Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 October 2024Main stream

Gara Harris-Trump, muaji i fundit i fushatës për Shtëpinë e Bardhë

By: lia rda
5 October 2024 at 17:50

Ka mbetur vetëm një muaj deri në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump vazhdojnë fushatën intensive. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns i hedh një vështrim garës së kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë që ka hyrë në fazën e fundit të saj.

Rivalët Donald Trump dhe Kamala Harris po përpiqen në muajin e fundit të fushatave të tyre që të fitojnë terren në komunitetet ku mund të kenë mbështetje më të vogël.

Sondazhet tregojnë se Nënpresidentja Harris gëzon mbështetje më të madhe mes votueseve gra. Gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut, zoti Trump u zotua t’i mbronte gratë, për të cilat tha se janë më të varfra, me më shumë probleme shëndetësore dhe më pak të sigurta sesa kur ai ishte president.

“Po harxhojnë më shumë para për ushqimet dhe gjithçka tjetër se sa shpenzonin katër vjet më parë. Janë më të stresuara, më të dëshpëruara dhe të pakënaqura se sa ishin katër vjet më parë. Unë do t’i rregulloj të gjitha këto probleme”, u premtoi zoti Trump grave amerikane.

Qasja ndaj abortit është një nga arsyet se pse zoti Trump renditet pas demokrates Harris mes votueseve gra. Ai emëroi në Gjykatën e Lartë pjesëtarë që ndihmuan në dhënien fund të një ligji federal mbi 50 vjeçar për mbrojtjen e abortit.

Më shumë se njëzet shtete kanë vënë kufizime për abortin pas vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 2022, mes tyre edhe Xhorxhia. Zonja Harris tha në tubim se këto votime kanë të bëjnë me liritë e grave.

“Nuk është e nevojshme që dikush të braktisë besimin fetar apo bindjet e veta për të rënë dakord se shteti nuk duhet t’u tregojë grave se çfarë duhet të bëjnë. Gratë mund të zgjedhin vetë nëse duan të flasin me priftin, rabinin apo hoxhën. Pra nuk i takon qeverisë apo Donald Trumpit që t’u thotë grave se çfarë të bëjnë me trupin e tyre”, tha zonja Harris.

Por nga ana tjetër, republikani Trump kryeson mes votuesve burra.

Përpjekjet për të shtuar mbështetjen për zonjën Harris mes burrave përfshijnë edhe një reklamë nga “Projekti Linkoln” që është kundër zotit Trump. Reklama thotë se Harris është më e mira për klasën e mesme dhe u kërkon burrave të votojnë për të.

Ekonomia vazhdon të jetë çështja kryesore për shumicën e votuesve. Zoti Trump thotë se do të tërheqë investime të huaja dhe hapë më shumë vende pune.

“Kompanive dhe bizneseve më të mëdha të botës do t’u ofroj taksa më të ulëta, kosto më të ulët për energjinë, lehtësime për çështjet rregullatore dhe qasje falas në tregun më të mirë dhe më të madh në planet, por vetëm nëse produkti i tyre bëhet këtu në Amerikë”, tha zoti Trump.

Zonja Harris po premton një ndihmë prej 25 mijë dollarësh për blerësit e rinj të shtëpive.

“E di se çdo të thotë për njerëzit që punojnë pa pushim, kursejnë dhe kanë një ëndërr që ka të bëjë me dinjitetin e punës së tyre dhe investimin për të ardhmen e tyre, të ardhmen e familjes së tyre. Një investim në krenarinë e tyre, që me të drejtë e meritojnë për shkak të punës së tyre të palodhur”, tha zonja Harris.

Votimi i hershëm ka vazhduar tashmë në 23 shtete. Votuesja Maxine Maxim mbështet zonjën Harris.

“Kemi nevojë për një ndryshim. Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë duhet të kenë kuptim. Duam të drejtat e grave”.

Votuesi Eugene Otteson mbështet zotin Trump.

“Më pëlqen dikush që mund të drejtojë një biznes. Ai dëshmoi se mund ta drejtojë vendin. Ende nuk e dimë se cilat janë qëndrimet e Kamalës”.

Ndërsa shumica e shteteve janë të vendosura se për kë do të votojnë, ka që të ngjarë që fituesi i zgjedhjeve të përcaktohet nga shtetet fushëbetejë si Miçigani, Uiskonsin, Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Arizona dhe Nevada./voa

Fillon në Kongo vaksinimi kundër lisë së majmunit

By: lia rda
5 October 2024 at 17:38

Autoritetet në Kongo filluan këtë shtunë vaksinimin e popullatës kundër lisë së majmunëve, pothuajse dy muaj pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli një epidemi që ka prekur disa vende afrikane.

