Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 September 2024Main stream

Pasaporta e shtetit bektashian një krijim nga Inteligjenca Artificiale

24 September 2024 at 15:35

Pretendimi: Ky imazh tregon pasaportën e shtetit bektashian

Verdikti: Gjeneruar me AI

———————————————————

Deklarata e kryeministrit Edi Rama për themelimin e një shteti bektashian në Tiranë ngjalli reagime dhe tallje në rrjete sociale. Sipas Ramës, ky shtet do ndiqte modelin e Vatikanit në Romë, dhe do të kishte administratën, kufijtë dhe pasaportat e tij.

Një imazh i pretenduar i pasaportës në fjalë po qarkullon në rrjete sociale. Por nëse në disa raste ky imazh është përdorur në format satire, në disa postime të tjera është duke u publikuar si imazh i dokumentit të shtetit të ri.

Lexuesi do të verejë se dora që mban pasaportën ka gjashtë gishta. 

Duart e deformuara, sidmos ato me numër të gabuar gishtash, janë një tregues tipik i imazheve të gjeneruara me anë të inteligjencës artificiale.

Sipas Encyclopædia Britannica, programet AI kanë vështirësi në gjenerimin e imazheve të duarve sepse “AI në fakt nuk e di se çfarë është një dorë. Në imazhet dydimensionale, duart mund të shfaqen në dhjetëra pozicione të ndryshme: duke tundur, duke u përkulur, duke mbajtur një objekt, duke shtrënguar një grusht ose duke u nxjerrë nga xhepi i pantallonave, pjesërisht të fshehura. Njerëzit e dinë se këto mospërputhje vizuale ilustrojnë se si funksionon një dorë. AI, pa qasje në botën tredimensionale, di vetëm se si shfaqet një dorë. Identifikimi i një grushti, gishtit të madh lart ose shenjës së paqes si një dorë është një arritje mbresëlënëse për AI dhe vështirë se mund ta fajësojmë atë për supozimin se një dorë e vërtetë mund të jetë një kombinim i të treve.”

The post Pasaporta e shtetit bektashian një krijim nga Inteligjenca Artificiale appeared first on Faktoje.al.

Vaksinat nuk përmbajnë oksid grafeni që mund të bllokojë zemrën

24 September 2024 at 15:11

Pretendimi: Vaksinat mARN përmbajnë pllaka oksidi grafeni që bllokon zemrën e njeriut

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Më 18 shtator 2024, deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani ndërroi jetë në moshën 44-vjeçare prej një arresti kardiak.

Vdekja e tij tragjike në moshë të re është përdorur së fundi nga konspiracionisti Alfred Cako për të shtjelluar tezat e tij anti-vaksinë në një video të postuar në rrjete sociale.

Në një pjesë të videos 4-minutëshe Cako përsërit pretendimin e përgënjeshtruar se vaksinat mARN përmbajnë oksid grafeni. “Mjeko-ligjorët duhet të thonë nëse ka patur ndonjë çarje të aortës si rezultat i vaksinave dhe i atyre pllakave të oksidit të grafenit, të cilat bëjnë pikërisht këtë punë, çajnë enët e brendshme të gjakut, sidomos aty në vendet ku janë më të ngushta, duke shkaktuar vdekjet nga zemra,” thotë Cako, duke listuar gjithashtu dhe një sërë simptomash, përgjegjësinë për të cilat ia vesh të plotfuqishmit oksid grafeni.

Siç Faktoje ka shpjeguar edhe më parë, vaksinat kundër Covid-19, mARN apo jo, nuk përmbajnë oksid grafeni.

Oksidi i grafenit është një “material me një shtresë një-atomike” i përftuar përmes oksidimit të grafitit. Kur reduktohet kimikisht, oksidi i grafenit mund të krijojë grafen, i cili është përshkruar si “materiali më i fortë, më i hollë dhe më përçues në tokë”.

Ekspertët mjekësorë shpjegojnë se ky përbërës, i cili është studiuar për aplikime të shumta biomjekësore, duke përfshirë biosensorët dhe shpërndarjen e barnave, mund të jetë toksik për njerëzit në sasi të caktuara. Por në rastin e përdorimit të tij në vaksinat e mundshme, hulumtimet aktuale tregojnë se ato do të përmbajnë sasi kaq të vogla sa që nuk do të ishin toksike për qelizat njerëzore.

Megjithtë, asnjë lloj grafeni apo materiali me bazë grafeni (si oksidi i grafenit) nuk përfshihet në listën e përbërësve të vaksinave të miratuara për përdorim në Europë.

“[Grafeni] nuk është në listën e përbërësve dhe nuk ka asnjë mënyrë që të mund të jetë i pranishëm,” tha për Associated Press Allen Myerson, profesor i inxhinierisë kimike në MIT.

Sipas Graphene Flagship, një projekt shkencor hulumtues mbi grafenin i financuar nga Komisioni Europian, megjithëse ka aplikime potenciale premtuese për materialet me bazë grafeni, asnjë produkt me këto materiale nuk është miratuar për përdorim tek njerëzit në Europë.

Pretendimi se vaksinat anti-Covid përmbajnë grafen ose oksid grafeni është përgënjeshtruar në mënyrë konsistente edhe nga faktverifikues ndërkombëtarë.

The post Vaksinat nuk përmbajnë oksid grafeni që mund të bllokojë zemrën appeared first on Faktoje.al.

Yesterday — 23 September 2024Main stream

I rremë lajmi për monedhën 7 euro në nder të Cristiano Ronaldos

23 September 2024 at 16:16

Pretendimi: Portugalia do hedhë në treg monedhën 7 Euro me fytyrën e futbollistit Cristiano Ronaldo

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Në disa media dhe portale shqipfolëse ka qarkulluar së fundmi lajmi se Portugalia ka njoftuar emetimin e një monedhë të re me vlerë 7 euro, në nder të yllit të futbollit Cristiano Ronaldo. Vlera 7 i referohet numrit të preferuar në fushë të portugezit të famshëm, ndërkohë që lajmi shoqërohet edhe me disa pamje të një monedhe apo medaljoni me fytyrën e Ronaldos të gdhendur në të. Artikujt nuk i referohen apo citojnë ndonjë burim për këtë lajm.

Në përpjekje për të gjetur një burim zyrtar për këtë lajm, Faktoje u ndesh me një përgënjeshtrim zyrtar, të lëshuar më 19 shtator nga Imprensa Nacional-Casa da Moeda (INCM) institucioni portugez i printimit të monedhave dhe kartmonedhave.

INCM postoiInstagram një përgënjeshtrim të lajmit dhe imazheve që e shoqërojnë. “Lajm i rremë. Duam të sqarojmë që ky informacion është krejt i rremë dhe që nuk do të hedhim në treg, dhe as nuk kemi plane të hedhim në treg një monedhë të këtij lloji,” shkruhet në njoftimin zyrtar.

