Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Përfundon moli i ri në hyrje të Shkodrës

26 September 2024 at 15:50

Moli i ri në hyrje të Shkodrës ishte pjesë e premtimeve të kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci.

“Do të jetë një mol i cili ka mundësi të parkohen varkat. (…)Idea është që ne ta bëjmë të lundrueshëm.”, premtonte Beci gjatë fushatës elektorale.

Projekti me vlerë 1,2 milionë euro i financuar nga Bashkimi Evropian përfshinte rehabilitimin e molit si dhe ndërtimin e një platforme lundruese.

Shkelje afatesh

Punimet për molin e ri në Shkodër duhet të përfundonin fundvitin e kaluar. Projekti i cili duhet të ishte mbyllur për tre muaj, mori 1 vit kohë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësia zbatuese e projektit, argumenton se vonesat lidhen me dy arsye. Vitin e shkuar, Bashkia e Shkodrës kërkoi disa ndryshime në projekt të cilat ndikuan grafikun e punimeve. Po ashtu“vështirësitë e krijuara nga kushtet atmosferike kanë ndikuar në realizimin e grafikut të punimeve.”, thotë Fondi i Zhvillimit.

Fakt

Punimet për t’i dhënë jetë molit të ri në Shkodër nisën verën e vitit 2023. Një vit më vonë,Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë për Faktoje se punimet për rehabilitimin e molit kanë përfunduar.

“…është kryer dorëzimi i përkohshëm tek përfituesi i këtij investimi, Bashkia Shkodër.”, shprehet FSHZH.

Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës këtë muaj, për të verifikuar nga afër investimin. Më 17 shtator, punimet për molin e ri pranë urës së vjetër të Bunës kishin përfunduar.

Megjithatë, moliiI ri ende nuk është vënë në dispozicion të qytetarëve shkodranë ndonëse FSHZH e ka dorëzuar projektin e përfunduar pranë Bashkisë.

Moli pranë Urës së vjetër të Bunës, është moli i tretë që u ndërtua në brigjet e Liqenit të Shkodrës dhe në Lumin Buna, pas atyre në Shirokë dhe Zogaj. Këto investime me financim nga Bashkimi Evropian, synojnë të rikthejë lundrimin në lumin Buna dhe gjithashtu të zhvillojnë turizmin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për molin e ri në qytet, e vlerësojmë të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Përfundon moli i ri në hyrje të Shkodrës appeared first on Faktoje.al.

Rijetëzimi i tregut ‘Rus’ në Shkodër

23 September 2024 at 15:54

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, premtoi investim të menjëhershëm në tregun kryesor të qytetit, në lagjen Rus. 

 “Kjo zonë tregtare ka nevojë për kualifikim dhe investim të menjëhershëmDuhen plotësuar kërkesat e tregtarëve, por dhe të blerësve, në mënyrë që të kenë kushte higjieno-sanitare dhe të denja për ta kryer veprimtarinë tregtare në këtë zonë.”, premtoi Beci.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Benet Beci u votbesua nga 34,531 shkodranë. Kjo ishte hera e parë që socialistët fituan Shkodrën, që njihet si bastion i demokratëve prej vitit 1991, kur në Shqipëri u vendos pluralizmi politik. 

Fakt 

Punimet për rehabilitimin e tregut në lagjen Rus nisën në fund të korrikut, një vit pasi Beci mori zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut te Shkodrës.

“Sot është ditë shumë e mirë për ne me thënë të drejtën, që ia arritëm ditës me fillu tregun e Rusit se më beter s’ka si me qënë. Ka qënë turp.”, u shpreh Beci në çelje të punimeve.

Sipas tij, markata e re pritet të jetë gati këtë fundvit. 

“Shpresoj shumë që në katër muaj ne të kemi tregun me kushte cilësore shumë të mira, të pastrimit, të pastërtisë, të ndriçimit, të tregtimit.”, premtoi Beci. 

Mirëpo, në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Bashkia e Shkodrës jep tjetër afat. 

“Në tregun e lagjes rus, kanë filluar punimet të cilat sipas grafikut të punimeve janë parashikuar të zgjasin 1 vit.” – Bashkia Shkodër. 

Edhe në tabelën e punimeve në hyrje të tregut të Rusit, investimi planifikohet të përfundojë në 12 muaj- verën e vitit të ardhshëm.  

Punimet në tregun e lagjes Rus, Shkodër (17 shtator 2024)

‘Nga qendra në periferi’

Kohëzgjatja e punimeve prek aktivitetin e 52 tregtarëve që zhvillonin tregti në markatën e lagjes Rus. Prej muajit korrik ata janë zhvendosur nga qendra në periferi, në afërsi të Sheshit Ura e Maxharrit (kryqëzimi për Dobraç).

Tregu në Dobraç, Shkodër (17 shtator 2024)

 “Ata na kanë thënë për katër muaj, se sa zgjat s’di gjë. Ata ndoshta e bëjnë edhe më shpejt, ndoshta e bëjnë edhe më ngadalë.”, i tha Faktoje tregtari Fadil Cekaj, teksa ankohej se vendi ku po tregtojnë aktualisht nuk ka kushtet e duhura. 

“Atje është qendra e qytetit, normale që është më mirë. Si thu ti, a vjen e merr ti 1 kg domate, 1 kg speca gjysëm ore larg, apo çerek ore larg? Më mirë e merr 20 lekë më shtrenjtë aty në vend.”, argumenton ai. 

Life Smakaj, një tjetër tregtare e zhvendosur nga tregu i Rusit në Dobraç, ndan mirëkuptim.

“Ne nuk mërzitena, ta bëjnë kur të dojnë se ajo shtëpia e re ka punë. Ne fort keq nuk jena…”, pohon tregtarja. 

Tregu i ri në lagjen Rus është pjesë e projekteve të financuara nga Agjencia për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor. Kosto totale e investimit parashikohet prej 36 milionë lekësh, nga të cilat 7,4 milionë janë nga buxheti i Bashkisë Shkodër. 

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për investim të menjëhershëm në tregun Rus, e vlerësojmë të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Rijetëzimi i tregut ‘Rus’ në Shkodër appeared first on Faktoje.al.

Odisea e rrugës Shirokë-Zogaj- Kufi

18 September 2024 at 15:40

Esmeralda Topi 

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, spikati me platformën e tij kryesisht teknike, duke i prezantuar elektoratit një program të detajuar për zhvillimin e qytetit. Pjesë e projekteve të infrastrukturës për Shkodrën ishte dhe rruga e re Shirokë-Zogaj-Kufi. 

“Rruga e re (në ndërtim) Shirokë-Zogaj-Kufi së bashku me pikën kufitare të re do të krijojë lidhjen me zonën e Krajës si me rrugë automobilistike, biçikletash dhe varkash nëpërmjet rrjetit të moleve.”, shkruhet në Programin e premtimeve të kryebashkiakut të Shkodës Benet Beci. 

Ndërtimi i kësaj rruge ka qënë një angazhim i zotit Beci që në kohën kur ishte deputet i zones, teksa socialistët e kishin zyrtarizuar si kandidat për kryebashkiak të Shkodrës. 

“Për fat të keq është vonuar në mënyrë të patolerueshme por do të bëjmë ç’është e mundur që ajo të fillojë sa më shpejt…”premtonte Beci. 

Fakt

Në fund të vitit të kaluar Faktoje verifikoi se puna për ndërtimin e rrugës ende nuk kishte nisur.  Edhe një vit më vonë në terren gjithçka dukej njësoj. Nuk gjetëm asnjë gjurmë të investimit të premtuar. Rruga ekzistuese Shirokë- Zogaj është tepër e ngushtë dhe e dëmtuar. 

Për të shkuar nga Shkodra në Shirokë duhen më pak se 20 minuta me makinë. Për të mbërritur në Zogaj, na u desh thuajse e njëjta kohë- ndonëse distanca në kilometra është më e shkurtër. 

Rruga Shirokë-Zogaj 17 shtator 2024

“Ja po fillon sivjet, ja po fillon në dhjetor, ja po filllon në janar, në shtator… Ka dhjetë vjet që e flasin dhe ende nuk është realizu.”, kujton Valmir Balesi, banor në fshatin Zogaj.

“Ka 30 vjet demokraci dhe Zogaj është shumë më mbrapa se katundet e tjera. e kanë lënë shumë mbrapa…”, shprehet ai. 

Segmenti i fundit i rrugës nga Zogaj deri në pikën e kalimit kufitar ishte pjesa më e degraduar e kësaj rruge.  

Problemet ishin të dukshme që në fillimin e rrugës të saj, pranë shkollës nëntëvjeçare “Reshit Hyseni” në Zogaj. Ndërsa 490 metrat e fundit të kësaj rruge që të çon drejt kufirit mund të përshkoheshin vetëm me automjete të larta. 

Rruga Zogaj – Kufi, 17 shtator 2024

Kur do të nisë projekti? 

Ndonëse ka qënë një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut Beci, institucioni që ai drejton prej një viti, nuk ndan informacione mbi projektin. Në një përgjigje me shkrim për Faktoje Bashkia e Shkodrës ia delegon përgjegjësinë Fondit Shqiptar të Zhvillimit- si njësi zbatuese e këtij projekti. 

“Rruga Shiroke-Zogaj-Kufi, është tenderuar nga FSHZH, dhe gjithashtu mund të merrni informacione më të detajuara nga FSHZH.”, thotë Bashkia. 

Nga ana tjetër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se është në pritje të lejes së ndërtimit nga Bashkia e Shkodrës.

“Sa i përket projektit për ndërtimin e rrugës “Shirokë – Zogaj – Kufi” në Shkodër, punimet e zbatimit pritet të fillojnë në fund të vitit 2024/ fillim të vitit 2025, pas pajisjes me lejet përkatëse.”, argumenton FSHZH.

