Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 September 2024Main stream

Atentati i dytë (i dështuar) ndaj Trumpit, si mund të ndodhë përsëri? Të gjitha boshllëqet e sigurisë

16 September 2024 at 14:33

Gazeta Si – Gabimi edhe këtë herë ishte në vendosjen e perimetrit. Në Butler, Pensilvani, Thomas Crooks ishte në gjendje të vendosej në çatinë e një ndërtese të pambikëqyrur. Në Mar a Lago, Ryan Routh iu afrua objektivit, sepse jo e gjithë fusha e golfit ishte me njerëz.

Një pikë e dobët që tashmë është shfaqur në raportet e mëparshme, ku vihej në pah vështirësia për të mbrojtur Donald Trump kur ai i përkushtohet sportit të tij të preferuar.

Shërbimi Sekret ka për detyrë të krijojë një “flluskë” për të mbrojtur personalitetin në ngjarje dhe kur udhëton në procesione.

Një rreth i gjerë largon kërcënimet e mundshme, por kërkon një numër të madh agjentësh. Që nuk mjaftojnë kurrë.

Në Florida zyrtarët u kufizuan në mbrojtjen e ngushtë dhe fatmirësisht “roja” punoi falë reagimit të shpejtë të eskortës.

Në realitet do të kishte shërbyer për të izoluar të gjithë kompleksin, një “trajtim” i cili megjithatë i rezervohet vetëm presidentit.

Tani, në fakt, është vendosur që të shtrihet edhe tek “The Donald” dhe kjo do të sjellë nevojën për të pasur burra të tjerë në terren. Kush e di, ata mund të kërkojnë ndihmë nga Pentagoni.

Pas atentatit në Butler, u njoftua mbështetja e ardhshme e ushtrisë për të rritur kontigjentin për të garantuar VIP-at, një rol në krahun e federalëve, sigurisht jo një angazhim i drejtpërdrejtë.

Nuk mjafton shtimi i “kalorësisë”, sepse nevojitet një element i dytë: koordinimi ndërmjet forcave të ndryshme policore të përfshira në mision. Departamentet lokale ndërhyjnë së bashku me Shërbimin Sekret – pa njerëz – me stafin e tyre.

Patrullat, snajperët, ekipet e qenve, trafiku rrugor. Një vendosje në dukje e fuqishme, me kusht që lëvizjet të jenë të sinkronizuara në mënyrë perfekte.

Lëndimi i ish-presidentit në Butler, tregoi se jo gjithçka funksionon automatikisht. Në takimet përgatitore, drejtuesit e sigurisë kishin identifikuar si problematike ndërtesën e përdorur nga Crooks si lokacion, kishin planifikuar ta izolonin atë me agjentë vendas dhe kishin menduar gjithashtu të vendosnin flamuj të mëdhenj dhe struktura të tjera për të mbrojtur skenën.

Në ditën e tubimit, megjithatë, ata kuptuan se disa nga urdhrat nuk ishin zbatuar. Gabimisht, për shkak të mungesës së stafit.

Kështu u hap një gropë në perimetër. Për më tepër, sistemi i komunikimit midis sekretarit dhe kolegëve vendas nxori në pah problemet teknike dhe krijoi vonesa që mund të kishin qenë fatale për kandidatin republikan.

Vetëm pas atij sulmi u shtuan panele të mëdha antiplumb para podiumit, ku Trump do të shfaqej pasi kishte refuzuar ftesën për të hequr dorë nga takimet në natyrë.

Agjentët duhet të mendojnë për gjithçka, sepse nëse ata “studojnë” me kujdes zonën e përdorimit nga ai, kështu veprojnë edhe sulmuesit e mundshëm.

Me këtë të fundit që ka një avantazh ndaj të pares, pasi ata mund të zgjedhin pikën më të mirë (ose më të lehtë) për t’iu afruar objektivit.

Në disa raste ata i kushtojnë muaj planifikimit të gjestit të tyre. Thomas Crooks shkonte rregullisht në poligon, bënte bomba në shtëpi, kishte blerë materialin e nevojshëm “logjistik” dhe kishte bërë kërkime në internet.

Do të shohim se çfarë zbulojnë hetimet për Routh-in, një 58-vjeçar me precedentë penalë dhe profil të dyshimtë, i pajisur me kallashnikov, i cili arriti të depërtonte fshehurazi në “vrimat” e rezidencës dhe ishte i mirëinformuar për praninë e Trumpit.

Tashmë më 18 gusht, një artikull në gazetën “Washington Post”, raportoi se Donald ishte shumë i ekspozuar në fushën e Mar e Lagos, duke shkaktuar frikën e Shërbimit Sekret për vështirësinë e shmangies së rreziqeve në atë kontekst.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Atentati i dytë (i dështuar) ndaj Trumpit, si mund të ndodhë përsëri? Të gjitha boshllëqet e sigurisë appeared first on Gazeta Si.

Rrëzohet nga shkallët e anijes, humb jetën një 22-vjeçar në Porto Romano

16 September 2024 at 14:04

Gazeta Si – Një 22-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike mesditën e kësaj të hëne në Porto Romano të Durrësit.

Policia njofton se i riu me iniciale Y.B., ka humbur jetën pasi është rrëzuar aksidentalisht nga shkallët e një anije.

“Rreth orës 12:00, në Porto Romano, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga shkallët e një anijeje, shtetasi Y. B., 22 vjeç, pjesëtar i ekuipazhit, i cili si pasojë ka humbur jetën”, – njofton policia.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

The post Rrëzohet nga shkallët e anijes, humb jetën një 22-vjeçar në Porto Romano appeared first on Gazeta Si.

Shkelja e perimetrit të sigurisë në Peqin dhe Burrel, kreu i Burgjeve kërkon sisteme anti-dronë

16 September 2024 at 13:37

Gazeta Si – Pas rasteve të fundit të futjes së dronëve mbi ambientet e jashtme të burgjeve shqiptare, Drejtoria e Përgjithshme e këtij institucioni ka kërkuar më shumë mbështetje financiare për instalimin e pajisjeve që parandalojnë këto sisteme.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, kërkoi këtë të hënë para Komisionit të Sigurisë në Kuvend më shumë mbështetje për të parandaluar episode të tilla që mund të shkaktojnë ngjarje të mundshme kriminale.

“Kemi bërë kërkesë për buxhetimin e sistemit anti-dron në të gjitha burgjet me qëllim parandalimin e të gjitha ngjarjeve”, tha kreu i Burgjeve.

