Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 5 October 2024Main stream

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite: Kemi vrarë 440 anëtarë të Hezbollah

5 October 2024 at 22:39

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit (IDF) Daniel Hagari ka dhënë një deklaratë në lidhje me zhvillimet në luftën midis Izraelit dhe grupeve militante. Ai tha se ushtarët “po vazhdojnë të luftojnë dhe operojnë në Liban” dhe dy divizione po manovrojnë në terrene urbane dhe të tjera.

“Deri më tani 2,000 objektiva të Hezbollahut janë shkatërruar. Ushtarët tanë po mbledhin shumë armë nga Hezbollahu”, shtoi ai, shkruan skynews.

Hagari tha se trupat së fundmi bastisën një qendër komandimi dhe kontrolli që i përkiste Hezbollahut dhe “e shkatërruan plotësisht”.

Gjithashtu, ai njoftoi se ushtria izraelite ka arritur të vrasë 440 anëtarë të Hezbollahut”.

Zëdhënësi i IDF vazhdoi duke thënë se Hamasi “mund të përpiqet të kryejë sulme” në përvjetorin e sulmit të 7 tetorit.

“Ne supozojmë se në datën e përvjetorit ata do të përpiqen të kryejnë sulme terroriste kundër komandës së frontit të brendshëm”, tha ai. 

Kroacia akordon 10 milionë euro ndihma pas përmbytjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë

5 October 2024 at 22:04

Qeveria e Kroacisë ka marrë vendim për dërgimin e ndihmave humanitare për popullatën në zonat e prekura nga përmbytjet në Bosnje dhe Hercegovinë në vlerë prej 10 milionë euro.

“Qeveria e Republikës së Kroacisë, duke marrë parasysh shkallën e fatkeqësisë natyrore në Bosnje dhe Hercegovinë, vendosi të ndajë fonde në vlerë prej 10 milionë euro për të ofruar ndihmë urgjente në rehabilitimin e pasojave të përmbytjeve dhe për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës dhe të sigurojë nevojat bazë për viktimat dhe të evakuuarit. Kjo ndihmë financiare do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës me qëllim të ndihmës së popullatës në zonat e prekura nga përmbytjet “, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kroacisë, raportojnë mediat vendase.

Në të njëjtën kohë, Qeveria ngarkon organet e administratës shtetërore që, në kuadër të kompetencave të tyre, të shqyrtojnë mundësitë dhe të ndërmarrin hapat e duhur për t’i ofruar ndihmë popullatës në zonat e prekura nga përmbytjet, në përputhje me kërkesën për ndihmë ndërkombëtare.

“Kroacia qëndron fuqishëm në krah të Bosnjës dhe Hercegovinës fqinje dhe mike, e cila është prekur nga përmbytjet katastrofike. Krahas ndihmës financiare në vlerë prej 10 milionë euro, Kroacia merr pjesë aktive në dërgimin e ekipeve të shpëtimit dhe pajisjeve të nevojshme për rehabilitimin e terrenit dhe mbetet e gatshme dhe e hapur për të gjitha format e tjera të ndihmës në përputhje me nevojat e autoriteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës. Edhe një herë shprehim solidaritetin dhe ngushëllimin tonë të thellë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi e rëndë”, tha kryeministri Andrej Plenkoviç.

Qeveria e Republikës së Kroacisë tha se të gjitha shërbimet emergjente, institucionet kompetente dhe ministritë janë në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e tyre nga Bosnja dhe Hercegovina dhe monitorojnë me kujdes zhvillimin e situatës.

Kroacia është e gatshme të veprojë përmes Drejtorisë së Mbrojtjes Civile, brigadave të zjarrfikësve, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe përmes Kryqit të Kuq Kroat, në varësi të formës së ndihmës që kërkohet nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Bruksel, Greta Thunberg arrestohet gjatë protestës për klimën

5 October 2024 at 21:46

Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg u arrestua pasditen e sotme në Bruksel pasi ajo dhe një grup protestuesish të tjerë bllokuan një kryqëzim.

Siç raporton portali belg VRT, në orën 14:30 me orën lokale, rreth 300 aktivistë mjedisorë filluan një shëtitje proteste nga sheshi i Luksemburgut para Parlamentit Evropian deri në stacionin e metrosë Merode në Etterbeek.