Të njëjtin afat e gjejmë edhe tek programi buxhetor afatmesëm i Bashkisë Shkodër, miratuar dhjetorin e vitit të shkuar.  “Rruga Shirokë-Zogaj do të fillojë vitin e ardhshëm”, shkruhet në dokument.

Projekti i rrugës 3,2 mln €

Rruga Shirokë – Zogaj- Kufi do të kushtojë 3,2 milionë euro dhe është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri. 

Sipas projektit, rruga e re nga Shiroka në Zogaj do të kalojë mbi atë ekzistuese, duke u zgjeruar. Ndërsa segmenti nga fshati Zogaj në kufi do të jetë tërësisht i ri, ku do të kalojë edhe një bypass.

Rruga do të jetë me korsi biçikletash dhe trotuar për këmbësorët.

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për projektin e rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi, e vlerësojmë si ende të pambajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Odisea e rrugës Shirokë-Zogaj- Kufi appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria gati të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027

16 September 2024 at 16:22

Qeveria shqiptare është ofruar të mirëpresë pas tre vitesh në Tiranë Samitin e NATO-s. Propozimi i është dërguar zyrtarisht Aleancës Atlantike në shkurt të këtij viti, teksa pak më vonë do të bëhej publik nga kryeministri Edi Rama, në një letër që ai, i kishte shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.

“Unë besoj se është koha që për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, të mbahet një takim i nivelit të Lartë të NATO-s”, shkruan zoti Rama në letrën e tij, ndërsa vë në dukje se e ka diskutuar këtë çështje dhe gjatë bisedimeve që ka patur me Sekretarin Blinken gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, më 15 shkurt.

Letra dërguar Sekretarit Antony Blinken

Mundësinë e organizimit të samitit të Natos, së fundmi, kryeministri e përmendi edhe gjatë fjalës që mbajti në hapje të Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, pak javë më parë.

“Shqipëria ushqeu shumë respekt, krijoi shumë besim dhe pa diskutim mori një prestigj që nuk e kishte pasur më parë dhe pikërisht ky respekt, ky besim, ky prestigj na bën sot që të jemi vendi që do të mikpresë liderët e 44 shteteve evropiane nga Britania e Madhe deri në Ukrainë apo nga Suedia dhe Norvegjia deri në Turqi vitin e ardhshëm në Samirin e Komunitetit Politik Evropian dhe po ashtu ky respekt, ky besim(…) na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027, …na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027”, deklaroi zoti Rama. 

Pak ditë më pas, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, e bëri thuajse fakt të kryer mbajtjen e Samitit. Sipas tij, Samiti i NATO-s 2027 është vendosur të organizohet në Tiranë.

‘Ne jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Pra, kemi filluar identifikimin e ambienteve, fondeve, njerëzve dhe gjithë burimeve të nevojshme që bëjnë këtë të mundur.’, deklaroi Hasani.

‘Padyshim një angazhim i tillë, përveç rëndësisë së madhe të simbolikës që ka tregon dhe njëherë që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe një aleat i domosdoshëm në gjithë përpjekjen e organizatës e Altantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe sidomos me fokus në zhvillimet e fundit.’, vlerësoi ai.

Çfarë thotë NATO?

Pesë muaj pas dorëzimit të ofertës nga Shqipëria, një zyrtar i NATO-s, bëri të ditur për Faktoje se për momentin është miratuar vetëm vendndodhja e dy samiteve të ardhshme të Aleancës. 

‘Samiti i NATO-s 2025 do të mbahet në Hagë, Hollandë, nga data 24 deri më 26 qershor, i ndjekur nga një samit që do të mbahet në Turqi.’, konfirmoi zyrtari i Aleancës, duke shtuar se nuk mund të thotë ende asgjë për vendndodhjen e Samitit të 2027.

Edhe në një dokument të siguruar nga Faktoje, ku përditësohen eventet kryesore të Aleancës, konfirmohet ftesa e qeverisë shqiptare për të mbajtur në Tiranë Samitin e 40 të NATO-s. 

‘Në shkurt të 2024, Shqipëria u ofrua të mirëpresë Samitin e 2027-tës. Finlanda është ofruar të mirëpresë një Samit në periudhën 2026-2028.’, shkruhet ndër të tjera në dokument.  

Për ekspertët e fushës, konfirmimi i Shqipërisë si vend pritës i Samitit të 2027 nga NATO është çështje kohe. 

Ledion Krisafi, studiues pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, e sheh mikpritjen e këtij Samiti si një nga kulmet e politikës së jashtme të vendit në 3 dekadat e fundit.

“Sidomos në një periudhë të tillë me luftën në Ukraine dhe në Lindjen e Mesme, është një konfirmim i vëmendjes dhe pranisë së NATO-s në Ballkan. Fakti që është zgjedhur Shqipëria konfirmon idenë që Tirana është pika më e rëndësishme e NATO-s në Ballkanin Perëndimor të paktën, vendi më stabel dhe më konstruktiv.”, shprehet Krisafi.

Viti 2027 përkon me samitin e 40- të NATO-s dhe do të jetë hera e dytë në historinë e Aleancës që mbledhja do të mbahet në Ballkan, pas Samitit të Bukureshtit në 2008.

“Të gjitha takimet dhe Samitet që po zhvillohen dhe do zhvillohen në Tiranë e kthejnë kryeqendrën e Shqipërisë në një lloj qendre të diplomacisë perëndimore në Ballkanin Perëndimor.”, argumenton studiuesi. 

Përfundim

Samitet e NATO-s shihen si një pikë takimi e rëndësishme për udhëheqësit e vendeve anëtare të Aleancës. Ato shfrytëzohen për të prezantuar politika të reja, për të ftuar anëtarë të rinj në aleancë, për të nisur iniciativa të reja të mëdha si dhe për të ndërtuar partneritete me vendet joanëtare të NATO-s.

Samiti i fundit i NATO-s u mbajt këtë vit në Uashington të SHBA-ve nga 9 deri më 11 korrik.

The post Shqipëria gati të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027 appeared first on Faktoje.al.

Shqiptaret e varfër paguajnë shtrenjtë për oligopolet në treg

13 September 2024 at 14:06

Abuzimet me çmimet po i shtyjnë disa qytetarë shqiptarë të udhëtojnë për qindra kilometra drejt vendeve fqinje për të blerë mallrat bazë të konsumit, ndërsa familjet më të pambrojtura janë detyruar të ulin konsumin.

Esmeralda Topi

Prej shtatë vitesh Ola, së bashku me bashkëshortin, udhëton drejt Greqisë për të siguruar ushqimet dhe të gjitha mallrat e tjera të konsumit të nevojshme për familjen e tyre.

“Fillimisht e nisëm për cilësinë, por me kalimin e kohës kuptuam që na shkonte edhe më lirë se në Tiranë,” kujtoi Ola.

“Bashkë me shpenzimet e karburantit dhe siguracionin e makinës, përsëri produktet që marrim kushtojnë më pak se sa në vendin tonë”, shtoi ajo.

Shqipëria është një nga vendet me të ardhurat më të ulëta në Evropë, por megjithatë çmimet për shumë produkte të konsumit të përditshëm janë ndjeshëm më lartë se në vendet e pasura të Bashkimit Evropian.

Jo të gjithë konsumatorët mund të udhëtojnë jashtë vendit për ti siguruar mallrat e shportës, në mënyrë të veçantë ato nga grupet më vulnerabël, të cilët janë detyruar ta shkurtojnë konsumin për familjet e tyre.

“Jetesa pas pandemisë është bërë shumë më e shtrenjtë,” tha Alma, një nënë e vetme nga Shijaku, ndërsa shtoi se tre vitet e fundit gjithçka është shtrenjtuar.

“Unë vet s’kam qenë jashtë por të afërmit e mi që janë jashtë kur vijnë këtu thonë: Na vjen gjynah për ju, si ja dilni se këtu është më shtrenjtë se tek ne.” 

Diferencat e çmimeve të ushqimeve apo mallrave të tjera të konsumit mes Shqipërisë dhe vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian konstatohen edhe nga konsumatorë të tjerë.

Të dhëna të mbledhura nga Faktojë nëpërmjet një ankete online nga dhjetëra qytetarë tregojnë se 87% e të anketuarve pohojnë se Evropa ka çmime më të lira se Shqipëria për ushqime dhe produkte të tjera konsumi.

Ekspertët e ekonomisë dhe studiuesit shprehen se kjo diferencë çmimesh me të cilën përballen konsumatorët vendas mund të vijë nga një sërë faktorësh objektivë, si niveli i taksave, kostot e transportit, vlerësimi i lekut ndaj euros dhe madhësia e tregut

Megjithatë, ato fajsojnë kryesisht abuzimin e kompanive tregtare që kanë vendosur oligopole në treg, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e mbrojtjes nga abuzimet të konsumatorëve .

Ilir Ciko, ekonomist shqiptar i arsimuar në Universitetin e Harvardit, thekson se diferenca në çmimet për mallrat e konsumit vjen kryesisht nga ‘varësia dhe lidhjet e politikës me interesat e bizneseve të mëdha, marrëveshjet e fshehta mes operatorëve që dominojnë tregun, korrupsioni i përhapur në institucione; si dhe pamundësia e konsumatorit për zgjedhje alternative.”

I pyetur nga Faktoje, nëpërmjet një përgjigje me shkrim Autoritetit i Konkurrencës tha se në përmbushje të detyrave të ngarkuara me ligj dhe rezolutave të Kuvendit ka ndërmarrë gjatë 5 viteve të fundit një sërë hapash për sigurimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues për produkte të shportës.

“Autoriteti i Konkurrencës, gjatë viteve të fundit, ka realizuar monitorime dhe hetime për shumë  nga produktet e shportës si: vaji, gruri, mielli, orizi, sheqeri, karburante, etj,” tha Autoriteti.

