Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kosova pret Rumaninë, skuadrën e një prej vendeve që nuk e njohin shtetin më të ri në Europë!

6 September 2024 at 15:56

Kosova do të presë sot Rumaninë për ndeshjen hapëse të saj për Ligën e Kombeve. Në pamje të pare një ndeshje futbolli, asgjë për tu veçuar në aspektin politik, por në rajonin e Europës Lindore dhe në pak vende të tjera në Botë, emri i Kosovës ende nuk është i konsoliduar, madje politika e këtyre shteteve, përfshirë Rumaninë, nuk e njeh ende si shtet i pavarur. Këto dy skuadra si për ironi të fatit ishin edhe në eliminatoret e Europianit të edicionit të shkuar dhe gjërat nuk kaluan lehtë.

Ndeshja e 12 shtatorit të vitit të kaluar në Bukuresht la shije të hidhur te lojtarët e Kosovës. Humbja nga Rumania ua shoi lojtarëve të Kosovës ëndrrën për t’u kualifikuar në Evropianin që u zhvillua rreth 2 muaj më pare në Gjermani.

Humbja nga Rumania nuk ishte goditja e vetme që lojtarët e Kosovës morën në Bukuresht. U goditën rëndë edhe në tribuna nga tifozët rumunë.

Muriqi dhe të tjerët u ballafaquan edhe me pankarta anti-Kosovë dhe thirrje “Kosova është Serbi” nga huliganët e grupit “Uniti sub tricolor”. Pankartat dhe thirrjet anti-Kosovë bënë që ndeshja e luajtur vitin e kaluar në Bukuresht të ndërpritej për 50 minuta. Kosova e humbi ndeshjen 2:0.

Por, për Muriqin, nuk është koha për t’i revanshuar rumunët në tribuna. Ai thotë se “hakmarrja” duhet të merret në fushë. “Besoj se ndeshja do të jetë e rëndësishme për të dyja ekipet. Rumania dhe Kosova janë favorite për ta zënë vendin e parë. Nëse e nisim mbarë me fitore, do të bëjmë hap të madh dhe të rëndësishëm për të përfunduar si lider”, tha sulmuesi i Mallorcas, i cili beson se Kosova ka forcë dhe skuadër për ta mposhtur Rumaninë.

Megjithatë gjërat janë ndryshe këtë here, Kosova e pret Rumaninë në kryeqytetin e saj Prishtinë, si shtet i pavarur, në një stadium të madh si “Fadil Vokrri”, ndryshe nga si i pritën ata në Bukuresht, në një atmosferë feste dhe vetëm sportive, larg politikës. Ndeshja e cila nis nga ora 20:45 i takon Grupit 2 të Ligës C, të Ligës së Kombeve të UEFA-së.

The post Kosova pret Rumaninë, skuadrën e një prej vendeve që nuk e njohin shtetin më të ri në Europë! appeared first on Gazeta Si.

Kanosi një shtetas për t’i 200 marrë mijë euro, arrestohet 32-vjeçari në Belsh i shpallur në kërkim

6 September 2024 at 11:44

Policia e Elbasanit ka arrestuar një 32-vjeçar të shpallur në kërkim, i cili akuzohet se në bashkëpunim me vëllain e tij, 1 vit më parë, kanosën një 34-vjeçar, që ai t’iu jepte 200 000 euro.     

Në pranga përfundoi shtetasi në kërkim E. D., 32 vjeç, banues në Belsh. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’.

Shtetasi E. D., më datë 12.08.2023, në bashkëpunim me vëllain e tij (i arrestuar më parë, në kuadër të operacionit “Pressure”), dyshohet se kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

The post Kanosi një shtetas për t’i 200 marrë mijë euro, arrestohet 32-vjeçari në Belsh i shpallur në kërkim appeared first on Gazeta Si.

SHBA e BE sjellin misionet për komisionin ‘Xhafaj’. Dy emrat që ‘marrin’ në dorë procesin anti-korrupsion

6 September 2024 at 11:26

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë caktuar misionet përkatëse të asistencës të cilat do të monitorojnë dhe asistojnë veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.

A2 mëson se në krye të misionit të SHBA do të jetë drejtuesja e misionit të OPDAT, Mary Kate.

Ndërsa në krye të misionit të Bashkimit Europian, A2 mëson nga burime, se do të jetë Agnes Bernhard, një emër i njohur për shqiptarët si ish drejtuese e misionit të EURALIUS, e cila punoi gjatë implementimit të reformës në drejtësi disa vite më parë.

A2 bën me dije se krahas këtyre dy misioneve, janë përcaktuar dhe pritet të mbërrijnë në Tiranë ekspertët e caktuar nga Këshilli i Europës dhe OSBE-së.

Ekspertët ndërkombëtar pritet që javën e ardhshme të bëhen pjesë e procesit duke ju bashkuar Grupit të ekspertëve shqiptar të nivelit të lartë, ku marrin pjesë ekspertë të shoqërisë civile, pedagogë të njohur të universitetit, ekspertë të institucioneve të pavarura dhe të organizatave të komunitetit të biznesit. Grupet e ekspertëve kanë filluar punën gjatë muajit gusht dhe janë në fazën e hartimit të analizës, skanimit të situatës aktuale bazuar ne gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të BE-së.

