Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 October 2024Main stream

Denaj inspekton hidrovorin e Tales në Lezhë: Angazhim maksimal i strukturave në terren

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj inspektoi mbrëmjen e sotme hidrovorin e Tales në Lezhë.

Ky inspektim erdhi në vijim të masave të dakordësuara me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, prefekten Majlinda Angoni, kryetarin e bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefektin Gjergj Prendi.

Denaj tha se “hidrovori furnizohet me energji elektrike e cila sigurohet nga një linjë e veçantë, për funksionimin optimal të tij me 9 pompa. Në zonën e Messhkodrës, hidrovoret e Velipojës dhe Casit po funksionojnë gjithashtu me kapacitete të plota për t’iu përgjigjur situatës së emergjencës”.

“Bazuar në parashikimet e motit, Drejtoritë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit janë në gatishmëri të plotë duke monitoruar vazhdimisht nivelet e ujit në sistemet e kullimit dhe duke mbajtur në gatishmëri të plotë të gjithë hidrovoret”, theksoi Denaj.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me ekipet e saj është e gatshme në çdo moment për të siguruar mbarëvajtjen e situatës.

“Angazhimi maksimal i strukturave në terren dhe monitorimi i vazhdueshëm i situatës mbeten prioritet absolut”, tha Denaj.

Mbrëmjen e sotme ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, si dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, prefektja Majlinda Angoni, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefekti Gjergj Prendi zhvilluan një mbledhje online, ku biseduan për t’i paraprirë situatës meteorologjike të ditës së nesërme me reshje intensive në veriperëndim të vendit.

/k.s/a.f/r.e/

The post Denaj inspekton hidrovorin e Tales në Lezhë: Angazhim maksimal i strukturave në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet e shiut në Shkodër e Lezhë, Vengu: Inspektime hidrovorëve e kanaleve, mbrojtje qytetarëve

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Përkeqësimi i motit në orët e ardhshme, i paralajmëruar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, ka qenë në qendër të një mbledhjeje të zhvilluar online nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj.

Në mbledhjen online morën pjesë edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, prefektja Majlinda Angoni, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefekti Gjergj Prendi.

Ata biseduan për t’i paraprirë situatës meteorologjike të ditës së nesërme me reshje intensive në veriperëndim të vendit.

Ministri Vengu tha në një postim në rrjetet sociale se, “dakordësuam masat parandaluese që duhet të ndërmarrim bashkërisht në orët në vijim: inspektime mirëmbajtëse në infrastrukturën kulluese, kolektorët në zonat urbane dhe hidrovorët; gatishmëri teknike e Brigadës së Emergjencave Civile dhe Forcave të Armatosura të Vaut të Dejës në mbështetje të ekipeve vendore dhe sensibilizim i qytetarëve të zonave me risk për masat individuale mbrojtëse”.

“Monitorimi i vazhdueshëm i situatës dhe gatishmëria e Emergjencave Civile janë një parakusht për të minimizuar pasojat e këtij fronti reshjesh për Lezhën dhe Shkodrën, ku puna për të mbajtur të hapura akset rrugore kombëtare dhe rurale, dhe për të mirëmbajtur kolektorët dhe kanalet kulluese, do të vazhdojë”, tha Vengu.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se në bazë të parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe Institutit të Gjeoshkencave (IGEO), në orët në vijim pritet të ketë reshje me intensitet mesatar në qarqet Shkodër dhe Lezhë.

Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po vijon koordinimin me autoritetet vendore për marrjen e masave të nevojshme në rast emergjence.

1 nga 4

/k.s/r.e/a.f/

The post Reshjet e shiut në Shkodër e Lezhë, Vengu: Inspektime hidrovorëve e kanaleve, mbrojtje qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Të paparë turistët spanjollë në aeroportin “Nënë Tereza”

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Turistët spanjollë po vizitojnë çdo vit e më shumë Shqipërinë.

Ditën e sotme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” turistët spanjollë krijuan një atmosferë fantastike, ku kënduan këngë nga vendi i tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga momentet që turistët spanjollë krijuan në aeroport, duke tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të tjerë në aeroport.

“Të paparë turistët spanjollë në aeroportin “Nënë Tereza””, shkruan Rama.

Shqipëria ofron turizëm gjithëvjetor për shkak të klimës, qyteteve historike, vijës bregdetare dhe monumenteve të shumta nga jugu në veri.

Vitet e fundit Shqipëria ka pësuar një “bum” turistik duke u vizituar nga miliona turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë preferuar të kalojnë pushimet e verës, por edhe të vizitojnë zonat malore të vendit.

Sipas statistikave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, të bëra publike pak ditë më parë, ministrja Kumbaro nga janari deri në fund të gushtit Shqipërinë e vizituan 8.5 milionë vizitorë, që e shprehur në përqindje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë rreth 20 % më shumë vizitorë të huaj.

/k.s/a.f/r.e/

The post Rama: Të paparë turistët spanjollë në aeroportin “Nënë Tereza” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 October 2024Main stream

Anija “Oriku” shpëton 19 emigrantë në bordin e një gomoneje

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Anija shqiptare “Oriku”, pjesë e misionit në Detin Egje, në bashkëpunim me rojën bregdetare greke dhe atë turke, i ka ardhur në ndihmë një gomoneje me 19 emigrantë me kombësi të ndryshme nga Lindja e Mesme.

Lajmi u bë i ditur nga Forca Detare, e cila theksoi se “emigrantët u morën nga Roja Bregdetare Turke në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan për procedurat e mëtejshme”.

Në korrik të këtij viti anija shqiptare “Oriku” gjatë patrullimit në detin Egje shpëtoi edhe një gomone në vështirësi me 20 persona në bord.