Mediat vendase raportuan më 19 shtator se burime nga INCM kishin konfirmuar se lajmi është i rremë. “Imazhet që po publikohen janë krijuar në mënyrë dixhitale, ndoshta duke përdorur inteligjencën artificiale (AI) dhe nuk korrespondojnë me asnjë produkt zyrtar të INCM”, tha burimi.

The post I rremë lajmi për monedhën 7 euro në nder të Cristiano Ronaldos appeared first on Faktoje.al.

Mali i floririt i zbuluar në Skrapar një krijim i Inteligjencës Artificiale

23 September 2024 at 14:06

Pretendimi: Kjo video tregon një mal me flori të zbuluar së fundi në Skrapar

Verdikti: Gjeneruar me AI

———————————————————————-

Një video që ka marrë mbi 3 mijë pëlqime në Facebook, e ndarë nga një portal informativ, pretendon se tregon një mal me flori të gjendur në Skrapar. Video nuk shoqërohet me ndonjë përshkrim të mëtejshëm duke tërhequr shumë komente. 

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar nga përdorues të ndryshëm në Youtube dhe rrjete sociale brenda 7 ditëve të fundit. 

Ajo është postuar për herë të parë në Facebook më 30 gusht, nga një faqe në gjuhën vietnameze, e cila e shoqëron me përshkrimin “Burimi i artë, do t’u vijë fat i mirë për 1 orë.”

Në cepin e poshtëm, djathtas, të videos vihet re se mbishkrimi “Candy Love” mbulon një mbishkrim të mëparshëm që mund të na ndihmojë të gjejmë origjinën e videos.

Vërejmë se një video e ngjashme, e cila shfaqet në rezultatet e kërkimit të Google Lens, ka një mbishkrim me shkronja kineze që përputhet me mbishkrimin e mbuluar në videon që po analizojmë.

Një kërkim i këtyre shkronjave kineze na dërgon në faqen e aplikacionit kinez Kuaiying. Një nga shërbimet që ofron ky aplikacion është gjenerimi i videove me anë të programeve të inteligjencës artificiale.

Mbishkrimi në video gjithashu shënon “Klíng AI”, programi i inteligjencës artificiale që është përdorur për të gjeneruar videon.

Kështu, mos nxitoni për në Skrapar, mali me flori është trillim i një programi kompjuterik kinez.

The post Mali i floririt i zbuluar në Skrapar një krijim i Inteligjencës Artificiale appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayMain stream

Atentatori i dytë i Trump nuk u shfaq në reklamën e BlackRock

20 September 2024 at 16:12

Pretendimi: Atentatori i dytë i Donald Trump është shfaqur në një reklamë të kompanisë BlackRock

Verdikti: E pavërtetë

————————————————-

Pas një atentati të dështuar kundër ish-presidentit dhe kandidatit për president amerikan Donald Trump më 15 shtator, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se autori Ryan Routh është shfaqur në një reklamë të kompanisë BlackRock. 

Ky pretendim duket se ka lindur nga fakti që atentatori i parë i Trump, Thomas Matthew Crooks, ishte shfaqur në sfondin e një reklame të BlackRock në 2022. Kjo lidhje e përsëritur përdoret në rrjet si dyshim për përfshirje të kompanisë më të madhe në botë të investimeve në këto atentate ndaj Trump. 

Megjithatë, pretendimi se Routh ka qenë në një reklamë të BlackRock nuk shoqërohet me ndonjë provë mbështetëse, si ndonjë klip apo imazh nga reklama në fjalë.

Firma e investimeve BlackRock tha për AFP se pretendimet që po qarkullojnë në rrjet janë “krejt të rreme.” “Ryan Routh nuk ka qenë kurrë punonjës i BlackRock dhe as nuk është shfaqur në ndonjë reklamë të BlackRock,” tha një zëdhënës i kompanisë.

Një video që po qarkullon online me pretendimin se tregon Routh në reklamën e BlackRock në fakt është marrë nga një protestë pro-Ukrainës në 2022.

Routh akuzohet se ka shkuar në resortin e golfit Trump në Florida të dielën, i armatosur me një pushkë SKS. FBI gjeti armën, dy çanta shpine dhe një kamerë GoPro.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime lidhur me Ryan Routh.

The post Atentatori i dytë i Trump nuk u shfaq në reklamën e BlackRock appeared first on Faktoje.al.

Ish-presidenti Obama nuk është ekzekutuar prej vitit 2019

20 September 2024 at 12:55

Pretendimi: Ish-presidenti amerikan Barack Obama është ekzekutuar në 2019 në Guantanamo Bay

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se ish-presidenti amerikan Barack Obama “u ekzekutua me pushkatim në GITMO, me plumb mbas koke” më 29 shtator 2019. Postimi shoqërohet me një foto portret të Obamës të shoqëruar me një sërë nenesh të Kodit Penal amerikan të lidhura me tradhtinë dhe mosbindje ndaj rendit kushtetues. 

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Barack Obama shërbeu si president i ShBA nga viti 2008 në 2017, afro-amerikani i parë që mbante këtë pozicion në historinë e vendit.

Pas përfundimit të dy mandateve, ai vijoi të ishte aktiv në politikë, duke bërë fushatë për kandidatë të ndryshëm në zgjedhje të ndryshme në ShBA, përfshi dhe fushatën presidenciale të ish-zëvendësit të tij Joe Biden, i cili u zgjodh në 2020.

Në 29 tetor 2019, një muaj nga data kur konspiracionistët pretendojnë se ai u ekzekutua, Obama foli publikisht në samitin e Fondacionit Obama.

Në 2020, presidenti i atëhershëm Donald Trump pretendoi se Obama kishte kryer tradhëti sepse kishte përgjuar fushatën e Trump. Megjithatë, provat për këto pretendime nuk u mishëruan kurrë. Gjithsesi, nëse Obama do kishte vdekur në 2019, prezumohet me dijeninë e presidentit Trump, këto akuza do të ishin të pakuptimta.

Në korrik 2024, Obama shpalli publikisht mbështetjen e tij për kandidaturën e zv. presidentes Kamala Harris për zgjedhjet presidenciale të kësaj vjeshte. Gjithashtu, në gusht 2024, ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike amerikane.

Më 17 shtator, Obama u shfaq në një intervistë me TikTokerin carlos_eduardo_espina, në një përpjekje për të angazhuar votuesit e moshave të reja para zgjedhjeve të nëntorit 2024.

Pretendimi se Obama është vrarë në 2019 është qartazi i rremë.

The post Ish-presidenti Obama nuk është ekzekutuar prej vitit 2019 appeared first on Faktoje.al.

