Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 September 2024Main stream

Sot fillon epoka ‘Sylvinho 2’, formacioni se si mund të zbresin kuqezinjtë në fushë!

7 September 2024 at 18:31

Nga Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare luan sot ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve dhe të parën e erës Sylvinho 2, pas suksesit që patëm në debutimin e trajnerit Brazilian në stolin kuqezi me kualifikueset e Europianit dhe paraqitjen pozitive në finalet e Gjermani 2024. 

Ekipi ynë përfaqësues luan përballë Ukrainës në transfertën asnjëanëse të Pragës, duke qenë se në vendin e kundërshtarit tonë prej mëse dy vitesh nuk zhvillohen aktivitete për shkak të luftës me Rusinë. Por ky start i edicionit të ri ka disa dilema dhe probleme që lidhen me aspektin e gjendjes së lojtarëve, dëmtimet dhe formën jo optimale që e përmendi dhe vetë trajneri në konferencën e djeshme për shtyp. 

Sa i përket formacionit që mund të zbresë sot në fushë duket se do të ketë disa ndryshime nga ai standarti nisur edhe nga mungesat kryesisht në repartin e mbrojtjes. Kështu në portë pritet ta nisë Tomas Strakosha, ndërsa qendra e mbrojtjes do të jetë dyshja Ismajli-Kumbulla, dy lojtarë që kanë shumë muaj për të mos thënë vite që nuk luajnë bashkë, duke qenë se gjithmonë pika fikse e qendrës së mbrojtjes ka qenë kapiteni Gjimshiti, që mungon për shkak dëmtimi. 

Nga krahët janë të përhershmit Mitaj dhe Hysaj. Ndërkohë që skema që pritet të përdorë trajneri është e ngjashme me atë të ndeshjes kundër Kroacisë, me Laçin, Asllanin dhe Ramadanin në mesfushë dhe dy krahët më të avancuar Asani – Bajrami që do të mbështesin sulmuesin Rei Manaj. 

Shqipëria me Ukrainën është ndeshur 4 herë, prej të cilave 3 fitore janë për Ukrainën dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim, por vetëm 2 prej tyre kanë qenë ndeshje zyrtare, dy të tjerat miqësore. Edhe për mbrëmjen e sotme kompanitë e basteve konsiderojnë si favorite skuadrën kundërshtare të Shqipërisë, megjithatë gjithçka mbetet për tu parë në fushën e lojës duke filluar nga ora 20:45 në “Epet Arena” të Pragës.

The post Sot fillon epoka ‘Sylvinho 2’, formacioni se si mund të zbresin kuqezinjtë në fushë! appeared first on Gazeta Si.

“Të zgjedhurit e ekstremit u bënë bashkë!” / Bido për takimin e Belerit me Kryepeshkopin: Janullatos, diplomat grek me pasaportë! Pse vizitoi vetëm eurodeputetin në burg (Dokumenti)

7 September 2024 at 14:07

Nga Gazeta Si- Kreu i Drejtorisë së Arkivave Ardit Bido ka reaguar në lidhje me takimin që eurodeputeti Fredi Beleri kishte me Kryepeshkopin Ortodoks Anastas Janullatos.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan se Janullatus është një diplomat grek me pasaportë, dhe kjo është arsyeja pse ai nuk vizitoi asnjë nga politikanët shqiptarë të burgosur, por vetëm Fredi Belerin në kohën që ai ishte në qeli.

Postimi i plotë:

A e di ti që kryepeshkopi Anastas është diplomat grek në pashaportë?

Për këdo që pyet pse Kryepeshkopi Anastas pranon e viziton vetëm të burgosurin Beleri dhe jo Dakon, Goron, Kokën e çdo politikan tjetër ortodoks që kalon të njëjtat vështirësi, ndoshta nuk e ka parë asnjëherë këtë dokument, pasaportën e tij diplomatike greke, që në fakt e ka vendosur vetë në databaza publike shqiptare, por që mediat nuk e kanë publikuar kurrë, edhe pse janë të gatshme të publikojnë çdo detaj të nacionalizmit politik grek.

Ligji 4781/2021 grek për pasaportat diplomatike, si dhe paraardhësi i tij, përcaktojnë në mënyrë të kufizuar pozicionet që më Greqi kanë të drejtë të marrin pasaportë diplomatike greke, ku në asnjë moment nuk përcaktohet kleri i Kishave jashtë Greqisë. Përjashtimin mund ta bëj vetëm ministri i Jashtëm grek, për personel diplomatik, ushtarak a të shërbimeve sekrete. Ndaj, me të drejtë lind pyetja si ai e ka këtë pasaportë?

Fakti që ai sot mban edhe pasaportën shqiptare, që nuk ia dha asnjë president ortodoks që ka pasur Shqipëria, por ia dha një bektashi, nuk ndryshon gjë. Ai, sipas enturazhit të vetë, vijon përdor vetëm pasaportën diplomatike greke, duke thyer rekordin si diplomati më jetëgjatë grek në Shqipëri, teksa në ambasada e konsullata, mbajtësit e pasaportave diplomatike ikin e vijnë.

Kur Beleri, që dikur dilte krah më krah me kreun e Agimit të Artë në Greqi, na thotë se Kryepeshkopi Anastas ka punuar për minoritetin dhe i ka dhënë Belerit kurajo të tejkalojë sfidat e gjyqit për vjedhje votash, nuk kemi asnjë arsye të mos e besojmë. Fundja, a nuk është vetë kryepeshkopi Anastas i zgjedhur jashtligjshmërisht peshkop në Greqi nga një Sinod i Shenjtë i jashtligjshëm i instaluar nga Junga ushtarake e ekstremit të djathtë në fundvitet ‘60, i lënë pa asnjë peshkopatë deri në 1990 për shkak të zgjedhjes së jashtligjshme deri sa u katapultua në Tiranë me mbështetjen e disa politikanëve shqiptarë, kundër dëshirës së besimtarëve të këtushëm? A nuk është ai që nuk ka thënë kurrë “ortodoks shqiptarë”, por ka folur për pakica e shumë etni në Kishën më homogjene, ku mbi 90% janë shqiptarë ortodoksë?