1 nga 3

/k.s/r.e/a.f/

The post Anija “Oriku” shpëton 19 emigrantë në bordin e një gomoneje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKMC: Reshje të dendura në qarqet Shkodër dhe Lezhë, masa në rast emergjence

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se në bazë të parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe Institutit të Gjeoshkencave (IGEO), në orët në vijim pritet të ketë reshje me intensitet mesatar në qarqet Shkodër dhe Lezhë.

Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po vijon koordinimin me autoritetet vendore për marrjen e masave të nevojshme në rast emergjence.

Gjithashtu, AKMC u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për çdo rast nevoje.

Ndërkohë edhe bashkia e Lezhës informoi se, “sipas Shërbimit Meteorologjik parashikohet të ketë reshje intensive shiu dhe për pasojë disa zona rrezikojnë të kenë vërshime të ujit. Ju lutemi bëni kujdes dhe evitoni lëvizjet e panevojshme. Strukturat e Bashkisë Lezhë do të jenë në gatishmëri për çdo lloje situate”.

/k.s//a.f//r.e/

The post AKMC: Reshje të dendura në qarqet Shkodër dhe Lezhë, masa në rast emergjence appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi i Praktikave të Punës, Rama: 95 % e të rinjve kanë fituar falë meritës

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ “Nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shitura,  atëherë 1/3 e tyre nuk do të dilnin pa fitues, po dalin pa fitues se nuk arrihen të plotësohen kriteret e forta që janë”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në aktivitetin me të rinjtë të organizuar në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

“Ne shqiptarët nuk jemi humbësa të zotë, ne nuk dimë të humbim dhe kur njeriu nuk di të humbë e ka shumë të vështirë të mësojë si fitohet. Gjithmonë nëse ne fitojmë është  meritë personale, themi edhe ndonjë fjalë të mirë, por nëse humbim është faji i dikujt tjetër. Fjala që është gjetur është korrupsion, taraf e të tjerë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “fatmirësisht jo se nuk ka të tilla se po të thosha të tilla do thosha një gjë tjetër të pavërtetë, po kaq e vërtetë është që mbi 500 si ju që në 3 vitet e fundit janë punësuar pasi kanë kryer këtë proces, pasi kanë bërë konkursin janë në 95 % njerëz që nuk kanë ardhur në praktikën e punës si të rekomanduar nga dikush as me mbështetjen e dikujt, as se kanë pasur një mbiemër të njohur dhe kanë fituar konkursin falë meritës së tyre”.

Duke iu drejtuar të rinjve, Rama tha se “ju duhet ta besoni këtë. Është shumë e rëndësishme ta besoi këtë dhe mbi të gjitha është edhe më e rëndësishme të besoni që cilat do të jenë pengesat, qoftë dhe sikur këto pengesa që unë po ju them janë shumë më të pakta sesa c‘thuhet të jenë ashtu siç thuhen, ju duhet të besoni që atë gjë që doni të arrini, do ta arrini dhe të jeni të gatshëm që për ta arritur të bëni gjithçka që duhet bërë për t’ia arritur”.

“Kam takuar një vajzë që hyri në administratën publike pas 7 konkursesh dhe nuk e njihja por më njihte dhe më çonte mesazh: padrejtësia, kjo, ajo. Dhe ju them që kur ka fituar herën e shtatë, shumë respekt ruaj për të, më ka kërkuar 5 minuta dhe më ka thënë: të kërkoj ndjesë për gjithçka kam shkruar më parë sepse mu deshën 6 konkurse që ta fitoja të shtatin, jam po kjo, pa miq dhe duke parë sesi janë paraqitur njeri pas tjetri kam kuptuar që nuk ka qenë hile ndaj meje, por ka qenë pamundësia ime për të fituar. Dhe natyrisht që nuk është sekret që kur ndodh që janë dy njësoj patjetër që tendenca është që të marrësh atë që të ngjan më shumë apo jo? Por ama kur ti do të bësh diferencën, duhet t’i lesh të gjithë mbrapa dhe ajo e fitoi konkursin. Sot e gjithë ditën është nënë me fëmijë, është punonjëse administrate”, tha Rama.

Më tej Rama tha se “ju me siguri mund të bëni zgjedhjen tuaj. mund të jetoni këtu, mund të shkoni jashtë, mund të mendoni që atje larg ju pret me krahëhapur një republikë e konkurrencës, e meritës, e vlerësimit, por në të gjitha rastet mundësinë për të patur këtë eksperiencë shfrytëzoheni deri në fund sepse edhe sikur të mendoni që dikur do shkoni diku tjetër, kudo të shkoni nëse në përshkrimin e punës suaj do keni të shkruar “kam punuar për administratën publike të shtetit shqiptar” do t’ju shohin me më shumë respekt. Dhe ky është një respekt që deri përpara disa vitesh dukej i paimagjinueshëm, nuk na respektonte asnjeri”.

“Na konsideronin një komshi të cilin se heq dot qafe, gati – gati si një banor në një ndërtim pa leje këtu në Ballkan edhe e shtynim ne. Sot na respektojnë. Sepse menjëherë fillojnë pyesin: Shqipëria sa bukur, kam qenë dhe nga ana tjetër ajo që po ndodh sot është aq e madhe dhe njëkohësisht aq reale sa c‘ishte absolutisht komplet e pabesueshme që Shqipëria është në hapin e fundit për tu bërë anëtare e BE, për tu bërë pjesë e familjes së bashkuar europiane. Kur them hapin e fundit, unë numëroj 500 vjet, këto janë 5 vitet e fundit. Është një hap, finali për të kryer me sukses negociatat dhe cilido prej jush në këto 5 vjet që do të ketë mundësinë të jetë pjesë e grupeve negociatore, nëse do të vazhdojë në administratë dhe nëse do të përfshihet, si Arditi, atëherë do të ketë në përshkrimin e punës së tij edhe një tjetër sasi pikësh në sytë e kujtdo kudo që të shkojë”, tha Rama.