Sakaq, ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato, konfirmoi ditën e djeshme angazhimin e delegacionit.

“…BE-ja do të angazhohet me komisionet e posaçme parlamentare – për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, si dhe për luftimin e dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në procesin demokratik – me synimin për të siguruar koherencë të plotë me angazhimet e Shqipërisë për anëtarësim në BE…”, nënvizonte ndër të tjera Gonzato.

Në maj të këtij viti Kuvendi miratoi një rezolutë e cila synonte krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, me qëllim goditjen e korrupsionit dhe reformimin e administratës.

Në krye të komisionit u vendos ish drejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, teksa kryeministri Edi Rama e prezantoi si një nismë e cila nevojitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Komisioni u shoqërua me një sërë kritikash në media ku zëra të ndryshëm pretenduan se po tentohej ndërhyrja në punën e institucioneve të reja të drejtësisë.

Megjithëse, përbërja e komisionit të ri kërkon gjashtë anëtarë nga shumica parlamentare dhe pesë nga opozita, deri më tani këta të fundit kanë refuzuar t’i bashkohen. (A2CNN)

The post SHBA e BE sjellin misionet për komisionin ‘Xhafaj’. Dy emrat që ‘marrin’ në dorë procesin anti-korrupsion appeared first on Gazeta Si.

SHBA paralajmëron hakerët rus: E dimë kush jeni, do t’u gjejmë

6 September 2024 at 11:26

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj pesë oficerëve të zbulimit rus dhe një shtetasi civil rus në lidhje me një sulm të madh kibernetik, i cilësuar nga prokurorët amerikanë si goditja e parë e Kremlinit në luftën kundër Ukrainës.

Të enjten, Departamenti i Drejtësisë akuzoi rusët për kryerjen e e sulmit dashakeqës “WhisperGate” në janar të 2022 që synonte të dobësonte infrastrukturën civile të Ukrainës përpara sulmit rus një muaj më pas.

“Sulmi WhisperGate pati si objektiv infrastrukturën civile dhe sistemet kompjuterike ukrainase krejtësisht të palidhura me ushtrinë ose mbrojtjen kombëtare, që përfshijnë agjencitë qeveritare përgjegjëse për shërbimet e urgjencës në Ukrainë, sigurinë ushqimore dhe arsimin, duke synuar dëmtimin e moralit të ukrainasve”, tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Matthew Olsen.

Sulmi “mund të konsiderohet si goditja e parë luftës”, tha agjenti i posaçëm i FBI-së, Bill DelBagno, duke folur së bashku me zotin Olsen gjatë një konference për shtypin në Baltimor të Merilendit.

Akuza e bërë publike të enjten është rezultat i një operacioni të FBI-së të koduar “Ushtarët lodër”, bazohet në akuzat e ngritura fillimisht në qershor kundër 22-vjeçarit rus Amin Stigal, një civil i akuzuar se ka kryer sulm kibernetik për të ndihmuar inteligjencën ruse përpara agresionit ndaj Ukrainës.

Si pjesë e sulmit, Amin Stigal dhe agjentët e Njësisë 21955 të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ruse, ose GRU, përdorën infrastrukturën kibernetike të disa kompanive me bazë në SHBA për kryer ato që fillimisht dukej të ishin sulme “ransomware”, sulme në të cilat hakerat kërkojnë para në këmbim të informacioneve të vjedhura, por që synonin në fakt të fshinin të gjitha të dhënat kritike.

Sipas aktakuzës, me Amin Stigalin kanë bashkëpunuar agjentët rusë të njësisë GRU: Vladislav Borovkov, Denis Denisenko, Yuriy Denisov, Dmitriy Goloshubov dhe Nikolay Korchagin.

Zyrtarët e FBI-së thanë se njësia GRU ka operuar gjithashtu me emrat Cadet Blizzard, Ember Bear dhe Dev-0586, duke kryer sulme kibernetike në infrastrukturën kritike në të gjithë Evropën, Amerikën Qendrore dhe Azi.

Përveç akuzave të reja, zyrtarët amerikanë thanë se po ofrojnë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi secilin nga rusët e akuzuar.

Zyrtarët thanë se po bashkëpunojnë me Interpolin për të dërguar të dhëna që mund të ndihmojnë në arrestimin e gjashtë rusëve.

“I kemi futur në rreth. Ne e dimë se kush janë ata. Ka një shpërblim mbi ta dhe ne do t’i ndjekim pa pushim”, tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Matthew Olsen.

“Mesazhi është i qartë”, tha ai,“për njësinë GRU, e dime kush jeni e do u gjejmë”.

Ambasada ruse në Uashington nuk i është përgjigjur një kërkese të Zërit të Amerikës për koment.