Gati 265,000 doza vaksinash të dhuruara në Kongos nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë dërguar në qytetin lindor të Gomës në provincën e Kivu-së veriore, ku spitalet dhe punonjësit e shëndetësisë janë të stërngarkuar duke u përpjekur të përmbajnë një lloj të ri dhe ndoshta më infektues të virusit.

Kongo, me rreth 30,000 raste të regjistruara nga lija e majmunëve dhe 859 vdekje, përbën më shumë se 80 për qind të të gjitha rasteve dhe 99 për qind të të gjitha vdekjeve të raportuara në Afrikë këtë vit. Rastet e infeksionit janë regjistruar në të 26 provincat e vendit.

Megjithëse shumica e infeksioneve dhe vdekjeve të lisë së majmunëve të raportuara në Kongo kanë qenë te fëmijët nën 15 vjeç, dozat e destinuara vetëm për të rriturit do t’u jepen popullatave në rrezik dhe punëtorëve të vijës së parë, tha këtë javë Ministri i Shëndetësisë Roger Kamba./abcnews.al

Kievi: Rusia ka vrarë 93 të burgosur lufte

By: lia rda
5 October 2024 at 17:06

Ukraina ka prova të dokumentuara për ekzekutimin e 93 të burgosurve ukrainas të luftës, sipas një zyrtari të ngarkuar me hetimin e krimeve të luftës gjatë agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Yuriy Belousov, i cili drejton departamentin e Prokurorisë së Përgjithshme mbi hetimin e krimeve në konflikt të armatosur, e njoftoi shifrën e fundit të premten.

“Kemi informacion për vdekjen e 93 ushtarëve tanë që u ekzekutuan në fushën e betejës,” tha zoti Belousov në një paraqitje televizive.

Ai tha se rreth 80% e ekzekutimeve u regjistruan këtë vit, por se numri i ekzekutimeve filloi të rritet në nëntor “kur qëndrimet e ushtarakëve rusë ndaj robërve tanë të luftës u ashpërsuan”.

Më 1 tetor, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi se kishte hapur një hetim për atë që e cilësoi si “ekzekutimin më të madh masiv” të të burgosurve ukrainas të luftës nga trupat ruse që nga fillimi i agresionit rus në shkurt 2022.

Sipas një deklarate zyrtare të Ukrainës publikuar në kanalin Telegram, forcat ruse kohët e fundit vranë 16 të burgosur ukrainas lufte pranë fshatrave Mykolayivka dhe Sukhiy Yar në qarkun Pokrovsk të rajonit Donetsk. Videot e qarkulluara në kanale të ndryshme në Telegram duket se tregojnë ushtarë ukrainas, të kapur rishtazi nga trupat ruse, duke dalë nga një zonë pyjore.

Pasi të burgosurit janë rreshtuar, forcat ruse duket se hapin zjarr. Më pas, videot duket se tregojnë ushtarë rusë që u afrohen atyre që vetëm ishin plagosur dhe i qëllojnë përsëri nga një distancë e afërt me mitralozë. Videot nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, ekzekutimi i ushtarëve që dorëzohen konsiderohet një krim lufte. Komisioneri i Ukrainës për të Drejtat e Njeriut Dmytro Lubinets tha se kishte kontaktuar si Kombet e Bashkuara ashtu edhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lidhur me vdekjet, duke përmendur shkeljet e Konventave të Gjenevës, ku parashikohet trajtimi i të burgosurve të luftës.

Në mars, Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë publikoi një raport ku dokumentihej ekzekutimi i të paktën 32 të burgosurve ukrainas të luftës në 12 raste të veçanta nga dhjetori 2023 deri në shkurt 2024./voa

Reshjet në Malin e Zi/ Analisti: Situatë e vështirë dhe në qytetet bregdetare, Budva po përmbytet për herë të tretë

By: lia rda
5 October 2024 at 16:45

Edhe në Malin e Zi, situata nga reshjet paraqitet e vështirë për shkak të reshjeve të denduara të shiut. Disa shtëpi dhe rrugë janë përmbytur të premten në veri të Malit të Zi, pasi dy lumenj dolën nga shtrati.

Lidhur me këtë ka folur për “Faqja 4”, në një lidhje me Skype, analisti Sami Flamuri, i cili ka thënë se reshjet kanë prekur dhe vendet bregdetare, si Budva, e cila është hera e tretë që përmbytet.