“Aktualisht, në vlerësim të ankesave të publikut, janë në procedurë hetimi paraprak tregu i grumbullimit dhe shitjes me shumicë i fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, si dhe në procedurë hetimi të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit (djathë dhe gjalpë),” shton institucioni.

Çmime më shtrenjtë se BE dhe rajoni

Çifti i bashkëshortëve udhëton çdo tre muaj 7 orë me makinë nga Tirana në Kostur – një qytezë në Greqinë veriore, dhe anasjelltas për të blerë ushqimet e shportës dhe mallrat e konsumit të përditshëm. Ata nuk kanë ndërmend ta ndryshojnë këtë rutinë për shkak të leverdisë ekonomike.

“Në supermarketet greke ka produkte ushqimore dhe të higjienës personale që kushtojnë edhe 4 herë më lirë se sa në supermarketet shqiptare. Po ashtu çmimet e suplementeve apo disa medikamenteve janë shumë më te lira.”, shpjegoi Ola. “Një kokërr hekur (suplement), në Shqipëri kushton 100 lekë të reja ndërsa në Greqi 25 lekë të reja.”, shtoi ajo.

Nisur nga ky hendek në çmime profesor Ciko kreu gjatë pranverës së këtij viti një studim të gjerë duke analizuar 150 produkte nga Shqipëria dhe homologët e tyre në vendet evropiane.

Nga studimi rezulton se në pranverë të këtij viti, çmimi mesatar i produkteve në tregun shqiptar ishte rreth 80% më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte – shitur nga të njëjtat kompani, në tregjet e BE-së.

“Nga lista prej 150 produktesh, diferenca më e lartë (në përqindje) rezulton për një pako ushqimi mëngjesi, cornflakes, e cila në Shqipëri shitet me një çmim 212% më të lartë, ose mbi 3 herë sa çmimi që shitet nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen”, tha ai.

Çmimet me diferencën më të lartë studimi i vë re tek tre kategori: ushqimet për bebe, ushqimet dhe ushqimet për kafshë. Sipas të dhënave të përftuara nga studimi ushqimi për bebe, rezulton me mesataren më të lartë të ndryshimit të çmimit.

Studimi ‘Bëhuni Europianë! Një udhëtim transformues përmes ëndërrave, modeleve, pritshmërive, dhe realitetit’.

“Për këtë kategori, mesatarja e çmimeve të produkteve të shitura në Shqipëri është 147% më shumë, ose 2 herë e gjysëm sa çmimi i të njëjtëve produkte të shitura në vendin e BE nga vjen kompania që i tregton këto produkte”, shpjegoi Ciko.

Studimi vë në dukje gjithashtu se të njëjtat produkte që kanë origjinë Bashkimin Evropian, në Shqipëri janë shumë herë më të shtrenjta krahasuar edhe me vende të rajonit.

Në Serbi dhe Kosovë, diferenca e çmimeve luhatet mesatarisht më pak se 15 për qind, ndërkohë që në Shqipëri arrin 71%.

Treg oligopol

Sipas të dhënave të mbledhura nga Faktoje nëpërmjet pyetësorit online, 73% e të anketuarve shprehen se diferenca e çmimeve midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së vjen për shkak të abuzimeve, mungesës së konkurrencës në treg, si dhe mungesës së kontrollit të shtetit.

Eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj thekson se kjo situatë është tipike e një tregu oligopol, i zotëruar nga grup i vogël individësh. Sipas tij kjo reflektohet në faktin se çmimet mbeten kokëforcisht të larta edhe pse ka pasur një forcim të valutës vendase kundrejt valutave të huaja.

“Në kushtet kur rënia e valutave të huaja, me të cilat blihen këto produkte në tregjet e huaja kanë një rënie me 25%, që të paktën duhet të transmetohej deri në një 15% efekt në ulje të çmimeve të para dy viteve, nëse llogaritim koston e shtuar të fuqisë punëtore, energjisë dhe disa shërbimeve.”, tha ai.

Profesor Ilir Ciko liston një sërë faktorësh për këtë situatë, përfshirë mungesën e kontrollit, kulturën e mosndëshkimit të kompanive që abuzojnë me konsumatorin si dhe mungesën e konkurrencës në treg.

Megjithatë, ai shtoi se ky deformim i tregut ka pak gjasa të ndryshojë për shkak se konsumatorët kanë pak informacion dhe shoqëria shqiptare është pajtuar dhe bashkëjeton me të keqen.

“Mungesa e shpresës; politizimi ekstrem i çdo çështjeje publike dhe gojë-mbyllja e intelektualëve;” , përkthehet si pas tij në mungesë totale të reagimit qytetar, mungesë të mekanizmave mbrojtës dhe interesit për të mbrojtur konsumatorin nga shteti dhe pseudo-shoqëria-civile.

Vetëm pas adresimit të këtyre faktorëve, thekson profesor Ciko, mund të flasim për nivelin e taksave të konsumit, kostot e transportit, vlerësimin e lekut ndaj euros, madhësinë e tregut apo elementë të tjerë që në këtë diskutim, janë tepër dytësorë.

Elefanti në dhomë

Rritja e ndjeshme e çmimeve po i detyron familjet shqiptare të blejnë më pak ushqime. Sipas të dhënave të anketës së Faktoje mbi koston e ushqimeve në Shqipëri dhe BE, 94% e të anketuarve pohojnë se blejnë më pak produkte se një vit më parë, ndërkohë që 76% e tyre thonë se kanë reduktuar blerjet e ushqimeve të ndryshme.

“Jam detyruar të ble më pak në sasi dhe të tregohem e kujdesshme sepse nuk më del,” tha Alma Morina. “Gjysma e rrogës që marr më duhet vetëm për ushqimet bazë, pa llogaritur asgjë tjetër,” shtoi ajo.

Profesor Ilir Ciko tregon se studimi i tij është lexuar me interes të lartë nga drejtues e përfaqësues të institucioneve që merren me konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit, por ai i sheh institucionet si të pafuqishme për të bërë ndryshimin.

“Për shumë syresh studimi është si një elefant tepër i madh brenda hapësirës së komoditetit ku rrinë,” tha Ciko. “Mund të duket paradoksale por besoj se ndryshimi mund të vijë nga kompanitë, sigurisht nën presionin e zërit të qytetarëve”, shtoi ai.  

Sipas Gjokutajt ulja e TVSH-së së ushqimeve është një masë që do ta lehtësonte disi situatën, por gjithsesi nënvizon se kambanat bien mbi Autoritetin e Konkurrencës. Megjithatë, pritje të zgjimit të institucione dhe kompanive shumë shqiptarë do të vazhdojnë ti drejtohen tregut në vendet fqinje.

“Në dy javët e ardhshme kam rrugën e radhës për në Kostur,” tha Ola. “Kam llogaritur që të shkoj edhe njëherë para ndërrimit të viteve”, përfundoi ajo.

Në linkun më poshtë gjeni intervistën e plotë me profesor Ilir Ciko. 

Shënim

Ky artikull është rishikuar për të ruajtur anonimatin e personazhit kryesor, siç kërkohet nga ai/ajo. Ndryshimet janë bërë për të siguruar që identiteti i personazhit të mbetet i fshehtë, ndërsa informacioni thelbësor dhe i rëndësishëm për temën e artikullit është ruajtur.

The post Shqiptaret e varfër paguajnë shtrenjtë për oligopolet në treg appeared first on Faktoje.al.

Në Shqipëri, çmimet 80% më të larta se në Evropë

11 September 2024 at 17:43

Intervistë me profesor Ilir Ciko, autor i studimit “Bëhuni Europianë! Një udhëtim transformues përmes ëndërrave, modeleve, pritshmërive, dhe realitetit”.

Studimi tregon se çmimi mesatar i produkteve të shitura në tregun shqiptar nga tre kompani europiane ishte +79.7 për qind më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte, të shitura në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtat kompani, në tregjet e BE-së.

1.       Profesor Ciko, si i përzgjodhët mostrat e 150 produkteve që analizuat? A kishte ndonjë kriter të veçantë për këtë përzgjedhje?

Studimi përmban metodologjinë e plotë të ndjekur për përzgjedhjen produkteve që janë pjesë e analizës, përfshirë kriteret e ndjekura në proces. Mund ta përmbledh me pak fjalë duke treguar se produktet janë përzgjedhur në mënyrë të njëjtë nga secila prej tre kompanive europiane që janë pjesë e studimit (50 produkte nga secila kompani), si dhe pjesë e 13 kategorive të ndryshme produktesh (ushqim, detergjente, kozmetikë, ndriçim, pajisje dhomash, ilaçe pa recetë, kujdesi për flokët e lëkurën etj.), duke përzgjedhur në mënyrë rastësore 10 produkte për çdo kategori dhe, për nga rëndësia që ka për konsumatorin shqiptar, 30 produkte për kategorinë e produkteve ushqimore. Kritere të tjera të përdorura ka qenë larmia sa më e madhe e produkteve të përzgjedhura (produkte të ndryshëm brenda së njëjtës kategori) dhe kriteri domethënës (produkte që blihen rregullisht nga konsumatori shqiptar dhe jo të veçantë). Gjithashtu, nga studimi janë përjashtuar produktet në oferta, si në Shqipëri ashtu dhe në vendet nga importohen, produktet e luksit, produktet sezonalë (fruta apo perime të freskëta) si dhe produktet mbi të cilat aplikohen taksa specifike (cigare, pije alkoolike), e gjithë kjo për të mundësuar një krahasim sa më objektiv të çmimeve dhe shmangur në maksimum efektet e faktorëve jo-thelbësorë. Së fundi, për të mundësuar krahasimin e çmimeve, janë përfshirë në listë ato produkte për të cilat janë të disponueshme çmimet e shitjes online në tregun vendas, dhe atë europian nga e ka origjinën secila kompani, apo vendet e tjera të përfshira në studim.