Një zyrtar kryesor ukrainas vlerësoi aktpadinë e SHBA-ve dhe punën shumëkombëshe që ndihmoi në ngritjen e akuzave.

The post SHBA paralajmëron hakerët rus: E dimë kush jeni, do t’u gjejmë appeared first on Gazeta Si.

‘Karnavalet e Korçës’, shfaqja më e mirë e Festivalit të 11 të Komedisë ‘KoKo Fest’

5 September 2024 at 13:29

Përfundoi edicioni i 11-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë “KoKo Fest” në Korçë.

Artistë dhe trupa teatrore nga i gjithë vendi dhe rajoni u bënë pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme.

Në fund u ndanë edhe çmimet

Fitues të këtij edicioni të “KoKo Fest”:

Shfaqja më e mirë – “Karnavalet e Korçës”

Regjia më e mirë – Fatos Berisha

Çmimi i karrierës – Leka Bungo

Aktorja protagoniste më e mirë – Zamira Kita

Aktori protagonist më i mirë – Armand Morina

Aktorja joprotagoniste më e mirë – Paola Kodra

Aktori joprotagonist më i mirë – Ard Islami

Aktori i ri më i mirë Urim Aliaj

Aktorja e re më e mirë – Ilda Pepi

The post ‘Karnavalet e Korçës’, shfaqja më e mirë e Festivalit të 11 të Komedisë ‘KoKo Fest’ appeared first on Gazeta Si.

Kuqezinjtë drejt Pragës, trajneri i Ukrainës: Shqipëria ishte e pafat në Europian, por…!

5 September 2024 at 12:01

Nga Gazeta Si –Përfaqësuesja shqiptare niset pasditen e sotme drejt Pragës ku është përcaktuar si fushë asnjëanëse për të zhvilluar ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve me Ukrainën, vend i cili prej nisjes së luftës me Rusinë luan jashtë vendit të saj.

Kuqezinjtë në këtë start të një prej aktiviteteve të rëndësishme të futbollit të kontinentit do t’i duhet të përballet me shumë ndryshime krahasuar me kualifikueset dhe me finalet e Euroianit për shkak të mungesave dhe jo vetëm.

Skuadra jonë kombëtare do të jetë pa disa prej lojtarëve të sajë kryesorë në këto dy ndeshje të para të muajit shtator, për Ligën e Kombeve.

Pa filluar gurmbullimi u dëmtua Armando Broja, i cili u zëvendësua më pas me Myrto Uzunin. Në ditën e parë të stërvitjes në Tiranë u dëmtua kapiteni Bert Gjimshiti që u rikthye tek skuadra e tij Atalanta dhe u zëvendësua me mbrojtësin e kombëtares U21, Adrian Bajrami. Gjithashtu nuk do të jetë sërish Keidi Bare. Mungon Ernest Muçi për zgjedhje teknike. Arlind Ajeti vjen pas një dëmtimi të gjatë. Ndërkohë që Enea Mihaj ka vetëm 48 orë me skuadrën, pasi mbërriti i fundit në këtë grumbullim.

Megjithatë skuadra duket shumë e motivuar dhe paraditen e sotme ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Tiranë përpara nisjes. Në Pragë pasditen e nesërme do të zhvillohet seanca e fundit zyrtare dhe konferenca e trajnerit e kapitenin përpara takimit.

Ndërkohë të mërkurën kombëtarja ukrainase zhvilloi stërvitjen e parë me grupin e plotë në Pragë. Në kryeqytetin çek, aty edhe ku do të zhvillohet sfida e parë e vlefshme për Ligën B, të Nations League, mes Ukrainës dhe Shqipërisë, ishin për herë të parë nën urdhrat e teknikut Rebrov të gjithë lojtarët e thirrur për dy duelet e para.

Edhe skuadra ukrainase vjen me objektiva të qarta, atë për ta fituar grupin, ku bën pjesë edhe kombëtarja jonë, Republika Çeke dhe Gjeorgjia.

Rebrov në prag të sfidës së parë ndaj Shqipërisë foli me superlative për kuqezinjtë.

“Mendoj se Shqipëria ishte shumë e pafat në shortin e Europianit, të gjithë kundërshtarët ishin të një niveli të lartë, në të gjitha ndeshjet ata mbrojtën mirë. Por në fazën kualifikuese, ata luajtën me shumë besim, ata kanë një lojë intensive. Të gjithë lojtarët luajnë në Europë, thuajse i gjithë ekipi titullar luan në kampionatin italian”, tha ai.

The post Kuqezinjtë drejt Pragës, trajneri i Ukrainës: Shqipëria ishte e pafat në Europian, por…! appeared first on Gazeta Si.

Starton Liga e Kombeve, Spanja fillon nga Beogradi misionin për të ruajtur kurorën!

5 September 2024 at 11:39

Emri i Luis de la Fuentes është tashmë i shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit spanjoll. “Euro 2024” i fituar këtë verë në Berlin e vendos atë në një vend që ai e ndan vetëm me Hose Vijalongën, Luis Aragones dhe Visente del Bosken.

