Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 October 2024Main stream

Guga: Mbi 2,100 mësues ndihmës këtë vit për nxënësit me aftësi të veçanta

8 October 2024 at 15:43

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në lidhje me masat e marra për fillimin e vitit të ri 2024-2025 në sistemin e arsimit parauniversitar.

Të ftuar në komision ishin Nina Guga, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, Zamira Gjini, drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë e Politikave të Arsimit Parauniversitar dhe Rezarta Alla, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.

Në fjalën e saj, Guga raportoi për një sërë masash të ndërmarra për të siguruar një ambient të sigurt, miqësor dhe edukues për të gjithë nxënësit në Shqipëri, kushte më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha strukturave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

Si element kyç në këtë proces, Guga përmendi Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), i cili ka lehtësuar regjistrimin dhe transferimin e nxënësve në të gjitha shkollat e vendit, duke garantuar që çdo nxënës të ketë qasje të barabartë në arsim.

Për sa i përket sigurimit të një arsimi të barabartë dhe gjithëpërfshirës, zëvendësministrja shtoi se “mbi 2,100 mësues ndihmës do të mbështesin këtë vit nxënësit me aftësi të veçanta në shkolla”.

“Bëhet fjalë për mbi 200 mësues ndihmës më shumë se një vit më parë, të cilët do të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë në procesin edukativ të tyre, për të zhvilluar potencialin e tyre në mënyrë të plotë dhe efektive si dhe rreth 3500 bursa për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta sociale dhe ekonomike”, tha ajo.

Më tej, Guga nënvizoi dhe rimbursimin e transportit falas për rreth 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues për largësinë nga shkolla, duke rritur aksesin në sistem.

Ajo u ndal po ashtu te mbështetja për nxënësit me tekstet falas, ku falë kësaj politike u garantohen çdo vit mbi 238 mijë nxënësve paketa e teksteve shkollore falas me një financim nga buxheti i shtetit rreth 9 milionë euro.

Guga foli po ashtu edhe për investimet në infrastrukturën shkollore, rritjen e pagave për personelin arsimor, disa nga risitë e kornizës së re të kualifikimit dhe zhvillimit profesional të mësuesve ku theksoi sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve sipas të cilit mësuesit të cilët hyjnë në sistemin tonë arsimor do të mbështeten për të arritur gradën ‘Mësues i kualifikuar’ në 3 vitet e para të karrierës së tyre duke ulur kështu kohën për të përfituar këtë shkallë kualifikimi.

Zëvendësministrja vijoi me raportimin mbi rolet e reja të mësuesit në shkolla, programet ekstra-kurrikulare si dhe mbështetjen e nxënësve me këshillim psikologjik dhe përkujdesin psikosocial si pjesë e politikave për një shkollë të sigurt, ekipet sportive në shkolla etj

Komisioni vijoi me pyetje, komente dhe sugjerime nga anëtarët. /m.m/

The post Guga: Mbi 2,100 mësues ndihmës këtë vit për nxënësit me aftësi të veçanta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vijon puna për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8

8 October 2024 at 14:55

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë do të transformohet rrënjësisht në një rrugë me katër korsi, si pjesë e korridorit të 8 duke plotësuar të gjitha standardet.

Aktualisht në kantierin për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, faza 2, po punohet me ritme të mira, ku aktualisht ka përfunduar shpimi dhe betonimi i 400 pilotave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga punimet që po kryhen në këtë aks të rëndësishëm, ku po vijon puna edhe për realizimin e mbrojtjes lumore dhe për ndërtimin e veprave të artit dhe mureve mbajtëse.

“Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII dhe konsiderohet një nga më të rëndësishmit në vend, rrugë e cila do të lidhë Durrës–Elbasan–Librazhd – Qafë Thanë, për të vazhduar më tej në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari”, u shpreh kryeministri.

Gjatësia totale e aksit rrugor Elbasan – Qafë Thanë është 50.12 km.

Investitorit i është kërkuar që ndërtimi të ndahet në disa faza, duke e bërë më fleksibël realizimin e veprës, si nga ana menaxheriale ashtu dhe nga ana ekonomike.

