Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 October 2024Main stream

Presidenti Zelensky do t’u prezantojë aleatëve “planin e fitores”

5 October 2024 at 14:06

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të prezantojë “planin e fitores” të Kievit, gjatë takimit të radhës me aleatët perëndimorë, që do të mbahet në Gjermani.

“Ne do të prezantojmë planin e fitores, hapa të qartë dhe specifikë për përfundimin e drejtë të luftës”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale më 5 tetor, duke iu referuar pushtimit të Ukrainës që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

Takimi i 25-të i mbi 50 aleatëve dhe partnerëve, që njihet si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, do të mbahet në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermani më 12 tetor.

Duke iu referuar strategjisë si “paqe përmes forcës”, Zelensky tha se “plani i fitores parasheh forcimin e nevojshëm të Ukrainës”.

Presidenti ukrainas tha se Kievi veçse ka nisur diskutimet me Shtetet e Bashkuara, mbështetësin kryesor të Ukrainës gjatë luftës, dhe shtoi se “ne do të përfshijmë të gjithë partnerët”.

Zelensky nisi të përmendte “planin për paqe” të Ukrainës në gusht dhe më pas njoftoi se ai ishte pothuajse gati dhe përmbante “katër pika kyçe dhe një që duhet të zbatohet pas luftës”.

Gjatë vizitës në Uashington muajin e kaluar, ai ia prezantoi planin presidentit amerikan, Joe Biden, si dhe dy kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit: nënpresidentes demokrate, Kamala Harris, dhe ish-presidentit republikan, Donald Trump.

Iu gjet kokainë gjatë kontrollit nga policia, procedohet penalisht 40-vjeçari në Elbasan

5 October 2024 at 13:08

Një 40-vjeçar banues në Elbasan është proceduar penalisht, pasi gjatë kontrollit fizik nga policia i është gjetur kokainë.

Lënda narkotike kokainë është sekuestruar nga autoritetet.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin 40 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë”

/abcnews.al/

Fier/ Konsumoi fotoksinë, ndërron jetë në spital 51-vjeçari

5 October 2024 at 13:06

Një 51-vjeçar ditën e djeshme është paraqitur në spitalin rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore. Fatkeqësisht 51-vjeçari raportohet se ka ndërruar jetë, pasi dyshohet se ka konsumuar lëndë helmuese fotoksinë.

“-Ditën e djeshme, rreth orës 17:00, në spitalin rajonal të Fierit, është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi 51 vjeç, i cili dyshohet se ka konsumuar lëndë helmuese fotoksinë e për pasojë ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

/abcnews.al/

Vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit nga përmbytjet në Bosnje dhe Hercegovinë

5 October 2024 at 12:49

Në Bosnjë e Hercegovinë ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kërkimet për persona të zhdukur, pas vërshimeve vdekjeprurëse.

Për shkak të shirave dhe rrëshqitjes së dheut të enjten dhe të premten në Bosnje e Hercegovinë kanë vdekur të paktën 16 persona dhe janë lënduar shumë të tjerë.

Qeveria e Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK) tha më 5 tetor se 13 trupa të pajetë janë gjetur në territorin e këtij kantoni dhe jo 16, siç ishte thënë një ditë më parë. Autoritetet shpjeguan se tri viktima ishin numëruar dy herë. Dymbëdhjetë nga viktimat në këtë qark ishin nga Donja Jabllanica dhe një nga Konjiqi.

Në Jabllanicë konsiderohen të zhdukur gjashtë persona dhe katër të tjerë në Konjiq. Autoritetet në Jabllanicë kanë raportuar për dëme të mëdha materiale, teksa makina të ndërtimit më 5 tetor po punojnë për të larguar gurët dhe rrënojat.

Si pasojë e fatkeqësisë natyre, disa fshatra vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të dëmeve në infrastrukturën rrugore.

Po ashtu, për shkak të vërshimeve mbajtja e zgjedhjet lokale në Jabllanicë, Konjiq, Kishelak dhe Kreshevo është shtyrë.

Kështu vendosi më 5 tetor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje e Hercegovinës. Në Fojnica, mbajtja e zgjedhjeve është shtyrë në tri qendra votimi. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna do të merret pasi të plotësohen kushtet për mbajtjen e tyre, thanë autoritetet. Zgjedhjet lokale në Bosnje janë caktuar për të dielën, më 6 tetor.