 

Kryeministri Rama me të rinjtë e integruar në tregun e punës falë Programit Kombëtar të Praktik...
1 nga 9

/k.s/r.e/a.f/

The post Programi i Praktikave të Punës, Rama: 95 % e të rinjve kanë fituar falë meritës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, urë për punësimin e të rinjve

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u bë një urë, një praktikë pune, e cila nuk është thjesht praktikë pune për t’u njohur me një punë të caktuar, por është pikërisht mundësia e krijimit të eksperiencës që brenda kornizës së ligjit i jep mundësi çdonjërit nga ju të konkurrojë”.

Në fjalën e tij në aktivitetin për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, Rama tha se “në këto 11 vite është bërë një punë serioze, e vështirë, pa diskutim, jo e mjaftueshme për të thënë që është një punë e kryer, për të transformuar administratën publike dhe për t’i dhënë një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes se tyre që nuk e ka pasur më parë”.

“Administrata publike më parë ka pasur njerëz të zotë, pa dyshim. Sot, ju sapo keni hyrë dhe do të njiheni në ministri apo institucione me punonjës që mund të jenë në prag pensioni që kanë 30 vjet në administratë, që janë thesar. Po administrata publike nuk ka pasur as mundësi që të ndihet më e motivuar, të ndihet e shprehur as aftësinë për ta shprehur atë që i është dashur të bëjë, siç bëri në procesin screening, sepse ka qenë një administratë e dhunuar nga presioni politik”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kam pasur gjithmonë brenda meje, siç kanë të gjithë praktikisht qytetarët shqiptarë, mbase jo në nivelin e shumicës së tyre, që mendojnë se administrata publike është një territor me shumë hije dhe me pak arsye për të pasur respekt, por gjithsesi një ndjesi pasigurie dhe një ndjesi që kjo do të ishte pjesa më pamundur e misionit tim dhe misionit tonë për ta ngritur administratën publike në një nivel të respektueshëm, të paktën në të gjallët e mi”.

“Mirëpo ajo që ka ndodhur është që në procesin e diagnostikimit të Shqipërisë apo siç quhet në gjuhën e Adeas dhe Ulsiut, screening me BE, një skuadër goxha e madhe në numër ka arritur të prodhojë një rezultat që për mua ka qenë befasues. Nëse do t’ma thoshte dikush më parë do ta dyshoja fort dhe nëse kam pasur gjithmonë një frikë nga momenti i hapjes së atij procesi duke dëgjuar të tjerë kolegë që e kishin njohur më parë se ç’është procesi i diagnostikimit të një vendi që futet për të hapur negociatat me BE-në, ka qenë si do t’ia dalim ne kësaj”, theksoi Rama.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Kryeministri Rama me të rinjtë e integruar në tregun e punës falë Programit Kombëtar të Praktik...
1 nga 9

/k.s/a.f/r.e/

The post Rama: Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, urë për punësimin e të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama përgënjeshtron lajmin e publikuar në media: Marku ka ardhur qytetarisht në Podkastin FLASIM

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me një lajm të publikuar në media se i ka dhënë një post të rëndësishëm pedagogut Mark Marku.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se e bën këtë përgënjeshtrim vetëm në respekt të faktit që Marku ka shkuar qytetarisht në Podkastin FLASIM.

“Sigurisht të tilla rrena ka përditë me shumicë në kanalet pa filtra e as higjienë minimale që informojnë shqiptarët, por e bëj këtë përgënjeshtrim vetëm në respekt të faktit që zoti Mark Marku ka ardhur qytetarisht në Podkastin FLASIM dhe më takon t’ia kthej respektin, si njeri me të cilin s’kemi as të njëjtat bindje politike, as varësira të asnjë natyre në punët tona”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar në episodin e 13-të të Podkastit FLASIM, në prill të këtij viti, pedagogun e Gazetarisë dhe Komunikimit, në Fakultetin e Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës, ish-deputetin e Partisë Demokratike, Mark Marku, i cili rrëfeu rrugëtimin e tij në gazetari, por edhe në politikë. Aktualisht Mark Marku mban postin e dekanit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prej gushtit të këtij viti.

/k.s/r.e/a.f/

The post Rama përgënjeshtron lajmin e publikuar në media: Marku ka ardhur qytetarisht në Podkastin FLASIM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Opozita tenton të bllokojë mbledhjen e këshillit bashkiak, Veliaj: Tiranën nuk e bllokoni dot

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Gjatë mbledhjes së sotme të këshillit bashkiak, ku këshilltarët e djathtë tentuan të bllokojnë miratimin e kredive të buta, ndihmën ekonomike dhe një sërë vendimesh të rëndësishme, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se askush nuk mund ta bllokojë dot Tiranën.

“Nëse krizën e opozitës doni ta sillni në këshill bashkiak, është kriza juaj. Nuk e bllokoni dot qytetin, nuk e bllokoni dot Tiranën. Harrojeni, Tirana do të ecë përpara. E di që doni të bllokoni edhe kurset te Piramida, doni të bllokoni dhe shtëpitë me qira, doni të bllokoni edhe kreditë e buta, doni të bllokoni edhe shkollat e reja, sepse s’keni argument me shkollat e reja që po ndërtohen sot në Astir. Ne do t’i ndërtojmë përsëri. Çdo gjë që prishni humbisni 1 % të votave, kaq ju them unë, që merrem kaq vite me këtë punë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj paralajmëroi opozitën se kjo sjellje do t’i çojë ata sërish në humbje në zgjedhjet e ardhshme.

“E kuptoj se silleni kështu nga halli, por jeni më të mirë se kaq. Qytetarët duan që ne të punojmë dhe jo që t’i bini daulles. I keni rënë daulles ka kaq kohë, i lodhët njerëzit, i lodhët. Do takohemi përsëri në maj, do keni humbur përsëri dhe do thoni pse humbëm. Arsyeja pse humbni është se bëni të njëjtën gjë”, deklaroi Veliaj.

Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak këshilltarët e djathtë u përpoqën të ndalonin fjalën e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe rendin e ditës.

Pas fjalës së kryebashkiakut, këshilli bashkiak miratoi mes zhurmës 18 pikat në rendin e ditës të kësaj mbledhje.

/k.s/a.f/

The post Opozita tenton të bllokojë mbledhjen e këshillit bashkiak, Veliaj: Tiranën nuk e bllokoni dot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese rritje të bashkëpunimit me fondacionin “Konrad Adenauer”

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj priti në një takim Gerhard Wahlers, zëvendëssekretar i përgjithshëm dhe drejtues i departamentit ndërkombëtar të Fondacionit “Konrad Adenauer”.

Në këta takim Wahlers edhe nga dr. Thomas Kunze, përfaqësues rezident i Zyrës në Shqipëri.

Gjatë takimit, Zaçaj shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm me këtë fondacion, duke evidentuar edhe disa prej aktiviteteve më të spikatura me të cilat është konkretizuar ky bashkëpunim.

Po ashtu në takim u diskutua edhe në lidhje me perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Integrimi në BE është një proces për të cilin forcimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pavarësia e pushtetit gjyqësor, janë kushte të nevojshme dhe të domosdoshme, të cilat përfaqësojnë po ashtu edhe parimet që udhëheqin veprimtarinë e këtij fondacioni politik”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të Gjykatës Kushtetuese.

1 nga 2

/k.s/r.e/a.f/

The post Gjykata Kushtetuese rritje të bashkëpunimit me fondacionin “Konrad Adenauer” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani: Skënder Sherifi, përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë jashtë vendit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ “Angazhimi me profesionistë të Diasporës” nisi sot me një aktivitet kushtuar jetës profesionale dhe artistike të gazetarit, profesorit dhe shkrimtarit frankofon, Skënder Sherifi.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

“Skënder Sherifi është një përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë jashtë vendit, me një autoritet të pabesueshëm mes kulturës franceze dhe belge”, tha Hasani në fjalën e tij.

Ministri Hasani u shpreh se “veprat e Sherifit përmes një rrugëtimi të pasur dhe atipik, mes Brukselit – Parisit – Prishtinës dhe Tiranës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona me komunitetin ndërkombëtar, duke pasuruar ndjeshëm trashëgiminë tonë letrare dhe forcuar identitetin shqiptar në botë”.

Skënder Sherifi, shkrimtar e poet i njohur, konsiderohet si përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë që zhvillojnë karrierën e tyre jashtë atdheut. Për një kohë të konsiderueshme ka punuar si gazetar profesionist i artit dhe kulturës në radion dhe shtypin belg, duke realizuar rreth 700 intervista me krijuesit më të famshëm frankofonë, por edhe anglofonë, italianë e spanjollë në Bruksel e Paris.

/k.s/r.e/a.f/

The post Hasani: Skënder Sherifi, përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë jashtë vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ gjoba disa kandidatëve në zgjedhjet e 14 majit, Celibashi: Pranuan donacione të parregullta

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë masa ndaj disa kandidatëve në zgjedhjet e 14 majit, duke i gjobitur për shkelje të rregullave lidhur me pranimin e donacioneve.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, theksoi sot në mbledhjen e KQZ-së se këta kandidatë kishin pranuar financime jashtë rregullave dhe jo nëpërmjet kanaleve bankare.

Gjithashtu, u miratua raporti mbi gjetjet nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në  zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023.

Në zbatim të nenit 173, pika 3 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative me gjobë në vlerën 500 000 lekë, për 31 parti politike:
1.       Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian
2.       Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë
3.       Partia Aleanca Liberale e Djathtë
4.       Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
5.       Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane
6.       Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
7.       Partia Aleanca Progresiste LZHK
8.       Partia Ardhmërija Shqiptare
9.       Partia Bindja Demokratike
10.     Partia Fronti i Majtë
11.     Partia Fryma e Re Demokratike
12.     Partia Lëvizja Puntore Shqiptare
13.     Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare
14.     Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
15.     Partia Nisma Thurje
16.     Partia Agrare Ambjentaliste
17.     Partia Aleanca Demokratike e Shqipërisë
18.     Partia Balli Kombëtar
19.     Partia Demokracia Sociale
20.     Partia Demokratike
21.     Partia e Gjelbër
22.     Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
23.     Partia Kombëtare Konservatore Albania
24.     Partia Komuniste e Shqipërisë
25.     Partia Konservatore
26.     Partia Kristian Demokrate
27.     Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë
28.     Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
29.     Partia Republikane Shqiptare
30.     Partia Uniteti Kombëtar
31.     Partia Emigracioni Shqiptar

Në zbatim të nenit 173, pika 3 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative me gjobë në vlerën 2 000 000 lekë për:
1.       Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
2.       Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
3.       Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë
4.       Partia Komuniste e Shqipërisë
5.       Partia Uniteti Kombëtar
6.       Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane
7.       Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare
8.       Partia Konservatore
9.       Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare
10.     Partia e Reformave Demokratike Shqiptare