Ata njoftuan se planifikojnë të mbajnë atje një “takim publik për drejtësinë klimatike”.

Gjenerali polak: Varshava duhet ta forcojë ushtrinë dhe ta përgatisë për luftë

5 October 2024 at 21:33

Polonia do të ketë nevojë për një ushtri shumë më të madhe, nëse kërkon të mbrohet nga ajo që duket të jetë një luftë e pashmangshme për këtë gjeneratë, citohet të ketë thënë një gjeneral i lartë polak.

Agjencia shtetërore e lajmeve PAP, citoi shefin e shtabit të forcave të armatosura, Gjeneralin Wieslaw Kukula, të ketë thënë se mplakja e popullsisë e bën të vështirë rekrutimin e ushtarëve të rinj.

“Gjithçka tregon se ne jemi brezi që duhet të luftojmë për ta mbrojtur vendin tonë. Unë dhe askush nga ju nuk kemi ndërmend ta humbasim këtë luftë”, tha Gjenerali Kulula gjatë një fjalimi përpara akademisë ushtarake të vendin në Universitetin e Forcave Tokësore në Wroclaw.

“Ne do ta fitojmë luftën dhe do të vazhdojmë ta ndërtojmë Poloninë, por diçka duhet të ndodhë. Ne duhet ta shtojmë rrethin e forcave të armatosura dhe t’i përgatisim për këtë lloj beteje”.

Gjenerali Kukula tha se kriza demografike do të ulë ritmin e rekrutimit.

“Fuqia e kundërshtarit është kaq e madhe sa duhet të krijojmë një ushtri shumë më të madhe, çka nënkupton aktivizimin e shërbimit të detyruar ushtarak”, citohet të ketë thënë zoti Kukula.

Aktualisht shërbimi ushtarak në Poloni nuk është i detyrueshëm.

Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë, deri në fund të këtij viti Polonia do të ketë rreth 207,500 ushtarë, shifër që e bën atë ushtrinë e tretë më të madhe të vendeve të NATO-s, sa i përket personelit. Në vend të parë renditen Shtetet e Bashkuara dhe pas saj Turqia.

Gjenerali Kukula tha në muajin korrik se Polonia duhet t’i përgatisë forcat e saj ushtarake për një konflikt në shkallë të gjerë. Marrëdhëniet e Polonisë me Rusinë dhe Bjellorusinë janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Moska filloi agresionin kundër Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022./ VOA

Publikohen pamjet, “Dragoi” ukrainas shkatërron tankun e ushtrisë ruse

5 October 2024 at 20:57

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka publikuar disa pamje që duket se tregojnë dronin ukrainas i njohur si “dragoi”, duke shkatërruar një tank rus. Bëhet e ditur se sulmi ka ndodhur pranë Minkivka, në Ukrainën lindore.

Forcat ukrainase me sa duket filluan të përdorin dronët e termitit në shtator, kur video të shumta u shfaqën në internet që shfaqnin dronët duke shpërndarë materialin ndezës i cili mund të shkrijë metalin.
Termiti është një përzierje e pluhurit të aluminit dhe një oksidi metalik që, kur ndizet, mund të digjet në temperatura mbi 2,000 gradë Celsius, përcjell Telegrafi.

James Patton Rogers, një ekspert i dronëve dhe drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikave Teknike Cornell Brooks, tha se termiti kishte qenë në përdorim ushtarak për aq kohë sa ekzistonte lufta ajrore.

“Përdorimi i dronëve në qiejt mbi fushën e betejës është mjaft i tmerrshëm, por ata poshtë tani duhet të përballen me kërcënimin e vërtetë të metalit të shkrirë dhe zjarrit që bie si shi nga lart”, tha Patton Rogers.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se forcat e saj kishin shkatërruar 8,916 tanke ruse që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022. Rritja e humbjeve të pajisjeve do të rëndojë më tej rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes së Moskës, e cila ka çuar në inflacion të shfrenuar në Rusi.

VIDEO/ Përmbytjet, normalizohet situata në akset kryesore të Vlorës

5 October 2024 at 20:34

VLORË– Pas reshjeve intensive të shiut është normalizuar situata në akset rrugore të qytetit të Vlorës.