Të zgjedhurit e ekstremit sot u bënë bashkë!

The post “Të zgjedhurit e ekstremit u bënë bashkë!” / Bido për takimin e Belerit me Kryepeshkopin: Janullatos, diplomat grek me pasaportë! Pse vizitoi vetëm eurodeputetin në burg (Dokumenti) appeared first on Gazeta Si.

Të shtëna me armë në Shkodër / U qëllua drejt automjetit të boksierit, policia identifikon autorin: Shkak konflikte të mëparshme

7 September 2024 at 14:02

Nga Gazeta Si- Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mesditën e sotme në Shkodër në lagjen “Partizani”.

Policia njofton se autorët apo autori, kanë qëlluar në drejtim të një automjeti “Land Rover” në lëvizje, ndërsa nuk ka pasur persona të lënduar. Mësohet se automjeti është në pronësi të Sokol Kajoshit, babai i boksierit Arjon Kajoshi i cili ka qenë duke drejtuar makinën. Menjëherë pas të shtënave, ai ka braktisur makinën dhe është larguar.

Sulmi me armë ndaj makinës së Kajoshit ndodhi sot por zanafilla daton më 3 Qershor 2024, kur pas sherrit për parkimin është dhunuar me pasojë plagosjen 62-vjeçari Vladimir Bruçi. Burime zyrtare nga policia thanë pas ngjarjes, se 6 persona janë përfshirë, njëri prej të cilëve ishte vëllai i boksierit, Arlind Kajoshi (për të cilin besohet se ka ndodhur atentati sot, me motiv hakmarrjen).

Policia njofton se është bërë identifikimi i autorit dhe shpallja në kërkim e tij, konkretisht shtetasit A. B, i biri i Vladimir Bruçit.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e autorit.

“Rreth orës 12:30, në lagjen “Partizani”, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti “Land Rover” në lëvizje, në pronësi të shtetasit S.K. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, dhe dokumentimin ligjor të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

The post Të shtëna me armë në Shkodër / U qëllua drejt automjetit të boksierit, policia identifikon autorin: Shkak konflikte të mëparshme appeared first on Gazeta Si.

Pse të rinjtë ‘refuzojnë’ të përgjigjen në telefon

7 September 2024 at 12:10

Një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se një e katërta e njerëzve të moshës 18 deri në 34 vjeç nuk përgjigjen kurrë në telefon. Të anketuarit thonë se e injorojnë zilen, përgjigjen me tekst ose kërkojnë të zbulojnë numrin nëse nuk e njohin atë.

Sondazhi i Uswitch me 2000 njerëz zbuloi gjithashtu se gati 70% e moshave 18-34 preferojnë një mesazh në vend të një telefonate.

Për gjeneratat e vjetra, të folurit në telefon është normale ndërsa për të rinjtë, normale është të shkruash mesazh.

Dhe duket se gjithçka mund ta kenë filluar prindërit…

Dikur, kur të rinjtë rrinin duke folur në telefon me shoqërinë, ishin prindërit që u thonin të hiqnin telefonin sepse po i bezdisnin ose sepse po rrinë shumë në telefon.

“Ne nuk të dhamë këtë telefon që të mund të bësh thashetheme me miqtë e tu gjatë gjithë mbrëmjes”, ishte një nga shprehjet që përdornin prindërit.

Dhe kështu lindi një brez mesazhesh dhe telefonatat bëheshin për raste emergjente.

Dr Elena Touroni, psikologe shpjegon se për shkak se të rinjtë nuk e zhvilluan zakonin e të folurit në telefon, “tani ndihet e çuditshme pasi nuk është normë”.

Kjo mund t’i bëjë të rinjtë të kenë frikë nga më e keqja kur telefoni i tyre fillon të bjerë(ose të ndizet në heshtje sepse askush nën moshën 35 vjeç nuk ka një zile të lartë).

Më shumë se gjysma e të rinjve që u përgjigjën në sondazhin e Uswitch pranuan se mendonin se një telefonatë e papritur do të thotë lajm i keq.

Psikoterapistja Eloise Skinner shpjegon se ankthi rreth telefonatave vjen nga “një ndjenjë e frikës dhe të të panjohurës”.

“Ndërsa jeta jonë bëhet më e ngarkuar dhe oraret e punës më të paparashikueshme, ne kemi më pak kohë për të thirrur një mik thjesht për t’i dëgjuar zërin. Thirrjet telefonike, atëherë, bëheshin për lajmet e rëndësishme në jetën tonë, të cilat shpesh mund të jenë të ndërlikuara dhe të vështira.”

Por të mos flasësh në telefon nuk do të thotë që të rinjtë nuk janë në kontakt me miqtë e tyre pasi bisedat në grupe ‘tingëllojnë’ gjatë gjithë ditës me një përzierje mesazhesh, memesh, thashetheme dhe, së fundmi, mesazhe zanore.

Shumë nga këto biseda tani zhvillohen në mediat sociale, veçanërisht në Instagram dhe Snapchat ku është më e lehtë të dërgosh imazhe dhe meme krahas teksteve.

Ndërsa të gjithë të rinjtë pajtohen se telefonatat janë një “Jo” e madhe, përdorimi i mesazheve zanore i ka ndarë brezat e rinj.

Në sondazhin e Uswitch, 37% e moshave 18-34 thonë se mesazhet zanore janë të preferuarat e tyre në komunikim.

Në krahasim, vetëm 1% e 35-54-vjecarëve preferojnë mesazhet zanore në vend të një telefonate.

“Një mesazh zanor është njësoj si të flasësh në telefon, por më mirë,” thotë një 19-vjeçare.