2.       Cili është produkti me diferencën më të lartë në çmime?

Nga lista prej 150 produktesh, diferenca më e lartë (në përqindje) rezulton për një pako ushqimi mëngjesi, cornflakes, e cila në Shqipëri shitet me një çmim 212% më të lartë, ose mbi 3 herë sa çmimi që shitet nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen. Ndërsa si kategori, ushqimi për bebe, rezulton me mesataren më të lartë të ndryshimit të çmimit. Për këtë kategori, mesatarja e çmimeve të produkteve të shitura në Shqipëri është 147% më shumë, ose 2 herë e gjysëm sa çmimi i të njëjtëve produkte të shitura në vendin e BE nga vjen kompania që i tregton këto produkte.

3.       Po ai me diferencën më të ulët?

Diferenca më e ulët nga 150 produktet rezulton për një aksesor banjoje, i cili shitet në Shqipëri 24% më shumë se çmimi i të njëjtit produkt shitur nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen.

4.       A mund të na jepni disa shembuj të faktorëve që kontribuojnë çmimet më të larta në Shqipëri krahasuar me BE-në?

Janë plot faktorë por ndër më të rëndësishmit do të rendisja: mungesa e kontrollit të kompanive të mëdha; mungesa e shembujve realë të ndëshkimit të kompanive të mëdha që abuzojnë me konsumatorin; paragjykimi e besimi i gabuar se kompanitë e njohura ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri nuk përfshihen në praktika të dëmshme për konsumatorin vendas; mungesa e frikës ndaj shtetit e kompanive të mëdha; mungesa e konkurrencës në treg dhe kopjimi i modelit monopol midis atyre pak kompanive që zotërojnë tregun; varësia dhe lidhjet e politikës me interesat e bizneseve të mëdha; burokracia, paaftësia dhe korrupsioni i përhapur në institucione; pamundësia e konsumatorit për zgjedhje alternative; mungesa e prodhimit vendas; marrëveshjet e fshehta mes operatorëve që dominojnë tregun; mungesa e informacionit për konsumatorët; pajtimi dhe bashkëjetesa me të keqen; mungesa e shpresës; politizimi ekstrem i çdo çështjeje publike; gojëmbyllja e intelektualëve; mungesa totale e reagimit qytetar; mungesa e mekanizmave mbrojtës dhe interesit për të mbrojtur konsumatorin, shtetërore, e ca më tepër ato të pseudo-shoqërisë-civile. Pas këtyre mund të flasim për nivelin e taksave të konsumit, kostot e transportit, vlerësimin e lekut ndaj euros, madhësinë e tregut apo elementë të tjerë që në këtë diskutim, janë tepër dytësorë.

5.       A ka pasur ndonjë reagim zyrtar lidhur me studimin tuaj?

Jo, asnjë reagim zyrtar deri më tani. Di që studimi është lexuar me interes të lartë nga drejtues e përfaqësues të institucioneve që duhet të merren me këtë problem të çdo qytetari shqiptar, por më ngjan se për shumë syresh studimi është si një elefant tepër i madh brenda hapësirës së komoditetit ku rrinë.

6.       Çfarë masa rekomandoni që të merren në këtë drejtim?

Mund të duket paradoksale por besoj se ndryshimi mund të vijë nga kompanitë, sigurisht nën presionin e zërit të qytetarëve. Në studim e kam trajtuar gjerësisht se pse institucionet janë realisht të pafuqishme për të bërë ndryshim, edhe sikur befas të marrin vullnetin e plotë që u jep, e kërkon ligji. Por deri më sot, ende nuk ka asnjë reagim nga kompanitë, çmimet mbeten të pandryshuara nga tre muaj më parë, kur u realizua studimi.

7.       A mendoni se politika e qeverisë dhe subvencionet mund të ndihmojnë në uljen e çmimeve dhe, nëse po, si mund të implementohen më mirë këto masa?

Së pari mendoj se ka plot vend për të zbatuar pa vonesë e hezitim ligjin, e më pas ndoshta për të rishikuar me kujdes legjislacionin mbi konkurrencën, kjo as duke u shfajësuar përjetësisht se është legjislacioni që na kufizon, e as duke mos u kufizuar në kopjimin shabllon të modeleve që na serviren. Është një fushë e brishtë por tepër e rëndësishme për funksionimin e tregut dhe është thelbësore që Shqipëria të adaptojë legjislacionin që i përshtatet më së miri kontekstit specifik të saj, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, se sa kërkesave të burokratëve të Brukselit. Hapja e tregut, promovimi i konkurrencës, vënia e interesit publik mbi interesat e kompanive private janë hapat e domosdoshëm për trajtimin afatgjatë të problemit. Për subvencione nuk bëhet kurrsesi, nuk kanë asnjë lidhje me këtë problem. Cmimet mund dhe duhet të ulen në normalitet, dhe jo të kompensohen konsumatorët po nga taksat që ata paguajnë.

8.       A duhet të ulet TVSH-ja për ushqimet bazë? Mendoni se do të zbuste disi shtrenjtimin e buxhetit të familjeve?

Është një ndër politikat fiskale që e kam mbështetur në studim, për të ndjekur praktikën e vendeve europiane si Itali, Gjermania etj. që për të mbështetur konsumatorët e veçanërisht shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë, zbatojnë TVSH më të ulët për produktet ushqimore. Fiskalizimi dhe digjitalizimi i bizneseve dhe administratës tatimore sot e mundëson krejt lehtë këtë gjë, nëse gjendet vullneti. Kjo masë lehtëson, por sigurisht nuk është zgjidhja e problemit që po diskutojmë.

9.       Si mund të kontribuojnë sektorët e bujqësisë dhe industrisë për të përmirësuar situatën e çmimeve në Shqipëri?

Prodhimi vendas e gjen ende me vështirësi rrugën e hyrjes në marketet e mëdha që operojnë sot në Shqipëri, disa prej tyre tregtojnë thuajse ekskluzivisht vetëm produkte të importuara dhe rrallë e tek ndonjë produkt vendas. Sigurisht prodhimit vendas i duhet shumë punë për të arritur cilësinë dhe afrimin me konsumatorin për të qenë i kërkuar nga operatorët e tregut që ta vendosin atë krah më krah me produktet e importuara që ata tregtojnë, pa përmendur këtu skepticizmin e tepruar të konsumatorit shqiptar ndaj prodhimit vendas dhe besimin e lartë të tij në cilësinë e produkteve europiane. Në fakt, studimi tregon se pikërisht kjo është nyja që mundëson sot kompanitë që të tregtojnë në vend produktet europiane, t’i shesin ato me një çmim shumë më të lartë se sa në të vërtetë duhet të ishin – shfrytëzimi i besimit që konsumatori ka ndaj këtyre produkteve dhe mundësisë së kufizuar në zgjedhje. Dhe së fundi, marketet e mëdha nuk kanë interes të lartë për prodhimin vendas pasi me të nuk mund të realizojnë marzhe fitimi të larta, krahasuar me produktet që ato sot importojnë.

10.     Si e parashikoni evoluimin e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri në të ardhmen?

Mendoj se është çështje që kërkon vëmendje, debat dhe veprim. Se përshembull, sa vlerë ka të diskutohet për një rritje 5 apo 10 përqind të pensioneve apo pagave, kur kemi një problem kolosal me çmimet e produkteve ushqimore që rezultojnë sa dyfishi i atyre që duhet të jenë në treg. Ulja e çmimeve drejt çmimeve europiane është në dobi të pensionistëve e patronazhistëve, të arsimtarëve e gazetarëve, të nëpunësve të shtetit e atyre që punojnë çdo ditë me punë të ndershme për të mbajtur familjet e tyre, por dhe për turistët që jo rrallë habiten me çmimet kur vijnë në Shqipëri, e në fund të fundit edhe për kompanitë, që duke ofruar çmime europiane mund dhe do e kuptojnë se mund të shesin më shumë në Shqiperi, edhe për ata që sot janë të privuar apo që blejnë më pak, se aq munden.

The post Në Shqipëri, çmimet 80% më të larta se në Evropë appeared first on Faktoje.al.

Anullim loje për garat e ujit në Pogradec nga Formula 1 H2O

10 September 2024 at 15:00

Këtë korrik, liqeni i Ohrit në Pogradec do të priste për herë të parë kampionatin botëror të sporteve të ujit, njohur ndryshe si Formula1 H2O. Eventi që u trumbetua me bujë një vit më parë si promovim për Shqipërinë turistike, u anullua në heshtje.

Esmeralda Topi

Shtatorin e vitit të kaluar, kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli lajmëroi mbajtjen e kampionatit botëror të sporteve të ujit në liqenin e Ohrit, të njohura nga sportdashësit si garat e Formula 1 H2O.

“Dy evente sportive botërore të cilat vijnë për herë të parë në Shqipëri, duke promovuar masivisht turizmin e Pogradecit dhe vendit tonë. Vëmendje e jashtëzakonshme mediatike botërore për Pogradecin i cili kthehet në epiqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë.”- premtonte kryebashkiaku Xhakolli.

Fotografi nga profili zyrtar i kryetarit të Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli në facebook- 6 shtator 2023

Të njëjtin entuziazëm ndau edhe kryeministri Edi Rama, teksa reklamonte ngjarjen sportive në rrjetet e tij sociale.

‘43 skuadra nga e gjithë bota do ta kthejnë Pogradecin në kryeqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë, sepse Shqipëria e Turistike tanimë është ngjitur në një nivel të ri.’shkruante Rama në rrjetin social facebook.

Fakt

Ndryshe nga sa u premtua një vit më parë, Pogradeci nuk arriti të hyjë në hartën e këtyre garave pasi organizatorët e FORMULA 1H2O u tërhoqën nga marrëveshja.

“Pa dhënë asnjë sqarim, faqja e zyrtare e F1H2O e hoqi garën zyrtare nga datat e parashikuara dhe nuk dha asnjë sqarim publik në lidhje me këtë anullim.”, pohon Bashkia e Pogradecit, teksa thekson se kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e garave në liqen.

