekonomik të jashtëzakonshëm.

Që nga viti 2000, përqinjda e njerëzve të ekspozuar ndaj përmbytjeve vlerësohet të jetë rritur për 24%

Sot, 1.8 miliardë njerëz – pak më pak se një e katërta e popullësisë globale – janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj përmbytjeve “një në 100 vjet“, një term i përdorur për të përshkruar një përmbytje që është aq e rëndë sa ndodhë vetëm një herë në një shekull.

Në Europë, Gjermania ka numrin më të lartë të njerëzve të rrezikuar nga përmbytjet, e ndjekur nga Franca dhe Holanda. Në vitin 2023, një e treta e rrjetit të lumenjve të kontientit patën rritje drejt përmbytjeve të larta, dhe 16% tejkalonin nivelet ekstreme. Nivelet e dhjetorit ishin më të lartat, me rritje ekstreme në një të katërtën e lumenjve të kontinentit.

Ndërsa përmbytjet janë një kërcënim global, disa rajone janë shumë më të prekura se të tjerat. Rreth 89% e njerëzve të ekspozuar ndaj rrezikut të lartë të përmbytjeve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Shumica jetojnë në Azinë Jugore dhe Lindore, me 395 milionë njerëz të ekspozuar në Kinë dhe 190 milionë në Indi.

Sipas një studimi, numri i njerëzve që jetojnë në zona me rrezik të lartë të përmbytjeve është rritur për 122% që nga viti 1985. Kjo prirje besohet të jetë nxitur nga urbanizimi i shpejtë, specifikisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, në qytetet e vendosura pranë rrugëve ujore.

A do të shtohen përmbytjet në të ardhmen?

Shkenca na thotë që rreziku për përmbytje të nivelit ekstrem do të vazhdojë të rritet nëse bota nuk arrin të kufizojë ngrohjen globale.

Sipas IPCC-së, në 2 gradë Celsius të ngrohjes mbi nivelet para-industriale, do të ketë rritje me 14% të lagështisë. Dhe nëse temperaturat globale rriten në 4 gradë, reshjet e dendura që bien një herë në dekadë mund të bien pothuajse tre herë më shpesh dhe do të ketë 30% më shumë shi.

Sipas përllogaritjeve të Qendrës së Përbashkët të Hulumtimit, shërbimi i shkencës dhe i njohurive brenda Komisionit Europian, tha se përmbytjet mund të sjellin 48 miliardë euro dëme në vit dhe trefishon numrin e europianëve të ekspozuar ndaj përmbytjeve, nëse temperaturat rriten me 3 gradë Celsius deri në vitin 2100./DW/

Yesterday — 19 September 2024Main stream

Dumani takohet me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës Stefan Blättler, në fokus lufta kundër krimit

19 September 2024 at 15:08

Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme Altin Dumani dhe Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës, Stefan Blättler, zhvilluan një takim konstruktiv në Bernë, në datën 18 shtator 2024. Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, u diskutuan zhvillimet më të fundit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit.

Të dy drejtuesit e lartë, Dumani dhe Blättler, rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin e shkëlqyer të nisur midis të dy zyrave përkatëse duke u bazuar në të drejtën e brendshme dhe instrumenteve ligjore ndërkombëtare të nënshkruar nga të dy shtetet përkatëse. Bashkëpunimi ndërkombëtar i këtij lloji është thelbësor për të luftuar në mënyrë efektive të gjitha format e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar.

Gjatë takimit, Dumani dhe Blättler theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të mira midis të dy institucioneve. Ky bashkëpunim ofron mundësi të shkëlqyera për vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira dhe për krijimin e strategjive dhe njësive të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dy vendet.

Dumani dhe Blättler nënvizuan se kjo frymë pozitive bashkëpunimi do të forcojë më tej përpjekjet e përbashkëta për një rend ligjor më të sigurt në të dy vendet dhe në rajon.