Nobelisti italian nuk mohoi ndikimin e njeriut në ndryshimet klimatike

20 September 2024 at 10:44

Pretendimi: Kjo video tregon nobelistin italian Carlo Rubbia duke mohuar ndryshimin e klimës

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————-

Një video e fituesit të çmimit Nobel për fizikë, Carlo Rubbia, po shpërndahet në rrjete sociale për të pretenduar se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu nuk ekziston.

Faktoje gjeti videon e plotë të fjalimit të Rubbia në Senatin italian në vitin 2014.

Në video Rubbia thotë: “Nga viti 2000 deri në 2014 temperatura e tokës nuk u rrit; është ulur me 0.2 gradë. Ne nuk kemi vërrejtur ndonjë ndryshim të rëndësishëm klimatik në 15 vitet e fundit”. Kjo deklaratë bazohet në të dhënat e disponueshme në atë kohë që kishin ngjallur interes madje edhe në media, aq sa fenomeni ka dhe një faqe në wikipedia me titullin ‘hiatusi i ngrohjes globale’.

Megjithëse shkalla e saktë e luhatjes së temperaturës ndryshon midis shumë matjeve të disponueshme, deklarata mbështetet nga fakti se temperatura e planetit ka mbetur pothuajse gjithmonë më e ulët se ajo e vitit shumë të nxehtë 1998. Të paktën deri në vitin 2014, që shënoi vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë që kur kanë nisur matjet. Ky rekord – siç mund të shihet nga grafiku i mëposhtëm i NASA – më pas u kalua nga viti 2015 dhe 2016.

Temperatura mesatare vjetore 1880-2021

Pra, është e qartë se ngadalësimi i ritmit të ngrohjes nuk dëshmon se klima e planetit nuk po ndryshon. Periudha nën shqyrtim, 14 vite, është shumë e shkurtër për të qenë domethënëse për klimatologjinë, pasi disiplina mbështetet në vëzhgime 30-vjeçare. Çdo matje 30-vjeçare e temperaturës që përfshin periudhën 1998-2014 do të tregojë se Toka po ngrohet. Ky dallim është aq i rëndësishëm sa artikulli i Administratës Kombëtare amerikane Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), i cili trajton “pauzën” në ngrohjen globale, është ndryshuar disa herë për të shmangur keqkuptimet.

Rubbia në fillim të fjalimit të tij thotë gjithashtu: “Klima e tokës ka ndryshuar gjithmonë.” Ai shpjegon se Hanibali nuk do të kishte mundur kurrë të kalonte Alpet me elefantë nëse temperatura mesatare në atë kohë nuk do të kishte qenë dukshëm më e lartë se ajo e vitit 2014.

Ky fenomen njihet si “Periudha e ngrohtë romake” dhe është pjesë e një serie të madhe luhatjesh klimatike që prekën planetin në periudhën e Holocenit, e cila vazhdon edhe sot, nga nisja e saj 12 mijë vjet më parë. Periudha në fjalë nuk ishte më e ngrohtë se sot në nivel global. Temperaturat më të larta prekën vetëm disa rajone të botës.

Pra, këto ndryshime nuk e mohojnë se ngrohja globale, e cila ka vazhduar që nga fundi i viteve 1800, shkaktohet nga veprimtaria e njeriut. Rubbia e thotë vetë se “ka patur një ndryshim në temperaturë që është konsideruar disi si prania e njeriut. Të mos harrojmë se kur kam lindur [më 1934] popullsia e Tokës ishte 3.7 herë më e vogël se sa është sot. Dhe konsumi i energjisë primare është rritur 11 herë në jetën time”.

Konsensusi shkencor mbi antropogjenezën (origjinën njerëzore) e ngrohjes globale ka qenë prej kohësh shumë i gjerë. Në vitin 2021 verdikti zyrtar i raportit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ishte se ndryshimi i klimës është “pa dyshim” i shkaktuar nga veprimtaria njerëzore.

Edhe nëse disa nga fjalitë e fizikantit të nxjerra nga konteksti mund të japin përshtypjen se Rubbia mohon ekzistencën apo antropogjenezën e ndryshimeve klimatike, fjalimi i plotë bën të qartë se në realitet ai pajtohet me 99.9% të komunitetit shkencor: Kriza klimatike ekziston dhe përgjegjësia është e qenieve njerëzore. 

Mendimi i Rubbia është i dukshëm në pasazhe si ai kur ai thotë: “Sot ndryshimi i klimës dhe CO2 është një rritje eksponenciale që nuk ka shfaqur as tendencë për t’u ulur.” Gjithashtu, në fjalën përmbyllëse të tij ai deklaron: “Nëpërmjet inovacionit teknologjik dhe nëpërmjet zhvillimit të ideve të reja mund të çohet përpara programi. Problemi është bllokimi i emetimeve të CO2; kjo mund të bëhet duke përdorur gaz natyror pa emetim CO2. Dhe ne kemi eksperimente që po bëjmë, të cilat tregojnë se kjo mund të bëhet. Pse nuk ka njeri që merret me këtë? Zoti ministër? Do të doja ta dija këtë”.

The post Nobelisti italian nuk mohoi ndikimin e njeriut në ndryshimet klimatike appeared first on Faktoje.al.

Kujdes nga mashtrimi me pakot e humbura të Postës Shqiptare

19 September 2024 at 14:21

Pretendimi: Posta Shqiptare po shet pakot e humbura për 1€

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Një faqe në Facebook e quajtur Parcela e humbur Al pretendon se Posta Shqiptare po shet pakot e humbura për vetëm 1 euro.

Nëse lexuesi ndjek lidhjen e përfshirë në postim, dërgohet në një faqe interneti që i përngjan asaj të Postës Shqiptare. Për mos t’u mashtruar, lexuesi duhet të kontrollojë adresën e faqes, shënuar me të kuqe në imazhin e mëposhtëm. Në këtë rast, dallohet se adresa nuk i përket Postës Shqiptare, por nis me “gosdeal1.space”.

Një kërkim në rrjet me termin “godsdeal1” tregon se faqja ScamAdviser, e cila gjurmon skemat e mashtrimet në faqet online, vlerëson se kjo faqe me gjasa është skemë mashtrimi. Dy tregues të rëndësishëm janë fakti që pronari i faqes fsheh identitetin dhe që faqja është shumë e re. Profili Parcela e humbur Al gjithashtu është krijuar më 17 shtator 2024, dhe ka vetëm postimin e mësipërm, të po të njejtës datë.

Nëse ndjekim udhëzimet e faqes së rreme, i pëgjigjemi disa pyetjeve dhe shfaqet njoftimi i mëposhtëm, i cili na kërkon të zgjedhim një pako.

Kutia e parë që zgjodhëm rezulton të jetë bosh. Në përpjekjen e dytë, duket se zgjodhëm saktë.

Pas zgjedhjes së pakos së duhur, dërgohemi në një faqe ku duhet të plotësojmë të dhënat personale dhe të pagesës.