Ai pranoi se ka pasur dhe problematika të tjera, si bujqësia, pasi uji është në nivele të larta.

“Vërshimet që ndodhën mbrëmë në Mal të Zi ishin kryesisht në Veri-Perëndim të Malit të Zi. Reshjet e dendura i kanë ndryshuar rrugët tek këto vende. Edhe në Podgoricë ishte vështirësuar gjendja për shkak të reshjeve. E njejta gjë ishte dhe për qytetet bregdetare, si në rastin e Budvës, që është hera e tretë që po përmbytet për shkak të reshjeve. Gjithashtu dhe në Tivar, ku u shkatërrua një monument, në bulevard.

Ka pasur problematika, edhe në bagëti dhe pamundësia që njerëzit t’i prekin, pasi uji është në nivele të larta. Këto reshje janë jashtë të zakonshmes, por paralajmërimet kanë qene dhe institucionet kanë qenë të papërgatitura”.

Sa i përket gjendjes së rrugëve, Flamuri tha: “Rruget kryesore janë të kalueshme në Mal të Zi, por do i lutesha qytetarëve të kenë kujdes dhe të vozisin ngadalë, për shkak të lagështirës”./abcnews.al

Izraeli kryen sulme ajrore në Bejrut dhe në veri të Libanit

By: lia rda
5 October 2024 at 15:58

Izraeli ka zgjeruar bombardimet në Liban më 5 tetor, duke goditur periferitë në jug të Bejrutit përmes 12 sulmeve ajrore dhe duke sulmuar një kamp të refugjatëve palestinezë në veri të Libanit.

Kjo është hera e parë që Izraeli ka sulmuar veriun e Libanit. Sulmi në kampin Bedavi, afër Tripolit në veri, la të vrarë një komandant të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – si dhe gruan dhe dy vajzat e tij, njoftoi grupi palestinez.

Tripoli gjendet në veri dhe është shumë larg nga shumica e sulmeve të kryera nga Izraeli, që kryesisht janë përqendruar në jug të Libanit dhe Bejrut.

Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të Hamasit në Liban që kur nisi mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në tetor të vitit të kaluar. Izraeli po ashtu ka vrarë udhëheqës të lartë të Hezbollahut, që është grup militant dhe parti politike që kontrollin shumicën e jugut të Libanit.

Të paktë gjashtë persona janë vrarë në dhjetëra sulme ajrore që Izraeli kreu gjatë natës dhe të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Liban.

Ushtria izraelite tha se forcat speciale kanë kryer bastisje të shënjestruara tokësore kundër infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit, duke shkatërruar raketa, raketahedhës, kulla vrojtimi dhe depo të armëve. Ushtria tha po ashtu se ka shkatërruar tunele që Hezbollahu, sipas saj, i ka përdorur për t’iu afruar kufirit izraelit.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, e cila ka ulëse në Parlamentin libanez.

Afër 1.400 libanezë, përfshirë luftëtarë të Hezbollahut dhe civilë, janë vrarë dhe rreth 1.2 milion të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në fund të shtatorit, me qëllim që të dëmtojë grupin e Hezbollahut dhe ta dëbojë atë nga kufiri. Më herët gjatë javës, Izraeli nisi ofensivë tokësore në jug të Libanit. Në ditët e fundit, nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë betejave me Hezbollahun në jug të Libanit, ka thënë ushtria.

Në dy javët e fundit, pothuajse 375.000 persona janë larguar nga Libani për në Siri për shkak të luftimeve, sipas të dhënave të Qeverisë libaneze.

Teksa po vazhdojnë luftimet në Liban, Izraeli po ashtu është duke vazhduar luftën në Gazë kundër Hamasit. Më 5 tetor, në veri të Gazës dhe në pjesën qendrore të enklavës janë vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, gjatë sulmeve izraelite, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Hamasi sulmoi veriun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë, sulm që nxiti luftën në Gazë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë pothuajse 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë./rel

Rritet niveli i Fierzës/ Reshjet përmirësojnë situatën hidrike, shtohet prodhimi i energjisë

By: lia rda
5 October 2024 at 15:40

Reshjet e dendura të shiut kanë dhënë efek pozitiv në situatën energjitike në vend. Intesiteti i madh i reshjeve dy ditët e fundit ka bërë që niveli i ujit në Fierzë të rritet me gati 2 metra. Aktualisht rezulton se niveli në kaskadë është 271.7 metra nga rreth 270 që ishte një javë më parë. Po ashtu mësohet se dhe prurjet janë shtuar duke rezultuar në 110 m3 kub në sekond nga 70 që ishin para disa ditëve.