/m.m/

The post Rama: Vijon puna për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmbytjet, Rama: Nuk ka infrastrukturë që përballon goditjen e fillimit, por ka reagim që në momentin e parë

8 October 2024 at 15:00

TIRANË, 8 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryebashkiakët, u ndal te përmbytjet në Vlorë, ndërsa kërkoi nga të gjitha bashkitë që të kenë një organizim më të mirë të strukturave në rastet e emergjencave civile.

Ndërsa solli në vëmendje situatat e përmbytjeve të krijuara nga reshjet edhe në vende të tjera të zhvilluara, Kryeministri theksoi se “nuk ka infrastrukturë sado ekselente të jetë, që  të përballojë goditjen e parë”.

Por, sipas tij, strukturat duhet të gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit.

“Është fakt që të gjithë vendet duhet të përballen në periudhën e verës me zjarre, dhe në vjeshtë, pranverë e dimër me përmbytje. Natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar dhe ndryshon çdo vit. E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnje ku humbën jetën shumë njerëz dhe ku dëmet dhe sipërfaqja e plagës së hapur atje janë marramendëse”, tha Rama.

Sipas tij, “ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve”.

“Para ca kohësh u bë spektakolare përmbytja në Dubai, ku në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me 4 muaj rresht shi në Londër. Nuk ka infrastrukturë sado ekselente të përballojë goditjen e parë”, theksoi Rama.

Por, kryeministri theksoi se ajo që nuk duhet neglizhuar është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor qoftë për zjarret, qoftë për përmbytjet.

“Duke marrë përmbytjet, është e domosdoshme të ketë një fokus të veçantë te organizmi i strukturës, trajnimi, aftësimi dhe stërvitja e të gjithë strukturës që duhet të jetë gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit. Kur është faza e goditjes nuk ka çfarë askush, por e gjithë struktura duhet të vihet në funksion në momentin e parë të reagimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se duhet të rritet koordinimi dhe efikasiteti i ndërveprimit me strukturat e qeverisë qendrore.

Ai solli si shembull Italinë, e cila në sferën e emergjencave civile është një nga vendet e ekselencës, me një rrjet personash të gatshëm ku përfshihen edhe rezervistë.

Rama nënvizoi po ashtu domosdoshmërinë e trajnimit të personave të angazhuar në linjat e hapura të komunikimit, ku qytetarët kërkojnë ndihmë.

“Më ka dërguar një qytetare nga Vlora një komunikim me linjën e hapur. Ai komunikim do të ishte korrekt nëse situata do të ishte normale, por në rastin e përmbytjeve linjat e hapura të komunikimit janë linja solidariteti e përkujdesjeje për t’i qëndruar afër personit që po të merr që është deri në gjunjë në ujë brenda shtëpisë. Edhe në këtë aspekt duhet bërë punë”, tha Rama.

The post Përmbytjet, Rama: Nuk ka infrastrukturë që përballon goditjen e fillimit, por ka reagim që në momentin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bashkitë të rrisin angazhimin e strukturave operacionale në reagimin ndaj zjarreve

8 October 2024 at 11:29


TIRANË, 8 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga kryebashkiakët që të rrisin angazhimin e strukturave operacionale vendore në rastet e emergjencave civile.

Në një takim me kryetarët e bashkive, Rama u ndal te situata e zjarreve me të cilën u përball vendi gjatë muajve të verës.

Kryeministri vlerësoi se ka pasur përgjithësisht një rezistencë pozitive por edhe shfaqje dobësish që janë për t’u parë me sy kritik.

“Të gjitha prefekturat bëjnë një deklarim forcash në dispozicion. Nëse marrim prefekturën e Korçës dhe atë të Shkodrës, në prefekturën e Korçës janë deklaruar 1491 forca, ndërkohë që janë angazhuar 342 forca dhe ka kërkuar mbështetje nga FA, pa arritur të aktivizojë gati 70% të forcave të deklaruara aktive”, tha Rama.

Ndërkohë sipas tij, prefektura e Shkodrës që ka pasur disa emergjenca është me angazhimin me më të lartë të kapaciteteve vendore.

“Prefektura e Shkodrës ka përdorur më shumë kapacitete se ato të deklaruara dhe mbështetje nga FA ka kërkuar vetëm në pak raste specifike. Ajo që është shumë domethënëse është se rezultati në prefekturën e Korçës ku FA është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe aktivizimi i forcave të brendshme të deklaruara në komunitet ka qenë i dobët, pavarësisht shpenzimit të madh të energjive, rezultatet kanë qenë më të dobëta se sa në Shkodër”, shtoi Rama.