Është pikërisht ky grupi i trajnerëve që kanë arritur të shpallin kampione Spanjën, qoftë botëror apo europian. Luis de la Fuente nuk ka nevojë për rekorde të veçanta për të qëndruar në një shkallë ndeshur me trajnerët më të mirë që kanë kaluar në stolin e kombëtares spanjolle. Por ai e ka një të afërt.

Ato kanë 13 fitore radhazi në ndeshjet zyrtare të “La Roja”-s, sepse për UEFA-n dhe FIFA-n, ndeshjet e zgjidhura në penallti, ku Spanja mposhti Kroacinë në finalen e Ligës së Kombeve në vitin 2023, llogariten si barazime. Kjo është shifra me të cilën De la Fuente përballet me fillimin e mbrojtjes së Ligës së Kombeve që Spanja fitoi, nën komandën e tij, në qershor 2023. Në Beograd, sonte në mbrëmje dhe në Gjenevë, të dielën, ai mund të barazojë dhe kalojë serine më të mirë të një trajneri spanjoll.

DY HUMBJE – Që kur Luis de la Fuente mori drejtimin e kombëtares, Spanja ka luajtur 21 ndeshje, 17 prej tyre zyrtare. Vetëm dy humbje shfaqen në kolonë: miqësorja kundër Kolumbisë në Londër dhe në “Hampden Park”, kundër Skocisë në kualifikueset e “Euro 2024”. Humbja kundër skocezëve në mars 2023, e vendosi atë në një situatë të komplikuar edhe pse ishte vetëm ndeshja e tij e dytë. Ajo mbetet deri më tani humbja e vetme në 17 ndeshjet zyrtare të De la Fuentes. Pjesa tjetër janë fitore. Prej tyre, 13 radhazi.

EUROPIANI PERFEKT – Spanja u shpall kampione e Europës më 15 korrik në Berlin, duke vendosur një rekord: shtatë fitore në shtatë ndeshje, si askush tjetër në histori në një kampionat europian. Shtatë fitoreve në Gjermani i shtohen edhe gjashtë të tjera radhazi midis shtatorit dhe nëntorit 2023 për kualifikueset e “Euro 2024”- ës.

DEL BOSKE – Seria e gjatë e Spanjës së De la Fuentes e vendos këtë grup vetëm një fitore larg 14 sukseseve zyrtare radhazi të arritur nga Spanja e Del Boskes. Me të vetmin trajner që e ka çuar Spanjën në majën të botës, skuadra fitoi të gjitha ndeshjet e saj mes humbjes kundër Zvicrës në ndeshjen e pare në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut dhe 1-1 kundër Italisë në ndeshjen e parë të “Euro 2012”. Gjashtë fitore në Botërorin e Afrikës së Jugut dhe kualifikimi për Europianin e vitit 2012 në Ukrainë dhe Poloni përfaqësojnë një barrierë në historinë e ekipit që tani mund të arrihet nëse Spanja mposht Serbinë sonte në mbrëmje në Beograd dhe fiton në shtëpinë e Zvicrës të dielën e ardhshme

The post Starton Liga e Kombeve, Spanja fillon nga Beogradi misionin për të ruajtur kurorën! appeared first on Gazeta Si.

Sylvinho e nis ‘mbrapsh’ Ligën e Kombeve. Shumë mungesa, duhen arrnime!

4 September 2024 at 11:47

Nga Gazeta Si – Liga e Kombeve fillon me shumë probleme për kuqezinjtë dhe Sylvinhos do t’i duhet të fillojë me “arrnimet” e pikës më të fortë të kuqezinjëve, që është mbrojtja.

Berat Gjimshiti do të mungojë për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimit që në ndeshjen e parë të kontrollit, në ditën 1 të grumbullimit në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Kapiteni kuqezi pësoi një dëmtim në seancën stërvitore të së hënës gjatë një testi miqësor me ekipin U-21 dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve mjekësore. Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Kapiteni kuqezi është rikthyer te klubi i Atalantës për të nisur menjëherë rikuperimin.

Në këto kushte, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin e Kombëtares U21, Adrian Bajramin, i cili u stërvit dje me ekipin ndërkohë që aktivizohet në Portugali tek Benfika B, por që gjysmën e edicionit të shkuar e mbylli me dëmtime. Kjo e bën atë një zgjidhje emergjente, por jo shumë të sigurtë.

Një mungesë e rëndësishme, duke kujtuar që edhe Arlind Ajeti nuk ishte i disponueshëm pasi sapo është rikthyer nga një dëmtim. Kështu që qendra e mbrojtjes kuqezi që luajti nga minuta e parë në të trija ndeshjet e Kampionatit Europian nuk është më.

