Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 September 2024Main stream

Biden në OKB: Paqja, ende e mundshme në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë

24 September 2024 at 17:48

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të tërhiqen nga bota dhe të veprojnë të vetëm, teksa Izraeli dhe Hezbollahu –grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – janë në prag të një lufte në shkallë të gjerë në Liban, dhe Izraeli po vazhdon ofensivën në Gazë.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Biden foli për nevojën që t’i jepet fund konfliktit në Lindjen e Mesme, luftës civile 17-mujore dhe vuri në pah mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë për Kievin, që po përballet me pushtimin e Ukrainës të nisur nga Rusia më 2022.

Biden kërkoi që të vazhdohet të mbështetet Ukraina, mbështetje që mund të vihet në dyshim nëse ish-presidenti Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Megjithatë, Biden insistoi se pavarësisht konflikteve globale, ai mbetet me shpresë për të ardhmen.

“E di që shumë e shohin botën sot dhe shohin vështirësi e reagojnë me dëshpërim, por unë nuk veproj kështu”, tha Biden.

“Jemi më të fortë sesa mendojmë” kur bota vepron së bashku, shtoi ai.

Biden nisi mandatin presidencial me pretimin për ripërtëritjen e raporteve të SHBA-së në mbarë botën dhe largimin nga “luftërat e pafundme” në Afganistan dhe Irak.

“Isha i vendosur që t’iu jepja fund [këtyre luftërave] dhe e bëra”, tha Biden për largimin e trupave amerikane nga Afganistani, duke e cilësuar si “vendim të vështirë, por vendim i duhur”.

Ai foli edhe për dy konfliktet më të mëdha aktualisht, ai në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

“Gjithmonë ka forca që duan të na përçajnë”, tha Biden, duke shtuar se e refuzon dëshirën “që të tërhiqemi nga bota dhe të qëndrojmë vetëm”.

SHBA-ja një ditë më herët tha se do të dërgojë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, rajon ku aktualisht ka afër 40.00 trupa. Shtëpia e Bardhë ka insistuar se Izraeli dhe Hezbollahu ende kanë kohë që të shtensionojnë situatën.

“Lufta në shkallë të plotë [në Lindjen e Mesme] nuk është në interesin e askujt”, tha Biden, dhe tha se pavarësisht përshkallëzimit të dhunës, zgjidhja paqësore është rruga e vetme drejt paqes.

 

The post Biden në OKB: Paqja, ende e mundshme në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë appeared first on Euronews Albania.

Shoqatat islame protestë para KMSH, kundër gylenistëve dhe shtetit bektashi

24 September 2024 at 17:17

Përpara Komunitetit Mysliman ka nisur një protestë me sloganin “Jo në emrin tim”.

Sipas organizatorëve, protesta është thirrur në mbështetje të Palestinës dhe për të dënuar takimin e nënkryetarit të Komunitetit Musliman me presidentin e Izraelit.

Gjithashtu, në protestë do të dënohet propozimi i fundit për ngritjen e një shteti islam bektashian brenda Shqipërisë.

Protesta do të organizohet nga disa shoqata islame dhe të shoqërisë civile, përfshirë: Mexhlis, TUMED, Thirrja në Mirësi, Unioni Shqiptar i Teologëve, Palestina e Lirë dhe Qendra për Kulturën Islame Evropiane.

Forca të shumta policie kanë rrethuar godinën e KMSH me qëllim mbarëvajtjen e protestës, mes tyre edhe drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

The post Shoqatat islame protestë para KMSH, kundër gylenistëve dhe shtetit bektashi appeared first on Euronews Albania.

Gjashtë të vrarë në një sulm izraelit në Bejrut

24 September 2024 at 16:52

Libani tha se gjashtë persona u vranë më 24 shtator në një sulm ajror izraelit në Bejrut, bastionin e Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Ushtria izraelite konfirmoi se ka goditur kryeqytetin libanez për të dytën herë me radhë në ditët e fundit.

“Izraeli armik goditi në Gobeiri në periferi të Bejrutit, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 15 të tjerë”, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit përmes një deklarate për media.

Më herët, ekipet e shpëtimit, të lidhur me Hezbollahun, raportuan për tri viktima nga sulmi.