“Zyrtarisht nuk disponojmë asnjë dokument për anullimin e garës, apo shkaqet e këtij anullimi e cila mund të lidhet me logjistikën e shumtë që nevojitej për tu ngritur deri edhe tek fondet që po ashtu nevojiteshin për realizimin e saj nga organizatorët.”– sqaron më tej Bashkia.

Kontrata e bashkëpunimit për zhvillimin e kampionatit botëror H2O të Formula 1 për jetski dhe motorrat e ujit u firmos më 6 shtator të vitit të kaluar.

“H2O Racing njoftoi sot se Shqipëria do të presë një raund të Kampionateve Botërore të UIM F1H2O dhe UIM-ABP për Aquabike në Pogradec në korrik 2024.”, bëhej e ditur në faqen zyrtare të F1H2O.

Sipas organizatorëve kampionati do të zhvillohej në datat 2-7 korrik të këtij viti.

Ç’ndodhi

Garat që u panë si mundësi promovimi për Shqipërinë turistike nga zyrtarët e lartë në Shqipëri, nuk u përqafuan nga ekspertë të mjedisit në vend dhe në Maqedoninë e Veriut. Mjedisorët e shihnin kampionatin si kërcënim për ekosistemin e liqenit dhe trashëgiminë kulturore.

50 shoqata të ndryshme jo qeveritare nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bënë bashkë për të adresuar shqetësimin e tyre pranë autoriteteve shqiptare dhe në UNESCO. Liqeni i Ohrit është në listën e kësaj organizate si pasuri e kombinuar e trashëgimisë, natyrore dhe kulturore që nga korriku i vitit 2019.

Shqetësimin e ngritur nga aktivistët e konfirmon edhe Bashkia e Pogradecit.

“Ju bëjmë me dije se gjatë kësaj kohe pati edhe një reagim nga disa organizata mjedisore në Ohër të cilat kërkuan që kjo garë të mos realizohej dhe këtë ankesë e kanë përcjellë edhe në kryeministri apo pranë organizatorëve.”, – argumenton Bashkia.

Në mars të këtij viti organizatorët e Formula 1H2O e anuluan kampionatin ndërkombëtar të sporteve të ujit në Shqipëri. Faktoje u interesua pranë organizatorëve mbi arsyet e vendimit për tu tërhequr nga garat e ujit në Pogradec, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, premtimin e kryebashkiakut të Pogradecit Ilir Xhakolli se ‘Pogradeci do të kthehej në epiqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë’, do ta kategorizojmë si të pambajtur.

The post Anullim loje për garat e ujit në Pogradec nga Formula 1 H2O appeared first on Faktoje.al.

Kolapsi i energjisë në rajon, ende pa ‘fajtor’

4 September 2024 at 16:00

Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) vijon hetimet mbi incidentin e paprecedentë të ndërprerjes së energjisë elektrike në disa vende të Ballkanit Perëndimor mesditën e 21 qershorit.

Esmeralda Topi

Mesditën e 21 qershorit sistemet e transmetimit të energjisë në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë dhe një pjesë të Kroacisë u përballën me një avari të paprecedentë që shkaktoi ndërprerje disa orëshe të energjisë elektrike në të katra vendet.

Në Shqipëri, energjia në rang vendi u rikthye për 30 minuta. Në një deklaratë të posaçme për situatën, ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku, deklaroi se kolapsi erdhi për shkak të sistemit të ngarkuar dhe temperaturave të larta.

‘Duke nisur nga linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pati një avari dhe më pas në efekt kaskadë i gjithë vendi, kemi pasur shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, jemi informuar nga operatorët e tjerë të transmetimit në rajonin tonë se e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe në Bosnjë Hercegovinë.’, theksoi Balluku më 21 qershor.

Incidenti u raportua menjëherë nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë (ENTSO), një shoqatë bashkëpunimi mes 40 operatorëve evropianë të sistemit të transmetimit që përfaqësojnë 36 vende.

‘Operatorët e prekur të Sistemit të Transmisionit (OST), me ndihmën e OST-ve fqinje, e rikthyen furnizimin me rrymë në rrjetet e tyre brenda 2 orëve përafërsisht, me qëllim që ta minimizonin ndikimin e ndërprerjes së rrymës tek konsumatorët’, deklaronte ENTSO, të premten e 21 qershorit.

Po ashtu, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë lajmëroi nisjen e një hetimi lidhur me incidentin.

‘Komiteti i Operacioneve të Sistemeve të ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh.’, thuhej në njoftim.

‘Hetim ndërkombëtar’

Një ditë pas kolapsit energjitik, në shumicën dërrmuese të mediave shqiptare – tradicionale apo ato online- u raportua se Komisioni Evropian kishte nisur hetim ndërkombëtar për zbardhjen e incidentit të 21 qershorit.

Këto ishin titujt kryesor të mediave, të shtunën e 22 qershorit. Hetimi të cilit i referoheshin mediat shqiptare, në fakt nuk ishte nisur nga Komisioni Evropian, por nga ENTSO-E, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike.

ENTSO-E është shoqatë bashkëpunimi mes 40 operatorëve evropianë të sistemit të transmetimit që përfaqësojnë 36 vende.

Avaria ende pa ‘fajtor’

Thuajse tre muaj pas incidentit, Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë në Shqipëri i tha Faktoje se grupi i punës ngritur në koordinim me ETSNO-E është ende në proces të analizës së plotë të kolapsit energjitik të 21 qershorit.

Momentalisht është shumë herët për të përcaktuar nëse ndonjë nga vendet ka qënë përgjegjës për avarinë.’, thekson Operatori i Transmetimit, teksa shton se ‘OST është në koordinim me grupin e punës të ETNSO-E për sigurimin e të gjithë të dhënave të nevojshme për raportin.’

Raporti mbi incidentin pritet të jetë gati në fund të vitit 2024. Në të do të identifikohen rekomandime për të gjithë Operatorët e Transmetimit, prekur ose jo nga incidenti. Mbi këtë bazë, OST thotë se do të përcaktojë edhe planin e masave.

Dhe teksa hetimet vijojnë, Azmer Duleviç, inxhinier elektrik identifikon disa faktorë si shkaktarë të ndërprerjes së energjisë në Ballkan.

‘Rajoni përjetoi temperatura jashtëzakonisht të larta, duke çuar në një rritje të kërkesës për energji elektrike pasi njerëzit përdorën më shumë kondicionerët. Po ashtu, rrjetet e energjisë në shumë vende të Ballkanit sidomos në Shqipëri janë të vjetëruara dhe kanë vështirësi për të përballuar rritjen e papritur të kërkesës.’, argumenton ai duke shtuar si faktorë të tretë edhe sistemet e ndërlidhura të energjisë.

‘Ndërlidhja e sistemeve të energjisë në rajon bën që problemet që ka një vend të përhapeshin shpejt edhe në vendet fqinje të tjera.’, pohon Duleviç.

The post Kolapsi i energjisë në rajon, ende pa ‘fajtor’ appeared first on Faktoje.al.

16 milionë euro për zgjerimin e rrugës së Ksamilit

28 August 2024 at 16:00

Trafiku i rënduar rrugës së Ksamilit, për shkak të fluksit të turistëve, detyroi autoritetet t’i kthenin sytë nga infrastruktura e zonës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar zgjerimin e rrugës së Ksamilit, kosto e të cilës arrin 16 milionë euro, apo 4 milionë euro për kilometër. Projekti i zgjerimit nis në hyrje të fshatit Ksamil dhe përfundon në dalje duke krijuar By-Pass. 

Esmeralda Topi 

Trafiku i rënduar rrugës së Ksamilit në kulmin e sezonit veror vitin e shkuar nxorri në pah domosdoshmërinë e zgjerimit të rrugës.  

‘(…) zgjerimi dhe rehabilitimi i akseve turistike si ky i Ksamilit, apo të gjitha rrugët ndërlidhëse në skajin jugor të vendit, pavarësisht se kanë qenë në planet tone, tashmë duhet t’i përshpjetojmë në kohë.’, premtoi asokohe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. 

Pesë muaj më vonë, projekti i zgjerimit të rrugës turistike të Ksamilit zuri vend në listën e projekteve që do të hapeshin këtë vit. 

“Gjatë sezonit të kaluar veror ne vumë re që kishim një numër shumë të shtuar turistësh për shkak të bukurive që ofronte Ksamili. Atëherë lindi e nevojshmë që ky aks të kalonte me një zgjerim dhe të bëhët një by pass-im i tij(…), pa penguar gjithë ata turistë që duan të frekuentojnë Ksamilin.” , lajmëroi ish drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi, gjatë prezantimit të projekteve infrastrukturore të këtij viti. 

Verifikim 

Projekti i zgjerimit të rrugës 4 kilometër për në Ksamil nis në hyrje të fshatit dhe përfundon në dalje duke krijuar By-Pass. Verifikimet e Faktoje tregojnë se kosto për zgjerimin e kësaj rruge llogaritet 16 milionë euro, thënë ndryshe 4 milionë euro për kilometër. Autoriteti Rrugor ka buxhetuar 4 milionët e para për këtë vit. 

“Për këtë objekt në vitin 2024 janë parashikuar fonde në vlerën 400,000,000 lekë.”, i tha Faktoje, ARRSH.

Sipas Autoritetit Rrugor, zgjerimi i rrugës do të zgjasë dy vite, por ende nuk ka një datë për fillimin e punimeve në terren. 

‘(…) duhet më pare të mbyllet procedua e përzgjedhjes se mbikëqyrësit te punimeve.’, sqaron ARRSH. 

Autoriteti Rrugor vë në pah se aktualisht aksi 4 kilometra paraqet problematika të mëdha. 