Asnjë minutë në Europian duke mos u preferuar, Silvinjo tani duhet t’i besojë Ardian Ismajlit, i cili do të jetë titullar dhe do të shoqërohet nga Marash Kumbulla, gjithashtu pas një periudhe të gjatë problemesh fizike, ndryshimesh skuadrash që kanë sjellë një rënie të ndjeshme rendimenti. I vetmi lajmi i mirë është se Kumbulla ka filluar të luajë rregullisht në ndeshjet e para me Espanjolin dhe kjo është një garanci më shumë. Për të plotësuar këtë repart, do të jetë Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj ata që do ta nisin nga minuta e parë në duelin me Ukrainën më 7 shtator, ndërkohë që edhe Enea Mihaj është i  fundit që ju bashkua sot ekipit, gjithashtu me mungesë minutash dhe ndryshime klubi.

Ja se cilat mund të jenë dy variantet që trajneri Sylvinho do të përdor të paktë në ndeshjen e parë

Qazim Laçi tregoi se është një lojtar i denjë për vendin e titullarit dhe këtë e bëri në Kampionatin Europian, një turne i përmasave të mëdha, ku edhe rëndësia e ndeshjeve është tepër e lartë. Ndërkohë me Asllanin dhe Ramadanin të cilët do të jenë nga fillimi, dilema e Silvinjos është nëse do t’i besojë Laçit nga minuta e parë dhe të spostojë Bajramin në krah, por me këtë variant do të sakrifikohej Arbër Hoxha i cili është në formë të mirë.

Ruajtja e Laçit për në pjesën e dytë, ku mund të ndihmojë skuadrën kur energjitë të kenë rënë, do të ishte më i favorshëm për krahun, sepse Bajrami do të futej te treshja e mesfushës me Ramadanin dhe Asllanin, ndërsa në krah do ta niste nga fillimi Seferi ose Hoxha, me këtë të fundit që është më i avantazhuar.

Sa i përket krahut tjetër, Asani është i konfirmuar, ndërsa në majën e sulmit do të jetë Rei Manaj, duke shtuar këtu mungesën e Armando Brojës dhe thërritjen me urgjencë të Myrto Uzunit, i cili për trajnerin në kombëtare tashmë do të ketë vend vetëm nëse mungon ndonjë sulmues, sepse roli i  beratasit në krah është i ezauruar.

Gjithashtu në sulm nuk është thërritur këtë herë as Ernest Muçi, një tjetër lojtar që konsiderohej si një alternativë shumë e mirë në repartin ofensiv.

The post Sylvinho e nis ‘mbrapsh’ Ligën e Kombeve. Shumë mungesa, duhen arrnime! appeared first on Gazeta Si.

Seferi dhe Hoxha kërkojnë ‘ndihmën’ e tifozëve: Ejani na mbështesni!

4 September 2024 at 11:36

Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht ditën e hënë përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Ukrainës (7 shtator, “Epet Arena”) dhe Gjeorgjisë (10 shtator, “Air Albania”), të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Në kuadër të këtyre dy sfidave të rëndësishme për kuqezinjtë, sulmuesi Taulant Seferi dhe mesfushori Arbër Hoxha dhanë prononcimet e tyre për Fshf.org, duke treguar objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticion dhe se si po shkojnë përgatitjet e Kombëtares.

Arbër Hoxha u shpreh se skuadra po përgatitet maksimalisht për të marrë rezultate pozitive në këto dy ndeshje të para të Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Mesfushori kuqezi vlerëson dy kundërshtarët ndërsa tregon objektivat e Kombëtares në këtë edicion të ri të Ligës së Kombeve, që është vendi i parë në grup. Ndër të tjera, Hoxha i bën thirrje tifozëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, më 10 shtator.

Ndeshja me Ukrainën – Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.

Sfida me Gjeorgjinë në “Air Albania”– Është një ndjenjë e madhe sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin “Air Albania”. I bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe të mbushin stadiumin.

Objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve? – Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi skuadra shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin gjithmonë për Kombëtaren tonë.

Taulant Seferi tregon se përgatitjet për dy ndeshjet e para në Nations League po shkojnë shumë mirë dhe shton se për momentin fokusi kryesor është te takimi në transfertë ndaj Ukrainës.

“Kemi nisur grumbullimin dhe kemi dy ndeshje. Ukraina dhe Gjeorgjia janë dy kundërshtarë shumë të fortë. Kemi filluar përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Ukrainës dhe po shkojnë shumë mirë. Kemi edhe disa ditë për të marrë më shumë informacion për ekipin kundërshtar dhe duhet të futemi në fushë për të dhënë maksiumumin. Të gjithë e dimë se Ukraina është një kombëtare fizike shumë e fortë dhe duhet të përgatitemi në maksimum. E njoh kampionatin e Ukrainës dhe disa lojtarë që luajnë atje, janë një kombëtare shumë fizike pasi atë stil loje kanë. Janë kundërshtar shumë i fortë dhe duhet të përgatitemi mirë për të dhënë maksimumin” – tha sulmuesi kuqezi, i cili shton se objektivi kryesor është për ta nisur me fitore ndaj Ukrainës.

“Objektivi kryesor i joni është që çdo ndeshje të japim maksimumin dhe shpresojmë që në ndeshjen e parë të dalim fitimtarë, pastaj të nisim përgatitjet për ndeshjen me Gjeorgjinë” – tha Seferi, i cili në fund ka edhe një thirrje për tifozët për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë në “Air Albania”.

