Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 October 2024Main stream

Zjarri në parlament, PS depoziton kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve

By: fra nc
1 October 2024 at 11:13

Partia Socialiste ka dorëzuar këtë të martë në Kuvend kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të opozitës pas incidenteve që ndodhën në seancën e fundit plenare. Ky hap erdhi si përgjigje ndaj përplasjeve të ashpra fizike dhe verbale që përshkallëzuan situatën politike në sallën e Kuvendit gjatë punimeve të së hënës.

Incidentet e shumta kulmuan me djegien nga ana e opozitës të karrigeve të deputetëve në hyrje të Kuvendit.

Maxhoranca thekson sjellja e deputetëve të opozitës përbën shkelje të rëndë të disiplinës parlamentare, duke cënuar integritetin dhe funksionimin normal të Kuvendit. Sipas PS kërkesa synon të adresojë këtë situatë duke propozuar përjashtimin e deputetëve përgjegjës për periudha të caktuara kohore, si një masë ndëshkuese dhe parandaluese për akte të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste theksuan pas djegies së karrigeve se sjellje të tilla nuk mund të tolerohen, duke argumentuar se institucionet demokratike duhet të funksionojnë brenda kornizës së respektimit të ligjit dhe normave të sjelljes. Sakaq ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se do të kallëzojë dhunën e opozitës në SPAK në mënyrë që të nisin hetimet.

Opozita, nga ana tjetër, e ka cilësuar këtë masë si një përpjekje për të shtypur zërin e saj në Kuvend.

Ndërkohë, tensionet mes palëve mbeten të larta, me Partinë Demokratike që kundërshton fortë arrestimin e deputetit Ervin Salianji, të cilin e quan një të dënuar politik.

Kjo kërkesë për përjashtim pritet të diskutohet në seancat e ardhshme parlamentare.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Zjarri në parlament, PS depoziton kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve appeared first on Euronews Albania.

Analisti malazez bën test ADN-je: Shqiptar apo sllav? Rezultati provokon debat

By: fra nc
1 October 2024 at 10:39

Analisti malazez Ljubomir Filipoviç ka ndezur një debat në Malin e Zi pasi publikoi rezultatet e testit të tij gjenetik, që tregojnë lidhje të forta me origjinën shqiptare. Pasi bëri testin e ADN-së “23andMe”, Filipoviç zbuloi se nga linja e tij atërore mban gjenet më të përhapura tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa nga ana amtare ka prejardhje greke.

“Duket sikur jam një përzierje 100% ballkanike me prejardhje ilire, trake dhe greke, pa asnjë gjurmë të origjinës sllave,” shprehet Filipoviç. Ai shton se ky fakt tregon se kombet dhe identitetet janë konstruksione sociale dhe jo biologjike.

Deklarata e Plotë e Filipoviçit:

“Prej thjesht kurioziteti, bëra një test ’23andMe’ dhe nuk pati surpriza. Nga ana atërore, mbaj gjenin që haset më shumë tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës. Duke pasur parasysh origjinën e diskutuar të paraardhësit mitologjik të fisit tim, Bijeli Pavle (Pal Bardhi), nga rajoni i Dukagjinit në Kosovë, gjithçka ka kuptim. Nga ana amtare, jam me origjinë greke, diçka që familja serbe e nënës sime e ka ditur gjithmonë.”

Filipoviç theksoi se analiza gjenetike tregon se kombësia dhe përkatësia etnike nuk lidhen me gjakun. “Nëse gjenetika do të ishte faktori përcaktues i përkatësisë etnike, unë nuk do të kisha një emër sllav apo të flisja një gjuhë sllave. Paraardhësit e mi, si ata të shumë të tjerëve, kanë kaluar nëpër valë të asimilimit dhe zhvendosjeve.”

Në fund, ai e përmbylli duke thënë: “Kombet nuk kanë të bëjnë me gjakun apo me tokën; ato kanë gjithçka të bëjnë me ndjenjën e përkatësisë.”

The post Analisti malazez bën test ADN-je: Shqiptar apo sllav? Rezultati provokon debat appeared first on Euronews Albania.

Lorik Cana kundërshton zhvillimin e Kampionatit Europian U-21 në Shqipëri e Serbi

By: fra nc
1 October 2024 at 10:11

Lorik Cana ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj organizimit të përbashkët të Kampionatit Europian për 21-vjeçarët midis Shqipërisë dhe Serbisë. Në një intervistë për mediat, ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare ka theksuar mosbesimin e tij ndaj bashkëpunimit me palën serbe, duke pranuar se, pavarësisht qëllimeve të mira të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ai nuk është dakord me këtë iniciativë. Cana vlerësoi kontributin e Dukës për futbollin shqiptar, por shprehu dyshime për sinqeritetin e Serbisë në një bashkëpunim të tillë, duke nënvizuar se ende ekzistojnë ndarje të mëdha mes dy vendeve.

“Unë kam përfaqësuar FSHF-në dhe e kam mbrojtur, sepse ajo përfaqëson një simbol kombëtar. I them gjërat siç i ndjej dhe siç janë. Për momentin, shoh ndryshe qëndrimin e Serbisë ndaj nesh. Armand Duka ka dëshira të mira, por nuk është as koha dhe as mënyra e duhur për një bashkëpunim të tillë. Në të ardhmen, nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur, pse jo, me gjithë qejf.”

Cana vazhdoi duke kritikuar hapur vendimin e Dukës për të organizuar kampionatin me Serbinë, duke theksuar se “Duka nuk e kupton ende me kë ka të bëjë.” Ish-kapiteni tregoi se nuk ka asnjë lloj besimi në sinqeritetin e palës serbe në marrëdhënie me faktorët shqiptarë, qoftë FSHF apo Federata e Futbollit të Kosovës.

“Nuk mendoj që është as momenti dhe as mënyra e duhur për të realizuar diçka të përbashkët me ta,” përfundoi Cana.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Lorik Cana kundërshton zhvillimin e Kampionatit Europian U-21 në Shqipëri e Serbi appeared first on Euronews Albania.

