Suksesi i partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet në vendet kyçe europiane po i shtyn edhe qeveritë e qendrës dhe të majta që të shtrëngojnë politikat për migracionin, duke krijuar çarje në unitet dhe duke shkaktuar shqetësim midis aktivistëve.
Me daljen e së djathtës ekstreme gjermane në krye në dy zgjedhjet shtetërore në fillim të këtij muaji, qeveria kombëtare e Berlinit e udhëhequr nga socialistët ka rivendosur kontrollet kufitare në kufijtë perëndimorë që supozohet të shohin lirinë e lëvizjes në zonën Shengen të Bashkimit europian.
Qeveria e Holandës, e cila përfshin partinë e liderit të ekstremit të djathtë holandez, Geert Wilders, njoftoi të mërkurën se kishte kërkuar nga Brukseli një tërheqje nga rregullat e BE-së për azilin, me kryeministrin Dick Schoof që deklaroi se kishte një “krizë” azili.
Ndërkohë, kryeministri i ri britanik Keir Starmer i Partisë Laburiste të krahut të majtë bëri një vizitë në Romë për bisedime me homologen italiane Georgia Meloni, partia e së cilës ka rrënjë neofashiste, për të diskutuar mbi strategjitë e përdorura nga Italia në kërkimin e reduktimit të migracionit.
Partitë e ekstremit të djathtë performuan fuqishëm në zgjedhjet europiane të qershorit, duke dalë në krye në Francë, duke bërë që presidenti Emmanuel Macron të thërriste zgjedhje të parakohshme, të cilat rezultuan në emërimin kryeministër Michel Barnier, i krahut të djathtë, ni cili më parë ka bërë thirrje për një moratorium mbi emigracionin.
Ne jemi dëshmitarë të “vazhdimit të një zhvendosjeje djathtas në politikat e migracionit në Bashkimin europian”, tha Jerome Vignon, këshilltar për migracionin në institutin e mendimit Jacques Delors.
Ky trend pasqyroi rritjen e partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet europiane në qershor, dhe së fundmi në dy zgjedhjet rajonale në Gjermani, tha ai, duke iu referuar një “prirjeje mjaft të qartë proteksioniste dhe konservatore”.
“Pozicionet kundër imigracionit që më parë ishin në pronësi të së djathtës ekstreme tani po ndotin partitë e qendrës së djathtë, madje edhe partitë e qendrës së majtë si Social Demokratët” në Gjermani, shtoi Florian Trauner, një specialist i migracionit në Vrije Universiteit Brussel.
Ndërsa qeveria laburiste në Londër ka hequr dorë nga plani i administratës së saj paraardhëse konservatore të krahut të djathtë për të dërguar azilkërkues në Ruandë, ajo ka qartësisht interes për një marrëveshje që Italia ka arritur me Shqipërinë për të ndaluar dhe përpunuar emigrantët atje.
Brenda Bashkimit europian, Qipro ka pezulluar përpunimin e kërkesave për azil nga aplikantët sirianë, ndërkohë që janë shfaqur ligje që autorizojnë bllokada në kufirin në Finlandë dhe Lituani.
Me pretekstin e trajtimit të situatave “emergjente” apo “krize”, lista e përjashtimeve dhe devijimeve nga rregullat e përbashkëta të përcaktuara nga Bashkimi Europian vazhdon të rritet.
E gjithë kjo është në kundërshtim me paktin e ri të BE-së për migracionin, i rënë dakord vetëm në maj dhe që hyn në fuqi në vitin 2026.
Në vazhdën e sulmeve vdekjeprurëse në Mannheim dhe së fundmi Solingen për të cilat fajësohen islamistët radikalë, qeveria e kancelarit gjerman Olaf Scholz dëboi gjithashtu 28 afganë të kthehen në vendin e tyre për herë të parë që nga pushtimi i Kabulit nga talebanët.
Gjeste të tilla nga Gjermania janë edhe më simbolike duke pasur parasysh se si vendi që nga Lufta e Dytë Botërore është përpjekur të kthehet në një model integrimi, duke marrë një milion refugjatë, kryesisht sirianë në 2015-2016 dhe më pas më shumë se një milion të mërguar ukrainas që nga pushtimi rus.
Gjermania po dërgon një “mesazh të fortë” për publikun e saj si dhe për partnerët e saj europianë, tha Trauner.
Presioni migrator “mbetet i rëndësishëm” me më shumë se 500,000 kërkesa për azil të regjistruara në Bashkimin Europian për gjashtë muajt e parë të vitit, tha ai.
Gjermania, e cila mori vetëm një të katërtën e tyre, kritikon vendet e Europës Jugore për lejimin e emigrantëve të qarkullojnë pa përpunuar kërkesat e tyre për azil, por shtetet jugore denoncojnë mungesën e solidaritetit të pjesës tjetër të Europës.
Lëvizjet e Gjermanisë u dënuan nga aleatët e BE-së, përfshirë Greqinë dhe Poloninë, por Scholz mori vlerësimin ndoshta të padëshiruar të lavdërimeve nga kryeministri hungarez i krahut të djathtë Viktor Orban, miku më i ngushtë i Moskës në Bashkimin europian, kur ai u shpreh: “Mirë se erdhët në klub”.
Dështimi i Komisionit të BE për t’i mbajtur vendet përgjegjëse “vetëm nxit një klimë mosndëshkimi ku politikat dhe praktikat e njëanshme të migracionit mund të përhapen”, tha Adriana Tidona, Hulumtuese e Migracionit e Amnesty International.
Por pas retorikës, të gjitha shtetet europiane janë gjithashtu të vetëdijshme për rolin vendimtar që luajnë migrantët në mbajtjen e sektorëve në zhvillim, përfshirë transportin dhe kujdesin shëndetësor, si dhe rëndësinë e tërheqjes së fuqisë punëtore të kualifikuar.
“Pas fjalimeve simbolike, liderët europianë, veçanërisht ata gjermanë, mbeten pragmatikë: kontrollet kufitare janë në shënjestër,” tha Sophie Meiners, një studiuese e migracionit në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.
Edhe qeveria e Melonit ka lejuar hyrjen në Itali të 452 mijë punëtorëve të huaj për periudhën 2023-2025.
“Paralelisht me këtë lloj masash të reja kufizuese, ata e dinë se duhet të adresojnë nevojat e fuqisë punëtore të kualifikuar,” tha ajo.
Barron’s, përshtati në shqip ©LAPSI.AL
The post Analiza/ Si po transformohen qeveritë e majta europiane nga kërcënimi i ekstremit të djathtë appeared first on Lapsi.al.