Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Izraeli zotohet se do të hakmerret për sulmin e rebelëve huthi

16 September 2024 at 15:43

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se shteti i tij do të hakmerret ndaj sulmit me raketë që goditi pjesën qendrore të Izraelit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi rebelët huthi, një grup nga Jemeni që gëzon përkrahjen e Iranit, morën përgjegjësinë për sulmin, i cili nuk pati pasoja tek banorët e zonës, ndërkohë që konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit vazhdon të zgjerohet.

Ky zjarr në afërsi të Modiinit, në pjesën qendrore të Izraelit, u shkaktua nga sulmi i rebelëve huthi në Jemen, një grup i lidhur me Iranin, që goditi Izraelin me raketë balistike hipersonike nga një distancë prej 2040 kilometrash.

Zëdhënësi i rebelëve huthi, Jahja Saree paralajmëroi sulme të tjera.

“Armiku izraelit të përgatitet për sulme të reja ndërsa i afrohemi përvjetorit të parë të operacionit të bekuar të tetorit. Ato përfshijnë operacione për përkrahje të vazhdueshme për palestinezët e shtypur”, deklaroi ai.

Ai iu referua sulmit terrorist të 7 tetorit të kryer nga Hamasi gjatë të cilit grupi militant vrau 1,200 persona në Izrael dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë. Dhjetëra mijëra palestinezë janë vrarë gjatë kundër-ofensivës së Izraelit në Gazë.

Izraelit njoftoi se nuk kishte të lënduar nga sulmi me raketë i fundjavës, por Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të hakmerrej gjatë takimit të kabinetit të tij.

“Jemi në një fushatë me shumë fronte kundër boshtit të së keqes… Deri më tani ata do të duhej ta kuptonin që do të paguajnë një çmim të ashpër për secilën përpjekje për të na dëmtuar… Hamasi tashmë po e kupton nga veprimet tona, që do të çojnë në shkatërrimin e tij dhe lirimin e pengjeve tona”, tha ai.

Përkundër zotimit të tij për të siguruar lirimin e pengjeve, shumë izraelitë thonë se kryeministri Netanyahu nuk po bën sa duhet.

“Ai nuk mërzitet nëse ata vdesin. Atij nuk i bëhet vonë për asgjë. Atij i intereson vetëm të vazhdojë të sundojë dhe në fakt as këtë nuk po e bën. Ai nuk po menaxhon asgjë në Izrael. Izraeli është në anarki të plotë”, tha protestuesi Israel Charag.

Demonstratat kundër qeverisë së zotit Netanyahu nuk paraqesin risi në Izrael.

Por këto protesta masive kanë marrë hov javëve të fundit, pasi ushtria gjeti trupat e gjashtë pengjeve në Gazë.

Izraeli dhe Hamasi, të cilin qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste, vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një armëpushimi që do të përfshinte lirimin e personave që vazhdojnë të mbahen peng.
/voa

Veliaj homazhe për 82-vjetorin e Konferencës së Pezës: Le të bashkohemi për Shqipërinë Europiane

16 September 2024 at 14:32

Në 82-vjetorin e Konferencës së Pezës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, për të kujtuar këtë ngjarje historike për popullin shqiptar dhe risjellë në vëmendje simbolikën e kësaj dite të shënuar. Ai ishte i pranishëm edhe në ceremoninë zyrtare, në të cilën theksoi se kur shqiptarët bëhen bashkë mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme.

“Falenderime për të gjithë ata që u mblodhën bashkë para 82 vitesh me vizionin se kur shqiptarët bëhen bashkë, bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ashtu siç thoshte Konferenca e Pezës, përtej çdo dallimi, përtej çdo krahine, përtej çdo feje, përtej çdo ideje, jemi shqiptarë, jemi bashkë dhe kur bashkëpunojmë ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Jam shumë krenar që, jemi këtu sot së bashku me qytetarët, familjet e dëshmorëve, familjet e veteranëve dhe të gjitha familjet e të rënëve”, tha Veliaj.