Kjo, sipas tij, tregon se duhet strukturim, koordinim dhe trajnim i vazhdueshëm.

“Duhen bërë stërvitje. Nuk mundet dot ne të mbajmë Shqipërinë pa zjarre, por duhet të luftojmë për çdo rrënjë peme që mund të shpëtohet. Çfarë nuk mund të shpëtohet për shkak të koordinimit është dështim që ne nuk kemi si ta justifikojmë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes që të ndërtohet një plan pune për të konverguar të gjithë energjitë e nevojshme mes emergjencave kombëtare dhe emergjencave lokale, si dhe fillimin e një kalendarizimi të trajnimeve dhe aftësimit, duke krijuar një sistem komunikimi efikas që të gjithë të dinë kush bën çfarë.

The post Rama: Bashkitë të rrisin angazhimin e strukturave operacionale në reagimin ndaj zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 October 2024Main stream

Përmbytjet, dega e PD-së Vlorë kallëzim në Prokurori për shpërdorim detyre

7 October 2024 at 16:05

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Partia Demokratike e degës së Vlorës bëri një kallëzim në Prokurorinë e rrethit lidhur me përmbytjet në qytetin bregdetar prej shirave të 4 tetorit.

Në një prononcim për mediet, kryetari i Partisë Demokratike dega Vlorë, Atird Hoxha u shpreh se kanë depozituar një kallëzim në prokurori me një sërë faktesh për përmbytjet nga reshjet e 4 tetorit.

“Ky hap vjen nga PD e Vlorës për drejtësi dhe përgjegjësi sa i takon dëmeve. Kërkojmë që prokuroria të veprojë më shpejtësi, pasi pavarësisht se ditët kalojnë nuk kemi parë prokuror në terren”, u shpreh ai.

Hoxha tha se prokuroria duhet të kryejë marrjen e provave në terren, ndërsa institucionet shtetërore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të minimizuar dëmet në pronat e qytetarëve dhe të marrë përgjegjësi për dëmet.

“Këto përmbytje nuk kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të pretenduara nga kryetari i bashkisë. Ka ardhur si neglizhencë e mos veprimit të cilin institucione duhet të kishin ndërmarrë si kanalizimet e ujërave të sipërme që çeduan gjatë 4 tetorit dhe duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Sipas tij, “kallëzimi ka për qëllim nisjen e hetimeve, ku mund të merren të gjithë në shqyrtim, që nga kreu i bashkisë tek emergjencat civile dhe OSHEE”.

“Përgjegjësit duhet t’i nxjerri prokuroria. Kemi nxjerrë fakte dhe prova në terren që i kemi vënë në dispozicion. Vihemi në dispozicion kur ta regjistrojnë hetimin. Duhet të kishte nisur duhet të kishte veprime konkrete. Deri tani nuk ka asnjë njoftim për nisjen e hetimeve. Sot kemi depozituar këtë kallëzim në emër të PD-së për shpërdorim detyre”, tha ai. /m.m/

The post Përmbytjet, dega e PD-së Vlorë kallëzim në Prokurori për shpërdorim detyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati i Popullit me grupe monitorimi në terren: Të sigurojmë protestë paqësore

7 October 2024 at 15:48

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të misionit të tij për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, ka marrë masa të veçanta për monitorimin e protestës kombëtare që organizohet sot nga opozita në Tiranë.

Në këtë kuadër, Avokati i Popullit njofton se do të qëndrojnë në terren pesë grupe monitorimi, të cilat do të ndjekin nga afër zhvillimet në zonat ku do të realizohet protesta.

Po ashtu, një grup tjetër monitorimi është ngarkuar për të ndjekur raportimet online dhe live të mediave, me qëllim të vlerësimit të saktë të ecurisë së ngjarjeve në kohë reale.

Gjithashtu, katër grupe monitorimi, pas protestës, do të jenë prezent në komisariatet e policisë për të siguruar mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të qytetarëve që mund të ndalohen apo shoqërohen gjatë protestës.

Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe të protestojë paqësisht, pa frikë nga represioni apo dhuna. Në këtë drejtim, apelojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për të siguruar një protestë paqësore, ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve të respektohen plotësisht”, thuhet në njoftim.

Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve përkatëse që të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar standardet e ndërhyrjes së nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë, pa cenuar të drejtat e qytetarëve.