Qose tha se duhet kryer investim në sisteme anti-dronë, pasi edhe pse në 2 rastet e konstatuara së fundmi nuk ka pasur pasoja, grupet kriminale mund t’i përdorin ato për të sulmuar edhe me lëndë eksplozive persona të dënuar për hakmarrje apo për larje hesapesh.

Ditët e fundit, policia njoftoi kapjen e dy dronëve në Burgun e Peqinit dhe të Burrelit, ku në rastin e parë pajisja fluturuese kishte lëndë narkotike të llojeve të ndryshme dhe celularë.

Qose, në Komisionin e Sigurisë foli edhe një ngjarjen e rëndë të ndodhur dhjetorin e vitit të kaluar, ku Sokol Mjacaj vrau brenda në burg  me një armë zjarri tip pistoletë të dënuarin Arben Lleshi.

Ai tha se arma me të cilin u krye vrasja ishte futur në burg në mënyrë të paligjshme, ndërsa shtoi se hetimet ende nuk kanë përfunduar.

Sipas tij, nga ana e Drejtorisë së Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal.

“Më datë 15 dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë në Peqin u vra një i burgosur me armë zjarri pistoletë nga një  i burgosur tjetër. Lidhur me këtë ngjarje, rrethanat e kryerjes, bashkëpunimit dhe mënyra si kishte hyrë arma kontrabandë burgut, po kryhet një hetim i thelluar nga Prokuroria. Disa punonjës janë marrë nën hetim lidhur me veprimet dhe ndërveprimet e tyre, por deri tani nuk janë përfunduar hetimet. Sa i përket veprimeve të ndërmarra nga Drejtoria e Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal”, tha Drejtori i Burgjeve.

Në fjalën e tij, kreu i Burgjeve bëri të ditur se 7 të burgosur janë vendosur në regjimin e posaçëm “41 bis” më kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

“Sa i përket zbatimit të ligjit për regjimin e posaçëm, pas implementimit të ligjit në sistemin penitenciar, për herë të parë dhe jo vetëm në Itali por dhe në shtetin italian që është implementuar ky ligj, ka dhënë një efekt mbi të gjithë të dënuarit që kanë një rrezikshmëri të lartë dhe janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale dhe kryejnë këtë veprimtari akoma në ambientet e burgut me komunikime me anë të pajisjeve të tjera dixhitale. Në sistemin penitenciar aktualisht kemi 7 persona të cilët kanë  kaluar në regjimin e posacëm dhe janë të 7 që kanë kaluar më kerkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kemi 22 kërkesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, 7 janë miratuar, pjesa tjetër është në proces”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

The post Shkelja e perimetrit të sigurisë në Peqin dhe Burrel, kreu i Burgjeve kërkon sisteme anti-dronë appeared first on Gazeta Si.

Apeli e dënoi për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese bën rekurs në Gjykatën e Lartë

16 September 2024 at 12:21

Gazeta Si – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekurs për vendimin e dhënë nga Apeli, që e shpalli atë fajtor për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Gjykata e Posaçme e Apelit, vendosi më 13 shkurt të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim, masë e cila u pezullua në këmbim të vendosjes në shërbim prove për 1 vit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja e kaloi shkallën e parë të vetingut, por u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, KPA që e lidhi këtë subjekt rivlerësimi përmes një kontrate me OSHEE me një apartament në Golem, që pretendohej se ishte i vëllait.

Hetimet ndaj Dedjas u nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

SPAK siguroi atëherë në Gjykatën e Posaçme urdhër sekuestroje për një shtëpi me sipërfaqe 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas.

Dedja u deklarua dhe u dënua në Shkallën e Parë më 26 qershor 2023, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

The post Apeli e dënoi për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese bën rekurs në Gjykatën e Lartë appeared first on Gazeta Si.

Pas lirisë, Fredi Beleri kërkon pafajësi në Gjykatën e Lartë

16 September 2024 at 11:06

Gazeta Si – Dy javë pasi u lirua nga qelia, ish kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri ka dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon pafajësi.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të shkuar në Himarë, pasi dyshohej për blerje votash.

Edhe pse fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë, ai nuk arriti asnjëherë ta ushtronte detyrën. Beleri u dënua me 2 vite burgim për akuzën e korrupsionit zgjedhor, por asnjëherë nuk e pranoi akuzën, duke deklaruar se ishte arrestuar me urdhër politik.

Gjatë kohës që vuante dënimin, Beleri u zgjodh edhe eurodeputet i Greqisë i propozuar nga kryeministri grek Mitsotakis, që përfaqëson Partinë Demokracia e Re.

Më 2 shtator, Beleri u lirua me kusht, kur i kishin mbetur edhe 6 muaj për të vuajtur në qeli. Beteja e tij ligjore me drejtësinë shqiptare, tensionoi edhe marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës dhe Athinës.

The post Pas lirisë, Fredi Beleri kërkon pafajësi në Gjykatën e Lartë appeared first on Gazeta Si.

Plagosja e dyfishtë në Malësi të Madhe, autori i ngjarjes dëshmon: Më dhunuan nipin, shkova të sqarohesha

16 September 2024 at 11:01

Gazeta Si – Një sherr banal mes nipit të Lulzim Rakajt dhe dy personave që mbetën të plagosur nga ky i fundit, duket se ka qenë shkaku i të shtënave me armë zjarri në Malësi të Madhe.

Gjatë dëshmisë së tij në polici, Rakaj, i arrestuar pak pas ngjarjes, ka thënë se shkoi të takonte personat në fjalë, të cilët sipas tij i kanë dhunuar nipin, por ka dyshuar se njëri prej tyre ka pasur armë dhe i ka qëlluar.

“Pak ditë më parë, dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur, por di që më kanë goditur nipin, i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndaj duke menduar se mund të më vrisnin, qëllova ndaj tyre”, ka deklaruar përpara grupit hetimor Rakaj.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në rrethrrotullimin e Grikës në Malësinë e Madhe në hyrjen e një lokali. Lul Rakaj dyshohet se qëlloi 8 herë në drejtim të Besmir Çofit dhe Avenir Hasanajt, duke i lënë të plagosur.

Hasanaj mori një plumb në gjoks dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas operacionit në spital kaloi rrezikun për jetën.

Pas ngjarjes në ndihmë të efektivëve të Shkodrës mbërritën forcat speciale RENEA, të cilat pas pak orësh arritën të prangosin Lul Rakaj.

Arrestimi i tij u bë në afërsi të balkonit panoramik të Tamarës në Malësinë e Madhe. 38-vjeçari tentoi që të çajë rrethimin e RENEA por forcat speciale arritën ta ndalojnë.