Ushtria izraelite tha se ka kryer “një sulm të shënjestruar në Bejrut”, por nuk dha detaje të mëtejme.

Edhe të hënën, Izraeli tha se kishte kryer një “sulm të shënjestruar” në Bejrut.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr përditë që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Por, sulmet ajrore izraelite në Liban të hënën vranë më shumë se 550 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, dita më vdekjeprurëse që kur Izraeli dhe Hezbollahu zhvilluan luftë më 2006.

Sulmet ajrore vijnë pas shpërthimeve të koordinuara të pajisjeve të komunikimeve, që përdoren nga Hezbollahu, shpërthime që lanë të vrarë 39 persona javën e kaluar.

Javën e kaluar, Izraeli po ashtu ka sulmuar jugun e Bejrutit, duke vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Gjashtë të vrarë në një sulm izraelit në Bejrut appeared first on Euronews Albania.

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës për masën e sigurisë

24 September 2024 at 16:35

Gjykata e lartë rrëzon kërkesën e ish-kryebashkiakut Jorgo Goro për një masë më të butë sigurie se ajo e arrestit me burg.

Goro akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste dhe aktualisht ndaj tij janë caktuar 2 masa sigurie lidhur me abuzimin e bashkisë Himarë në njohjen e pronave ne bregdet.

Hetimet ndaj ish-kryebashkiakut kanë nisur fillimisht nga prokuroria e Vlorës për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, por më pas dosja u transferua në prokurorinë e posaçme.

Sipas hetimeve Goro në vitin 2016-të ka trajtuar një kërkesë të Arqile Bollanës në bazë të ligjit 7051 për pajisje të aktit të marrjes së tokës në pronësi duke i dhënë një sipërfaqe prej 4263 metra katror tokë në kundërshtim me ligjin.

Por nga verifikimet e prokurorisë, rezulton se Bollano është përfitues i një sipërfaqe prej 7700 m2 që e zotëron prej vitit 1996 dhe në këtë mënyrë Goro akuzohet për shpërdorim të detyrës.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës për masën e sigurisë appeared first on Euronews Albania.

123 artistë të vrarë në Ukrainë, njerëzit e artit në mbrojtje të identitetit

24 September 2024 at 15:55

Rreth 123 artistë ukrainas janë vrarë në luftë, duke mbrojtur Ukrainën me armë në duar.

Lajmin e bëri me dije për mediat e huaja, ministri i Kulturës dhe Komunikimeve Strategjike të Ukrainës.

“Kjo luftë synon me të vërtetë të shkatërrojë gjithçka ukrainase: kulturën, gjuhën, identitetin ukrainas. Ne tashmë kemi brezin tonë të artistëve. Këta janë 123 artistë që mbrojtën historinë tonë me armë në duart e tyre”, tha ai.

Ai vuri në dukje se çështja e ruajtjes së identitetit ukrainas, e cila është pjesë e trashëgimisë së madhe evropiane, është një detyrë e sigurisë kombëtare.

“Kuptohet se kjo luftë ka shenja serioze gjenocidi. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që të prezantohet në këtë mënyrë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë”, tha ministri.

Sipas tij, në takimet me partnerët perëndimorë po diskutohet çështja e strategjisë se si të bëhet e mundur që jo vetëm të ruhet ajo që ka mbetur, por edhe të kthehen ato trashëgimi që kanë mbetur në territoret e pushtuara.

Sakaq, kultura e Ukrainës është diskutuar dhe tek takimi liderëve të G7, në Itali.

The post 123 artistë të vrarë në Ukrainë, njerëzit e artit në mbrojtje të identitetit appeared first on Euronews Albania.

Barcelona në kërkim të portierit, kërkohet ndihma e Lewandowskit

24 September 2024 at 15:50

Dëmtimi i Ter Stegen ka shkaktuar një situatë aspak normale te Barcelona e cila po sheh alternativat për zëvendësimin e tij, të paktën deri në fundin e këtij sezoni.

Inaki Pena nuk ofron sigurinë e duhur në katërkëndësh, kështu që Hansi Flick po kërkon një tjetër emër, ku eksperienca është pika më e fortë.

