Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 October 2024Main stream

Osmani: Tahir Emra la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën akademike dhe atë kulturore

By: Kult Plus
7 October 2024 at 19:39

Presidentja Osmani ngushëllon familjen, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetin kulturor për vdekjen e akademikut e piktorit Tahir Emra.

Postimi i plotë i saj:

Kosova sot humbi akademikun dhe piktorin Tahir Emra. Ai la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën akademike dhe atë kulturore.

Veprat e tij artistike, të ekspozuara brenda dhe jashtë vendit, janë dëshmi e pasionit dhe përkushtimit, ndaj mbeten trashëgimi e çmuar për brezat.

Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, komunitetit kulturor dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!

Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.

I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Tahir Emrën! / KultPlus.com

The post Osmani: Tahir Emra la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën akademike dhe atë kulturore appeared first on KultPlus.

Osmani takoi presidentin kroat Milanović: Mirënjohëse për mbështetjen për një Kosovë të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike

By: Kult Plus
7 October 2024 at 19:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Takim gjithnjë përmbajtësor me Presidentin kroat Zoran Milanović. 

Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike./ KultPlus.com

The post Osmani takoi presidentin kroat Milanović: Mirënjohëse për mbështetjen për një Kosovë të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike appeared first on KultPlus.

‘Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët, dashunia vdes kur i shërohen plagët’

By: Kult Plus
7 October 2024 at 18:30

Poezi nga Primo Shllaku

Të kam dashtë… 
Dashunia nuk ka të tashme. 
Dashunia nuk ka të ardhshme.
Ajo ka vetëm të kaluemen. 
Të kam dashtë…

Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë.
Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura.
Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish.
Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët.
Dashunia vdes kur i shërohen plagët.
Dashunia fillon prap prej fillimit…

Dashunia i beson të gjitha. 
Dashunia i shpreson të gjitha. 
Dashunia i “ha” të gjitha. 
Dashunia i fal të gjitha. 
Dashunia banon te duert…

Të kam dashtë…
Dashunia nuk ka të tashme. 
Dashunia nuk ka të ardhshme. 
Ajo ka vetëm të kaluemen. 
Të paskam dashtë, pra…/ KultPlus.com

The post ‘Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët, dashunia vdes kur i shërohen plagët’ appeared first on KultPlus.

“Jeta dhe Arti” në Galerinë Qahili

By: Kult Plus
7 October 2024 at 18:00

Projekti “Jeta dhe Arti” është një udhëtim i thellë dhe emocionues nëpër artin që feston forcën, guximin dhe shpresën e grave që luftojnë kundër kancerit të gjirit.

“Jeta dhe Arti” do të shtjellohet përmes punëtorive që kanë për qëllim ofrimin e një hapësire kreative ku pjesëmarrësit mund të shprehin emocionet e tyre përmes artit, ndërsa rrisin ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.

Projekti ”Jeta dhe Arti” është një homazh për jetën dhe artin që shpreh fuqinë e shpirtit njerëzor. Përmes një kombinimi të fuqishëm të artit vizual dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ky projekt synon të inspirojë solidaritet, empati dhe guxim./ KultPlus.com

The post “Jeta dhe Arti” në Galerinë Qahili appeared first on KultPlus.

Kumbaro me operatorë të turizmit natyror: Vjosa, hartë unike me shumë propozime

By: Kult Plus
7 October 2024 at 17:00

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me operatorë të turizmit natyror, bujtinave dhe agroturizmeve pranë Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.

Gjatë muajve janar-gusht të vitit 2024, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 3.8 milionë vizitorë, me një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

“Vjosa është lumë, por është edhe ekonomi. Dhe na kërkon të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në momentin e parë që mund ta prekim ose dëmtojmë pa dashje ose nga dëshira për të vrapuar pak më shpejt, mund të dëmtojmë biznesin e së ardhmes. Prandaj i gjithë ky koncept i turizmit që e quajmë turizëm i qëndrueshëm, si dhe ekoturizmi kanë krijuar të tjera aktivitete sektoriale në turizëm”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi edhe lehtësitë fiskale si TVSH-ja e ulur në 6% për hotelet dhe bujtinat, për agroturizmin do të jetë 5% dhe 0% për biznesin e vogël.

“Këto masa të cilat mund të duket se s’kanë influencë, sot kanë bërë që të shtohet zinxhiri i ekonomisë dhe ju kanë nxitur që të shpikni forma të reja të ofertës turistike. Vjosa është kthyer në një kartvizitë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila nuk ka kuptim pa ju. Dërguam në UNESCO dosjen e plotë për të cilën kemi një vit që punojmë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për ta regjistruar si një kategori e veçantë në listën Botërore të Trashëgimisë Natyrore”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u shpreh gjithashtu se vizitorët që vijnë në Gjirokastër, vizitojnë edhe Përmetin, edhe bashkitë e tjera të qarkut dhe sipas saj, organizata e menaxhimit të destinacioneve “Visit Gjirokastra” si dhe të shtatë bashkitë e këtij qarku kanë meritën e të krijuarit të një modeli të destinacionit të organizuar turistik.