Por për të tjerë, është e lodhshme të dëgjosh një mesazh 5 minutësh nga një mik që i përditëson për jetën e tyre, ku çdo fjalë e dytë është “ëëë” ose “uhmm” dhe e gjithë historia mund të ishte treguar në një mesazh me tekst.

Por deri në çfarë mase fillon të ndikojë fobia e telefonatave në jetën tuaj personale apo në jetën e punës?

Të rinjtë thonë se është ankth të lidhesh me telefonatë me dikë pasi këtu ‘ndërhyjnë’ ngathtësia e momentit, mungesa e përgjigjes apo presioni për t’u përgjigjur menjëherë.

“Telefonatat janë më ekspozuese dhe kërkojnë një nivel më të lartë intimiteti, ndërsa mesazhet janë të shkëputura dhe ju lejojnë të lidheni pa u ndjerë i cenueshëm apo i ekspozuar”, shpjegon Touroni.

Por, me një preferencë për komunikim joverbal dhe një tendencë për të punuar nga shtëpia, a po humbasim aftësinë për biseda të paplanifikuara dhe joformale?

Skinner thotë se nëse trendi aktual vazhdon, atëherë “mund të humbasim ndjenjën e afërsisë ose lidhjes”.

“Kur komunikojmë verbalisht ndihemi më të lidhur, emocionalisht, profesionalisht apo personalisht”, vazhdon ajo. “Kjo lidhje mund të çojë në një ndjenjë më të madhe përmbushjeje, veçanërisht në vendin e punës.”

Ndërsa disa njerëz mund të thonë se ky trend i ri i komunikimit është një provë e mëtejshme se ne jemi “flokë dëbore e gjeneratës”, në fakt është larg nga kjo.

Në vend të kësaj, ka të bëjë me përshtatjen. Pa dyshim, 25 vjet më parë njerëzit rezistuan nga kalimi nga faksi në email, por ndryshimi e ka bërë komunikimin shumë më efikas.

Ndoshta tani është koha për të njohur fuqinë e tekstit dhe ashtu siç hoqëm dorë nga faksi në vitet 1990, ne mund të lëmë pas telefonatat e frikshme në 2024.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.

The post Pse të rinjtë ‘refuzojnë’ të përgjigjen në telefon appeared first on Gazeta Si.

Pas maskës së bipolaritetit…

7 September 2024 at 12:09

Nga Terri Cheney – Në kohën kur isha një avokate që përfaqësoja klientë si Michael Jackson, Quincy Jones, Lionel Richie dhe studiot kryesore të filmave, më duhej të shfaqesha në punë çdo ditë gati për t’u takuar me artistë. Firma ime avokatore ishte në Beverly Hills dhe më duhej të dukesha sikur i përkisja vërtet asaj bote të fshehtë të pasurisë, prestigjit dhe famës.

Dhe kjo do të thoshte të kisha gjithmonë në mendje këto detaje.

Bëra gjithçka që munda për të përmbushur pritshmëritë e pathëna, por të rrepta si prerja e flokëve për 200 dollarë, kostumet Armani, portofoli me lëkurë krokodili. Këto të gjitha ishin mishërimi i profesionalizmit. Askush nuk do të dyshonte kurrë për të vërtetën që fshihej nën fasadën time perfekte: se isha e sëmurë mendërisht, duke luftuar me çrregullimin bipolar, rezistent ndaj trajtimit me ilaçe. Isha e bindur se e vetmja mënyrë për të mbajtur veten të sigurt dhe të punësuar ishte të fshihja veten time të vërtetë.

Kështu që unë kurrë nuk u paraqita në punë kur isha në depresion akut. Depresioni nxjerr gjithë ngjyrën dhe jetën nga fytyra ime, dukem e rrënuar, pavarësisht se sa shumë grim bëj. Unë nuk mund të merrja energji duke bërë një dush dhe asnjë sasi e Chanel Nr. 5 nuk mund të maskonte erën time të brendshme të dështimit. E dija se asgjë që bëj nuk mund ta ndalë marshimin e pashmangshëm drejt shkatërrimit, kështu që çfarë kuptimi kishte të përpiqesha?

Përdora një mijë justifikime për të fshehur mungesat e mia të shumta, shumica prej tyre përfshinin ndonjë sëmundje fizike, të gjitha të justifikuara mirë pas një jete të fshehur. Nuk e di pse askush nuk e mori me mend se po gënjeja; Unë mendoj se isha një gënjeshtare po aq bindëse sa isha një avokate e mirë. Fasada ime ishte po aq antiplumb sa lutjet e mia dhe askush nuk e pa kurrë rrëmujën e madhe që ndodhej pas maskës.

Kjo ishte dekada më parë; shumë ka ndryshuar që atëherë.

Shpejt, ndalova vetë-mjekimin për sëmundjen time, dhe me maturi erdhi lulëzimi i shëndetit më të mirë. Medikamentet e duhura dhe terapia rigoroze kanë ndihmuar në heqjen e barrës së rëndë të depresionit, kështu që unë lëviz nëpër botë me një hap më të lehtë. Unë nuk fantazoj më për të vrarë veten dhe ai angazhim i ripërtërirë ndaj jetës më ka sjellë një shkëndijë në sytë e mi, tani jam kurioze dhe kurioziteti ndihmon për ta mbajtur atë të freskët. Sigurisht, nuk mund ta ndaloj atë që plakja ka rezervuar për mua, por praktikimi i vëmendjes më ka lejuar ta ngadalësoj jetën deri në momentin aktual. Dhe në momentin e tanishëm, jeta ka shije të ëmbël.

E kuptova se sa shumë larg do të kisha arritur, kur po kaloja natën në shtëpinë e të dashurit tim. Ai di gjithçka për çrregullimin tim bipolar, ky është një ndryshim tjetër i madh që ka ndodhur në jetën time. Unë në fakt u tregoj njerëzve për sëmundjen time tani, gjithashtu kam botuar tre libra mbi këtë temë. Por për habinë dhe lehtësimin tim të jashtëzakonshëm, e vërteta e pazbardhur nuk e ka penguar atë të dëshirojë të ketë një marrëdhënie të përkushtuar me mua.