Gjithashtu, Avokati i Popullit u bën thirrje protestuesve që të demonstrojnë paqësisht, duke respektuar jo vetëm të drejtat e tyre, por edhe ato të qytetarëve të tjerë.

“E drejta për protestë duhet të bashkëjetojë me detyrimin për të respektuar rendin dhe sigurinë publike. Monitorimi i Avokatit të Popullit do të jetë i pandërprerë deri në përfundimin e plotë të protestës”, përfundon njoftimi.

/m.m/

The post Avokati i Popullit me grupe monitorimi në terren: Të sigurojmë protestë paqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ paraqet pilotimin e votimit elektronik në konferencën ndërkombëtare në Spanjë

7 October 2024 at 14:19

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Eksperienca me pilotimin e votimit elektronik në Shqipëri u prezantua së fundi nga Komisoni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë edicionit të nëntë të konferencës kryesore ndërkombëtare për ekspertët e votimit elektronik nga e gjithë bota (E-Vote-lD), që u zhvillua në Tarragona, Spanjë, në datat 2-4 tetor.

Në këtë forum ndërdisiplinor dhe të hapur të të gjitha çështjeve që lidhen me votimin elektronik duke përfshirë, por pa u kufizuar në teknologjinë e aplikuar në qendrat e votimit, kioskat, skanerët e fletëvotimeve dhe votimin në internet, KQZ prezantoi eksperiencën e pilotimit të votimit elektronik në Shqipëri në proceset zgjedhore të vitit 2021, 2022 dhe 2023.

“Ndër të tjera, pilotimi për zgjedhjet e organeve të qeverisjes të datës 14 maj 2023 tregoi se aplikimi i votimit elektronik duhet shoqëruar me fushata edukimi dhe familjarizimi të zgjedhësve me teknologjinë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Po ashtu, KQZ vëren se koha e daljes së rezultatit në rastin e numërimit elektronik është shkurtuar shumë, ndërsa trajnimi i thelluar i stafit të qendrave të votimit të përfshirë në proces është i një rëndësie themelore.

/m.m/

The post KQZ paraqet pilotimin e votimit elektronik në konferencën ndërkombëtare në Spanjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj në Universitetin Bujqësor: Jeni brezi që do të ndërtojë Shqipërinë e së nesërmes

7 October 2024 at 13:05

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025, ndërsa zgjodhi të përshëndesë studentët dhe pedagogët këtë vit nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, një nga më të vjetrit në Shqipëri dhe i pari në të gjitha rankimet kombëtare e ndërkombëtare.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj këshilloi studentët të përkushtohen në studime për të dhënë modelin e arritjes së suksesit përmes mundit që shpërblehet dhe jo përmes rrugës së shkurtër të arritjeve pa meritë.

Presidenti inkurajoi studentët të ndjekin shembuj motivues.

Presidenti i Republikës përgëzoi të rinjtë që kanë zgjedhur të qëndrojnë e të studiojnë në Shqipëri, ndërsa vlerësoi si detyrim të autoriteteve shtetërore plotësimin e kushteve të jetës universitare, si dhe garantimin e tregut të punës.

“Ju jeni brezi që do të ndërtojë Shqipërinë e të nesërmes, një Shqipëri të zhvilluar, të qëndrueshme e të fortë, dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që dëshironi. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj. Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, – u shpreh, ndër të tjera, Presidenti Begaj, i cili, duke iu referuar avancimit të pandalshëm të teknologjisë, theksoi se të rinjtë shqiptarë duhet të përgatiten për sfidat e të ardhmes duke thelluar njohuritë dhe përvetësimin e aftësive të reja.

Presidenti i Republikës inkurajoi studentët të fokusohen në jetën universitare dhe të kërkojnë çdo të drejtë që u përket.

Gjithashtu, Presidenti u kërkoi drejtuesve të universiteteve dhe pedagogëve të jenë udhërrëfyes dhe frymëzues për të rinjtë përmes promovimit të lirisë akademike, investimeve në kërkimin shkencor dhe rritjes së cilësisë së edukimit, një nga elementët thelbësorë për rininë shqiptare.

/m.m/

The post Begaj në Universitetin Bujqësor: Jeni brezi që do të ndërtojë Shqipërinë e së nesërmes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, Rama ndan fotot

7 October 2024 at 12:41

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar po vijojnë me ritme të larta, ndërsa brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë së Teatrit.

