Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 September 2024Main stream

Odisea e rrugës Shirokë-Zogaj- Kufi

18 September 2024 at 15:40

Esmeralda Topi 

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, spikati me platformën e tij kryesisht teknike, duke i prezantuar elektoratit një program të detajuar për zhvillimin e qytetit. Pjesë e projekteve të infrastrukturës për Shkodrën ishte dhe rruga e re Shirokë-Zogaj-Kufi. 

“Rruga e re (në ndërtim) Shirokë-Zogaj-Kufi së bashku me pikën kufitare të re do të krijojë lidhjen me zonën e Krajës si me rrugë automobilistike, biçikletash dhe varkash nëpërmjet rrjetit të moleve.”, shkruhet në Programin e premtimeve të kryebashkiakut të Shkodës Benet Beci. 

Ndërtimi i kësaj rruge ka qënë një angazhim i zotit Beci që në kohën kur ishte deputet i zones, teksa socialistët e kishin zyrtarizuar si kandidat për kryebashkiak të Shkodrës. 

“Për fat të keq është vonuar në mënyrë të patolerueshme por do të bëjmë ç’është e mundur që ajo të fillojë sa më shpejt…”premtonte Beci. 

Fakt

Në fund të vitit të kaluar Faktoje verifikoi se puna për ndërtimin e rrugës ende nuk kishte nisur.  Edhe një vit më vonë në terren gjithçka dukej njësoj. Nuk gjetëm asnjë gjurmë të investimit të premtuar. Rruga ekzistuese Shirokë- Zogaj është tepër e ngushtë dhe e dëmtuar. 

Për të shkuar nga Shkodra në Shirokë duhen më pak se 20 minuta me makinë. Për të mbërritur në Zogaj, na u desh thuajse e njëjta kohë- ndonëse distanca në kilometra është më e shkurtër. 

Rruga Shirokë-Zogaj 17 shtator 2024

“Ja po fillon sivjet, ja po fillon në dhjetor, ja po filllon në janar, në shtator… Ka dhjetë vjet që e flasin dhe ende nuk është realizu.”, kujton Valmir Balesi, banor në fshatin Zogaj.

“Ka 30 vjet demokraci dhe Zogaj është shumë më mbrapa se katundet e tjera. e kanë lënë shumë mbrapa…”, shprehet ai. 

Segmenti i fundit i rrugës nga Zogaj deri në pikën e kalimit kufitar ishte pjesa më e degraduar e kësaj rruge.  

Problemet ishin të dukshme që në fillimin e rrugës të saj, pranë shkollës nëntëvjeçare “Reshit Hyseni” në Zogaj. Ndërsa 490 metrat e fundit të kësaj rruge që të çon drejt kufirit mund të përshkoheshin vetëm me automjete të larta. 

Rruga Zogaj – Kufi, 17 shtator 2024

Kur do të nisë projekti? 

Ndonëse ka qënë një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut Beci, institucioni që ai drejton prej një viti, nuk ndan informacione mbi projektin. Në një përgjigje me shkrim për Faktoje Bashkia e Shkodrës ia delegon përgjegjësinë Fondit Shqiptar të Zhvillimit- si njësi zbatuese e këtij projekti. 

“Rruga Shiroke-Zogaj-Kufi, është tenderuar nga FSHZH, dhe gjithashtu mund të merrni informacione më të detajuara nga FSHZH.”, thotë Bashkia. 

Nga ana tjetër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se është në pritje të lejes së ndërtimit nga Bashkia e Shkodrës.

“Sa i përket projektit për ndërtimin e rrugës “Shirokë – Zogaj – Kufi” në Shkodër, punimet e zbatimit pritet të fillojnë në fund të vitit 2024/ fillim të vitit 2025, pas pajisjes me lejet përkatëse.”, argumenton FSHZH.

Të njëjtin afat e gjejmë edhe tek programi buxhetor afatmesëm i Bashkisë Shkodër, miratuar dhjetorin e vitit të shkuar.  “Rruga Shirokë-Zogaj do të fillojë vitin e ardhshëm”, shkruhet në dokument.

Projekti i rrugës 3,2 mln €

Rruga Shirokë – Zogaj- Kufi do të kushtojë 3,2 milionë euro dhe është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri. 

Sipas projektit, rruga e re nga Shiroka në Zogaj do të kalojë mbi atë ekzistuese, duke u zgjeruar. Ndërsa segmenti nga fshati Zogaj në kufi do të jetë tërësisht i ri, ku do të kalojë edhe një bypass.

Rruga do të jetë me korsi biçikletash dhe trotuar për këmbësorët.

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për projektin e rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi, e vlerësojmë si ende të pambajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Odisea e rrugës Shirokë-Zogaj- Kufi appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayMain stream

Preç Zogaj: Superkomisioni “Xhafaj” është ngritur për t’u ndalur hovin SPAK-ut

By: M C
16 September 2024 at 15:16

Nga Preç Zogaj

Pasi kishin mbajtur një distancë njohëse nga superkomisioni parlamentar “Xhafaj”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan javën e kaluar qëndrimin e tyre përmes një njoftimi për shtyp të lëshuar nga ambasada në Tiranë, në të cilin thuhej: “Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”.
Ishte pikërisht ky qëndrimi që pritej: Përfshirja, angazhimi me gjithë spektrin kuptimor që nënkupton kjo fjalë. Që nga asistenca me ekspertë dhe ekspertizë, deri të monitorimi nga afër i produktit të komisionit. Njëlloj siç kanë berë me Reformën në Drejtësi të vitit 2016 dhe në gjithë procesin plot pengesa e sterkëmbësha të zbatimit të saj.