Ishte vonë atë natë dhe ne të dyve po na merrte gjumi. E lava fytyrën dhe po bëhesha gati për të fjetur. Siç është bërë zakoni ynë, ne u përqafuam së bashku përpara se të thoshim një natë të mirë të fundit. E pashë në sy dhe ai më buzëqeshi. “Ti je kaq e bukur,” tha ai dhe papritmas më bëri përshtypje pasi unë nuk isha e lyer, flokët i kisha të ngatërruara dhe kisha veshur një bluzë komode, aspak e bukur.

Ku kishte shkuar ajo fasadë e kujdesshme që më kishte mbrojtur nga paragjykimi gjatë gjithë jetës sime?

Ajo ishte zhdukur, së bashku me çdo masë të vogël pretendimi. Më në fund jam në gjendje të shfaqem si unë, me çrregullimin bipolar dhe ëndrrat e humbura, shpresë, dashuri dhe dëshira, të gjitha të pambrojtur. Është e mundur, mendova, të ndryshosh yjet e tu, të rishkruash fatin që ishe i bindur se ishte i vetmi që do të njihje ndonjëherë. Sigurisht, duhen shumë gjëra: durim, kohë, mjekë të aftë, miq mbështetës dhe një sasi të caktuar fat. Por është padyshim e mundur, dhe bota duhet ta dijë këtë. Duhet të dihet se heqja e maskës është hapi i parë për t’u bërë plotësisht vetvetja.

Unë buzëqesha përsëri. “Ndihem bukur,” thashë. Më mirë akoma, u ndjeva vërtet “e rëndësishme”.

*Terri Cheney ka shkruar disa libra për çrregullimin e bipolaritetit.

Burimi: Psychology Today. Përshtati: Gazeta Si.

The post Pas maskës së bipolaritetit… appeared first on Gazeta Si.

Korçë/ 14-vjeçarja lind foshnjën në maternitet, babai i fëmijës shoqërohet në Komisariat

7 September 2024 at 11:41

Nga Gazeta Si- Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia e  Korçës pasi akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitur. Arrestimi i tij erdhi pasi një 14-vjeçare ka sjellë në jetë foshnjën e saj në maternitetin e Korçës ditën e djeshme.

Pas deklarimeve, 21-vjeçari ka pranuar që është babai i fëmijës.

“Komisariati i Policisë Korçë ndaloi me iniciativë shtetasin D. K., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, pasi dje në martenitetin e qytetit Korçë, ka lindur një fëmijë, një 14-vjeçare. Pas deklarimeve të marra nga Specialistët për Hetimin e Krimit 21-vjeçari ka pranuar që është babai i fëmijës”, thuhet në njoftimin e policisë.

The post Korçë/ 14-vjeçarja lind foshnjën në maternitet, babai i fëmijës shoqërohet në Komisariat appeared first on Gazeta Si.

Fshihte në banesë “të fortin e Niklës” Marklen Hakën, arrestohet 21-vjeçari

7 September 2024 at 10:39

Policia ka vënë në pranga K. H, nën akuzën se fshihte në banesën e tij të shumëkërkuarin  Marklen Haka.

Marklen Haka u arrestua ditën e djeshme nga forcat e rendit. Ai njihet si pjesëmarrës në organizimin e një atentati ndaj vëllezërve Valter dhe Durim Bami.

Nga bisedat e zbardhura në aplikacionin Sky ECC zbulohet se pavarësisht miqësive që kishte me Valter dhe Durim Bamin, Marklen Haka furnizonte me informacione kundërshtarët e vëllezërve Bami, që kishin ti eleminonin këta të fundit.

21 vjeçari, banues në Zezë, Nikël akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 278/4 dhe 302 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. H., (banesa ku fshihej shtetasi M. H., alias M. A.) është gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

The post Fshihte në banesë “të fortin e Niklës” Marklen Hakën, arrestohet 21-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Elbasan/ 55-vjeçari përplas për vdekje me makinë të riun dhe arratiset

7 September 2024 at 09:20

Nga Gazeta Si – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin “Elbasan-Librazhd”, ku një 55-vjeçar duke drejtuar automjetin e tij ka shkaktuar një aksident të dyfishtë ku për pasojë ka humbur jetën një 24-vjeçar.

Mësohet se automjeti që drejtonte 55-vjeçari me iniciale N. B., banues në Elbasan, është përplasur me makinën, me drejtues 32-vjeçarin me iniciale E. L. dhe me motomjetin ku udhëtonte viktima.

Pas aksidentit, 55-vjeçari është larguar nga vendi aksidentit dhe po punohet për kapjen e tij. Ndërsa 24-vjeçari me iniciale H. S., nuk u mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

The post Elbasan/ 55-vjeçari përplas për vdekje me makinë të riun dhe arratiset appeared first on Gazeta Si.

Mungojnë Gjimshiti dhe Broja, në pikëpyetje Asani, Kuqezinjtë rikthehen sot në fushë kundër Ukrainës

7 September 2024 at 09:17

Nga Gazeta Si- Kombëtarja shqiptare e futbollit do të kthehet sonte në fushë për ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë në 20:45 do të sfidojnë Ukrainën, në Epet Arena të Pragës. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Shqipërisë që pas Euro 2024, kur luajti ndeshjen e fundit përballë kampionëve të Spanjës, duke u mundur 1-0, me golin e Ferran Torres.

Ditën e djeshme, tekniku Sylvinho u shpreh në konferencën për shtyp se luajmë për fitore. Ndërsa shtoi se kësaj here të besuarit e tij do të ndryshojnë strategji. Sa i përket formacionit, ekipi ynë kombëtar ka disa mungesa për sot. Duke filluar me kapitenin Berat Gjimshiti që pësoi një dëmtim para disa ditësh.