Gazetaria i ABC News, Elton Nika, raporton se aktualisht të gjitha rrugët janë të kalueshme pa probleme.

Ndërkohë, në zonat në brendësi të lagjeve, po punohet intensivisht për largimin e ujit./abcnews.al

 

 

 

 

Turizëm elitar në Fushë Arrëz/ Bashkiaku Curri tregon planet për ndërtimin e një fshati turistik

5 October 2024 at 20:23

FUSHË ARRËZ- Bashkia e Fushë Arrëzit, sipërfaqja e së cilës është tërësisht e pyllëzuar, synon të zhvillojë turizmin elitar. Teksa udhëton në drejtim të qytetit, me rrugë gjarpëruese, sheh kudo vetëm pyje të larta dhe bimësi.

Numri i popullsisë është i ulët, ndërsa në dimër, disa rrugë rurale mbulohen nga dëbora.

Projektin ambicioz për shndërrimin e Fushë Arrëzit në një zonë me turizëm të zhvilluar, na e tregon bashkiaku i qytetit Hil Curri. Një fshat turistik është ajo çka është menduar nga autoritetet lokale.

Thotë se turistët janë dyfishuar, ndërsa ka edhe rezidentë të huaj që kanë zgjedhur të jetojnë dhe punojnë në Fushë Arrëz. Fushë Arrëzi, për shkak të natyrës që e karakterizon, po preferohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas dhe të huaj.

Projektet nuk do të ndalen vetëm në turizëm, por edhe në infrastrukture dhe shëndetësi. Si një bashkiak që përfaqëson koalicionin Bashkë Fitojmë, duket se ndryshe nga tjerët, është ngritur mbi ndasitë e politikës.

Bashkiaku i Fushë Arrëzit i qëndron besnik idesë për të ndihmuar në akomodimin e refugjatëve që pritet të vijnë në Gjadër, nga marrëveshja e qeverisë shqiptare me atë italiane./ abcnews.al

Tekniku i Flotës Ajrore të Ushtrisë/ Historia e Riza Vatës, pasioni mes shërbimit ushtarak dhe poezisë

5 October 2024 at 20:18

KUKËS- Gatishmëria e një avioni luftarak për t’u ngritur në ajër dhe për të përmbushur detyrat luftarake mbante firmën e Riza Vatës, njërit prej teknikëve më të aftë që ka shërbyer dikur në flotën ajrore të ushtrisë.

Për Rizain, i cili tani është në pension dhe po i afrohet të tetëdhjetave, kjo ishte një përgjegjësi e madhe. Ai ka kaluar 30 vite si ushtarak, duke u angazhuar me përkushtim në detyrat e tij.

30 vite si ushtarak nuk kanë qenë të lehta, por të shoqëruara me sfida dhe veshtirësi, gjithnjë me sytë nga qielli duke ndjerë emocionin e çdo ngritjeje në ajër të flotës së ushtrisë.

Ndonëse ka qenë dora dhe mendja e flotës ajrore, Rizai tregon arsyet përse tekniku nuk lejohet të marrë pjesë në fluturim. I moshuari tregon edhe arsyet përse zgjodhi këtë zanat.

Megjithatë, pasioni i tij nuk kufizohej vetëm në aviacion. Ai është gjithashtu një shkrimtar i talentuar, i apasionuar pas prozës dhe poezisë. Çdo ngjarje e rëndësishme, çdo përjetim që i linte gjurmë në shpirt, ai përpiqej ta hidhte në letër.

Në Kukës, Rizai njihet jo vetëm si teknik, por edhe si poeti popullor. Vargjet e tij janë një pasqyrë e ndjenjave të thella dhe realitetit të jetës së zakonshme.

Nuk ngurron të ndaje me shikuesit krijimin e tij të fundit. E pikërisht krijimi i tij i fundit lidhet me mikun e tij Sali Kingji, ndarë nga jeta pak ditë më parë.

Çdo ditë, Riza del në parkun e qytetit, aty ku takohet me bashkëmoshatarët e tij. Takimet janë mbushur me biseda për të kaluarën, kujtime nga shërbimi ushtarak dhe pasionet e përbashkëta.