Përveç në Bosnje, edhe në shtetet e tjera të rajonit ditëve të fundit ka pasur vërshime, përfshirë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kroaci.

Korçë/ Zjarrvënësi i gruas mbetet në burg, zbardhet dëshmia në gjykatë: Jam penduar, s’më lejonte të takoja fëmijët

5 October 2024 at 11:49

Gjykata e Korçës ka lënë në burg 45-vjeçarin Bledar Trëndafili, i cili dogji me benzinë ish-bashkëshorten.

Gjatë seancës 45-vjeçari ka deklaruar se është penduar dhe se nuk të bënte atë veprim. Sipas tij ish-bashkëshortja nuk e ka lejuar të takonte fëmijët.

“Nuk doja ta bëja por arrita e bëra. Jam penduar. Nuk më lejonte të takoja fëmijët, më tradhtonte dhe prandaj arrita deri atje”, ka thënë ai.

Ndërkohë gjatë seancës është parë në gjendje të rënduar psikologjike dhe duke qarë para togave të zeza.

Kujtojmë se Bledar Trëndafili u arrestua pas një muaji kërkime intensive nga policia. Autori i dyshuar u kap në qytetin e Korçës. Ngjarja ndodhi pasditen e datës 31 gusht, në lagjen 2 të qytetit, ku 45-vjeçari i hodhi benzinë ish-bashkëshortes dhe i vuri flakën.

/abcnews.al/

Korçë/ Dogji ish-bashkëshorten me benzinë, gjykata lë në burg 45-vjeçarin

5 October 2024 at 11:40

Gjykata e Korçës la në burg 45 vjeçarin Bledar Trëndafili i cili një muaj më parë dogji me benzinë ish bashkëshorten e tij Melisa Trëndafili.

Trëndafili u njoh sot me masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar në mungesë nga gjykata e Korçës pas ngjarjes së rëndë.

Prokuroria kërkoi që 45-vjeçari deri në përfundim të hetimeve të lihet në burg, kërkesë që u pranua nga gjykata.

Kujtojmë se Bledar Trëndafili u arrestua më 3 tetor 2024, pas një muaji kërkime intensive nga policia. Autori i dyshuar u kap në qytetin e Korçës, ndërsa prej 1 muaji iu fsheh policisë pas kryerjes së aktit të rëndë. Ngjarja ndodhi pasditen e datës 31 gusht, në lagjen 2 të qytetit, ku 45-vjeçari i hodhi benzinë ish-bashkëshortes dhe i vuri flakën.

/abcnews.al/

PE synon që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë më pranë BE-së

5 October 2024 at 11:30

Parlamenti Evropian është duke vazhduar procedurat e themelimit të komisioneve, delegacioneve dhe strukturave tjera që janë të domosdoshme për punën e tij.

Mandati i ri i PE-së nisi në verë, pas zgjedhjeve të fundit evropiane që u mbajtën në qershor. Në kuadër të procesit të konstituimit janë krijuar tashmë edhe delegacionet parlamentare për raporte me vendet jashtë BE-së, me të cilat ekziston një kornizë për bashkëpunim.

Gjatë muajit shtator ka përfunduar procesi i themelimit të delegacioneve përkatëse për raportet me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.Von der Leyen takon liderët e Ballkanit Perëndimor, thotë se ai e ka vendin në BE

Këto delegacione do të jenë përgjegjëse edhe për bashkëpunimin me vendet e këtij rajoni – Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën – në kuadër të strukturave të përbashkëta që parashihen me Marrëveshjet e Stabilizim Asocimit (MSA).

MSA parasheh edhe dimensionin parlamentar të bashkëpunimit, andaj themelohen edhe delegacionet e përbashkëta.

Ato përbëhen nga delegacioni i PE-së për raportet me vendin përkatës në njërën anë dhe deputetët nga parlamenti kombëtar i atij vendi në anën tjetër.

Roli i këtyre delegacioneve është që të diskutohet përmbushja e obligimeve nga MSA-ja nga të dyja anët, si dhe avancimi i vendit drejt integrimit në BE.

Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë mbështetës i fuqishëm i avancimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Këtë e ka shprehur edhe në deklaratat e përbashkëta të delegacioneve ndërparlamentare, por edhe në raportet dhe rezolutat e miratuara nga vetë ai.

Ndonëse ka pasur disa ndryshime në përbërjen e Parlamentit Evropian në këtë mandat, pasi është rritur numri i deputetëve nga partitë e ekstremit të djathtë, shumica e deputetëve të tashëm janë të bindur se nuk do të ketë zvogëlim të mbështetjes për procesin e zgjerimit e as për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ka pasur një interesim mjaft të madh të deputetëve për t’u bërë anëtarë të këtyre delegacioneve, sikur edhe për postet udhëheqëse në to.

Java e fundit e muajit shtator dhe fillimi i muajit tetor u shënuan me një varg takimesh dhe mbledhjesh për t’i zgjedhur kryesuesit e këtyre delegacioneve. Shef i delegacionit të Parlamentit Evropian për raportet me Kosovën, e po ashtu edhe i delegacionit të përbashkët parlamentar të stabilizim-asociimit, do të jetë deputeti nga Kroacia, Davor Ivo Stier.

Stier ka qenë edhe ministër i Jashtëm i Kroacisë, ndërsa më herët edhe deputet i Parlamentit Evropian. Me dosjen e Kosovës ai është marrë edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka qenë shef i Grupit të Partive Popullore Evropiane.

Në mbledhjen konstituive të delegacionit për Kosovën dhe për Bosnje e Hercegovinën, Davor Ivo Stier ka thënë se i gëzohet bashkëpunimit me partnerët nga Kuvendi i Kosovës në avancimin e këtij vendi në procesin e integrimeve evropiane.

“Në Kosovë, Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit ka mbajtur takime të rregullta që nga viti 2016 kur është themeluar. Kemi parë një progres inkurajues në reformat demokratike, zhvillimin ekonomik dhe përpjekjet për ta luftuar korrupsionin. Megjithatë, mbetet një punë e rëndësishme për t’u bërë, sidomos në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që është kyç për stabilitetin afatgjatë të rajonit”, ka thënë ai.

Për secilin vend të rajonit ekziston një delegacion i posaçëm, ndërsa ai për Kosovën është edhe delegacion për raportet me Bosnje e Hercegovinën. Deputeti Marco Tarquinio, social-demokrat nga Italia, do të jetë shef i delegacionit për Shqipërinë dhe i delegacionit të përbashkët të MSA-së me Shqipërinë. Shef i delegacionit për Serbinë do të jetë deputeti konservator nga radhët e Partisë Popullore Evropiane nga Qiproja, Loucas Fourlas.

Thomas Waitz, deputet i Të Gjelbërve nga Austria, është zgjedhur kryesues i delegacionit për raportet me Malin e Zi. Për Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, do të jetë deputeti i Partisë Popullore Evropiane nga Kroacia, Karslo Resler. Të zgjedhurit në postet e kryesuesve të delegacioneve kanë paralajmëruar se shumë shpejt do t’i nisin kontaktet me kolegët e tyre nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe me parlamentet nacionale të këtyre vendeve, në mënyrë që të punojnë së bashku në agjendën e reformave.

Deputetët e Parlamentit Evropian presin nga kolegët e tyre në rajon që të jenë maksimalisht të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre, sepse dimensioni parlamentar është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përmbushjen e kushteve për progres në procesin e integrimeve evropiane. Kjo, për faktin se në këtë proces nevojiten shumë reforma ligjore dhe të gjitha ato duhet të kalojnë edhe përmes parlamenteve nacionale.

Tani pritet që në Komisionin e Politikës së Jashtme të ndahen edhe rolet e raportuesve për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ata kanë përgjegjësi edhe më të mëdha, sepse i hartojnë dhe negociojnë raportet vjetore për vendet e rajonit, të cilat në fund votohen edhe si rezoluta të Parlamentit Evropian. Së pari, pritet që grupet kryesore politike të ndajnë mes vete se cilit grup do t’i takojë roli i raportuesit për cilin shtet. Pastaj, grupet do t’i nominojnë kandidatët e tyre.