Gjithashtu dhe Broja nuk erdhi në grumbullim për shkak të dëmtimit dhe u zëvendësua me Myrto Uzunin.  Ndërkohë ende nuk është e qartë nëse Silvinjo do e bëjë Asanin pjesë të formacionit duke qenë se në grumbullim ka marrë edhe Agim Zekajn.

The post Mungojnë Gjimshiti dhe Broja, në pikëpyetje Asani, Kuqezinjtë rikthehen sot në fushë kundër Ukrainës appeared first on Gazeta Si.

Ekpertiza mjeko-ligjore për vrasjen e Egli Progës/ Reagon e motra: Nuk tregoi të vërtetën. Akt-ekspertimi do ribëhet

7 September 2024 at 09:17

Motra e të ndjerit Egli Proga, Jonida ka reaguar mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale lidhur me zbardhjen e akt ekspertimit të mjekëve për vrasjen e vëllait të saj në Pogradec. Ajo shpreh rezervat e saj lidhur me këtë akt ekspertimi. Fillimisht ajo e ka me efektivët e policisë të cilët sipas saj dështuan në mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes dhe më pas dështuan me kapjen e autorëve.

Ajo hedh akuza ndaj mjekëve se po tentojnë ta klasifikojnë si vrasje nga grushti dhe jo vrasje nga sende të mprehta. Jonida Proga shton se akt ekspertimi do ribëhet me mjekë të IML.

Reagimi i plotë:

‘Të dashur miq,

Sot për të tretën herë Policia e Shtetit ka përdhosur kujtimin e vëllait tim të dashur Eglit. Me një paturpësi të papërshkrueshme shpërndanë për publikim herët në mëngjes pjesë të shkëputura nga raporti mjeko ligjor i vdekjes së Eglit duke tentuar të fshihen pas gënjeshtrave e të deformojnë të vërtetën. Policia që dështoi në mënyrë të turpshme në hetimin e vrasjes së Eglit kur vrasja sapondodhi, dështoi në mbledhjen e provave, që dështoi edhe me kapjen në FLAGRANCË TË AUTORËVE vazhdon të dezinformojë. Mbrëmë në emisionin “Opinion” një përfaqësues policie tentoi të justifikojë live të vërtetën e shkatërrimit të provave në sy të kamerave televizive.

Ishte ora 19:20 e ditës së mallkuar 10 gusht kur mediat fiksuan me kamerat e tyre vendin e ngjarjes, trotuarin me gjak, makinën tek e cila kriminelët rrëzuan Eglin. Në Tv dallohen kriminelët që bënin sehir GJYSMË ORE PAS VRASJES NË TË NJËJTIN VEND KRIMI.

Asnjë polic në botë nuk mund të justifikojë lëvizjen e makinës së bardhë me targa AD049T nga vendi i krimit. Asnjë polic i ndershëm shqiptar nuk do lejonte që ajo makinë me prapakolp lyer me gjak të largohej nga vendi i krimit rrethuar me piketa policie. E kundërta ndodhi në sy të POLICISË, Arjan Manellari merr makinën e Leonidha Guçes dhe largohet. Asnjë polic në planet nuk do bënte sehir pak minuta pas vrasjes nëse do shihte si pinin kafe te STROPCKA kriminelët Arjan Manellari, Leonidha Guçe bashkë me Voltan Shkulakun që NUK PANË ASGJË. Kriminelat rrinin ulur pa u shqetësuar te vendi I KRIMIT Z. POLIC. Ata nuk janë njerëz që ndaluan për kafe në vendin e një krimi. Ata janë kriminelët e sigurt që JU NUK I ARRESTONI Z. POLIC.

Familjarët e mi nuk mbyllin dot sytë se kanë parë fotot e fytyrës së masakruar të vëllait tim. Një vëlla, një bir, një bashkëshort i gjakosur nga koka te këmbët në organet jetike dhe delikate, i gjithë integriteti fizik i Eglit u prek rëndë derisa vdiq dhe kanë guximin të thonë me lehtësi të pabesueshme se ishte “grusht”, se “kishte pirë”. Qoftë Prokurorja që iku nga çështja, qoftë kryepolici që foli një ditë më pas, qoftë policët që lane kriminelat të ikin, qoftë dy mjekët ligjor që bënë një akt të çalë, Gjergji Kaçauni me Klevis Shella të gjithë do mbajnë përgjegjësi para LIGJIT për vrasjen e Eglit që kërkohet të mbulohet.

Pyetja për dy mjekët ligjor ishte: Me çfarë mjeti janë shkaktuar këto dëmtime?

Përgjigja e tyre: Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht.

Përse kërkoni ta çoni vrasjen te GRUSHTI “MJEKË”? A nuk mund të jetë goditje me dorëz hekuri, me levë, a me mjete të rënda MBRETËSE? Pyetja nuk ishte “A janë shkaktuar me grusht ose jo dëmtimet ZOTËRINJ MJEK.

Tani kam unë një pyetje për ju: A ka punuar Anduena Kaçauni, motra e njërit prej jush si vartëse e ish drejtorit të Posta Korçë, Valter Gora daja i kriminelit Denis Meçe?

Nëse po atëherë edhe unë kam të drejtën që të dyshoj që Akt ekpertimi mjekoligjor numër 70 nuk ka treguar të vërtetën e vdekjes së Eglit, pasi ka mangësi dhe shtrembërime të pyetjeve të hetimit që mund të jenë shkaktuar nga shkaqe si ato që vijnë nga NDIKIMI I KORRUPSIONIT.

AKTI DO RIBËHET ZOTËRINJ MJEKË TË IML!

Po e vazhdoj vetë hetimin e vrasjes së Eglit se askush nuk më ka dhënë përgjigje pse e vranë Eglin. Po përpiqen ta reduktojnë krimin në një “grusht”. Shoh heshtje, frikë dhe dorëzim përballë kriminelëve që po terrorizojnë qytetin e Pogradecit, atyre që kanë lidhje me policinë, me drejtësinë, me pushtetin e lartë vendor në Pogradec.