Përmirësimi i situatës hidrike nënkupton rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në vendin  tonë. Prej disa muajsh Korporata elektroenergjitike Shqiptare ka importuar energji elektrike për të plotësuar nevojat e vendit.

Vetëm në javën e fundit KESH ka blerë energji në vlerën e 4 milionë eurove. Mungesa e reshjeve të shiut ka ndikuar në prodhimin e energjisë gjatë këtij viti por treguesit e sektorit energjitik në vend janë më optimist pasi ka ulje te humbjeve në rrjet e rritje të arkëtimeve. Prej disa muajve në vend ka pasur shumë pak reshje duke ndikuar në nivelin e ujit në kaskadën e Drinit. Sipas Entit Rregullator të Energjisë gjatë 8-mujorit të këtij viti u prodhuan rreth 5.4 mln mwh  nga 6.2 mln mwh që ishte një vit më parë./abcnews.al

Rritet kredia për turizmin/ Banka jep më shumë hua për bizneset tregtare dhe hotelerinë

By: lia rda
5 October 2024 at 15:23

Ecuria e turizmit ka nxitur bizneset që opërojnë në këtë sektor që të shtojnë investimet. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se huaja e dhënë për bizneset në sektorin e tregtisë dhe shërbimit kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë muajve të fundit. Tregtia me pakice dhe ajo me shumicë kanë marrë më shumë mbështetje  gjatë muajit gusht në krahasim me të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë. Ky sektor është mbështetur me  mbi 12 miliardë lekë  në gusht  ose një rritje vjetore prej 14.4%. Gjatë këtij viti Shqipëria ka pritur një fluks të turistëve të huaj të cilët janë rritur me rreth 30 % ose 8.5 milionë  gjatë periudhës janar-gusht.

Edhe sektori i akomodimit ku bëjnë pjesë hoteleria dhe restorantet ka shtuar investimet dhe  ka marë më shumë mbështetje financiare  duke u dyfishuar  nëse e krahasojmë me fillimin e këtij viti. Në gusht kredidhënia për akomodimin rezulton se është 1.1 miliardë nga 632 milionë që ishte në fillim të vitit. Sektori i energjisë për muajin gusht të këtij viti renditet i dyti jo vetëm sa i përket rritjes vjetore por edhe masës së huasë me gati 10.7 miliardë lekë, ndërsa ndërtimi është  pozicionuar në vend të tretë me 3.7 miliardë lekë. Huaja e re drejt sektorit privat  gjatë Gushtit është  rreth 33 miliardë lekëve, në rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur fiksohej pranë rreth 21 miliardë lekëve rritja është pranë 55%. Shifrat tregojnë se krahasuar me vitet paraardhëse, kjo është shifra më e lartë që prej gushtit të vitit 2017.

KREDIA SIPAS SEKTOREVE

Tregtia                                12 mld leke

Energjia dhe industria     10.7 mld leke

Ndertimi                               3.7 mld leke

Industria perpunuese         2.3 mld leke

Akomodimi                           1.1 mld leke

/abcnews.al

Pasojat e përmbytjes në Vlorë/ Disa rrugë janë ende nën ujë, dëme në shtepi e biznese

By: lia rda
5 October 2024 at 15:12

Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut  disa rrugë në qytetin e Vlorës janë ende në ujë.

Situata më problematike paraqitet në lagjen “Lef Sallata”, atë  “10 korriku” dhe pranë bibliotekës së qytetit.

Banorë, punonjës të bashkisë, forca të ushtrisë po punojnë për kthimin e situatës në normalitet

Vërshimi i ujit shkaktoi dëme në disa banesa e biznese.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut mbrëmjen e të premtes bashkia largoi  nga banesat 55 persona dhe i strehoi në konvikte.

Banorë të qytetit i ndihmuan me veshje  dhe sende personale.

Në zonën pranë Kalasë reshjet shkakuan rënie gurësh dhe dherash nga një shkëmb.

Dy shtëpi u dëmtuan. Fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz.

Me kthimin e situatës në normalitet  kryebashkiaku i Vlorës  premtoi  dëmshpërblim  për familjet e dëmtuara.

Të premten sipas shërbimit meteorologjik ushtarak  në Vlorë vetëm për tre orë u regjistruan rreth 180 mm shi  duke bërë  që uji të vërshoi  në rrugë e biznese./abcnews.al

Siria aplikon për anëtarësim në organizatën BRICS

By: lia rda
5 October 2024 at 14:54

Siria dëshiron t’i bashkohet organizatës BRICS dhe tashmë ka paraqitur një kërkesë për pranim, njoftoi ambasadori sirian në Rusi, Bashar Jafari.