Në zbatim të nenit 173, pika 5 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative dhe kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së për 40 kandidatë për kryetar bashkie si më poshtë vijon:
1.    Bashkia Belsh, të Partisë Socialiste, z. Arif Tafani me gjobë në vlerën 206 000 lekë;
2.    Bashkia Fier, të Partisë Socialiste, z. Armando Subashi me gjobë në vlerën 138 910 lekë;
3.    Bashkia Durrës, të Partisë Socialiste, zj. Emirjana Sako me gjobë në vlerën 75 859 lekë
4.    Bashkia Kuçovë, të Partisë Socialiste, z. Kreshnik Hajdari me gjobë në vlerën 500 000 lekë;
5.    Bashkia Roskovec, të Partisë Socialiste, zj. Majlinda Bufi me gjobë në vlerën 243 500;
6.    Bashkia Librazhd, të Partisë Socialiste, z. Mariglen Disha me gjobë në vlerën 125 490;.
7.    Bashkia Mat, të Partisë Socialiste, z. Agron Malaj me gjobë në vlerën 80 000 lekë
8.    Bashkia Peqin, të Partisë Socialiste, z. Bukurosh Maci me gjobë në vlerën 70 000 lekë;
9.    Bashkia Krujë, të Partia e Lirisë, z. Agron Loka me gjobë në vlerën 486 000 lekë;
10.   Bashkia Miridtë, të Partia e Lirisë, z. Albert Mëlyshi me gjobë në vlerën 300 000 lekë;
11.   Bashkia Sarandë, të Partia e Lirisë, z. Ardit Cikuli me gjobë në vlerën 259 958 lekë;
12.   Bashkia Kamëz, të Partia e Lirisë, z. Arjan Hoxha me gjobë në vlerën 72 000 lekë;
13.   Bashkia Divjakë, të Partia e Lirisë, z. Aurel Malko me gjobë në vlerën 72 000;
14.   Bashkia Shkodër, të Partia e Lirisë, z. Bardh Spahia me gjobë në vlerën 445 280;
15.   Bashkia Klos, të Partia e Lirisë, z. Bedri Hoxha me gjobë në vlerën 156 715 lekë;
16.   Bashkia Kurbin, të Partia e Lirisë, z. Behar Haxhiu me gjobë në vlerën 132 456 lekë;
17.   Bashkia Tropojë, të Partia e Lirisë, z. Besnik Dushaj me gjobë në vlerën 178 758 lekë;
18.   Bashkia Bulqizë, të Partia e Lirisë, z. Dëfrim Fiku me gjobë në vlerën 192 294 lekë;
19.   Bashkia Gjirokastër, të Partia e Lirisë, z. Dorjan Lani me gjobë në vlerën 72 000 lekë;
20.   Bashkia Përmet, të Partia e Lirisë, z. Edmond Komino me gjobë në vlerën 198 000 lekë;
21.   Bashkia Devoll, të Partia e Lirisë, z. Elvis Hajdërlli me gjobë në vlerën 223 762 lekë;
22.   Bashkia Kolonjë, të Partia e Lirisë, z. Et’Hem Lumani me gjobë në vlerën 169 000 lekë;
23.   Bashkia Fier, të Partia e Lirisë, z. Evdar Kodheli me gjobë në vlerën 192 000 lekë;
24.   Bashkia Konispol, të Partia e Lirisë, z. Fatmir Shero me gjobë në vlerën 172 000 lekë;
25.   Bashkia Kavajë, të Partia e Lirisë, z. Fisnik Qosja me gjobë në vlerën 392 220 lekë;
26.   Bashkia Gramsh, të Partia e Lirisë, z. Hasim Çekrezi me gjobë në vlerën 107 440 lekë;
27.   Bashkia Fushë Arrëz, të Partia e Lirisë, z. Hil Curri me gjobë në vlerën 72 000 lekë;
28.   Bashkia Vlorë, të Partia e Lirisë, z. Hysni Sharra me gjobë në vlerën 452 311 lekë;
29.   Bashkia Durrës, të Partia e Lirisë, z. Igli Cara me gjobë në vlerën 368 135 lekë;
30.   Bashkia Dibër, të Partia e Lirisë, z. Ismail Uka me gjobë në vlerën 72 000 lekë;
31.   Bashkia Kuçovë, të Partia e Lirisë, z. Lefter Maliqi me gjobë në vlerën 170 000 lekë;
32.   Bashkia Elbasan, të Partia e Lirisë, z. Luçiano Boçi me gjobë në vlerën 72 000 lekë;
33.   Bashkia Has, të Partia e Lirisë, z. Miftar Dauti me gjobë në vlerën 95 948 lekë;
34.   Bashkia Lezhë, të Partia e Lirisë, z. Pashk Gjoni me gjobë në vlerën 171 000 lekë;
35.   Bashkia Mallakastër, të Partia e Lirisë, z. Resmi Shanaj me gjobë në vlerën 72 000 lekë;
36.   Bashkia Librazhd, të Partia e Lirisë, z. Shefki Cota me gjobë në vlerën 118 000 lekë;
37.   Bashkia Rrogozhinë, të Partia e Lirisë, z. Shkëlqim Hoxha me gjobë në vlerën 316 000 lekë;
38.   Bashkia Patos, të Partia e Lirisë, zj. Sofije Alushaj me gjobë në vlerën 80 100 lekë;
39.   Bashkia Berat, të Partia e Lirisë, z. Zija Ismaili me gjobë në vlerën 105 840 lekë;
40.   Bashkia Pogradec, të Partia e Lirisë, z. Zini Tollozhina me gjobë në vlerën 188 000 lekë.

Në zbatim të nenit 173, pika 6 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative për kandidatin për kryetar bashkie, bashkia Lezhë, të Partisë Socialiste, z. Pjerin Ndreu me gjobë në vlerën 720 000 lekë. Në zbatim të nenit 173, pika 8 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative gjobë në vlerën 200 000 lekë për Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Demokratike, dhe gjobë në vlerën 100 000 Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë, Partia Republikane, Partia Konservatore.

Në zbatim të nenin 88, pika 7 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi detyrimin e Partisë Uniteti Kombëtar të kthejë në KQZ shumën prej 562 618.08 (pesëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e tetëmbëdhjetë presje tetë) lekë dhe detyrimin e partisë “Aleanca Demokristiane e Shqipërisë” të kthejë në KQZ shumën prej 448 974.27 (katërqind e dyzet e tetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër presje njëzet e shtatë) lekë.