Ndeshjet e dyta në Champions League, supersfida që pritet të dhurojnë spektakël

By: fra nc
1 October 2024 at 09:55

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me ndeshjet e dyta të fazës së grupeve, ku skuadrat do të kërkojnë të marrin fitore për të forcuar pozitat e tyre në renditjen e përgjithshme. Ashtu si dy javë më parë, nuk do të mungojnë përballjet e mëdha dhe klasiket europiane, megjithatë disa sfida duken më të lehta në letër për pretendentët kryesorë.

Dy ndeshje kryesore që premtojnë spektakël janë Arsenal-PSG dhe Leverkusen-Milan. Arsenali, pas barazimit 0-0 kundër Atalantës, kërkon 3 pikët për të konsoliduar pozicionin dhe për të qëndruar në garë për vendet e para. Skuadra e PSG-së është një kundërshtar delikat, dhe kjo përballje sjell shumë kualitet në fushë, me të dyja skuadrat që kanë ndryshuar shumë që nga përballja e fundit e tyre para 6 vitesh. Në letër, Arsenali duket favorit.

Ndërkohë, Milani, që po kalon një formë të mirë në kampionat, do të përballet me Leverkusenin në “BayArena”, që konsiderohet si një fortesë për skuadrën gjermane të drejtuar nga Xabi Alonso. Leverkusen hyn në këtë sfidë me grupin e plotë, ndërsa Milani ka disa mungesa, çka e bën sfidën më të vështirë për italianët.

Dita e sotme do të hapet me dy ndeshje interesante: Salzburg-Brest dhe Shtutgart-Sparta Pragë, ndërsa në mbrëmje priten edhe sfida të tjera të mëdha si Barcelona-Young Boys, Dortmund-Celtic, Inter-Crvena Zvezda, PSV-Sporting dhe Slovan Bratislava-Man City.

Këto përballje pritet të sjellin emocione dhe spektakël, duke qenë kyç për të përcaktuar fatin e disa skuadrave në garën më të rëndësishme të futbollit europian.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ndeshjet e dyta në Champions League, supersfida që pritet të dhurojnë spektakël appeared first on Euronews Albania.

6 banesa e 6 automjete, kush është i “forti” që iu sekuestruan 750 mijë € pasuri

By: fra nc
1 October 2024 at 09:43

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë kryer një operacion për goditjen e pasurive që dyshohen të jenë përfituar përmes veprimtarive kriminale.

Në kuadër të operacionit të koduar “Immediate”, janë sekuestruar pasuri me vlerë 750,000 euro, përfshirë apartamente dhe automjete, të cilat ishin në emër të Oltion Hasanit dhe motrës së tij, Irma Hasani.

Ky operacion vjen si pjesë e një hetimi më të gjerë për pastrimin e parave, ku dyshohet se pasuritë e sekuestruara rrjedhin nga aktivitetet e paligjshme të Hasanit, i dënuar më parë në Britaninë e Madhe për trafikim narkotikësh.

“Në zbatim të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, në emër të shtetasve Oltion Hasani, 37 vjeç, dhe Irma Hasani, 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.

Nga hetimet rezulton se pasuritë e sekuestruara kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga Oltion Hasani, i cili në vitin 2020 është dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në Britaninë e Madhe.

Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post 6 banesa e 6 automjete, kush është i “forti” që iu sekuestruan 750 mijë € pasuri appeared first on Euronews Albania.

Izraeli hyn me trupa në Liban, reagon SHBA: Pasoja të rënda për Iranin nëse ndërhyn

By: fra nc
1 October 2024 at 09:31

Ushtria izraelite nisi të hënën, më 1 tetor, një operacion tokësor në jug të Libanit, duke synuar pozicionet e Hezbollahut. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, reagoi mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se kishte zhvilluar një bisedë me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant, për situatën e sigurisë dhe operacionin e nisur nga Izraeli.

“E bëra të qartë se Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Ne ramë dakord për domosdoshmërinë e çmontimit të infrastrukturës së sulmit përgjatë kufirit për të siguruar që Hezbollahu libanez të mos kryejë sulme të ngjashme me ato të 7 tetorit ndaj komuniteteve veriore të Izraelit,” shkroi Austin në një postim në “X” (ish-Twitter).

Kjo deklaratë erdhi pas një njoftimi nga ushtria izraelite, e cila konfirmoi fillimin e “sulmeve të kufizuara dhe të lokalizuara ndaj infrastrukturës ushtarake të Hezbollahut në jug të Libanit.” Austin theksoi gjithashtu nevojën për një zgjidhje diplomatike që të mundësojë kthimin e sigurt të civilëve në shtëpitë e tyre në të dyja anët e kufirit.

Ai shtoi se SHBA-ja është e përgatitur për të mbrojtur personelin, partnerët dhe aleatët e saj përballë kërcënimeve nga Irani dhe organizatat terroriste të mbështetura nga ky vend. Austin nënvizoi gjithashtu vendosmërinë e Uashingtonit për të parandaluar që ndonjë aktor të përfitojë nga tensionet apo të zgjerojë konfliktin.

“Përsërita pasojat e rënda për Iranin nëse ai zgjedh të nisë një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak kundër Izraelit,” shtoi ai.

Operacioni tokësor izraelit në Liban është pjesë e një konflikti më të gjerë, i cili u përshkallëzua pas vrasjes së disa udhëheqësve të lartë të Hezbollahut, përfshirë Hassan Nasrallah, në sulmet ajrore izraelite disa ditë më parë. Qëllimi i këtij operacioni është shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake të Hezbollahut përgjatë kufirit, pa ndonjë plan për një okupim afatgjatë.

Operacioni filloi me sulme të vogla më 30 shtator dhe më pas u zgjerua në lëvizje më të mëdha tokësore, të mbështetura nga sulme ajrore. Hezbollah reagoi duke lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit verior. Konflikti ka shkaktuar dëme të mëdha dhe zhvendosje të civilëve në të dyja vendet.