Ai theksoi se vendi i tij është shumë i interesuar t’i bashkohet asaj organizate.

“Ne dërguam një kërkesë me shkrim për pranim në BRICS”, tha ambasadori sirian në margjinat e forumit “Kaukazi i Veriut: Mundësi të reja gjeostrategjike”./abcnews.al

Peru/ Arkeologët zbulojnë vendin 600-vjeçar ku mendohet se sakrifikoheshin fëmijët

By: lia rda
5 October 2024 at 14:14

Në një zonë pranë qytetit Trujillo në veri të Perusë, arkeologët kanë zbuluar eshtrat e disa dhjetëra fëmijëve, që mendohet se u sakrifikuan më shumë se 600 vjet më parë.

“Shumë nga skeletet kanë prerje në kraharor dhe disa në brinjë”, tha arkeologu Julio Asencio nga zona e gërmimit.

Çdo fëmijë është varrosur veçmas, tha shkencëtari. Pranë zonës së gërmimit u gjetën edhe eshtrat e dy të rriturve dhe kockat e nëntë kafshëve lama, që mendohet të jenë një ofertë që përfaqëson burimin e tyre të ushqimit, veshjen dhe transportin.

Arkeologu Julio Asencio tha se ka gjasa që gjetjet i përkasin grupit lokal “Chimu” që dominoi pjesën veriore të Perusë nga vitet 700 deri në fund të viteve 1400.

Historianët besojnë se grupi mund t’i ketë sakrifikuar fëmijët si një përpjekje për të qetësuar perënditë në të cilat besonin pas shirave të dendur dhe përmbytjeve në zonë. Një dekadë më pas ata u pushtuan nga popullsia inkase.

Në të kaluarën, shkencëtarët zbuluan një tjetër zonë ku mendohet se janë bërë sakrifica masive të 140 fëmijëve nga grupi Chimu. Sipas shkencëtarëve skeletet e gjetur kishin prerje në kraharor dhe brinjë dhe besohet se më pas atyre u ishin hequr zemrat. Aty u gjetën edhe kockat e disa qindra lamave.

Arkeologët kanë zbuluar në Peru disa qindra rrënoja të kulturave të ndryshme para-hispanike e deri në perandorinë Inka, e cila 500 vjet më parë shtrihej nga Ekuadori jugor i ditëve të sotme e deri në pjesën qendrore të Kilit./voa

Përmbytjet në Vlorë/ Ministri Vengu: 250 forca ushtarake në të gjitha zonat e prekura, bypass është i hapur

By: lia rda
5 October 2024 at 14:28

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile, për t’u njohur nga afër me situatën e krijuar në këtë qytet si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike që preken zonën gjatë ditës së kaluar.

Ai ka thënë se 250 forca ushtarake janë në terren në të gjitha zonat e prekura.

Sipas ministrit, bypass është i hapur prej një ore.

“Sapo kemi realizuar një mbledhje të dytë të Komitetit të Emergjencave Civile Vlorë me Prefektin dhe Kryetarin e Bashkisë, edhe të gjithë strukturat që janë angazhuar në terren. Kemi 250 forca ushtarake në terren në të gjitha zonat e prekura. Sigurisht është ai trekëndëshi i rrugës, si ajo e “Albano dhe Romina”, Kishës Historike dhe Lagjes Historike, edhe mbeten një pjesë e pallateve dhe garazheve nën ujë, 16 janë evidentuar si të tilla. Forcat janë të angazhuara në mënyrë që të çlirohen ujërat dhe hidrovori të vijojë punën.

Jemi në një situatë që po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve në mënyrë që t’i qendrojmë pranë bizneseve dhe qytetarëve.

E para, ka shkaqe objektive. Kemi një situatë që në shumë pak kohë, kanë vërshuar 20 cm ujë në një zonë të dedikuar.

Ndërhyrja ka qene e shpej dhe e duhur, ekipet kane qenë në terren menjëherë. Ka qene tre orë shumë të vështira, pasi dhe terreni ka qene i vështirë. Një lajm I mirë është që bypass ka vijueshmëri në punë që prej një ore tashmë”, tha ndër të tjera ministri./abcnews.al

OKB: Më shumë se 200,000 njerëz ikën nga Libani në Siri për shkak të sulmeve izraelite

By: lia rda
5 October 2024 at 13:38

Më shumë se 200,000 njerëz janë larguar nga Libani në Sirinë fqinje për shkak të sulmeve ajrore izraelite, njoftuan këtë të shtunë Kombet e Bashkuara. Ky numër përfshin qytetarët libanezë dhe sirianë që jetonin në Liban, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, shkruan BBC.