/k.s/r.e/a.f/

The post KQZ gjoba disa kandidatëve në zgjedhjet e 14 majit, Celibashi: Pranuan donacione të parregullta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastër, mbi 5500 vizitorë në muzeun “Shtëpia Kadare”

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Shtëpia e lindjes e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër, i cili u nda nga jeta më 1 korrik të këtij viti, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.

Gjatë vizitës në muzeun “Shtëpia Kadare” vizitorët shfaqin interes jetën dhe veprat e Kadaresë, si dhe për shtëpinë, e cila prezanton një shtëpi tradicionale karakteristike gjirokastrite.

Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “ky muze nga janari deri në fund të shtatorit ka ngjallur kuriozitetin e vizitorëve vendas e të huaj mbi botimet letrare dhe reliket që kanë lidhje me jetën dhe krijimtarinë e Kadaresë”.

“Nga 1 janari deri në 30 shtator muzeu është vizituar nga 5501 vizitorë vendas e të huaj, ku një rritje e interesit u shënua në muajt korrik-gusht dhe shtator”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.

Brenda banesës Kadare rikonceptimi i përmbajtjes garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së shkrimtarit duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij.

Në muze vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.

Muzeu “Shtëpia Kadare” hapi dyert për vizitorët në 28 janar të vitit 2016.

Shtëpia daton në vitin 1799 dhe u rindërtua pas djegies aksidentale në vitin 1999, sipas përshkrimit që i bën vetë Kadare.

Projekti i rindërtimit u mundësua me fondet e UNESCO’S dhe qeverisë shqiptare. Banesa ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”. Ka statusin monument kulture i kategorisë së parë, shërben edhe si qendër kulturore ku zhvillohen aktivitete të shumta.

“Shtëpia Kadare” është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj.

/k.s/

The post Gjirokastër, mbi 5500 vizitorë në muzeun “Shtëpia Kadare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Përmbytjet në Vlorë, Dredha mbledh Këshillin Teknik: Përmirësim i infrastrukturës së brendshme dhe asaj nëntokësore

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha mblodhi sot në një takim të rëndësishëm Këshillin Teknik të përbërë nga ekspertë të jashtëm të fushës hidrike.

Gjatë takimit nisur edhe nga situata e krijuar në Vlorë nga përmbytjet e shkaktuara javën e kaluar u diskutua për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme dhe asaj nëntokësore.

Në mbledhjen e Këshillit Teknik ishte i pranishëm edhe prefekti i qarkut Vlorë, Kristaq Kiço, i cili në një prononcim për ATSH-në tha se “në takim biseduam për masat që duhen marrë pas situatës së shkaktuar nga përmbytjet në Vlorë”.

“Konkretisht u diskutua për masat që duhen marrë lidhur me pastrimin e kanaleve dhe më i rëndësishmi ishte kanali i ujërave të larta, por edhe masat që duhen marrë për ndërtimet pa leje që janë bërë mbi kanale dhe kolektorë gjatë viteve të kaluara”, tha Kiço.

Prefekti Kiço informoi se “u vendos që të ketë një grup ekspertësh që të diskutohet edhe si të digjitalizohet i gjithë sistemi nëntokësor i ujërave të bardha me qëllim që të shikohet edhe ndërhyrja emergjente në lidhje me këtë”.

“Nga specialistët u paraqitën propozime konkrete dhe besoj që kjo do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme që të merren masa të menjëhershme për mospërsëritjen e fenomeneve të tilla, pasi jemi para stinës së dimrit dhe nga parashikimet e sinoptikanëve parashikohet të jetë dimër i vështirë me reshje të shumta”, tha Kiço.

Ndërkohë po ditën e sotme kryebashkiaku Dredha vizitoi disa prej bizneseve të qytetit për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

/k.s/r.e/

The post Përmbytjet në Vlorë, Dredha mbledh Këshillin Teknik: Përmirësim i infrastrukturës së brendshme dhe asaj nëntokësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: Informim të moshuarve për mundësitë e ndihmës juridike falas

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ekipet e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë prej 1 tetorit janë angazhuar për të ndihmuar të moshuarit.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja theksoi sot se “të moshuarit po informohen për të gjitha shërbimet dhe mundësitë që ofron ndihma juridike falas”.

“Pa burokraci, vetëm përkushtim dhe solidaritet ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”, tha Manja.

Ndihma juridike falas ka si qëllim akses të barabartë të të gjithë individët në sistemin e drejtësisë; të sigurojë mirorganizimin, miradministrimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore përgjegjëse për administrimin e ndihmës juridike; të sigurojë ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike në mënyrë profesionale, cilësore, eficiente dhe efektive.

 

1 nga 4

/k.s/

The post Manja: Informim të moshuarve për mundësitë e ndihmës juridike falas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlorë, mbi 4000 studentë nisën vitin e ri akademik në Universitetin “Ismail Qemali”

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Mbi 4000 studentë nisën sot vitin e ri akademik në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Rektorja e këtij universiteti,  Prof. Dr. Aurela Saliaj tha se ky është një moment i veçantë dhe i rëndësishëm për të gjithë, pasi shënon nisjen e një periudhe të re përkushtimi, sfidash dhe mundësish.

Ajo iu drejtua të rinjve duke theksuar se viti i ri akademik përbën për ta mundësi për të ndërtuar të ardhmen, për të thelluar njohuritë dhe zhvilluar aftësitë që do t’iu shërbejnë gjatë gjithë jetës.

“Për ju studentë që keni kaluar disa vite këtu, ky është një moment për të reflektuar mbi arritjet tuaja dhe për të planifikuar hapat e ardhshëm. Për profesorët, stafin akademik dhe ndihmës-akademik, falënderim për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm në formimin dhe mbështetjen e studentëve”, theksoi Salaj.

Rektorja Salaj u shpreh se “kontributi juaj është i paçmuar dhe ndikimi juaj në formimin e të ardhmes së komunitetit tonë është i jashtëzakonshëm”.