Ai shtoi se historia na ka mësuar se e rëndësishme është të bëjmë gjërat e duhura, të drejta dhe të nevojshme, ndërsa u ndal edhe në disa nga investimet thelbësore të Bashkisë Tiranë për zhvillimin e kryeqytetit. “Uinston Çërçill thoshte se është shumë e nevojshme që të bëjmë gjënë e drejtë, gjënë e duhur, por ndonjëherë është akoma më e rëndësishme që të bëjmë atë që është absolutisht e nevojshme. Sot, që të respektojmë të moshuarit, është gjëja e duhur, por që qeveria të fillojë këtë reformë të jashtëzakonshme për të rritur pensionet, është gjëja e nevojshme. Sot t’u gëzohemi fëmijëve të vegjël është gjëja e duhur, por që të ndërtojmë 44 shkolla, nga të cilat 4 vetëm këtu në Pezë, është absolutisht gjëja e nevojshme”, deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj tha se pas ceremonisë zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve, dita në Pezë do të vijojë me aktivitete për fëmijë e të rritur. Në mesazhin e tij, Veliaj bëri një apel për bashkim, duke lënë pas ndasitë politike kur bëhet fjalë për punë që çojnë përpara zhvillimin e vendit. “Teksa ju ftoj të gjithëve në homazhe, fillimisht aty ku prehet Babë Myslymi, pastaj te varrezat e Pezës, dua t’ju njoftoj se do të kemi një ditë plot aktivitete, për t’ua kushtuar këto gëzime dhe këto ditë bashkimi atyre që luftuan, punuan dhe bashkuan shqiptarët për lirinë! Sot, më shumë se kurrë lipset që të bashkohemi prapë, si para 82 vitesh. Jemi të shpërndarë në disa parti, jemi të shpërndarë në disa bindje, në disa fe, por u takon gjithmonë atyre që qeverisin, atyre janë grupi më i madh, që ta hapin tryezën për të gjithë, që t’i shtrijnë dorën të gjithëve, që të përulen me respekt tek të gjithë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se amaneti i Babë Myslymit për ta bërë Shqipërinë “nuse të Europës” është shumë pranë realizimit. “Për sa i përket shumicës e mazhorancës sonë, ne i kemi zemrën, mendjen dhe krahët të hapur për këdo që do të punojë për Shqipërinë evropiane, për vizionin 2030, për Tiranën tonë të mrekullueshme, që ishte para dy vitesh Kryeqyteti Evropian i Rinisë, pastaj Kryeqyteti i Sportit dhe vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Shpresoj shumë që amanetin e Babë Myslymit, për ta pasur këtë vend një nuse të vërtetë në Evropë, e kem

Fier/ Punëtori humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike, arrestohet pronari i subjektit

16 September 2024 at 14:30

Një 47-vjeçar është arrestuar këtë të hënë në, Fier, pasi në kapanonin që ai po ndërtonte pa lejen e organeve kompetente humbi jetën një punëtor.

Ngjarja ka ndodhur më datë 14 shtator, në fshatin Suk-1, Roskovec. 47-vjeçari dyshohet se nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë.

“Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 14.09.2024, për shtetasin 42 vjeç, i cili dyshohet se humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, ju bëjmë me dije se Stacioni i Policisë Roskovec arrestoi shtetasin 47 vjeç, banues në fshatin Suk-1, Roskovec, pasi në kapanonin që ai po ndërtonte pa lejen e organeve kompetente, humbi jetën duke punuar shtetasi 42 vjeç, pa zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

/abcnews.al

Hungaria përballet me motin e keq, Orban anulon udhëtimet për shkak të përmbytjeve

16 September 2024 at 14:04

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se i ka anuluar të gjitha “detyrimet e tij ndërkombëtare”, pasi vendi i tij pritet të përfshihet nga përmbytje të mëdha.