Sipas qeverisë libaneze, numri i përgjithshëm i refugjatëve nga Libani është më i lartë dhe arrin në 300,000.

Vendkalimi kufitar mes Libanit dhe Sirisë, Masna, është bllokuar pas sulmit izraelit të kryer të premte në afërsi të atij vendkalimi, për shkak se rruga me të cilën njerëzit nga Libani po evakuohen për në Siri është dëmtuar nga sulmi izraelit, tha ministri libanez i Transportit Ali Hamieh./abcnews.al

Inteligjenca Artificiale ndihmon biznesin/ Lezhë, një biznes aplikon programe që reduktojnë staf pune

By: lia rda
5 October 2024 at 13:19

Teknologjia ka sjellë gjithnjë ndryshimin në botë, duke përmirësuar mënyrën sesi në jetojmë. Ndërsa vitet e fundit inteligjenca artificiale po evolon me shpejtësi dhe ekspertët shprehen se ajo është gati të shkaktojë ndryshimin më të madh qeë ka ndodhur ndonjëherë në ekonomine globale dhe tregun e punës, transformim të ngjashëm me ate që beri dikur revolucioni industrial. Të dhenat më të fundit tregojne se 3% e bizneseve neë Shqipëri po përdorin inteligjencën artificiale. Jemi në Lezhë, në një nga bizneset qe prej pak kohësh ka futur në përdorim këtë teknkologji.

Drini Zusi është një nga sipërmarrësit e parë në vend që ka nisur që prej vitit të kaluar të përfshijë në fabrikën e tij të përpunimit të nënprodukteve shtazore një program të inteligjencës artificiale. Nje program i tille i sjell angazhimin e me pak burimesh njerezore.

“Ky eshte ERP, programi qe ne kemi instaluar per menaxhimib e gjite grupit, se grupi perbeht nga 6 kompani dhe 4 fabrika prodhimi. Ky eshte sistem qe e menaxhon nga A te Zh, 100% kompanine, pa pasur nevojs te perdore asnje program tjeter apo eksel. Ky moduli qe ne kemi instaluar ka edhe pjesen e gjenerimit te raporteve me ane te inteligjences artificiale. Indikatoret kyc te performances se reparteve perpiqemi ti kemi cdo dite te matshme qe ta dime si po performon reparti, punonjesit dhe te dime se ku duhet te nderhyjme”.

Përfshirja e Inteligjencës Artificiale në punën e përditshme në fabrikë ndonëse është në fazën e parë të implementimit ka dhënë rezultate pozitive.

“Rritje te eficesnes eshte nr 1. Gjithmone e thonim qe kemi nevoje per nje dashboard qe arrin te shohe te gjithe indikatoret kyc te kompanise ne kohe reale. Sepse te pasurit e informacionit ne kohe reale eshte baza sesi ti ts nderhysh ne momentin e duhur ne luhatjet e ndryshme qe mund te ndodhin gjate biznesit. Neve na ndodhi vjet qe per shkak te renies se euros na u desh te ndryshonim strategjine, por nuk kishim infon e duhur dhe nderhyme vone, kur kishim pesuar shume humbje”.

Në fabrikën e përpunimit punojnë çdo ditë qindra punëtorë përgjegjës për sektorë të ndryshëm. Por a do të ndikojë përfshirja e inteligjencës artificiale në atë që aktualisht në këtë industri e bën dora e njeriut?

“Eshte ende shume larg implementimi ne shqiperi i programeve qe mund te menaxhohen nga vetem nje person. Per mua eshte larg, ndoshta 5 vite qe te arrijne te zevendesohen njerez nga keto llojprogramesh. Do ndryshoje, pra nje njeri qe dikur hidhte vetem shifra, tani do behet analitik”.

Industria është një nga përfitueset më të mëdha të teknkologjisë, pasi në mungesë të fuqisë punëtore kanë investuar vitet e fundit në teknologji robotike. Megjithatë, sipas Zusit realiteti shqiptar është më ndryshe nga ajo se çka po ndodh me këtë sektor të teknkologjisë në botë.