“Në një zonë kaq të vogël, ne mund t’i mbajmë turistët deri në një javë. Dhe kjo nuk bëhet duke folur vetëm për Përmetin, apo për Këlcyrën, apo për Gjriokastrën. Vjosa na bashkon të gjithëve si një hartë unike me shumë propozime brenda”, vazhdoi ministrja.

Në fund të fjalës së saj ministrja Kumbaro foli për të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare. Ajo kujtoi se në vitin 2022, në ekonominë shqiptare sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, hynë 2.8 miliardë euro, kurse për vitin 2023 kjo shifër u rrit në 4.2 miliardë euro. Ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka pasur 500 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, duke theksuar se do të punohet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë që gjenerohet nga turizmi./atsh/ KultPlus.com

The post Kumbaro me operatorë të turizmit natyror: Vjosa, hartë unike me shumë propozime appeared first on KultPlus.

Edicioni i tretë i ‘Idromeno Independent Film Festival’, në Shkodër

By: Kult Plus
7 October 2024 at 16:15

Në Kinema “Republika”, në Shkodër çeli siparin edicioni i tretë i festivalit të filmit “Idromeno Independent Film Festival”. 58 filma nga autorë vendas dhe të huaj do të shfaqen për adhuruesit e kinematografisë.

Ky festival u konceptua nga një grup studentësh me një qëllim madhor: integrimin e ideve të reja në mentalitetin e kineastëve shqiptarë. Sipas tyre, kjo mund të arrihet me ndihmën e partnerëve dhe kineastëve të “Idromenos” në të gjithë Evropën. Qëllimi është të përmirësohet kinemaja eksperimentale dhe e pavarur duke e zgjeruar atë si një lëvizje multidisiplinare duke përfshirë shkenca të tjera që lidhen me filmin.

Ditën e djeshme përveç projeksioneve të filmave pati edhe një panel diskutimi me të ftuar si: Edon Qesari, Stefania Consigliere, Eris Agolli dhe Eno Milkani, ku tema e diskutimit ishte “Metamorfoza”.

Në sesionin Idromeno Evocative, u shfaq filmi “Kapedani” i regjisorëve Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi. Ndërsa në sesionin Special Screenings u shfaq filmi i Pirro Milkanit, “Trishtimi i zonjës Shnajder”.

Ditën e sotme ishte Emilie Richelle e cila foli mbi sfidat e të qenit grua në industrinë e kinemasë, ndërsa Miguel Velez dha një leksion mbi temën “Të krijosh një film të shkurtër”.

“Idromeno Indipendent Film Festival” do të vazhdojë aktivitetet e tij deri më 11 tetor./atsh/ KultPlus.com

The post Edicioni i tretë i ‘Idromeno Independent Film Festival’, në Shkodër appeared first on KultPlus.

Publikohet lista e përfituesve të skemës ‘Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese’, me buxhet 150 mijë euro

By: Kult Plus
7 October 2024 at 15:38

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se është publikuar lista e përfituesve të skemës “Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese”.

“Qëllimi kryesor i kësaj skeme është ta ndihmojë mësimdhënien e bazuar në punë hulumtuese duke financuar veprimet mësimore të bazuara në punë hulumtuese, të cilat propozohen nga mësimdhënësit e universiteteve për lëndë specifike për t’i përtërirë agjendat aktuale të mësimdhënies”, shprehet Nagavci, transmeton Klankosova.tv.

Buxheti i planifikuar për këtë skemë mbështetëse është 150 mijë euro, ku do të ofrohen 15 grante në vlerë prej 10 mijë euro. Kjo skemë financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe Projekti HEI’25.

“Pas kalimit nëpër një proces transparent, secili aplikim është vlerësuar nga 3 ekspertë të angazhuar nga Diaspora shqiptare në arsimin e lartë në Evropë dhe ShBA, ndërsa lista me pikët e vlerësimit nga ekspertët ka kaluar nëpër Jurinë e emëruar për këtë program te udhëhequr nga Prof. Bruno Sergi nga Universiteti i Harvardit. Kjo listë tashmë është miratuar edhe nga Këshilli Shkencor në MASHTI.  Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese 15 ditë nga dita e shpalljes së këtij njoftimi”, shton tutje ministrja.