Në pjesën e procesit ku duhet të fusim të dhënat e pagesës, vëmë re një shënim në fund të faqes i cili na bën me dije se duke futur këto të dhëna ne në fakt po biem dakord që të faturohemi €38.95 çdo muaj.

Kjo është një mënyrë që mashtruesit përdorin për të zhvatur para nga përdoruesit e rrjeteve sociale, e përshkruar edhe këtu.

Shtatorin e kaluar Posta Shqiptare njoftoi zyrtarisht se identiteti i saj po keqpërdorej në një skemë të ngjashme në rrjetet sociale. 

The post Kujdes nga mashtrimi me pakot e humbura të Postës Shqiptare appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar foto e ushtarëve izraelitë të lagur nga frika

18 September 2024 at 09:28

Pretendimi: Kjo foto tregon një grup ushtarësh izraelitë që kanë lagur pantallonat nga frika

Verdikti: Foto e manipuluar

————————————————————–

Një foto që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një grup ushtarësh të shtrirë anës një rruge. Imazhi përmban një flamur izraelit dhe shigjeta të kuqe që tregojnë njolla të lagura në pantallonat e personave të shtrirë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor TinEye, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm qarkullon në rrjet që në vitin 2012.

Nëntor 2012, ushtria izraelite (IDF) nisi Operacionin Shtylla e Mbrojtjes, një fushatë tetë-ditore në Rripin e Gazës. Sipas UNHCR, 174 palesitnezë u vranë dhe qindra u plagosën. Nga ana e tyre, Hamas vijoi bombardimin me raketa ndaj Izraelit si pjesë e operacionit Gurë Balte të Pjekur. Tel Avivi u godit për herë të parë që në 1991. Gjashtë izraelitë vdiqën si pasojë.

Megjithatë, në imazhin që është botuar në 2012 dallohen vetëm ushtarët e shtrirë në rrugë, jo njollat e lagura në pantallonat e tyre.

Foto origjinale (lart) dhe foto e manipuluar (poshtë)

Mesa duket imazhi i mësipërm është manipuluar duke i shtuar njollat me anë të programeve kompjuterike.

The post E manipuluar foto e ushtarëve izraelitë të lagur nga frika appeared first on Faktoje.al.

Atentatori i Donald Trump nuk luftoi si mercenar në Ukrainë

17 September 2024 at 14:39

Pretendimi: Atentatori i Trump punonte si mercenar si pjesë e Legjionit të Huaj të Ukrainës

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Pas një atentati të dështuar kundër ish-presidentit dhe kandidatit për president amerikan Donald Trump më 15 shtator, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se autori Ryan Routh ka qenë mercenar me Legjionin e Huaj të Ukrainës.

Routh akuzohet se ka shkuar në resortin e golfit Trump në Florida të dielën, i armatosur me një pushkë SKS. FBI gjeti armën, dy çanta shpine dhe një kamerë GoPro.

Sipas BBC, Routh postonte shpesh në rrjete sociale duke inkurajuar luftëtarët e huaj të shkojnë në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë. Ai e përshkruan veten si “kordinator vullnetar.”

Routh u intervistua nga The New York Times në vitin 2023 për një artikull mbi amerikanët që dolën vullnetarë për të ndihmuar në luftën në Ukrainë. Routh, i cili nuk kishte përvojë ushtarake, tha se kishte udhëtuar drejt Ukrainës pas pushtimit të Rusisë dhe donte të rekrutonte ushtarë afganë për të luftuar atje.

Megjithatë, ai nuk ka marrë pjesë në luftime. Në vitin 2022, 56-vjeçari u refuzua nga Legjioni i Huaj i Ukrainës sepse nuk kishte përvojë ushtarake. Legjioni i Huaj tha për BBC se Routh “asnjëherë nuk ka qenë pjesë e legjionit, as i lidhur me me legjionin … në asnjë cilësi”.

Një vullnetar i legjionit e përshkroi Routh si një prani kaotike që “po bënte më shumë dëm sesa mirë”. Vullnetari tha se Routh ishte në Ukrainë në prill 2022.

Ofertat e tij për të rekrutuar numra të mëdhenj nga e gjithë bota për të luftuar për Ukrainën “nuk ishin realiste”, tha Oleksandr Shaguri, një oficer i Departamentit të Koordinimit të të Huajve të Komandës së Forcave Tokësore. Ai tha për CNN, se “mënyra më e mirë për të përshkruar mesazhet [e Routh] është – ide delirante”

Revista Rolling Stone raporton se vullnetarë të lidhur me Legjionin e Huaj për Mbrojtjen e Ukrainës filluan të sinjalizonin publikisht për Routh gjatë verës: “Paralajmërim për Ryan Routh: Ai nuk është, dhe kurrë nuk ka qenë i lidhur me Legjionin Ndërkombëtar ose me Forcat e Armatosura të Ukrainës… Ai po keqinterpreton veten dhe gënjen shumë njerëz.”

Ushtria ukrainase ka mohuar çfarëdo lidhje me Routh.

“Shtetasi amerikan Ryan Routh nuk ka shërbyer kurrë në Legjionin Ndërkombëtar të Drejtorisë kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, [dhe] nuk ka asnjë lidhje me njësinë”, shkroi njësia e Inteligjencës së Mbrojtjes së Legjionit Ndërkombëtar në një deklaratë zyrtare. “Thashethemet e shpërndara në media të caktuara nuk janë të vërteta.”

The post Atentatori i Donald Trump nuk luftoi si mercenar në Ukrainë appeared first on Faktoje.al.

Koreja e Jugut nuk nisi hetimet për nanoteknologjinë në vaksina

17 September 2024 at 14:04

Pretendimi: Koreja e Jugut ka nisur hetimet për nanoteknologjinë e gjetur në miliarda vaksina mRNA.

Verdikti: E paprovuar


Një artikull i portalit mast.al pretendon se Korea e Jugut ka nisur hetimet për “nanoknologjinë ‘gjenocide’ të mRNA-së të gjetur në miliarda vaksina” anti-Covid.

Në brendinë e tij, artikulli nuk jep asnjë referencë apo burim. Ai nuk jep titullin e ndonjë studimi apo ndonjë shkencëtari, duke përdorur thjesht termin “shkencëtarët më me zë koreanë”.

Artikulli pretendon se “shkencëtarët koreanë zbuluan se flakonët e vaksinës mRNA që i përkasin Moderna dhe Pfizer-BioNTech përmbajnë këto nanogrimca vetëmontuese.”

Termi “nanogrimca vetëmontuese” është përdorur më parë nga konspiracionistët anti-vaksinë referuar një studimi me titull “Vetë-montimi në kohë reale i strukturave artificiale të dukshme stereomikroskopike në kampionë të inkubuar të produkteve të mRNA kryesisht nga Pfizer dhe Moderna: Një Studim Gjithëpërfshirës Afatgjatë,” botuar në korrik 2024 në botimin Revista Ndërkombëtare e Teorisë, Praktikës, dhe Hulumtimit të Vaksinave (IJVTPR).