Në vit të parë në bachelor në Universitetin “Ismail Qemali” janë regjistruar 749 studentë, ndërsa në master 310 studentë.

/k.s/

 

 

 

 

The post Vlorë, mbi 4000 studentë nisën vitin e ri akademik në Universitetin “Ismail Qemali” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e regjistrimeve në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan nisi sot vitin e ri akademik 2024-2025 me disa zhvillime dhe risi të  rëndësishme, të cilat synojnë të konsolidojnë traditën akademike të universitetit dhe t’i përgjigjen në mënyrë efektive nevojave në rritje të tregut të punës dhe kërkimit shkencor.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në një njoftim për shtyp thekson se rreth 1100 studentë janë regjistruar në vitin e parë për studimet bachelor. Ndërkohë që maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të regjistrimeve kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin në degët e shpallura fituese.

“Deri më tani Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ka shënuar rritje në numrin total të regjistrimeve. Rritjen më të madhe, për vitin akademik 2024-2025, e ka pasur Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave të Edukimit. Ndërkohë që vihet në dukje një interes në rritje për programet e studimit si biznes, financë, ekonomia e drejta si dhe mësuesia për arsimin parashkollor”, theksohet në njoftim.

Ndërkohë që programet e studimit për të cilat kanë interesin më të lartë dhe që shënojnë një numër të lartë regjistrimesh në nivel institucioni, janë ato të shkencave mjekësore teknike, teknologjitë e informacionit, edukim fizik dhe sporte si dhe disa programe me karakter profesional. Për dy programe prioritare të mësuesisë, biologji-kimi dhe matematikë-fizikë, për një numër studentësh, jepen bursa të financuara nga qeveria shqiptare.

Një risi tjetër e rëndësishme për këtë vit akademik është edhe regjistrimi i studentëve nga Presheva në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ndërveprimit ndërkombëtar dhe krijimit të mundësive të reja për studentët nga rajone të ndryshme, duke forcuar rolin e universitetit si një qendër edukimi për të gjithë shqiptarët.

Sa i përket ndërkombëtarizimit, në njoftim theksohet se  “mbetet një nga prioritetet kryesore të këtij viti akademik, me zgjerim të bashkëpunimeve me institucione prestigjioze evropiane në të gjitha fushat, duke përfshirë mobilitetin e personelit akademik dhe studentëve, programet e përbashkëta dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta’.

Gjatë këtij viti ky universitet pritet të fillojë zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në kuadër të programeve Erasmus+ dhe Jean Monnet, si dhe të arrijë sukses në aplikimet për programe të tilla si Horizon Europe, IPA Interreg dhe COST. Këto projekte i shërbejnë personelit akademik dhe studentëve për ngritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës universitare.

“Një nga risitë më të rëndësishme këtë vit në kuadër të ndërkombëtarizimit është Qendra Rajonale për Inovacion “EIT Raw Materials”, pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Kjo nismë e Qeverisë Shqiptare, realizuar në bashkëpunim me Institutin Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit, përfaqëson një pikë kthese për promovimin e kërkimit shkencor dhe krijimin e një dialogu të frytshëm midis profesionistëve vendas dhe atyre evropianë në fushën e lëndëve të para”, nënvizohet në njoftim.

Rektorja e këtij Universiteti, Prof. Dr. Elvira Fetahu shprehet se “jemi të angazhuar për ta bërë Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, një qendër ekselence, e cila jo vetëm që i përgjigjet nevojave formuese të studentëve tanë, por gjithashtu kontribuon aktivisht në përparimin shkencor dhe social të komunitetit lokal dhe kombëtar. Iniciativat e këtij viti akademik përfaqësojnë një hap përpara drejt këtyre qëllimeve”.

/k.s/

 

The post Rritje e regjistrimeve në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisi sot viti i ri akademik, degët më të kërkuara Mjekësia dhe IT

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Studentët në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri akademik 2024-2025.

Për herë të parë në auditoret e universiteteve ulen sot rreth 20 mijë studentë.

Edhe këtë vit degët më të preferuara nga maturantët janë mjekësi, inxhinieri, arkitekturë apo teknologji informacioni.

Ndërkohë që maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të regjistrimeve, kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin në degët e shpallura fituese.

Gjatë këtij viti akademik ka pasur një interes të shtuar për degët që janë cilësuar si prioritet kombëtar. Është vënë re një interesim edhe nga të rinjtë me mesatare mbi 9 dhe për këtë sipas ekspertëve të arsimit ka ndikuar mbështetja financiare që qeveria jep për degët prioritare.

Dita e parë e universitetit për studentët e Fakultetit të Ekonomikut nisi me një protestë duke bojkotuar edhe mësimin. Studentët mbanin në duar pankartën “Ekonomiku bojkoton, larg dhuna nga tempulli i dijes” duke dënuar dhunën që pedagogu Mirdaim Axhami ushtroi ndaj koleges së tij, Liliana Billa në korrik të këtij viti.

Në universitet e vendit falë procesit të ndërkombëtarizimit sot ka një ofertë edhe më të pasur akademike me më shumë programe të përbashkëta, dygjuhëshe. Këtë vit janë shtuar 10 programe të reja në arsimin e lartë.

Viti i ri akademik, foto: Agim Dobi
1 nga 11

/k.s/

The post Nisi sot viti i ri akademik, degët më të kërkuara Mjekësia dhe IT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: 50 mijë studentë, mbështetje me bursa dhe tarifa të reduktuara

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT) u zhvillua sot ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik 2024-2025, ku morën pjesë studentë, pedagogë dhe drejtues të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe drejtues të universitetit, si Rektori i UPT-së, Prof. Dr. Akli Fundo dhe dekanët e fakulteteve të ndryshme.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e fillimit të këtij kapitulli të ri për të gjithë studentët, sidomos për rreth 20 mijë prej tyre që po hyjnë për herë të parë në auditorët e universitetit.