Një ndër lojtarët e qarkulluar është Bravo, Navas, por edhe Shezni. Ky i fundit i dha lamtumirën futbollit profesionist, ku pak ditë më parë u përshëndet me shokët e skuadrës te Juventus.

Me planin për të mos u rikthyer më në këto nivele 34-vjeçari bëri me dije se nuk do të kthehej më as te kombëtarja polake.

Ky vendim ndoshta edhe mund të zhbëhet, sidomos kur në negociata është kapiteni Robert Lewandowski. Ky i fundit është negociatori i katalanasve i cili do të bindë Sheznin për t’ju bashkuar Barcelonës deri në fund të sezonit, të paktën sipas asaj që mediat spanjolle raportojnë.

Ende nuk është konfirmuar asgjë, por plani i Flick ky është, afrimi i një portieri pa ekip, me kosto zero në blerje, por që ofron sigurinë në katërkëndësh, e këto kritere, polaku i plotëson.

 

The post Barcelona në kërkim të portierit, kërkohet ndihma e Lewandowskit appeared first on Euronews Albania.

13 të plagosur nga përplasja e trenave në Gjermani, 3 në gjendje të rëndë

24 September 2024 at 15:25

Në linjën hekurudhore midis Xanten dhe Duisburg, në perëndim të Gjermanisë, një tren rajonal goditi sot një tren mallrash të parkuar, duke plagosur 13 persona, tre prej tyre rëndë, raporton Spiegel.

Sipas zëdhënësit të Policisë Federale, rreth orës 07:30, një tren rajonal ka goditur anën e një treni mallrash të parkuar në një kalim në nivel.

Policia ka dërguar një helikopter shpëtimi në vendin e aksidentit.

Treni rajonal, në të cilin ndodheshin rreth 30 persona, ra në shinat ngjitur gjatë udhëtimit dhe për këtë arsye goditi lokomotivin e trenit të mallrave që ishte parkuar aty, tha zëdhënësi i policisë.

Të dy trenat kanë mbetur në shina pas aksidentit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post 13 të plagosur nga përplasja e trenave në Gjermani, 3 në gjendje të rëndë appeared first on Euronews Albania.

Yesterday — 23 September 2024Main stream

“Një Kryegjysh nga Irani në vend të Baba Mondit”? Teza e fortë e Pastorit

23 September 2024 at 22:39

Pastori Akil Pano në emisionin Now në Euronews Albania, e cilësoi tradhti kombëtare projektin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti bektashi.

Pano u shpreh se faktin që në Shqipëri është Kryegjyshata Botërore e Bektashizimit nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme, të drejtohet nga një kryegjysh nga Irani.

Sipas tij kjo do të shtonte mundësin e importimit terrorizmit fetar brenda territorit tonë.

“Në Iran janë disa milionë besimtarë bektashianë, edhe në Turqi gjithashtu, dhe termi kryegjyshata botërore përkufizon këtë entitet që nuk është lokal. Të gjithë jemi shtegtarë në këtë botë, do vijë një ditë, Zoti i dhënë jetë të gjatë, që baba Mondi do largohet nga jeta tokësore, por duke qenë se ky entitet nuk është lokal, por është një entitet me ngarkesë ndërkombëtare, nesër mund të na vijë një baba nga Irani, se nuk është kryegjyshata botërore bektashiane e Shqipërisë. Ky kryegjyshi i ri a ka të drejtë të pajisë me pasaporta të shtetit të ri bektashian në Shqipëri qytetarë të Iranit.  A na hap kjo një paradigmë të re në importin e terrorizmit fetar brenda kufijve tanë territorial? Absolutisht që po”, tha pastori.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Një Kryegjysh nga Irani në vend të Baba Mondit”? Teza e fortë e Pastorit appeared first on Euronews Albania.

Turqia kërkon që komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë në Lindjen e Mesme

23 September 2024 at 22:13

Turqia paralajmëroi se sulmet e Izraelit në Liban rrezikojnë ta shtyjnë Lindjen e Mesme më thellë në “kaos”.

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 356 persona, përfshirë 24 fëmijë, në Liban më 23 shtator, ka thënë Ministria e Shëndetësisë. Kjo është shifra më e lartë e viktimave që kur Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – dhe Izraeli kanë nisur këmbimin e zjarrit, pothuajse në baza ditore që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

“Sulmet e Izraelit në Liban shënojnë një fazë të re në përpjekjet e tij për ta futur të gjithë rajonin në kaos”, tha Ministrja e Jashtme e Turqisë përmes një deklarate.