The post Publikohet lista e përfituesve të skemës ‘Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese’, me buxhet 150 mijë euro appeared first on KultPlus.

79-vjetori i themelimit i Lidhjes së Shkrimtarëve

By: Kult Plus
7 October 2024 at 15:13

 Më 7 tetor të vitit 1945, u krijua në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se dy vjet më pas, në vitin 1947, këtij organi i bashkëngjitet edhe Lidhja e Artistëve, duke bërë bashkë kështu letrarët me kastën e artistëve të vendit.

Në fillesat e saj, Lidhja (LSHA) numëronte 70 anëtarë, ku bënin pjesë po ashtu gazetarë dhe gjuhëtarë. Mandej, numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj, u zgjodh Sejfulla Malëshova, ndërsa detyra honorifike e presidentit iu ngarkua Fan Nolit. Në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte parakushti që nuk do të pranohej anëtar asnjë prej atyre shkrimtarëve, publicistëve e gazetarëve që i shërbyen me veprat e tyre okupatorit e që konsideroheshin armiq të popullit.

Disa prej pasuesve të Malëshovës në krye të LSHA-së ishin: Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari etj.

LSHA-ja kishte organet e saj letrare dhe artistike, sikurse: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare”, “Revista letrare” etj./ atsh/ KultPlus.com

The post 79-vjetori i themelimit i Lidhjes së Shkrimtarëve appeared first on KultPlus.

Ministri Çeku për akademik Tahir Emrën: Vepra e tij mbetet përgjithmonë në historinë e kulturës kombëtare

By: Kult Plus
7 October 2024 at 14:49

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së akademikut të ndjerë, Tahir Emrës.

Ministri Çeku përmes këtij telegrami është shprehur se piktori dhe akademiku Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit dhe se vepra e tij do të vazhdoj të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme. Vepra dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë në historinë e kulturës sonë kombëtare, si frymëzim për brezat e ardhshëm.

Ngushëllimet me të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, thuhet në telegramin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

The post Ministri Çeku për akademik Tahir Emrën: Vepra e tij mbetet përgjithmonë në historinë e kulturës kombëtare appeared first on KultPlus.

‘Ja çfarë shikoj nga dritaret e ambasadës amerikane në Tiranë’- rrëfimi i hollësishëm i ambasadorit Herman Bernstein

By: Kult Plus
7 October 2024 at 14:26

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Tetor 2024

“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në mars të 1932, në faqet n°3-6, rrëfimin e hollësishëm të ambasadorit Herman Bernstein mbi atë çka ai vështronte asokohe rreth e rrotull ambasadës amerikane në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria  Vendi i Popullit të Shqiponjës

(Pamje nga dritaret e Legatës Amerikane në Tiranë)

Nga Herman BERNSTEIN, Ministër amerikan në Shqipëri

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga dritaret e Legatës së re Amerikane në Tiranë mund të shihen shumë pamje të çuditshme dhe magjepsëse, të cilat ofrojnë një pamje të jetës shqiptare në të gjitha ngjyrat dhe nuancat e saj të larmishme.

Nga dritaret e përparme mund të shoh kopshtin tonë me lule të kujdesur nga një kopshtar shqiptar që pretendon se ka punuar në pallatin e vjetër të Sulltanit në Kostandinopojë dhe nga një ish-oficer rus që kishte ikur nga bolshevikët dhe kishte shërbyer në forcat Wrangell dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri me ushtrinë e vogël të drejtuar nga Ahmet Zogu kur u kthye në pushtet pas mërgimit të tij në Beograd. Më tutje, te porta e Legatës, qëndron shtëpiza e dy kavasëve të Legatës, Sulejmanit dhe Rasimit, shqiptarë që kanë kaluar (jetuar) disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulejmani konsiderohet nga shqiptarët si me fat të veçantë jo vetëm për faktin se ai punon në Legatën Amerikane, por edhe sepse është babai krenar i pesë djemve. Vajzat kërkojnë pajë kur martohen në Shqipëri, ndërsa djemtë u sjellin prikë prindërve.

Përpara portës së Legatës ndodhet rruga e re që të çon nga Durrësi në Elbasan dhe Korçë. Durrësi, në Adriatik, është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Qyteti, tani i vogël, me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, dikur ishte një qendër e madhe tregtare, që lidhte Perëndimin me Lindjen. I ndërtuar rreth 700 vjet para epokës së krishterë, Durrësi, i njohur në të kaluarën si Dyrrachium (Dyrrahu), dëshmoi skena lavdie, betejash të përgjakshme, të konfliktit midis ushtrive të Cezarit dhe Pompeut dhe të kryqtarëve në rrugën e tyre për në Tokën e Shenjtë. Besohet se edhe atje, në brigjet e Adriatikut, Shën Pali ka predikuar krishtërimin.