“Në Shqipëri është pak e vështirë të pranohet ndryshimi. Por këto janë edhe invetsime që kërkojnë kosto dhe kompanitë nuk i përballojnë. Ne kemi hequr dorë nga letra. Nëse na duhej një person të merrte të dhënat në fabrikë, të mbante shënime në letër, më pas t’i sillte dhe t’i hidhnim në exel për të bërë llogaritjet, tani të dhënat i kemi në kohë reale, mjafton që punonjësi i hedh direkt në tablet, në programin që kemi instaluar”.

Me zhvillimin e shpejtë të saj, Inteligjenca Artificiale po tregon tejkalimin e aftësive njerëzore në sektorë të ndryshëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se 40% e vendeve të punës në botë do të ndikohen nga Inteligjenca Artificiale, e ndërsa kjo pritet të ndodhë debati për dobinë e saj në jetën tonë është gjithnjë i pranishëm./abcnews.al

Preket nga përmbytjet qyteti turistik talajndez, evakuuohen banorët

By: lia rda
5 October 2024 at 13:13

Qyteti i njohur turistik në Tajlandë, Chiang Mai, u godit nga përmbytjet pas shirave të dendur sezonalë dhe disa banorë u evakuuan. Autoritetet lokale po punojnë për të pastruar kanalet e kullimit, shkruan AP.

Pushteti vendor tha se niveli i lumit Ping që përshkon qytetin ka arritur në një nivel kritik dhe që prej ditës së djeshme është në rritje. Mediat tajlandeze raportojnë se është duke u bërë evakuimi i kafshëve nga disa parqe dhe strehimore të kafshëve.

Rreth 125 elefantë dhe kafshë të tjera u zhvendosën të sigurta nga Parku Natyror Elefant, ku disa prej tyre kishin shpëtuar në kërkim të një toke më të lartë. Trafiku i trenave për në qytetin Chiang Mai është ndërprerë, ndërsa aeroporti ndërkombëtar po funksionon normalisht.

Përmbytje u raportuan këtë të shtunë në 20 provinca tajlandeze, kryesisht në veri të vendit. Të paktën 49 persona kanë humbur jetën dhe 28 janë plagosur nga përmbytjet në Tajlandë që nga gushti, thanë zyrtarët më herët./abcnews.al

I kërkuar për kultivim të bimëve narkotike, kapet në tentativë për të hyrë në Shqipëri 33-vjeçari nga Puka

By: lia rda
5 October 2024 at 12:49

Një 33-vjeçar nga Puka është kapur në tentativë për të hyrë në Shqipëri dhe është arrestuar nga policia.

Mësohet se i riu është shpallur në kërkim si autor i kultivimit të bimë narkotike në fshatin Dedaj, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”.

Njoftimi i Policisë:

I kërkuar për kultivim të bimëve narkotike, kapet  në tentativë për të hyrë në Shqipëri dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

33-vjeçari, ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pukë, pasi pas hetimeve  disa mujore me metoda speciale të hetimit,  dyshohet si autor i kultivimit të  bimë narkotike në fshatin Dedaj, të njësisë administrative Qelëz.

33 vjeçari u kap në hyrje në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë  Morinë , falë informacionit të siguruar nga Policia e Pukës, shkëmbimit të informacionit  dhe bashkëpunimit me Policinë Kufitare të  Qafë Morinës.

Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga shërbimet e Komisariatit të  Policisë Pukë, për  një shtetas të shpallur në kërkim i cili do të hynte në Shqipëri nga  PPK  Qafë Morinë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Policinë Kufitare, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”,   u kap dhe u vu në pranga shtetasi 33 vjeç, banues në Pukë.

Materialet shtesë në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër./abcnews.al

Zjarri në azilin në Tiranë/ Flet e afërmja e një prej banorëve: Erdhëm për ta takuar, ja çfarë na tha policia

By: lia rda
5 October 2024 at 11:49

Mbrëmjen e së premtes një zjarr përfshiu një azil të moshuarish ë rrugën “Ali Visha” në Tiranë.

Siç raportoi ABC News, mësohet se shkak është bërë një shkëndijë elektrike nga kondicioneri, e cila ka prekur batanijet.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur dhe e afërmja e një prej banorëve të azilit, Martina Ndoj. Ajo ka thënë që në momentin që ndodhi ngjarja kishin ardhur për të takuar nipin 53-vjeç që vuan nga Parkisoni, por nuk mundën se policia i rrëfeu gjithçka.

“Ka shpërthyer kondicioneri, më pas shkëndijat kanë djegur batanijet dhe krevatin. E morëm vesh ngjarjen kur erdhëm këtu. Erdhëm për të parë nipin dhe na thanë. Shohim policinë dhe pyesim ça ka ndodhur. Na tregojnë dhe ngjarja ka ndodhur te dhoma e nipit tonë. Ata qendronin 3 persona në dhomë. Për gjendjen shëndetësore, erdhëm te spitali dhe pyetëm doktoreshën, ajo na tha që nuk ka asnjë problem”, u shpreh ajo.