Ka ende shumë pyetje pa përgjigje që do u shkoj deri në fund.

Si u dorëzua me Range Rover brenda në Komisariat krimineli Denis Meçe?

Kush polic negocioi me të kur ai nuk “gjendej” dot askund se ku dhe me kë po “flinte gjumë”?

Pse nuk u kontrollua kurrë shtëpia e tij në Pogradec por “u trokit” vetëm te gjyshërit e tij në Buçimas?

Çfarë kërkonte Leonidha Guçe në dyert e spitalit një orë pasi e vranë Eglin?

Çfarë bisedonte një orë më pas në dyert e Komisariatit Pogradec me miqtë e tij policë ky kriminel?

Pse u la të pastrohej vendi i krimit, lokali Stropcka nga brenda dhe jashtë, sidomos tualeti, nga pronari bashkpunëtori në krim Voltan Shkulaku dhe më pas u bë këqyrja?

Pse nuk u mbyll që në çastin kur mbërriti policia në vendngjarje lokali që të fiksohej çdo gjë? A nuk vdiq një njeri????

Me kë ka komunikuar Valter Gora, më datë 10 gusht? Po në 11 gusht?

Kam me dhjetra pyetje të tjera që do t’ua marr përgjigjet medoemos.

Po kërkoj vetëm të vërtetën. Kam dëshmi e prova që po i mbledh me vështirësi pavarësisht se njerëzit kanë frikë të flasin, se kanë frikë nga kriminelat. Frika ka mbërthyer zemrat e tyre sepse askush nuk i mbron në Pogradec. Janë bashkë. Kriminelat lëvizin lirshëm, fshihen prapa krahëve të atyre që duhej të kishin bërë drejtësi. Ata që duhej të ruanin provat, ata që lejuan të pastrohej vendi i krimit, ata që duhej të kishin ndaluar krimin, heshtën dhe kthyen sytë nga ana tjetër.

Do kërkoj pafund e deri në fund DREJTËSI PËR EGLIN. Vrasësit që janë jashtë, ai brenda dhe gjithë ata që ndihmuan në fshehjen e së vërtetës do paguajnë me dënim para ligjit që nga zyrtari më i vogël që ka shpërdoruar detyrën e është korruptuar deri te ai më i larti. Ky është vetëm fillimi i betejës sime për drejtësi. Për të vërtetën e VRASJES që duhet të dalë me çdo çmim në dritë.

Ju përulem me mirënjohje të gjithë njerëzve që kanë ndihmuar Eglin dhe familjen e tij.

Ju përulem me respekt të gjithë atyre që më janë gjendur dhe më kanë ndihmuar në këto ditë të vështira.

The post Ekpertiza mjeko-ligjore për vrasjen e Egli Progës/ Reagon e motra: Nuk tregoi të vërtetën. Akt-ekspertimi do ribëhet appeared first on Gazeta Si.

Temperaturat maksimale në 35°C, priten reshje shiu në disa zona

7 September 2024 at 08:50

Gjatë pjesës së parë të ditës Shqipëria do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta në bregdet dhe zonat e ulëta, por vranësira më të shpeshta do të ketë në zonat malore.

Orët e pasdites sjellin grumbullim të vranësirave në të gjithë zonën Lindore duke gjeneruar rrebeshe të izoluara shiu ku herë pas here do të shoqërohen me erë të fortë.

Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të përmirësojnë kushtet atmosferike në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të rriten në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 12°C vlera më e ulët deri në 35°C vlera më e lartë në rang vendi, e cila do të shënohet në Elbasan.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.

The post Temperaturat maksimale në 35°C, priten reshje shiu në disa zona appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Kulla që punon me hidrogjen, simboli i kryeqytetit të ri të Egjiptit

6 September 2024 at 14:55

Egjipti ka vendosur të ndërtojë një kryeqytet të ri, një qendër administrative të vendosur larg Kajros, ku fantazia e arkitektëve po shfrenohet në një “fushë të bardhë”.

Aty do të jetë edhe shtëpia e Forbes International Tower, një qiellgërvishtës 240 metra i lartë, i cili do të ndërtohet me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Projektuar nga Adrian Smith dhe Gordon Gill Architecture, ndërtesa synon të arrijë emetime zero të karbonit duke përdorur burime inovative të energjisë si hidrogjeni dhe energjia diellore.

Struktura do të mbështetet për të siguruar energjinë në 75% hidrogjen të pastër dhe 25% energji diellore, duke eliminuar nevojën për rrjetin tradicional të energjisë elektrike.

The post Kulla që punon me hidrogjen, simboli i kryeqytetit të ri të Egjiptit appeared first on Gazeta Si.

Vlorë / Arrestohen çifti i bashkëshortëve, hiqeshin si zyrtarë dhe mashtruan biznesmenin. Në pranga edhe bashkëpunëtorja

6 September 2024 at 13:20

Nga Gazeta Si- Një tjetër rast mashtrimi dhe zhvatjeje në grup teksa hiqeshin si zyrtarë të lartë shtetërorë ka ndodhur në Himarë,

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Notification”, për “goditjen e një rasti të mashtrimit të operatorëve ekonomikë”, duke tentuar të merrnin 8 mijë euro nga një biznesmen vendor që i denoncoi.

Tre persona ranë në pranga, mes të cilëve një çift bashkëshortësh dhe bashkëpunëtorja e tyre.

I gjithë aksioni u bë me dorëzim të kontrolluar nga agjentët, duke i futur të dyshuarit në kurth.

“Ndërhyrja u bë pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë”, tha policia vendore.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se pasi kanë kontaktuar biznesmenin nëpërmjet një numri telefoni, të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, kanë rritur edhe besueshmërinë e kërkesave të tyre, për të përfituar shumën prej 8 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë, teksa vijon hetimi aktiv për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.    