Në automjet Lul Rakaj kishte edhe bashkëshorten. Arma e zjarrit tip pistoletë nuk është gjetur ende dhe policia po punon për ta gjetur dhe sekuestruar si provë.

Lul Rakaj në vitin 2004 ka vrarë shtetasin Kolë Gjokaj duke u hakmarrë për babain e tij të vrarë nga vëllai i Kolë Gjokajt më përpara.

Pas afro 15 vitesh burg, Lul Rakaj u lirua duke u përfshirë në këtë tenativë vrasjeje me dy të plagosur.

The post Plagosja e dyfishtë në Malësi të Madhe, autori i ngjarjes dëshmon: Më dhunuan nipin, shkova të sqarohesha appeared first on Gazeta Si.

Mori ryshfet nga ‘Rrumi i Shijakut’, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-avokatin e shtetit

16 September 2024 at 10:36

Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së, ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-avokatin e Shtetit, Irgen Kërçuku, i cili u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Kërçuku është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion nën akuzën se është korruptuar nga Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut, i shpallur në kërkim për disa vepra penale nga SPAK.

Ai u arrestua në nëntor të 2019-tës, kur iu bë atentat bashkë me prokurorin Arjan Ndoj, ndërsa ky i fundit mbeti i vdekur.

Nga hetimet e kryera atij iu gjet në celular një video-përgjim të qershorit të 2017-të ku bisedonte për ryshfet me avokatin Irgen Kërçuku, që të mos apelonte procesin gjyqësor për pronësinë e 45 mijë metra/katrorë pronë shtetërore në Gjirin e Lalzit.

Irgen Kërçuku, akuzohet nga SPAK se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Aleksandër Laho, akuzohet se ka kryer veprën penale “ Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

SPAK thotë se është provuar se Irgen Kërçuku, me detyrë asokohe avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë 900 000 lekë nga Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, lidhur pronat në Lalëz.

Ai u pagua për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pas një ngërçi të gjatë ligjor me 45 mijë metra/katrorë në Gjirin e Lalëzit me paditës Pal Seçuni.

The post Mori ryshfet nga ‘Rrumi i Shijakut’, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-avokatin e shtetit appeared first on Gazeta Si.

Nga Trumpi ‘kaloi’ te Bideni dhe 8 herë i arrestuar! Kush është Ryan Routh, atentatori që tentoi të vriste ish-presidentin

16 September 2024 at 08:35

Gazeta Si – Personi i arrestuar dhe nën hetim për tentativën për të vrarë Donald Trump të dielën në fushën e tij të golfit në Florida, quhet Ryan Wesley Routh.

Ai është 58 vjeç dhe u transferua në Hawaii nga Karolina e Veriut në vitin 2018. Ai është shumë aktiv në rrjetet sociale, ku deklaroi se ishte gati të luftonte dhe të vdiste për Ukrainën.

Sipas mediave amerikane, thuhet se gjithashtu votoi për Donald Trump në vitin 2016, por ishte i zhgënjyer prej tij.

Më pas, kishte votuar në zgjedhjet e fundit paraprake demokrate dhe kishte shprehur mbështetjen e tij për Joe Biden përpara tërheqjes së tij nga gara për Shtëpinë e Bardhë.

Në një postim prillin e kaluar në X, Routh shkroi se “demokracia është në rrezik në këto zgjedhje”, një frazë e përdorur vazhdimisht nga Partia Demokratike kundër Trump.

Kjo është arsyeja pse mbështetësit e Trump dhe mediat e krahut të djathtë akuzojnë Presidentin Biden dhe zv/presidentes Kamala Harris për nxitje të retorikës së dhunshme kundër rivalit të tyre.

Ukraina

Duke gjykuar nga postimet e tij të shumta në rrjetet sociale në lidhje me Ukrainën, Routh shkoi në Kiev, sepse donte të luftonte, edhe pse nuk kishte përvojë të mëparshme ushtarake.

Ai u deklarua “gati për të vdekur”, por nuk është e qartë nëse ai mori pjesë në luftime. Routh u intervistua nga “New York Times” në vitin 2023 në një artikull mbi luftëtarët e huaj amerikanë në Ukrainë: ai tha se ishte në Uashington për të takuar Komisionin e Kongresit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin me Evropën, “për dy orë” për të nxitur mbështetje më të madhe për Ukrainën. Por kur një tjetër luftëtar i huaj amerikan e kritikoi atë në Facebook, Routh deklaroi se “duhet qëlluar”.

Routh ishte përpjekur të rekrutonte ushtarë afganë për t’i sjellë në disa raste ilegalisht nga Pakistani dhe Irani në Ukrainë, për t’iu bashkuar luftës kundër Rusisë, por nuk është e qartë nëse ai u përpoq ta zbatonte këtë plan.

Në një mesazh tjetër në rrjetet sociale, ai i kërkoi Elon Musk t’i shesë atij një raketë për të “montuar një kokë lufte në të për ta përdorur kundër bunkerit të Putinit në Detin e Zi dhe për ta eliminuar atë përgjithmonë”.

“A mund të më thoni ju lutem çmimin?” – kërkoi ai, duke shpjeguar se raketa mund të jetë edhe “e vjetër dhe e përdorur”.

Ekspertët i analizojnë këto mesazhe në lidhje me nivelin e planifikimit të sulmit dhe me pajisjet e gjetura në vendngjarje: një pushkë gjysmë automatike e tipit Ak-47, një jelek antiplumb, si dhe një kamerë portative GoPro për të regjistruar sulmin të montuar në gardhin e jashtëm ku ai ishte vendosur për të qëlluar Donald Trumpin në Florida.

Nuk është e qartë se si Routh e dinte se Trump do të ishte midis gropave 5 dhe 6 të fushës së tij të golfit, të cilat ishin të dukshme nga pozicioni i tij.

Vendimi për të luajtur golf në West Palm Beach nuk ishte shpallur dhe ishte marrë në minutën e fundit. Ndër hipotezat e FBI-së, është edhe mundësia që ai ta ketë pritur Trumpin, edhe pse nuk kishte informacion se ku do të gjendej ish-presidenti të dielën.

Arrestimet e mëparshme

Sipas CNN, autori i dyshuar është arrestuar tetë herë në Amerikë: në një nga këto raste në vitin 2002, ai u ndoq nga policia dhe ishte fshehur për tre orë në një kompani ndërtimi në Greensboro, Karolina e Veriut, ku u gjet në posedim të një mitralozi.