Kujtojmë që katër prej të moshuarve po marrin ndihmë mjekësore, pasi njëri prej tyre ka djegie, ndërsa tre të tjerët kanë probleme me frymëmarrjen./abcnews.al

Biden: Nëse do të isha Izraeli, do të shqyrtoja alternativa për të sulmuar fushat e naftës

By: lia rda
5 October 2024 at 11:26

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se ai do të konsideronte alternativa ndaj sulmeve në fushat e naftës iraniane nëse do të ishte në vendin e Izraelit, duke shtuar se ai mendon se Izraeli nuk ka vendosur ende se si t’i përgjigjet Iranit.

Izraelitët nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë në lidhje me një sulm. Është duke u diskutuar. Nëse unë do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera përveç sulmit ndaj fushave të naftës”, tha presidenti amerikan, raportoi Reuters.

Biden u pyet gjithashtu nëse mendon se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke mos u angazhuar në diplomaci, po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet në SHBA të 5 nëntorit, në të cilat ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan Donald Trump përballet mekandidaten demokrate, Kamala Harris.

Ai u tha gazetarëve në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë se SHBA po shqyrton aktualisht vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Biden shtoi se ekipet amerikane dhe izraelite janë në kontakt të vazhdueshëm./abcnews.al

Zjarri në azil në Tiranë/ Lëndohen katër të moshuar, ja cili është shkaku i zjarrit

By: lia rda
5 October 2024 at 11:17

Detaje të reja kanë dalë nga djegia e azilit në Tiranë. Gazetari Ervin Leka raporton se shkak për mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike, e cila nga kondicioneri ka prekur një batanije dhe më pas është përhapur në të gjithë azilin.

Sakaq, mësohet janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore 4 të moshuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, mësohet se njëri prej të moshuarve ka djegie dhe tre të tjerët kanë probleme në frymëmarrje.

Ndërsa, të moshuarit e tjerë janë evakuuar nga azili./abcnews.al

 

Në kërkim ndërkombëtar, ekstradohet nga Vjena i riu bulqizak

By: lia rda
5 October 2024 at 10:49

Një 26-vjeçar nga Bulqiza është ekstraduar nga Vjena, pasi ka qenë në kërkim ndërkombëtar.

Mësohet se Gjykata e Elbasanit, në vitin 2022, e ka dënuar të riunë me 3 vjet e 4 muaj burgim, sepse në vitin 2021, u konstatua në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, në vendin e quajtur “Ura e Lizës”, duke transportuar me furgon, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, 10 emigrantë nga Siria që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe kishin destinacion shtetet e BE-së.

Njoftimi i Policisë:

Operacioni “Para drejtësisë”, ekstradohet nga Vjena, një i kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të Gjykatës së Elbasanit.

I ekstraduari, i dënuar me mbi 3 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Austri, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit , 26 vjeç, i lindur në Bulqizë.

Ai ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Elbasanit, në vitin 2022, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, sepse në vitin 2021, u konstatua në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, në vendin e quajtur “Ura e Lizës”, duke transportuar me furgon, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, 10 emigrantë nga Siria që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe kishin destinacion shtetet e BE-së.

Shtetasi do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet.për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet./abcnews.al

Kina dhe Koreja e Jugut kanë nisur evakuimin e qytetarëve të tyre nga Libani

By: lia rda
5 October 2024 at 10:22

Kina dhe Koreja e Jugut kanë nisur evakuimin e qytetarëve të tyre nga Libani për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut libanez.

Më shumë se 200 kinezë kanë mbërritur në mënyrë të sigurtë në Kinë dhe një aeroplan ushtarak me 97 qytetarë të Koresë së Jugut është ulur në një aeroport ushtarak në Seul, raporton Reuters.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës njoftoi se Ambasada Kineze në Bejrut vazhdon të operojë dhe të ndihmojë qytetarët kinezë që qëndrojnë në Liban për marrjen e masave të sigurisë.

Diplomatët e Koresë së Jugut mbeten në Liban.

Shumë vende filluan evakuimin e qytetarëve të tyre nga Libani pasi ushtria izraelite filloi një operacion tokësor në Liban dhe pasi Irani nisi një sulm me raketa ndaj Izraelit të martën./abcnews.al

❌
❌