/abcnews.al/

Greqi/ Plagosja e shqiptarit me armë zjarri, dalin pamjet e sherrit

19 September 2024 at 14:43

Mediat greke kanë publikuar pamjet nga sherri ku mbeti i plagosur një 36-vjeçar shqiptar.

Tre shtetas shqiptar u përplasën fizikisht me një shtetas gjeorgjian. Shkak i sherrit sipas informacione ishte prishja e pazareve të drogës.

Pas konfliktit fizik shtetasi gjeorgjian është kthyer sërish në vendngjarje dhe ka qëlluar më armë duke plagosur në këmbë 36-vjeçarin shqiptar.

/abcnews.al/

Integrimi në BE/ Konferenca e dytë…hapje negociatash? Gjipali: Tetori është muaji më i mirë për takimin e radhës

19 September 2024 at 13:48

Drejtor ekzekutiv i EMA, Gledis Gjipali, gjatë një interviste në “Tirana Live “në ABC News, foli për konferencën e zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke, ku edhe u njoftua krijimi i një Komiteti të Përbashkët Konsultativ.

Ai tha se krijimi i një Komitet Konsultativ është një sinjal i mirë afrimi sidomos për vendet që synojnë integrimin në BE.

“Vazhdimisht është hedhur ideja dhe tani ka marrë një formë më të qartë që të jepet mundësia për të pasur anëtar vëzhgues. Ky është një sinjal afrimi për vendet që synojnë integrimin, është një mbështetje më shumë që ende e shohin larg atë datë anëtarësimi. Edhe njohja nga vetë përfaqësuesit e shteteve tona, për të njohur nga afër si funksionon politika, ndihmon për të kuptuar dhe për të përshpejtuar procesin”, u shpreh Gjipali.

Gjithashtu ai u ndal edhe te takimi i Von Der Leyen me liderët europianë duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm.

“Do të shihen ato piketa të zhvillimeve të 5 viteve të ardhshme. Von der Leyne ka qenë iniciatorja e planit të rritjes. Që do të thotë më shumë financime nëpërmjet projekteve por edhe një kontroll i progresit të reformave. Ndaj ky takim është i rëndësishëm për të parë se si do të jenë avancimet në të ardhmen. Shqipëria i ka dorëzuar në kohë të gjithë agjendën e reformave dhe duke qenë se është paketë për të 6 vendet, pritet edhe miratimi për të gjashta. Do të shohim nëse do të ketë modifikime apo synime të tjera. Është e afërt, tetori është muaji i mirë për takimin e radhës, por jemi skeptikë për faktin se ka rreth një vit që flitet mundësia për të rënë vetoja greke, besoj se është momenti më i mirë tetori. Ka një angazhim të ngushtë me Ballkanin Perëndimor, mendoj se është një sinjal i mirë fakti që ka një rikonfirmin të zonjës Von Der leyen dhe gjithashtu po organizon edhe një takim me liderë të Ballkanit Perëndimor dhe ky është një lajm i mirë”, tha Gjipali.

Dialogu Kosovë-Serbi?

Gjipali: Mungesa e dialogut ndikon tek të dy vendet pasi nuk mund të ecin përpara në procesin e anëtarësimit. Është një kusht i qartë, pasi BE nuk dëshiron të sjellë probleme bilaterale dhe t’i bëjë probleme europiane.

/abcnews.al/

Pjesë e një grupi kriminal, arrestohet 35-vjeçari i shpallur në kërkim, pritet ekstradimi në Itali

19 September 2024 at 13:44

Është arrestuar në Fier 35-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë 35-vjeçari është akuzuar nga Gjykata e Torinos, si pjesëtar i një grupi kriminal për shitje të lëndëve narkotike. Ndërsa pritet ekstradimi i tij në Itali.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të planit operacional policor të koduar “Para drejtësisë”, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kapën në fshatin Kashisht, shtetasin 35 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Torinos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja dhe tregtimi i lëndëve narkotike” dhe “Organizata krimimale”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej sqarohet se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të kryejë proceduarat e ekstradimit.

/abcnews.al/

❌
❌