Në 15 vjetët e fundit, raportuesi për Kosovën ka qenë nga radhët e Të Gjelbërve. Raportuesja e fundit ishte deputetja gjermane, Viola von Cramon – Taubadel. Të Gjelbërit, sipas burimeve nga Parlamenti Evropian, do të preferonin ta kenë përsëri raportuesin për Kosovën, por meqë ky grupim politik ka shënuar rënie të numrit të përgjithshëm të deputetëve, nuk është ende e sigurt nëse partitë tjera do të pajtohen për një gjë të tillë. Zgjedhja e raportuesit për Kosovën dhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor pritet të përfundojë para fundit të muajit tetor./REL

Përmbytjet në Vlorë/ Kreu i bashkisë: Evakuuam 55 banorë, po monitorojmë situatën për të llogaritur dëmet e shkaktuara

5 October 2024 at 10:33

Vlora është një nga vendet që u godit nga moti i keq, duke shkaktuar përmbytje dhe problematika në qytet.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha për “ABC News” se gjatë inspektimit në terren ka konfirmuar që situata mbetet problematike në disa zona.

“Jemi në terren. Ka zona ku mund të ketë ankesa nga qytetarë, por reagimi ka qenë maksimal. Është edhe numri i mjeteve që na kufizon të reagojmë në moment në çdo segment, po e kemi marrë me prioritet, aty ku prezenca e ujit është më e madhe, aty ku ka akses më të madh të qarkullimit të mjeteve duhet të reagojmë më shpejt”, u shpreh ai.

Gjithashtu ai ka theksuar se është duke u monitoruar situata për të llogaritur dhe dëmet e shkaktuara. Më tej nënvizoi se reagimi ka qenë maksimal nga të gjitha strukturat për t’i ardhur në ndihmë banorëve.

“55 persona janë evakuuar dhe po shikohet mundësia menjëherë pas normalizimin e situatës për mbështetje financiare për familjet e dëmtuar me bashkëpunim me shtabin e emergjencave”, u shpreh Dredha.

Me dhjetëra biznese dhe familje uji ka hyrë duke krijuar dëme si ne orendi familjare tek shtëpitë ndërsa në biznese dëmet kanë qenë edhe më të mëdha deri në 100 mijë euro dëme.

Kujtojmë se 33 familje dhe 55 presona janë evakuuar mbrëmjen e djeshme për ti strehuar nga konviktet e shkollës Industriale.

Ndërkohë që në ndihmë të bashkisë së Vlorës kanë mbërritur dhe Forcat e Armatosura. Nga reshjet e shumta ka pasur dhe rrëshqitje dherash në bay pasin e Kaninës.

/abcnews.al/

Përmbytjet në Vlorë, Ministria e Mbrojtjes: Nën ujë banesa, biznese, Kisha Ortodokse e xhamia. Në terren 24 efektivë të FA

5 October 2024 at 10:21

Vlora ka pësuar dëme si pasojë e motit të keq, duke shkaktuar përmbytje në disa zona.

Ministria e Mbrojtjes njofton se strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme me qëllim për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë.

“Si pasojë e punës së bërë gjatë gjithë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata është përmirësuar. Aktualisht, puna e të gjitha strukturave: Bashkisë së Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë, OSHEE, Prefekturës, është përqendruar në 4 kryqëzime ende të bllokuara në qytetin e Vlorës, i cili u prek më shumë nga situata e keqe e motit në 24 orët e fundit.

Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse. Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.

Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit. Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku kabinat elektrike kanë prani uji.

Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gatishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC.

/abcnews.al/

Djegia e azilit në Tiranë, disa të moshuar të lënduar transportohen në spital

5 October 2024 at 09:35

Një azil në Tiranë është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Ali Visha” në kryeqytet .

Si pasojë e zjarrit kanë mbetur të lënduar disa të moshuar. Të lënduarit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një batanije elektrike e përdorur nga të moshuarit.

/abcnews.al/

“Lonely Planet”: Vizitoni Shqipërinë dhe përjetoni një copëz të parajsës

5 October 2024 at 09:23

Ju mund të jeni duke planifikuar pushimet verore të vitit të ardhshëm. Ndoshta po mendoni për vende si Greqia, Italia dhe Kroacia – por do të preferonit më pak turma vizitorësh dhe çmime më të përballueshme. Ne ju rekomandojmë të vizitoni fqinjët e tyre të bukur, Shqipërinë dhe Malin e Zi, sipas një artikulli të botuar në “Lonely Planet”.