Turqia, një kritike e zëshme e ofensivës së Izraelit në Gazë, që u nxit nga sulmi i Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë.

“Është thelbësore që të gjitha institucionet përgjegjëse të ruajë paqen dhe sigurinë, veçmas Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, por edhe komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrin masat e nevojshme pa vonesa”, tha MPJ-ja turke.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet t’i adresohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën dhe fjalimi i tij pritet të fokusohet në luftën në Gazë.

Të hënën, gjatë një takimi në Nju Jork Erdogan i tha kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, se “Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për krimet e tij”, u tha në njoftimin e Presidencës turke.

Në maj, Khan kishte kërkuar nga gjykata që të lëshojë fletarrestime për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, lidhur me krimet e supozuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Gazë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Turqia kërkon që komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë në Lindjen e Mesme appeared first on Euronews Albania.

Qëlluan me armën e shërbimit ndaj një makine, 1 polic në kërkim, 2 detyrim paraqitje

23 September 2024 at 21:44

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka caktuar masat e sigurimit arrest me burg për një efektiv të Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe detyrim paraqitjeje për dy të tjerë.

Përmes një njoftimi AMP bën me dije se më 8 mars, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë-Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet.

Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.

AMP ka ekzekutuar vendimin e kësaj Gjykatës së Tiranës, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”:

Inspektor Rezart Berberi, 34 vjeç, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Kallëzim i rremë”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij;

Inspektor Elton Dokollari, 46 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

Inspektor Florian Zeneli, 37 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Qëlluan me armën e shërbimit ndaj një makine, 1 polic në kërkim, 2 detyrim paraqitje appeared first on Euronews Albania.

“Ka tradhtuar kombin”, pastor Pano kundër projekti të Ramës për shtetin bektashi

23 September 2024 at 21:19

Shqipëria po planifikon një shtet të ri bektashi brenda kryeqytetit. Pastori Akil Pano në emisionin Now në Euronews Albania e cilësoi tradhti kombëtare vendimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, Këshillit Ndërfetar të Shqipëri duhet të dilte me një deklaratë të përbashkët, me 4 komunitetet, dhe jo 5, pasi siç tha bektashinjtë kanë lënë të kuptohet se e kanë përqafuar projektin e kryeministrit.

“Do ishte në nderin e Këshillit Ndërfetar të Shqipëri të dilnin me një deklaratë të përbashkët, 4 fatkeqësisht komuniteteve shqiptare se inkoherenca që po na zbulohet brenda 24 orëve nga kryegjyshata botërore e bektashinjve tregon se e kanë përqafuar projektin e Ramës për vendosjen e një shteti fetar brenda territorit sovran të republikës. Nëse është fjala për ta ruajtur harmoninë fetare duhet që asnjë nga këto të mos shkëputet nga kjo buqetë për t’i dhënë një status i veçantë. Sa e ekspozon Shqipërinë në raportet problematike në dimensionin gjeopolitik? Nuk kemi të bëjmë me një kërkesë të komunitetit bektashi, është projekti i një personi që komunikon me popullin e vet përmes medias së huaj siç bëri për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë. Neni i parë i kushtetutës cenohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, kemi të bëjmë me çështje që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë e nocionin e tradhtisë kombëtare”, tha pastori Pano.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Ka tradhtuar kombin”, pastor Pano kundër projekti të Ramës për shtetin bektashi appeared first on Euronews Albania.

Franca do të jetë lider në Inteligjencën artificiale, krijon sekretariatin për AI

23 September 2024 at 20:57

Franca krijoi Sekretariatin e parë për Inteligjencën Artificiale në kuadër të Ministrisë së Arsimit të Lartë dhe Kërkimit dhe zgjodhi sekretaren e parë femër të këtij departamenti si pjesë e strategjisë së saj për t’u dalluar si një lider botëror në fushën e teknologjive të reja.

Clara Shapa, ish-CEO e startup-it qeveritar “La French Tech”, ka marrë rolin e Sekretares së Shtetit për Inteligjencën Artificiale dhe Dixhitalizimin.