Rruga e re e Elbasanit, tashmë në përfundim, të çon në Korçë, e cila është një nga qytetet më përparimtare dhe moderne të Shqipërisë, kryesisht për shkak të ndikimit të shqiptarëve të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që u kthyen në Korçë pasi kishin përvetësuar pasuri të konsiderueshme materiale dhe mënyrat e zakonet e Amerikës. Disa u kthyen për vizita në tokën e tyre të lindjes dhe sollën me vete konceptet e biznesit dhe metodave të bujqësisë amerikane dhe një standard më të lartë jetese, i cili u prezantua gradualisht në rrethin e Korçës. Për vite me radhë Korça ka marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme të dërguara nga shqiptarët amerikanë për të afërmit e tyre në vendlindjen e tyre. Për këtë arsye Amerika është e njohur në Shqipëri. Shqipëria i është gjithashtu mirënjohëse Amerikës për ndihmën e Presidentit të ndjerë Wilson dhënë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në një periudhë shumë kritike gjatë Konferencës së Paqes. Arsyet e tjera për vlerësimin e Amerikës nga Shqipëria janë shkollat amerikane në Tiranë dhe Kavajë, të drejtuara nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Fondacioni i Lindjes së Afërt, si dhe puna kundër malaries e Fondacionit Rockefeller.

Përtej rrugës së re të Elbasanit mund të shoh nga dritaret tona të përparme një fushë të madhe, kazerma, ushtarë që bëjnë ushtrime; kuajt, lopët, delet duke kullotur — skena të stërvitjes ushtarake të përziera me idilet baritore të paqes. Ndonjëherë dëgjoj zhurmën e mitralozëve që jehojnë në male. Dhe menjëherë pas kësaj dëgjoj barinjtë që luajnë melodi të këndshme në fyellin e tyre, ose fshatarë që këndojnë këngë orientale ndërsa kalojnë mbi kuajt e tyre të vegjël ose gomerët e vegjël. Aty-këtu shoh shtëpi të reja të shpërndara nëpunësish e fisnikësh shqiptarë. Përballë Legatës Amerikane do të ngrihen edhe disa prej legatave të huaja. Në një distancë të shkurtër, shihni kodrën në të cilën po ndërtohet pallati i ri i nënës mbretëreshë.

Teksa kthehem nga dritaret në të djathtë, përballë qytetit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, që mban emrin e Teheranit rreth 300 vjet më parë, shoh kope delesh bardh e zi, buaj, lopë, selvi madhështore, xhami, minare të holla të bardha. Më pas pallati modest i nënës mbretëreshë dhe pesë princeshave, motrat e mbretit Zog, burgu i ri, ndërtesat e reja ministrore mjaft imponuese dhe Bashkia në qendër të Tiranës; pallati i vjetër i Mbretit Zog, i vetmi mbret në Evropë që ka ardhur në pushtet si bir i një prijësi të shquar malësor, trim, i cili luftoi për vendin e tij në rini, i cili më pas mbajti postet e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Presidentit, dhe i cili në vitin 1928 u shpall Mbret nga Asambleja Kushtetuese. Udhëheqësi i Popullit të Shqiponjës, siç njihen shqiptarët, është një i ri 36-vjeçar shtatlartë, i hollë, inteligjent, i cili sillet me një dinjitet dhe ekuilibër të thjeshtë por mbresëlënës.

Natën dritat e Tiranës shkëlqejnë me gëzim dhe e bëjnë kryeqytetin të duket shumë më i madh se sa është. Në festat kombëtare rrugët, kulla e sahatit dhe minaret janë zbukuruar me flamujt e Shqipërisë Kuq e Zi dhe me ndriçim elektrik shumëngjyrësh.

Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga xhamat e pasmë dalloj Alpet e purpurta shqiptare në perëndimin e diellit, me malin e Dajtit të mbuluar me borë në qendër. Shoh shpesh aeroplanë që fluturojnë sipër, shqiponja që fluturojnë, borë në majë të malit, gjeth të gjelbër në rrëzë të malit dhe në kopshtin tonë, jo shumë larg, trëndafila të lulëzuar në dhjetor. Unë shoh disa banesa të ulëta, tipike shqiptare me çati të kuqe prej tullash balte; mullarë të artë të rregulluar në dizajn fantastik; hijet e reve që bien përtej malit; dhe herë pas here ylberë të dyfishtë të shndritshëm shqiptarë në sfondin e malit të Dajtit. Përtej këtyre Alpeve është Kruja, shtëpia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Uashingtonit shqiptar që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe për disa vite qëndroi fitimtar kundër turqve. Skënderbeu, lavdërimi i të cilit u këndua nga Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”, ishte jo vetëm një ushtar dhe çlirimtar i madh, por, duke gjykuar nga testamenti i fundit për të birin, edhe një burrë shteti i mençur dhe largpamës.