Por duke shtuar kësaj radhe mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve tashmë në punë. Siç e dimë se janë në radhë të parë SPAK dhe GJKKO.
Në opinionin e gjerë publik dhe në një pjesë të spektrit politik, sidomos jashtë duopolit PS-PD, ka patur e ka shumë dyshime se superkomisioni “Xhafaj” është ngritur për t’u ndalur hovin SPAK-ut dhe drejtësisë së re. Duke e zbukuruar nismën në fjalën me retorikën e “forcimit” dhe duke e fryrë me shto ujë e shto miell me lloj-lloj pistash të përgjithshme për të maskuar qëllimin kryesor.
Dyshime të arsyeshme po të mbajmë parasysh retorikën antispak të Ramës kur deklaronte më ton në forumet memece të partisë së tij se nuk do të lejojmë një republikë të prokurorëve; apo kur u kanosej hetuesve të BKH-së që po zbarkonin në zyrat e degëve të ekzekutivit; apo faktin që ky superkomision nuk ka një objekt konkret, siç kanë patur komisionet e ngjashme bipartizane për një çështje të caktuar që përligjte ngritjen e tyre, por liston çështje të përgjithshme që janë në tagrin e punës normale të komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Superkomisoni i dublon këto komisone. I sheh edhe nga lart e nga larg me mandatin përtej legjislaturës në vazhdim që i është dhënë, pra përtej vitit 2025, një shpikje tjetër, në tejkalim të vendimit të sovranit në zgjedhje të lira e të ndershme. Vendim të cilin zoti Rama e merr të ngrirë, të paracaktuar, si në zgjedhjet farsë të periudhës së komunizmit.
Duke injoruar enigmën e zgjedhjeve të lira, që u jep emocion, bukuri dhe kuptim atyre në çdo rast.
Duke marrë vendime që burojnë nga vota para se të vendosin zgjedhësit në dhomën e fshehtë.
Sondazhet mund ti kesh në favor, por sondazhet nuk janë zgjedhje. Kjo që Rama shkon përtej popullit edhe në të vetmen fuqi në dorë të popullit është detaji i një teme të gjerë të raporteve të tij gjithnjë e më të përçunduara me vlerat e demokracisë. Por ai është i ndërgjegjshëm për karakterin provokues të shtrirjes se afateve të superkomisonit përtej legjislaturës. E ka menduar vetë të tillë në funksion të mesazhit intimidues të jetëgjatësisë në qeveri, drejtuar qëndrave të reja të pushteteve të pavarura që po krijohen në vend falë mbështetjes ndërkombëtare dhe një koshiencë të re që po krijohet në këto qendra.
Qëndrimi i shpallur amerikan i reflekton dhe u jep përgjigje dyshimeve dhe realiteteve. Përgjigjia është: Do të jemi aty!
Të tjerat janë të kuptueshme.
Në lexim të lojërave të nëndheshme kundër drejtësisë së re, SHBA s’kanë rreshtur së qëndruari në mbështetje të fuqishme të SPAK dhe drejtësisë së re. Lista e fakteve që vërtetojnë këtë pohim është e njohur dhe e gjatë. Kush nuk e di.
Qëndrimi përfshirës dhe angazhues përkundrejt komisionit “Xhafaj” është një fakt i ri që përforcon qasjen dhe rolin e tyre si bashkautorë protagonistë në sfidën tonë të madhe të sundimit të ligjit, të “askush mbi ligjin”.
Ky qëndrim merr një rëndësi të shtuar në kontekstin e iluzioneve dhe lajmeve të rreme në qarkullim, të investuara shumë syresh nga kasta plurale solidare, sikur në Uashington janë të zënë deri në grykë me zgjedhjet e nëntorit dhe askush s’e ka mendjen te Shqipëria e vogël (Sa shumë u pëlqen ta kenë të vogël Shqipërinë, kur duan të mos kenë nëpër këmbë kërkënd nga bota e lirë!). Apo kur thurin ëndrra bipartizane me një rezultat të tillë të presidencialeve amerikane që do t’i lejonte të fitonin kohë, më e pakta pesë-gjashtë muaj, aq sa u duhet për të realizuar ndërhyrjet dhe ndryshimet e menduara ligjore të “forcimit” të drejtësisë së re me një “drejtësi më të re” se e reja, e cila, sipas llogarive që kanë bërë, do t’u vinte de-fakto institucionit të akuzës dhe gjykimit kufinjtë e vjetër në raport me pushtetin e lartë politik.
Ëndrra në diell, edhe pse thuren e shërbehen natë e ditë si në ethe. Miqtë amerikanë nuk e braktisin Shqipërinë dhe nuk kanë ndërmend ta lënë atë nën sundimin e të vëtshpallurve mbi ligjin. Në asnjë rrethanë. As para zgjedhjeve dhe sidomos as pas zgjedhjeve në SHBA. Qëndrimi përfshirës në Komisionin “Xhafaj” është i qartë në rreshta dhe midis rreshtave. Ky qëndrim, mbi të gjitha, është një garanci për paprekshmërinë e SPAK-ut si institucioni numër një i shpresës në Shqipërinë e re të sundimit të ligjiit. Këtë sigurisht e kanë kuptuar mirë prokurorët atje.

The post Preç Zogaj: Superkomisioni “Xhafaj” është ngritur për t’u ndalur hovin SPAK-ut appeared first on Albeu.com.

❌
❌