“Jam e emocionuar që vazhdoj angazhimin tim për veprim publik në këto tema të rëndësishme”, tha Shapa në postimin e saj në LinkedIn.

Pozicioni i saj më parë nuk përfshinte inteligjencën artificiale në emër dhe ndryshimi është në përputhje me qëllimet e presidentit Emmanuel Macron për ta bërë Parisin “qytetin e AI”, shkruan Euronews.

Që kur kompania amerikane OpenAI lançoi ChatGPT 2022, Franca ka promovuar versionet e veta të modeleve gjeneruese të inteligjencës artificiale, si Mistral AI dhe H.

Vendi do të presë gjithashtu Samitin Ndërkombëtar të AI në shkurt, pasi dy edicionet e mëparshme të mbledhjes u mbajtën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Korenë e Jugut.

Vitin e kaluar, Franca njoftoi një strategji kombëtare për inteligjencën artificiale, e cila përfshin investimin e deri në 500 milionë euro në krijimin e një grupi AI deri në vitin 2030.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Franca do të jetë lider në Inteligjencën artificiale, krijon sekretariatin për AI appeared first on Euronews Albania.

Rusia fut ndëshkimin për “rusofobinë” në Kodin e saj Penal

23 September 2024 at 19:05

Autoritetet ruse planifikojnë të ndryshojnë Kodin Penal, për të futur ndëshkimin për “rusofobinë”, e përcaktuar si diskriminim kundër qytetarëve rusë dhe banorëve të Federatës Ruse nga të huajt dhe zyrtarët e huaj jashtë vendit ose thirrje për veprime të tilla.

Agjencia e lajmeve Interfax raportoi më 23 shtator se ka siguruar dokumentin qeveritar që miraton një projektligj të hartuar nga një grup ligjvënësit, sipas të cilit, gjykimet e individëve të akuzuar për rusofobi do të mbahen në mungesë.

Kabineti qeverisës ka miratuar projektligjin, por tha se ndëshkimi për personat e dënuar për rusofobi duhet të rishikohet.

Në projektligj thuhet se ndëshkimi për rusofobi duhet të jetë “ndalimi i individëve nga drejtimi i posteve të caktuara dhe ndalimi që të kryejnë aktivitete të caktuara në Rusi”.

Megjithatë, Qeveria ruse tha se ky ndëshkim nuk ka kuptim, pasi do të prekte individët që jetojnë jashtë Rusisë.

Neni i ri në Kodin Penal për rusofobinë do të ketë për shënjestër vetëm rastet e rusofobisë jashtë vendit. Në dokument nuk specifikohet se çfarë nënkupton diskriminimi i qytetarëve rusë dhe banorëve të Federatës Ruse.

Në vitet e fundit, veçmas pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, autoritetet ruse kanë akuzuar zyrtarët perëndimorë për atë që ata e quajnë rusofobi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, publikisht ka përmendur “anulimin e kulturës ruse” në Perëndim.

Disa autoritete ruse, përfshirë Ministrinë e Jashtme, i kanë quajtur sanksionet perëndimore – të vendosura ndaj zyrtarëve dhe entiteteve ruse për shkak të luftës kundër Ukrainës – si “shprehje të rusofobisë”.

Termi rusofobi për herë të parë u përdor në shekullin e 19-të nga poeti dhe diplomati rus, Fyodor Tyutchev. Ai e përdori këtë term për të përshkruar rusët liberalë properëndimorë.

Timothy Snyder, profesor në Universitetin Yale, gjatë paraqitjes së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mars të vitit 2023, e përshkroi rusofobinë si mjet që përdoret nga Rusia moderne për të justifikuar krimet që pretendohet se janë kryer nga forcat e saj të armatosura në Ukrainë.

 

The post Rusia fut ndëshkimin për “rusofobinë” në Kodin e saj Penal appeared first on Euronews Albania.

Ekonomisti Cenko: 27 hektarë tokë shteti bektashi, sa 100 restorante luksi

23 September 2024 at 18:57

Shqipëria po planifikon një shtet të ri bektashi brenda kryeqytetit.