Ky studim, megjithatë, nuk është kryer nga “shkencëtarët më me zë koreanë”, por nga një një gjinekologe nga Korea e Jugut dhe një profesor gjuhësie nga Japonia. Asnjëri prej tyre nuk është ekspert mikrobiologjie apo vaksinash.

Vlen të përmendet se revista IJVTPR është një revistë që doli gjatë pandemisë Covid-19 dhe që nga numri i parë ka botuar artikuj kritikë ndaj vaksinave që po zhvilloheshin kundër Covid-19. Përveç kësaj, bordi i saj editorial përbëhet nga profesionistë të letërsisë, filozofisë, gjuhësisë dhe drejtësisë, ndër të tjera, pra jo specialistë të imunologjisë.

Ekspertë të sëmundje infektive kanë shprehur skepticizëm lidhur me këtë studim. 

Dr. James Lawler nga Divizioni i Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës tha për Lead Stories se IJVTPR, ku u botua studimi “nuk është revistë e vërtetë.”

“Studimi … duhet të bëhet rast studimor se si të dallojmë dezinformimin. Përmbajtja është dërdëllitje shkencore pa bazë në biologjinë reale apo metodën shkencore. Për të qenë i sinqertë, është një dërdëllitje relativisht amatore, që një person i arsyeshëm me një arsim biologjik të nivelit të shkollës së mesme duhet të jetë në gjendje ta përgënjeshtrojë lehtësisht. 

Seksionet e metodave dhe rezultateve janë të gjera, duke pasqyruar një praktikë të zakonshme në dezinformim dhe propagandë për të trullosur lexuesit me një vëllim të madh proze që tingëllon si shkencore. Por, siç e përmenda, cilësia e përgjithshme është amatore. Nuk sheh çdo ditë vizatime me ngjyra dhjami në një revistë shkencore,” tha Lawler.

Vizatimi në fjalë

Ai theksoi dhe tregues të tjerë që studimi është “propagandë e sajuar”

“Këto përfshijnë faktin se ‘International Journal of Vaccine Theory, Practice, and Research’ nuk është një revistë e vërtetë. Një kërkim i shpejtë në databazën e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë së ShBA konfirmon se kjo revistë nuk është e kataloguar në revistat shkencore të rishikuara nga kolegët.

Treguesi i dytë është se autorët nuk duket se kanë ndonjë ekspertizë legjitime në këtë fushë. Njëri është një gjinekologe që duket se ka klinikën e saj në Kore, gjë që vështirë se është kualifikim për të qenë ekspert në vaksina, toksikologji ose ‘nanobotë’ (çfarëdo janë ato).

Autori tjetër është një ‘profesor i gjuhësisë së aplikuar’ në Okinawa Christian University. Përsëri, vështirë të kuptohet se si kjo i jep atij ndonjë ekspertizë të aplikueshme. Një vizitë e shpejtë në faqen e internetit të këtij universiteti konfirmon se ata nuk kanë asnjë departament në shkencat e jetës, ose ndonjë shkencë tjetër.

[…]

Struktura e eksperimentit (e përdor këtë term lehtësisht) të diskutuar në studim nuk është shkencërisht e shëndoshë dhe është sinqerisht e çuditshme.

Materialet që ata përshkruajnë se përdorën në ‘eksperimentet’ e tyre përfshijnë birrën soju (një pije e distiluar koreane), spermë dhe një karikues celulari pa tela. Nuk po gënjej.

Ndërsa kjo tingëllon si një natë e çmendur në Seoul, nuk tingëllon vërtet si shkencë e mirë. Sepse nuk është.”

Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë në divizionin e sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt tha se studimi “është shkruar në një mënyrë disi informale, në një revistë jo shumë të spikatur. Nëse ky do të ishte vërtet një zbulim revolucionar i vërtetuar nga të tjerë, virologë molekularë, për shembull… Unë mendoj se do të botohej në një revistë të zakonshme. Kështu që unë jam shumë skeptik.”

Ai theksoi se vendet në mbarë botën kanë sisteme të mbikëqyrjes së sigurisë së vaksinave që mbulojnë miliarda njerëz dhe do të sinjalizonin nëse diçka si “nanorobotët” po gjeheshin tek njerëzit: “Nuk ka patur asnjë shqetësim sigurie në lidhje me, po vendos thonjëza, ‘nanobotët’ në vaksina. Dhe sigurisht, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe agjenci homologe në vende të tjera nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë se të ashtuquajturit ‘nanobotë’ gjenden ose tek njerëzit ose tek vaksinat mRNA.”
Lawler përfundoi duke thënë se “nuk ka nanobotë apo aditivë të tjerë dashakeqë dhe misterioz në vaksinat anti-Covid të miratuara nga FDA. Kontrolli i cilësisë, kriteret e dokumentacionit dhe kriteret e vlerësimit të pavarur laboratorik të FDA janë më të rreptat në botë. Vaksinat tona kundër Covid-19 kanë profile të shkëlqyera sigurie, u janë administruar miliarda njerëzve në mbarë globin dhe kanë shpëtuar dhjetëra miliona jetë. Ne duhet të festojmë arritjen e mahnitshme në shkencën amerikane që ato përfaqësojnë.”

The post Koreja e Jugut nuk nisi hetimet për nanoteknologjinë në vaksina appeared first on Faktoje.al.

Presidenti Biden nuk ngatërroi kapelen e fushatës së Trump për shkak të moshës

16 September 2024 at 15:56

Pretendimi: Presidenti amerikan Joe Biden është aq i moshuar se nuk e ka vënë re që ka vënë një kapele me emrin e kundërshtarit të tij politik Donald Trump

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një foto e presidentit amerikan Joe Biden me një kapele që shkruan “Trump 2024” po qarkullon në rrjete sociale si dëshmi e gafës së rradhës së tij për shkak të moshës.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është shkrepur në Shanksville, Pennsylvania në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit.

Ndërsa ishte në Shanksville, Biden vizitoi stacionin vendas të zjarrfikësve. Gjatë vizitës Biden shfaqet duke folur me një burrë me një kapele të Trump. 

Biden, i cili hoqi dorë nga rikandidimi për president dhe mbështeti kandidaturën e zv. presidentes Kamala Harris, i ofroi burrit një kapele me logon presidenciale në këmbim të kapeles së Trump. 

Mbështetësi i Trump e pyet Biden nëse do t’i firmoste kapelen. Biden pranon dhe burri e tall duke i thënë: “A e mbani mend emrin tuaj?” Presidenti përgjigjet me shaka se “nuk e mban mend emrin” sepse është “i ngadaltë”, gjë që shkakton të qeshura në turmë.