Këtë të diel, në Florida, ai nuk bëri rezistencë ndaj arrestimit: pasi u pikas në perimetrin e fushës së golfit nga një agjent i shërbimit secret, i cili qëlloi mbi të, Routh braktisi pushkën dhe iku me një makinë tip “Nissan” të zi, për t’u kapur brenda pak minutash, pasi një dëshmitari e kishte parë të dilte nga shkurret dhe kishte fotografuar targën.

Kur u arrestua, ai ishte “i qetë, pa emocione, nuk ishte i armatosur”, tha sherifi. Makina ishte e regjistruar në emër të vajzës së tij. Djali i tij, Oren tha se babai i tij “është një person i sjellshëm, një punëtor i ndershëm. Burri që njoh nuk do të kishte bërë asgjë të çmendur apo të dhunshme. Nuk e di se çfarë ndodhi në Florida”.

Por ai shtoi, duke folur për “Daily Mail”, se babë e bir ishin larguar dhe nuk ishin gjithmonë në kontakt. Djali tha gjithashtu se Ryan Routh e urren Trumpin “si çdo person i arsyeshëm”.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Nga Trumpi ‘kaloi’ te Bideni dhe 8 herë i arrestuar! Kush është Ryan Routh, atentatori që tentoi të vriste ish-presidentin appeared first on Gazeta Si.

Të shtëna me armë në fushën e golfit të Trumpit, arrestohet 58-vjeçari. FBI: Donin ta vrisnin. Ish-presidenti: Nuk dorëzohem

16 September 2024 at 08:12

Gazeta Si – Donald Trump është “i sigurt pasi disa të shtëna me armë zjarri u qëlluan pranë tij”. Kështu ka bërë të ditur drejtori i komunikimit i kandidatit republikan për fushatën e Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung.

Ngjarja ndodhi ndërsa ish-presidenti ishte duke luajtur golf në fushën e tij në Ëest Palm Beach, Florida.

Një pushkë gjysmë automatike “AK47” u gjet më vonë në shkurret përreth dhe një i dyshuar u arrestua.

Ai është një 58-vjeçar me origjinë nga Hawaii, Ryan Routh. Menjëherë pas ngjarjes ishte vetë manjati ai që i siguroi të gjithë: “Jam mirë dhe nuk do të dorëzohem kurrë. Vendosmëria ime është më e fortë vetëm pas një sulmi tjetër në rrugën time”.

Disa burime i thanë CNN se i arrestuari synonte të sulmonte ish-presidentin. Hipoteza e ngritur më vonë edhe nga FBI: “Ishte një tentativë e dukshme vrasjeje. I gjithë objekti i fushës së golfit u mbyll dhe u sigurua nga njësitë special amerikane.

Aty pranë u gjetën edhe një çantë shpine dhe një aparat fotografik Go-Pro. Nga të shtënat nuk raportohet për të lënduar.

Episodi i ri ndodhi dy muaj pasi Trump u godit nga një plumb në vesh në sulmin e 13 korrikut gjatë një mitingu në Pensilvani.

Sherifi tha në një konferencë për shtyp se sulmuesi e drejtoi pushkën në gardhin e fushës së golfit rreth 400-500 metra larg Trump.

Trump: Jam mirë dhe nuk do të dorëzohem kurrë – Në një email drejtuar mbështetësve të tij, Trump shkroi: “Ka pasur të shtëna pranë meje, por para se thashethemet të fillojnë të dalin jashtë kontrollit, doja që ju ta dëgjoni këtë. Së pari: unë jam i sigurt dhe gjallë”.

Ndërhyrja e Shërbimit Sekret  – Trump u shpëtua në siguria nga Shërbimit Sekret, i cili ndërhyri pranë klubit të golfit.

Këtu, oficerët hapën zjarr ndaj të dyshuarit, i cili u pa me atë që dukej të ishte një armë.

Nuk është e qartë nëse, në momentin e të shtënave, burri ishte në rrugën e kampit apo aty pranë.

I dyshuari u arrestua më pas nga policia në autostradën I-95, ndërshtetërore kryesore në Bregun Lindor, ku ai kishte ikur me një fuoristradë.

Çfarë ndodhi në klubin e golfit të Trump – Sipas hetuesve, një nga telefonatat e para në numrin 911, përfshinte të shtëna mes dy individëve jashtë klubit të golfit të Donald Trump.

Në realitet, as media dhe as autoritetet nuk kanë specifikuar nëse i dyshuari ka hapur zjarr apo nëse të shtënat e dëgjuara janë shkrepur nga Shërbimi Sekret për ta neutralizuar paraprakisht pas identifikimit të tij.

Sipas versionit të parë të ngjarjeve të publikuar nga sherifi vendas, dy persona kanë shkëmbyer të shtëna në një përplasje me armë zjarri. Zyrtarët e inteligjencës amerikane së fundmi informuan fushatën e Donald Trump për indikacione të reja se Irani po planifikon të intensifikojë sulmet ndaj ish-presidentit dhe atyre përreth tij.

Biden dhe Harris – Joe Biden dhe Kamala Harris janë informuar për të shtënat pranë Donald Trump dhe janë “të lehtësuar” që manjati është i sigurt. Dhuna nuk ka vend në Amerikë”, nënvizoi më pas nënpresidenti amerikan. Ndërkohë, zyrtarët e zbatimit të ligjit po diskutojnë mundësinë për të marrë masa më të mëdha sigurie për Mar-a-Lago, ku Trump jeton me gruan e tij Melania.

Sulmi në Pensilvani – Të shtënat e fundit, vijnë dy muaj pas tentativës për vrasjen e ish-presidentit në Butler të Pensilvanisë, nga 20-vjeçari Thomas Crooks, i cili u vra në vendngjarje nga një snajper.

Autori e goditi Trumpin ndërsa ai ishte në skenë, duke i plagosur veshin, por duke vrarë një person tjetër dhe duke plagosur dy të tjerë.

Një tentativë vrasjeje që shkaktoi furtunë në Shërbimin Sekret, duke e detyruar drejtorin të jepte dorëheqjen.

The post Të shtëna me armë në fushën e golfit të Trumpit, arrestohet 58-vjeçari. FBI: Donin ta vrisnin. Ish-presidenti: Nuk dorëzohem appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

I pandehur për korrupsion pasiv, Berisha mbron fondacionin ‘Fëmijët shqiptarë’ dhe sulmon prokurorët e SPAK: Monstra, mercenarë të Ramës

14 September 2024 at 14:31

Gazeta Si – Tre ditë pasi SPAK e mori të pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”, ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar prokurorët e SPAK dhe merr në mbrojtje fondacionin “Fëmijët shqiptarë” të drejtuar nga Liri Berisha, bashkëshortja e tij.

Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri e quajti Edi Ramën, “padroni vrasës, përdhunues e hajdut”, i kreut të SPAK, Altin Dumani, ndërsa edhe këtë të fundit e sulmoi si “hajdut” e “përbindësh”.

Sipas tij, “për të zbatuar urdhrat politikë të Edi Ramës, jo vetëm paraqesin si krim virtytin e bamirësisë të dëshmuar në mënyrën më transaperente e ligjore, por prokurorët kanë vendosur në dosje të aktakuzës ndaj Sali Berishës emrat e fëmijëve autikë përfitues të bamirësisë”, tha Berisha.

Berisha është shprehur se një ndër akuzat e ngritura ndaj tij është se është korruptuar nga dhëndri, Jamarbër dhe vajza e tij, Argita Malltezi në mënyrë të përvitshme, me pagesa që janë dhënë për fondacionin e Liri Berishës, “Fëmijët Shqiptarë”.

Në total sipas Berishës, vajza e tij Argita dhe dhëndri Jamarbër Malltezi kanë paguar në 12 vite rreth 118 mijë euro, të cilat sipas kreut të PD kanë shkuar për të kuruar fëmijët me spektër të autizmit.

“Dumani, Kraja dhe Millonai nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi më paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën, sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro”.

Duke mos i kursyer akuzat ndaj SPAK, Berisha tha se për arrestimin e tij janë të interesuar edhe diplomatë të huaj. “Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës. Publikisht e kanë bërë”.

Ai paralajmëroi nisjen e protesta kundër qeverisë, por përsëri pa dhënë një datë konkrete. “Lëvizja do nisë në kohën më të parë të mundshme dhe do jetë një lëvizje e pandalshme në të cilën PD duhet të përmbushë misionin e saj, rikthimin e votës së lirë shqiptarëve”.

Berisha nuk dha një përgjigje të qartë, nëse vajza e tij Argita Malltezi do të jetë në listat për kandidate për deputete në zgjedhjet e ardhshme.

“Atë nuk e vendos unë, e vendosë vetë ajo. Nëse dëshiron, primaret janë të hapura dhe nuk ka asnjë pengesë, por nuk e di a ka ndonjë ambicie apo jo”.

The post I pandehur për korrupsion pasiv, Berisha mbron fondacionin ‘Fëmijët shqiptarë’ dhe sulmon prokurorët e SPAK: Monstra, mercenarë të Ramës appeared first on Gazeta Si.

Goditet grupi që shpërndante drogë në shkollat e lokalet e Tiranës, 24 të arrestuar. Sekuestrohen 1.8 kg kokainë

14 September 2024 at 12:35

Gazeta Si – Një grup prej 28 personash që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave publike dhe lokaleve, është goditur nga policia në Tiranë.

Gjatë operacionit të koduar “Tempulli 4”, u arrestuan 24 persona, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë shtypi ku bëri të ditura rezultatet e këtij aksioni, tha se grupi kriminal shpërndante kokainë, marijuanë dhe drogëra sintetike afër shkollave, në lokale nate dhe zona të ndryshme të Tiranës.

Hetimi ka zgjatur disa muaj dhe u ndoq me metoda speciale proaktive, prej të cilave u zbulua se drogërat sintetike dërgoheshin në Shqipëri nga Serbia përmes postës.

Gjatë operacionit, u sekuestruan 1.8 kg kokainë, 18 kg marijuanë, 350 doza lëndë narkotike të drogërave sintetike si ekstazi, LCD etj.

Policia sqaroi se hetimi vijon edhe për përfshirjen e personave të tjerë, si dhe të furnizuesve.

Të arrestuarit:

Vilson Tresa, Asllan Maqellara, Etgent Luzi, Kostandinos Deliu, Armand Haderllari, Blerim Biba, Ilir Tufa, Kevin Kolgegaj, Marios Saliaj, Damjan Hasani, Erblin Buci, Ervis Duro, Jurgen Xhafa, Aldo Grabovari, Gazmend Hoxha, Sajmir Gerbaj, Aleksander Kili, Orgest Beqo, Xhelo Ajasllari, Paolo Shyti, Ervin Rakipi, Erdi Kurti, Adrian Ramushi.

Gjatë hetimit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– 1.8 kg, lëndë narkotike kokainë;
– 18 kg, lëndë narkotike marijuanë;
– 350 doza, me lëndë të dyshuar narkotike sintetikeekstazi dhe LCD;
– aparatet celulare dhe automjetet e shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

The post Goditet grupi që shpërndante drogë në shkollat e lokalet e Tiranës, 24 të arrestuar. Sekuestrohen 1.8 kg kokainë appeared first on Gazeta Si.

Vala e kokainës në Norvegji: Situatë kritike, deri në 900 kg të fshehura në kontejnerë bananesh nga Amerika e Jugut

14 September 2024 at 12:03

Gazeta Si – “Kemi sekuestruar një ngarkesë prej 900 kg”. Një doganier norvegjez i tha “Observer”-it: sekuestrimi ka të bëjë me një sasi kokaine dhe 900 kg ishin fshehur në një kontejner (me sa duket) me banane.

Frutat dhe droga mbërritën nga Kosta Rika dhe Ekuadori: porti i Oslos mirëpret rreth njëqind kontejnerë çdo javë.

Ngarkesa e çmuar (ajo e fshehur, jo ajo zyrtare), do të shitet më pas në të gjithë Evropën: nëse fshihet, kokaina është e vështirë të gjendet, sepse ka vetëm një skaner që mund të ekzaminojë të gjithë ngarkesën menjëherë dhe makineria është e përbashkët  në tre porte.

Një betejë, thonë autoritetet pa ngushëllim, e cila aktualisht duket pothuajse e pamundur për t’u luftuar.

Vitin e kaluar, doganat norvegjeze kanë bërë 1.847 sekuestrime, një numër që tejkalon totalin e 10 viteve të mëparshme dhe përfshin sasi rekord kokaine: 600, 800, 900 kg.

Në një bastisje pranverore u zbuluan 150 kg të fshehura nën një anije, të cilat trafikantët i kishin rekuperuar nga zhytës profesionistë.

Për të kryer me sukses operacionet, duket se lidhja lokale është e përbërë nga shoqata kriminale suedeze, “Foxtrot”. “Droga është e fshehur në fund të kontejnerit ose në pikën më të largët nga dera”, raportojnë doganierët.