Orban, i cili pritej të fliste këtë javë në Parlamentin Evropian, tha përmes një postimi në rrjetet sociale se, “për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe përmbytjeve të vazhdueshme… kam shtyrë të gjitha detyrimet e mia ndërkombëtare”.

Shirat dhe përmbytjet kanë shkaktuar tashmë kërdi në disa pjesë të Evropës.

Në Rumani, gjashtë persona u raportuan të vdekur në fundjavë.

Çekia, Austria dhe Polonia raportuan për nga një viktimë dhe disa të zhdukur.

Kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karacsony, shkroi në Facebook se përmbytjet më të mëdha në një dekadë, priten të arrijnë në këtë qytet gjatë javës.

Ekipet e emergjencës kanë mbushur qindra mijëra thasë me rërë për të ndihmuar në mbrojtjen e qytetit nga rritja e nivelit të ujit në lumin Danub. /rel

Izraeli zotohet se do t’i përgjigjet sulmit të rebelëve Huthi: Do ta paguajnë me çmim të rëndë

16 September 2024 at 13:58

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se rebelët Huthi të Jemenit do të paguajnë një “çmim të rëndë”, pasi një raketë e hedhur nga ta, ra në Izraelin qendror.

Ushtria izraelite tha se raketa ra në një zonë të pabanuar të dielën dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore nuk arritën ta shkatërronin përpara se të hynte në hapësirën ajrore izraelite.

Ajo shtoi se është duke hetuar incidentin.

Kjo është hera e parë që një raketë e lëshuar nga ky grup, arrin në Izraelin qendror, i cili është rreth 2.000 kilometra nga Jemeni.

Rebelët Huthi thanë se përdorën një lloj të ri rakete hipersonike për operacionin e tyre.

Ata janë një grup i armatosur, që pushtoi pjesën më të madhe të Jemenit, gjatë luftës së vazhdueshme civile në këtë vend.

Ata, po ashtu, e kanë deklaruar veten pjesë të “boshtit të rezistencës” – që udhëhiqet nga Irani – kundër Izraelit, SHBA-së dhe Perëndimit më gjerë.

Grupi tha se sulmi i së dielës u krye në solidaritet me palestinezët dhe se Izraeli duhet të presë edhe të tjera përpara përvjetorit të parë të sulmeve të 7 tetorit.

Më 7 tetor të vitit të kaluar, Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë qindra pengje.

Në përgjigje, Izraeli vazhdon fushatën masive të sulmeve në Gazë – enklavë e populluar me palestinezë, nën kontrollin e Hamasit.

Sipas autoriteteve në Gazë, mbi 40.000 njerëz atje janë vrarë deri më tash. /rel

Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut niset për vizitë zyrtare në Rusi

16 September 2024 at 12:23

Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut Choe Son-hui është nisur për një vizitë zyrtare në Rusi, ku do të marrë pjesë në ngjarje të shumta ndërkombëtare, tha të hënën ambasada ruse në Penian.

Një deklaratë e ambasadës tha në Telegram se ambasadori rus në Korenë e Veriut Aleksandr Matsegora e përcolli Choe në Aeroportin Ndërkombëtar të Phenianit, duke shtuar se ajo fluturoi për në qytetin e Vladivostok në Lindjen e Largët të Rusisë.

Në deklaratë thuhet se Choe më pas do të udhëtojë për në Shën Petersburg, ku do të marrë pjesë në Forumin e 4-të të Grave Euroaziatike dhe Forumin e Grave BRICS në 18-20 shtator.

Që nga viti 2022, Rusia, duke u përballur me sanksione të shumta perëndimore, ka forcuar marrëdhëniet e saj me vendet aziatike, veçanërisht Korenë e Veriut.

Së fundmi, Moska dhe Pheniani nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik në qershor gjatë vizitës së parë të Presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut në 24 vjet.

/abcnews.al

Koreja e Veriut dërgon 120 balona me mbeturina në Korenë e Jugut, njëra prej tyre shkakton zjarr në Seul

16 September 2024 at 12:03

Pasditen e së dielës, Peniani dërgoi 120 balona me mbeturina drejt kufirit me Korenë e Jugut.