Pavarësisht se si kalon koha, Riza gjithmonë mban me vete një dosje të mbushur me shkrimet e tij. Në këtë dosje, ndodhen poezi, tregime dhe reflektime personale, që përfaqësojnë një pjesë të madhe të jetës së tij dhe botës që ai dëshiron të ndajë me të tjerët.

Dosjet me shkrimet e Riza Vatës janë një dëshmi e përkushtimit dhe pasionit për artin e shkrimit, një trashëgimi që do t’i kalojë brezave të ardhshëm./ abcnews.al

Përmbytjet, Çuçi e Vëngu në Vlorë: Situata drejt normalizimit, të gjitha strukturat në terren

5 October 2024 at 20:16

Nënkryetari i Kuvendit dhe drejtuesi politik i socialistëve, Bledi Çuçi, ishte në Vlorë për të parë nga afër situatën emergjente të krijuar pas reshjeve intensive të shiut.

Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu dhe kryebashkiakun Ermal Dredha, u ndalën te hidrovori i Vlorës ku po vijon ndërhyrja për normalizimin e situatës.

Çuçi tha se të gjitha strukturat shtetërore janë në terren prej momenteve të para kur nisi kjo emergjencë dhe aktualisht gjendja është drejt përmirësimit.

Por sipas tij do duhet të bëhet një vlerësim i mirë i kësaj që ka ndodhur dhe të merren të gjitha masat për ndërhyrje në infrastrukturën e kanalizimeve, si dhe të ndihmohen qytetarët dhe bizneset e prekura nga përmbytjet.Më tej Çuçi mori pjesë edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në Prefekturën Vlorë, ku u diskutuan më gjerësisht masat për kapërcimin e kësaj situate.

Në manastirin e shekullit XIV/ Sarandë, brenda godinës, e ndërtuar edhe një kishë e stilit bizantin

5 October 2024 at 20:08

SARANDË- Manastiri i Shën Gjergjit, i vendosur në majën e kodrës së Manastirit, i përket shekullit të katërmbëdhjetë. Për shumë vite me radhë, aty kanë jetuar shërbyes fetarë, të cilët kryenin ritet për banorët e zonave përreth.

Arkeologu Halil Shabani, tregon se 3 shekuj më vonë, brenda manastirit, u ndërtua edhe kisha me të njëjtin emër, e cila po ashtu u shërbeu banorëve të zonës për rite fetare deri në ditët e sotme.

Veçantia e strukturës së ndërtimit të saj është katrore, duke ardhur me një kupolë në majën e saj, një kishë e stilit bizantin. Sipas profesor Shabanit, në manastir jetonin murgj ndërsa vizitohej shpesh edhe nga banorë të zonave përreth.

Në periudhën e sistemit socialist deri në vitin 1990, ambientet e këtij manastiri janë shfrytëzuar nga reparti ushtarak , për të gjithë ata që i shërbenin mbrojtjes së vendit.

Pozicioni i vendosjes së këtij manastiri, i ka shërbyer të gjitha pushteteve të kohës, pasi ndodhet në një pikë strategjike, në atë mënyrë që kontrollon gjithë territorin tokësor dhe detar. Sot manastiri është kthyer në gjendjen e tij të dikurshme dhe është një vend pelegrinazhi./ abcnews.al

Përplasi për vdekje këmbësorin dhe u largua, pranga shoferit në Pogradec

5 October 2024 at 19:37

TIRANË- Policia identifikon dhe arreston drejtuesin e mjetit që përplasi për vdekje mbrëmjen e të premtes një 40-vjeçar në afërsi të urës së Leshnicës.

Burimet thonë se drejtuesi i mjetit ishte 38-vjeçari Gentian Capo, ndërsa u kap në fshatin Gështenjas të Pogradecit dhe u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme.

Nga hetimet rezultoi se ishte ai personi që përplasi për vdekje këmbësorin dhe u largua nga vendngjarja me një mjet tip “Volkswagen”. Aktualisht, grupi hetimor po vijon veprimet e tjera lidhur me këtë ngjarje./ abcnews.al

Tjetër tragjedi në kanalin “La Mansh”, raportohet për disa viktima

5 October 2024 at 17:52

Disa emigrantë, duke përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën në përpjekjen e tyre për të kaluar kanalin “La Mansh”

Ministri francez i Punëve të Brendshme, Bruno Retailleau, e përshkroi incidentin si një “tragjedi të tmerrshme”, duke theksuar se “fëmija u shtyp për vdekje në një varkë”.