Nga dritaret në të majtë shoh rrugën dredha-dredha për në EIbasan, rrugën e famshme romake Via Egnatia, e cila në ditët e para të epokës së krishterë të çonte nga Durrësi në Selanik. Unë shoh kodra të ulëta, në njërën prej të cilave qëndron një vend i shenjtë i braktisur bektashian i rrethuar me pemë. Më poshtë është një kasolle e vogël, e përdorur tani si kafene, ku ciganët kërcejnë dhe luajnë muzikën e tyre me zë të lartë, të çuditshëm, shpesh rrëqethës gjatë gjithë natës, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Shumë nga burrat dhe gratë që kalojnë përgjatë rrugës së Elbasanit janë të rreckosur, zbathur. Ndonjëherë veshin kostume të qëndisura artistikisht me dizajne të pasura dhe të bukura. Herë pas here një me beben e saj. Shpesh një grua e mbuluar, hipur mbi një gomar, duke mbajtur fëmijën e saj në njërin krah dhe duke mbajtur një ombrellë të hapur në dorën tjetër — jo për ta mbrojtur atë nga shiu apo nga rrezet e diellit të shndritshëm, por më tepër si një shenjë dallimi midis myslimanëve shqiptarë.

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Shoh një kortezh të gjatë gomerësh, kuajsh, mushkash, buajsh, qesh, sidomos të enjteve, kur fermerët e fshatrave fqinjë dalin në treg në Tiranë. Kafshët janë të vogla dhe të holla; burrat dhe gratë janë të dobët, të drejtë, me pamje të trishtuar, rrallë të buzëqeshur, shpesh duke kënduar me ankth, zërat e tyre kumbojnë qartë si kambana argjendi. Tani shoh një hoxhë, të gjatë, të veshur me një çallmë jeshile, të hipur mbi një gomar të vogël, me këmbët që lëkunden në mënyrë ritmike, gati duke prekur tokën. Populli, edhe pse ende supersticioz, nuk njeh konflikte apo grindje fetare në Shqipëri. Udhëheqësit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve jetojnë në harmoni dhe besimtarët e tyre ndonjëherë vizitojnë vendet e lutjes së njëri-tjetrit. Ndërsa shikoj nga dritaret e Legatës, shoh Tiranën në rritje, kryeqytetin e Popullit të Shqiponjës, duke marrë formën moderne, njerëzit që përvetësojnë nga jashtë rrugët përparimtare të Perëndimit, por ende të kapur pas disa prej traditave të tyre të shkëlqyera të lashta të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim me shekuj; ndërtimi i një shteti të pavarur, më i vogli nga shtetet ballkanike, i cili mban një pozicion kaq të rëndësishëm në Adriatik. Në Shqipëri, Orienti dhe Perëndimi gërvishten si në pak vende të tjera. Femrat shqiptare vlerësohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton vetëm është e sigurt kudo në Shqipëri. Dhe asnjë burrë nuk duhet të ketë frikë nga hakmarrja stërgjyshore e një armiku nëse shoqërohet nga një nga gratë e tij. Mikpritja proverbiale dhe ndjenja e nderit e shqiptarëve nuk janë ndryshuar gjatë marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit.

Një ditë, turistët në kërkim të peizazheve të çuditshme dhe të bukura, zakoneve dhe kostumeve të veçanta do të zbulojnë këtë vend nga më piktoreskët në Evropë. Nëse vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, do të jetë tepër vonë. Pjesa më e madhe e sharmit magjepsës të Shqipërisë po zhduket, duke i lënë vendin kostumeve perëndimore dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne./ KultPlus.com

The post ‘Ja çfarë shikoj nga dritaret e ambasadës amerikane në Tiranë’- rrëfimi i hollësishëm i ambasadorit Herman Bernstein appeared first on KultPlus.

Presidenti Begaj uron studentët: Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe jeni ju, rinia e saj

By: Kult Plus
7 October 2024 at 13:28

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka uruar studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Presidenti Begaj është shprehur se studentët janë brezi që do të ndërtojnë një Shqipëri të fortë dhe të qëndrueshme.

“Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që dëshironi.

Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj. Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka shkruar presidenti Begaj në “Facebook”./ KultPlus.com

The post Presidenti Begaj uron studentët: Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe jeni ju, rinia e saj appeared first on KultPlus.

Taylor Swift është zyrtarisht muzikantja më e pasur në botë

By: Kult Plus
7 October 2024 at 12:54

Taylor Swift ka kaluar zyrtarisht Rihannën për t’u bërë muzikantja më e pasur femër në botë me një vlerë neto prej 1.6 miliardë dollarësh.