Një prej balonave shkaktoi zjarr, pasi u ul në çatinë e një ndërtese në Seul.

“Në orën 21:04 me orën lokale dje), të dielën, një zjarr shpërtheu në çatinë e një ndërtese tregtare katërkatëshe”, deklaroi zjarrfikësja, e cila theksoi se u deshën 15 makina zjarrfikëse dhe 56 zjarrfikës për të shuar flakët. Ndër të tjera theksoi se nuk pati të lënduar nga zjarri.

Balonat përmbanin “kryesisht mbetje letre dhe plastike”, sipas një analize nga shefat e komitetit të shtabit të ushtrisë së Koresë së Jugut. Ushtria e Koresë së Jugut shmang hapjen e zjarrit mbi balonat përpara se të zbresin, për të parandaluar që mbeturinat dhe materialet e rrezikshme të bien në tokë.

Marrëdhëniet midis dy fqinjëve janë në nivelin e tyre më të ulët në vite, me Korenë e Veriut që së fundi njoftoi vendosjen e 250 raketave balistike përgjatë kufirit të saj jugor.

/abcnews.al

Ukraina: Kemi rrëzuar 53 nga 56 dronë rusë gjatë natës

16 September 2024 at 11:48

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar 53 nga 56 dronët rusë, natën mes 15 dhe 16 shtatorit, duke shtuar se “shënjestër kryesore” e tyre ishte kryeqyteti Kiev.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Kievit, Ruslan Kravchenko, tha se një grua është shtruar në spital, pasi është plagosur nga copat e një droni të rrëzuar.

Shefi i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko, tha se Kievi ishte nën sulm për më shumë se tri orë gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore “i rrëzoi pothuajse të gjithë dronët e armikut”.

Radio Evropa e Lirë, megjithatë, nuk mund t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë për zhvillimet në fushëbetejë.

Rusia ka bombarduar Ukrainën me dronë dhe lloje të ndryshme raketash gjatë kohës më të madhe të pushtimit, që ka nisur qysh në shkurt të vitit 2022.

Shumë nga sulmet e fundit kanë goditur infrastrukturën e energjisë, por bomba shpesh kanë rënë edhe në spitale, shkolla dhe ndërtesa banimi.

Moska, në anën tjetër, këmbëngul se nuk i sulmon zonat e civilëve.

Instituti për Studime të Luftës, me bazë në SHBA, tha më 15 shtator se Rusia “po përpiqet të arrijë një fitore vendimtare në Ukrainë deri në vitin 2026 – përpara se kufizimet e mundshme ekonomike të fillojnë t’i degradojnë ndjeshëm kapacitetet e Rusisë” për të luftuar në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i tha CNN-it se do t’i paraqesë presidentit amerikan, Joe Biden, një plan me katër pika për fitimin e luftës, kur të takohet me të gjatë këtij muaji. /rel

Moti i keq në Evropën Qendrore, Çekia konfirmon viktimën e parë nga përmbytjet

16 September 2024 at 10:55

Autoritetet në Republikën Çeke konfirmuan viktimën e parë nga përmbytjet që përfshinë këtë vend të Evropës Qendrore.

Shefi i policisë, Martin Vondrashek, tha se individi u mbyt në lumin Krasova, në rajonin Moravskosllezski.

Së paku shtatë persona të tjerë figurojnë të zhdukur në Çeki, përfshirë edhe tre, të cilët besohet se ishin bllokuar në një makinë, kur ajo u mor nga një lumë pranë qytetit Jesenik.

Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të automjetit.

Rreth 250.000 familje vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike, ndërsa në kryeqytetin Pragë, autoritetet ndërmorën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava.

Kryeministri çek, Petr Fiala, tha se përmbytjet e tilla “ndodhin një herë në shekull”.
Shirat e furishëm nisën qysh në fund të javës së kaluar dhe pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë.