“Ndeshjen në “Air Albania” mezi po e presim pasi kemi disa muaj që nuk kemi luajtur në Tiranë. I bëj thirrje tifozëve pasi asnjëherë nuk kanë munguar dhe e di që do të vijnë shumë, por shpresoj që stadiumi të jetë “full” edhe në këtë ndeshje” – përfundoi Taulant Seferi.

The post Seferi dhe Hoxha kërkojnë ‘ndihmën’ e tifozëve: Ejani na mbështesni! appeared first on Gazeta Si.

Arti në xham i artistes hungareze Yvette Botz tek Piramida e Tiranës

3 September 2024 at 13:38

Një prej aktiviteteve të para të Javës Kulturore Hungareze, ishte ekspozita e artistes Yvette Botz. Të pranishmit u zhytën në botën magjike të artit të xhamit nga Yvette Botz, një artiste që shkrin mjeshtërinë me vetitë unike të këtij materiali për të krijuar vepra të mbushura me ndriçim dhe formë.

Ekspozita e saj, e hapur gjatë gjithë Javës së Hungarisë ofron një rrugëtim vizual ku ngjyrat dhe hapësira bashkohen për të transformuar xhamin në art ekspresiv.

Mes krijimeve të saj, shfaqej edhe një skulpturë në xham, e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.

“Ambasada më ka ftuar me statujat e mia të xhamit të bëra me teknikën tiffany dhe është vërtet e rrallë, sepse askush nuk e bën diçka të tillë. Këto statuja janë pjesë e jetës sime dhe secila prej tyre tregon diçka për jetën time. Kam bërë diçka për Shqipërinë, një statujë për Skënderbeun. Është fat për ju shqiptarët, që ende keni në zemër atë që ky hero ka bërë për ju”, u shpreh artistja hungareze.

Në këtë ekspozitë ka vetëm 14 statuja, të cilat janë pjesë e një koleksioni privat. Yvette Botz e bën këtë punë prej 35 vitesh tashmë. Më herët ka punuar në vitrazhe kishash e ndërtesash dhe tashmë eshte fokusuar vetëm në statuja.

Java Kulturore Hungareze zhvillohet nga 1-6 shtator, në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare. (ATA)

The post Arti në xham i artistes hungareze Yvette Botz tek Piramida e Tiranës appeared first on Gazeta Si.

‘Nëpër gjurmët e Tasos’, Anastas Kostandini vjen me ekspozitë në COD

2 September 2024 at 13:24

 Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në Kryeministri, njoftoi çeljen e ekspozitës “Nëpër gjurmët e Tasos” të artistit Anastas Kostandini (Taso), të kuruar nga Rubin Kadiu. Ekspozita do të çelet më 4 shtator.

I ndikuar nga veprat e mjeshtërve, si Picasso, Dali dhe Kandinsky, Tasoja ngulmon për të bashkuar traditën me të renë, duke i hapur rrugën stilit të tij të veçantë.

“Kur reflektojmë mbi trashëgiminë artistike të tij, një pjesë mjaft e rëndësishme është edhe njohja e artistit me botën e Lasgushit dhe të Fan Nolit. Trashëgimia e tij do të shërbejë si një fener frymëzimi për brezat që do të vijnë”, thuhet nga COD.

Ekspozita fton të eksplorojmë sfera të njohura dhe fantastike të artistit dhe na udhëheq përmes një narrative të endur me simbolika, me ngjyra dhe teksturë, duke shpalosur thelbin e shpirtit të tij krijues e dukemanifestuar ndikimin e thellë në skenën e artit bashkëkohor.

Kuratori Rubin Kadiu shprehet se, nëpërmjet punimeve të guximshme të penelit dhe tështresave të mbivendosura, Taso i shndërron kanavacat në sixhade të gjalla, ku drita dhe hija bashkohen në një valle harmonike kontrastesh.

Anastas Kostandini lindi në Pogradec (29 korrik 1954), qytet ku jeton ende sot.

Në vitin 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Pikturë Monumentale). Një nga punimet më të njohura ku Tasoja është bashkautor, është mozaiku “Albania” në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 1991 iu dha titulli “Piktor i merituar”.

Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar një mori ekspozitash vetjake e kolektive. (ATA)

The post ‘Nëpër gjurmët e Tasos’, Anastas Kostandini vjen me ekspozitë në COD appeared first on Gazeta Si.

Dhurimi i veshkës është më i sigurt se ç’mendohej më parë

2 September 2024 at 11:28

Personat që dëshirojnë të dhurojnë veshkën e tyre përballen me një rrezik më të ulët vdekjeje pas operacionit, se ç’mendohej më parë nga mjekët, njoftuan studiuesit.