The post Vlorë / Arrestohen çifti i bashkëshortëve, hiqeshin si zyrtarë dhe mashtruan biznesmenin. Në pranga edhe bashkëpunëtorja appeared first on Gazeta Si.

Vrau babanë dhe e hodhi në pus / Dëshmia e bashkëpunëtorit të Esmerald Ballës: Me dha 20 mijë lekë, trupin në fillim e fshehëm në ferra

6 September 2024 at 13:04

Nga Gazeta Si- Dëshmia e 25-vjeçarit të arrestuar si bashkëpunëtor në fshehjen e trupit të 62-vjeçarit Enver Balla nga i biri ka hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen makabër të ndodhur para disa ditësh në Shënavlash.

Sipas grupit hetimor, i punësuar si bari në fermën e familjes Balla, Edison Brahaj ka pranuar se ditën e krimit, më 13 gusht, ka qenë disa metra larg vendit ku u ekzekutua Enveri. Ai ka pranuar se dëgjoi dy të shtëna dhe më pas është thirrur nga Esmeraldi për ta ndihmuar të zhvendosin trupin e viktimës të cilin fillimisht e kanë fshehur në ferra.

Të dy janë kthyer më vonë për të zhvendosur trupin drejt pusit më të afërt që kishin,

Për këtë ai ka deklaruar se është paguar nga Esmerald Balla me 20 000 lekë, ndërsa 30-vjeçari i akuzuar për vrasje ka thënë se i ka dhënë 250 000 lekë.

Gjatë kontrollit në banesë, Brahajt iu gjetën 145 mijë lekë.

Akuzat që rëndojnë mbi punëtorin e fermës për grupin hetimor janë të qarta, “fshehje ose asgjësim i kufomës”, “moskallëzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Pas vrasjes dhe hedhjes në pus të kufomës, më 15 gusht, Esmerald Balla ka denoncuar në polici largimin e babait nga banesa dhe ka vijuar me skenarin e zhdukjes së babait me një grua të panjohur.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se vrasja nuk ka qenë një akt vetëmbrojtjeje, siç thotë autori, por një ekzekutim i babait që është qëlluar me dy plumba nga pas, një plumb pas koke dhe një në kurriz. Ndërkohë hetimet vazhdojnë me intensitet për të zbuluar nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

The post Vrau babanë dhe e hodhi në pus / Dëshmia e bashkëpunëtorit të Esmerald Ballës: Me dha 20 mijë lekë, trupin në fillim e fshehëm në ferra appeared first on Gazeta Si.

Protesta e opozitës, thasë me mbeturina drejt bashkisë. Këlliçi sulmon ambasadorin e BE dhe Mogherinin e quan komuniste

6 September 2024 at 12:23

Nga Gazeta Si- Opozita ka organizuar protestën e radhës ditën e sotme, protestë që vijon prej 6 muajsh tashmë. Ndërkohë që kanë hequr dorë nga tensionet dhe flakadanët, protestuesit ditën e sotme kanë shkuar para Bashkisë Tiranë me qese me mbetje në duar, simbol sipas tyre i plehrave të pa mbledhura në qytet.

“Plehrat që janë nëpër Tiranë meritojnë të shkojnë drejt zyrës por kjo nuk është zgjidhje. Zgjidhje është të nxjerrim plehrën nga zyra”, tha Klevis Balliu ndërsa protestuesit por edhe anëtari i këshillit bashkiak si Tedi Blushi, po hidhnin thasët me mbeturina drejt bashkisë.

Ndërkohë, opozita ka vijuar me akuzat drejt ndërkombëtarëve.

Ishte fillimisht Tedi Blushi i cili tha se “të gjithë ata gjoja evropiane të korruptuar kanë shkelur mbi vlerat e bashkimit evropian dhe ftojnë të flasë para studentëve, modelin me të shëmtuar për të rinjtë shqiptarë”, referuar ceremonisë së hapjes së Kolegjit Europian në Tiranë, ku Erion Veliaj mori fjalën.

“Sot ne duhet të japim një mesazh dhe gjithë këtyre diplomatëve të korruptuar që vijnë e japin leksione popullit më patriotik të Evropës. Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët dhe nuk ka Mcgonigal dhe çdo zyrtar të korruptuar evropian apo amerikan që mund të vrasë ëndrrat  e tyre”, tha Blushi.

Më pas foli Belind Këlliçi.

“Dita e sotme ka nisur me një aktivitet të shëmtuar, ku regjisor kryesor është ambasadori i BE, Gonzato, i cili ditën e sotme do u shesë të rinjve ekselentë të Tiranës si model suksesi Erion Veliajn, një hajdut ordiner, një mbeturinë njerëzore dhe politike, i cili është në hetim për vjedhje.

“Një njeri që ka betonizuar Tiranën, që ka shkatërruar qytetin e Tiranës, ka shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe këtë njeri, zyra e delegacionit të BE, së bashku me një komuniste si Federica Mogherini e shesin si simbol suksesi. Mos vallë zyra e BE nuk e di që ky hajdut është në hetim pasuror? A mos nuk e dini se gjysma e stafit të tij kanë vjedhur vota dhe janë në burg?”, tha Këlliçi.

Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti në fjalën e tij përpara protestuesve tha se dy godinat që duhet të zbrazen urgjentisht nga revolta popullore është godina e kryeministrisë dhe kjo e bashkisë së Tiranës.

The post Protesta e opozitës, thasë me mbeturina drejt bashkisë. Këlliçi sulmon ambasadorin e BE dhe Mogherinin e quan komuniste appeared first on Gazeta Si.

Arrestohet autori i vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër, në kërkim 3 të tjerë. Zbulohet garazhi ku mbanin mjetet e trafikuara për krimet

6 September 2024 at 11:39

Nga Gazeta Si- Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e Elis Rroshkodolit të ndodhur më 30 gusht në Shkodër. Deri më tani, policia ka arrestuar një person si autor i dyshuar i vrasjes ndërkohë që 3 të tjerë janë identifikuar nga policia dhe shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.).