The post Izraeli hyn me trupa në Liban, reagon SHBA: Pasoja të rënda për Iranin nëse ndërhyn appeared first on Euronews Albania.

Yesterday — 30 September 2024Main stream

Balla takim me shqiptarët në Augsburg: Do mbështesim klasat e gjuhës shqipe jashtë

By: fra nc
30 September 2024 at 16:35

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, zhvilloi një takim me shqiptarët në Augsburg, të Gjermanisë, ku theksoi rolin kyç të diasporës në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Balla u shpreh se në Landin e Bavarisë janë organizuar mbi 35 klasa për mësimin e gjuhës shqipe, duke vlerësuar angazhimin e qendrave kulturore në promovimin e kulturës dhe gjuhës kombëtare.

Ai vuri theksin te rëndësia e ruajtjes së identitetit shqiptar përmes gjuhës dhe kulturës, duke përmendur se përpjekjet e qeverisë shqiptare do të vazhdojnë për të mbështetur këto qendra kulturore dhe klasat e mësimit të gjuhës shqipe. Gjithashtu, Balla falënderoi Konsullatat e Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunimin dhe përkujdesjen ndaj diasporës shqiptare në aktivitete të tilla. Sipas tij, bashkimi i shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës tregon dashurinë e përbashkët për flamurin dhe gjuhën shqipe.

“Faleminderit për ftesën në këtë qendër të rëndësishme kulturore, e cila promovon vlerat më të mira të kombit Shqiptar, promovon gjuhën shqipe, promovon letërsinë shqipe dhe pse jo dhe mbështet edhe djemtë dhe vajzat që duan të merren me sport. Unë e them shpesh, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera për shëmbull që kombëtarja e futbollit e Shqipërisë është shembulli më i bukur, sesi djem nga të gjitha viset Shqiptare bëhen bashkë për të ngritur lart flamurin tonë kombëtar, kështu që më pëlqen shumë që në këtë qendër që jemi sot, tek e cila djemtë dhe vajzat, fëmijët mësojnë gjuhën shqipe të mblidhemi dhe të lexohen poezi në gjuhën shqipe dhe të promovohet gjuha jonë e bukur shqipe. Isha dy ditë më parë në konsullata tona po që janë në një godinë konsullata e përgjithshme Republikës së Shqipërisë dhe konsullata e Përgjithshme Republikës së Kosovës. Dua të falenderojë të dy Konsujt për përkujdesjen që bëjnë për pjesëmarrjen e tyre në sa më shumë aktivitete. Edhe prezenca sot këtu është shumë domethënëse kemi shqiptarë Shqipërisë, Kosovës të Maqedonisë së Veriut dhe nga Presheva dhe kjo është diçka shumë e bukur që ajo që na mbledh është dashuria për kombin, dashuria për flamurin, dashuria për gjuhën shqipe . Unë dua të ju garantoj në emër të Qeverisë Shqiptare që ne do të vazhdojnë të bëjmë gjithçka që duhet për ti mbështetur këto qendra kulturore, për të mbështetur klasat e mësimit të gjuhës shqipe”, tha Balla.

The post Balla takim me shqiptarët në Augsburg: Do mbështesim klasat e gjuhës shqipe jashtë appeared first on Euronews Albania.

Netanyahu mesazh popullit iranian: Jemi me ju, paqja do arrihet kur…

By: fra nc
30 September 2024 at 16:18

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka publikuar një video-mesazh drejtuar popullit iranian, ndërsa vendi i tij vazhdon operacionet kundër grupeve të mbështetura nga Irani, si Hamasi, Hezbollah apo Houthi në Jemen.

Në një video tre-minutëshe të postuar në rrjetin social “X”, Netanyahu akuzon udhëheqësit e Iranit se regjimi i tyre po e zhyt rajonin gjithmonë e më shumë drejt luftës.

“Israeli mund të arrijë kudo në Lindjen e Mesme dhe nuk do të ndalet për të mbrojtur popullin dhe tokën e tij,” thotë ai.

Kryeministri izraelit paralajmëroi se regjimi iranian po e çon popullin persian gjithnjë e më shumë drejt një “humnere”.

Megjithatë Netanyahu foli dhe për një paqe të mundshme midis dy vendeve.

“Kur Irani të jetë më në fund i lirë, një moment që do të vijë shumë më shpejt se sa njerëzit mendojnë, do të ketë paqe midis dy vendeve”.

“Irani do të lulëzojë si kurrë më parë,” tha Netanyahu, duke shtuar: “Mos lejoni që një grup i vogël teokratësh fanatikë t’ju shtypë ëndrrat dhe shpresat. Ju meritoni më shumë.”

Ai e mbyll mesazhin me fjalët: “Populli i Iranit duhet të dijë se Izraeli është me ju. Qofshim së bashku për një të ardhme të prosperitetit dhe paqes”.

The post Netanyahu mesazh popullit iranian: Jemi me ju, paqja do arrihet kur… appeared first on Euronews Albania.

“Do hyjmë nga deti, toka, ajri”| Hezbollah i përgjigjet Izraelit: Jemi përgatitur

By: fra nc
30 September 2024 at 15:32

Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit. Izraeli po vazhdon të realizojë sulme ajrore në të gjithë Libanin, duke synuar Hezbollahun dhe grupe të tjera militante. Naim Qassem, zëvendës lideri i Hezbollahut, tha se ata janë të përgatitur për çdo pushtim tokësor nga Izraeli, duke premtuar të kundërshtojnë çdo operacion të tillë.

Sakaq ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka takuar trupat pranë kufirit libanez, duke u thënë atyre se do të kthejnë banorët e zhvendosur të Izraelit verior me “të gjitha mjetet që kanë në dispozicion”.

Gallant theksoi se Izraeli do të hyjë në Liban duke përdorur të gjitha forcat nga ajri, deti dhe toka.

Qëllimi sipas tij është goditja përfundimtare e Hezbollahut.