Eksperti i ekonomisë Enriko Cenko tha në emisionin People në Euronews Albania se të gjitha mikroshtetet në Evropë kanë sfond fetar dhe të ardhurat për frymë janë shumë të larta.

Sipas tij, potenciali ekonomik pas projektit të shtetit bektashi është shumë i madh.

“Nëse flasim për aspektin ekonomik, shtete të vogla ndahen në mikroshtete edhe shtete të vogla, është një përkufizim i Bankës Botërore, i OKB dhe i Akademisë së Shkencave të Republikës Çeke. Në Evropë janë Andora, San Marino, Vatikani etj. Flasim për 27 ha tokë që janë 270 mijë metër katrore, që janë afërsisht 54 fusha futbolli, një fushë futbolli është 5 mijë metra katrorë. Po ta marrim nga ana ekonomike janë 54 hotele, janë 100 restorante luksoze, nuk po mbroj kauzën, po e analizoj nga ana ekonomike. Nga shtete e vogla që përmenda të paktën 2 janë më të vogla se ky 27 hektarëshi, Monako 2 km katrore, Vatikan 0,49 km katrore. Andora 50 mijë dollarë për frymë në vit, Malta 42 mijë, San Marino 80 mijë, të gjitha këto shtete kanë sfond fetar”, tha Cenko.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ekonomisti Cenko: 27 hektarë tokë shteti bektashi, sa 100 restorante luksi appeared first on Euronews Albania.

Libani: 274 të vrarë nga sulmet ajrore izraelite, mes të cilëve 21 fëmijë

23 September 2024 at 18:03

Autoritetet libaneze sapo kanë përditësuar numrin e të vdekurve nga sulmet e sotme ajrore izraelite.

Të paktën 274 njerëz janë vrarë deri tani, 21 prej të cilëve ishin fëmijë, sipas ministrit të shëndetësisë të Libanit.

1024 persona të tjerë janë plagosur në sulme, shton ministri.

Kryeministri i Libanit i ka quajtur sulmet e Izraelit ndaj vendit të tij një “plan shkatërrues që synon të shkatërrojë fshatrat dhe qytetet libaneze”.

Duke folur në një konferencë me kabinetin e Libanit më herët këtë mëngjes, Najib Mikati tha se veprimet e Izraelit shënuan “një luftë shfarosjeje në çdo kuptim të fjalës”.

Ushtria izraelite nga e saj ka bërë me dije se ka sulmuar rreth 800 objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor dhe rajonin Bekaa të Libanit sot.

 

The post Libani: 274 të vrarë nga sulmet ajrore izraelite, mes të cilëve 21 fëmijë appeared first on Euronews Albania.

Pamje me dron nga Kryegjyshata, ja ku mund të ndërtohet shteti i ri bektashi

23 September 2024 at 17:50

Shqipëria po planifikon një shtet të ri bektashi brenda kryeqytetit. Në një artikull të gjatë, New York Times rrëfen në detaje nismën.

Madje gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” i ka kushtuar faqen e parë në versionin print të së dielës (22 Shtator), me lajmin mbi krijimin e Shteti i Urdhrit Bektashi, referuar deklaratës publike të kryeministrit Edi Rama ditë më parë dhe konfirmimit nga vetë Kryegjyshata Botërore.

Një foto e madhe e Baba Mondit në krye te gazetës më të rëndësishme të botës nuk e kishte nxjerrë kaq shumë në publicitet Shqipërinë.

Bëhet fjalë për një enklavë të stilit të Vatikanit që do të qeveriset nga bektashinjtë. Të paktën kjo është shpresa e klerikut që përgatitet ta drejtojë, Edmond Brahimaj i njohur si Baba Mondi, udhëheqësi kryesor i Bektashinjve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama shpjegoi për NYTimes se ka ndërmend t’i shpallë në të ardhmen e afërt planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.

Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi në lindje të Tiranës. Është vetëm një e katërta e madhësisë së Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut.

Një ekip ekspertësh ligjorë, ndërkombëtarë po hartojnë legjislacionin që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë dhe kjo do të duhet të miratohet nga Parlamenti.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Pamje me dron nga Kryegjyshata, ja ku mund të ndërtohet shteti i ri bektashi appeared first on Euronews Albania.