Të goditura rëndë nga përmbytjet janë edhe disa zona në Rumani, ku gjatë fundjavës vdiqën gjashtë persona dhe një u zhduk.

Si pasojë e përmbytjeve, një person u mbyt edhe në Poloni dhe një tjetër në Austri. /rel

Kryeministri Rama: Mbi 12 mijë nxënës përfshihen këtë vit në ekipet sportive të shkollave

16 September 2024 at 10:50

Çdo shkollë e re në Shqipëri ofron terrene sportive dhe palestra moderne.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se këto investime kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të nxënësve që do të marrin pjesë në program.

Ndër të tjera kreu i qeverisë thekson se vetëm këtë vit do të përfshihen rreth 12 mijë nxënës përmes disiplinave të ndryshme sportive.

“Programi Kombëtar i Ekipeve Sportive në Shkolla.

Çdo shkollë e re në Shqipëri ofron terrene sportive dhe palestra moderne.

Këto investime kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të nxënësve që do të marrin pjesë në Program, ku vetëm këtë vit do të përfshihen rreth 12 mijë nxënës përmes disiplinave të ndryshme sportive.”, shkruan Rama.

/abcnews.al

Shangai goditet nga tajfuni më i fortë në 75 vjet, mijëra të evakuuar dhe fluturime të anuluara

16 September 2024 at 10:41

Një tajfun i fuqishëm goditi qendrën financiare të Kinës, Shangai.

Tajfuni Bebinca zbarkoi të hënën rreth orës 7:30 – sipas kohës lokale – në zonën bregdetare Lingang Nju Siti, tha Administrata Meteorologjike e Kinës.

Mijëra banorë u evakuuan, ndërsa të gjitha fluturimet në të dyja aeroportet kryesore të qytetit u anuluan.

Shërbimet e trenave ndaluan dhe autostradat u mbyllën, gjithashtu.

Tajfuni Bebinca është stuhia më e fortë që ka goditur Shangain në 75 vjet, sipas medias shtetërore kineze.

Autoritetet lëshuan alarmin e kuq – që është niveli më i lartë i rrezikut – për shkak të erërave që kaluan shpejtësinë prej 150 kilometrash në orë.

Më herët, tajfuni Bebinca kaloi edhe në Japoni dhe në Filipinet qendrore dhe jugore, ku nga rënia e pemëve humbën jetën gjashtë persona.

Media shtetërore kineze tha se Bebinca pritet të lëvizë në veriperëndim, duke shkaktuar reshje të dendura shiu dhe erëra të forta në provincat Jiangsu, Zhejiang dhe Anhui. /REL

Konferenca ekonomike për Ballkanin/ Korrupsioni, Hyland: Koordinim me partnerët e Bashkimit Europain

16 September 2024 at 10:37

Zhvillohet këtë të hënë konferenca ekonomike për Ballkanin.

Colleen Hyland, drejtoreshë për Europën Jugore e Qendrore në DASH, foli në lidhje me korrupsionin, ku tha se ka koordinim me partnerët e Bashkimit Evropian.

Hyland foli dhe për integrimin e Shqipërisë, ku tha se Tirana zyrtare e di qartësisht se çfarë duhet të bëjë më mënyrë që të jetë gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria e di qartësisht çfarë duhet të bëjë në mënyrë që të arrijë gatishmërinë e saj. Nevojiten vite përpjekje. Kroacia, vendi më i ri që është anëtarësuar, mund t’ju tregojë se çfarë duhet të bëni që të arrini aty shpërblimi është i jashtëzakonshëm, pjesë e vështirësisë së punës së madhe që duhet bërë është pritshmëria e begatisë për të ardhmen. Kur zhvillojmë programe, mendojmë si do i ndihmojnë përpjekjet Shqipërisë për anëtarësimin në BE.”, u shpreh ajo.

