Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë
24 shtatori shënon një prej datave më të rënda për historinë e Kosovës. Policia e Kosovës u përball me sulm terrorist.
Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulm. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime të ndryshme në afërsi të kësaj ure, e si pasojë e të shtënave u plagosën edhe dy policë të tjerë.
Në orët e para të mëngjesit të asaj dite, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se në Banjskë të Zveçanit po sulmohet shtetësia e vendit. Më pas njoftoi edhe për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve të tjerë rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Krismat u dëgjuan edhe pasi zbardhi dita, sulmi nuk po përfundonte.
Terroristë serbë me veshje ushtarake ishin vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij. Këtij grupi po i printe Milan Radojiçiçi i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje.
Konfrontimi me Policinë e Kosovës vijoi përgjatë gjithë ditës së 24 shtatorit, ku është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi. Ndërkohë që forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, por tek në orët e vona të së dielës u mor nën kontroll manastiri, derisa shumica dërrmuese e grupit terroristë u arratisën nëpër rrugët malore për në Republikën e Serbisë.
25 shtatori u shpall ditë zie për Kosovën.
- DASH reagon në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Kosova për sulmin në Banjskë
- BE mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën
The post Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë appeared first on Euronews Albania.