Dy rusë dhe një amerikane kthehen nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës

23 September 2024 at 17:06

Anija kozmike, Soyuz, që bartte dy rusë dhe një amerikane nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, ateroi në Kazakistan më 23 shtator, duke i dhënë fund qëndrimit rekord të dy rusëve në hapësirë.

Oleg Kononenko dhe Nikolai Chub u kthyen në Tokë pasi qëndruan për 374 ditë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Të premten ata thyen rekordin për qëndrimin më të gjatë në stacion. Në Tokë u kthye edhe amerikania, Tracy Dyson, e cila qëndroi në stacionin hapësinor për gjashtë muaj.

Tetë astronautë vazhdojnë të jenë në Stacionin e Hapësirës, përfshirë amerikanët Butch Wilmore dhe Suni Williams, të cilët ishte dashur të ktheheshin në Tokë kohë më parë.

Dyshja amerikane shkoi në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në qershor si ekipi i parë i anijes së re kozmike Starliner e Boeingut. Por, udhëtimi i tyre për në hapësirë u përcoll me probleme për shkak të rrjedhjes së heliumit dhe agjencia hapësinore amerikane, NASA, vendosi se është shumë e rrezikshme që ata të kthehen në Tokë me anijen kozmike, Starliner.

Dy astronautët pritet të kthehen në Tokë vitin e ardhshëm me një anije kozmike të SpaceX.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Dy rusë dhe një amerikane kthehen nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës appeared first on Euronews Albania.

Të paktën dhjetë persona humbën jetën në konfliktet mes karteleve meksikane

23 September 2024 at 16:55

Trupat e të paktën 10 personave janë gjetur në shtetin meksikan të Sinaloa, ku, sipas CBS, fraksionet ndërluftuese të kartelit Sinaloa janë në konflikt.

Mediat meksikane raportuan se trupat e pesë personave u gjetën në rrugë, gjysmë të zhveshur dhe me kapele në kokë, që besohet të jetë një mënyrë për t’i dërguar një mesazh një grupi rival.

Në një incident të veçantë, tre persona që besohet se ishin anëtarë të kartelit u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë dhe një person u arrestua, tha Guvernatori i Sinaloas, Ruben Rocha Moya.

Rreth 70 persona janë vrarë në atë shtet që nga 9 shtatori, shumica prej tyre në kryeqytetin e Sinaloas, Culiacan, pas arrestimit të një prej drejtuesve të kartelit Sinaloa, Ismael “El Mayo” Sambada, si dhe djalit të themeluesit të kartelit, Joaquin Guzmán López.

Sambada dhe Guzmán u arrestuan në një aeroport në New Mexico në fund të korrikut, pas së cilës u dërguan në El Paso, Teksas, ku u deklaruan të pafajshëm për akuzat për trafik droge.

Joaquin Guzmán Loera, i njohur gjithashtu si El Chapo, po vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale në Kolorado.

Sipas Reuters, në shtetin Sinaloa ekziston frika se pas arrestimit të Sambada, brenda kartelit do të shpërthejë një luftë për supremaci.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Të paktën dhjetë persona humbën jetën në konfliktet mes karteleve meksikane appeared first on Euronews Albania.

Alabama në kërkim të autorëve që hapën zjarr duke lënë 4 të vrarë e 17 të plagosur

23 September 2024 at 16:47

Autoritetet në SHBA vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorëve të cilët hapën zjarr të shtunën në Birmingam, të Alabamas, duke lënë 4 të vrarë dhe 17 të plagosur. Dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me pagesë me objektiv një nga personat që ka mbetur i vdekur.

Ky është një prej disa rasteve të të shtënave në masë gjatë këtij viti në Birmingam dhe zyrtarët lokalë po bëjnë thirrje për ndihmë për të luftuar krimin dhe për të trajtuar problemin e dhunës me armë zjarri, shkruan VOA.

Deri tani nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen, që la pas 4 të vdekur dhe 17 të plagosur. Autoritetet po vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorëve të sulmit që u shënua në një zonë të njohur për jetën e natës në Birmingam të Alabamës, pak pas orës 11 të mbrëmjes së të shtunës, me orën lokale.

“Në sulm morën pjesë disa persona. Ata ndodheshin në një makinë, dolën prej saj, hapën zjarr dhe u larguan me shpejtësi”, tha Scott Thurmond, nga policia e Birmingamit.