/abcnews.al

Atentati ndaj Trump/ Detaje nga autori, në vitin 2016 mbështeti fushatën e ish-presidentit

16 September 2024 at 10:25

58-vjeçari, i cili sulmoi ish-presidentin Donald Trump ka votuar për të në vitin 2016, përpara se të tërhiqte mbështetjen e tij.

Në qershor 2020, Ryan Wesley Routh, shkroi në rrjetet sociale “Ndërsa ju ishit zgjedhja ime në 2106, unë dhe bota shpresonim që presidenti Trump do të ishte ndryshe dhe më i mirë se kandidati, por të gjithë ishim shumë të zhgënjyer dhe duket se ju po përkeqësohen dhe po kalojnë. Do të jem i lumtur kur të largoheni.”

Të dhënat publike tregojnë se ai u regjistrua si një votues “i palidhur” në Karolinën e Veriut, pa parti në vitin 2012. Ai votoi në zgjedhjet paraprake Demokratike të shtetit në mars të këtij viti.

Të dhënat zbuluan gjithashtu se ai ka kontribuar më shumë se njëqind dollarë për ActBlue, e cila përpunon donacionet për demokratët, tregojnë të dhënat federale të financimit të fushatës.

/abcnews.al

Gjermani, shpërthim një ndërtesë në qendër të Këln

16 September 2024 at 10:10

Një shpërthim dëmtoi një ndërtesë në qendër të qytetit perëndimor të Gjermanisë, Këln.

Një zëdhënëse e policisë tha se një zonë e gjerë e Hohenzollernringut – një lagje e madhe me kafene, bare dhe restorante – është rrethuar dhe se një numër i madh i policëve është në vendngjarje.

Ajo nuk dha asnjë informacion për të plagosur të mundshëm apo për shkakun e shpërthimit.

Radio Këlni raportoi herët në mëngjes se një person është plagosur lehtë.

Policia u kërkoi qytetarëve që ta shmangin zonën përreth vendit të shpërthimit.

/rel

“Ne nuk studiojmë më”/ Fëmijët e Gazës humbasin shkollën, lufta e Izraelit ndërpret vitin e ri shkollor

15 September 2024 at 18:20

Postera shumëngjyrësh, shirita të bardhë dhe flamuj palestinezë të bërë prej letre dekorojnë një tendë në Deir al-Balah, Gaza qendrore. Çantat e shkollës të mbushura me rroba, jastëkë të vegjël dhe batanije me lule janë të shpërndara në dysheme.

Shumë vajza dhe djem ulen këmbëkryq brenda një klase të improvizuar përgjatë rajonit bregdetar. Sytë e tyre bien në një dërrasë të madhe të bardhë ndërsa recitojnë pas mësueses së tyre, Oula Al Ghoul, e cila inkurajon butësisht studentët e saj. Tingulli i dronëve izraelitë gumëzhin lart, një kujtesë e ashpër e luftimeve që kanë përfshirë brezin për më shumë se 11 muaj.

“Ne kemi luftë, nuk kemi shkolla. Megjithatë fëmijët janë të etur për të mësuar,” tha Al Ghoul, mësuese për CNN. Ajo vendosi të ngrejë një klasë rudimentare në të njëjtën tendë ku ajo jeton, vetëm për t’u dhënë disa nxënësve të klasës së parë një shans për të studiuar.

Ndërsa fëmijët në të gjithë Lindjen e Mesme fillojnë semestrin e ri, ata në Gaza nuk do të jenë në gjendje të kthehen në shkollë. Ofensiva izraelite e nisur pas sulmeve të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi ka shkaktuar një krizë humanitare dhe ka ndaluar shërbimet arsimore në enklavën e rrethuar.

Të paktën 45 mijë nxënës të klasës së parë në Rripin e Gazës nuk do të jenë në gjendje të fillojnë vitin shkollor, sipas agjencisë së fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, UNICEF.

/abcnews.al

Vrasja e tre pengjeve në Gaza, ushtria izraelite: Fajtor është…

15 September 2024 at 17:12

Ushtria izraelite tha se “ka shumë mundësi” që tre pengjet që u gjetën të vdekur muaj më parë të jenë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite.