Izraeli ka kryer sulme që nga fillimi i këtij muaji, duke vrarë disa komandantë të Hezbollahut, përfshirë liderin e tyre, Hassan Nasrallah, i cili u ekzekutua në një sulm me raketa më 27 shtator. Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Liban, numri i viktimave nga sulmet izraelite ka arritur deri në 105 brenda 24 orëve të fundit, me sulme në zona të ndryshme, përfshirë edhe qendrat urbane si Beiruti​.

i mbrojtjes ajrore izraelit ka interceptuar raketat e lëshuara nga Libani, dhe alarmet janë dëgjuar në disa qytete të veriut të Izraelit, duke treguar se tensionet mbeten të larta. Më shumë se 1,000 persona janë raportuar të vdekur si rezultat i sulmeve izraelite në Liban në dy javët e fundit​

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Do hyjmë nga deti, toka, ajri”| Hezbollah i përgjigjet Izraelit: Jemi përgatitur appeared first on Euronews Albania.

Berisha takim virtual me shqiptarët në Miçigan: Diaspora rol thelbësor në zgjedhje

By: fra nc
30 September 2024 at 15:01

Në një takim virtual me shqiptarët e diasporës në Miçigan, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nënvizoi rëndësinë e diasporës shqiptare në ruajtjen dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri. Ai vlerësoi rolin historik të shqiptarëve në SHBA, veçanërisht në mbështetjen e kauzave kombëtare si pavarësia e Kosovës dhe përmbysja e diktaturës komuniste. Berisha foli për sfidat e situatës politike në vend, duke kërkuar mobilizimin e diasporës për të ndihmuar në rikthimin e lirisë dhe demokracisë.

Fjala e Sali Berishës:

Në Miçigan kam zhvilluar një nga takimet më të para në muajt e parë të karrierës time politike dhe kam gjetur aty mbështetjen më të fuqishme për PD-në në betejën e përmbysjes së diktaturës komuniste.

Ruaj me shumë mirënjohje pritjet, takimet që ishin për ne një mbështetje e madhe.

Por emigracioni dhe diaspora e Miçiganit kanë luajtur një rol thelbësor dhe në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shumë herë e kam pyetur veten, si ka mundësi, pse diaspora shqiptare krahasuar me të tjerat, numerikisht më e vogël, krahasuar me pasuritë e të tjerave, më pak e pasur, por arrin të luajë një rol më të madh në historinë e vendit se sa diaspora e shumë e shumë vendeve të tjera.

Se si ajo arrin të paraqitet dhe të dalë në ballë të përpjekjeve të kombit për lirinë dhe dinjitet kombëtar.

Përgjigjja është vetëm një, është atdhetaria, është shqiptarizmi, është patriotizmi i shqiptarëve në Miçigan dhe SHBA që i bën ata një nga diasporat më të fuqishme në çështjen shqiptare dhe çështjet e kombit të tyre.

Të dashur miq, ne bisedojmë sonte në një situatë shumë të veçantë.

Në një situatë kur në Shqipëri është vendosur ajo që Samuel Hantington e ka quajtur formën më të keqe të të gjitha diktaturave, mobokracia.

Kur 20 vite më parë lexoja Hantingtonin, një studiues i madh, por u befasova me vlerësimin e tij.

Ai e quante mobokracinë një dikaturë më të keqe se nazistën, se komunisten, se teokratiken.

Në Shqipëri u instalua mobokracia nga Edi Rama për dy arsye.

E para, ai ka një trashëgimi të bllokut komunist, me të cilin frika e qytetarëve përbën mjetin kryesor të sundimit.

Së dyti, ai kanabizoi Shqipërinë me një politikë zyrtare pothuajse, Edi Rama mbolli nga thellësitë e Alpeve të veriut në kufi me Plavën, gjer në Pogon me mijëra e mijëra plantacione kanabisi.

Dhe në këtë mënyrë, ai ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Por, kjo për qytetarët është diktaturë e krimit, drogës, e cila vendos në kutitë e votimit, vendos në parlament, vendos në qeveri, vendos në rrugë, vendos në pritë, vendos kudo.

Edi Rama hapi apo vendosi vendin tërësisht në sundimin e bandave më të rrezikshme.

Unë dua t’u jap shkurtimisht dy-tre të dhëna.

Sot në Tiranë keni konstatuar se ndërtohen si kërpudha kulla 30, 40, 50 katëshe.

Deri tani, investimi i tyre i kalon 4 miliardë euro. Nga këto, vetëm 800 milionë vijnë nga bankat. Të gjitha janë para droge, para të nëndheshme. Ka 56 mijë apartamente bosh. Çmimet janë më të tretat më të lartat pas Mynihut dhe Parisit.

Një njeri për të blerë një apartament, duhet të punojë 104 vite.

Shqiptarët kanë ikur, të dashur miq. Kurrë në histori në asnjë pushtim të cilitdo lloji qoftë, nuk ka ndodhur që nga viti 2014 gjer në vitin 2022, të braktisin Shqipërinë 34 përqind e shqiptarëve.

Shqipëria po zbrazet me Shqipëri, kombi po shkretohet.

Proceset elektorale, zgjedhjet, vdesin para se vota të hyjë në kuti.

Një makineri gjigante e blerjes së votës e bën procesin zgjedhor një farsë të vërtetë.

Shumë herë kam pyetur veten pse Hantington shkruan se mobokracitë janë forma më e egër? Ai thotë se ato nuk ndjekin asnjë rregull.

Por unë konsideroj mjerisht se ata kanë mbështetje jo të vogël ndërkombëtare.

Kanë mbështetje që e tejkalon imagjinatën tonë.

Ajo që keni dëgjuar me McGonigalin, ajo u garantoj ju se është maja e ajsbergut e fuqisë korruptive të narkoshtetit shqiptar.

Në këtë kontekst, Shqipëria kaloi këto vite, 3-4 vite, t’u them haptas, një grusht shteti.

Grushtet e shtetit për një vend nuk janë vetëm përmbytjet e qeverisë.