Këto dy vende ballkanike – ku vijat bregdetare të Adriatikut takohen me qytete të vogla të gjalla dhe malet e thyer takohen me detin – sjellin shijen e tyre në një arratisje evropiane.

Ndërsa rajonet e njohura turistike si Riviera Shqiptare dhe Gjiri i Kotorrit tërheqin një numër të madh turistësh, ka ende shumë qoshe të fshehura ku do të gjeni lehtësisht hapësirë ​​për të marrë frymë.

Pyetja e vetme është, cilin destinacion të zgjidhni?

Dy nga ekspertët tanë të udhëtimeve mund t’ju tundojnë duke ju bindur që t’i vizitoni të dyja vendet ballkanike.

Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë një pjesë të konsiderueshme të liqenit të Shkodrës. Me një sipërfaqe deri në 530 kilometra katrorë, liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Ballkan – i rrethuar nga shtretër kallamishte të gjera dhe male të gjelbra dhe nje sipërfaqe të mbushur me zambakë uji.

Ky është vendi i përsosur për kajak dhe një nga zonat më të mahnitshme të vëzhgimit të shpendëve në Evropën Juglindore, një vend ku mund të shihni pelikanët dalmat, çafkat si dhe një numër të madh kormoranësh.

Shqipëria ka histori, bukuri natyrore dhe jetë të gjallë të natës në qytet

Shqipëria është një nga ato vende të rralla ku mund t’i përjetosh të gjitha: plazhe të bukura, male të thyer që të lënë pa frymë, qytete të vogla që të kthejnë pas në kohë, kuzhinë të shijshme mesdhetare dhe një kulturë të ngrohtë dhe mikpritëse.

E dalë nga dekada pas Perdes së Hekurt, Shqipëria ofron një përvojë të re autentike.

Është një vend pa turma vizitorësh – të cilët mund t’i hasni diku tjetër (megjithëse plazhet e Rivierës janë të populluara gjatë verës) dhe në përgjithësi është miqësor me portofolin krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Ndërsa Mali i Zi padyshim që mbetet një vend i bukur – Shqipëria është gati të konkurrojë. Maja e tij më e lartë, Mali i Korabit me lartësi 2764 metra – ngrihet mbi majën më të lartë të Malit të Zi, Bobotov Kuk (2523 metra).

Vija e saj bregdetare prej 476 kilometra nënkupton më shumë limane të fshehura dhe plazhe të egra për t’u zbuluar.

Gjithashtu, me gjashtë vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (krahasuar me katër të Malit të Zi), 11 parqe kombëtare (Mali i Zi ka vetëm pesë) – dhe një ndërthurje të vendeve historike që datojnë në shekuj, duke përfshirë rrënojat e qytetit antik Apollonia – e themeluar në shekullin VI p.e.s –  dhe qyteti i Beratit në majë të kodrës me shtëpitë e tij të stilit osman dhe kështjellën e shekullit XIII, Shqipëria ka histori dhe natyrë me bollëk.

Ju mund të vizitoni Rivierën mahnitëse të Shqipërisë – e cila ka një shtrirje gati dyfishin e gjatësisë së vijës bregdetare të Malit të Zi – që do të thotë se nuk ka mungesë të strehëzave buzë detit për të eksploruar – duke përfshirë plazhet më pak të njohura të rrethuara nga natyra e egër.

Shpesh, turistët mund ta gjejnë veten vetëm në një plazh të izoluar.

Ndryshe nga Mali i Zi, ku vija bregdetare kufizohet plotësisht nga Adriatiku, Shqipëria ka avantazhin unik pasi laget nga të dy detet, Adriatiku dhe Joni.

Valët e detit blu të Jonit që përplasen në plazhet me guralecë të bardhë e bëjnë Shqipërinë e Jugut të ndihet si një copëz parajse në një ditë të ngrohtë vere.

Po kërkoni një vend të veçantë? Vizitoni Gjirin e Dafinës, një nga plazhet më të bukura në Shqipëri, ku mund të zhyteni edhe në shpellën e Dafinës.