Nga rrezet X, pakot duken si katrorë të zinj mes arkave të bananeve. “Shqetësimi ynë, – thotë Øystein Børmer, drejtor i përgjithshëm i doganave të kryeqytetit, – është që Norvegjia të bëhet porta hyrëse nga Amerika e Jugut në Evropë. Trafikantët ndryshojnë vazhdimisht mënyrën e tyre të veprimit: nëse ne fokusohemi në një vend, ata përdorin një tjetër”.

Kryebashkiakia e Oslos, Anne Lindboe gjithashtu beson se situata është kritike: “Qyteti po bëhet porti i preferuar në Evropë për kriminelët. Ka shumë pak kontroll”.

Por edhe para se të mbërrijë në pjesën tjetër të kontinentit, një pjesë e kokainës mbetet në Norvegji, një vend që renditet i treti në Evropë për konsum: droga shitet kryesisht në klube nate dhe në festa.

Mund të mendohet se kur skaneri i përmendur më sipër është i disponueshëm, puna për policinë do të ishte e thjeshtë: në të vërtetë nuk është kështu.

Gjithsesi nevojitet fuqi punëtore që di ta përdorë dhe kontejnerët grumbullohen ditë pas dite: “Jemi pak, burimet dhe pajisjet nuk mjaftojnë. Për më tepër, stafi nuk paguhet mirë. Inteligjenca na ndihmon, por prania jonë është pengesa e parë për t’iu kundërvënë fenomenit”.

Problemet në kufi nuk kufizohen vetëm në shitje, por hapin edhe çështje kritike në nivel social: fëmijët suedezë, për shembull, rekrutohen nga bandat kriminale daneze.

Bëhet fjalë për të mitur të moshës 12 vjeç, të cilët janë përfshirë në të shtëna që lidhen me trafikun e drogës.

Frika është se situata mund të përsëritet në Norvegji: “Ka shumë mundësi që ajo që ndodh në Suedi të arrijë këtu herët a vonë”, komentojnë norvegjezët.

Ndërkohë, qeveria ka akorduar 25 milionë euro për burime në luftën kundër drogës për vitin 2025, me shpresën që kontejnerët e bananeve të kthehen në punë për tregti frutash dhe jo për trafik droge.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Vala e kokainës në Norvegji: Situatë kritike, deri në 900 kg të fshehura në kontejnerë bananesh nga Amerika e Jugut appeared first on Gazeta Si.

Përshtati lokalin për lojëra fati, arrestohet pronari, në hetim dhe një 20-vjeçar

14 September 2024 at 11:26

Gazeta Si – NJë 29-vjeçar, me iniciale A.D., pronari i një lokali në lagjen “Partizani” në Burrel, është vendosur në pranga, pasi akuzohet se në këtë ambient vendoseshin baste sportive.

Policia tha se ka sekuestruar një sasi e vogël canabisi, 1 mjet prerës thikë, 10 bileta bingoje, 3 celularë, 1 komjuter, 1 printer dhe 1 armë sportive pistoletë.

“Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë pronari i lokalit shtetasi A.D., 29 vjeç, banues në Burrel, i cili kishte përshtatur lokalin e tij për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojrave të fatit. Në lokalin e 29-vjeçarit, u sekuestruan një sasi e vogël canabisi, 1 mjet prerës thikë, 10 bileta bingoje, 3 celularë, 1 komjuter, 1 printer dhe një shumë parash”, – njofton policia.

Po nga këto shërbime, nisi procedimi penal për shtetasin J.R., 20 vjeç, pasi gjatë kontrolli të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë sportive pistoletë dhe 2 fishekë.

The post Përshtati lokalin për lojëra fati, arrestohet pronari, në hetim dhe një 20-vjeçar appeared first on Gazeta Si.

Kultivuan kanabis rreth banesave të tyre, arrestohen 5 anëtarë të dy familjeve në Peqin

14 September 2024 at 09:58

Gazeta Si – Policia e Elbasanit ka goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Vashaj të Peqinit, duke çuar në pranga 5 persona, anëtarë të dy familjeve të ndryshme.

Sipas një njoftimi zyrtar, bëhet e ditur se të arrestuarit janë S. B., 62 vjeç dhe R. B., 23 vjeç (babë e bir) si dhe në pranga gjithashtu kanë rënë edhe K. Sh., 58 vjeç, M. Sh., 34 vjeç dhe E. Sh.,19 vjeç (babë e bir dhe nipi).

Blutë njoftojnë se gjithashtu janë sekuestruar bimë narkotike kanabis në proces tharjeje, lëndë narkotike kanabis e ndarë në doza, një shumë e madhe parash në lekë, euro e paund të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, dhe një armë e ftohtë (thikë).

“S. B., 62 vjeç dhe R. B., 23 vjeç (babë e bir), pasi gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve dhe përreth saj janë gjetur 150 bimë narkotike shumica të kultivuara në tokë dhe një pjesë e bimëve në proces tharjeje, një sasi kanabisi gati për shitje, 2.600.000 lekë të rinj, 3890 euro dhe 6770 paund, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale; K. Sh., 58 vjeç, M. Sh., 34 vjeç dhe E. Sh.,19 vjeç (babë e bir dhe nipi), pasi në ambientet rreth banesës së shtetasit K. Sh., janë gjetur disa bimë kanabis në proces tharjeje, si dhe një sasi kanabis gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

The post Kultivuan kanabis rreth banesave të tyre, arrestohen 5 anëtarë të dy familjeve në Peqin appeared first on Gazeta Si.

Me automatik për të vjedhur bagëtitë, arrestohet 27-vjeçari në Malësi të Madhe

14 September 2024 at 09:49

Gazeta Si – Një 27-vjeçar në Malësi të Madhe tentoi të vidhte disa bagëti nën kërcënimin e automatikut.

Policia thotë se ka arrestuar shtetasin G.B., banues në Vukaj, pas denoncimit nga një çoban, se i riu e kishte kërcënuar me automatik për t’i vjedhur bagëtitë në një kullotë në fshatin Nikç.

Dyshohet se gjatë tentativës, i riu kishte qëlluar në ajër me armën e zjarrit në shenjë kërcënimi. Policia që shkoi në vendngjarje, arrestoi në flagrancë 27-vjeçarin ndërsa i sekuestroi kallashnikovin, një krehër me municion luftarak, një thikë dhe një gëzhojë.

The post Me automatik për të vjedhur bagëtitë, arrestohet 27-vjeçari në Malësi të Madhe appeared first on Gazeta Si.