‘Rruga ekzistuese kalon në mes të fshatit turistik duke sjell një rëndim të trafikut më së shumti në kohën e sezonit turistik. Duke qene se është një rrugë në të cilën nuk është investuar së fundmi rruga ka pësuar dhe dëmtime të shtresave.’, vëren raporti teknik i projektit. 

Rruga e Ksamilit është projektuar me parametrat teknike të Kategorise C (Interurbane Dytësore), me shpejtësi lëvizje 80 km/h. 

Referuar projektit, 1,5 kilometrat e para të rrugës së Ksamilit do të jenë me tre korsi- një për secilin sens lëvizje dhe një korsi emergjence në anën e majtë. Po ashtu, planifkohet të ketë trotuarë me gjerësi 3 metra në të dyja anët e rrugës, përfshi dhe një korsi biçikletash me gjerësi 2 metra në anën e djathtë të rrugës.  

Ndërsa, në pjesën e mbetur të rrugës janë projektuar 2 korsi levizje si dhe trotuar në të dyja anët. Përgjatë këtij segmenti rrugor janë parashikuar 3 rrethrrotullime dhe 1 urë. 

Përfundim 

Nisur nga verifikimet e kryera, premtimin e ministres Balluku për zgjerimin e rrugës së Ksamilit do ta kategorizojmë si të mbajtur. 

The post 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës së Ksamilit appeared first on Faktoje.al.

Turizmi u ngadalësua në korrik

27 August 2024 at 16:00

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave konfirmuan ngadalësimin e turizmit në muajin korrik. Sipas Instat, hyrjet e turistëve u rritën me vetëm 2,7% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, teksa gjysma e parë e vitit ishte me rritje dyshifrore.

Esmeralda Topi

Pas një bumi turistësh vitin e shkuar që vijoi deri në gjysmën e parë të vitit, në korrik, vendi u përball me një panoramë krejt tjetër. Pamjet e plazheve bosh në jug të vendit nxitën polemika. Qeveria refuzoi ta pranonte rënien e turistëve duke pretenduar se turizmi në Shqipëri ishte target i një sulmi të organizuar. Nga ana tjetër, tur – operatorët dhe strukturat akomoduese raportonin të shqetësuar mungesën e pushuesve krahasuar me një vit më parë.  

‘(…) Sot të jeni të gjithë të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar.’, deklaroi kryeministri Edi Rama, në mesin e muajit korrik.

‘Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare, të gjithë janë të habitur edhe të skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara, të bëra me qëllim, që duan të thonë që këtu s’ka ardhur njeri.’, vijoi më tej ai.

Verifikim

Koha ju dha të drejtë tur-operatorëve dhe strukturave akomoduese. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave konfirmuan ngadalësimin e turizmit në muajin korrik.

‘Gjatë muajit Korrik 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj’, raporton INSTAT.

Referuar të dhënave, hyrjet e turistëve u rritën me vetëm 2,7% gjatë korrikut, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, teksa gjysma e parë e vitit ishte me rritje dyshifrore.

‘Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1,818,378.’– raportoi INSTAT.

Ndërsa si 7 mujor, rritja e numrit të shtetsave të huaj rezultoi 23,2%. Referuar të dhënave, nga janari në korrik, në Shqipëri kanë hyrë 6,36 milionë të huaj.

95 % e të huajve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë korrikut janë nga Evropa- ku ajo jugore zë 71% të hyrjeve ndjekur nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore me vetëm 10%.

‘Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për Pushime, vizitë tek të afërm, etj’, thekson raporti i Institutit të Statistikave.

‘Statistika të sakta’

Mirëpo të dhënat e INSTAT shihen me skepticizëm nga ekspertët e turizmit. Duhen statistika të sakta që turizmi të ketë zhvillim të qendrueshëm – thotë kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit Zak Topuzi.

“INSTAT flet për “Lëvizje të shtetasve të huaj”, kurse Qeverisë i intereson ti quajë “Turistë” duke mos qënë e njëjta gjë. Shqipëria po përdoret si kalim “Tranzit” për rajonin falë Aeroportit Rinas Loë- Cost dhe kjo e ndërlikon situatën dhe kërkon një analizë të veçantë.”, thekson Topuzi.

“Operatorët formalë, me të drejtë, presin rritje të kërkesës, ndërkohë tregu informal i Apartamenteve po mer një kontigjent të rëndësishëm të turistëve të vërtetë por low cost, që vetë i stimuluam!! Ekuacioni është bërë me shumë të panjohura dhe vështirë të zgjidhet dhe nga ekspertët më të mirë, qofte të huaj, pa statistika të sakta.”, argumenton ai, teksa shton se duhet ndryshuar strategji.

‘Planifikoni Resorte & Hotele të mëdha, që Shqiptarët dhe Kosovarët që kanë mundësi të paguajnë të mos kenë destinacion kryesor Turqinë dhe Greqinë por të pushojnë me dinjitet në bregdetin Shqiptar.’, përfundon Topuzi.

Lexoni verifikimin e Faktoje në muajin korrik përgjatë vijës bregdetare të Vlorës.

The post Turizmi u ngadalësua në korrik appeared first on Faktoje.al.

Baza detare në Porto Romano kërkon 366 milionë euro

22 August 2024 at 16:00

Esmeralda Topi 

Prej dy vitesh qeveria shqiptare është vetëofruar të mirëpresë në Porto Romano ndërtimin e një baze detare nga NATO – përmes një bashkëfinancimi.

‘Ky i këtushmi do të jetë, jo vetëm një port që do të impaktojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar, por do të jetë një port që do të impaktojë sigurinë tone(…)do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake.’, – deklaroi kryeministri Edi Rama, muajin e kaluar, teksa u hap gara për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.  

‘Në bashkëveprim me NATO-n kemi nisur prej kohësh të punojmë për financimin e zonës portuale ushtarake të Porto Romanos, çka jo vetëm do të forconte ndjeshëm dimensionin e sigurisë së Shqipërisë, por edhe rolin e vendit tonë në hapësirën e aktivitetit të NATO-s’, vijoi në të njëjtën linjë me kryeministrin edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë,  Belinda Balluku.

Qeveria shqiptare e bën fakt të kryer bazën autonome detare të Porto Romanos nga NATO, edhe pse Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk ka marrë ende një vendim.

Një zyrtar i Aleancës Atlantike rikonfirmoi për Faktoje se “nuk ka ende asnjë vendim për bazën në Porto Romano”.

“NATO-s zakonisht merr kohë për të shqyrtuar kërkesat operacionale për një pikë të tillë”- shtoi ai.

Projekt me prioritet

Teksa NATO po shqyrton mundësinë e bashkëfinancimit të bazës detare në Porto Romano, qeveria shqiptare e ka përfshirë projektin në listen unike të projekteve me rëndësi kombëtare. I klasifikuar si projekt me prioritet, baza autonome detare planifikohet të ketë një kosto prej 366 milionë eurosh.

Këmbënguljen e qeverisë shqiptare për të afruar NATO-n me një tjetër bazë në Shqipëri, studiuesi Ledion Kristafi e sheh si strategji të zgjuar nga pala shqiptare.

‘Duke qene se Shqipëria nuk ka kapacitetet financiare të plotesojë nevojat e saj ushtarake, duke i propozuar NATO-s të bëjë baza në Shqipëri, NATO investon dhe nga ky investim përfiton dhe Shqipëria’, shprehet ai.

Sipas Kristafit, baza detare në Porto Romano do të shërbejë si mbështetëse logjistike e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka rëndësi në sfond të zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë dhe Rusi.

‘NATO po ndërton një bazë gjigande në Rumani që ka vlerë të drejtpërdrejtë me luftën ne Ukrainë dhe pasojat e saj. Baza e Porto Romanos me shumë mundësi do jetë një bazë e ngjashme me atë të Kuçovës por tashme jo për ajrin por për marinën.’, thekson kristafi, duke shtuar se rëndësia e kësaj baze do të shtohej vetëm në rast të një konflikti në Ballkan.

Ndërsa kolonel Dritan Demiraj, ngritjen e një baze detare të NATO-s në Shqipëri e sheh si një përpjekje për të rritur rolin e vendit në Aleancë.

“Mendoj se ngritja e bazës ajrore bashkë me kërkesën e vazhdueshme të kryeministrit Rama për ngritjen edhe të një baze detare në mbështetje dhe me fondet e NATO-s në Durrës, rrisin rolin e Shqipërisë në aleancë dhe për rrjedhojë edhe mbështetjen e saj politike ndërkombëtare.”, pohon ish komandanti i Forcave Speciale.

Prapavijë 

Idenë për ngritjen e një baze detare të NATO-s në Shqipëri kryeministri shqiptar Edi Rama e hodhi për herë të parë publikisht korrikun e vitit 2022. 

“E vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, […] duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë […]”deklaroi Rama në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg- gjatë një vizite zyrtare në Bruksel. 

Një vit më vonë, nga Shkupi, Rama i kërkoi Aleancës së Atlantikut të Veriut të përshpejtojë procedurat lidhur me kërkesën e Shqipërisë për të bashkëfinancuar bazën e re detare.  

“Dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano të procedohet sa më shpejt […].”, tha Rama pas një takimi mes liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore në Shkup. 

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit lidhur me bazën detare të NATO-s në Porto Romano, e kategorizojmë si gjysmë të vërtetë.

The post Baza detare në Porto Romano kërkon 366 milionë euro appeared first on Faktoje.al.

Ku ngeci projekti i Urës mbi Bunë?

16 August 2024 at 16:00

Prej më shumë se dy vitesh, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë planifikuar të ndërtojnë së bashku një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri. Vepra duhet të përfundonte në gusht të këtij viti, por verifikimet e Faktoje tregojnë se afatet janë shkelur. Projekti i urës mbi Bunë me vlerë 20 milionë euro do të nis zbatimin në fund të këtij viti, ose fillimvitin e ardhshëm.