Fshatrat e bukur pranë bregdetit të Jonit si Himara dhe Dhërmiu – me shtëpitë e tyre të zbardhura dhe kishat me kube blu, ofrojnë një ritëm më të ngadaltë të jetës dhe një shije autentike të mikpritjes shqiptare.

Për adhuruesit e historisë, rrënojat e shekullit VII p.e.s të Butrintit, një vend i UNESCO-s, janë afër plazheve me rërë të bardhë të Ksamilit.

Nëse doni një vend më të gjallë, drejtohuni në Tiranë, padyshim një nga kryeqytetet më vital të Ballkanit.

Historinë e Shqipërisë do ta gjeni të shkruar në çdo cep, qoftë në xhamitë dhe kishat e zbukuruara apo në Piramidën ikonike të Tiranës.

E ndërtuar fillimisht si një muze kushtuar Enver Hoxhës (1944-1985), Piramida tani është shndërruar ne një qendër kulturore dhe platforma e saj e vëzhgimit ofron pamje panoramike të qytetit dhe maleve.

Horizonti i Tiranës po evoluon shpejt, me rrokaqiejt si skulptura moderne, duke përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm të ndërtesës së banimit “Hora Vertikale”, e përbërë nga 13 kube të grumbulluara dhe Kulla Bond e frymëzuar nga baleti me formën e saj të përkulur dhe kullat zig-zag.

Jeta e natës e qytetit kumbon nga emocioni – duke ofruar një ndërthurje baresh komode, klubesh të gjalla dhe ngjarje kulturore dhe festivale – një kontrast me ritmin më të qetë të Podgoricës së Malit të Zi.

Historia, arti dhe arkitektura janë të kombinuara në trashëgiminë e Shqipërisë prej 170,000 bunkerësh – të ndërtuar gjatë epokës komuniste në një përpjekje nga qeveria e atëhershme për të fortifikuar vendin.

Shumë prej tyre qëndrojnë të braktisur, por të tjerë kanë gjetur jetë të re si muze dhe hapësira arti.

Në Tiranë, Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 tregojnë historinë e së kaluarës komuniste të Shqipërisë dhe ofrojnë ekspozita mbi historinë dhe artin, duke u ndalur thellë në jetën dhe vuajtjet e popullit shqiptar gjatë asaj periudhe.

EMRI/ Në kërkim ndërkombëtar, kapet në Durrës 41-vjeçari, pritet ekstradimi në Itali

5 October 2024 at 09:15

41-vjeçari Ermal Luku është arrestuar në Durrës, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë “Tornado”.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, në vijim të operacionit antidrogë, të koduar “Tornado” mbi vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë,  Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 18”, kapi në Durrës  dhe vuri në pranga shtetasin 41 vjeç, banues në Manzë, Durrës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjykata e Brescias /Itali me date 29.09.2024 ka lëshuar vendim “urdhër arresti ndërkombëtar” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.

/abcnews.al/

Bosnjë dhe Hercegovinë, të paktën 19 viktima nga moti i keq që goditi vendin

5 October 2024 at 08:51

Bosnja dhe Hercegovina një ditë më parë u përfshi në përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje të dherave si pasojë e motit të keq që goditi vendin.

Disa qytete dhe fshatra mbetën të bllokuara dhe shumë banesë ishin të zhytura nën ujë. Fatkeqësisht u raportua për 19 viktima.

Ekipet e shpëtimin po punojnë ende për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë mbetur të bllokuara, por edhe për të gjetur ata që rezultojnë të zhdukur.

/abcnews.al/

SHBA nuk do të ripërtërijë statusin ligjor për qindra mijëra emigrantë

5 October 2024 at 08:33

Administrata e Presidentit Biden nuk do të ripërtërijë një program të përkohshëm për mbërritjen në baza humanitare gjatë viteve të fundit të qindra mijëra emigrantë të sponsorizuar nga shtetasit amerikanë, njoftoi të premten Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Që nga tetori i vitit 2022, rreth 530,000 emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes rrugëve ajrore dhe kanë përfituar një qëndrim dyvjeçar në bazë të një programi që fillon të skadojë gjatë javëve të ardhme.