Swift tani kryeson listën e muzikantëve më të pasur, duke tejkaluar pasurinë neto të Rihannës prej 1.4 miliardë dollarësh.

Ky lajm u konfirmua nga revista Forbes, duke përditësuar gjendjen financiare të Taylor Swift, pas suksesit historik të turneut të saj “Eras” dhe popullaritetit të qëndrueshëm të muzikës së saj.

Përveç titullit të artistes më të pasur femër, ajo është edhe në vendin e dytë në listën e përgjithshme të muzikantëve më të pasur, pak pas Jay Z që ka 2.5 miliardë dollarë.

Ndryshe nga shumë muzikantë të tjerë të pasur, pasuria e Taylor Swift vjen kryesisht nga karriera e saj muzikore.

Ajo arriti për herë të parë statusin e miliarderes në tetor 2023 dhe është e vetmja muzikante në histori që ka një vlerë neto me 10 shifra kryesisht nga shitjet e albumeve dhe performancat live, dhe jo nga sipërmarrjet sipërmarrëse.

Vetëm një vit më vonë, Forbes vlerëson se 600 milionë dollarë nga pasuria e Taylor Swift vijnë nga turneu dhe honoraret, 600 milionë të tjera nga vlera e katalogut të saj muzikor dhe 125 milionë dollarë nga investimet në pasuri të paluajtshme.

Swift është në prani të vazhdueshme në listën e “muzikantëve më të pasur”, por rritja e saj financiare në vitet e fundit ka qenë befasuese.

Që nga viti 2020, pasuria e saj neto vlerësohet në 365 milionë dollarë, që do të thotë se ajo ka grumbulluar rreth 1.2 miliardë dollarë vetëm në katër vitet e fundit./abcnews.al/ KultPlus.com

The post Taylor Swift është zyrtarisht muzikantja më e pasur në botë appeared first on KultPlus.

Shpallen fituesit e çmimit Nobel në mjekësi 2024, dy shkencëtarët amerikanë vlerësohen për zbulimin e mikroRNA

By: Kult Plus
7 October 2024 at 12:16

Çmimi Nobel në mjekësi 2024 u është dhënë dy shkencëtarëve amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për punën e tyre në mikroARN. Komiteti i Çmimit Nobel në Suedi vlerësoi “zbulimin novator” të biologëve amerikanë, për të cilin tha se “zbuloi një dimension krejtësisht të ri të rregullimit të gjeneve”.

Puna e tyre ndihmon në shpjegimin se si funksionojnë gjenet tona brenda trupit të njeriut dhe se si kjo krijon indet e ndryshme të trupit të njeriut.

Fituesit ndajnë një çmim me vlerë 11 milionë korona suedeze (810,000 £). Çmimi i këtij viti është çmimi i 115-të Nobel që jepet në fiziologji ose mjekësi që nga viti 1901. Nga 229 fitues, vetëm 13 kanë qenë gra.

Çmimi Nobel 2024 në fizikë do të shpallet të martën, pasuar nga çmimi i kimisë të mërkurën./abcnews.al/ KultPlus.com

The post Shpallen fituesit e çmimit Nobel në mjekësi 2024, dy shkencëtarët amerikanë vlerësohen për zbulimin e mikroRNA appeared first on KultPlus.

‘E ardhmja hibride’, hapet edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës

By: Kult Plus
7 October 2024 at 11:35

Këtë fundjavë, në Durrës u çel edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor me temë Inteligjenca artificiale: “E ardhmja hibride”. 

Kjo temë bëri bashkë 40 artistë nga 17 vende të ndryshme të botës. Artistët pjesëmarrës kanë prekur kufijtë mes reales dhe surreales në veprat e tyre që janë ekspozuar në disa prej institucioneve dhe hapësirave publike të qytetit, duke përfshirë monumentet e trashëgimisë kulturore.

“Është një risi për Durrësin dhe vendin pasi nuk ka pasur një bienale kushtuar artit bashkëkohor. Patjetër që duhet të kthehet në një brand për qytetin për artin pamor dhe për ta kthyer atë në një hapësirë shumë të mirë promovimi për turizmin”, tha Oltsen Gripshi,  Kurator i Bienales.

Në ceremoninë e hapjes, u ndanë disa çmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin për Pavionin më të Mirë të Bienales që shkoi për pavionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Çmimin Special për Artistin e Ri që e mori Lai Junjie nga Kina, si dhe atë të karrierës për skulptorin shqiptar Sadik Spahija.