Gjithashtu policia ka zbuluar një garazh në territorin e bashkisë Tiranë, që iu shërbente 4 shtetasve, si bazë kriminale për të fshehur automjete të trafikuara, të cilat do të përdoreshin gjatë kryerjes së krimeve. “Sekuestrohen 3 automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës dhe pjesë të automjetit të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.)”, thuhet në njoftimin e policisë.

The post Arrestohet autori i vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër, në kërkim 3 të tjerë. Zbulohet garazhi ku mbanin mjetet e trafikuara për krimet appeared first on Gazeta Si.

Vera e 2024 ishte më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë

6 September 2024 at 11:18

Vera e vitit 2024 ishte më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë në Tokë, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus.

Ishte gjithashtu më i ngrohti në të gjithë Evropën me 1.54 C mbi mesataren afatgjatë 1991-2020, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm nga viti 2022.

Gushti ishte gjithashtu muaji i 13-të në ku temperatura mesatare globale tejkaloi 1.5C mbi nivelet para-industriale.

Deri më tani këtë vit temperatura mesatare globale ka qenë 0.7C mbi mesataren e viteve 1991-2020, që është më e larta në rekord.

Prandaj, ka gjithnjë e më shumë gjasa që viti 2024 të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar globalisht, sipas Copernicus.

Në të gjithë botën kemi parë valë të nxehtit dhe mot ekstrem.

Zëvendësdrejtoresha e Copernicus, Samantha Burgess tha se ngjarjet ekstreme të lidhura me temperaturën e dëshmuar këtë verë do të bëhen më intensive.

Në të gjithë Evropën, rekordet e temperaturës janë thyer gjatë verës, me Austrinë që ishte më e ngrohta dhe Spanjën që pati gushtin e saj më të ngrohtë në histori.

The post Vera e 2024 ishte më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë appeared first on Gazeta Si.

Kaos në avionin drejt Greqisë, pasagjeri tenton të hyjë në kabinë

5 September 2024 at 14:23

Një pasagjer i dehur krijoi situatë kaotike gjatë një udhëtimi me avion duke terrorizuar udhëtarët e tjerë e duke i detyruar në fund pilotët të bëjnë ulje të detyruar. Pasagjeri tentoi të hynte me forcë në kabinën e tyre, i zemëruar për vonesat në rrugëtim. Avioni po udhëtonte nga aeroporti Gatwick i Londrës, ndërsa kishte për destinacion aeroportin e Kosit në Greqi.

Pasagjeri ishte ankuar për pilotët sepse sipas tij ishin të ngadaltë dhe ka tentuar të marrë vetë situatën në dorë.

Nisur nga gjendja kaotike e krijuar në bord, pilotët vendosën të bënin ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtarë të Mynihut. Atje, ka mbërritur në pistë policia gjermane që e arrestoi pasagjerin problematik dhe e largoi me pranga nga avioni.

The post Kaos në avionin drejt Greqisë, pasagjeri tenton të hyjë në kabinë appeared first on Gazeta Si.

Moti i keq godet Italinë, banorët bllokohen në shtëpi

5 September 2024 at 12:51

Dy fshatra në rajonin e Piemonte janë izoluar për shkak të valës së motit të keq që ka prekur rajonin. Dega Gerardo u tejmbush, duke shembur një pjesë të një ure të vogël në fshatin Mathieu.

Ndërkohë koha e keqe ka shkaktuar përmbytje në Brescia, Romë, Toronto dhe vende të tjera përreth.

Në të njëjtën kohë, në zonat e rajonit Valle D’Aosta, në kufi me Francën, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shkak të dëmtimit të ujësjellësit.

Në Albenga, Liguria, dhjetë persona u evakuuan nga shtëpitë e tyre tashmë të përmbytura me ndihmën e zjarrfikësve.

The post Moti i keq godet Italinë, banorët bllokohen në shtëpi appeared first on Gazeta Si.

Zbardhet dinamika e atentatit në ‘Don Bosko’ / Autorët ndoqën shënjestrën për disa ditë, pritën 30 minuta që të uleshin në lokal

5 September 2024 at 12:50

Nga Gazeta Si- Janë zbuluar detaje të reja në lidhje me atentatin e së mërkurës në një lokal në “Don Bosko” ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.

Sipas zbardhjes së dinamikës, atentatorët kanë ndjekur prej disa ditësh lëvizjet e shënjestrës. Ndërsa ditën e ngjarjes autorët kanë pritur për gati 30 minuta në afërsi të lokalit ku ndodhi ngjarja, duke parkuar makinën në një cep pallati.

Ndërkohë që autorët i prisnin në makinë, dy të plagosurit kanë ardhur dhe janë ulur në verandë, siç bënin gati çdo ditë, sipas deklaratave të tyre. Nga kamerat e sigurisë dallohet se autorët kanë lëvizur me automjet për t’u siguruar se janë ulur aty dhe kanë saktësuar tavolinën.

Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën, kanë qëlluar dhe janë larguar menjëherë nga kanë ardhur.

Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të grupit hetimor, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes. Të njëjtin itinerar ndoqi edhe në kthim, derisa e dogjën makinën në Qerekë, sapo kalon Kamzën.

Në Qerekë autorët e kanë djegur makinën në një zonë që nuk ka mbulim me kamera sigurie.

Ndërkohë targa që ka qenë i pajisur automjeti i autorëve i përket një makine në Valias të Kamzës. Këto targa janë të dubluara dhe nuk ka pasur denoncim për vjedhje.

The post Zbardhet dinamika e atentatit në ‘Don Bosko’ / Autorët ndoqën shënjestrën për disa ditë, pritën 30 minuta që të uleshin në lokal appeared first on Gazeta Si.

❌
❌