Por shumë nga këta emigrantë mund të përfitojnë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara në bazë të disa programeve të tjera.

Programi i përkohshëm i lejon emigrantët me sponsorë ekzistues amerikanë që të futen në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare ose nëse hyrja e tyre konsiderohet si përfitim i rëndësishëm publik. Programi parashikon vazhdimin e pranimit të aplikimeve nga individët që ndodhen jashtë Shteteve të Bashkuara.

Administrata e Presidentit Joe Biden e filloi programin në fjalë si një mënyrë për t’u siguruar emigrantëve rrugë ligjore për t’u futur në Shtetet e Bashkuara dhe ulur kalimet e paligjshme në kufirin me Meksikën.

Gjatë administratës së Presidentit Biden janë kapur një numër rekord emigrantësh duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin amerikan, por fluksi ka rënë gjatë muajve të fundit pasi zoti Biden vendosi kufizime të reja kufitare.

Emigracioni është një çështje e rëndësishme për amerikanët të cilët do të zgjedhin në votimet e 5 nëntorit mes Nënpresidentes demokrate Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, i cili e ka kritikuar programin në fjalë.

Vendimi për të mos e ripërtërirë programin e qëndrimit të përkohshëm për shtetasit e katër vendeve në fjalë bazohet tek përcaktimet e bëra nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare në fillim të nisjes së programit, tha përmes një deklarate zëdhënësja Naree Ketudat.

Emigrantët që nuk kanë leje për të qëndruar në SHBA “do të duhet të largohen nga Shtetet e Bashkuara përpara skadimit të lejes së përkohshme të qëndrimit ose do të përballen me procedurat e dëbimit”, tha zëdhënësja Ketudat.

Ndërkohë janë zgjatur programet e qëndrimit të përkohshëm për shtetasit ukrainas dhe afganë.

Shumica e emigrantëve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela kanë mënyra të tjera për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Shumë shtetas nga Kuba mund të përfitojnë në bazë të një ligji të vitit 1966 për kubanezët, që u jep të drejtën e qëndrimit të përhershëm dhe eventualisht marrjen e shtetësisë amerikane.

Një pjesë e mirë e emigrantëve nga Haiti dhe Venezuela, që gjenden në Shtetet e Bashkuara, mund të përfitojnë nga një program tjetër për qëndrim të përkohshëm dhe të drejtën për të punuar. Shtetasit e të katër vendeve gjithashtu mund të aplikojnë për azil./VOA/

VIDEO/ 33 familje në Vlorë u evakuuan, në disa lagje rrugët ende të përmbytura

5 October 2024 at 08:12

Pas situatës problematike të krijuar një ditë më parë për shkak të reshjeve të dendura, në disa rrugë në Vlorë ka ende prezencë të ujit.

Ndërkohë 33 familje janë evakuuar ditën e djeshme dhe janë vendosur në konviktin e “qytezës Studenti” dhe në atë të shkollës industriale “Pavarësia”.

Në disa lagje energjia elektrike është ndërprerë për të mos krijuar probleme pasi në disa kabina elektrike ke prezencë uji.

Përmbytjet gjithashtu kanë shkaktuar dëme në biznese të ndryshme.

/abcnews.al/

 

Parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës

5 October 2024 at 07:47

Sipas MeteoAlb gjatë pjesës së parë të ditës Shqipëria do të jetë nën mbizotërimin e vranësirave dhe shirave të cilat më të fokusuara do të jenë në zonat malore përgjatë kufirit Lindor.

Herë pas here priten edhe rrebeshe të izoluara në skajin Verior. Orët e pasdites; do të mbeten me vranësira dhe shira të dobët dhe lokalë ku më të dukshme do të jenë në zonat malore. Temperaturat e ajrit do të luhaten nga 9°C vlera më e ulët në Pukë deri në 26°C vlera më e lartë në rang vendi; e cila do të shënohet në qytetin e Kuçovës.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi Jugperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.