Jo, grushtet e shtetit ndodhin edhe kur synohet të përmbytet opozita.

Pse kjo? Se çdo vend ka sovranitet të brendshëm dhe të jashtëm. Në diktatura nuk ka sovranitet të brendshëm.

Pa opozitë, nuk ka sovranitet të brendshëm dhe ajo që ndodhi me lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Soros, kishte vetëm një qëllim, shndërrimin e opozitës shqiptare në një fasadë të Edi Ramës.

Por ne ia dolëm.

Me sakrifica, me përpjekje dhe ne jemi shqiptarë, ua them unë këtu një gjë ju, kur Sekretari i Shtetit më shpalli non-grata tetë vite pasi isha larguar nga çdo funksion, por vetëm mbroja interesin kombëtar të Kosovës, mbroja interesin publik në Shqipëri si detyrim madhor që ndjeja, unë pothuajse isha në prag të largimit tim nga politika.

Por vendimi i lobuar nga Xhorxh Soros dhe Edi Rama, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, kishte vetëm një synim, asgjësimin e opozitarizmit të vërtetë në Shqipëri.

Natyrisht ishte vendim i gabuar.

I gabuar sepse ne jemi shqiptarë, ne kemi një shprehje: Zoti më ruajtë nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë.

U detyruam të gjithë si demokratë të bëjmë përpjekje të mëdha për të pasur opozitë Shqipëria.

Dhe sot Shqipëria ka opozitë, në kushtet më të vështira.

Pasi u gjetëm para të papriturës, menduan se e arkivuan Sali Berishën dhe e damkosën me turp, ai u rikthye falë mbështetjes së shqiptarëve.

Dhe ky ishte një dështim i madh në atë përpjekje që u bë.

Pas kësaj, hapën dosje dhe kujtuan se do blinin heshtjen time, po heshtja ime nuk mund të blihet.

Siç e dini, katër vite hetimi, në fund përfunduan tek pagesat që vajza ime ka bërë për mua, pagesa familjare apo bamirësitë e tyre ndaj fëmijëve autikë.

U ndala në këtë histori për të treguar se si u ndihmua instalimi i mobokracisë në Shqipëri.

Mirëpo, në çdo rrethanë, njeriu kurrë në qoftë se beson një kauzë të drejtë, nuk duhet ët dorëzohet.

Dhe ne u garantoj ju, nuk dorëzohemi, por ne do bëjmë një betejë me të gjithë forcën tonë që Shqipërinë ta kthejmë përsëri në rrugën e Zotit, në rrugën e shpresës, në rrugën e zhvillimit.

Në këtë kontekst, sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj, për ndihmën tuaj, për angazhimin tuaj.

Kjo është diktaturë jo e lehtë. Unë u dhashë vetëm një shembull, por mund t’u jap shumë të tjera.

Dhe unë kam besim të plotë se kjo ndihmë, kjo mbështetje nuk do mungojë.

Jemi përpjekur për vite që diaspora të votojë. Kjo është e drejtë kushtetuese e juaja.

Mohimi i votës suaj ishte reminishencë e politikës hoxhiste ndaj diasporës dhe emigracionit.

Më në fund u arrit dhe këtë e konsideruam një zhvillim shumë të madh dhe kërkoj ndjesë para jush se u arrit me vonesë.

Por, kjo arritje, të dashur miq, është një potencial shumë i madh i juaji për të kontribuar në shpëtimin e vendit nga kjo diktaturë me votën tuaj.

Ndaj dhe ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme.

Si një votë për shpëtimin e Shqipërisë, e cila në fakt po rrokulliset, po zbrazet si asnjëherë tjetër në historinë e saj.

Por meqë jam këtu tek roli juaj, mundësia juaj është shumë e madhe përsëri.

Të rrisni ndjeshmërinë tek ligjvënësit tuaj, të cilët historikisht kanë mbështetur shqiptarët në rrugën e tyre të lirisë për situatën dramatike dhe për ndikimin armiqësor, antidemokratik, antishqiptar të superspekulantit të planetit, Xhorxh Soros.

Unë dua t’u informoj ju se të gjitha projektet nga viti 2013, përveç periudhës së presidentit Tramp, madje edhe gjatë asaj periudhe, më falni, të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës me Serbinë, janë projekte të firmosura nga Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Beograd.

Ndarja e Kosovës, Ballkani i Hapur, droga në Shqipëri, reforma në drejtësi.

Të dashur miq, ju duhet të dini sot se Xhorxh Sorosi në trurin e reformës në drejtësi vendosi Luan Omarin, në të vërtetë hartuesin e Kushtetutës më famëzezë të kohës, Kushtetutës që shpalli Shqipërinë shtet ateist në vitin 1974.

A mund ta imagjinoni ju këtë?

Cilat janë pasojat e reformës në drejtësi sot, e cila u realizua me angazhimin total të diplomatëve sorosianë në Tiranë?

Cilat janë pasojat? Ua them unë ju. Sot çdo shqiptar, për një proces civil, dhe janë të dhëna zyrtare këto, duhet të presë 14.6 vite për një vendim në gjykatë. Për një çështje penale duhet të presë 10 vite.

Pra, kombi juaj, shqiptarët janë të vetmit në botë sot që nuk kanë një proces të drejtë ligjor.

Falë kësaj reforme, për të cilën taksapaguesit amerikanë kanë shpenzuar dhjetëra milionë.

Aspekti i dytë i kësaj reforme është prokuroria politike që përdoret në mënyrë absolute identike njëlloj si në kohërat më të zeza të diktaturës.

Sot në Shqipëri, liderët e tre partive kryesore opozitare janë në ndjekje penale.

Dy ditë më parë, një bashkëmoshatar i Belind Këlliçit, deputet, u burgos.