“Është sukses kjo bienale duke parë artistët pjesëmarrës që vijnë nga përvoja të rëndësishme dhe i bashkon shpirti. Inteligjenca artificiale padyshim qw do ta ndihmojë botën të bëhet më e mirë, por arti gjithnjë do të përfaqësojë, në bashkëpunim me të, një nga motivet bazë për zhvillimin e kulturës dhe njerëzimit“, tha Massimo Scaringella, kryetar i Jurisë.

Bienalja e Durrësit synon të kthehet në një event të qëndrueshëm duke i dhënë vlerë të shtuar dhe turizmit në Durrës. Punimet e saj do të vazhdojnë të ekspozohen deri më 24 nëntor./ Top Channel/ KultPlus.com

The post ‘E ardhmja hibride’, hapet edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës appeared first on KultPlus.

Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina

By: Kult Plus
7 October 2024 at 10:59

Ka thyer 11 rekorde Guinness në fushën e mozaikut dhe refuzon çdo ftesë që i vjen nga disa shtete të botës, sepse dëshiron që rekordin e 12-të ta realizojë dhe ekspozojë në Shqipëri.

Saimir Strati, artist i mozaikëve, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë krijon, e po ashtu merr ftesa për ekspozita dhe për të realizuar vepra të tjera, por shprehet i prekur që arti që bën, “nuk vlerësohet” në vendin e tij, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse ka një ftesë serioze, jam gati ta bëj rekordin e 12-të. Kam refuzuar shumë ftesa, sepse dua që ky rekord të shënohet në Shqipëri. Por, nuk do të bëj një vepër që të magazinohet dhe të ruhet diku fshehur dhe më pas të prishet”, thotë Strati.

Me keqardhje, ai thotë se shtatë rekordet që ka thyer me veprat që ka realizuar në Shqipëri, nuk kanë marrë vlerësimin që ka pritur.

Një nga punimet e Saimir Stratit.

Nuk është realizuar asnjë ekspozitë me to dhe nuk është marrë asnjë vendim për ta vlerësuar punën dhe veprën e tij, siç ka ndodhur në disa shtete ku ai ka realizuar vepra të tilla.

Mozaiku i Nënës Terezë i punuar nga Strat në Prishtinë.

The post Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina appeared first on KultPlus.

Vdes akademiku Tahir Emra 

By: Kult Plus
7 October 2024 at 10:30

Sot, në moshën 86 vjeçare ka vdekur piktori dhe akademiku Tahir Emra.

Emra ka qenë profesor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, si dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ai lindi më 10 mars të vitit 1938 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme të Artit në Pejë.

Akademinë e Arteve Figurative dhe studimet pasuniversitare i kreu në vitin 1966 në Beograd, në klasën e piktorit e pedagogut të shquar prof. Nedelko Gvozdenoviq.

Në Fakultetin e Arteve të Prishtinës ka punuar qysh prej themelimit të tij (1974), ku ka ligjëruar klasën e pikturës dhe të studimeve pasuniversitare me titullin profesor ordinar.

Veprat e tij gjenden në shumë galeri, muze dhe koleksione private dhe janë vlerësuar lart në aspektin artistik. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.Në vitin 2000 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./ KultPlus.com

The post Vdes akademiku Tahir Emra  appeared first on KultPlus.

Viti i ri akademik në Shqipëri, 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes

By: Kult Plus
7 October 2024 at 10:17

Kryeministri Edi Rama ka uruar studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025.

Në një video të studentëve dhe ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Rama shkruan: “Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”.

Janë rreth 20 studentë të rinj që do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve.Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha:

“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës./atsh/ KultPlus.com

The post Viti i ri akademik në Shqipëri, 20 mijë studentë nisin rrugëtimin drejt dijes e të ardhmes appeared first on KultPlus.

Vjeshta në Klos, panair produktesh lokale dhe festival folklorik

By: Kult Plus
7 October 2024 at 09:58

Për të 5-tin vit radhazi, Fest Folk i organizuar në Bashkinë Klos, solli një përzierje të festës dhe kulturës lokale për të shënuar fillimin e vjeshtës me begati dhe gëzim.

I pranishëm ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili është shprehur se, mes tingujve të muzikës tradicionale, valleve popullore, ushqimeve tipike të zonës, kjo ishte një festë në mbështetje të vlerave të pasura të zonës.

Me “Fest Folk 5” dhe “Panairin e Vjeshtës”, qyteti është kthyer në një pikë të gjallë festimesh ku muzika popullore, vallet tradicionale dhe produktet e stinës kanë krijuar një atmosferë të veçantë.

“Fest Folk Klos” bëri një prezantim të vlerave artistike dhe kulturore të grupeve folklorike vendase dhe të tjera, ndërsa panairi “Vjeshtë në Klos 2024”, prezantoi prodhimet e fermerëve të zonës.