Koreja e Veriut zbulon fabrikën e pasurimit të uraniumit. Seuli: Nuk pranojmë armë bërthamore

13 September 2024 at 15:15

Gazeta Si – Koreja e Veriut ka publikuar për herë të parë imazhe të objektit të saj të pasurimit të uraniumit. Është një objekt sekret i ndërtuar për qëllime ushtarake, i zbuluar kur media shtetërore raportoi se lideri Kim Jong-un vizitoi zonën dhe përsëri bëri thirrje për përpjekje më të mëdha për të rritur “në mënyrë eksponenciale” numrin e armëve bërthamore.

Është e paqartë nëse vendi ndodhet në kompleksin Yongbyon, ku ndodhet qendra kërkimore shkencore bërthamore e Phenianit.

Kim bëri thirrje për një rritje të centrifugave për të pasuruar uraniumin gjatë një vizite në Institutin e Armëve Bërthamore dhe “bazën e prodhimit për materialet bërthamore të shkallës së armëve”, tha agjenci e lajmeve KCNA në një kabllogram, pa dhënë detaje mbi vendndodhjen e objektit ose datën e inspektimi në terren.

#NorthKorea for the first time, showed images of the centrifuges that produce fuel for its nuclear bombs on Friday, as leader #KimJongUn visited a uranium enrichment facility, where he presented essential tasks for the long-term plan to increase the production of nuclear weapons. pic.twitter.com/pvvxI2A20M

— Ifeng News (@IFENG__official) September 13, 2024

“Ai vizitoi dhomën e kontrollit të bazës së pasurimit për të mësuar rreth funksionimit të përgjithshëm të linjave të prodhimit”, shtoi KCNA, sipas së cilës udhëheqësi shprehu kënaqësinë e madhe, pasi u informua se “baza po prodhon materiale dinamike bërthamore”.

Kur personalisht vizitoi vendin, “ai tha se u ndje i fortë kur e pa. Ai theksoi nevojën për të rritur më tej numrin e centrifugave për të rritur në mënyrë eksponenciale armët bërthamore për vetëmbrojtje, në përputhje me linjën e Partisë së Punëtorëve për të forcuar forcat e armatosura bërthamore”.

Është hera e parë që Koreja e Veriut zbulon publikisht detaje të fabrikës së saj të pasurimit të uraniumit, e cila është thelbësore për prodhimin e kokave bërthamore, së bashku me plutoniumin.

Agjencitë e inteligjencës koreano-jugore dhe amerikane besojnë se Koreja e Veriut operon objekte të ngjashme në kompleksin bërthamor Kangson pranë Phenianit dhe në qendrën bërthamore në Yongbyon.

Në vitin 2010, Koreja e Veriut ftoi Siegfried Hecker, një shkencëtar bërthamor amerikan, për të inspektuar objektin e Yongbyon: eksperti foli me habi për pajisjet e avancuara që kishte parë në funksionim.

North Korea has publicly disclosed for the first time that it has a uranium enrichment plant, marking a significant development in its nuclear program :

As of January 2024, North Korea is believed to have approximately 50-70 nuclear warheads, as well as enough fissile material… pic.twitter.com/zGiw6tztVs

— S p r i n t e r (@SprinterFamily) September 13, 2024

Duket se Pheniani po e zhvendos prodhimin e tij të plutoniumit nga reaktori i Yongbyon në një vend nëntokësor, në mënyrë që të mund të bëhet më në fshehtësi dhe në sasi më të mëdha.

Për më tepër, Kim bëri thirrje për përmirësimin e kapacitetit ndarës të centrifugave dhe përshpejtimin e zhvillimit të një lloji të ri centrifuge për të “konsoliduar më tej themelet për prodhimin e materialeve bërthamore të shkallës së armëve”.

Udhëheqësi shoqërohej nga Hong Sung-mu, zëvendësdrejtor i municioneve në Partinë e Punëtorëve, i cili besohet se ka udhëhequr programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Reagimi i Koresë së Jugut ishte i menjëhershëm, duke dënuar procesin e punës në uzinën e re të pasurimit të uraniumit të Phenianit, duke nënvizuar se Seuli “nuk do të pranojë kurrë posedimin e armëve bërthamore nga Koreja e Veriut”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Unifikimit, Koo Byoung-sam shpjegoi se “ne nuk do të spekulojmë për mundësinë e një testi bërthamor, por nëse Koreja e Veriut vazhdon, atëherë ajo do të përballet me një nivel të paprecedentë parandalimi dhe sanksionesh”.

The post Koreja e Veriut zbulon fabrikën e pasurimit të uraniumit. Seuli: Nuk pranojmë armë bërthamore appeared first on Gazeta Si.

Hetimet për velierën e gjetur në Kavajë, asnjë gjurmë nga pronari i mjetit

13 September 2024 at 13:40

Gazeta Si – Veliera e gjetur e braktisur në rërë të enjten në bregdetin e Karpenit në Kavajë, duket se nuk ka lidhje me ndonjë ngjarje kriminale.

Sipas burimeve paraprake, dyshimet kryesore janë se 85-vjeçari gjerman Frank Rudiger, i cili ndodhej në bordin e mjetit lundrues, ka gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale, edhe pse trupi i tij nuk është gjetur ende nga policia.

Sipas burimeve praprake, dyshohet se ai ndodhej i vetëm në bordin e velierës, kjo referuar edhe telefonatave që ai kishte pasur me të birin, vetëm një ditë para se të zhdukej.

85-vjeçari ishte nisur nga porti i Barit më datë 9 shtator dhe kishte si destinacion Kroacinë. Veliera e tij u pikas nga GPS në det të hapur, teksa bënte lëvizje të pakontrolluara e më pas përfundoi në cekëtinë, ku dhe u gjet nga policia kufitare shqiptare.

Në bordin e mjetit detar, përveç pasaportës, telefonave e një laptopi, autoritetet gjetën edhe një pistoletë e fishekë, të cilën i moshuari e kishte me leje dhe e mbante gjithnjë me vete kur lundronte.

Një motoskaf i policisë kufitare po patrullon përgjatë brigjeve të bregdetit të Durrësit me qëllim gjetjen e pronarit të velierës, i cili dyshohet të ketë rënë aksidentalisht në det dhe të jetë mbytur.

Ndërkohë, Policia Kufitare, me anë të dy rimokiatorëve, po tenton të zhvendosë nga Karpeni drejt Portit të Durrësit mjetin që ka mbetur në ceëktinë.

The post Hetimet për velierën e gjetur në Kavajë, asnjë gjurmë nga pronari i mjetit appeared first on Gazeta Si.