Studimi përmblodhi të dhënat e dhurimit të veshkave nga persona të gjallë përgjatë 30 viteve dhe zbuloi se deri në vitin 2022, më pak se 1 në çdo 10,000 dhurues vdiq brenda tre muajve nga bërja e operacionit. Qendrat e transplantimeve kanë përdorur deri më tani të dhëna më të vjetra – duke përmendur rrezikun e 3 vdekjeve për 10,000 dhurues të gjallë – në materialet ku informohen dhuruesit rreth komplikacioneve kirurgjikale që mund të kenë pasoja vdekjeprurëse.

“Dekada e fundit është bërë shumë më e sigurt në sallën e operacionit për dhuruesit e gjallë”, tha Dr. Dorry Segev, kirurg transplantesh në spitalin e Universitetit të Nju Jorkut “Langone Health” dhe bashkautor i studimit të botuar në revistën JAMA.

Teknikat më të reja kirurgjikale janë arsyeja kryesore, tha Dr. Segev, duke bërë thirrje që të përditësohen udhëzimet për të pasqyruar këto përmirësime të sigurisë – dhe ndoshta për të rritur interesimin për dhurimin e gjallë të organeve.

Ai përmend se sa shpesh marrësit e organit janë më të shqetësuar për rreziqet e mundshme për dhuruesit e tyre, sesa vetë dhuruesit e mundshëm.

“Për ta, kjo është edhe më qetësuese, që t’i lejojnë miqtë ose familjarët të dhurojnë për ta”, tha Dr. Segev.

Mijëra njerëz vdesin çdo vit ndërsa janë ende në pritje për një transplantim organesh. Është e mundur që dhuruesit e gjallë të japin një nga dy veshkat e tyre ose një pjesë të mëlçisë, që është organi i vetëm që ripërtërihet.

Me gati 90 mijë persona në Shtetet e Bashkuara në listën e pritjes për njëë veshkë, gjetja e një dhuruesi të gjallë jo vetëm që shkurton pritjen shumëvjeçare – këto organe gjithashtu mbijetojnë më gjatë se ato nga dhuruesit e vdekur.

Megjithatë vitin e kaluar, vetëm 6,290 nga mbi 27,000 transplantimet e veshkave në SHBA u dhuruan nga donatorë të gjallë, niveli më i lartë që nga periudha përpara pandemisë. Siguria nuk është e vetmja pengesë për dhurimin nga personat e gjallë. I tillë është edhe ndërgjegjësimi, pasi shumë pacientë hezitojnë të pyesin. Dhe megjithëse siguracioni shëndetësor i marrësit mbulon faturat mjekësore, disa donatorë përballen me shpenzime të tilla si udhëtimi, ose pagat e humbura, ndërsa rikuperohen pas transplantimit.

Ekipi i Universitetit të Nju Jorkut analizoi të dhënat në Shtetet e Bashkuara për mbi 164,000 dhurime të veshkave nga persona të gjallë nga viti 1993 deri në vitin 2022 dhe gjeti 36 vdekje pas operacionit. Më të rrezikuarit ishin dhuruesit meshkuj dhe ata me një historik tensioni të lartë të gjakut.

Vetëm pesë nga këto vdekje kanë ndodhur që nga viti 2013. Kjo periudhë përkoi me ndryshimin e procedurave në qendrat e transplantimit në SHBA, duke e bërë heqjen e veshkës me ndërhyrje më të vogël kirurgjikale dhe duke zbatuar një metodë më të mirë për të ndalur hemorragjinë, tha Dr. Segev.

“Me kalimin e kohës, është një operacion i sigurt që është bërë edhe më i sigurt” dhe është e rëndësishme që dhuruesit e mundshëm ta dinë këtë, tha Dr. Amit Tevar i Qendrës Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim.

Por ka edhe rreziqe afatgjata për t’u marrë parasysh, theksoi ai – përfshirë nëse veshka e mbetur e një dhuruesi pritet të zgjasë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tyre.

Rreziku që një dhurues të pësojë më vonë dështim të veshkës është gjithashtu i vogël dhe varet nga faktorë të tillë si obeziteti, tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit dhe historiku i sëmundjeve të veshkave në familje. Faktorët për përllogaritjen e rrezikut i ndihmojnë mjekët të përcaktojnë gjasat e një dhuruesi të mundshëm për komplikacione të mëvonshme në jetë dhe qendrat e transplantimit mund të kenë kritere disi të ndryshme për përshtatshmërinë.

“Nuk ekziston një gjë e tillë si një donator me rrezik të moderuar apo të lartë – ose je i përsosur ose jo”, është mënyra se si Dr. Tevar e merr vendimin për ta pranuar ose për të hequr dorë nga një dhurues i mundshëm.

Mjekët dikur mendonin se të rinjtë në moshë madhore ishin dhuruesi i gjallë ideal. Por Dr. Segev tha se ka një zhvendosje drejt dhuruesve më të vjetër të gjallë, sepse është më e lehtë të parashikohet saktë nëse do t’u mjaftojë veshka që u mbetet.

Nëse një dhurues i gjallë më vonë përjeton dështim të veshkave, atij i jepet përparësi për një transplantim, vuri në dukje Dr. Segev.

The post Dhurimi i veshkës është më i sigurt se ç’mendohej më parë appeared first on Gazeta Si.