Europa

Zhvillimi i Ciklonit të Islandës do të diktojë kushtet atmosferike në një pjesë të madhe të kontinentit Europian, duke sjellë në Ishujt Britanikë; vranësira të dendura të cilat do të gjenerojnë reshje shiu. Reshjet herë pas here do të jenë edhe në formë rrebeshi. Po ashtu me vranësira dhe reshje shiu parashikohet të jetë gadishulli Apenin si edhe pjesërisht gadishulli i Ballkanit, ndërsa kushtet e qëndrueshme atmosferike do të mbizotërojnë përkatësisht në; gadishullin Skandinav; gadishullin Iberik si edhe në të gjithë Europën Qendrore.

Kosova

Edhe të shtunën Republika e Kosovës do të vijojë nën dominimin e motit të paqëndrueshëm ku vranësirat e dendura do të jenë dominante duke gjeneruar hera – herës; rrebeshe të izoluara shiu në të gjithë Kosovën. Parashikohet që të kushtet e paqëndrueshme atmosferike të vijojë në mbrëmje dhe gjatë natës, por reshjet do të jenë në sasi të pakët. Temperaturat e ajrit do të ulen në vlerat minimale, por rriten maksimalet duke luhatur vlerat ditore nga 6°C vlera minimale në qytetin e Podujevës deri në 20°C vlera maksimale në rang vendi.

Ndërkohë era do të paraqitet e lehtë deri mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi permanent jugperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Do të mbetet Republika e RMV përgjatë gjithë 24-orëshit; nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm ku vranësirat të dendura do të jenë dominante; herë pas here do të pësojnë zhvillim duke gjeneruar rrebeshe afat-shkurtra shiu në të gjithë RMV.

Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës; moti të përmirësohet gradualisht duke i larguar reshjet nga i gjithë territori i RMV. Temperaturat e ajrit do të ulen në vlerat minimale, por rriten maksimalet duke luhatur vlerat ditore nga 5°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 22°C vlera maksimale në rang vendi.

Ndërkohë era do të paraqitet e lehtë deri mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht jugperëndimor.

/abcnews.al/

VIDEO/ Kapen 4 ton kokainë në një anije mallrash pranë Ishujve Kanarie

5 October 2024 at 07:39

Katër ton kokainë u kapën në Ishujt Kanarie, të cilat ishin të vendosura në një anije mallrash. Gjatë kontrollit autoritetet spanjolle ndaluan dhjetë anëtarë të ekuipazhit, ndërsa shtatë prej tyre ishin me origjinë turke.
Anija, e cila mbante flamurin e Tanzanisë, u kap 300 kilometra nga Lanzarote, një nga ishujt Kanarie, arkipelag ndodhet në brigjet veriperëndimore të Afrikës – sipas një deklarate të dhënë nga autoritetet për mediat e huaja.

Anija kontrollua në kuadër të një operacioni të përbashkët nga autoritetet doganore franceze dhe spanjolle, të cilat mobilizuan dy mjete lundruese, dhe rezultoni me zbulimin e katër ton kokainë.

 

Intervenido en aguas al noreste de Lanzarote un carguero que transportaba 4.000 kilos de cocaína.

El Servicio de Vigilancia Aduanera de la Agencia Tributaria, en el marco de la operación ‘Pascal-Lino 2024’ que desarrolla conjuntamente con la aduana francesa ha interceptado a 130… pic.twitter.com/tx3qV9TO4O

— Tribuna Digital7 (@TribunaLibreES) October 4, 2024

Shpërthime në Bejrut, ushtria izraelite godet ndërtesën që përdorej nga Hezbollah

5 October 2024 at 07:27

Një shpërthim i fortë u dëgjua në orët e para të mëngjesit të sotëm në periferi në jug të Bejrutit.

Siç raportojnë mediat e huaja ushtria izraelite lëshoi ​​një urdhër të ri për civilët në zonë që të evakuohen menjëherë për sigurinë e tyre.

Ushtria në mënyrë specifike u bëri thirrje atyre që jetojnë në një ndërtesë në zonën e Bourj el-Barajneh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Sipas IDF në zonë ndodheshin objekte që u shërbenin interesave të Hezbollahut.
“Për sigurinë tuaj dhe të familjarëve, duhet të evakuoni menjëherë këtë ndërtesë dhe ndërtesat fqinje dhe të qëndroni larg tyre në një distancë jo më pak se 500 metra”, thuhet në njoftim.

/abcnews.al/

❌
❌