Dy burra dhe një grua u vranë në vendngjarje, ndërsa i katërti humbi jetën në spital. Viktimat janë Anitra Holloman, 21 vjeç, Tahj Booker, 27 vjeç dhe Carlos McCain, 27 vjeç, të tre nga Birmingami. Ata u gjetën të vdekur në një trotuar, në zonën Five Point South, të Birmingamit, një zonë me bare dhe restorante shumë e parapëlqyer në fundjavë. Viktimat e katërt, ende nuk është identifikuar.

4 nga 17 të plagosurit ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën.

Autoritetet besojnë se bëhet fjalë për vrasje me pagesë dhe se personi që ka qenë objektiv është mes të vrarëve.

“Besojmë se individi që ishte objektiv i sulmi është në mesin e të vdekurve dhe se dikush ka paguar për vrasjen e tij. Këto janë të dhënat që kemi deri më tani, mund të ndryshojnë, ndërsa hetimet vazhdojnë”, tha Scott Thurmond nga policia e Birmingamit.

Ky është rasti i 23-të i të shtënave në masë në Shtetet e Bashkuara për vitin 2024, sipas ekspertit të kriminalistikës James Alan Fox. Tre nga rastet janë shënuar në Birmingam, përfshirë një sulm në shkurt, që la 4 të vdekur.

Autorët hapën zjarr nga një makinë dhe qëlluan në drejtim të një grupi njerëzish. Dyshimet janë se edhe në atë rast, objektiv ishte një nga personat që mbeti i vdekur.

Ngjarjet kanë shqetësuar banorët e Birmingamit dhe kanë nxitur autoritetet vendore të bëjnë thirrje për të luftuar krimin dhe për të trajtuar problemin në shkallë të gjerë të dhunës me armë zjarri.

“Zyrtarët e zgjedhur në nivel lokal, shtetëror dhe kombëtar kanë për detyrë të zgjidhin këtë krizë amerikane, këtë epidemi amerikane të dhunës me armë. Ne nuk duhet t’i autorizojmë njerëzit të të mbajnë armë që nuk duhen lejuar dhe që të qarkullojnë me to në rrugë. Nuk duhet të lejohet dhe pikë. Nuk më intereson cila është politika e tyre”, tha kryetari i bashkisë së Birmingamit, Randall Woodfin.

Policia njoftoi se gjeti rreth 100 gëzhoja në vendngjarje dhe se po hetohet për të zbuluar se çfarë armësh janë përdorur dhe nëse ka pasur shkëmbim zjarri.

Autoritetet besojnë se në sulm u përdorën armë automatike.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Alabama në kërkim të autorëve që hapën zjarr duke lënë 4 të vrarë e 17 të plagosur appeared first on Euronews Albania.

OKB shpreh shqetësim për konfliktin në Lindjen e Mesme: Po shkon “në tjetër nivel”

23 September 2024 at 16:13

Kombet e Bashkuara ndezën alarmin lidhur me përshkallëzimin e dhunës mes Izraelit dhe Hezbollahut – grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – në Liban, duke paralajmëruar se veprimet dhe retorika po e çojnë konfliktin në Lindjen e Mesme në “tjetër nivel”.

“Jemi shumë të shqetësuar, shumë të brengosur për përshkallëzimin në Liban”, tha për AFP-në, Ravina Shamdasani, zëdhënëse e zyrës për të drejtat e njeriut në OKB.

“Sulmet që kemi parë ndaj pajisjeve të komunikimit, pejxherëve, pas sulmeve me raketa dhe shkëmbimit të zjarrit mes palëve përbëjnë përshkallëzim”, shtoi ajo.

Sipas Shamdasani, OKB-ja që një kohë të gjatë ka paralajmëruar se konflikti mund të shndërrohet në konflikt rajonal, dhe “duket se si veprimet ashtu edhe retorika e palëve në konflikt po e çojnë konfliktin në tjetër nivel”.

Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në baza ditore përgjatë kufitar.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post OKB shpreh shqetësim për konfliktin në Lindjen e Mesme: Po shkon “në tjetër nivel” appeared first on Euronews Albania.

❌
❌