I konsideruar si një vepër arti e arkitekturës moderne, Teatri i ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga kantieri i punës për Teatrin e ri Kombëtar, i projektuar nga arkitekti me famë botërore, Bjarke Ingels, e cila pritet të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.

/m.m/

The post Kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, Rama ndan fotot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i ri akademik, Meta: Nevojitet depolitizim i sistemit arsimor

7 October 2024 at 11:45

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot fillimin e vitit të ri akademik për studentët të cilët ulen sot për herë të parë në auditoret e universitetit dhe stafet pedagogjike.

Meta theksoi se universitetet duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithanshëm.

Por sipas tij, “vit pas viti Qeveria e ka goditur fort arsimin universitar duke tkurrur auditoret me axhendën e qëllimshme të shpopullimit, duke dëmtuar rëndë kërkimin shkencor me mosbuxhetimin e duhur dhe duke braktisur profesorët, që ende nuk kanë paga dinjitoze”.

“Ndaj dhe viti i ri akademik nisi sot me protesta, të cilat i mbështes dhe i inkurajoj sepse është koha që zëri i studentëve dhe pedagogëve të dëgjohet fort. Depolitizimi i sistemit arsimor, veçanërisht çrrënjosja e “patronazhimit” është domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar, ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri”, u shpreh ai.

Meta theksoi se arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe “Partia e Lirisë e ka prioritet kryesor për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres, të ardhme të sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë”.

/m.m/

The post Viti i ri akademik, Meta: Nevojitet depolitizim i sistemit arsimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

1 vit nga sulmi i Hamasit në Izrael, Hasani: Palët të punojnë për zgjidhje gjithëpërfshirëse

7 October 2024 at 09:45

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në 1-vjetorin e sulmit tragjik terrorist të Hamasit në Izrael, bëri thirrje që  të gjitha palët të punojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, që garanton paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Ministri Hasani konfirmoi se “Shqipëria është e vendosur në thirrjen e saj për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”.

“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë të palëkundur për ata që janë ende në robëri dhe të dashurit e tyre”, u shpreh ai.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor konsiderohet masakra më e madhe antisemite e shekullit. Mëngjesin e 7 tetorit 2023, Hamasi organizoi një sulm në festivalin e muzikës Nova në Izrael, ku u masakruan më shumë se 350 të rinj.

The post 1 vit nga sulmi i Hamasit në Izrael, Hasani: Palët të punojnë për zgjidhje gjithëpërfshirëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha uron vitin e ri akademik: Reformim i thellë në programin tonë për arsimin e lartë

7 October 2024 at 09:37

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha uroi sot studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri universitar.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha u shpreh se “arsimi ndodhet në një krizë të thellë, me shumë degë të mbyllura për shkak të mungesës së studentëve, pasojë e shpopullimit dramatik që po pëson vendi”.

Sipas tij, buxheti është në nivelin më të ulët, vetëm 2.4%, çka tregon mungesën e vullnetit dhe strategjisë për të adresuar problematikat e pedagogëve dhe studentëve.

“Në programin e Demokratëve Euroatlantikë arsimi universitar do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila do të synojë që universitetet shqiptare të prodhojnë jo thjesht të rinj me diploma, por profesionistë për një treg pune në ekonominë e së ardhmes”, theksoi ai.

Basha theksoi se programi i PD-Demokratët Euroatlantikë parashikon kampuse kombëtare në 4 qytete ku 25 mijë të rinj do të trajnohen në fusha prioritare të teknologjisë.

“10.000 të rinj do të përfitojnë stazhe me pagesë pas përfundimit të shkollës së lartë. Parashikohet rikonceptimi i ligjit të Arsimit të Lartë, në bashkëpunim me botën akademike, ekspertët më të mirë dhe studentët shqiptarë; dyfishimi i buxhetit për Arsimim e Lartë; modernizimi i infrastrukturës mësimore; bursë e plotë për çdo student në familjet me të ardhura të ulëta; bursë e plotë për studentët ekselentë; rritje të rolit të studentëve në zgjedhjet universitare, vlera e votës e të cilëve shkon deri në 30%”, theksoi Basha.

The post Basha uron vitin e ri akademik: Reformim i thellë në programin tonë për arsimin e lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