Ushtria më 15 shtator publikoi gjetjet e hetimit të saj lidhur me vdekjen e Nik Beizer, Ron Sherman dhe Elia Toledano.

Ajo tha se hetimet kanë përcaktuar se të tre me gjasë u vranë gjatë një sulmi ajror në nëntor që po ashtu la të vrarë anëtarin e lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Ahmed Ghandour.

Të tre pengjet ishin rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit që Hamasi kreu në jug të Izraelit. Trupat e tyre u tërhoqën në dhjetor, por shkaku i vdekjes së tyre u përcaktua së fundi.

Ushtria tha se “ka shumë mundësi” që ata u vranë gjatë sulmit ajror, bazuar në vendin ku u gjetën trupat e tyre, raporteve patologjike dhe informacioneve të tjera. Por, ushtria tha se “nuk ka gjasa të përcaktohen në mënyrë definitive rrethanat e vdekjes së tyre”.

Ky njoftim rrit presionin nga Qeverisë së Izraelit për të arritur një marrëveshje për kthimin e pengjeve të mbetura, që ende mbahen nga Hamasi. Kritikët kanë thënë se është shumë e rrezikshme të tentohet që ata të shpëtohen.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 41.000 persona dhe janë plagosur mijëra të tjerë.
/rel

Ushtarakët e NATO-s: Goditjet e Ukrainës në thellësi të Rusisë, do të ishin legjitime

15 September 2024 at 16:31

Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer thotë se ligji për konfliktin e armatosur i jep Ukrainës të drejtën për t’u vetëmbrojtur dhe se sipas tij kjo e drejtë nuk ndalet tek kufiri i vendit. Komentet e tij vijnë ndërsa administrata amerikane nuk ka pranuar të lejojë që Kievi të godasë në thellësi të territorit të Rusisë, duke përdorur armë me rreze të gjatë veprimi të prodhuara nga Amerika. Moska ka paralajmëruar se përdorimi i këtyre armëve nga Kievi, do të përshkallëzonte konfliktin përtej Ukrainës.

Komentet e Kreut të Komitetit Ushtarak të NATO-s, hollandezit Bauer reflektojnë qëndrimin e disa aleatëve të Shteteve të Bashkuara sipas së cilëve Ukraina ka të drejtën të godasë objektiva në thellësi të territorit rus. Por deri tani, administrata e Presidentit Joe Biden refuzon të lejojë Kievin ta bëjë një gjë të tillë duke përdorur armët e prodhimit amerikan.

“Çdo vend që sulmohet, ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo e drejtë nuk ndalet në kufirin e vendit tënd”, tha admirali Rob Bauer, duke folur në mbylljen e takimit vjetor të komitetit, ku mori pjesë edhe gjenerali amerikan CQ Brown.

“Ushtarakisht ekziston një arsye për t’i bërë këto sulme, për të dobësuar armikun, për të dobësuar linjat e tij logjistike, karburantin, municionet që vijnë në front. Ky është synimi i Ukrainës, nëse është e mundur. Pra, ekziston një arsye e mirë ushtarake përse duhet të bëhet kjo. Ekziston një bazë ligjore për ta bërë këtë. Është edhe ana tjetër e diskutimit, nëse vendet që i japin sistemet e armëve Ukrainës të kenë kufizime në përdorimin e atyre armëve, sepse ata ndihen përgjegjës për ato armë dhe kjo është ajo që ndodh. Disa vende kanë një mendim tjetër. Si një ushtarak them, po, Ukraina ka të drejtë të kryejë këto sulme”, deklaroi më tej ai.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte dhe kolegu i tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Çeke, Karel Řehka i cili e bëri të qartë se vendi i tij nuk vendos kufizime të tilla për Kievin.

“Po përsëris atë që tha Admirali Bauer. Jam plotësisht dakord, mendoj se është krejtësisht legjitime dhe ligjore që ukrainasit të godasin objektivat në territorin rus me kusht që të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin e konfliktit të armatosur”, tha ai.