Shtatori rikthen emocionet kuqezi, ndeshje zyrtare dhe miqësore

2 September 2024 at 11:03

Shtatori është muaji i emocioneve të mëdha, pasi në fushë do të zbresin sërish kuqezinjtë. Ky muaj do të jetë tejet impenjativ për ekipet Kombëtare, teksa në kalendar janë 9 ndeshje, disa zyrtare e të tjera miqësore.

Pas një sezoni të mbushur me emocione të mëdha që kulmoi me pjesëmarrjen e Shqipërisë në finalet e Europianit “Gjermani 2024”, Kombëtarja është gati për rrugëtimin e ri në UEFA Nations League. Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo do të luajë ndeshjen e parë në grupin B1 më 7 shtator në transfertë ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena” në Çeki. Tre ditë më pas, më 10 shtator, kuqezinjtë do të presin Gjeorgjinë në folenë kuqezi, në stadiumin“Air Albania”, në orën 20:45. Dy ndeshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, që synon maksimumin në UEFA Nations League.

Më 6 shtator në fushë do të zbresë edhe Shqipëria U-21. Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, do të luajë në transfertë ndaj Zvicrës U-21, sfidë e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2025”. Ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Stade de la Tuiliere”, në orën 19:30.

Shqipëria U-19 ka në program dy ndeshje miqësore ndaj Turqisë U-19 në datat 6 dhe 8 shtator. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj do të masin forcat përballë bashkëmoshatarëve të përfaqësueses së Turqisë për të testuar dhe kolauduar skuadrën me fokus eliminatoret e muajit nëntor ku do të përballen me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut. Të dy takimet miqësore do të zhvillohet në Turqi. Ndeshja e parë e kuqezinjve është programuar të luhet më 6 shtator në orën 16:00, ndërsa takimi i dytë është planifikuar të luhet dy ditë më vonë, më 8 shtator po në orën 16:00.

Edhe Shqipëria U-17 ka në program dy ndeshje miqësore ndaj Luksemburgut në datat 4 dhe 6 shtator. Kjo do të jetë edhe prova e parë për trajnerin e ri të përfaqësueses U-17, Andrea Tedesco përpara kualifikueseve të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” që do të luhen në muajin tetor në vendin tonë, ku kuqezinjtë janë pozicionuar në grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe. Ndeshja e parë miqësore është programuar të luhet më 4 shtator në stadiumin e Vorës, në orën 16:30, ndërsa miqësorja e dytë Shqipëri – Luksemburg, do të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” më 6 shtator në orën 10:00.

Dy ndeshje miqësore në program ka edhe Kombëtarja U-15, që në datat 24 dhe 26 shtator do të përballet me Malin e Zi. Ndeshja e parë do të luhet në Podgoricë, ndërsa takimi i dytë në Shkodër në stadiumin “Reshit Rusi”. Teste mjaft të vlefshme për skuadrën që drejtohet nga trajneri Armand Dama për të testuar e vëzhguar lojtarë të rinj.

Gjithashtu, në fundin e muajit shtator do të startojë turneu “UEFA Development” U-15 për vajza, që organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n. Në këtë turne veç ekipit tonë Kombëtar do të marrin pjesë edhe Kosova, Estonia dhe Maqedonia e Veriut. Të gjitha ndeshjet janë planifikuar të luhen në datat 30 shtator, 2 tetor dhe 5 tetor.

Edhe ekipet U-13, U-14 dhe U-16, do të zhvillojnë grumbullime ditore dhe stërvitje në “Shtëpinë e Futbollit”. Në fushë do të zbresin gjithashtu edhe ekipet U-15, U-17 dhe U-19 për vajza, që do të zhvillojnë seanca stërvitore ditore nën drejtimin e trajnereve kuqezi. Gjithçka bëhet për të vëzhguar nga afër formën e futbollisteve dhe për t’u përgatitur sa më mirë për kompeticionet europiane për këto grupmosha. (ATA)

The post Shtatori rikthen emocionet kuqezi, ndeshje zyrtare dhe miqësore appeared first on Gazeta Si.

Një i vrarë e 5 të plagosur nga të shtënat më armë zjarri në Prishtinë

2 September 2024 at 09:49

Disa të shtëna me armë janë dëgjuar mbrëmë në rrugën “Gazmend Zajmi”, në lagjen “Aktash” në Prishtinë.

Siç raportohet nga policia e Kosovës, si pasojë e të shtënave një person ka vdekur dhe 5 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Pesë personat që u dërguan në QKUK janë: Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi.

Gjithë konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë, të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh.

Naser Syla, drejtor në Klinikën Emergjente në ShSKUK, tha se tre nga të plagosurit janë duke u trajtuar nga ekipet e anestezionit dhe kirurgjisë, ndërsa 2 janë pranuar në klinikën ortopedisë për trajtim të mëtejshëm.

The post Një i vrarë e 5 të plagosur nga të shtënat më armë zjarri në Prishtinë appeared first on Gazeta Si.

❌
❌