Afera ‘Partizani’/ Kërkuan lirinë, Apeli i GJKKO lë në ‘arrest shtëpie’ Berishën dhe Malltezin dy ditë pasi u morën të pandehur

13 September 2024 at 14:46

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesat e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit për zëvendësimin e masave të tyre të sigurisë, dy ditë pasi u morën të pandehur dhe iu komunikuan zyrtarisht akuzat në lidhje me aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Gjyqtarja Ilirjana Olldashi, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi që t’i lërë në “arrest shtëpie” edhe ish-kryeministrin Berisha, ashtu edhe dhëndrin e tij, Malltezi.

Këtë të premte, avokatët e tyre iu drejtuan gjykatës ku kërkuan zëvendësim të masës së sigurisë, bazuar kryesisht në faktin se hetimet kanë mbaruar dhe nuk ka rrezikshmëri në prishjen e provave. Po ashtu ata u njohën me të gjitha zhvillimet e tjera hetimore të kryera nga SPAK gjatë këtyre muajve.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme, po ashtu i ka qëndruar kërkesës që Berisha dhe Malltezi të vijojnë me masat e sigurisë edhe gjatë procesit të gjykimit.

LEXO EDHE:
– Pesë minuta në SPAK, Jamarbër Malltezi njihet me akuzat e ‘korrupsionit dhe pastrim parash’: Nuk kanë prova, arresti është politik (video)
– Sali Berisha zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e ‘korrupsionit pasiv’. Pas 23 minutave në Prokurorinë e Posaçme: 500 faqe mashtrime…

Malltezi është praqitur personalisht në Apel për të kërkuar një masë më të butë sigurie, ndërsa Berisha ka zgjedhur të qëndrojë në shtëpi.

Berisha dhe Malltezi kërkuan zëvendësim të masës së sigurisë bazuar kryesisht në faktin se e gjithë dosja, e cila tashmë pritet të kalojë për gjykim, ka përfunduar hetimet dhe nuk ka rrezikshmëri në prishjen e provave.

Nga ana tjetër, sipas tyre, ka rezultuar se e gjithë akuza e ngritur nga ana e SPAK është e rrëzuar dhe nuk provohet.

“SPAK nuk ka futur të bëjë pjesë të dosjes fletoren zyrtare me ligjet e kohës. Kjo tregon nështrimin politik. E kanë bërë të qartë, vijimi është me të njëjtën masë. Ne i treguam gjykatës që prokurorët kanë dalë në gënjeshtër. Ka kod të veçantë për Edi Ramën dhe kod të veçantë për Sali Berishën. Ka vjedh tokë në Gjipe, asgjë nuk ka. Këto deklarova në gjykatë”, – tha Malltezi para SPAK për mediat.

Dy ditë më parë, ish-kryeministri Berisha, u mor i pandehur nga SPAK për dosjen “Partizani”, ku prokurorët i komunikuan akuzën për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”.

Për këtë aferë, akuzat për “korrupsion dhe pastrim parash” iu komunikuan edhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Ndërsa, të enjten u morën të pandehur edhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja. SPAK vlerësoi t’i komunikojë Bektashit akuzën e “korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë shtetërore” dhe “pastrim të parave”, ndërsa Begesë akuzën e “pastrimit të parave”.

The post Afera ‘Partizani’/ Kërkuan lirinë, Apeli i GJKKO lë në ‘arrest shtëpie’ Berishën dhe Malltezin dy ditë pasi u morën të pandehur appeared first on Gazeta Si.

Drogë dhe celularë hidhen me dron në Burgun e Peqinit. Drejtoria: Për 1 minutë e 20 sekonda lëshoi dy pako (Foto)

13 September 2024 at 12:48

Gazeta Si – Një dron në fluturim është konstatuar brenda Burgut të Peqinit mbrëmjen e të enjtes rreth orës 20:37. Kanë qenë policët e rrethimit të jashtëm ata që kanë dëgjuar zhurmën e mjetit dhe kanë dhënë alarmim.

Pas evidendimit të mjetit fluturues, sektori i sigurisë së burgut ka njoftuar policinë për marrjen e masave, pasi dyshohej se droni kryente fluturim me qëllim futjen në hapësirën ku ndodhen godinat e burgut të Peqinit, në afërsi të kalçetos.

Nga kontrollet e imtësishme të bëra në ambientet rreth godinave dhe terrenet sportive, në fushën e kalçetos së burgut u gjetën dy aparatë celularë, dhjetëra doza me kokainë e kanabis sativa, si dhe 8 fisha për karikimin e telefonëve.

“Në datën 12 shtator 2024, rreth orës 20:37, shërbimet e sigurisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin konstatuar një mjet fluturues, dron, që fluturoi në një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut, ku për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy pako brenda ambienteve të burgut”, deklarojnë “Burgjet”.

Pasi u identifikua mjeti fluturues, u njoftuan forcat e sigurisë të IEVP Peqin, të cilët, së bashku me Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve realizuan kontrolle të hollësishme në zonën e hapur dhe të mbyllur të institucionit të regjimit të burgut.

Pas kontrolleve të detajuara, u zbulua se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave. Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.

Drejtoria e Përgjithshme thotë se pas këtij rasti ka rritur masat e sigurisë. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë, duke përfshirë: shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta; kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të IEVP-së; si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në këtë ngjarje. Po ashtu, është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme”, thuhet në deklaratë.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të vënë përpara drejtësisë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rritur më tej sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale brenda tyre. Të gjitha provat e gjetura kanë shkuar për ekspertim të mëtejshme në laboratorin shkencor”, mbyllet reagimi i “Burgjeve”.

Disa ditë më parë në Burrel u kap një dron që ishte ngritur mbi ambientet e burgut. Për këtë arsye u ndalua një 36-vjeçar.

The post Drogë dhe celularë hidhen me dron në Burgun e Peqinit. Drejtoria: Për 1 minutë e 20 sekonda lëshoi dy pako (Foto) appeared first on Gazeta Si.

E mitura lind foshnjën në maternitet, shpallet në kërkim babai 31-vjeçar i fëmijës

12 September 2024 at 14:04

Gazeta Si – Një 31-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Mallakastrës, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një minorene.

Sipas një njoftimi zyrtar për mediat, policia thotë se 16-vjeçarja ka mbetur shtatzënë dhe ka sjellë në jetë një fëmijë, për të cilin ka deklaruar se i ati është pikërisht 31-vjeçari i shpallur në kërkim.

“Komisariati i Policisë Mallakastër shpalli në kërkim shtetasin B. H., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase 16 vjeçe, e cila ka lindur dhe ka deklaruar se babai i foshnjës është shtetasi B. H”, thuhet në një njoftim të policisë.

The post E mitura lind foshnjën në maternitet, shpallet në kërkim babai 31-vjeçar i fëmijës appeared first on Gazeta Si.

❌
❌