Komentet e dy ushtarakëve të lartë vijnë ndërsa presidenti amerikan Joe Biden po peshon nëse do të lejojë Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Amerika për të goditur thellë në Rusi objektivat ushtarake.

Zoti Biden u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer të premten, pas vizitës në Kiev të sekretarit Amerikan të Shtetit dhe Sekretarit të jashtëm britanik. Dy diplomatët e lartë gjatë vizitës në kryeqytetin ukrainas u përballën me kërkesa për të lejuar përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, zyrtarët amerikanë të njohur me diskutimet e takmit Biden- Starmer thanë se kryeministri britanik ka kërkuar miratimin e presidentit amerikan për të lejuar Ukrainën të përdorte raketat britanike “Storm Shadow” për sulme brenda në Rusi.

Miratimi nga zoti Biden mund të jetë i nevojshëm sepse pjesë të raketave “Storm Shadow” janë prodhuar në SHBA. Zyrtarët thanë se ende nuk ka një vendim nga administrata amerikane.

Shumë nga vendet evropiane kanë mbështetur fuqishëm Ukrainën, pjesërisht sepse shqetësohen se do të jenë viktima e radhës e një Rusie të fuqizuar.

Ukraina ka intensifikuar thirrjet ndaj Uashingtonit për të hequr kufizimet, veçanërisht ndërsa afrohet dimri dhe Kievi shqetësohet për sulmet ruse gjatë muajve më të ftohtë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka thënë se një sistem armësh nuk do të përcaktojë suksesin në luftë. Ai gjithashtu vuri në dukje se Ukraina tashmë ka qenë në gjendje të godasë brenda Rusisë me sistemet e saj të prodhuara brenda vendit, duke përfshirë dronët.

Moska ka paralajmëruar se përdorimi i këtyre armëve nga Kievi, do të përshkallëzonte konfliktin përtej Ukrainës./ voa

“Dragon” kthehet në Tokë/ Pas 5 ditësh në hapësirë ulet ekuipazhi i Space X

15 September 2024 at 15:58

Pas 5 ditësh në një mision historik në hapësirë, ekuipazhi i Polaris Down i Space X është rikthyer në tokë. Anija Kozmike Dragon u ul në brigjet e Floridas rreth orës 3:37 pas mesnate ndërsa i gjithë eventi u transmetua live nga Kompania Space X në platformat sociale.

Agjencia Amerikane e hapësirës NASA tha se misioni përfaqësonte “një hap gjigand përpara” për industrinë komerciale të hapësirës.

Në këtë udhëtim të guximshëm i cili u financua privatisht, 4 astronaut përjetuan një eksperiencë mahnitëse dhe në mesin e tyre ishte edhe Jared Isaacman, themeluesi dhe miliarderi i firmes Shift 4 Payments.

Anija Kozmike “Dragon” në momentin që hyri sërish në atmosferën e tokës u përball me temperature 1900 gradë celsius për shkak të presionit dhe fërkimit intensive pasi po udhëtonte me një shpejtësi prej 27 mijë kilometrash për orë.

Kompania Space X në misionin e saj  Polaris Down me anijen kozmike “Dragon” ka udhëtuar drejt hapësirës në largësinë më të madhe që ka arritur çdo njeri në 50 vitet e fundit, qe nga misioni APOLLO I NASA-s ne vitin 1972.

Kjo anije kozmike arrit lartësinë maksimale nga toka prej 1400 kilometrash.

Përgjatë këtij misioni 5 ditor në hapësirë, ekuipazhi i anijes me 4 persona në bord ku mes tyre ishin dy astronaut profesionist kreu më shumë se 40 eksperimente ku mes tyre ndikimin qe ka hapësira në shëndetin e njeriut si dhe testimin e komunikimit me lazed ndërmjet satelitëve te Space X.

/abcnews.al

❌
❌