“Mbi 20 mijë studentë nisin për herë të parë universitetin në të gjithë vendin. Mbi 1200 studentë nisin vitin e parë të studimeve në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe me zemër gjithë studentëve, kudo ku i kanë nisur studimet, u uroj një vit sa më të suksesshëm dhe me sa më shumë arritje.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj.

Manastirliu vlerësoi Universitetin Politeknik të Tiranës për përshtatjen e shpejtë me dinamikat e zhvillimit të vendit dhe kërkesat e tregut të punës, përmes programeve të reja akademike dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.

“Universiteti Politeknik i Tiranës është vendi ku dijet teknike dhe informacioni bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja. Në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha, nevojiten mendje të mprehta dhe kreative që t’i përgjigjen sfidave të botës moderne, që nga infrastruktura deri te teknologjia e gjelbër, nga ndërtimi i qyteteve inteligjente deri te menaxhimi i burimeve natyrore. Ky universitet është prej universiteteve tona që po përshtatet me shpejtësi me dinamikat e zhvillimit të vendit dhe me kërkesat e tregut të punës, jo thjesht për shkak të profileve të larmishme që ai ofron, mbi 80 programe studimi, por edhe për shkak të përqafimit të ideve të reja, ngritjes së urave të komunikimit me homologët ndërkombëtarë, 6 programe diplomë të dyfishtë, programet master të delokalizuara dyfishe apo dhe më i riu, diploma katërfishe me universitete prestigjioze evropiane. Nga ana tjetër, po ecim me ritëm të shpejtë me investimet në këtë universitet, nga rindërtimi dhe rehabilitimi i Fakultetit të Gjeologji Minierave, së bashku me Muzeun e Gjeologjisë, te ndërtimi i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, për të vijuar me laboratorët kërkimorë të mekanikës dhe elektrikës, si dhe 14 projektet e reja të infrastrukturës së kërkimit shkencor dhe projekte të kërkim-zhvillimit, ku po financojmë për ngritjen e një Laboratori të Inteligjencës Artificiale, për laboratorin e modernizimit të infrastrukturës kombëtare të rrjetit të monitorimit gjeodinamik, të sistemeve elektrike dhe shumë laboratorë të tjerë, të cilët ne jemi duke investuar përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.”

Buxheti për arsimin e lartë është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë, ndërsa janë investuar 1.5 miliardë lekë për përmirësimin e infrastrukturës dhe kërkimit shkencor.

Ministrja Manastirliu vuri theksin edhe tek përfitimet që vendi ka arritur nga programet ndërkombëtare.

“Përfshirja në programe ndërkombëtare si Horizon Europe, CERN, COST, CEEPUS dhe EUREKA kanë hapur mundësi të reja financimi dhe mobiliteti për stafin e pedagogëve dhe studentëve. Dhe më vjen shumë mirë që Universiteti Politeknik i Tiranës është një prej universiteteve lider përsa i përket mobilitetit të studentëve dhe gjithashtu të pedagogëve dhe stafeve pedagogjike. Falë procesit të ndërkombëtarizimit, sot kemi një ofertë edhe më të pasur akademike në Shqipëri, me më shumë programe të përbashkëta, dygjuhëshe. 10 programe të reja janë shtuar këtë vit në gjithë ekosistemin e arsimit të lartë dhe gjithashtu kemi kulmuar këtë vit me hapjen për herë të parë në vendin tonë të Kolegjit të Evropës, kampusit të Tiranës. Kemi finalizuar dhe shumë shpejt hapim në Gjirokastër kampusin e UNED-it, do të sjellim së shpejti dhe jemi duke përfunduar fazën e nënshkrimit me Universitetin Teknik të Stambollit dhe gjithashtu me filialin e Universitetit Teknologjik të Compiègne, Francë, i cili do të hapë pikërisht në UPT degën e tij”, tha Manastirliu.

Sfida e Ministrisë së Arsimit është jo vetëm një arsim i lartë cilësor i përshtatur me kërkesat e tregut të punës, por edhe mbështetja sociale për studentët.

“Janë rreth 50,000 studentë që përfitojnë nga mbështetja me bursa, me tarifa të reduktuara apo dhe bursat që ne japim për studentët që studiojnë në programet prioritare. Për këtë vit, 100 bursa sa paga minimale do të jepen për programet prioritare tashmë të vendosura në universitetet në të cilat do të alokohen këto bursa. Kemi prioritizuar degët që lidhen me zhvillimin rural, shkencat e natyrës, degë që lidhen me zhvillimin naval apo inxhinieritë, duke vijuar me inxhinieritë pyjore, shkencat që lidhen me inxhinieritë gjeologjike apo burimet minerale”, tha Manastirliu.

Në fund, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, uroi studentët dhe stafin akademik për një fillim të mbarë të vitit të ri akademik.

/k.s/

The post Manastirliu: 50 mijë studentë, mbështetje me bursa dhe tarifa të reduktuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis evidentimi i dëmeve nga përmbytjet në Vlorë, Dredha: Grupet në terren në të gjitha rajonet

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Grupet e punës të bashkisë së Vlorës po vijojnë edhe sot punën për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e 4 ditëve më parë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “prej orëve të para të mëngjesit, grupet tona të evidentimit të dëmeve janë në terren në të gjitha rajonet”.

“Po bëjmë gjithçka të mundur për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që janë dëmtuar nga përmbytjet”, theksoi Dredha.

Reshjet e shiut, që filluan intensivisht katër ditë më parë dhe zgjatën për disa orë shkaktuan përmbytje në disa zona të qytetit të Vlorës. Ekipet e bashkisë po vijojnë gjithashtu pastrimin e rrugëve dhe zonave publike të prekura nga reshjet.

1 nga 5

/k.s/

The post Nis evidentimi i dëmeve nga përmbytjet në Vlorë, Dredha: Grupet në terren në të gjitha rajonet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