Retailleau fajësoi për tragjedinë kontrabandistët e qenieve njerëzore, sipas të cilit, ata “kanë gjakun e këtyre njerëzve në duart e tyre”.

Duke cituar gazetën lokale ‘La Voix du Nord’, mediat e huaja raportuan se të paktën katër emigrantë humbën jetën në dy incidente të ndara, duke përfshirë një fëmijë të vogël.

Shkencëtarët: Antarktida po gjelbërohet me një ritëm alarmant

5 October 2024 at 17:10

Pjesë të Antarktidës së akullt po bëhen të gjelbra me një ritëm alarmant pasi rajoni është përfshirë nga nxehtësi ekstreme, sipas një studimi të ri, gjë që ka shkaktuar shqetësime për ndryshimin e peizazhit në këtë kontinent të gjerë.

Shkencëtarët kanë përdorur imazhe satelitore dhe të dhëna për të analizuar nivelet e vegjetacionit në Gadishullin Antarktik, i cili është ngrohur shumë më shpejt se mesatarja globale.

Ata zbuluan se jeta e bimëve, kryesisht myshqet, ishte rritur në këtë mjedis të ashpër më shumë se 10 herë gjatë katër dekadave të fundit, sipas studimit të botuar në revistën Nature Geoscience.

Bëhet e ditur se shkalla me të cilën rajoni ka qenë duke u gjelbëruar gjatë gati katër dekadave është përshpejtuar më shumë se 30% midis viteve 2016 dhe 2021, shkruan CNN

Ndërsa peizazhi është ende pothuajse tërësisht borë, akull dhe shkëmb, kjo zonë e vogël e gjelbër është rritur në mënyrë dramatike që nga mesi i viteve 1980, sipas Thomas Roland, autor studimi dhe shkencëtar mjedisor në Universitetin e Exeter.

“Gjetjet tona konfirmojnë se ndikimi i ndryshimeve klimatike antropogjene nuk ka kufi në shtrirjen e tij”, tha Roland.

“Edhe në Gadishullin Antarktik – këtë rajon më ekstrem, të largët dhe të izoluar të shkretëtirës – peizazhi po ndryshon dhe këto efekte janë të dukshme nga hapësira”, shtoi ai.

Siç raportohet, Antarktida, vendi më i ftohtë në Tokë, kohët e fundit është përfshirë nga ngjarje ekstreme të nxehtësisë.

Ndërsa ndotja nga karburantet fosile vazhdon të ngrohë botën, Antarktida do të vazhdojë të ngrohet dhe ky gjelbërim ka të ngjarë të përshpejtohet, parashikojnë shkencëtarët.

Sa më shumë të gjelbërojë gadishulli, aq më shumë tokë do të formohet dhe aq më shumë ka gjasa që rajoni të bëhet më i favorshëm për speciet pushtuese, duke kërcënuar potencialisht jetën e egër vendase.

Gjelbërimi mund të zvogëlojë gjithashtu aftësinë e gadishullit për të reflektuar rrezatimin diellor përsëri në hapësirë, sepse sipërfaqet më të errëta thithin më shumë nxehtësi.

“Këto ndikime ka të ngjarë të jenë vetëm lokale, por mund të ndihmojnë në përshpejtimin e mëtejshëm të rritjes së jetës së bimëve ndërsa klima vazhdon të ngrohet”, tha një nga autorët, Olly Bartlett.

“Ky peizazh ikonë mund të ndryshohet përgjithmonë”, paralajmëroi Bartlett.

Before yesterdayMain stream

G7 miraton planin për të luftuar trafikimin e migrantëve

4 October 2024 at 17:28

Grupi i Shtatë vendeve të pasura demokratike (G7) do të krijojë njësi të specializuara policore për të hetuar trafikimin e migrantëve, tha sot ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, si pjesë e përpjekjeve për të trajtuar migracionin e parregullt, sipas Reuters.

Piantedosi njoftoi nismën në fund të një takimi treditor të ministrave të Brendshëm të G7, i cili u fokusua gjithashtu në kërcënimet që rrjedhin nga krizat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

“Plani i veprimit parashikon forcimin e kapaciteteve hetimore dhe operacionale të forcave të policisë, duke përfshirë nisjen e veprimeve të përbashkëta”, u tha ai gazetarëve pas bisedimeve në Mirabella Eclano në Italinë jugore.