Pse u burgos? Ervin Salianji u burgos vetëm se Fatmir Xhafaj dhe vëllazëria Xhafaj është një nga vëllazëritë më të fuqishme të drogës dhe krimit në Shqipëri. Një vëlla i Fatmir Xhafës, i quajtur Geron Xhafa, ishte dënuar në Itali me vite të tëra, por bridhte mirë e bukur dhe nga Vlora drejtonte trafikun ndërkombëtar.

Një gazetar guximtar konstatoi se ai transportonte tonelata drogë nga Vlora drejt Italisë, në mbrojtje të plotë të vëllait të vet, ministër i Brendshëm.

A mund të imagjinoni ju?

Ervin Salianji publikoi regjistrimin. Trafikanti u transferua në Itali, në burg, i vëllai dhe dorëheqjen, por para se të jepte dorëheqjen, me dëshmitar të rremë të vërtetuar në mënyrë absolute, thanë se zëri nuk ishte i vëllait të ministrit dhe trafikanti e paditi deputetin tonë dhe pas 6 vitesh, Edi Rama me urdhër e nis 2 ditë më parë në burg, njeriun që i bëri shërbimin më të madh shqiptarëve, duke denoncuar një nga vëllazëritë më të fuqishme të drogës.

Ua dhashë këtë shembull se shembull të pafund mund të ju jap, për të kuptuar se sa jetik është roli i secilit prej jush dhe mbarë diasporës në përpjekjen e shqiptarëve kundër kësa diktature, në vendin ku ju jeni.

Të dashur miq!

Unë u zgjata, pak më shumë në këtë ekspoze dhe ju them se, situata është e vështirë, por u them gjithashtu se ne absolutisht ne nuk dorëzohemi por do të bëjmë gjithçka për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje.

Me këtë rast u ftoj dhe njëherë, një mobilizim maksimal për të votuar në vitin 2025 për
Shqipërinë, por para se të votojmë për Shqipërinë dhe Partinë Demokratike, ftoj ju, ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë të votojnë për Nik Gjonajn, kryetarin e ardhshëm të Oakland Countri.

Si një përfaqësues dinjitoz që bën krenar çdo shqiptar.

Miqtë e mi, ne jemi parti simotër e Partisë Republikane. Sigurisht unë nuk ndërhy në zgjedhjet presidenciale në SHBA, por çfarë është anëtar i PD-së, dhe mbështetës i saj, e ftoj që me votën e tij të mbështesë partinë simotër republikane dhe kandidatin e saj.

Shumë faleminderit për vëmendjen që më kushtuat!

The post Berisha takim virtual me shqiptarët në Miçigan: Diaspora rol thelbësor në zgjedhje appeared first on Euronews Albania.

Nuk ka fitues në derbin e Madridit, Barcelona mbetet në krye

By: fra nc
30 September 2024 at 14:41

Atletico barazon në fund të sfidës, Barcelona mbetet në krye. Një derbi asnjëherë nuk zhgënjen, sidomos ai i Madridit, i cili prodhoi spektakël në Wanda Metropolitano. Megjithatë, në përfundim, nuk pati fitues.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, me dy skuadra tejet të kujdesshme që studionin kundërshtarin. Në pjesën e dytë erdhën të dy golat: fillimisht ishte Militao që përfitoi nga një pakujdesi në mbrojtjen e Atletico. Kur u duk se 3 pikët ishin për Los Blancos, Correa, i cili hyri si zëvendësues, rezultoi një kartë e artë, duke shënuar golin e barazimit në minutën e 95, duke bërë që skuadrat të ndajnë pikët.

Reali ka 18 pikë dhe është i dyti në tabelë, ndërsa Atletiko e ndjek me 2 pikë më pak. Në krye qëndron Barcelona, e cila, edhe pse pësoi humbje në javën e 8-të të La Ligas, mbetet në vendin e parë me 3 pikë përpara rivalëve të përjetshëm, Real Madrid.

The post Nuk ka fitues në derbin e Madridit, Barcelona mbetet në krye appeared first on Euronews Albania.

Mbahet në Francë gjyqi ndaj Marine Le Pen, rrezikohet kariera e saj politike

By: fra nc
30 September 2024 at 13:55

Marine Le Pen, liderja e “Tubimit Kombëtar”, partisë së ekstremit të djathtë në Francë, po gjykohet në Paris për keqpërdorimin e fondeve të Parlamentit Evropian. Ajo dhe më shumë se 20 figura të tjera nga partia akuzohen për përdorimin e fondeve të BE për të paguar punonjës partiakë dhe jo për asistente që duhet të punonin për Parlamentin Evropian.

Nëse shpallet fajtore, Le Pen mund të dënohen me gjobë, burgim dhe një ndalim deri në 10 vjet nga postet publike, duke rrezikuar ambiciet e saj presidenciale.

Ajo mohon akuzat, duke thënë se nuk është e ndaluar që asistentët të mund të kontribuonin edhe në jetën e partisë.

Zëdhënësi i partisë, Laurent Jacobelli, theksoi se është legjitime që asistentët të marrin pjesë në jetën e partiake ndërkohë që shërbejnë si ndihmës parlamentarë.

Ata argumentojnë se financimi dhe praktikat e punës kanë ndjekur rregullat dhe nuk përbëjnë shpërdorim të fondeve.

Prokurorët po kërkojnë të rikuperojnë mbi 3 milionë euro të lidhura me këto pretendime për shpërdorim. Partia e Le Pen ka rikthyer tashmë 1 milion euro, por ka deklaruar se kjo nuk është një pranim faji.

Nëse shpallet fajtore, jo vetëm që karriera e saj politike do të rrezikohet, por gjithashtu mund të ndryshojë dinamikën brenda partisë dhe marrëdhëniet e saj me mbështetësit.

Nëse gjykata e dënon ajo do të humbasë mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e vitit 2027.

The post Mbahet në Francë gjyqi ndaj Marine Le Pen, rrezikohet kariera e saj politike appeared first on Euronews Albania.

Griezmann “var këpucët në gozhdë”, tërhiqet nga kombëtarja

By: fra nc
30 September 2024 at 13:33

Antoine Griezmann është tërhequr nga kombëtarja franceze, me të cilën ka fituar Kupën e Botës. 33-vjeçari numëron 137 paraqitje me “Trikolorët”, ku ka shënuar 44 gola.