Biden më pas u tall se i duhej kapelja Trump e burrit dhe ky i fundit i kërkoi që ta vendoste në kokë. Pasi tha fillimisht “Nuk po shkoj aq larg”, Biden përfundimisht e vuri kapelen me Trump, duke fituar duartrokitje nga turma dhe mbështetësi i Trump. “Jam krenar për ju tani,” tha mbështetësi i Trump.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andreë Bates e përshkroi këtë veprim si një gjest uniteti. Bates tha: “Në Stacionin e Zjarrfikësve në Shanksville, [presidenti] foli për unitetin dypartiak të vendit pas 11 shtatorit dhe tha se duhej t’i riktheheshim atij. Si një gjest domethënës, ai i dha një kapelë një mbështetësi të Trump, i cili më pas tha se në të njëjtën frymë, [presidenti] duhet të vinte kapelën e tij me Trump. Ai e vuri për një kohë të shkurtër.”

Gjatë së njejtës vizitë, Biden këshilloi me shaka turmën e mbledhur “të mos hanin qen dhe mace” duke iu referuar pretendimit të Trump se emigrantë nga Haiti “po hanë kafshët shtëpiake të njerëzve” në Springfield, Ohio.

The post Presidenti Biden nuk ngatërroi kapelen e fushatës së Trump për shkak të moshës appeared first on Faktoje.al.

E keqinterpretuar fushata sensibilizuese kundër prostitucionit

13 September 2024 at 15:21

Pretendimi: Kjo video tregon televizionin kombëtar hollandez që demonstron lodra seksi në një emision për fëmijë.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-
Një video që duket se tregon disa vajza të vogla duke luajtur me lodra seksi po qarkullon në rrjet me pretendimin se tregon një emision për fëmijë në televizionin kombëtar hollandez. Ky sillet si shembull i degjenerimit europiano-perëndimor.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i mësipërm është shkëputur nga një video më e gjatë, e botuar në vitin 2017.

Megjithatë, ajo nuk është pjesë e ndonjë emisioni për fëmijë, por e një fushate sensibilizuese kundër prostitucionit të fëmijëve.

Video e plotë tregon vajzat e vogla duke luajtur ne mënyrë të pafajshme me lodrat e seksit që nxjerrin nga një kuti, dhe duke spekuluar se për çfarë mund të përdoren, me imagjinatën e pafajshme të një fëmije. Sugjerimet përfshijnë ‘një shkop’, ‘okllai’ dhe ‘vrasëse mizash’.

Më pas në ekran shfaqet një mesazh që thotë: “Imagjinatë e pafajshme për këto vajza. Realitet i tmerrshëm për të tjera.”

Këto pamje pasohen nga një video e xhiruar me kamera të fshehtë që tregon një vajzë 7 vjeç duke u ofruar për seks.

Filmi nga Free A Girl, një organizatë ndërkombëtare për lirimin e vajzave të vogla nga prostitucioni, u krijua për të theksuar mesazhin se “seksi nuk është lojë fëmijësh”. Drejtoresha dhe bashkëthemeluesja e Free A Girl, Evelien Hölsken, tha: “Rreth dy milionë fëmijë në të gjithë botën janë të përfshirë në prostitucion, nga të cilat 1.2 milionë janë në Indi. Vajzat detyrohen të bëjnë seks çdo ditë me dhjetëra meshkuj.”

The post E keqinterpretuar fushata sensibilizuese kundër prostitucionit appeared first on Faktoje.al.

Pasaportat e terroristëve të 11 shtatorit nuk janë provë e inskenimit të sulmeve

13 September 2024 at 14:43

Pretendimi: Pasaportat në këtë foto u gjetën në gërmadhat e Kullave Binjake më 11 shtator 2001

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në përvjetorin e rrëzimit të Kullave Binjake në New York më 11 shtator 2001, rrjetet sociale ringjallin teoritë konspirative që pretendojnë se “11 shtatori ishte punë e brendshme.”

Një version i kësaj teorie po qarkullon në rrjete sociale bazuar në pretendimin se pasaportat e terroristëve të përfshirë u gjetën, çuditërisht, nën rrënojat e kullave dhe kështu u identifikuan autorët. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pasaportat në imazhin e sipërm i përkasin Satam al-Suqami dhe Saeed al-Ghamdi.

Sipas Komisionit Kombëtar për 11 Shtatorin, i krijuar nga Kongresi amerikan për të hetuar të gjitha aspektet e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, katër nga pasaportat e 11 terroristëve u gjetën. 

“Dy prej tyre u gjetën në vendrrëzimin e fluturimit 93 të United Airlines në Pensilvani. Këto janë pasaportat e Ziad Jarrah dhe Saeed al-Ghamdi. Njëra i përkiste një terroristi në fluturimin 11 të American Airlines. Kjo është pasaporta e Satam al-Suqami. Një kalimtar e gjeti atë dhe ia dha një detektivi të policisë së New York pak para se të shembeshin kullat,” u raportua në Komision.

Pra, asnjëra nga pasaportat në foto nuk u gjet nën rrenojat e Kullave Binjake. 

Pasaporta e al-Suqami u gjet në rrugë nga një kalimtar, përpara se të rrëzoheshin kullat. 

Ndërsa pasaporta e al-Ghamdi nuk ishte kurrë në New York. Al-Ghamdi ishte një nga terroristët që morën peng fluturimin 93 të United Airlines, me qëllim për ta përplasur atë me godinën e Kapitolit në Washington D.C. Megjithatë, ky fluturim u rrëzua në Shanksville, Pennsylvania. Kjo, si pasojë e një përpjekje nga ana e pasagjerëve dhe ekuipazhit për të rimarrë kontrollin e avionit nga terroristët.

Pasaporta e al-Ghamdi, bashkë me pasaportën e një tjetër pengmarrësi, Ziad Jarrah, u gjet në vendrrëzimin e fluturimit 93 në Pennsylvania.

The post Pasaportat e terroristëve të 11 shtatorit nuk janë provë e inskenimit të sulmeve appeared first on Faktoje.al.

Sfida e shtrirjes nën kamionët në autostradë është e manipuluar

12 September 2024 at 15:34

Pretendimi: Kjo video tregon një të ri që humbi bastin dhe i del përpara kamionit në autostradë

Verdikti: Video e manipuluar

——————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një djalë të ri, i cili shtrihet në autostradë ndërsa dy kamionë i kalojnë përsipër.

Përpara se dikush të frymëzohet nga i riu në video dhe të përpiqet të bëjë një veprim të ngjashëm, duhet saktësuar se gjasat janë që video e mësipërme është e manipuluar.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video daton në vitin 2018. Në videon e plotë, djaloshi i flet kameras rusisht duke thënë: “Ai momenti kur humb bastin se Rusia do futej në gjysmëfinale,” duke iu referuar Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018.

Treguesit kryesorë që kjo video është manipuluar janë fakti që kamionët nuk frenojnë apo përpiqen të devijojnë kur i riu u del përpara. 