Esmeralda Topi

Dy vite më parë, gjatë një takimi të nismës Ballkani i Hapur në Ohër, kryeministri shqiptar Edi Rama e njohu kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç me projektin 3D të urës mbi lumin Buna, një ide e hedhur më herët nga Abazoviç që parashikon të lidh Velipojën me Ulqinin.

Projekti u konkretizua në një Marrëveshje Bilaterale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, më 27 shkurt 2023 në Podgoricë. Në mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç nënshkruan Deklaratën e Përbashkët dhe Marrëveshjen Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna me vlerë 20 milionë euro.

Projekt-idea mbi urën që do të lidhë Velipojën me Ulqinin ishte përgatitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projekti teknik i urës, përgatitja e buxhetit, lejet e ndërtimit duhet të përfundonin deri në shkurt të vitit 2023, për t’i hapur rrugën punimeve në terren. Si afat për përfundimin e veprës planifikohej gushti i këtij viti.

Verifikim

Koha tregoi që afati i premtuar për përfundimin e veprës u shkel. Nga verifikimet e Faktoje rezulton se për veprën që planifikohej të inagurohej këtë muaj, nuk kanë nisur ende punimet në terren.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se punimet për projektin pritet të fillojnë në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit 2025.

Kohëzgjatja e zbatimit për këtë projekt është parashikuar të jetë 24 muaj. Si rrjedhojë, punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2026 ose fillim të 2027-ës.‘ thotë FSHZH, pa dhënë arsye për shkeljen e afatit.

Paralelisht me ndërtimin e urës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se do të hapet edhe pika e përbashkët e kalimit kufitar, e cila do të bëjë të mundur aksesin e këtij investimi nga qytetarët.

Turizmi kërkon vepra

Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, tha për Faktoje Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi.

“Është ndihmë shumë e madhe për turizmin shqiptar, edhe për ata që duan të shkojnë në Mal të Zi. Dhe jo vetëm thjesht për turizmin shqiptar, sepse do të jetë një urë lidhëse e mirë edhe për turistët shqiptarë të Kosovës që vijnë nga diaspora dhe bëjnë turizëm në Shqipëri.” – shprehet ai duke shtuar se ndërtimi i kësaj vepre duhet të nisë sa më parë, për këtë arsye:

“Me lirimin e vizave për Kosovën ne rrezikojmë pasi atyre u është hapur një rrugë shumë interesante për të shkuar në Greqi. Prandaj ndërtimi i kësaj ure që krijon lehtësi dhe shkurton distancën na ndihmon në një moment si ky, ndaj duhet bërë sa më parë. Jo thjesht të mbetet një projekt.”- argumenton Kryetari i Shoqatës së Turizmit.

Projekti

Ura mbi Bunë”, është një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, duke shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 km në 300 m.

Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë fshatin Pulaj të Velipojës dhe Cveti Nikoliqin në Mal të Zi, në territorin e Komunës së Ulqinit.

Ura e projektuar është kompozitë me trarë çeliku dhe soletë beton arme, rreth 300 metër e gjatë me një gjerësi prej 17 metra linearë, me dy trotuare dhe korsi biçikletash në të dy krahët e urës, dy korsi kalimi për makina me gjerësi rreth 5.25 metra secila.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor.

I gjithë projekti do të kushtojë 20 milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth dy vite.

The post Ku ngeci projekti i Urës mbi Bunë? appeared first on Faktoje.al.

Kostoja e ushqimeve në Shqipëri dhe BE: Ndani përvojën tuaj  

16 August 2024 at 13:40

Faktoje është duke zhvilluar një tjetër sondazh, këtë herë në lidhje me shtrenjtimin e kostos së jetesës. Përmes këtij pyetësori, ne duam të kuptojmë ndryshimin e çmimit të ushqimeve bazë në supermarketet shqiptare si dhe diferencën e tyre me produkte të njëjta në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.

Ne kërkojmë të dimë nëse:

  • A janë ushqimet e shportës bazë të përballueshme për një familje?
  • A i blejnë shqiptarët këto produkte më lirë apo më shtrenjtë se në vendet e BE?
  • Si po ndikon shtrenjtimi i jetesës në ekonomitë e tyre familjare?

Ne duam të mbledhim opinionet dhe përvojat tuaja për të kuptuar më mirë se si kjo situatë po ndikon në jetën tuaj të përditshme dhe në ekonominë e familjes tuaj.

Ju ftojmë të ndani mendimet dhe përvojat tuaja, duke plotësuar pyetësorin e mëposhtëm. Mendimi juaj është me vlerë dhe do të na ndihmojë ne për të pasqyruar sa më saktë mbi rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë.

Ne duam t’ju sigurojmë se të dhënat tuaja janë të sigurta dhe do të lexohen vetëm nga stafi ynë, me qëllimin e identifikimit të problematikave dhe raportimit sa më korrekt të tyre.

Të dhënat tuaja personale nuk do të publikohen në asnjë rast, pa marrë më parë pëlqimin tuaj.

Si të merrni pjesë:

Për të ndarë historinë tuaj, gjithë sa duhet të bëni është të plotësoni pyetësorin e mëposhtëm. Ju mund të na kontaktoni gjithashtu në adresën tonë të emailit: [email protected] ose përmes rrjeteve tona sociale.

Përgjigjet tuaja i presim deri më 5 shtator, ora 24:00.

The post Kostoja e ushqimeve në Shqipëri dhe BE: Ndani përvojën tuaj   appeared first on Faktoje.al.

Shkrumb e hi, 162 mijë hektarë me pyje dhe kullota 

7 August 2024 at 16:00

Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale që dënohet nga 5 deri në 20 vite burg në Shqipëri. Por ndonëse çdo verë flakët kanë shkrumbuar me mijëra hektarë pyje dhe kullota, të dhënat e përpunuara nga Faktoje tregojnë se pandëshkueshmëria ka ‘thyer’ ligjin.  Në 10 vitet e fundit janë regjistruar 225 procedime penale për shkatërrimin e pyjeve me zjarr, por pas hekurave kanë përfunduar vetëm 3 piromanë. Nga bilanci i dekadës së fundit sipërfaqja e djegur në pyje dhe kullota rezulton 162 mijë hektarë. 

Esmeralda Topi

Edhe këtë verë vendi po përballet me zjarre të shumta nga veriu në jug. Ndonëse zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale që dënohet nga 5 deri në 20 vite burg, të dhënat e përpunuara nga Faktoje mbi krimet mjedisore tregojnë se zbatueshmëria e ligjit çalon duke i lënë vend pandëshkueshmërisë. 

Në dhjetë vitet e fundit krimi ndaj mjedisit është rritur ndjeshëm, por ndëshkimi mungon. Këtë fakt e ka vënë në dukje edhe kryeministri Edi Rama. Por ai, pandëshkueshmërinë ia faturon sistemit të drejtësisë.

“Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrvënësit.” – Edi Rama, korrik 2023. 

Bilanci i dekadës së fundit tregon se ashpërsimet e kodit penal për zjarrvënien e qëllimshme apo zjarrin nga pakujdesia nuk kanë dhënë rezultat. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në dhjetë vitet e fundit janë regjistruar 225 procedime penale për shkatërrimin me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor. 

Por nga qindra të proceduar, në gjykatë kanë shkuar si të pandehur vetëm katër persona, ndërkohë që pas hekurave si të dënuar kanë përfunduar vetëm tre piromanë. 

Nga ana tjetër, në periudhën 2013-2023 rezultojnë 76 persona të proceduar penalisht për shkatërrimin e pyjeve me zjarr nga pakujdesia. Por edhe për këtë vepër penale, ndëshkimi rezulton minimal me tre të dënuar. 

Për inxhinierin e pyjeve Abdulla Diku, pandëshkueshmëria e piromanëve është e qëllimtë. 

“Pyjet, ashtu si dhe zonat e mbrojtura, prej vitesh kanë qënë nën presion të madh. Sot janë më shumë se kurrë. Digjen e do t’i djegin për resorte turistike apo për të fshehur gjurmë të tjera krimesh mjedisore. Askush nuk do kapet e dënohet, sepse askush nuk dënon veten për një krim të bërë me gjakftohtësi. Ai që ka paranë, blen gjithçka, edhe dënuesin.”, pohon ai. 

“Si është e mundur që krimi mjedisor në Shqipëri dhe veçanërisht ai në pyje ka nivelin më të ulët të ndëshkueshmërisë në botë?! Kjo nuk do shumë mend për përgjigjen pasi dihet, kush do e ndëshkojë zjarrvënësin, ai që nuk njeh asgjë nga zanati?”, vijon më tëj inxhinieri. 

846 zjarre shkrumbuan 162 mijë hektarë me pyje dhe kullota

Në dhjetë vitet e fundit në Shqipëri janë djegur mbi 162 mijë hekatarë me pyje dhe kullota. Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarreve në Pyje (SEIZP), tregojnë se nga viti 2014 e deri në fillimgusht të këtij viti, vendi është përfshirë nga 846 vatra zjarresh. 

Ndryshe nga një vit më parë, ku janë shënuar vetëm 35 vatra zjarresh në të gjithë vendin, deri në javën e parë të gushtit të këtij viti numri i zjarreve është dyfishuar. Për pasojë, rreth 25 mijë hekatarë sipërfaqje me pyje dhe kullota është djegur. 

“Situata vitin tjetër do jetë njëjtë, në mos më keq!” – paralajmëron inxhinier Abdulla Diku. 

“Më shumë zjarre e më shumë dëme prej tyre. Pa pajisje logjistike, pa mbështetje dhe pa personelin e kualifikuar pyjor, veçse do bëjmë statistikat e dëmeve nga zjarret në pyje.”, vijon më tej ai. 