Ai bëri publik vendimin përmes një njoftimi në rrjetet sociale. “Me zemrën plot kujtime, kam vendosur të mbyll këtë etapë të jetës sime. Faleminderit për këtë aventurë magjike me ‘Trikolorët’ dhe shihemi së shpejti,” shkroi 33-vjeçari në postimin e tij. Kështu përfundon rrugëtimi i një futbollisti që u kthye në një nga lojtarët kyç të kombëtares franceze, me të cilën fitoi Kupën e Botës në 2018 dhe u shpall nënkampion në edicionin pasardhës.

Antoine Griezmann iu bashkua kombëtares franceze në vitin 2014 dhe numëron 137 paraqitje, ku ka shënuar 44 herë, përfshirë edhe një gol kundër kombëtares shqiptare. Ai ka fituar gjithashtu Ligën e Kombeve 2020-2021 me Francën. Federata Franceze e Futbollit e falënderoi atë për kontributin e tij 10-vjeçar përmes një postimi në Facebook.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Griezmann “var këpucët në gozhdë”, tërhiqet nga kombëtarja appeared first on Euronews Albania.

Zgjedhja e Drejtorit të ri të Policisë, cilët janë 4 emrat në tryezën e Ramës

By: fra nc
30 September 2024 at 13:18

Euronews Albania ka siguruar listën me 4 emrat që i janë dorëzuar kryeministrit Edi Rama për postin e ri të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Në listën përfundimtare, të cilën ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i ka dorëzuar kryeministrit, renditen emrat më të kuotuar nga konkursi.

Gazetarja e Euronews Albania, Sara Demushi, zbuloi se 4 kandidatët, nga të cilët kryeministri pritet të zgjedhë kryepolicin e ri, janë: Ilir Proda, Skënder Hitaj, Neritan Nallbati dhe Altin Mena.

“Emrat i kanë shkuar kryeministrit. Burime konfidenciale bëjnë me dije se bëhet fjalë për 4 kandidatë që kanë marrë pikëzimin më të lartë. Emrat që i janë paraqitur kryeministrit janë Ilir Proda, Skënder Hitaj, Neritan Nallbati dhe Altin Mena,” tha gazetarja Sara Demushi.

Ky proces vjen si rezultat i dorëheqjes së ish-drejtorit Muhamet Rrumbullaku dhe rregullave të reja që kërkojnë një konkurs për përzgjedhjen e kryepolicit të ri.

Kush janë 4 kandidatët:

  1. Skënder Hitaj, aktualisht Drejtor i Policisë së Durrësit.
  2. Ilir Proda, Drejtor i Policisë së Elbasanit.
  3. Altin Mena, Zëvendësdrejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë.
  4. Neritan Nallbati, mban detyrën e Drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që nga 1 gushti 2022.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Zgjedhja e Drejtorit të ri të Policisë, cilët janë 4 emrat në tryezën e Ramës appeared first on Euronews Albania.

Trump sulmon ashpër Kamala Harrisin: Është e “sëmurë mendore”

By: fra nc
30 September 2024 at 10:20

Kandidati republikan për president, Donald Trump, intensifikoi sulmet personale ndaj rivales së tij demokrate, Kamala Harris, duke e quajtur atë “të sëmurë mendore” dhe duke kërkuar ndjekjen e saj penale.

Gjatë një tubimi, Trump deklaroi se Harris ishte përgjegjëse për krizën në kufirin SHBA-Meksikë dhe duhet të mbahet përgjegjëse ligjërisht për veprimet e saj. “Joe Biden u bë i paaftë mendërisht, por Kamala lindi ashtu. E trishtueshme. Ajo gënjen dhe, sinqerisht, mendoj se ka lindur kështu. Diçka nuk shkon me Kamala. Nuk e di çfarë është, por diçka mungon, dhe të gjithë e dinë këtë,” tha Trump.

Me më pak se një muaj deri në zgjedhje, Trump ka shtuar përdorimin e sulmeve personale dhe retorikës ofenduese, edhe pse disa republikanë sugjerojnë se do të ishte më e dobishme të fokusohej tek çështjet kryesore në vend të sulmeve.

Kamala Harris nuk ka reaguar drejtpërdrejt ndaj deklaratave të fundit të Trump, por në një deklaratë të mëparshme, ajo i ka quajtur ato “një shfaqje të vjetër” për të cilën amerikanët janë lodhur së dëgjuari.

The post Trump sulmon ashpër Kamala Harrisin: Është e “sëmurë mendore” appeared first on Euronews Albania.

Raketat S-400! Rusia përplaset ashpër me Turqinë: Nuk mund t’i rishisni

By: fra nc
30 September 2024 at 10:13

Moska ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve të fundit që sugjerojnë se Turqia mund të bashkohet me programin F-35 duke çmontuar sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, të furnizuara nga Rusia.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sqaroi se Turqia është ligjërisht e detyruar të mos rishesë këto sisteme në vende të tjera për shkak të një certifikate të përdoruesit përfundimtar, që është pjesë e kontratës së furnizimit të armëve.

“Kontratat e armëve përfshijnë një klauzolë të certifikatës së përdoruesit përfundimtar,” tha Lavrov.

“Çdo veprim tjetër me produktet e furnizuara, ku vendi marrës është përcaktuar si përdorues fundor, kërkon pëlqimin e vendit shitës,” shtoi ministri rus.

Ditët e fundit, mediat kanë raportuar për diskutimet midis Turqisë dhe SHBA-së në lidhje me sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400. Sipas gazetës greke Kathimerini, Shtetet e Bashkuara propozuan këtë verë një plan të detajuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së vazhdueshme që ka lindur nga blerja e sistemeve S-400 nga Turqia.