Më tej, duket se kamioni i parë, i cili duket sikur i kalon sipër të riut të shtrirë në mes të rrugës, është tepër i ulët. Nëse video do të ishte reale, i riu nuk do të kishte evituar, edhe i shtrirë, përplasjen me të.

Pasi kamioni i parë i kalon sipër, i riu i shtrirë rrotullohet për të ikur, por përpara se të mundet një kamion i dytë kalon mbi të. Në video duket sikur i riu kalon tej për tej rrotave të kamionit të dytë, i padëmtuar. Kjo gjë do të ishte e pamundur nëse video nuk do ishte manipuluar.

Video me gjasa është prodhuar me programe kompjuterike, duke kombinuar dy video të xhiruara në të njejtin vend, nga i njejti kënd, por në kohë të ndryshme. Gjeni më poshtë një demonstrim nga Youtuberi Captain Disillusion.

The post Sfida e shtrirjes nën kamionët në autostradë është e manipuluar appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar prova që pamjet nga hapësira shkrepen në Algjeri

12 September 2024 at 14:13

Pretendimi: Kjo foto e shkretëtirës algjeriane po shitet si pamje nga sipërfaqja e planetit Mars 

Verdikti: Foto e manipuluar

—————————————————–

Një imazh i postuar nga publicisti Alfred Cako duket se tregon dy peisazhe pothuajse identike, njëra pretendohet nga Marsi dhe tjetra nga Algjeria.

Në imazhin e sipërm, në peisazh duken dy objekte, roveri Perseverance dhe helikopteri Ingenuity. Megjithatë, këto dy objekte janë kopjuar nga një ilustrim i NASA dhe janë mbivendosur në peisazh. 

Ky manipulim është bërë shkel e shko, duke mos marrë parasysh përmasat reale të këtyre dy objekteve. Në imazh, dy objektet duken sikur kanë të njejtën madhësi, ndërsa në realitet Perseverance është 2.7 m i gjatë dhe Ingenuity është më pak se 60 cm i gjatë.

Krahasim mes përmasave reale të dy objekteve hapësinore

Krijuesi i imazhit nuk ka marrë parasysh faktin që është e pamundur të shkrepësh një foto të tillë në Mars. Aktualisht janë pesë rovera të NASA që veprojnë në sipërfaqen e Marsit. Secili prej tyre është ndërtuar posaçërisht për të studiuar veçori të caktuara të planetit. I vetmi rover tjetër në veprim përveç Perseverance është Curiosity, i cili u hodh në vitin 2012. Ai ndodhet afërsisht 3700 km nga vendi i uljes së Perseverance në Kraterin Jazzer

Fotot e vetme që tregojnë dhe Ingenuity dhe Perseverance janë bërë me kamerën e montuar në krahun e roverit më të fundit të NASA. Në këtë mënyrë, roveri Perseverance ishte në gjendje të bënte një selfie me helikopterin Ingenuity aty pranë.

Selfie e Perseverance dhe Ingenuity (në sfond) në Mars

Foto që pretendohet se tregon Marsin nuk mund të gjendet në faqen e NASA apo të agjensisë hapësinore kineze (CNSA), të vetmet agjensi që kanë dërguar rovera në Mars. Asnjë nga këto agjensi nuk e ka prezantuar këtë foto si pamje nga Marsi.

Fotografi Gregory Rohart konfirmoi për AFP se ai kishte shkrepur vërtet foton e poshtme në Algjeri, më 6 janar 2009. “Unë e bëra këtë foto në Algjeri duke ecur në shkretëtirën Tadrart,” shpjegoi ai. “Si fotograf, padyshim që nuk më pëlqen që një nga fotot e mia të përdoret pa marrëveshjen time, dhe aq më pak që ajo të devijohet nga kuptimi i saj origjinal.”

Foto e “Marsit” dukshëm është prodhuar duke manipuluar foton e Rohart. Kjo vërrehet në hijet që janë të njejta në dyja imazhet.

The post E manipuluar prova që pamjet nga hapësira shkrepen në Algjeri appeared first on Faktoje.al.

Kjo video dëshmon arrestimin e ambjentalistëve, jo protestuesve kundër emigracionit

11 September 2024 at 14:02

Pretendimi: Kjo video tregon arrestimin e protestuesve kundër emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————-

Një video që tregon arrestimin e disa të rinjve nga policia britanike po shpërndahet në rrjete sociale me pretendimin se të arrestuarit ishin protestues kundër politikave të emigrimit.

Postimi i referohet një vale protestash anti-emigrim që përfshiu Mbretërinë e Bashkuar në fund të korrikut 2024, pas një sulmi me thikë që i mori jetën 3 vajzave të vogla në Southport më 29 korrik.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar në 27 qershor 2024, një muaj para nisjes së protestave në fjalë.

Sipas mediave britanike, video në të vërtetë tregon arrestimin e aktivistëve të grupit ambjentalist “Just Stop Oil” më 27 qershor 2024.

E njejta video është shpërndarë edhe nga llogaria e Just Stop Oil në Twitter, më 27 qershor.

Sipas një deklarate nga policia e Hackney, aktivistët u arrestuan nën akuzën e komplotit për të prishur infrastrukturën kombëtare:

“Ne dimë që Just Stop Oil planifikojnë të vandalizojnë aeroporte dhe mijëra pushues këtë verë. Sonte oficerët tanë bënë gjashtë arrestime gjatë një eventi në një qendër komunitare në Londrën lindore. Ne besojmë se disa nga të arrestuarit janë organizatorë kyç për Just Stop Oil. Të gjithë arrestimet u bënë nën një seksion të Aktit të Rendit Publik që e bën të jashtëligjshme të komplotohet për të prishur infrastrukturën kombëtare. Ne do të vijojmë të punojmë me operatorët e aeroporteve dhe të tjerë për të parandaluar trazira domethënëse. Aktivistët nuk kanë të drejtë të kryejnë akte kriminale që mund të rrezikojnë veten dhe të tjerët. Çdokush që prish sigurinë e një aaeroporti të sigurohet se do të trajtohet me shpejtësi dhe fuqishëm.”

20 qershor 2024, dy aktiviste të “Just Stop Oil” u arrestuan nën akuzën se kishin hedhur bojë portokalli mbi avionët privatë në aeroportin Stansed në Essex. Organizata tha se “po kërkonin një traktat urgjent për t’i dhënë fund karburanteve fosile deri në vitin 2030”.

The post Kjo video dëshmon arrestimin e ambjentalistëve, jo protestuesve kundër emigracionit appeared first on Faktoje.al.