Shifrat tregojnë se viti më i keq i dekadës së fundit është 2017, ku rreth 42 mijë hektarë pyje dhe kullota janë shkrumbuar nga flakët. Ndërkohë që në 20 vitet e fundit, në vend janë shkrumbuar rreth 450 mijë hektarë me pyje dhe kullota. 

“Çfarë ka ndodhur këto vite?! Ja, nga 200,000 hektarë me pyje të djegura tani kemi rreth 450,000 hektarë. Ka ndryshuar apo është përmirësuar gjë?! Aspak!”, përfundon inxhinieri. 

The post Shkrumb e hi, 162 mijë hektarë me pyje dhe kullota  appeared first on Faktoje.al.

Kujdes nga skemat mashtruese të investimeve online

2 August 2024 at 12:04

Në rrjete sociale po qarkullon një faqe interneti që imiton uebin e Top Channel, e cila përhap lajme të rreme duke i ftuar njerëzit të investojnë online. E gjitha është një skemë mashtrimi me qëllime përfitimi, ndaj Faktoje ju fton të bëni kujdes.

Pretendimi: Banka Qendrore e Shqipërisë po padit Edi Manushin për ato që tha në televizion live

Verdikti: I pavërtetë

Nëse ditët e fundit keni hasur në rrjetin social facebook një faqe interneti identike me atë të Top Channel që ju fton të investoni në platformën online “Nearest Edge” për tu pasuruar, bëni kujdes. Është një skemë mashtrimi që synon të zhvasë para.

Faktoje verifikoi skemën duke ndjekur linkun e postimit në Facebook. Ai ju çon në uebsajtin https://weedenhost.com/ ku publikohet një intervistë e supozuar me Edi Manushin, realizuar nga moderatori Blendi Salaj.  

“Banka Qendrore e Shqipërisë po padit Edi Manushi për ato që tha në television live.”, është titulli i intervistës.

Që në krye, artikulli i rremë nis me pretendimin se Banka e Shqipërisë ka nderprerë emisionin live, madje ka paditur moderatorin Edi Manushi pasi ai ka zbuluar sekretin e të pasuruarit online.

Në intervistën e sajuar mes dy personazheve të njohura të televizionit kombëtar Top Channel, biseda orienton përdoruesit e Facebook si të ‘pasurohen’ përmes platformës online të investimit “Nearest Edge”.

Për tu bërë sa më e besueshme intervista e rreme e shkruar me ndihmën e ‘Google translate’, keqpërdor logon e uebsajtit të televizionit Top Channel dhe emisionit ‘Top Arena’.

Manushi i tregon Salaj se me një depozitë prej vetëm 25000 leke mund të bëhesh milioner, nëse investoni në platformën “Nearest Edge” duke e shoqëruar edhe me një link. Nëse klikoni në linkun e publikuar, do të shihni se bëhet fjalë për mashtrim me kriptovaluta.

Reagimet

Duke qënë se skema mashtruese niste me padinë e rreme keqpërdorte edhe Bankën e Shqipërisë, Faktoje ju drejtua për një reagim institucionit.

“Ju bëjmë me dije se për sa i përket lajmit të dërguar me link është totalisht i pavërtetë. Banka e Shqipërisë as ka reaguar, as ka paditur kënd për këtë pjesë.”, sqaron Banka Qendrore pas një kërkese për koment nga , duke theksuar qendrim të njëjtë për kriptovalutën dhe investimin e njerëzve në to.

“I bëjmë apel publikut shqiptar që të tregohet i matur dhe i përgjegjshëm në administrimin e kursimeve apo likuiditeteve të lira që zotëron. Ai duhet t’i orientojë investimet drejt produkteve dhe instrumenteve financiare të ofruara nga institucione të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.”, këshillon Banka e Shqipërisë.

Reagim të menjëhershëm ka pasur edhe moderatori Blendi Salaj që e gjeti veten befas personazh kryesor në skemën mashtruese.

“Është e gjitha një mashtrim. Faqja, që imiton faqen web të Top-Channel citon një gjoja-intervistë midis meje dhe Edi Manushit ku ne tregojmë sesi të bësh para përmes këtyre investimeve online. S’e kemi bërë kurrë atë bisedë, s’kemi asnjë lidhje me këtë kurth, as ne, as Topi.”, shkruan Blendi Salaj në profili e tij zyrtar në Facebook.

“Jam i bindur se kush fut lekë atje nuk ka për t’i parë më. Mos u gënjeni. Të mos lejojmë që të njohurit tanë të bien pre.”, përfundon ai.

E njëjta skemë mashtruese është përhapur edhe në Maqedoninë e Veriut, verifikuar nga kolegët tanë të Portalb. Më herët Faktoje ka verifikuar skema të tjera mashtrimi në rrjete sociale.

The post Kujdes nga skemat mashtruese të investimeve online appeared first on Faktoje.al.

Korçë -Ersekë në vend numëro!

22 July 2024 at 16:00

Pesë muaj pas shembjes së rrugës Korçë-Ersekë në terren asgjë s’ka ndryshuar. Shembja masive që e bëri të pakalueshme rrugën në Qafën e Qarrit ende nuk ka as përgjegjës dhe as zgjidhje. Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se është duke vlerësuar riparimin e defektit, por refuzon të bëjë të ditur shkakun që solli shembjen e rrugës. Ekspertët thonë se përcaktimi i shkakut është thelbi për ndarjen e përgjegjësisë dhe më tej faturën e dëmit.

Esmeralda Topi

Qershorin e vitit të shkuar banorët e Ersekës prisnin inagurimin e rrugës së re do t’i lidhte kolonjarët me Korçën. Por, veç shkeljes së afateve, në shkurt të këtij viti banorët e zonës u përballën me një situatë të paprecedentë.

Pasditen e 18 shkurtit, në vendin e quajtur Qafa e Qarrit një pjesë e rrugës së re u shemb duke e bërë aksin të pakalueshëm për kolonjarët.

Verifikim

Në fund të muajit maj, Faktoje udhëtoi drejt Ersekës për të parë nga afër ecurinë e punimeve në aksin 35 km që deri më tani ka kushtuar 80 milionë euro.

Në hyrje të rrugës së re, një tabele e vogël lajmëron kalimtarët: “KUJDES! KETU PUNOHET.

Rruga aktualisht nuk është e kalueshme. Masivi me dhe që shihni më poshtë është e vetmja mburojë pas tabelës që pengon kalimin në kantier.

Në vendin ku është shembur rruga, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Pamja duket e njëjtë me atë të pesë muajve më parë. I vetmi ndryshim që binte në sy ishte devijimi i rrugës për tiu mundësuar punëtorëve dhe makinerive kalimin në kantier përtëj Qafës së Qarrit.

Më 24 maj, po punohej për ndërtimin e një ure fare pranë fundit të rrugës. Kalimi në kantierin e rrugës Korçë-Ersekë ishte i mundur deri në këtë pikë.

Faji jetim…

Ndonëse kanë kaluar pesë muaj nga shembja masive e rrugës Korçë-Ersekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar refuzon të bëjë të ditur shkakun e shembjës në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.

Pas një sërë komunikimesh përmes koordinatorit për të drejtën e informimit, ARRSH këmbëngul se është në proces vlerësimi për riparimin e defektit. Deri në miratimin e këtij projekti, Autoriteti Rrugor thotë se nuk mund të ndajë përgjigje shteruese.

“Duke qënë se jemi në situatën që ende si është dhënë rrugë miratimit zyrtar të projektit dhe ARRSH menjëherë ka filluar proceduren për miratimin e tij, ju sqarojmë se arsyeja e vonesës për pergjigjie konkrete është pritja si nga ana jonë dhe e juaj për miratimin e projektit për t’iu dhënë nje përgjigje shteruese me pas”, argumenton ARRSH.

Ekspertët shohin të tjera arsye. Përcaktimi i shkakut është thelbi për ndarjen e përgjegjësisë dhe më tej faturën e demit- theksojnë ata.

Për inxhinierin gjeodet Romeo Nazarko, zanafilla e ngjarjes nis me ndryshimin e gjurmës së rrugës.

“U ndryshua gjurma dhe kaloi në një terren jo të qendrushem dhe mbi të gjitha në një terren që ka shumë ujëra nëntokesor. Nga njera anë ujërat nëntokësorë, nga ana tjetër ujërat që vijnë si rezultat i shkrirjes së borës, (sepse është zonë malore) bëhen bashkë dhe gjejnë pikën e dobët duke sjellë pasojën që sollen.”, shpjegon ai.

“Në inxhinieri këto janë njolla që asnjëherë nuk gjejne zgjidhje, por që kërkojnë në mënyrë permanente lekë nga buxheti i shtetit.”, argumenton Nazarko.

Përfundim

Rruga Korçë – Ersekë është gjithsej 35 kilometër e gjatë, standard normal i kategorisë C, me vetëm një korsi. Ndërtimi i aksit u nda në dy lote. Loti i parë me gjatësi 18 kilometra u bë gjatë qeverisjes demokrate me kosto totale 15 milionë euro. Ndërsa loti i dytë me gjatësi 17 kilometra u tenderua nga qeveria aktuale me një vlerë fillestare 5 miliardë lekësh ose gati 48 milionë euro. Por këtë vit, faturës së kripur iu shtuan edhe 5 milionë euro të tjera përmes një procedure modifikimi të kontratës. Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se kosto totale e kësaj rruge parashikohet të kushtojë 8,2 miliardë lekë, apo 80 milionë euro (përfshirë edhe TVSH). Rruga Korçë-Ersekë duhet të përfundonte në qershor të 2023. Por afati u shty me një vit dhe teksa pritej inagurimi, një pjesë e rrugës u ‘shkërmoq’. Çështja është depozituar në SPAK, ndërsa afati i ri për përurimin e rrugës është shtyrë në prag të zgjedhjeve 2025. 

Lexo më poshtë:

The post Korçë -Ersekë në vend numëro! appeared first on Faktoje.al.

❌
❌