“Ne përsëritëm me një zë se shkatërrimi i karteleve të trafikut është një prioritet”, shtoi ai.

Qeveria e djathtë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila mban presidencën e radhës të G7 për vitin 2024, ka kërkuar bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe qeveritë afrikane për të goditur trafikantët e qenieve njerëzore.

Përkeqësohet moti/ Shi dhe stuhi, të shtunën stuhia zhvendoset në juglindje

4 October 2024 at 14:08

SHQIPËRI– Moti i keq me stuhi dhe rrebeshe shiu ka përfshirë këtë të premte të gjithë vendin. Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve disa zona rrezikojnë përmbytje në ultësirën perëndimore.

“Presim reshje në formë shtrëngate që nga Shkodra, Lezha, Elbasani. Të gjitha këto zona do të reshje intensive. Për sa i përket jugut, do të jetë qarku i Vlorës më problematik”, thekson meteorologia Lajda Porja.

Ndërsa të shtunën stuhia zhvendoset nga zonat perëndimore në pjesën juglindore të vendit.

“Zhvendoset në qarkun e Korçës”, u shpreh ajo.

Situata e vështirë pritet të jetë edhe në zonat bregdetare, për shkak të erës së fortë, që ka sjellë edhe pezullimin e lundrimit.

“Problematike është një tjetër problem i erës. 75 km në orë. Parashikohet që e diela të mbetet me një erë të fortë. Fundjava problematike dhe të hënën normalikzohet situata e erës”, shtoi Porja.

Sipas sinoptikanëve, kushtet e motit do të përmirësohen gjatë fundjavës, ndërsa temperaturat ulen ndjeshëm.

“Ulet intensiteti i reshjeve të shtunën dhe të dielën. Kemi një freskim të motit në fundjavë. Zbret termometri të shtunën në 28 gradë dhe e diela 26 gradë. Fillon java me mot të qëndrueshëm, megjithatë kemi të mërkurën një tjetër sistem me reshje, por në këto masa”, tha ajo.

Tetori pritet të jetë i lagësht, ku do të ketë reshje gjatë gjithë muajit, më të intenfisikuara gjatë 15 ditëshit të parë./abcnews.al

Një bandë e armatosur sulmon qytetin, të paktën 20 të vdekur në Haiti

4 October 2024 at 12:48

Të paktën 20 persona, përfshirë fëmijë janë vrarë pasi një bandë e armatosur sulmoi një qytet të vogël në Haiti.

Mediat e huaja raportojnë se dhjetëra të tjerë u plagosën ndërsa anëtarët e bandës Gran Grif sulmuan nëpër Pont-Sondé në rajonin qendror Artibonite rreth 71 km (44 milje) në veri-perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince.

Pamjet video tregojnë grupe njerëzish që ikin nga dhuna me motoçikleta dhe në këmbë. Një prokuror i qeverisë e përshkroi sulmin si “një masakër”, raportoi Associated Press.

Bandat e armatosura kanë marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të Haitit dhe një mision policie i mbështetur nga OKB, i udhëhequr nga oficerë nga Kenia, filloi në qershor në një përpjekje për të kthyer kontrollin.

Numri i saktë i të vdekurve nga sulmi nuk është i qartë – media lokale raportoi se më shumë se 50 ishin vrarë, ndërsa një grup i të drejtave të njeriut nga Haiti e vendos shifrën në 20 ose më shumë, tha AP.

Gran Grif thuhet se është një nga bandat më të dhunshme të Haitit. Në janar të vitit 2023 anëtarët e saj u akuzuan për sulmimin e një stacioni policie pranë Port-Sonde dhe vrasjen e gjashtë oficerëve.

Ai gjithashtu fajësohet për mbylljen e detyruar të një spitali që u shërben më shumë se 700,000 njerëzve. Banda ka rreth 100 anëtarë dhe është akuzuar për krime duke përfshirë vrasje, përdhunim, grabitje dhe rrëmbime, sipas një raporti të OKB-së të cituar nga AP. Si themeluesi dhe udhëheqësi aktual i saj janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së.

❌
❌