Burimet ekskluzive të Kathimerini tregojnë se një propozim është në tryezë, i cili do t’i lejonte Turqisë të mbajë raketat brenda kufijve të saj, ndërsa do të transferonte kontrollin efektiv të tyre në SHBA. Ndërkohë, burime të tjera perëndimore sugjerojnë se Turqia është inkurajuar të dërgojë sistemet S-400 në Ukrainë, ku S-300 ruse janë tashmë në përdorim të gjerë.

The post Raketat S-400! Rusia përplaset ashpër me Turqinë: Nuk mund t’i rishisni appeared first on Euronews Albania.

Këmbimi valutor: Euro prek “fundin”, me sa shiten e blihen paundi dhe dollari

By: fra nc
30 September 2024 at 09:52

Monedha europiane euro vijon të humbasë terren në raport me lekun. Ajo blihet këtë të hënë, 30 shtator, me 98.5 lekë dhe shitet me 99.1 lekë.

Dollari amerikan ka pësuar një rënie të lehtë, ku në tregun valutor blihet me 88.1 lekë dhe shitet me 89.1 lekë.

Paundi britanik qëndron në të njëjtatnivele, ku blihet me 117.7 lekë dhe shitet me 119 lekë.

Ndërkaq, franga zvicerane blihet me 104.4 lekë dhe shitet me 105.5 lekë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Këmbimi valutor: Euro prek “fundin”, me sa shiten e blihen paundi dhe dollari appeared first on Euronews Albania.

Before yesterdayMain stream

“Frikë” në Iran, Khamenei zhvendoset në vend të sigurt

By: fra nc
28 September 2024 at 14:02

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është zhvendosur në një vend të sigurt brenda Iranit, nën masa të larta sigurie, thanë të shtunën dy zyrtarë rajonalë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Burimet, të cilat u njoftuan nga Teherani, thanë se Irani është në kontakt të vazhdueshëm me grupin militant të Libanit, Hezbollah, dhe me grupet e tjera përfaqësuese në rajon, për të vendosur për hapat e radhës, pasi Izraeli njoftoi se e ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një sulm ajror në Bejrut të premten.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha në një komunikatë në X se Nasrallahu, Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, dhe një numër komandantësh të tjerë janë vrarë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e postuan një mesazh në X, ku thanë se “Hassan Nasrallahu nuk do të jetë më në gjendje ta terrorizojë botën”.

Zyrtarët e Hezbollahut nuk e kanë konfirmuar vdekjen e Nasrallahut. Por, një burim i afërt me Hezbollahun tha më të shtunën se e kanë humbur kontaktin me Nasrallahun nga e premtja.

“Kontakti me Sayyed Hassan Nasrallah ka humbur që nga mbrëmja e së premtes”, tha një burim anonim për AFP, pa konfirmuar nëse Nasrallah ishte vrarë.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Izraeli i vazhdoi sulmet ajrore kundër Hezbollahut edhe të shtunën, teksa grupi militant shkrepi dhjetëra raketa drejt Izraelit.

Të premten, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në Kombet e Bashkuara se sulmet kundër Hezbollahut nuk do të ndalen.

Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse republika islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë Izraelin.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Frikë” në Iran, Khamenei zhvendoset në vend të sigurt appeared first on Euronews Albania.

E rëndë në Kosovë, vajza e mitur përdhunohet nga dy persona

By: fra nc
28 September 2024 at 13:21

Një vajzë e mitur, dyshohet se është përdhunuar nga dy persona në Kosovë. Sipas informacioneve parparake, bëhet me dije se edhe njëri nga personat e përfshirë në abuzim është i mitur.

Rasti është raportuar në polici më 26 shtator në qytetin e Suharekës. Sipas Policisë, viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor.

Policia ka mundur të arrestojë njërin nga personat e përfshirë në ngjarje, ndërkohë që ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij.

LEXONI GJITHASHTU:

The post E rëndë në Kosovë, vajza e mitur përdhunohet nga dy persona appeared first on Euronews Albania.

Sulmi masiv i Izraelit në Bejrut, reagon lideri suprem i Iranit Ayatollah Khamenei

By: fra nc
28 September 2024 at 13:11

Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei ka reaguar në lidhje me bombardimet masive të Izraelit në jugin e Libanit, përfshirë Beirutin.

Lideri iranian deklaroi se Libani do ta bëjë Izraelin të “pendohet për veprimet e tij”.

“Fati i këtij rajoni do të përcaktohet nga forcat e rezistencës, me Hezbollahun në ballë”, tha Khamenei.

“Forcat e rezistencës” të cilës i referohet Khamenei, duket se janë referencë për Boshtin e Rezistencës, koalicionin e grupeve të armatosura të lidhura me Iranin, përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe Houthitë e Jemenit.

“Banda terroriste që sundon regjimin sionist nuk mësoi nga lufta e tyre kriminale njëvjeçare në Gaza dhe nuk arriti të kuptonte se vrasja masive e grave, fëmijëve dhe civilëve nuk mund të ndikojë në ndërtimin e fortë të organizatës së rezistencës dhe ta shkatërrojë atë” ka shtuar Khamenei.

“Tani ata po provojnë të njëjtën politikë marrëzie në Liban.”

Ai shtoi se Izraeli është “shumë i vogël” për t’i shkaktuar dëme të konsiderueshme Hezbollahut, pavarësisht se Izraeli pretendonte se kishte vrarë liderin e grupit, Hassan Nasrallah.

“Të gjitha forcat e rezistencës të rajonit janë me Hezbollahun dhe e mbështesin atë”.

Kujtojmë se ushtria izraelite njoftoi mëngjesin e kësaj të shtune se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u vra gjatë sulmeve ajrore në Beirut.

“Hassan Nasrallah nuk do e shqetësojë më botën”, shkroi ushtria izraelite në platformën X.

Vdekja e Nasrallah nuk është konfirmuar ende nga grupi militant i Hezbollah.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Sulmi masiv i Izraelit në Bejrut, reagon lideri suprem i Iranit Ayatollah Khamenei appeared first on Euronews Albania.

❌
❌