I keqinterpretuar artikulli i Financial Times për gjeoinxhinierinë dhe ngrohjen globale

10 September 2024 at 15:18

Pretendimi: Financial Times ka pranuar se kemtrajlet nuk janë teori konspirative

Verdikti: Mungon konteksti

————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se gazeta britanike “Financial Times ka pranuar” se spërkatja kimike nga avionët nuk është teori konspirative, por “një fenomen i vërtetë”, që ndihmon kundër ngrohjes globale.

Imazhi i turbullt që shoqëron postimin e mësipërm tregon burimin e këtij pretendimi, një artikull të 4 shtatorit me titullin: “Financial Times: “Kemtrajlet NUK janë komplot – ato ndihmojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike””.

Artikulli është botuar nga portali amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Artikulli i The People’s Voice i referohet një artikulli të botuar në 2 shtator në gazetën Financial Times, i cili mban titullin “Gjeoinxhinieria ia vlen rrezikun – me kusht që të rregullohet siç duhet.”

Artikulli i Financial Times

Në përmbajtjen e artikullit, autori propozon përdorimin e teknikave gjeoinxhinierike si modifikimi i rrezatimit diellor (SRM) për të luftuar efektet e ngrohjes globale në Tokë. Ai shpjegon, në teori, avantazhet dhe disavantazhet e këtyre teknikave dhe vështirësitë që mund të hasen në implementimin e tyre, duke theksuar se ato duhet të përdoren krahas ndërmarrjes së masave për uljen e emetimeve të karbonit dhe jo në vend të tyre.

Në asnjë moment artikulli nuk përmend kemtrajlet apo teoritë konspirative, e aq më pak të “pranojë” se kemtrajlet nuk janë teori konspirative, por fenomen i vërtetë.

Pretendimi që qarkullon mes konspiracionistëve ngatërron teknologjitë gjeoinxhinierike me “gjurmët kimike”, të quajtura dhe kemtrajle, të cilat ekzistojnë vetëm në teorinë konspirative që pretendon se qeveritë apo entitete të tjera keqdashëse spërkasin fshehurazi kimikate toksike në atmosferë me anë të vazhdave të avullit që lënë pas avionët.

The post I keqinterpretuar artikulli i Financial Times për gjeoinxhinierinë dhe ngrohjen globale appeared first on Faktoje.al.

Lija e majmunëve nuk përhapet nga vijat e bardha që lënë pas avionët

10 September 2024 at 12:51

Pretendimi: Lija e majmunit po spërkatet nga qielli nëpërmjet vazhdave të avionëve

Verdikti: E paprovuar

———————————————————

Më 14 gusht 2024, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) e deklaroi epideminë e lisë së majmunit në Afrikë një emergjencë të shëndetit publik me interes ndërkombëtar. Lija e majmunit është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi MPV.

Kjo ka frymëzuar edhe më tej pretendimet e konspiracionistëve në rrjet. Së fundmi, Alfred Cako ka postuar një video që tregon vazhdat që lënë avionët në qiell, shoqëruar me përshkrimin: “Lija e majmunit po vjen nga qielli, me sa duket.”  Video është parë mbi 8400 herë dhe ka marrë qindra reagime nga ndjekësit e Cakos në rrjetin social Facebook.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime të Cakos lidhur me linë e majmunit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) dhe Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lija e majmunit transmetohet kryesisht nëpërmjet kontaktit të afërt. Transmetimi është kryesisht nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë, me lezionet e një personi të infektuar, me lëngjet trupore ose me spërklat të sistemit të frymëmarrjes gjatë ndërveprimit afatgjatë ballë për ballë. Spërklat e sistemit të frymëmarrjes mund të luajnë një rol në transmetim. Megjithatë, lija e majmunit nuk përhapet përmes ajrit në distanca të gjata.

Njerëzit gjithashtu mund të marrin virusin nga objekte të kontaminuara si veshjet, përmes lëndimeve nga gjilpërat në sistemin e kujdesit shëndetësor ose në mjedise komunitare si sallonet e tatuazheve. Gjatë shtatzënisë ose lindjes, virusi mund të kalojë nga nëna tek fëmija.

Transmetimi nga kafsha e infektuar te njeriu ndodh nga kafshimet ose gërvishtjet, ose gjatë aktiviteteve si gjuetia, rrjepja, gatimi, ngrënia ose prekja e kufomave të kafshëve të infektuara. 

Si rrjedhim, edhe nëse insinuata e Cakos se vazhdat që lënë avionët në qiell përmbajnë virusin e lisë së majmunit do të ishte e vërtetë, kjo spërkatje do të ishte e parrezikshme dhe e kotë. Kjo sepse lija e majmunit nuk transmetohet nga ajri.

Si zakonisht, Cako nuk ofron asnjë provë që mbështet pretendimin se vazhdat e kondensimit në qiell përmbajnë ndonjë substancë të dyshimtë, që lidhet me linë e majmunit.

Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet vazhdave që lëshojnë avionët.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”

Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagëshit, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.

Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.

Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime lidhur me të ashtuquajturat kemtrajle.

The post Lija e majmunëve nuk përhapet nga vijat e bardha që lënë pas avionët appeared first on Faktoje.al.

Kjo “video e nxehtë” nuk u filmua në autobusin e Unazës në Tiranë

10 September 2024 at 11:34

Pretendimi: Kjo video tregon një “skenë të nxehtë” në autobusin e Unazës në Tiranë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Një video që ka marrë mbi një mijë pëlqime në profilin në Facebook të portalit Gazeta Albania, tregon një grua duke hequr këpucët me taka në një autobus. Mbishkrimi që shoqëron videon pretendon se skena ka ndodhur në linjën e autobusëve urbanë të Unazës në Tiranë.Të shumtë janë komentet që kritikojnë gruan për veprimin e pahijshëm në urban, ndërsa të tjerë, kryesisht gra, realizuesin e videos së debatueshme. Falë këtyre qëndrimeve të kundërta, portali ka mbledhur klikime të shumta. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është postuar në 2023rrjete sociale nga vetë gruaja që duket në klip, një parukiere nga Krimea që quhet Oksana Mishyna.

Në përshkrimin e videos nuk specifikohet se ku është xhiruar, por ai liston një sërë destinacionesh popullore udhëtimi, si dhe Maqedoninë e Veriut.

Në videon e plotë dallohet se në autobus ka një afishe me logon e A1, një kompani austriake telekomunikacioni që operon në vende të ndryshme, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut. Kjo kompani nuk operon në Shqipëri.

Video është postuar për herë të parë në Prill 2023. Postime të tjera të të njejtës periudhë tregojnë se Mishyna ndodhej në Shkup në atë kohë.

Bazuar në postimet e saj në rrjete sociale, nuk duket se Mishyna ka udhëtuar ende drejt Shqipërisë.

Si përfundim, skena e Mishyna që heq këpucët me gjasa nuk ka ndodhur në autobusin e Unazës, por në një autobus urban të Shkupit.

The post Kjo “video e nxehtë” nuk u filmua në autobusin e Unazës në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

❌
❌