Kryetarja e Bashkisë, Valbona Kola përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, në Klos u mblodhën artistë nga çdo cep i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të interpretuar muzikë dhe valle popullore, si një rikthim tek rrënjët kulturore.

Artizanët dhe prodhuesit lokalë prezantuan produktet e tyre më të mira të stinës, duke u dhënë mundësi qytetarëve të shijojnë produktet bio, artizanatin unik dhe ushqimet e përgatitura me dashuri nga fermerët, nënat dhe fëmijët e zonës së Klosit.

“Nga grupet muzikore e deri te stendat e panairit, kjo ditë ishte një simbol i bashkimit, punës dhe krenarisë për kulturën dhe natyrën që na rrethon”, tha kryebashkiakja e Klosit, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen./ atsh/ KultPlus.com

The post Vjeshta në Klos, panair produktesh lokale dhe festival folklorik appeared first on KultPlus.

Qiell dimri

By: Kult Plus
7 October 2024 at 09:34

Poezi nga Ismail Kadare

Qiell dimri,
Dyndje kujtimesh.
Unë ndeza një cigare, u afrova te dritarja.
Më ngjan, se nuk bien flokë dëbore nga qielli.
Por mijëra letra, që kurrë nuk i mora.
Letra të largëta,
Shkruar nga duar të largëta,
Edhe se retë më të largëta./KultPlus.com

The post Qiell dimri appeared first on KultPlus.

Media britanike ‘Rest Less’: Shqipëria kryeson mes vendeve evropiane më të larmishme për t’u zbuluar

By: Kult Plus
7 October 2024 at 08:54

Udhëtimi mund të jetë i shtrenjtë, por nëse zgjidhni destinacionin tuaj me kujdes, mund të jetë më i përballueshëm nga sa mund të mendoni, shkruan Selene Nelson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike ‘Restless”.

Ka shumë vende të mrekullueshme me kosto efektive për t’u eksploruar – shumë prej të cilave janë pikërisht në Evropë.

Si një nga kontinentet më të larmishme – nga gjuha te gjeografia te kultura – kënaqësitë dhe hijeshitë e Evropës janë të famshme në mbarë botën.

Nuk është çudi që Evropa përbën më shumë se gjysmën e të gjithë turizmit ndërkombëtar!

Ndërsa vende si Franca, Spanja dhe Italia janë disa nga destinacionet më të njohura për t’u vizituar, ato nuk janë aspak më të lirat.

Por, ju mund të shijoni pushime po aq magjike në vende të tjera evropiane, me kosto më efektive.

Nga plazhet e pacenuara me rërë të Shqiperisë te malet e thyer dhe liqenet e shndritshme të Sllovenisë – për të mos përmendur qytetet dhe qytezat e shumta të bukura në të gjithë Evropën Lindore – ky kontinent është i mbushur me vende të bukura që presin të eksplorohen me një buxhet të përballueshëm.

“Restless” e ka renditur Shqiperinë mes 12 vendeve më të lira për t’u vizituar në Evropë.

Shqipëria

E izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit përgjatë shekullit XX, Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga sekretet e ruajtura më së miri të Evropës.

Sot dyert e saj janë të hapura dhe shumë shpejt vendi do të mbipopullohet nga turistët dhe bukuritë e Shqipërisë do të bëhen më të njohura. Përpara se Shqipëria të preket nga turmat masive,  zbuloni këtë vend jashtëzakonisht të larmishëm dhe një nga enigmat më të mëdha të kontinentit.

Vija bregdetare gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe ëndërrimtare me ujëra në ngjyrë blu të thellë dhe vendpushime magjepsëse, si Dhërmiu dhe Ksamili.

Akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi janë mjaft të lira.

Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, qytete kala, kështjella të rrënuara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

Nëse jeni një adhurues i historisë, aventurave apo i apasionuar pas plazhit, Shqipëria ofron gjithçka për të gjithë.

Kryeqyteti i gjallë, Tirana, është një vend i shkëlqyer për të eksploruar pjesën tjetër të Shqipërisë dhe është një nga qytetet më të përballueshme në Evropë. //a.i/

Për t’ju frymëzuar, ne ju rekomandojmë 12 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë:

1. Shqipëria
2. Rumania
3. Republika Çeke
4. Mali i Zi
5. Hungaria
6. Portugalia
7. Polonia
8. Sllovakia
9. Bosnjë-Hercegovinë
10. Slloveni
11. Estonia

The post Media britanike ‘Rest Less’: Shqipëria kryeson mes vendeve evropiane më të larmishme për t’u zbuluar appeared first on KultPlus.

❌
❌